ATV

Author: G.O.

  • Regjistrohen mbi 230.000 votues nga diaspora për zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri

    Regjistrohen mbi 230.000 votues nga diaspora për zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë (KQZ) njoftoi të mërkurën se 232.000 votues jashtë vendit janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Shqipëri.

    Kjo është hera e parë që diaspora shqiptare voton në zgjedhje parlamentare në Shqipëri.

    Mesnata e së martës ishte afati i fundit i vendosur nga KQZ-ja për regjistrimin e votuesve nga jashtë.

    Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, edhe 20.000 kërkesa janë duke u shqyrtuar për të parë nëse dokumentacioni është i rregullt. Komisioni ka pesë ditë kohë për shqyrtimin e tyre dhe për ta shpallur numrin përfundimtar të votuesve nga jashtë.

    KQZ-ja i pranoi në përgjithësi 294.025 kërkesa, por rreth 42.000 prej tyre janë hedhur poshtë, për shkak të parregullsive në dokumentet e paraqitura, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Numri më i lartë i votuesve nga jashtë u regjistrua në Itali, rreth 148.000, pastaj në Greqi rreth 103.000, si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Francë, Belgjikë etj.

    Nga Kosova janë regjistruar 215 votues. Nga rreth 30 shtete, përfshirë këtu edhe territorin palestinez, ka pasur vetëm nga një kërkesë.

    Sipas një raporti të Institutit të Statistikave në vitin 2020, numri i asaj që njihet si “diaspora e re”, apo imigrantët e larguar gjatë viteve ‘90 nga Shqipëria, ka arritur në rreth 1.68 milionë.

    Përfaqësuesit e Partisë Demokratike në opozitë kërkuan të shtyhej afati për regjistrimin e votuesve nga jashtë, ndërsa Partia Socialiste në pushtet kërkoi shtyrje afati vetëm për ata votues, kërkesat e të cilëve janë refuzuar.

    Megjithatë KQZ-ja vendosi të mos ketë shtyrje të afatit, pasi do të ndërlikonte procesin e shpalljes së listës dhe rishikimit të saj nëse do të jetë e nevojshme. Ajo pritet ta publikojë listën e votuesve nga jashtë më 9 mars. Regjistrimi për diasporën nisi më 11 janar.

    Si do të votojë diaspora shqiptare?
    Fletëvotimet do t’iu dërgohen votuesve nga jashtë përmes operatorëve ndërkombëtarë të postave që kanë degë në Shqipëri, dhe më pas votat e tyre do të sillen në Shqipëri. Shpenzimet për këtë proces përballohen nga buxheti i shtetit.

    Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka deklaruar se vota nga jashtë do të ketë ndikim në rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit.

    “Matematikisht janë 23-25 mandate që mund të ndikohen prej votave nga jashtë”, tha Celibashi.

    Për zgjedhjet e 11 majit janë regjistruar 51 subjekte politike, ndërsa kanë paraqitur kërkesë për regjistrim tre koalicione parazgjedhore.

    Koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” udhëhiqet nga Partia Demokratike e Sali Berishës dhe ka në përbërjen e saj Partinë e Lirisë së Ilir Metës dhe 24 aleatë të tjerë.

    Koalicioni “Djathtas për Zhvillim”, ku bëjnë pjesë dy parti të drejtuara nga ish-përfaqësues të Partisë Demokratike. Koalicioni tjetër është “Nisma Shqipëria Bëhet”, që ka në përbërje parti të reja që vijnë nga shoqëria civile.

    Në këto zgjedhje, Partia Socialiste në pushtet, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, kërkon mandatin e katërt, ndërsa demokratët kërkojnë ndryshim politik dhe rikthimin në pushtet pas 12 vjetësh në opozitë./REL/

  • Fillon ceremonia e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së në kazermën “Adem Jashari”

    Fillon ceremonia e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së në kazermën “Adem Jashari”

    Ka filluar ceremonia e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së në kazermën Adem Jashari në Prishtinë, me rastin e 27 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në këtë organizim janë duke marrë pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, Rifat Jashari, ambasador të akredituar në Kosovë, e personalitete të ndryshme.

    Ceremonia ka filluar me intonimin e himnit shtetëror dhe kombëtar, ku më pastaj u bënë homazhe të obelisku i UÇK-së në kazermë.

  • Epopeja e UÇK-së, Haradinaj: Lufta e UÇK-së, vulë e përjetshme e krenarisë dhe arritjes më të madhe kombëtare

    Epopeja e UÇK-së, Haradinaj: Lufta e UÇK-së, vulë e përjetshme e krenarisë dhe arritjes më të madhe kombëtare

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në kompleksin memorial në Prekaz me rastin e fillimit të “Epopesë së UÇK-së”.

    Haradinaj ka thënë se në Prekaz sakrifica arriti kulmin e saj.

    “Te Prekazi i Komandantit Legjendar Adem Jashari, aty ku sakrifica arriti kulmin e saj; kujtojmë Epopenë e UÇK-së, të gdhendur përjetësisht në historinë e kombit shqiptar, me emrat e heronjve, dëshmorëve e martirëve të flijuar për liri”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka shtuar se familja Jashari është zemër e qëndresës sonë, e lufta e UÇK-së

    “Familja Jashari është zemër e qëndresës sonë, e lufta e UÇK-së, vulë e përjetshme e krenarisë dhe arritjes më të madhe kombëtare” , është shprehur Haradinaj.

  • Vjedhje në Zveçan, hajnat vjedhin gjësende në vlerë rreth 630 euro

    Vjedhje në Zveçan, hajnat vjedhin gjësende në vlerë rreth 630 euro

    Një vjedhje është raportuar në Zveçan.

    Një person ka raportuar në polici se disa hajna kanë hyrë në shtëpinë e tij dhe kanë vjedhur gjësende me vlerë 630 euro.

    Kjo është bërë e ditur nga raporti i përditshëm i Policisë së Kosovës.

    ‘‘VJEDHJE E RËNDË – Zveçan / 03-04.03.2025 – 17:30-09:00. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se të dyshuar të panjohur me forcë kanë depërtuar në shtëpinë e tij dhe nga aty kanë vjedhur gjësende në vlerë rreth 630 euro’’, ka njoftuar Policia e Kosovës.

  • Arrestohen dy të dyshuar për grabitje të armatosur në Ferizaj

    Arrestohen dy të dyshuar për grabitje të armatosur në Ferizaj

    Dy persona janë arrestuar nën dyshimin për grabitje të armatosur në Ferizaj.

    Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se rasti ka ndodhur të hënën, kurse të dyshuarit u arrestuan dje.

    “Ferizaj / 03.03.2025 – 18:15. Lidhur me rastin, si rezultat i angazhimeve policore, më 04.03.2025, janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë dhe të njëjtit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

  • Trump nuk tërhiqet nga tarifat, thotë se ShBA-ja është shfrytëzuar për dekada

    Trump nuk tërhiqet nga tarifat, thotë se ShBA-ja është shfrytëzuar për dekada

    Presidenti Trump foli sot për 1 orë e 40 minuta në Kongres lidhur me vizionin e tij mbi ekonominë.

    Në 24 orët e fundit, ai ka vendosur tarifa të reja 25% mbi mallrat nga Kanadaja dhe Meksika dhe ka dyfishuar tarifat mbi produktet kineze në 20%.

    Me këto vende që planifikojnë tarifa reciproke, SHBA po e gjen veten në fillimin e një lufte tregtare.

    Në fjalimin e tij, Trump nuk tërhiqet.

    Ai sulmon BE-në, Indinë, Meksikën dhe Brazilin, duke shtuar se “shumë kombe të tjera” kanë politika tregtare të padrejta ndaj amerikanëve.

    “Kjo po ndodh si nga miqtë ashtu edhe nga armiqtë,” thotë ai, duke theksuar se më 2 prill “tarifat reciproke do të hyjnë në fuqi”.

    “Çfarëdo që ata të na taksojnë ne, ne do t’i taksojmë ata,” shpjegon ai, duke theksuar se SHBA ka vendosur historikisht tarifa më të ulëta sesa shumë nga partnerët e saj tregtarë.

    “Do të marrim triliona dhe triliona dollarë dhe do të krijojmë vende pune si kurrë më parë”, thotë ai.

    “Na kanë shfrytëzuar për dekada nga çdo vend në Tokë dhe nuk do ta lejojmë më këtë të ndodhë”.

  • Osmani: Epopeja e UÇK-së është një testament i përjetshëm i qëndresës dhe sakrificës së popullit tonë

    Osmani: Epopeja e UÇK-së është një testament i përjetshëm i qëndresës dhe sakrificës së popullit tonë

    Sot shënohet 27-vjetori i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka shkruar se Epopeja e UÇK-së, është një testament i përjetshëm i qëndresës, transmeton Telegrafi.

    “Epopeja e UÇK-së, është një testament i përjetshëm i qëndresës, i sakrificës dhe i pathyeshmërisë së popullit tonë”, ka shkruar presidentja në Facebook.

    Në natën e 4 e 5 marsit të vitit 1998, Prekazi ishte rrethuar nga forcat e shumta ushtarake dhe policore.

    Pikërisht më 5 mars bëhen 27 vjet të rënies së komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë. Mirëpo, çdo përvjetor Adem Jasharin e bënë më të lavdishëm në historinë e kombit tonë.

    Me aktin e rënies së komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë, Kosova mundi frikën me çka i hapi shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë.

    Dhe jo rastësisht, në Prekaz, në Lagjen e Jasharëve është ngritur monumenti më i madh i luftës për liri, për pavarësi e demokraci, që këto ditë 5,6,7 mars për çdo vit vëmendja e të gjithë kombit shqiptar kthehet nga Prekazi legjendar, që shekuj e vite i dha Kosovës shumë.

  • Epopeja e UÇK-së, mësimi fillon me orë kushtuar luftës së Kosovës dhe sakrificës së familjes Jashari

    Epopeja e UÇK-së, mësimi fillon me orë kushtuar luftës së Kosovës dhe sakrificës së familjes Jashari

    Sot, me 5 mars fillon Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rrjedhimisht bëhen 27 vjet nga rënia e komandantit legjendar, Adem Jashari së bashku me familjen e tij.

    Për nder të kësaj, të gjitha shkollat në Republikën e Kosovës, orën e parë të mësimit do t’ia kushtojnë Epopesë së UÇK-së.

    Sulmi i gjerë që Serbia e kishte ndërmarrë në Drenicë për të eliminuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ishte kthyer në një rrethim të hekurt për Lagjen e Jasharëve në Prekaz, që ishte qendra dhe simboli i luftës për liri në Kosovë.

    Kjo ngjarje e rëndë më 5, 6 e 7 mars të vitit 1998 kishte ngritur çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore, dhe vazhdon të jetë një kujtim i lavdishëm për historinë e kombit tonë.

    Në fakt, sot bëhen 27 vjet nga rënia e Komandantit Legjendar Adem Jasharit, që bashkë me familjen e tij dhe Jasharët e tjerë e mbrojtën Kosovën nga okupatori serb. Me rënien heroike të tij, Kosova mundi frikën dhe i hapi shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë. Në Lagjen e Jasharëve në Prekaz është ngritur monumenti më i madh për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe më 5, 6 e 7 mars të çdo viti, kombi shqiptar kthehet me respekt dhe admirim për ta kujtuar këtë ngjarje të lavdishme të historisë sonë më të re.

    Në kuadër të shënimit të 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti do të marrin pjesë në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), që do të zhvillohet nesër më 5 mars.

    Po ashtu, më herët gjatë ditës, në orën 10:00, do të mbahet mbledhja solemne e Qeverisë së Republikës së Kosovës për shënimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, që do të zhvillohet në ndërtesën e qeverisë.

    Sipas njoftimit të Presidencës, presidentja Osmani do të marrë pjesë në këtë ceremoni, e cila do të mbahet në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, në orën 12:00.

    Njëkohësisht, Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se kryeministri Albin Kurti gjithashtu do të marrë pjesë në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së.

    Në agjendën e publikuar ditë më parë nga Qeveria e Kosovës theksohet se edhe në kuvendet komunale të Kosovës do të mbahen seancat solemne.

    Pjesë e aktiviteteve, do të jetë edhe ligjërata në shkollat e Kosovës ku ora e parë mësimore do t’i kushtohet Epopesë së UÇK-së.

    Aktivitetet do të vazhdojnë edhe me 6 mars, ku krerët e shtetit dhe institucioneve do të bëjnë homazhe ne Prekaz, ndërsa që do të mbahet edhe skedimi përkujtimore në Prishtinë.

    Epopeja e UÇK-së do të përmbyllet si zakonisht me 7 mars me “Natën e Zjarreve” në Prekaz dhe me programit artistik në Skenderaj.

  • Sot pritet të përmbyllet i gjithë procesi i numërimit të votave

    Sot pritet të përmbyllet i gjithë procesi i numërimit të votave

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se edhe sot në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve vazhdon numërimi i fletëvotimeve të dhëna nga personat me nevoja të veçanta, i cili pritet të përfundojë sot dhe më këtë përmbyllet i gjithë procesi i numërimit të votave për zgjedhjet e 9 shkurtit.

    KQZ-ja dje ka publikuar të dhënat nga 100% e numërimit të votave të ardhura përmes postës për zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit, proces i cili përfundoi dje.

    Sipas të dhënave të publikuara dje në faqen zyrtare të KQZ-së, nga numërimi i 187 kutive që ishin gjithsej, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 31,963 vota, apo 51.57%.

    E dyta ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës me 18,933 vota, që i përgjigjet 30.55%.

    Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 5,878 vota, apo 9.48%, ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 2,000 vota, apo 3.23%.

    Pra gjithë procesi i numërimit, sipas KQZ-së, pritet të përmbyllet sot gjatë ditës.

  • Krizë në shëndetësi për mungesën e barnave esenciale, OFK-ja i bën thirrje MSh-së për bashkëpunim

    Krizë në shëndetësi për mungesën e barnave esenciale, OFK-ja i bën thirrje MSh-së për bashkëpunim

    Oda e Farmacistëve të Kosovës (OFK), shpreh shqetësim për mungesën e barnave esenciale, që ka shkaktuar krizë në shëndetësi dhe po cenon cilësinë e shërbimeve, për shkak të vendimit për çmimin e barnave.

    Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, OFK-ja ka theksuar shqetësimin lidhur me mungesën e barnave, përfshirë ato esenciale, në sektorin publik dhe privat.

    Ndërsa në anën tjetër, kjo mungesë ka shkaktuar një krizë në sistemin shëndetësor dhe po cënon cilësinë e shërbimeve shëndetësore për qytetarët, e cila ka lindur si pasojë e vendimit të Ministrit të Shëndetësisë për çmimin e barnave, thuhet në njoftim.

    “…Oda e Farmacistëve të Kosovës bën thirrje urgjente për Ministrin e Shëndetësisë që pas refuzimeve të përsëritura të ftesave tona për bashkëpunim, të vendosë interesin publik mbi interesat personale dhe të reflektojë për këtë situatë të rëndë”, ka shkruar OFK-ja.