ATV

Author: G.O.

  • 111 oficerë të rijnë i shtohen shërbimit korrektues, Kurti i quan garantues të drejtësisë

    111 oficerë të rijnë i shtohen shërbimit korrektues, Kurti i quan garantues të drejtësisë

    Shërbimi Korrektues i Kosovës ka mbajtur të premten ceremoninë solemne të diplomimit të gjeneratës së 45-të të kadetëve, e cila shënon përmbylljen e suksesshme të trajnimit bazik për 111 oficerë korrektues, raporton Ekonomia Online.

    Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se me diplomimin e kësaj gjenerate, vendi është duke forcuar edhe më shumë sistemin korrektues.

    Kurti të diplomuarit i ka quajtur garantues të drejtësisë, duke shtuar se përmes reformave të ndërmarra gjatë viteve të fundit, janë bërë hapa të rëndësishëm  në forcimin e sigurisë,  rehabilitimit e të dënuarve dhe përmirësimit e kushteve të punës për zyrtaret korrektuese.

    “Me diplomimin e gjeneratës së 45 të zyrtareve korrektues ne e forcojmë edhe më shumë sistemin tonë korrektues dhe i shtojmë radhët me profesionit. Ata e ato do të jenë garantues të drejtësisë dhe rregullit në institucionet tona korrektuese. Diplomimi i 111 kadetëve sot nuk është thjeshtë një ceremoni por një dëshmi e angazhimit tonë për një sistem korrektues të sigurt, të fuqishëm dhe të drejtë. Përmes reformave të ndërmarra gjatë viteve të fundit kemi bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e sigurisë, rehabilitimit e të dënuarve dhe përmirësimin e kushteve të punës për zyrtarët korrektues. Kemi investuar në infrastrukturë, kemi punësuar njësitë e specializuara dhe kemi zgjedhur programe rehabilituese për të burgosur”, tha Kurti.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se me hapat që kanë ndërmarr si qeveri është shtuar numri i grave që janë punësuar në shërbimin korrektues të Kosovës.

    “Ky institucion nuk është thjeshtë një hallkë në zingjrin e drejtësisë, por një mekanizëm vendimtar për sigurinë publike, rehabilitimin e të dënuarve dhe garantimin e një sistemi korrektues që mbështetet në ligj, profesionalizëm dhe dinjitet njerëzor”, ka thënë ajo.

    Ismajl Dibrani, drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës, ka thënë se zyrtarët korrektues luajnë një rol kyç në forcimin e sistemit të drejtësisë në vend.

    “Diplomimi juaj nuk është një arritje personale por është një fitore edhe për ata që u kanë qëndruara pranë. në këtë udhëtim keni marr dije dhe vlera që do t’iu udhëheqin në një mision fisnik dhe me përgjegjësi të lartë. Zyrtari korrektues nuk është thjeshtë zbatues i rregullave, por një faktor i rëndësishëm në procesin e rehabilitimit dhe socializimit të personave të privuar nga liria.  Ju do të luani një rol kyç në forcimin e sistemimit të drejtësisë në vendin tonë. Numri i rasteve të para dënimit të kontrabandës është rritur ndjeshëm. Programet rehabilituese janë zgjeruar. Është rritur siguria brenda institucioneve korrektuese”, ka thënë ai.

    Përfaqësuesja e kësaj gjenerate, Filloreta Osmani Ademi, ka thënë se me profesionin që kanë ata kontribuojnë në transformimin e sistemit korrektues në një mekanizëm që ndihmon për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë.

    “Nuk është vetëm një titull apo një vend pune, por një mision i rëndësishëm në sistemin e drejtësisë dhe në ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt për të gjithë qytetarët tanë. Puna jonë si zyrtarë korrektues shkon përtej aspektit të sigurisë dhe disiplinës në institucionet korrektuese. Ne kemi një rol kyç në procesin e rehabilitimit dhe ri integrimit të personave të privuar nga liria. Kjo është një përgjegjësi që kërkon jo vetëm profesionalizëm, por edhe ndjeshmëri, etike dhe vendosmëri për të trajtuar çdo individ me dinjitet dhe respekt. Kemi kuptuar se të qenit zyrtar korrektues nuk do të thotë vetëm të zbatojmë ligjin, por edhe të kontribuojmë në transformimin e sistemit korrektues në një mekanizëm që ndihmon për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë”, ka thënë ajo.

  • Trump u thotë aleatëve të NATO-s t’i rrisin shpenzimet, nëse duan mbështetjen e ShBA-së

    Trump u thotë aleatëve të NATO-s t’i rrisin shpenzimet, nëse duan mbështetjen e ShBA-së

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka vënë në dyshim gatishmërinë e tij për ta mbështetur aleancën ushtarake perëndimore, duke thënë se nuk do t’iu shkojë në ndihmë aleatëve të NATO-s, nëse ata nuk paguajnë mjaftueshëm për mbrojtjen e vet.

    “Është gjë e logjikshme, apo jo?” tha Trump për gazetarë në Zyrën Ovale të enjten.

    “Nëse ata nuk paguajnë, unë nuk do t’i mbroj. Jo, nuk do t’i mbroj ata”, theksoi ai.

    Trump nënvizoi se ai e kishte ndarë qëndrimin e njëjtë me aleatët e NATO-s edhe gjatë mandatit të tij të parë si president, 2017-2021, çka i kishte nxitur shumicën e vendeve t’i rrisnin shpenzimet ushtarake.

    Por, Trump tha se këto shpenzime janë të pamjaftueshme.

    “Ata duhet të paguajnë më shumë”, shtoi ai.

    Gjatë mandatit të tij të parë, Trump nguli këmbë që vendet anëtare të NATO-s t’i rrisnin shpenzimet ushtarake në 2 për qind të bruto prodhimit të brendshëm (GDP). Shkalla prej 2 për qind ishte zotim i vitit 2014 për t’u arritur brenda dhjetë vjetëve pasuese.

    Të paktën 24 vende e kanë përmbushur këtë kërkesë, megjithëse Trump ka sugjeruar që ky prag duhet të rritet në 5% të GDP-së. Por, shumë vende anëtare kanë thënë se kjo do të ishte e pazbatueshme ekonomikisht.

    Vetëm Polonia i afrohet 5 përqindëshit, ndonëse Estonia dhe Lituania kanë lënë të kuptohet se edhe ato do t’i rrisin shpenzimet në këtë shkallë.

    Pavarësisht qëndrimeve të fundit, Trump në shkurt ritheksoi përkushtimin e tij ndaj nenit 5 të mbrojtjes së ndërsjellë të NATO-s, duke folur së bashku me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Ky qëndrim u përsërit disa herë – si publikisht ashtu edhe privatisht – nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, gjatë një takimi të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, në shkurt.

    SHBA-ja ka një personel ushtarak prej rreth 100.000 vetash në Evropë, kryesisht në Gjermani, Itali dhe Britani.

    NATO-ja u themelua nga Shtetet e Bashkuara dhe 11 vende të tjera për ta kundërshtuar agresionin sovjetik pas Luftës së Dytë Botërore. Sot, aleanca i ka 32 anëtarë dhe përfshin shumë vende që dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik ose nën sferën e ndikimit të tij.

    Trump pretendoi se vendet e tjera nuk do ta ndihmonin SHBA-në në rast nevoje, pavarësisht se hera e vetme kur është aktivizuar neni 5 ishte kur u përcaktua se Shtetet e Bashkuara u sulmuan më 11 shtator 2001.

    “E dini cili është problemi më i madh që kam me NATO-n? Unë, sinqerisht, i njoh shumë mirë këta djem. Janë miqtë e mi. Por, nëse Shtetet e Bashkuara do të ishin në telashe dhe do t’iu telefononim atyre dhe do të thoshim, ‘kemi një problem, Francë. Kemi një problem, disa të tjerë nuk do t’i përmend’. A mendoni se ata do të vijnë të na mbrojnë? Do të duhej. Nuk jam aq i sigurt”, tha Trump.

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, iu përgjigj Trumpit, duke thënë: “Ne jemi aleatë besnikë dhe të përkushtuar”.

    “Mendoj se kemi të drejtë të presim të njëjtën gjë”, tha Macron, duke përmendur raste historike të bashkëpunimit ushtarak franko-amerikan që nga Lufta Revolucionare Amerikane.

    Franca dhe Amerika “gjithmonë kanë qenë pranë njëra-tjetrës”, theksoi ai.

    Më 5 mars, Macron tha se është i hapur për bisedime për shtrirjen e ombrellës bërthamore të Francës në vendet aleate të Parisit në kontinent, përballë agresionit rus dhe shqetësimeve rreth qëndrimit të SHBA-së për mbrojtjen e Evropës.

    Ndërkohë, Trump sugjeroi gjithashtu shfrytëzimin e përkushtimit të SHBA-së ndaj NATO-s si mjet presioni në luftën e tij tregtare, në përpjekjen për t’i shënjestruar ato që ai i ka cilësuar si politika të padrejta tregtare nga vendet evropiane./REL

  • Alban Zogaj fitoi votat për deputet, Rama e emëron Florian Dushin nënkryetar të Prishtinës

    Alban Zogaj fitoi votat për deputet, Rama e emëron Florian Dushin nënkryetar të Prishtinës

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se nënkryetar i kryeqytetit, do të jetë Florian Dushi, meqë nënkryetari Alban Zogaj, sipas rezultateve preliminare ka siguruar ulësen në Kuvendin e Kosovës.

    Sipas Ramës, Dushi do të fillojë punën, pas përmbylljes së procesit zgjedhor qendror.

    “Kontributi i tij i jashtëzakonshëm ka qenë i padiskutueshëm dhe jam i bindur se do të vazhdojë të jetë i tillë edhe në pozitën e re, ku perfshihen edhe sektorët kyç si Inspektoriati, Shërbimet Publike, Zyra Ligjore dhe Administrata.” – ka thënë Rama në njoftimin e tij

  • Dhjetëra të vrarë në përleshjet midis forcave siriane dhe besnikëve të Assadit

    Dhjetëra të vrarë në përleshjet midis forcave siriane dhe besnikëve të Assadit

    Forcat e lidhura me sundimtarët e rinj të Sirisë janë përfshirë në luftime të ashpra me luftëtarët besnikë të presidentit të rrëzuar Bashar al-Assad në një zonë bregdetare të vendit.

    Kjo është dhuna më e keqe në Siri që kur rebelët rrëzuan Assadin në dhjetor dhe vendosën një qeveri tranzicionale islamike.

    Një grup monitorues i luftës, Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Britani, tha se më shumë se 70 njerëz janë vrarë.

    Një shtetrrethim është vendosur në qytetet port, Latakia dhe Tartous, ku kanë shpërthyer luftimet.

    Përleshjet nisën kur forcat qeveritare u zunë në pritë gjatë një operacioni të sigurisë në Latakia.

  • Vdes Ahmet Qeriqi, një nga themeluesit e Radios Kosova e Lirë

    Vdes Ahmet Qeriqi, një nga themeluesit e Radios Kosova e Lirë

    Ka ndërruar jetë Ahmet Qeriqi, njëri ndër themeluesit e Radio Kosova e Lirë.

    Vdekjen e tij e ka bërë të ditur i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

    Haradinaj tha se Qeriqi ka kontribuuar shumë gjatë luftës dhe pas saj, duke udhëhequr me përkushtim këtë institucion të rëndësishëm të vendit.

    “Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Prof. Ahmet Qeriqit, një nga themeluesit e Radios Kosova e Lirë. Ai ka kontribuar shumë gjatë luftës dhe pas saj, duke udhëhequr me përkushtim këtë institucion të rëndësishëm. Përkushtimi i tij ndaj atdheut dhe popullit tonë do të kujtohet përjetësisht. Ngushëllime të sinqerta familjes Qeriqi dhe të gjithë atyre që e njohën. I paharruar qoftë kujtimi i tij”,ka shkruar Haradinaj në rrjetin social “Facebook”.

  • Podujevë, sulmoi fizikisht nënën e tij, arratiset i dyshuari

    Podujevë, sulmoi fizikisht nënën e tij, arratiset i dyshuari

    Një rast i dhunës në familje ka ndodhur në Podujevë.

    Një grua është ankuar në polici pasi dyshohet se djali i saj e ka sulmuar fizikisht atë.

    Policia njoftoi se viktimës i është dhënë ndihma mjekësore, teksa i dyshuari ndodhet në arrati.

  • Nagavci uron mësimdhënësit për 7 Mars: Ju jeni drita që ndriçon rrugën e së ardhmes, duke formuar mendje të zgjuara

    Nagavci uron mësimdhënësit për 7 Mars: Ju jeni drita që ndriçon rrugën e së ardhmes, duke formuar mendje të zgjuara

    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka uruar të gjithë mësimdhënësit për 7 Mars – Dita e Mësuesit.

    Nagavci ka thënë se mësimdhënësi  janë drita që ndriçon rrugën e së ardhmes, transmeton Telegrafi.

    “Urime 7 Marsi-Dita e Mësuesit! Në këtë ditë të veçantë, dëshiroj t’ju shpreh mirënjohjen më të thellë për përkushtimin tuaj në arsimimin e brezave të rinj. Ju jeni drita që ndriçon rrugën e së ardhmes, duke formuar mendje të zgjuara dhe plot ëndrra”, thotë ajo.

    Mes tjerash, ajo ka pohuar se “si Ministri e Arsimit që nga fillimi i mandatit jemi angazhuar për të ngritur standardet e edukimit në vend, duke modernizuar infrastrukturën dhe duke siguruar kushte më të mira për mësimdhënie dhe mësimnxënie cilësore”.

    “Sikurse kemi vepruar deri tash, synimi ynë është të forcojmë pozitën tuaj dhe të krijojmë një ambient arsimor që frymëzon dhe motivon. Mirënjohje pa fund për të gjithë mësimdhënësit që gjeneratë pas gjenerate kaluan çdo sfidë të kohës për ta zhvilluar gjuhën, kulturën, arsimin dhe shoqërinë”, ka pohuar ministrja.

  • Vrasje në tentativë në Prishtinë

    Vrasje në tentativë në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një person ka njoftuar se dy të dyshuar kanë tentuar ta sulmojnë fizikisht, ku njëri nga të dyshuarit ka shtënë edhe me armë zjarri në drejtim të veturës së viktimës.

    Rasti ka ndodhur të enjten në Prishtinë, në ora 18:42.

    “Ankuesi mashkull kosovar ka informuar se dy të dyshuar meshkuj kosovarë kanë tentuar ta sulmojnë fizikisht, ku njëri nga të dyshuarit ka shtënë edhe me armë zjarri në drejtim të veturës së viktimës. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë”, thuhet në raport.

    Rasti është duke u hetuar. /Telegrafi

  • Komisioni Evropian shpall planin për financimin e mbrojtjes

    Komisioni Evropian shpall planin për financimin e mbrojtjes

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dha detaje të mëtejshme mbi një plan me pesë hapa për të financuar investime masive të mbrojtjes në Bashkimin Evropian.

    Von der Leyen planifikon të lejojë vende të veçanta të BE-së që të përjashtojnë përkohësisht disa investime të mbrojtjes nga kufijtë e rreptë të borxhit dhe deficitit të bllokut.

    “Kjo do t’u lejojë shteteve anëtare një fleksibilitet më të madh fiskal që u nevojitet dhe do t’u japë atyre hapësirën për të investuar në mbrojtje menjëherë dhe në mënyrë thelbësore”, tha ajo.

    ”Një fond i ri me 150 miliardë euro kredi do të përdoret për prokurime të përbashkëta nga prodhuesit evropianë. Një pjesë e blerjeve duhet të jetë për përfitimin e Ukrainës”, tha Von der Leyen.

    Vendeve të BE-së do t’u jepet mundësia për të ridrejtuar fondet e zhvillimit rajonal drejt investimeve të mbrojtjes.

    Presidentja e komisionit shpreson gjithashtu të mobilizojë më shumë kapital privat.

    “Ne duhet të sigurohemi që industria jonë e mbrojtjes, veçanërisht ndërmarrjet tona inovative të reja dhe kompanitë me kapital të mesëm, të kenë akses të plotë në financim”, tha ajo.

    Komisioni synon gjithashtu të thjeshtojë rregullat e BE-së në lidhje me investimet në mbrojtje.

    Von der Leyen planifikon të paraqesë propozime legjislative për shtetet anëtare përpara samitit të ardhshëm të BE-së pas dy javësh.

  • Sonte “Nata e Zjarreve” në Prekaz

    Sonte “Nata e Zjarreve” në Prekaz

    Me “Natën e Zjarreve” sonte përfundon manifestimi në kujtim dhe nderim të Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroizmit të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, si dhe të gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

    Aktivitete të shumta janë shënuar më 5 dhe 6 mars, në 27-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari.

    Sot, në ditën e tretë të Epopesë, nga ora 19:00, fillon ndezja e flakadanëve në Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

    Pas ndezjes së flakadanëve, në ora 19:30 do të vazhdojë manifestimi “Nata e Zjarreve” me program kulturo-artistik në Sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj.