ATV

Author: G.O.

  • Nis takimi ShBA – Rusi në Arabinë Saudite

    Nis takimi ShBA – Rusi në Arabinë Saudite

    Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë kanë nisur të martën takimin e nivelit të lartë në Arabinë Saudite.

    Pala amerikane ka thënë se takimi i sotëm nuk ka të bëjë me nisje të negociatave, mirëpo për të parë nëse Rusia është “serioze” në dhënien fund të luftës në Ukrainë, raporton REL.

    Pala ruse, në anën tjetër, ka thënë se prioritet do të ketë normalizimi i marrëdhënieve me SHBA-në.

    Pala amerikane përbëhet prej Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, Këshilltarit për Siguri Kombëtare, Mike Waltz dhe të dërguarit të posaçëm amerikan për Lindje të Mesme, Steve Wikoff.

    Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe Yury Ushakov, këshilltar për politikë të jashtme i presidentit rus, Vladimir Putin, përfaqësojnë Rusinë.

    Takimi i 18 shkurtit në Riad zhvillohet pas intensifikimit të përpjekjeve të Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës gati trevjeçare në Ukrainë, ndonëse taktikat kanë tronditur qarqet diplomatike në Kiev dhe Evropë, meqë ka paqartësi për llojin e marrëveshjes që mund të arrihet në të ardhmen, me qëllim të dhënies fund të luftës.

    “Ky mëtohet të jetë hapi i parë në procesin e gjatë të negociatave, mirëpo gjërat po lëvizin shpejt”, ka thënë Nigel Gould-Davies, ish-diplomat britanik që aktualisht është hulumtues i lartë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

    “Ekziston një rrjedhshmëri që do të vazhdojë të avancohet në këto kohë paqartësish”.

  • Vazhdon sot gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

    Vazhdon sot gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

    Sot do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

    Dëshmitari i fundit ishte Sylejman Selimi.

    Prokuroria e Specializuar e Hagës pritet t’i përfundojë dëshmitarët e saj në muajin prill.

  • Temperaturat sot shënojnë nga -7 deri në 2 gradë Celsius

    Temperaturat sot shënojnë nga -7 deri në 2 gradë Celsius

    Sot parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat minimale do të zbresin nga -7°C deri në -3°C, ndërsa maksimalet do të shënohen nga -2°C deri në 2°C.

  • Vazhdon sot numërimi i votave të kandidatëve për deputetë në 19 qendra

    Vazhdon sot numërimi i votave të kandidatëve për deputetë në 19 qendra

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të martën do të vazhdojë numërimi i votave të kandidatëve për deputetë në 19 Qendra Komunale të numërimit.

    Gjatë ditës së djeshme, KQZ ka bërë të ditur se sipas të dhënave të fundit, deri më 16 shkurt janë numëruar 73.23% e vendvotimeve, ose gjithsej 1,855 nga 2,533, në kuadër të procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.

    Ndërsa ka theksuar se numërimi ka përfunduar në 19 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) në komunat: Deçan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Junik, Mamushë, Hani i Elezit, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.

    KQZ thotë se vazhdon të sigurojë transparencë dhe korrektësi gjatë procesit të numërimit, i cili pritet të përfundojë së shpejti.

  • Von der Leyen: Siguria e Evropës është në një pikë kthese

    Von der Leyen: Siguria e Evropës është në një pikë kthese

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi se “siguria e Evropës është në një pikë kthese”.

    Ajo tha se bashku me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, do të marrin pjesë në takimin jozyrtar të një grupi të vogël liderësh evropianë këtë të hënë pasdite në Paris.

    “Sapo mbërrita në Paris për bisedime kritike. Siguria e Evropës është në një pikë kthese. Po, bëhet fjalë për Ukrainën, por edhe për ne. Ne kemi nevojë urgjente për një mënyrë të re të të menduarit. Duhet të forcojmë mbrojtjen. Dhe ne kemi nevojë për të dyja tani”, thekson Von der Leyen.

  • Edi Rama shpërndan deklaratën e Grenellit për Thaçin: Sa më shumë të mbahet në burg, aq më e madhe njolla

    Edi Rama shpërndan deklaratën e Grenellit për Thaçin: Sa më shumë të mbahet në burg, aq më e madhe njolla

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka shpërndarë deklaratën e emisarit të veçantë të administratës Trump, Richard Grenell, kundër Gjykatës Speciale.

    Grenell, në një urim për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës të hënën, kujtoi “padrejtësinë e rëndë” që tha se po i bëhet në Hagë “atit themelues të shtetit të Kosovës”, Hashim Thaçit.

    Zyrtari i lartë amerikan tha se “kjo burgosje e padrejtë duhet të marrë fund”.

    Me këtë deklaratë të Grenellit pajtohet plotësisht kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili tha se Gjykata Speciale nuk duhet të vazhdojë.

    “Absolutisht! Dhe sa më shumë të vazhdojë [Gjykata Speciale], aq më e madhe është njolla në organin ndërkombëtar të drejtësisë!”, ka thënë Rama.

    Grenell: Ky përvjetor i pavarësisë i errësuar nga padrejtësia e rëndë që po i bëhet Thaçit, duhej ta festonte në Prishtinë

     

  • Edhe Kroacia uron Kosovën për 17-vjetorin e Pavarësisë

    Edhe Kroacia uron Kosovën për 17-vjetorin e Pavarësisë

    Kosova shënon sot 17-vjetorin e mëvetësisë së saj.

    Njëra nga shtetet që e ka uruar Kosovën është edhe Kroacia.

    “Sretan Dan neovisnosti Kosovo 🇽🇰! Gëzuar Dita e Pavarësisë Kosovë! Happy Independence Day!”, ka shkruar Danijela Barishiq, ambasadore e Kroacisë në Kosovë.

  • Arrestohet në Leposaviq i dyshuari për lëndim të rëndë trupor

    Arrestohet në Leposaviq i dyshuari për lëndim të rëndë trupor

    Policia ka arrestuar një person në Leposaviq, të dyshuar për lëndim të rëndë trupor.

    21-vjeçari S.C dyshohet së bashku me tre persona të tjerë, kishte sulmuar viktimën në një lokal në Leposaviq, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

    “Arrestimi i të dyshuarit është bërë pas pranimit të informatës se i njëjti ndodhej në një lokal në Leshak të Leposaviqit, ndaj të cilit gjithashtu ishte lëshuar Urdhërarresti nga Gjykata Themelore në Mitrovicë në lidhje me rastin e lartcekur”, thuhet në njoftim.

    Të njëjtit gjatë kontrollit i është gjetur drogë, ndërsa me vendim të Prokurorit ai është dërguar në paraburgim për 48 orë.

    “I dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa në lidhje me substancën narkotike Drejtoria për Hetimin e Trafikut të Narkotikëve – Mitrovicë Veri ka iniciuar rastin “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge””, ceket tutje.

  • Aksident tragjik në Gjirokastër: Makina përplaset me mjetin e ushtrisë, humb jetën shoferi dhe pasagjeri

    Aksident tragjik në Gjirokastër: Makina përplaset me mjetin e ushtrisë, humb jetën shoferi dhe pasagjeri

    Dy persona kanë humbur jetën në një aksident automobilistik në Gjirokastër, pranë kthesës së liqenit të Viroit.

    Automjeti tip “Volkswagen Cady” që drejtohej nga një 58-vjeçar është përplasur me automjetin e ushtrisë, tip “Mad” që drejtohej nga një 54-vjeçar.

    Përplasja ka qenë e fortë, duke i nxjerrë mjetet nga rruga dhe për pasojë , ka humbur jetën shoferi dhe pasagjeri i Volkswagenit. Ndërkohë, është dëmtuar lehtë 54-vjeçari, i cili po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Gjirokastër.

    Aksidenti tragjik ndodhi rreth orës 14:00, në aksin rrugor “Gjirokastër-Tepelenë”, në vendin e quajtur “Kthesa e Viroit”, ndërkohë që priten hetimet për të zbuluar shkaqet e përplasjes.

  • Të paktën nëntë të vdekur nga përmbytjet dhe shirat e dendur në ShBA

    Të paktën nëntë të vdekur nga përmbytjet dhe shirat e dendur në ShBA

    Të paktën nëntë persona kanë vdekur gjatë fundjavës, pasi shirat e rrëmbyeshëm përmbytën pjesë të SHBA-së juglindore.

    Guvernatori i Kentucky, Andy Beshear, tha se tetë persona kishin vdekur në shtetin e tij dhe theksoi në një konferencë shtypi të dielën se ky numër mund të rritet, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

    Qindra njerëz të bllokuar në ujërat e përmbytjeve, shumë të ngecur në makinat e tyre, u shpëtuan dhe Beshear paralajmëroi banorët që “të qëndrojnë larg rrugëve tani”.