ATV

Author: G.O.

  • Viti 2025 nis me rritje çmimesh në Kosovë, inflacioni në janar 1.5%

    Viti 2025 nis me rritje çmimesh në Kosovë, inflacioni në janar 1.5%

    Viti 2025 ka filluar me lajme jo të mira për qytetarët e Kosovës. Inflacioni në janar është rritur mesatarisht me 1.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

    Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni mujor i matur ishte 0,7 për qind, ndërsa norma vjetore e inflacionit arriti në 1,5 për qind krahasuar me janarin e vitit 2024 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

    Rritja e çmimeve është ndikuar kryesisht nga disa kategori kryesore të konsumit, shkruan Revista Monitor.

    Në krahasim me dhjetorin 2024, çmimet janë rritur më së shumti te perimet, energjia elektrike, duhani, karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal, kafeja, çaji dhe kakao, si dhe produktet e tjera ushqimore si mishi dhe pemët.

    Në krahasim me janarin e vitit të kaluar, çmimet janë rritur ndjeshëm për disa kategori të mallrave dhe shërbimeve.

    Ndër produktet dhe shërbimet me rritjen më të lartë të çmimeve janë kafeja, çaji dhe kakao, vajrat dhe yndyrnat, si dhe shërbimet për transportin personal.

    Po ashtu, çmime më të larta janë regjistruar për pijet joalkoolike, gazetat dhe materialet për zyra, shërbimet financiare, mishi dhe produktet e qumështit.

    Kafja, çaji dhe kakao 14.6%. Vajrat dhe yndyrnat 8.3%. Shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit 7.6%. Uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet 6.1%. Gazetat, librat dhe materialet për zyra 5.4%. Shërbimet financiare 5.2%. Qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës 5.1%.Mishi 4.6%. Mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake 4.0%. Pijet alkoolike 3.9%. Qumështi, djathi dhe vezët 3.0%. Veshje 2.9%. Duhani 2.9% Perimet 2.5% Kujdesi personal 2.5%. Buka dhe drithërat 2.1% Shërbimet hoteliere 2.1%.

    Që nga viti 2021, inflacioni në Kosovë ka ndjekur një trajektore rritëse eksponenciale, duke arritur kulmin me një normë vjetore prej 11.58% në vitin 2022.

    Në vitin 2024, 44 për qind e familjeve raportuan se blejnë më pak produkte ndërsa shpenzojnë më shumë, sipas një ankete të publikuar nga UNDP në shkurt 2024.

    Ndërsa çmimet e produkteve kërcënonin mirëqenien e familjeve me të ardhura të ulëta, qeveria Kurti u akuzua për indiferencë ndaj krizës.

    Nga ana tjetër, pretendimet e përsëritura të Kurtit se Kosova zbatoi pakon më të madhe mbështetëse në rajon në raport me BPV-në pati efekte minimale në zbutjen e krizës, sipas raporteve ndërkombëtare.

    Vlerësimi i Bankës Botërore për vitin 2022 pikturoi një pamje të zymtë të skemave të asistencës sociale të Kosovës, duke i përshkruar ato si “të ngurta” dhe kryesisht joefektive në adresimin e krizës.

    “Pavarësisht niveleve të larta të shpenzimeve për mbrojtjen sociale, skema e ndihmës sociale është e ngurtë dhe mund të ofrojë vetëm mbrojtje të kufizuar.”

     

  • Osmani ndan urdhrin “Heroina të Kosovës” edhe për vajzat dhe gratë që luftuan në radhët e UÇK-së

    Osmani ndan urdhrin “Heroina të Kosovës” edhe për vajzat dhe gratë që luftuan në radhët e UÇK-së

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas ndarjes së titullit “Hero i Kosovës” Shaban Jasharit, kryefamiljarit të familjes Jashari, ka ndarë Urdhrin “Heroina të Kosovës” edhe për vajzat dhe gratë që luftuan në radhët e UÇK-së.

    Dy bashkëluftëtarët dhe bashkëshortët, Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, kanë marrë këtë titull po ashtu nga Osmani, në ceremoninë e shënimit të përvjetorit të Pavarësisë.

    “Me të njëjtin frymëzim, bazuar në vendimet paraprake, sot i dorëzojmë Urdhrat Hero i Kosovës edhe për  Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, dy bashkëluftëtarë dhe bashkëshortë që ranë ashtu siç jetuan – bashkë, me armët në duar dhe me idealin e lirisë së ngulitur në shpirt”, tha Osmani.

    Presidentja tha se shumë gra të tjera që sakrifikuan po marrin vendin që u takon në histori duke ju ndarë Urdhrin Heroina të Kosovës, ato që sipas saj nuk kishin marrë më parë këtë nderim nga shteti.

    “Lufta nuk ishte vetëm e burrave; ajo ishte një betejë e përbashkët ku gratë si Xhevë Lladrovci, Yllka Domi, Lumnie Raka, Jehona Raka, Emsale Frangu, Mukadeze Lika-Muhaxheri e shumë gra të tjera dhanë po aq, sakrifikuan po aq, ndaj sot, më në fund, po marrin vendin që u takon në histori duke ju ndarë Urdhrin Heroina të Kosovës, atyre për të cilat kjo nuk kishte ndodhur më parë”, tha Osmani.

    Ajo theksoi se emrat e tyre do të mbeten përgjithmonë të skalitur në historinë tonë kombëtare

    “Vajza dhe gra, qëndrestare e luftëtare, që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, duke dëshmuar se çlirimi i këtij vendi nuk ishte vetëm një betejë burrash, por një përpjekje e përbashkët ku gratë ishin në vijën e parë të luftës. Emrat e tyre do të mbeten përgjithmonë të skalitur në historinë tonë kombëtare”, tha presidentja.

  • Tentim grabitje në Prishtinë, policia del në vend ngjarje

    Tentim grabitje në Prishtinë, policia del në vend ngjarje

    Një tentim grabitje ka ndodhur sot rreth orës 11:00 në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti.

    Ahmeti bëri të ditur se tentim grabitja ka ndodhur në një institucion mikrofinanciar.

    “Në koordinim me Prokurorinë përkatëse, hetuesit policor janë duke ndërmarr të gjitha masat e nevojshme në lidhje me rastin”, ka thënë Ahmeti.

    Ajo nuk ka dhënë detaje tjera. Kujtojmë se institucionet mikrofinanciare në kryeqytet shpesh herë kanë qenë cak i grabitjeve të armatosura. /Telegrafi/

  • Haradinaj takon të dërguarën e ShBA-së në Prishtinë, flasin për procesin zgjedhor dhe anëtarësimin në NATO

    Haradinaj takon të dërguarën e ShBA-së në Prishtinë, flasin për procesin zgjedhor dhe anëtarësimin në NATO

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka takuar të ngarkuarën me punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati.

    Haradinaj në një postim në Facebook shkruan se në takimin me Prattipatin ka theksuar qëndrimin e tyre të palëkundur për avancimin e vlerave demokratike dhe orientimin euro-atlantik të Kosovës. Veçanërisht, rëndësinë e anëtarësimit direkt në NATO përmes Planit Aksional, si rruga më e sigurt për arritjen e objektivave tona strategjike për sigurinë dhe prosperitetin e vendit.

    Tutje, ai tha se me Prattipatin diskutuan edhe për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 9 shkurtit, zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, si dhe në forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik Kosovë-SHBA.

     

  • Krasniqi takon ambasadorin e BE-së në Kosovë: PDK-ja mbetet e përkushtuar për një të ardhme më të mirë për Kosovën

    Krasniqi takon ambasadorin e BE-së në Kosovë: PDK-ja mbetet e përkushtuar për një të ardhme më të mirë për Kosovën

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka pritur sot në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ku kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend, me fokus të veçantë te procesi zgjedhor dhe rëndësia e përmbylljes së tij në përputhje me standardet më të larta demokratike.

    Krasniqi është shprehur se këto zgjedhje përfaqësojnë një moment të rëndësishëm për demokracinë dhe një dëshmi e qartë e pjekurisë politike të qytetarëve të Kosovës.

    “Në PDK, ne respektojmë dhe njohim vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës. Urojmë që vendi të ketë sa më shpejt një qeveri të re funksionale, e cila do të adresojë sfidat dhe prioritetet shtetërore me përgjegjësi dhe dinjitet. PDK mbetet e përkushtuar ndaj një të ardhmeje më të mirë për Kosovën, pavarësisht pozicionit të saj politik. Ne jemi të bindur se vetëm përmes bashkëpunimit dhe një qasjeje konstruktive, vendi ynë do të vijojë rrugën e konsolidimit demokratik dhe integrimit euro-atlantik”, ka njoftuar lideri i PDK-së në Facebook.

     

  • ​Gjatë vitit 2024 në QKUK u trajtuan mbi 240 raste me tuberkulozë

    ​Gjatë vitit 2024 në QKUK u trajtuan mbi 240 raste me tuberkulozë

    Pesë raste me tuberkulozë janë hospitalizuar dhe po trajtohen në Klinikën e Pulmologjisë pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). 241 pacientë kërkuan shërim për këtë sëmundje vitin që lamë pas, duke shënuar rritje të të prekurve krahasuar me vitin 2023. Ani pse nuk ka statistika zyrtare, nga Klinika e Pulmologjisë në QKUK thonë se rreth 600 pacientë në tërë Kosovën janë regjistruar me tuberkulozë.

    Drejtori i Pulmologjisë, Musa Hoxha në një intervistë për KosovaPress thotë se shkalla e të infektuarve është rreth 30 raste të reja në 100 mijë banorë në vendin tonë.

    “Gjatë vitit 2024 në klinikën tonë janë diagnostikuar dhe trajtuar rreth 241 raste. Nga ato tuberkulozë pulmonare kanë qenë 206 raste. Kurse tuberkulozë latente 11 dhe recidivë kanë qenë 9. Kurse, tuberkulozë ekstrapulmonare ka pasur 35. Gjatë vitit 2023 tek ne që janë diagnostikuar dhe trajtuar kanë qenë rreth 208 raste… Në nivel vendi ende nuk janë të dhënat zyrtare. Mirëpo, ne në bazë një llogaritje që e kemi bërë shihet se numri i rasteve të reja sillet diku rreth 600, ashtu sikurse vitin e kaluar. Me një incidencë dikur rreth 30 raste të reja në 100 mijë banorë…”, thotë Hoxha.

    Hoxha thotë se, krahasuar me vendet fqinje, shpeshtësia e rasteve me tuberkulozë është shumë më e lartë në Kosovë.

    Ai thekson se për dallim nga vitet e më hershme, tuberkuloza po “stacionohet” më shpesh tek moshat e mesme dhe të shtyra.

    “Duke parë edhe indikatorët epidemiologjik siç kemi pasur më herët raste shumë më shumë raste adoleshente dhe tuberkuloze ekstensive, pra tuberkulozë me forma të rënda, siç i kemi pasur edhe meningjitet tuberkulare te fëmijët. Gjithmonë ai numër është zvogëluar dhe tuberkuloza po shkon duke u spostuar nga moshat e mesme dhe të vjetra. shteti ynë ende e ka incidencën e lartë të tuberkulozës. Në krahasim me vendet fqinj jemi me inicidencë shumë më të lartë”, thekson Hoxha.

    Përveç këtyre, drejtori i Pulmologjisë, Musa Hoxha tregon se numri i kërkesave për hospitalizim është më i madh sesa kapacitet që ka kjo klinikë.

    “Gjatë muajve të dimrit dihet se klinika jonë ka gjithsej 66 shtretër dhe ata shtretër që i kemi, i kemi gjithmonë të mbingarkuar. Gjatë muajve të dimrit gjithmonë nevojat thuajse janë më të mëdha dhe kërkesat më të mëdha për hospitalizim sesa që ne kemi kapacitete”, tregon Hoxha.

    Ndër të tjera, pulmologu Hoxha thekson nevojën për rritjen e numrit të infermierëve.

    “Sa i përket stafit të mesëm infermierë, edhe pse gjatë vitit 2024 kemi punësuar diku rreth 6 infermierë, por pasi që dy kanë dalur në pension atëherë gjithmonë kemi nevojë për staf të mesëm më tepër”, thotë Hoxha.

    Sa i përket barnave esenciale, Hoxha shprehet se janë mirë të furnizuar.

    “Sa i përket antituberkularëve qysh pas luftës gjithmonë janë siguruar përmes Fondit Global dhe gjithmonë kemi pasur barna për mjekimin e tuberkulozit. Kurse, edhe sa i përket listës esenciale ne qëndrojmë mirë me furnizim me barna dhe material në përgjithësi”, tregon Hoxha.

    Tuberkulozi është një sëmundje infektive kronike, që prek kryesisht mushkëritë. Agjenti shkaktar i tij, mykobakteri i tuberkulozit, ose bacili Koh, transmetohet nga spërklat e pështymës ose të gëlbazës, kur personi i infektuar flet, teshtin ose kollitet.

  • Thaçi nuk merr pjesë në seancë për arsye shëndetësore, Selimi shfaqet me kollare me motive shtetërore

    Thaçi nuk merr pjesë në seancë për arsye shëndetësore, Selimi shfaqet me kollare me motive shtetërore

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të martën, pasi filloi seanca ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), megjithatë ajo shkoi në pushim për arsye se ish-Presidenti, Hashim Thaçi nuk ishte i pranishëm.

    Si rrjedhojë, Luka Mishetiq- avokat i tij tha se ai është i njoftuar nga sekretarja se Thaçi nuk do të vijë dhe se nuk di asgjë tjetër, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III tha se i është thënë që nuk është mirë me shëndet dhe se duhej të takohej me një mjek, por që as ai nuk ishte në dijeni që ai nuk do të merrte pjesë.

    “I vetmi komunikim, që nuk ka qenë mirë nga shëndeti dhe duhej të takohej me një mjek”, tha ai.

    Pas kësaj, Mishetiqit iu kërkua që të komunikojë me Thaçin për të kuptuar nëse do të bashkohet apo do të japë leje që seanca të vazhdojë pa praninë e tij.

    Ndryshe, në sallën e gjyqit, Rexhep Selimi u shfaq me një kollare ngjyrë blu, e cila mbante motive shtetërore për nder të përvjetorit të 17-të të pavarësisë së Kosovës, ndërsa Jakup Kransniqi dhe Kadri Veseli mbanin kollare të kuqe.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Gjendet pa shenja jete një person në Pejë, rasti po hetohet

    Gjendet pa shenja jete një person në Pejë, rasti po hetohet

    Një person është gjetur pa shenja jetë në Pejë.

    Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 11:40, në Pejë.

    Tutje thuhet se në vendin e ngjarjes është sekuestruar një pistoletë, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës.

    “Raportohet se viktima mashkull kosovar, është gjetur pa shenja jete. Ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës. Në vendin e ngjarjes është sekuestruar një pistoletë. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.

  • Sot i jepet lamtumira e fundit Rilindit, gjyqtarit të futbollit që vdiq të hënën

    Sot i jepet lamtumira e fundit Rilindit, gjyqtarit të futbollit që vdiq të hënën

    Gjyqtari i futbollit kosovar, Rilind Berisha ka ndërruar jetë ditën e hënë.

    Familjarët e të ndjerit kanë njoftuar për ceremoninë e varrimit.

    Varrimi i të ndjerit bëhet sot, në ora 16:00, në varrezat e fshatit Baran.

    Berisha ishte futbollist aktiv i Rilindjës së Pejës, e po ashtu dhe aktivist i Forumit Rinor të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

     

  • “Ishte kaos, dëgjuam një përplasje dhe…”, pasagjerët rrëfejnë tmerrin pas incidentit me avion

    “Ishte kaos, dëgjuam një përplasje dhe…”, pasagjerët rrëfejnë tmerrin pas incidentit me avion

    Një avion i kompanisë Delta, me 80 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit, u përmbys gjatë uljes në Aeroportin Ndërkombëtar Pearson të Torontos të hënën pasdite, mes erërave të forta dhe reshjeve të dëborës.

    Menjëherë pas përplasjes, ekipet e zjarrfikësve u vunë në lëvizje për të shuar flakët që shpërthyen rreth avionit të rrëzuar.

    Pavarësisht skenës dramatike, të gjithë personat në bord mbijetuan.

    Megjithatë, mbetet e paqartë sesi avioni përfundoi përmbys në pistë, me pjesën e poshtme të mbuluar me blozë dhe njërin nga krahët e dëmtuar rëndë. Brenda kabinës, pasagjerët e lidhur me rripat e sigurisë mbetën të varur nga ndenjëset e tyre.

    Sipas njoftimit të kompanisë Delta, nuk ka viktima nga aksidenti. Shefi i Zjarrfikësve të Aeroportit të Torontos, Todd Aitken, konfirmoi se 18 persona kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar në spital, përfshirë një fëmijë, i cili ndodhet në gjendje të mirë. Ndërkohë, Shërbimi i Ambulancës në rajonin e Peel raportoi një numër më të ulët të të lënduarve, duke përmendur 15 persona.

    Avioni, i identifikuar si fluturimi 4819 i Delta Airlines, ishte nisur nga Minneapolis dhe po afrohej në Toronto rreth orës 14:00 me orën lokale. Në atë moment, erërat e forta arrinin deri në 61 km/h, ndërsa pista ishte pastruar nga rreth 20 centimetra dëborë të rënë gjatë fundjavës.

    Vetëm pak çaste para uljes, kontrollorët e trafikut ajror paralajmëruan pilotët për erërat e fuqishme, por brenda dy minutave avioni u përmbys. Një zjarr i madh shpërtheu teksa aeroplani u rrotullua dhe u përplas me pistën, duke krijuar një top flake. Disa pasagjerë përjetuan momente paniku ndërsa mbetën të varur me kokë poshtë nga ndenjëset e tyre.

    “Ishte një kaos i vërtetë,” tregoi një nga pasagjerët, Peter Koukov. “Kur e kuptuam se çfarë kishte ndodhur, ishim të gjithë përmbys. Disa pasagjerë arritën të zhbllokonin rripat e sigurisë dhe të qëndronin në këmbë mbi tavanin e kabinës.”

    Për fat të mirë, ekuipazhi arriti të organizonte evakuimin, duke ndihmuar pasagjerët të dilnin nga daljet e emergjencës. Pamjet filmike tregojnë njerëz që hidhen nga dera e avionit në tokën e mbuluar me dëborë, ndërsa zjarrfikësit vazhduan të hidhnin shkumë për të shuar flakët.

    Ky aksident ka ngritur shqetësime të mëdha mbi sigurinë ajrore, veçanërisht pasi është incidenti i katërt i madh ajror në Amerikën e Veriut brenda një muaji. Aeroporti Pearson, më i madhi në Kanada, u detyrua të pezullojë të gjitha fluturimet për disa orë, duke shkaktuar qindra anulime dhe vonesa.

    Zyrtarët kanadezë dhe amerikanë tashmë kanë nisur hetimet për të zbuluar shkakun e aksidentit. Endeavor Air, një kompani rajonale që operon për Delta, konfirmoi se po bashkëpunon me autoritetet për të zbardhur ngjarjen, raporton euronews.

    Ky ishte aksidenti më i rëndë në aeroportin e Torontos që nga viti 2005, kur një avion i Air France doli nga pista dhe u përfshi nga flakët, por fatmirësisht të gjithë pasagjerët mbijetuan.