ATV

Author: G.O.

  • Presidenti i Koresë së Jugut lirohet nga paraburgimi

    Presidenti i Koresë së Jugut lirohet nga paraburgimi

    Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol është larguar nga qendra e paraburgimit në Seul, ku po mbahej për një çështje penale të shkeljes së kushtetutës për shkak të ngjarjeve sipas ligjit ushtarak, njofton agjencia e lajmeve Yonhap.

    Ai u prit nga një numër i madh mbështetësish në portën kryesore të qendrës së paraburgimit. “Para së gjithash, shpreh mirënjohjen time për Gjykatën Qendrore të Qarkut për guximin dhe vendosmërinë në korrigjimin e paligjshmërisë”, tha presidenti në një deklaratë të ndarë nga avokatët e tij.

    Yoon Suk Yeol gjithashtu falënderoi mbështetësit e tij në një deklaratë me shkrim.

    Më herët të shtunën, prokuroria autorizoi lirimin e presidentit. Në këtë 7 mars, Gjykata Qendrore e Qarkut të Seulit e gjeti arrestimin si të paligjshëm, pasi prokuroria u vonua disa orë në ngritjen e akuzave zyrtare.

    Gjykata vlerësoi se prokuroria duhet të kishte ngritur padi përpara orës 9 të mëngjesit të datës 26 janar dhe jo në mbrëmjen e asaj dite. Prokuroria besonte se afati duhet të llogaritet vetëm me ditë, jo me orë e minuta. Prokuroria dhe gjykata ishin të ndarë për mundësinë e shkatërrimit të provave.

    Seok Dong-hyun, avokati i presidentit, sqaroi këtë të shtunë se presidenti nuk mund të lirohej për sa kohë që prokuroria ka aftësinë për të bërë një apel brenda 7 ditëve.

    Ai gjithashtu argumentoi se ky mekanizëm ligjor ishte konstatuar se ishte jokushtetues.

    Më 15 janar, Zyra e Hetimit të Korrupsionit për zyrtarët e lartë arrestoi presidentin Yoon Suk Yeol në rezidencën e tij në Seul për kryengritje kundër rendit kushtetues për shkak të ngjarjeve që ndodhën në kushtet e ligjit ushtarak.

    Më 19 janar, Gjykata e Qarkut Perëndimor të Seulit vendosi të marrë në paraburgim kreun e shtetit. E njëjta gjykatë lëshoi ​​urdhrin e arrestit të presidentit.

  • Kearns mirëpret reagimin e Sekretarit Rubio ndaj Millorad Dodikut, thekson heshtjen e Qeverisë britanike

    Kearns mirëpret reagimin e Sekretarit Rubio ndaj Millorad Dodikut, thekson heshtjen e Qeverisë britanike

    Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka mirëpritur qëndrimin e fundit të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, lidhur me veprimet e fundit destabilizuese të Millard Dodik në Bosnje e Hercegovinë.

    Kearns ka thënë se derisa vjen ky reagim nga Sekretari amerikan, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është e heshtur pavarësisht përgjegjësive në Këshillin për Implementimin e Paqes.

    “E mirëpres shumë këtë deklaratë nga Sekretari Ruio. Heshtje nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, pavarësisht përgjegjësive tona në Këshillin për Zbatimin e Paqes”, ka shkruar ajo.

    Rubio: Veprimet e Dodikut e kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës

  • Kallas pas sulmeve të fundit në Ukrainë: Rusia nuk ka ‘interes për paqen’

    Kallas pas sulmeve të fundit në Ukrainë: Rusia nuk ka ‘interes për paqen’

    Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian ka thënë se sulmet e Rusisë gjatë natës ndaj Ukrainës tregojnë se Kremlini “nuk ka interes për paqen”.

    Në një postim në X, Kaja Kallas shkruan: “Raketat ruse vazhdojnë të bien pa pushim mbi Ukrainën, duke sjellë më shumë vdekje dhe më shumë shkatërrim.”

    “Putin edhe një herë tregon se nuk ka interes për paqen”.

    Kallas shtoi se “Ne duhet të shtojmë mbështetjen tonë ushtarake – përndryshe, edhe më shumë civilë ukrainas do të paguajnë çmimin më të lartë.”

  • Google Maps po merr një përditësim të madh – a do ta shfrytëzoni?

    Google Maps po merr një përditësim të madh – a do ta shfrytëzoni?

    Përdoruesit e Android 16 tani kanë mundësinë të provojnë për herë të parë një funksion të ri gjatë përdorimit të Google Maps, pasi kjo aplikacion është i pari që përdor “Live Updates”.

    Ky funksion u mundëson përdoruesve të marrin informacione të përditësuara në shiritin e statusit, duke e bërë më të lehtë, për shembull, ndjekjen e udhëzimeve në harta.

    E ngjashme me sistemin “Live Activities” të Apple, funksioni i ri i Android mund të përdoret në aplikacione të ndryshme, por aktualisht është zbatuar vetëm në Google Maps. “Live Updates janë një lloj i ri njoftimesh që ndihmojnë përdoruesit të ndjekin dhe të kenë qasje të shpejtë në aktivitetet e rëndësishme aktuale”, shpjeguan zhvilluesit e Android në një postim ku u prezantua për herë të parë ky funksion.

    Tani, përdorimi i “Live Updates” është vërejtur në versionin Beta 2.1 të Android 16, raporton Android Authority.

    Kur ndiqni udhëzimet përmes aplikacionit Google Maps, në shiritin e statusit të Android shfaqet një tregues me informacion për kohën deri në kthesën tjetër dhe kohën e parashikuar të mbërritjes. Nëse tërhiqni poshtë njoftimet, do të shihni më shumë detaje.

    Nëse nuk dëshironi të keni informacione live në njoftime, ekziston edhe mundësia për ta çaktivizuar këtë funksion. Në seksionin e cilësimeve të njoftimeve për Maps, mund të gjeni opsionin “Shfaq informacione live” dhe ta çaktivizoni atë.

    Për momentin, ky funksion është i disponueshëm vetëm në versionin beta të Android 16. Megjithatë, pritet që në të ardhmen shumë aplikacione do ta përdorin funksionalitetin “Live Updates”, veçanërisht kur Android 16 të prezantohet gjatë verës. /Telegrafi/

  • Shefi i NATO: Evropës i duhet rritje e shpejtë e prodhimit të pajisjeve ushtarake

    Shefi i NATO: Evropës i duhet rritje e shpejtë e prodhimit të pajisjeve ushtarake

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, theksoi në një intervistë për gazetën gjermane Welt am Sonntag, se Evropës i nevojiten buxhete më të larta për mbrojtjen për të siguruar stabilitetin e kontinentit.

    Shefi i NATO-s theksoi se rritja e buxheteve është e pamjaftueshme pa u shoqëruar me një rritje të shpejtë të prodhimit të pajisjeve ushtarake.

    “Do të duhet të shpenzojmë më shumë për sigurinë tonë”.

    “Por gjithashtu, duhet të rrisim shpejt prodhimin tonë të mbrojtjes në të dy anët e Atlantikut. Për shumë kohë, kemi prodhuar shumë pak,” tha ai.

    NATO, që përfshin shumicën e vendeve evropiane, si dhe Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë, ka theksuar nevojën për municione, anije, tanke, avionë, satelitë dhe dronë.

    Sipas Rutte, është e domosdoshme që të rritet prodhimi i këtyre pajisjeve për të përballuar kërcënimet e mundshme dhe për të ruajtur sigurinë e Evropës.

    Vendet evropiane janë duke ecur me shpejtësi për të rritur shpenzimet e mbrojtjes dhe për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj, pas vendimeve të presidentit amerikan Donald Trump për të ngrirë ndihmën ushtarake për Kievin.

    Në këtë kontekst, ligjvënësit gjermanë po shqyrtojnë ndryshime të mëdha në rregullat e huamarrjes shtetërore për të financuar sektorin e mbrojtjes me një fond prej 500 miliardë eurosh.

    Pas 13 marsit, këto masa pritet të miratohen nga parlamenti që po largohet para formimit të një parlamenti të ri më 25 mars.

    Në një takim të fundit të liderëve të Bashkimit Evropian, u diskutua mbështetja për kreditë e përbashkëta të mbrojtjes për vendet anëtare dhe mundësia e lehtësimit të rregullave të buxhetit për të mundësuar shpenzime më të mëdha për mbrojtjen.

  • Laura Fazliu kalon në çerekfinale

    Laura Fazliu kalon në çerekfinale

    Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu është kualifikuar në çerekfinale të Grand Prix Upper Austria që po mbahet në Linz të Austrisë, në kategorinë deri në 57 kilogramë.

    Laura i ka filluar garat pa luftë në raundin e parë, teksa në raundin e tyrë mori fitore për të kaluar tutje.

    Në këtë raund, xhudistja jonë mposhti me ‘ippon’ italianen Carlotta Avanzato në kohën shtesë.

    Vlen të theksohet se Laura pësoi një dëmtim në fillim të luftës, ku u desh intervenimi mjekësor dhe vetëm pas disa minutash filloi përballja.

    Në çerekfinale, 24-vjeçarja kosovare do të ndeshet me sllovenen Leila Mazouzi.

  • “Marshojmë s’festojmë”, pjesëmarrësit hedhin ngjyrë të kuqe e tymuese para objektit të policisë dhe gjykatës

    “Marshojmë s’festojmë”, pjesëmarrësit hedhin ngjyrë të kuqe e tymuese para objektit të policisë dhe gjykatës

    Kolektivi Marshojmë S’Festojmë, është duke mbajturt marshin tradicional që shënon Ditën e Gruas.

    “Grua”, “Nata s’ka ispat”, “Jetë”, “Liri”, “Drejtësia e vonuar është padrejtësi”, “Punët e shtëpisë nuk janë punët e grave”, janë mbishkrimet që gratë dhe burrat po mbajnë në duart e tyre, në marshin tradicional.

    Ndërsa, kur kaluan te Këshilli Gjyqësor dhe te Policia, gratë vendosen ngjyrë të kuqe dhe tymues.

    Gjithashtu, ata po fishkëllojnë si shenjë për të protestuar për të drejtat e grave. Në sheshin “Zahir Pajaziti” po qëndrojnë edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës. /Telegrafi/

     

  • Rafuna: Tarifat doganore të SHBA-së mund të ndikojnë negativisht në ekonominë e Kosovës

    Rafuna: Tarifat doganore të SHBA-së mund të ndikojnë negativisht në ekonominë e Kosovës

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka paralajmëruar se vendosja e tarifave doganore prej 25% nga administrata e Presidentit Trump mund të ndikojë negativisht në eksportet kosovare në tregun e Shteteve të Bashkuara.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Rafuna theksoi se nëse tarifat e reja përfshijnë mallrat kosovare, do të shtrenjtohen produktet dhe do të bëhet konkurrenca më e vështirë.

    “Politikat që është duke i ndërmarr vendosja e tarifave doganore nga ana e presidentit Trump ose Shtëpisë së Bardhë ndikojnë edhe në Kosovë për arsye se edhe pse ne ende nuk e kemi të qartë si do të jetë vendimi, a do të jetë vetëm për shtetet e Unionit Evropian apo do të jetë për kompanitë ose mallrat që eksportohen nga territori në kuptimin gjeografik nga Evropa. Mirëpo, në qoftë se është kjo e fundit atëherë bie që edhe për produktet kosovare do të vendoset një tarifë doganore, në qoftë se vendoset kjo tarifë doganore siç është dhënë ose është thënë nga Trump prej 25 për qind pa dyshim që do të ketë impakt edhe te kompanitë kosovare për arsye se nuk do të jenë konkurrente siç kanë qenë deri më sot. Për shkak se tatimi doganor prej 25 për qind do ta shtrenjtoj produktin kosovar që del në tregun e ShBA-së”, ka thënë Rafuna.

    Ai paralajmëroi se kjo do të çonte në tërheqjen e bizneseve kosovare nga ky treg dhe në rënien e prodhimit, duke pasur një ndikim të dëmshëm në ekonominë e Kosovës.

    “Nëse neve na vendoset tarifa doganore prej 25 për qind atëherë produktet e Kosovës nuk do të mund të dalin konkurrent në tregun e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe do të heqin dorë prej atij tregu dhe nënkupton që me pak prodhim dhe për kompanitë tona dhe ekonominë tonë nuk është mirë kur ke më pak prodhim”, deklaroi ai.

    Rafuna theksoi rëndësinë e përdorimit e lobimit për të parandaluar që Kosova të jetë pjesë e paketës tarifore, duke apeluar për një angazhim të institucioneve për të mbrojtur interesat e biznesve të Kosovës.

    “Parandalimi institucionet tona të vendit duhet të shfrytëzojnë të gjithë mekanizmat që i kanë në dispozicion duke filluar prej lobimit, duke filluar prej kontakteve diplomatë të shtëpisë së bardhë, kongrese e senate në mënyrë që të lobohet që ne të mos jemi pjesë e asaj paketës që vendoset tarifa doganore prej 25 për qind për mallrat e Evropës, edhe pse është sfiduese ne duhet të provojmë që të lobojmë që të mos vendoset ajo tarifë për mallrat e Kosovës”, theksoi Rafuna.

  • Luftime të ashpra në Siri, shkon në 300 numri i vrarëve në 48 orë

    Luftime të ashpra në Siri, shkon në 300 numri i vrarëve në 48 orë

    Mbi 300 civilë, anëtarë të sektit alawite, janë “ekzekutuar” nga forcat siriane të sigurisë në veriperëndim të Sirisë, ku një operacion i madh është duke u zhvilluar kundër luftëtarëve besnikë të ish-presidentit Bashar al-Assad.

    Këto humbje jetësh e çojnë numrin e të vdekurve nga luftimet që nga e enjtja në të paktën 524.

    “311 civilë alavitë, u vranë në një zonë bregdetare të Sirisë, duke ia atribuar vdekjet forcave të sigurisë dhe organizatave aleate“, thotë organizata joqeveritare.

    213 ishin anëtarë të forcave të sigurisë dhe organizatave aleate, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut.

  • EUFOR do ta rrisë numrin e ushtarëve në Bosnje pas tensioneve mes Qeverisë dhe RS-së

    EUFOR do ta rrisë numrin e ushtarëve në Bosnje pas tensioneve mes Qeverisë dhe RS-së

    Bashkimi Evropian (BE) ka thënë se do të dërgojë trupa shtesë në misionin e vet paqeruajtës në Bosnje e Hercegovinë, për shkak të rritjes së tensioneve mes qeverisë qendrore dhe liderëve të entitetit serb të Bosnjës, Republika Sërpska (RS).

    Misioni i Bashkimit Evropian në Bosnje (EUFOR) tha të premten se “do ta rrisë përkohësisht” numrin e trupave paqeruajtëse në Bosnje, pa treguar saktësisht sa.

    “Kjo është masë proaktive që synon ta ndihmojë Bosnje e Hercegovinën në interes të të gjithë qytetarëve”, thuhet në komunikatën e EUFOR-it.

    “Ditët në vijim, publiku mund të vërejë një prani të shtuar të EUFOR-it”, tha EUFOR-i, duke theksuar se kjo veprimtari “është drejtpërdrejt e lidhur me detyrën e saj për të mbështetur autoritetet e Bosnje e Hercegovinës në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit”.

    EUFOR-i ka rreth 1.500 trupa si pjesë e Batalionit Shumëkombësh me bazë në Sarajevë. Kjo forcë përfshin trupa nga Austria, Greqia, Hungaria, Italia, Moldavia, Maqedonia e Veriut, Rumania dhe Turqia.

    Ky njoftim vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës më 7 mars për ta ndaluar zbatimin e ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Republikës Sërpska – entiteti serb i Bosnjës – të cilat ndalojnë punën e Gjykatës, Prokurorisë, Agjencisë Shtetërore të Hetimeve (SIPA) si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor e Prokurorial të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

    Gjykata i shpalli jokushtetuese këto ligje, duke i pezulluar përkohësisht, ndërsa pritet t’i ndalojë ato përfundimisht pas një shqyrtimi të plotë.

    Liderët në Sarajevë dhe mbështetësit perëndimorë të Bosnjës i kanë akuzuar liderët etnikë të RS-së se po synojnë ndarjen eventuale nga Bosnja, ndonëse këta të fundit i kanë mohuar akuzat.

    Disa veprime të tjera të lidhura me këtë entitet kanë përshkallëzuar tensionet në muajt e fundit.

    Gjykata e Bosnjës e dënoi Millorad Dodikun, presidentin e Republikës Sërpska, me një vit burgim dhe ia ndaloi ushtrimin e detyrës së presidentit për gjashtë vjet.

    Dodik, i cili ka lidhje të ngushta me Rusinë dhe i ka hedhur poshtë akuzat, është nën sanksione nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar për veprimet që, sipas qeverive perëndimore, synojnë ndarjen e Republikës Sërpska nga Bosnja.

    Ndërkohë, BE-ja më 4 mars e dënoi miratimin e një ligji në stilin rus për “agjentët e huaj” nga Republika Sërpska, duke i akuzuar autoritetet e këtij entiteti se po minojnë “rendin kushtetues dhe ligjor të Bosnje e Hercegovinës”, sipas komenteve të dërguara për Radio Evropa e Lirë (REL).

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, e shtoi trysninë të shtunën ndaj Republikës Sërpska, duke i cilësuar veprimet e Dodikut si kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës.

    “Qeveria jonë u bën thirrje liderëve politikë në Bosnje e Hercegovinë për t’u angazhuar në dialog konstruktiv dhe të përgjegjshëm. Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë në rajon të bashkohen me ne për ta kundërshtuar këtë sjellje të rrezikshme dhe përshkallëzuese”, shkroi Rubio në rrjetin social X të shtunën herët.

    Sistemi i qeverisjes në Bosnje e Hercegovinë – vend me rreth 3.1 milionë banorë – është ndër më të ndërlikuarit në botë.

    Që nga Marrëveshja e Dejtonit për paqe, e cila u nënshkrua në vitin 1995 dhe i dha fund luftës në Bosnje, vendi përbëhet nga Federata Boshnjako-Kroate dhe Republika Sërpska e dominuar nga serbët etnikë, nën një qeveri të dobët qendrore.

    Derisa Republika Sërpska mund të miratojë ligje për çështje të brendshme, ligjet dhe institucionet në nivel shtetëror mbeten mbi të gjitha, sipas kushtetutës.