ATV

Author: G.O.

  • Izraeli uron Kosovën për 17-vjetorin e Pavarësisë

    Izraeli uron Kosovën për 17-vjetorin e Pavarësisë

    Izraeli i ka dërguar urime Kosovës për 17 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

    Në një postim në rrjetin social “X”, Ministria e Jashtme izraelite ka publikuar një mesazh urimi në gjuhën shqipe, me një mesazh edhe në anglisht.

    Kosova dhe Izraeli zyrtarizuan marrëdhëniet diplomatike në shkurt të vitit 2021 dhe në korrik të të njëjtit vit, Kosova hapi një ambasadë në Jerusalem.

    Izraeli është vendi i fundit që ka njohur pavarësinë e Kosovës.

  • Futbolli kosovar në zi, ndahet nga jeta në moshë të re gjyqtari Rilind Berisha

    Futbolli kosovar në zi, ndahet nga jeta në moshë të re gjyqtari Rilind Berisha

    Opinioni sportiv në Kosovë ka marrë një lajm të kobshëm sot (e hënë) gjatë ditës.

    Gjyqtari i ri dhe me perspektivë Rilind Berisha, është ndarë nga jeta në një moshë shumë të re.

    Për vdekjen e tij ka reaguar edhe komuniteti sportiv, ku në mesin e tyre ishte edhe trajneri i Rahovecit, Faruk Statovci.

    “Lindi na theve shpirtin me ikjen tënde, Allahu të qoftë në lula të xhenetit”, ka shkruar ish-futbollisti i njohur kosovar.

    Telegrafi i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit, miqve dhe të gjithë komunitetit sportiv.

  • Tri vajza raportohen të zhdukura në Malishevë dhe Suharekë

    Tri vajza raportohen të zhdukura në Malishevë dhe Suharekë

    Policia e Kosovës (PK) përmes raportit 24 orësh ka njoftuar se tri vajza janë raportuar të zhdukura në Malishevë dhe Suharekë.

    Në Malishevë një burrë i ka raportuar të zhdukura dy vajzat e tij.

    “Më 16.02.2025 Ankuesi m/k ka njoftuar policinë se dy vajzat e tij kanë dalë nga shtëpia dhe nuk janë kthyer”, thuhet në raportin e Policisë.

    Ndërkohë në Suharekë një grua e ka raportuar të zhdukur vajzën e saj.

    “Më 16.02.2025 ankuesja femër kosovare ka raportuar se vajza e saj është larguar nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e saj”, thuhet në raportin e Policisë.

    Të dy rastet thuhet se janë nën hetime.

  • Ambasadori britanik uron 17-vjetorin e Pavarësisë: Britania është krenare që feston arritjet e Kosovës

    Ambasadori britanik uron 17-vjetorin e Pavarësisë: Britania është krenare që feston arritjet e Kosovës

    Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves ka uruar Kosovën me rastin e Ditës së Pavarësisë.

    Ai ka thënë se shteti i tij është krenar që feston arritjet e Kosovës si shtet demokratik.

    “Ne mezi presim të punojmë së bashku për sigurinë tonë të përbashkët, stabilitetin e rajonit dhe për miqësinë edhe më të thellë midis vendeve tona”, ka shkruar Hargreaves.

  • Nga Hasan Prishtina te Hashim Thaçi – Kurti kujton figurat historike që çuan në themelimin e shtetit të Kosovës

    Nga Hasan Prishtina te Hashim Thaçi – Kurti kujton figurat historike që çuan në themelimin e shtetit të Kosovës

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në ceremoninë e parakalimit të trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, ka thënë se në historinë moderne të Evropës, krijimi i shtetit të Kosovës është një nga historitë më të fuqishme dhe shembullore.

    Ai ka thënë se Kosova është shembull i përparimit të vetëdijes së një populli për liri dhë këmbënguljes së tij për shtet.

    “Republika e Kosovës njëmend është shteti më i ri në kontinentin e vjetër, por shteti me historinë më të gjatë të përpjekjes së krijimit të tij”, ka thënë Kurti.

    Kurti ka shtuar se ne jemi popull autokton dhe se Republika e Kosovës është rezultat i të gjithë atyre që luftuan e u përpoqën për këtë vend që nga Hasan Prishtina e deri tek rreshteri Afrim Bunjaku, heroi më i ri i Kosovës.

    “Republika e Kosovës është rezultat i protestave të qytetarëve, demonstratave popullore, grevave të punëtorëve e minatorëve, dhjetëra mijëra të burgosurve politikë që nga Adem Demaci e deri te Ukshin Hoti. Është rezultat i të gjithë dëshmorëve që nga Azem Bejta e Shaban Polluzha e deri te Zahir Pajaziti dhe kryekomandanti i UÇK-së, Adem Jashari”, tha Kurti.

    Kryeministri përmendi edhe ish-presidentin Ibrahim Rugova, për të cilin tha se ndonëse nuk e arriti për së gjalli 17 shkurtin e 2008, e thirri dhe e shpresoj atë ditë deri në frymën e fundit.

    Kurti tha se mbi të gjitha Republika e Kosovës është rezultat i UÇK-sëdhe luftës së drejtë të saj, që u ndihmua nga SHBA-të dhe vendet aleate të NATO-s.

    Ai përmendi edhe ish-kryeministrin e atëhershëm Hashim Thaçi.

    “Republika e Kosovës është aktit sipëror të brezit më të ri dhe të zgjedhurve të populli të saj emrat e të cilëve lexohen pas firmave të nënshkruara në deklaratën e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 nga 109 deputetë të Kuvendit dhe nga krerët shtetëror të asaj kohe, presidenti Fatmir Sejdiu, kryekuvendai Jakup Krasniqi dhe kryeministri Hashim Thaçi”, tha Kurti.

    Kryeministri në fund tha se e bekuar qoftë rruga e Kosovës krah Shqipërisë bashkë me SHBA-të dhe shtetet tjera evropiane dhe aleate. /Telegrafi/

  • Ushtria izraelite thotë se ka vrarë zyrtarin e Hamasit në Libanin jugor

    Ushtria izraelite thotë se ka vrarë zyrtarin e Hamasit në Libanin jugor

    Ushtria izraelite tha se vrau një komandant të Hamasit në një sulm ajror në zonën e Sidonit të Libanit jugor të hënën.

    “Muhammad Shaheen u eliminua pas planifikimit të sulmeve terroriste së fundmi, të drejtuara dhe të financuara nga Irani, nga territori libanez kundër qytetarëve të shtetit të Izraelit”, tha ushtria në një deklaratë.

    Agjencia shtetërore e lajmeve e Libanit tha se një sulm ajror izraelit në një makinë në qytetin port jugor të Sidonit të Libanit kishte vrarë një person më herët sot, por nuk identifikoi se kush ishte.

  • KQZ: Janë numëruar votat për kandidatë në 73.23 për qind të vendvotimeve

    KQZ: Janë numëruar votat për kandidatë në 73.23 për qind të vendvotimeve

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë deri të dielën ka përfunduar në 73.23 për qind të vendvotimeve.

    “Sipas të dhënave të pranuara nga Qendrat Komunale të Numërimit, në të cilat është duke vazhduar apo ka përfunduar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, deri në përfundim të ditës së diel, 16 shkurt, janë numëruar 73.23% e vendvotimeve apo 1,855 nga 2,533.

    ”Procesi i numërimit ka përfunduar në 19 qendra komunale të numërimit në: Deçan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Junik, Mamushë, Hani i Elezit, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut”, thuhet në njoftimin e KQZ-së

    Tutje, nga KQZ-ja njoftuan se procesi i numërimit do të vazhdojë ditën e martë, në 19 Qendra Komunale të Numërimit.

  • 17 shkurti, 17 vjet shtet: Nis parakalimi madhështor i ushtarëve dhe policëve të Kosovës

    17 shkurti, 17 vjet shtet: Nis parakalimi madhështor i ushtarëve dhe policëve të Kosovës

    Kosova feston sot 17-vjetorin e pavarësisë, të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008. Për ta shënuar këtë ditë të madhe, është organizuar edhe parakalimi i trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që tashmë ka nisur.

    Në linkun e mëposhtëm mund ta ndiqni live këtë ceremoni që po zhvillohet në sheshin e Prishtinës ‘George Bush’.

  • U raportua se harxhoi mbi 800 mijë euro për blerje online, reagon për herë të parë gruaja e Erion Veliajt

    U raportua se harxhoi mbi 800 mijë euro për blerje online, reagon për herë të parë gruaja e Erion Veliajt

    Ka reaguar për herë të parë pas masës së sigurisë nga GJKKO, Ajola Xoxa, gruaja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

    Në një postim të gjatë, ajo deklaron se vonesa e këtij sqarimi të detajuar sipas saj lidhet me faktin se “fustanet dhe bizhutë 800 mijë euro i kam marrë vesh në të njëjtën kohë me ju”.

    Ajo mohon akuzat që i janë bërë nga SPAK ndërsa shton se akt-akuzën e ka marrë pasi është akuzuar për këtë shifër “ tromaksëse dhe për një sërë çudirash të tjera, një ditë përpara se të shkoja në sallën e gjyqit”.

    Xoxa shprehet se nga sot dhe në ditët në vijim do të sqarojë me detaje atë që e quan “bllof të dhunshëm” dhe që do ta përballë në Gjykatën e Strasburgut për të vërtetuar pafajësinë.

    Reagimi i plotë i Ajola Xoxës:

    Të gjithëve ju që më lexoni, ju kërkoj të parafytyroni vetëm faktin që unë jam e hetuar, por jo e pandehur, pavarësisht se e dënuar dhe e ekzekutuar pa gjyq në gjyqin e politikës, medias dhe rrjeteve sociale. Vonesa e këtij sqarimi të detajuar, lidhet me faktin se unë fustanët dhe bizhutë 800 mijë euro i kam marrë vesh në të njëjtën kohë me ju. Nga mediat. Ndërsa akt-akuzën qindrafaqëshe e kam marrë vetëm pasi jam akuzuar për këtë shifër tromaksëse dhe për një sërë çudirash të tjera, një ditë përpara se të shkoja në sallën e gjyqit.

    *E marrë peng me dhunë në këtë valle shpatash e thikash mediatike dhe e konfirmuar si peng nga një trupë paragjykuesish, kam qenë e detyruar ta nis me vonesë punën për evidentimin e shifrave reale të financave që kanë të bëjnë me mua në atë akt-akuzë të mbushur me të pavërteta.

    Tani jam gati që nga sot dhe në ditët në vijim, të sqaroj me detaje të imta, narrative dhe financiare, dhe me përgjegjësi të plotë publike apo ligjore, të gjithë këtë bllof të dhunshëm, të cilin do ta përball deri në Gjykatën e Strasburgut me pafajësinë time të plotë.

    E para pjesë e të pavërtetës së madhe, që dua ta çmontoj dhe ta flak nga vetja si një thes, që ma kanë hedhur në kokë për të më shëtitur nëpër rrugë, duke nxitur linçimin tim me pështyma dhe gurë, është natyrisht ajo më skandalozja: 800 mijë euro online fustanë dhe bizhu.

    Në seancën e të martës, datë 11 shkurt, në GJKKO, unë deklarova se shifra ishte lebetitëse dhe fundekrye e pavërtetë. Pastaj, që prej të mërkurës, ekspertët kontabël kanë kaluar në një sitë shumë të imët çdo llogari timen bankare dhe kanë nxjerrë nda deklaratat e llogarive bankare çdo blerje online të 10 viteve të fundit (1.1.2015 – 1.1.2025).

    Totali i blerjeve të mija online që përfshijnë veshje, produkte kozmetike dhe parafarmaceutike, aksesorë, etj. (duke mos përfshirë libra, tarifa dixhitale, abonime), është për 10 vite: 75’025 Euro në total (1.1.2015 – 1.1.2025).

    E kam të qartë që shumëkujt edhe kjo shifër mund t’i duket e madhe, por dua ta theksoj me këtë rast se unë nuk kam lidhje me imazhin e asaj kukullës me 800 mijë euro fustanë dhe bizhu, sepse punoj si juriste dhe avokate prej 17 vjetësh, fillimisht në dy prej studiove më të mëdha të vendit, e më pas me studion time, me një numër të madh klientësh e bashkëpunëtorësh. Punoj edhe si kuratore apo drejtoreshë artistike e vizuale (dhe këtë gjithashtu do ta detajoj imtësisht shumë shpejt). Unë nuk njoh zbavitje tjetër përveç punës sime.

    Unë vij nga dy familje të njohura shqiptare. Nga familja e babait tim, kemi trashëguar toka, troje, ndërtesa, shtëpi, etj., si në Tiranë, ashtu edhe jashtë saj. Të tëra të ditura kohë e kohë më parë se sa unë të rritesha e të bëhesha bashkëshortja e Erionit. Dikur pedagog, gazetar dhe kritik arti, pas ’90-ës im atë nisi të merrej me biznes, si shumë të tjerë. Unë kam patur fatin të rritem në një ndër ato familje shqiptare të tranzicionit me mundësi shumë të mira financiare, cka mundësoi edhe mbështetjen e studimeve të mia të larta për drejtësi, master e doktorature, në Paris e Romë.

    Gjithashtu, vec mundësive shumë të mira financiare të prindërve të mi, unë kam punuar që fare e re në fushën e avokatisë dhe jam paguar gjithmonë shumë mirë e vazhdoj paguhem shumë mirë. Të ardhurat e mia në vite janë të deklaruara dhe publike.

    Të gjithë ata që më njohin apo që kanë punuar me mua e dijnë fort mirë se unë nuk kam orar në punë, as ditë pushimi, punoj minimalisht 12 orë në ditë, cdo ditë; të gjithë klientëve të studios së avokatisë apo bashkëpunëtorëve të mi u shkojnë emaile nga unë edhe në 2 apo 3 të mëngjesit, edhe të dielave apo edhe në mes të gushtit. E ndaj jetën mes punës dhe përkujdesjes për familjen time.

    Të gjitha blerjet e mësipërme janë kryer me kartën time të kreditit dhe i konsideroj produkte të miat (them “konsideroj” sepse shumë prej tyre janë përdorur gjithashtu për videoklipe apo reklama të cilat unë kam realizuar).

    Jam porositëse dhe përfituese e vetëm kësaj vlere dhe e asnjë vlere tjetër, që nuk e di pse dhe si është bashkuar, por që nuk ka asnjë lidhje me shpenzime të bëra nga unë apo të përfituara prej meje.

    Këtë fakt të argumentuar me tabela financiare dhe të noterizuar me firmat e ekspertëve, do ta dorëzoj edhe pranë GJKKO dhe SPAK, me besim se e vërteta e varrosur nën malin me gurët e shpifjeve dhe fantazive do të dalë në fund.

    Unë nuk kam patur KURRE ndonjë çantë Hermes apo Chanel, sikurse është thënë në gjyqin tim publik mediatik. Nuk kam as fustane apo të brendshme me vlera absurde, sikurse ndonjë gazetar/e ka thënë. Madje me këtë rast dua të them se ka qenë një përballje tejet e trishtueshme prej më shumë se nëntë orësh me prokurorin, ku kuptova se me jetën time ishte bërë një çorbë e madhe. Por s’ka krahasim me asgjë trishtimi i hidhur që të jep niveli i rrugës i disa portaleve e gazetare/ëve, që merren me fustanet apo nën fustanet e një gruaje, duke e fryrë dhjetëfish vlerën e tyre, për të diskredituar armikun si në kohën e komunizmit…

    Nuk kam ndier kurrë një trishtim e dëshpërim kaq të madh. Tmerr.

    Mos e provoftë askush, askujt në këtë vend nuk ia uroj, këtë mizori juridike dhe mediatike.

    Zoti e faltë mosnjerzillëkun e gjithë kësaj historie dhune.

  • Djali i Jakup Krasniqit: Babë, sot Kosova është e lirë por ti jo

    Djali i Jakup Krasniqit: Babë, sot Kosova është e lirë por ti jo

    Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, ka shkruar fjalë emocionuese me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë.

    “Babë, zëri yt është liria jonë – mbi 50 vite në shërbim të atdheut, Si në çdo festë tjetër, edhe sot ne jemi në Hagë pranë teje. Por më 17 Shkurt, në ditën më të rëndësishme për shtetin tonë, jemi edhe më afër, sepse kjo është dita për të cilën ti luftove, sakrifikove dhe padrejtësisht sot nuk je i lirë.”

    “Në vitet ’70 nise rrugëtimin në ilegalitet me parulla për pavarësinë e Kosovës. Në vitet ’80, kur okupimi rëndonte mbi supet e shqiptarëve, u dënove me 14 vite burg vetëm pse kërkove liri. Para gjykatës jugosllave, me guxim the: “Unë njoh gjyqin e popullit shqiptar, unë jam shqiptar, nuk jam jugosllav!” – një betim për liri që nuk u thye kurrë. Pas burgut, nuk u ndale asnjë ditë. Prapë në shërbim të atdheut, duke i qëndruar besnik rrugës për çlirim. Më 31 dhjetor 1991, nise rrugëtimin për luftë bashkë me Adem Jasharin dhe shokët. E kur erdhi lufta, ti ishe zëri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nuk fole me nofkë, por me fytyrën, emrin dhe mbiemrin tënd, duke shpallur botërisht se ky popull do të luftojë deri në fitore. Dhe ashtu ndodhi. Lufta jonë u drejtua nga njerëz si ti, që nuk i trembi plumbi, burgjet apo torturat.”

    “Pas luftës, nuk kërkove lavdi për vete, por i dhe shtetit gjithçka, deri në majat e institucioneve. E sot, babë, Kosova është e lirë, por ti jo. Padrejtësisht. Por dije, e vërteta nuk mund të mbyllet në burg! Zëri yt do të dëgjohet gjithmonë, emri yt do të mbetet simbol i guximit dhe lirisë. Gëzuar Pavarësinë, çlirimtarët tanë në Hagë! Ju pafshim sa më shpejt në Kosovën që ju i dhatë gjithçka!”, shkroi ai.