ATV

Author: G.O.

  • Certifikohet gjenerata e parë në Kursin e Karrierës për Kapiten

    Certifikohet gjenerata e parë në Kursin e Karrierës për Kapiten

    Shkolla e Oficerëve, në kuadër të Akademisë së Mbrojtjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka realizuar për herë të parë Kursin e Karrierës për Kapiten.

    Sipas një njoftimi nga ana e FSK-së, ky kursi kishte për qëllim zhvillimin e aftësive taktike, teknike dhe të udhëheqjes për oficerë, duke i përgatitur ata për udhëheqje në nivel kompanie dhe për operacione të përbashkëta.

    Në ceremoninë përmbyllëse të pranishëm ishin ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, shefi i stafit të SHPFSK-së, gjeneralbrigade Ilir Qeriqi, komandanti i KDS-sit, gjeneralbrigade Jeton Dreshaj, oficerë e nënoficerë të FSK-së.

  • Mbyllet ndërtesa e Agjencisë Shtetërore për Hetime në Banjallukë

    Mbyllet ndërtesa e Agjencisë Shtetërore për Hetime në Banjallukë

    Qasja në ndërtesën e Agjencisë Shtetërore për Hetime (SIPA) të Bosnje e Hercegovinës në Banjallukë u bllokua më 7 mars, ndërsa punonjësit u larguan nga ambientet në orët e mëngjesit.

    SIPA është agjencia shtetërore për hetime dhe mbrojtje, e cila funksionon si organizatë administrative e Ministrisë së Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës. Banjalluka është qendra administrative e Republikës Sërpska.

    Byroja e Radios Evropa e Lirë (REL) në Sarajevë nuk ka marrë informacion zyrtar nga SIPA në lidhje me zhvillimet në ambientet e saj në Banjallukë, si dhe nuk ka marrë përgjigje për pretendimet jozyrtare se Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës Sërpska (MPB RS) do të marrë nën kontroll ndërtesën të premten.

    Informacionet për ndërprerjen e punës së SIPA-s në Banjallukë vijnë pas hyrjes në fuqi të ligjeve antikushtetuese të Republikës Sërpska për ndalimin e funksionimit të SIPA-s, Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnje e Hercegovinës në këtë entitet.

    Zëdhënësja e MPB-së së RS-së, Mirna Milanoviq, tha për REL-in se “nuk ka informacion” lidhur me ndonjë urdhër të kësaj ministrie ndaj SIPA-s.

    REL-i mëson jozyrtarisht se MPB-ja e RS-së ka kërkuar që punonjësit të largohen nga objekti dhe që puna të ndërpritet.

    Sipas raportimit të gazetarit të REL-it nga terreni, në ndërtesën e SIPA-s në Banjallukë nuk shihet asnjë aktivitet, nuk ka njerëz që hyjnë apo dalin, ndërsa portat e ambienteve të Agjencisë janë të mbyllura.

    Gjithashtu, parkingu është pothuajse bosh, përveç disa automjeteve të parkuara të SIPA-s.

    Rojet e objektit janë të vetmit të pranishëm për momentin dhe ata nuk kanë dashur të japin ndonjë informacion.

    Sipas burimeve të sigurta të REL-it, punonjësit e SIPA-s në Banjallukë janë njoftuar se orari i tyre i punës është shkurtuar.

    “Thjesht na thanë të dalim jashtë. Na u tha se është vetëm për sot për arsye sigurie”, tha një nga punonjësit e SIPA-s në Banjallukë, i cili dëshiroi të mbetet anonim.

    Zyra e SIPA-s në Banjallukë nuk është selia qendrore e Agjencisë. Ndërtesa kryesore e SIPA-s ndodhet në Sarajevën Lindore dhe deri më tani nuk ka informacione për ndonjë ndryshim në funksionimin e saj.

    Një ditë më parë, MPB-ja e RS-së u bëri thirrje punonjësve të SIPA-s që të paraqisnin kërkesë për t’u transferuar në MPB-në e RS-së.

    Aktualisht, nuk ka informacione zyrtare se sa punonjës të SIPA-s i janë përgjigjur thirrjes së MPB-së së RS-së.

    MPB-ja e RS-it, përveç ligjit antikushtetues, i referohet edhe një Rregulloreje për procedurën e marrjes së punonjësve nga Republika Sërpska që janë të punësuar në SIPA, e miratuar nga Qeveria e RS-së.

    Në thirrjen publike thuhet se “punonjësit e SIPA-s nga Republika Sërpska ftohen të paraqesin kërkesën për transferimin e tyre në stacionin më të afërt policor të MPB-së së RS-së”.

    “Ata do të pranohen menjëherë dhe do të bëhen pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Sërpska me vendosjen e marrëdhënies së punës”, thuhet në thirrjen publike të MPB-së së RS-së.

    Shfuqizimi i njëanshëm i kompetencave shtetërore të Bosnje dhe Hercegovinës në një pjesë të territorit të saj nuk është në përputhje me Kushtetutën e Bosnje dhe Hercegovinës./REL

  • Zelensky u bën thirrje aleatëve për trysni ndaj Putinit pas një sulmi tjetër të madh në Ukrainë

    Zelensky u bën thirrje aleatëve për trysni ndaj Putinit pas një sulmi tjetër të madh në Ukrainë

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje aleatëve t’i bëjnë trysni Rusisë për ta ndalur luftën kundër Ukrainës, duke nisur me një armëpushim ajror dhe detar, pasi Moska e kreu një sulm masiv me dronë dhe raketa ndaj infrastrukturës së energjisë dhe gazit në shumë rajone ukrainase të premten.

    Zelensky tha në rrjetet sociale të premten se Rusia i shkrepi gati 70 raketa lundruese dhe balistike, si dhe i lëshoi rreth 200 dronë kundër objekteve të ndryshme të energjisë në Ukrainë.

    Gjatë sulmit u goditën edhe ndërtesat e banimit.

    Zelensky nuk tregoi nëse ka të vdekur nga sulmi, i cili ndodhi në një kohë kur janë rritur përpjekjet diplomatike për bisedime për paqe. Një delegacion ukrainas do të udhëtojë në Arabinë Saudite javën e ardhshme, për t’u takuar me zyrtarët amerikanë, me qëllim për ta gjetur një kornizë për një marrëveshje për paqe.

    “Hapat e parë për ta vendosur paqen e mirëfilltë duhet të jenë ta detyrosh burimin e vetëm të kësaj lufte, që është Rusia, për t’i ndalur pikërisht këto sulme kundër jetës”, shkroi Zelensky.

    “Kjo mund të kontrollohet në mënyrë reale. Heshtje në qiell – ndalimi i përdorimit të raketave, dronëve me rreze të gjatë dhe bombave ajrore. Dhe gjithashtu heshtje në det – një garanci e vërtetë për lundrim normal”, shtoi ai.

    Sulmi masiv, i 30-ti ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës që nga fillimi i pushtimit të gjerë nga Rusia në vitin 2022, është pjesë e një strategjie më të gjerë të Rusisë për ta goditur sektorin jetik energjetik të Ukrainës. Në dy javët e fundit, sulmet ruse kanë goditur në mënyrë të përsëritur objektet energjetike në rajonin e Odesës.

    Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se sulmi filloi në orën 3:03 të mëngjesit kur Rusia lëshoi raketa lundruese Kalibr nga Deti i Zi. Menjëherë pas kësaj, u dha një paralajmërim për dërgimin e një avion luftarak MiG-31K, i cili bart raketa hipersonike Kinzhal.

    Forcat ruse gjithashtu lëshuan një breshëri dronësh në një sulm të koordinuar.

    Zelensky tha se avionët F-16 dhe Mirage-2000, të ofruar nga Franca, u përdorën për të ndihmuar në zmbrapsjen e sulmit.

    Si rezultat i sulmit të premten, Polonia i aktivizoi sistemet e saj të mbrojtjes ajrore dhe ngriti avionët luftarakë. Forcat e Armatosura të Polonisë thanë se, për shkak të aktiviteteve ajrore me rreze të gjatë të Rusisë, Polonia dhe aleatët e saj kanë nisur një operacion ajror për ta vëzhguar dhe për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi.

    Naftohaz, kompania shtetërore e gazit në Ukrainë, konfirmoi se ky ishte sulmi i 17-të i kombinuar ndaj infrastrukturës së saj.

    Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Roman Chumak, tha se objektet e prodhimit, thelbësore për nxjerrjen e gazit, u dëmtuan rëndë, por përpjekjet për rikuperim tashmë kishin filluar.

    Pavarësisht mohimeve të përsëritura të Moskës se nuk e sulmon infrastrukturën civile, Ukraina dhe organizatat ndërkombëtare i kanë quajtur këto sulme krime lufte.

  • ​Distria Krasniqi në gjysmëfinale të Grand Prix Austria

    ​Distria Krasniqi në gjysmëfinale të Grand Prix Austria

    Xhudistja kosovare, Distria Krasniqi është kualifikuar në gjysmëfinale të Grand Prix Upper Austria që po mbahet në Linz të Austrisë.

    Në këtë fazë ajo ishte shumë më e mirë se kundërshtarja serbe Nikolina Nisavic, njofton KosovaPress.

    Distria e nisi në mënyrë të përkryer garën për medalje në Linz Grand Prix, duke fituar në raundin e dytë, pasi të parin e kaloi pa luftë. Në raundin e dytë, xhudistja pejane ishte më e mirë se kundërshtarja amerikane, Jenna Schurr, duke e mposhtur me ippon.

    Tashmë, Krasniqi në gjysmëfinale do të përballet me hungarezen, Reka Pupp.

    Ndryshe, Grand Prix në Linz do të ketë pjesëmarrës nga 6 kontinente, 52 shtete, 416 garues, nga të cilët 247 meshkuj dhe 169 femra, ndersa përveç Distrias dhe Laurines, Kosova përfaqësohet edhe nga Laura Fazliu (-63kg), e cila ndeshet nesër.

  • Kapen mbi 10 kg substancë narkotike në Gjilan, arrestohet 26-vjeçari i dyshuar

    Kapen mbi 10 kg substancë narkotike në Gjilan, arrestohet 26-vjeçari i dyshuar

    Policia e Kosovës, Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotik në Gjilan, ka zhvilluar një aksion që rezultoi me sekuestrimin e mbi 10 kg drogë dhe arrestimin e një personi të dyshuar, raporton Gazeta Sinjali.

    Pas një pune të gjatë nën masa të veçanta hetimore, u arrestua i dyshuari V.M., rreth 26-vjeçar, i dyshuar për përfshirje në veprën penale “Blerja, Posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike, psikotrope ose analoge”.

    “Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur dhe konfiskuar një sasi e konsiderueshme e substancës narkotike, e dyshuar e llojit Marihuane, tri peshore elektronike dhe para me vlerë prej 1630 euro.

    Substancës së dyshuar narkotike iu është bërë testi fushor i cili ka rezultuar pozitiv dhe ka peshuar 10.488 kg. Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit dhe i njëjti ka sugjeruar që i dyshuari pas intervistimit të dërgohet në mbajte.”

  • Policia kërkon ndihmë për identifikimin e të dyshuarit për vjedhjen që ndodhi në vitin 2023 në Prizren

    Policia kërkon ndihmë për identifikimin e të dyshuarit për vjedhjen që ndodhi në vitin 2023 në Prizren

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka lëshuar një kërkesë për bashkëpunim me qytetarët, për identifikimin e një personi të dyshuar për vjedhje.

    Rasti ka ndodhur më datë 20.10.2023, në parkingun e qendrës tregtare e cila gjendet në rrugën “Brigada 125” në Prizren.

    “Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të kërkuar në fotot e bashkangjitura, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor.

    Numrat e telefonit dhe adresat elektronike kontaktuese për të kontaktuar Policinë e Kosovës:

    – 192 dhe 080019999 (pa pagesë)

    – 029 244 -740 –Stacioni Policor Prizren

    – E-mail adresa: [email protected]”, thuhet në njoftimin e Policisë.

     

  • Kurti pasi pyetet për koalicionin për formim të Qeverisë: Një herë certifikimi i rezultateve

    Kurti pasi pyetet për koalicionin për formim të Qeverisë: Një herë certifikimi i rezultateve

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur nga gazetarët nëse do të fillojë konsultimet me partitë politike për mundësinë e koalicioneve pas-zgjedhore dhe formimin e qeverisë së re.

    Ai ka dhënë një përgjigje të shkurtër, duke theksuar se konsultimet do të nisin vetëm pas certifikimit të rezultateve zyrtare.

    “Një herë certifikimi i rezultateve”, ka thënë shkurt ai para mediave.

    Ndërkohë, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, thotë se pas certifikimit të rezultateve, opozita është ajo që duhet ta formojë qeverinë.

    Ai e ka përjashtuar mundësinë për bashkëpunim me Albin Kurtin, partia e të cilit doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit.

  • Presidentja Osmani uron 7 Marsin: Nderojmë ata që na mësuan shkronjat e para dhe ata që ende mësojnë brezat e rinj

    Presidentja Osmani uron 7 Marsin: Nderojmë ata që na mësuan shkronjat e para dhe ata që ende mësojnë brezat e rinj

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar 7 Marsin, ditën e mësuesit.

    Osmani ka kujtuar themelimin e shkollës së parë shqipe në Korçë më 1887.

    “Më 7 Mars kujtojmë themelimin e shkollës së parë shqipe në Korçë më 1887, një akt i guximshëm i patriotëve tanë, që e kuptuan se pa gjuhë dhe dije, nuk ka as komb të suksesshëm”.

    Presidentja nderon të gjithë mësuesit – duke theksuar “ata që na mësuan shkronjat e para dhe ata që ende mësojnë brezat e rinj”.

    “Sot, shkolla është më shumë se një institucion mësimor – është fortesa ku ndërtohet e ardhmja. Mësuesit mbeten shtylla e shoqërisë dhe ata që formësojnë mendjet dhe zemrat e kombit.

    Në këtë ditë, nderojmë të gjithë mësuesit – ata që na mësuan shkronjat e para dhe ata që ende mësojnë brezat e rinj. Respekt, mirënjohje dhe përulësi para misionit të tyre fisnik!

    Gëzuar 7 Marsin, Ditën e Mësuesve!”.

  • BE-ja thotë se Serbia po e shkel Marrëveshjen me Kosovën me sjelljen e saj në KiE

    BE-ja thotë se Serbia po e shkel Marrëveshjen me Kosovën me sjelljen e saj në KiE

    Bashkimi Evropian (BE) ka thënë të premten se Serbia, me sjelljen e saj në Këshillin e Evropës, është duke e shkelur Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023, në të cilën, mes tjerash, Beogradit i kërkohet të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

    Kosova hasi edhe në një pengesë tjetër gjatë kësaj jave në Këshillin e Evropës (KiE), pasi kërkesa e saj për të qenë mysafire speciale në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, u hoq nga rendi i ditës të mërkurën, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Serbia, përmes delegacionit të vet në këtë Komitet, por edhe përmes kryetares së Kuvendit, Ana Bërnabiq, u krenua për këtë arritje, duke e quajtur si fitore të madhe të Serbisë në mbrojtjen e interesave kombëtare.

    I pyetur për këtë, një zëdhënës i BE-së tha të premten se Serbia qartazi po i shkel detyrimet e saj nga Marrëveshja e Ohrit, e arritur mes saj dhe Kosovës më 2023.

    “Sjellja e Serbisë në Këshillin e Evropës është një shkelje e qartë e obligimeve të Serbisë nga Marrëveshja e Ohrit”, thotë zëdhënësi i BE-së, duke nënvizuar se ky obligim përmendet në nenin 4 të Marrëveshjes, ku flitet për moskundërshtimin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.

    Serbia, në disa raste në të kaluarën, ka lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, ndonëse Marrëveshja e arritur me lehtësimin e Bashkimit Evropian qartë thotë se ajo nuk mund ta bëj një gjë të tillë.

    Marrëveshja nuk është nënshkruar, por BE-ja ngul këmbë se ajo është ligjërisht e detyrueshme për palët dhe duhet të zbatohet në tërësi.

    Kosova dështoi të anëtarësohet në Këshillin e Evropës në fillim të vitit 2024, për shkak se u kushtëzua me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Edhe Asociacioni është obligim për Kosovën nga kjo Marrëveshje.

    Vitin e kaluar, Serbia kishte formuar grup punues për koordinimin e aktiviteteve të autoriteteve shtetërore kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Këshilli i Evropës është organizatë lidere në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Anëtarësimi eventual do t’i ndihmonte Kosovës, mes tjerash, në fushën e sundimit të ligjit, dhe luftimin e korrupsionit./REL

  • Nagavci nderon me çmimin tradicional “Shaban Jashari” mësuesin Shaip Krasniqi nga Obiliqi

    Nagavci nderon me çmimin tradicional “Shaban Jashari” mësuesin Shaip Krasniqi nga Obiliqi

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) për nder të Ditës së Mësuesit ka ndarë çmimin tradicional “Shaban Jashari”, për Shaip Krasniqi nga Obiliqi, për mësuesin më të mirë të vitit.

    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se theks të veçantë i kanë dhënë zhvillimit profesional të mësimdhënësve.

    “Si arsimtare me përvojë në të gjitha nivelet e punës në arsim e kuptoj thellë peshën dhe ndjeshmërinë që e ka puna juaj e çdo ditshme, andaj edhe me këtë vetëdije në Ministrinë e Arsimit kemi vënë me theks të veçantë zhvillimin profesional të mësimdhënësve. Vetëm në tre vitet e fundit janë trajnuar gjithsej 16 959 mësimdhënës në 172 programe të ndryshme trajnimi, që nga trajnimet për kurrikulë e deri te programet themelore dhe plotësuese”, tha ajo.

    Nagavci përmendi dhe investimet për përmirësimin e infrastrukturës .

    “Po ashtu gjatë këtij mandati kemi ndërmarrë një sërë veprimesh, duke përfshirë rritjen e buxhetit për arsim për 32 për qind, investimet për përmirësimin e infrastrukturës me investime totale me 111 milionë euro”, tha Nagavci.

    Fituesi i çmimit tha se këtë çmim ia dedikon nxënësve dhe kolektivit të shkollës.

    “Këta kanë qenë shtytës që unë të konkuroj për këtë çmim. Këtë çmim dua ta ndajë me nxënësit dhe kolektivin e shkollës ‘Naim Frashëri’ në Obiliq”, tha ai.

    Në këtë ceremoni mirënjohje u ndan edhe për 30 mësimdhënësit më të mirë nga të gjitha komunat e Kosovës.