ATV

Author: G.O.

  • Përplasi për vdekje me skaf 7-vjeçaren, Gjykata e Apelit e lë në fuqi dënimin me 18 vjet burg për policin

    Përplasi për vdekje me skaf 7-vjeçaren, Gjykata e Apelit e lë në fuqi dënimin me 18 vjet burg për policin

    Gjykata e Apelit në Shqipëri e ka lënë në fuqi dënimin me 18 vite burg për policin Arjan Tase, i cili përplasi për vdekje me skaf 7-vjeçaren Jonada Avdiaj në plazhin e Potamit, gushtin e vitit 2022.

    Tase kishte apeluar dënimin e gjykatës së shkallës së parë në Vlorë që e kishte dënuar me 18 vite burg, por Apeli e la në fuqi.

    Ish-zyrtari i Policisë së Shtetit u gjykua për vrasje me dashje në mënyrë indirekte, teksa me skafin e tij doli në breg për të sjellë familjen e tij dhe i mori jetën të miturës.

    Si ndodhi ngjarja tragjike

    Tragjedia u shkaktua nga polici Arjan Tase, i cili po lundronte në mes të pushuesve teksa po laheshin dhe për shkak të një manovre të gabuar i mori jetën të miturës. Tase ka qenë ish-shef i Policisë në Himarë, ndërsa kur ndodhi ngjarja ai mbante postin e shefit të Policimit në Elbasan.

    Familja Avdia, me origjinë nga Tropoja, kishte ardhur për pushime në atdheun e tyre, pasi prej vitesh jetonin në Angli. Tragjedia solli reagimin e gjithë opinion publik, ku disa ditë me radhë u zhvilluan edhe protesta.

    Kjo tragjedi solli edhe reagimin e policisë, e cila bllokoi të gjitha mjetet lundruese në të gjithë vijën bregdetare, ndërsa edhe këtë vit kontrollet dhe ndëshkimet për drejtuesit e mjeteve lundruese që shkelin rregullat janë shtuar dhe ka një kontroll të imtësishëm nga policia.

    Më 11 korrik, Prokuroria e Vlorës mbylli hetimet dhe mori zyrtarisht të pandehur ish efektivin dhe 8 policë të tjerë.

    Sipas Prokurorisë, Tase nuk ka respektuar zonën e kufizuar për pushuesit, e cila nuk duhet të kalohet nga mjetet lundruese dhe ka bërë manovër të gabuar gjatë drejtimit të skafit, duke përplasur për vdekje 7-vjeçaren.

  • Rusia dhe Ukraina kryejnë sulme ndaj njëra-tjetrës

    Rusia dhe Ukraina kryejnë sulme ndaj njëra-tjetrës

    Rusia dhe Ukraina kanë kryer sulme ajrore gjatë natës, vetëm disa orë pasi Kievi u pajtua për një armëpushim 30-ditor pas negociatave me zyrtarët amerikanë në Arabinë Saudite.

    Dy sulme me raketa të kryera nga Rusia goditën qytetin Krivij Rih të Ukrainës, tha guvernatori rajonal, Serhiy Lysak më 12 mars. Ai tha se nga këto sulme u vra një person, ndërkaq në një sulm të ndarë ndaj një anijeje mallrash pranë qytetit të Odesës u vranë katër anëtarë të bordit të anijes, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Më pas, kryeqyteti ukrainas, Kiev, u godit nga një sulm tjetër i madh. Sulmi ndodhi vetëm disa orë pas negociatave në Xhedah të Arabisë Saudite mes delegacionit ukrainas dhe atij amerikan lidhur me përfundimin e luftës që Rusia nisi kundër Ukrainës më 2022.

    Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se mbrojtja ajrore u aktivizua dhe zmbrapsi sulmet.

    Sulme janë raportuar edhe në Harkiv dhe Ministria për Transformim Digjital e Ukrainës tha se alarmet për sulme ajrore janë aktivizuar në dhjetë rajone që gjenden përreth Kievit.

    Ministria ruse e Mbrojtjes tha se sistemet e saj kundërajrore kanë rrëzuar gjashtë dronë gjatë natës, një mbi Krimenë e aneksuar nga Moska dhe pesë mbi Detin e Zi. Kanali në Telegram, The Krymsky Veter, raportoi për shpërthime të fuqishme dhe lëshim të alarmeve paralajmëruese për sulme në qytetet në Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe pranë objekteve të ushtrisë ruse.

    Rusia, ndërkaq, tha se ka bërë përparime të tjera në rajonin perëndimor të Kurskut, teksa Moska po tenton të dëbojë forcat ruse që kanë pushtuar disa pjesë të territorit rus që nga gushti i vitit të kaluar.

    Sulmet u kryen pasi Ukraina shprehu gatishmëri për të pranuar propozimin amerikan për zbatimin e një marrëveshje të përkohshme armëpushimi, me kohëzgjatje për 30 ditë, teksa SHBA-ja ka thënë se tani është në dorën e Moskës që të pajtohet në mënyrë që të hyjë në fuqi armëpushimi./REL

  • Kanë një vajzë së bashku, Gigi Hadid zbulon se si është marrëdhënia me Zayn Malik

    Kanë një vajzë së bashku, Gigi Hadid zbulon se si është marrëdhënia me Zayn Malik

    Gigi Hadid ka zbuluar më shumë se si ajo dhe ish-i i saj, Zayn Malik, po bashkë-prindërojnë për vajzën e tyre 4-vjeçare, Khai, ndërsa menaxhojnë jetën e tyre publike.

    Në një kopertinë të re të Vogue, Hadid shpjegoi se ata i organizojnë paraprakisht oraret e kujdestarisë dhe mbështesin njëri-tjetrin.

    Ajo theksoi se pavarësisht sfidave të rritjes së një fëmije në qendër të vëmendjes, prioriteti i tyre është Khai, jo opinioni publik.

    “Në fund të ditës, ne nuk na intereson t’u japim të gjithëve historinë tonë,” tha Hadid.

    “Ajo që na intereson është të rrisim vajzën tonë së bashku, me kaq shumë respekt për njëri-tjetrin, dhe jo vetëm si bashkëprindër, por për shkak të asaj që kemi kaluar së bashku”.

    Marrëdhënia e Hadid dhe Malik, e cila filloi në vitin 2015, përfundoi në tetor 2021 pas një mosmarrëveshjeje midis Malik dhe nënës së Hadid, Yolanda.

    Ata mbeten të fokusuar në bashkëprindërimin dhe ruajtjen e respektit të ndërsjellë.

    Hadid gjithashtu foli për marrëdhënien e saj aktuale me Bradley Cooper, duke shprehur lumturinë dhe duke theksuar se mirëkuptimi dhe mbështetja e ndërsjellë janë thelbësore në një partneritet. Ajo e lavdëroi Cooper-in që e inkurajoi dhe e ndihmoi të besonte në vetvete.

  • NATO lëshon deklaratë me mesazhet kryesore të Rutte në Prishtinë e Sarajevë: Rikonfirmohet angazhimi për stabilitet në rajon

    NATO lëshon deklaratë me mesazhet kryesore të Rutte në Prishtinë e Sarajevë: Rikonfirmohet angazhimi për stabilitet në rajon

    Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) ka lëshuar një deklaratë zyrtare pas përfundimit të vizitave të Sekretarit të Përgjithshëm, Mark Rutte në Sarajevë e më pas në Prishtinë.

    “NATO rikonfirmon angazhimin e saj për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm Rutte përmbyll vizitat në Sarajevë dhe Prishtinë”, thuhet në titullin e deklaratës së bërë publike sot.

    NATO tregon në krye të deklaratës se “më 10 dhe 11 mars 2025, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, vizitoi Sarajevën dhe Prishtinën”.

    “Në Sarajevë, ai u takua me zyrtarë të lartë të Bosnjë dhe Hercegovinës, përfshirë Kryesuesin dhe anëtarët e Presidencës, Kryesuesin e Këshillit të Ministrave, Ministrin e Punëve të Jashtme, Ministrin e Mbrojtjes dhe Ministrin në detyrë të Sigurisë, si dhe me Komandantin e Shtabit të NATO-s në Sarajevë, Përfaqësuesin e Lartë për Bosnjë dhe Hercegovinën dhe Komandantin e misionit të EUFOR-it. Sekretari i Përgjithshëm gjithashtu zhvilloi një diskutim me studentë në Universitetin e Sarajevës”, thuhet në deklaratë.

    Gjatë vizitës së tij, z. Rutte theksoi se “NATO mbetet e përkushtuar në mënyrë të palëkundur ndaj stabilitetit të këtij rajoni dhe ndaj sovranitetit, integritetit territorial dhe sigurisë së Bosnjë dhe Hercegovinës”, thuhet në deklaratën e Aleancës. Ai shtoi se “Marrëveshja e Paqes e Dejtonit është themeli i paqes në këtë vend dhe duhet të respektohet; ne mbështesim Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë; çdo veprim që minon Dejtonin, rendin kushtetues ose institucionet shtetërore është i papranueshëm; retorika dhe veprimet nxitëse janë të rrezikshme; ato përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin dhe sigurinë e Bosnjë dhe Hercegovinës”. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjithashtu nënvizoi nevojën që liderët politikë në Bosnjë dhe Hercegovinë “të bëjnë pjesën e tyre” dhe “të marrin përgjegjësinë” për përparimin dhe stabilitetin e vendit të tyre. Ai e bëri të qartë se “nuk është viti 1992” dhe se NATO dhe partnerët e saj ndërkombëtarë janë të pranishëm dhe të angazhuar në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe “nuk do të lejojnë krijimin e një vakuumi sigurie”. Më në fund, ai theksoi se Aleanca mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit me Bosnjë dhe Hercegovinën. “Ne tashmë kemi një partneritet të fortë dhe jemi të gatshëm të ndërtojmë mbi mbështetjen afatgjatë të NATO-s për Forcat e Armatosura të unifikuara të BiH dhe për reformat në mbrojtje dhe siguri, përmes Shtabit tonë në Sarajevë, Qelizës sonë të re Politike dhe Paketës sonë për Ndërtimin e Kapaciteteve të Mbrojtjes”, tha ai.

    “Në Prishtinë, Sekretari i Përgjithshëm udhëhoqi një vizitë të Këshillit të Atlantikut të Veriut dhe partnerëve kontribues të trupave në misionin e drejtuar nga NATO, KFOR, si dhe në Ekipin Këshillimor dhe të Ndërlidhjes të NATO-s (NALT). Së bashku me Zëvendës Sekretaren e Përgjithshme të NATO-s, znj. Radmila Shekerinska, dhe Kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiralin Giuseppe Cavo Dragone, ata u takuan me udhëheqësinë dhe personelin e KFOR-it dhe të NALT-it. Ata gjithashtu zhvilluan një shkëmbim pikëpamjesh me Shefat e Misioneve të Bashkimit Europian, Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Përfaqësuesin e Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe Shefin e Misionit të UNMIK-ut, si dhe me Shefin në detyrë të Misionit të OSBE-së. Për më tepër, Sekretari i Përgjithshëm u takua me përfaqësues të institucioneve të Kosovës për diskutime dypalëshe”, thuhet në deklaratën e NATO-s.

    “NATO ka mbështetur paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor për tridhjetë vjet; angazhimi ynë mbetet i fortë edhe sot, i udhëhequr nga KFOR-i, i cili është misioni ynë më i gjatë dhe aktualisht më i madh. Nën udhëheqjen e shkëlqyer të Gjeneral Major Enrico Barduani, trupat tona të KFOR-it punojnë pa u lodhur për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin afatgjatë të OKB-së për KFOR-in; ndërkohë, Ekipi Këshillimor dhe Ndërlidhës i NATO-s vazhdon të mbështesë organizatat e sigurisë në Kosovë, përmes ndërtimit të kapaciteteve, arsimit dhe koordinimit të trajnimeve; një rajon i sigurt i Ballkanit Perëndimor do të thotë më shumë siguri në të gjithë hapësirën Euro-Atlantike”, tha Sekretari i Përgjithshëm Rutte. “NATO do të vazhdojë të luajë rolin e saj, në bashkërendim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë, secili në rolin e tij si garantues i sigurisë”, shtoi ai. “Zgjidhja që çon në paqe afatgjatë është politike; NATO do të vazhdojë të mbështesë plotësisht normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, të udhëhequr nga Bashkimi Europian; kjo është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e hapura dhe për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme, duke garantuar që të drejtat e të gjitha komuniteteve të respektohen dhe mbrohen; për të çuar përpara Dialogun, të dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet, të bëjnë kompromiset e nevojshme dhe të fokusohen në përfitimet afatgjata”, theksoi ai.

  • ​Negociatat për anëtarësim në BE, Komisionerja për Zgjerim në Tiranë nga 12-14 mars

    ​Negociatat për anëtarësim në BE, Komisionerja për Zgjerim në Tiranë nga 12-14 mars

    Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos do të vizitojë Shqipërinë nga data 12 deri më 14 mars, duke shënuar misionin e saj të parë zyrtar në vend.

    Kjo vizitë do të shërbejë si një rast për të diskutuar me autoritetet shqiptare mbi gjendjen e procesit të anëtarësimit në BE, veçanërisht progresin në reformat themelore dhe në drejtësi, shkruan ATSH.

    Vizita do të jetë gjithashtu një mundësi për të përcjellë rëndësinë e konsolidimit të arritjeve përmes rezultateve të mëtejshme të prekshme, në përputhje me natyrën e bazuar në merita të procesit, përcjell KosovaPress.

    Ndër të tjera, Komisionerja do të takohet me kryeministrin Edi Rama, kryenegociatoren për integrimin në BE, Majlinda Dhuka dhe me kryetaren e Kuvendit Elisa Spiropali.

    Sipas axhendës zyrtare të publikuar në faqen e Komisionit Europian, në 13 mars në orën 10:10, Komisionerja Kos do të japë një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama.

    Gjatë vizitës në Shqipëri, Komisionerja Kos do të angazhohet gjithashtu me institucionet e pavarura shqiptare të drejtësisë, deputetë, duke përfshirë përfaqësues nga opozita, si dhe me organizata të shoqërisë civile.

    Si pjesë e misionit të saj, Komisionerja Kos do të vizitojë tre projekte të financuara nga BE në Elbasan, ku do të angazhohet me sipërmarrje sociale të mbështetura nga asetet e konfiskuara nga krimi i organizuar, do të angazhohet me gra viktima të dhunës me bazë gjinore dhe shkëmbime me studentë të rinj që marrin pjesë në programin e shkëmbimit të shkollave të Ballkanit Perëndimor, i cili mbështet pajtimin dhe mësimin ndërkulturor dhe dialogun.

  • Ëmbëlsirë me lajthi: Recetë e shpejtë në çastin e fundit!

    Ëmbëlsirë me lajthi: Recetë e shpejtë në çastin e fundit!

    Ëmbëlsira kremoze e cila do t’i kënaqë të gjitha shqisat tuaja

    Përbërësit:

    – 5 vezë,
    – 100 g sheqer,
    – 40 g kakao pluhur,
    – 2 lugë miell,
    – pak kripë,
    – erëza (kanellë, arra muskati),
    – gjalpë për lyerje të tepsisë.

    Për fill:

    – 250 ml ajkë të ëmbël,
    – 100 g çokollatë të zezë,
    – aromë vaniljeje.

    Për glazurë:

    – 100 g çokollatë qumështi,
    – 20 g gjalpë
    – 50 g lajthi të pjekura e të bluara trashë.

    Përgatitja:

    Për fill qiteni çokollatën të shkrihet, ndërkaq ajkën tundeni. Kur çokollata të ftohet pak, përzieni me ajkën dhe shtoni aromë vaniljeje. Futeni në frigorifer që të ftohet.

    Ndizeni furrën në 200 gradë, ndërkaq në tepsi vendosni letër për pjekje. Me pak gjalpë lyeni skajet e tepsisë, ku letra nuk mund të shtrihet mirë, në mënyrë që aty të mos ngjitet biskota.

    Tundni të bardhët e vezëve dhe shtoni një të tretën e sheqerit dhe bëjeni borë të fortë.

    Të verdhët e vezës tundeni me pjesën e mbetur të sheqerit dhe shtoni kakaon, kripën, erëzat dhe miellin dhe përzieni. Atëherë ngadalë shtoni të bardhët e vezëve duke u kujdesur që të mos e “shtypni” shumë përbërjen.

    Kur t’i bashkoni të gjitha, qitni në tepsi dhe piqni rreth 7 minuta.

    Sapo ta nxirrni koren nga furra, rrotullojeni në një leckë të pastër dhe të njomur kuzhine, dhe rrotullojeni baskë me leckën. Kështu do të qëndrojë elastike.

    Kur të ftohet, qitni fillin dhe sërish rrotullojeni. Shkrini çokollatën me gjalpë dhe hidhni lajthitë e grira, pastaj rolesë së ftohur qitni glazurën.

    Ju bëftë mirë!

  • BE-ja bën thirrje për uljen e tensioneve para protestës së 15 marsit në Beograd

    BE-ja bën thirrje për uljen e tensioneve para protestës së 15 marsit në Beograd

    Bashkimi Evropian i tha Serbisë se vlerat themelore janë në thelb të “projektit tonë të përbashkët evropian” dhe duhet të respektohen, teksa bëri thirrje për uljen e tensioneve.

    Ky reagim i Brukselit vjen pas paralajmërimeve për një tubim të madh në Beograd, që planifikohet të mbahet më 15 mars, në të cilin autoritetet serbe parashohin që të ketë “dhunë të madhe”, teksa presidenti i shtetit ka paralajmëruar arrestime.

    “Kjo ka të bëjë po ashtu me lirinë e tubimit si e drejtë themelore”, u tha në përgjigjen dërguar për Radion Evropa e Lirë nga zyra për informim e BE-së.

    Po ashtu, BE-ja tha se pjesëmarrja e qytetarëve luaj rol kyç në zhvillimin e një shoqërie të shëndetshme dhe demokratike, duke përfshirë edhe promovimin e transparencës dhe përgjegjësisë.

    Ditëve të fundit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar disa herë se “opozita do të organizojë një dhunë të madhe më 15 mars” dhe se “të gjithë ata që do të marrin pjesë në të do të arrestohen”.

    “BE-ja vazhdimisht bën thirrje për uljen të tensioneve, duke krijuar kushte për një dialog përfshirës që përfshin të gjitha palët e interesuara, përfshirë aktorët politikë, institucionet dhe anëtarët e shoqërisë civile, për t’u marrë me reformat e nevojshme për të ardhmen e Serbisë në BE”, thuhet në përgjigjen nga Brukseli.

    Zyrtarët e BE-së konfirmuan se po ndjekin me kujdes situatën e brendshme politike në Serbi dhe mobilizimin e madh të studentëve dhe grupeve të tjera.

    Kur u pyetën për deklaratat e Vuçiqit, që thotë se Perëndimi qëndron pas “revolucionit shumëngjyrësh”, ashtu siç ai e quan mobilizimin e studentëve dhe qytetarëve në Serbi, zyrtarët e BE-së theksuan se “dezinformatat dhe retorika politike, përfshirë ato kundër BE-së dhe shteteve anëtare nuk kanë vend në rrugën drejt integrimit në BE”.

    Studentët e Serbisë kanë ftuar për një tubim, që e kanë cilësuar si “mbledhjen më masive ndonjëherë”, në kryeqytetin e Serbisë më 15 mars.

    Në Beograd janë nisur tashmë me këmbë studentë nga rajone të ndryshme të Serbisë, të cilët do të kalojnë dhjetëra kilometra për të marrë pjesë në tubimin në Beograd.

    Studentët në Serbi tash e katër muaj po organizojnë tubime në disa qytete të mëdha në Serbi, duke kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 15 personave në Novi Sad, pas shembjes të një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024.

    Studentët, përmes bllokadave dhe protestave, po kërkojnë publikimin e të gjithë dokumentacionit lidhur me rikonstruksionin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin, ndjekjen penale të sulmuesve të pjesëmarrësve në protestat e deritanishme, si dhe pezullimin e procedurave ndaj të arrestuarve në demonstrata.

    Autoritetet serbe pretendojnë se kanë plotësuar të gjitha kërkesat e studentëve, ndërkohë që një grup ekspertësh i formuar nga Senati i Universitetit të Beogradit ka mohuar këtë pretendim në raportin e tij.

  • Në Ditën Kombëtare të Irlandës, Kurti riafirmon angazhimin për forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit

    Në Ditën Kombëtare të Irlandës, Kurti riafirmon angazhimin për forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë mbrëmë në festën e shënimit të Ditës Kombëtare të Irlandës, të organizuar nga Ambasada e Irlandës në Kosovë.

    Në fjalën e tij të rastit, kryeministri shprehu krahas urimit për Ditën Kombëtare të Irlandës edhe atë për Ditën e Shën Patrikut, duke i cilësuar të dyja festat si një ditë që mishëron trashëgiminë e pasur, qëndrueshmërinë historike dhe shpirtin global të popullit irlandez.

    Sipas njoftimit për media thuhet se Kurti rikujtoi vizitën në Irlandë gjatë vitit të kaluar, duke theksuar lidhjen e thellë midis vendeve tona të ndërtuar mbi miqësinë e vërtetë, vlerat e përbashkëta dhe solidaritetin e palëkundur.

    “Mbështetja e palëkundur e Irlandës për Kosovën, nga avancimi i shkëmbimeve arsimore dhe kulturore deri te forcimi i lidhjeve tona diplomatike, ka qenë i paçmueshëm. Avokimi i Irlandës për Kosovën në organizatat ndërkombëtare qëndron si një testament për partneritetin tonë të qëndrueshëm”, tha Kurti.

    Tutje në njoftim thuhet se kryeministri veçoi dhe potencialin e bashkëpunimit e iniciativat për diasporën, gjersa shprehu dhe urimet për qeverinë e re në Irlandë dhe kryeministrin e ri të vendit, Micheál Martin.

    “Në përfundim kryeministri çmoi vlerat që na bashkojnë, unitetin, qëndrueshmërinë dhe shpresën, dhe riafirmoi angazhimin për të forcuar miqësinë mes dy popujve tanë, duke siguruar bashkëpunim edhe më të madh, sukses të ndërsjellë dhe arritje të përbashkëta në vitet në vijim”, thuhet në njoftim.

  • Apple po planifikon një ridizajnim të madh për iOS 19 dhe macOS 16

    Apple po planifikon një ridizajnim të madh për iOS 19 dhe macOS 16

    Apple po planifikon të rimendojë në mënyrë dramatike pamjen dhe ndjesinë e sistemeve të saj operative me prezantimin e versionit të ardhshëm të iOS, iPadOS dhe macOS, shkruan Bloomberg.

    Ridizajnimi ka për qëllim ta bëjë përdorimin e softuerit të kompanisë më konsistent dhe do të ndikojë në “stilin e ikonave, menyve, aplikacioneve, dritareve dhe butonave të sistemit”.

    Ndryshimet mund të marrin frymëzim të lirë nga visionOS, sistemi operativ i Vision Pro. Kufjet shfaqnin një stil paksa të ndryshëm nga softueri tjetër i Apple, me fokus në tejdukshmërinë, elementët e ndërfaqes dhe ikonat e aplikacioneve të rrumbullakosura.

    Siç vë në dukje Bloomberg, Apple nuk e ka rimenduar në mënyrë dramatike pamjen e ndonjë prej softuerit të saj që nga iOS 7 dhe macOS Big Sur, kështu që ndryshimet do të ishin të dukshme.

    Kur u lëshua në vitin 2013, iOS 7 ishte versioni i parë i sistemit operativ të iPhone i mbikëqyrur nga ish-shefi i dizajnit Jony Ive, dhe kur Big Sur doli në 2020, ishte versioni i parë i macOS që ekzekutonte aplikacionet iPad.

    Nuk duket të ketë ndonjë ndryshim po aq të madh të çiftuar me iOS 19, iPadOS 19 dhe macOS 16, përtej punës së vazhdueshme të kompanisë në Apple Intelligence, e cila nuk është ende e disponueshme në të gjitha aplikacionet e saj.

    Apple Intelligence u prezantua së bashku me iOS 18 dhe përfshin një mori funksionesh të reja të fuqizuara nga AI për të punuar me audio, imazhe dhe tekst, në krye të një versioni të rinovuar të Siri që mund të përdorë aplikacione për ju.

    Shumica e këtyre veçorive të dërguara – edhe pse jo në momentin e lansimit – me përjashtim të Siri-t të ri, të cilin Apple njoftoi së fundmi do të jetë i disponueshëm “në vitin e ardhshëm”. /Telegrafi/

  • WhatsApp është duke përgatitur një opsion për të fikur kamerën përpara se t’i përgjigjeni një videotelefonate

    WhatsApp është duke përgatitur një opsion për të fikur kamerën përpara se t’i përgjigjeni një videotelefonate

    Globalisht i popullarizuar, aplikacioni WhatsApp po teston një funksion të ri që synon të përmirësojë sigurinë e përdoruesve gjatë thirrjeve me video.

    Nëse jeni nga ata që nuk janë gjithmonë të sigurt nëse duan t’i përgjigjen një thirrjeje me video apo thjesht nuk janë gati për një bisedë “sy më sy”, kemi lajme të mira – WhatsApp po përgatit një zgjidhje.

    Aktualisht, kur një përdorues merr një thirrje me video në WhatsApp, kamera e përparme aktivizohet automatikisht, duke mos lënë mundësinë për ta pranuar thirrjen me kamerën të fikur. Edhe pse kjo nuk është problem për disa përdorues, ka shumë situata ku dikush dëshiron ta mbajë kamerën të çaktivizuar. Për momentin, është e mundur të përgjigjeni në thirrje dhe më pas të fikni kamerën, por kjo do të ndryshojë.

    Duke analizuar versionin më të fundit beta të WhatsApp për Android, Android Authority ka zbuluar opsionin e ri “Turn off your video” (Fik kamerën tënde), i cili do të shfaqet kur përdoruesi pranon një thirrje me video. Duke zgjedhur këtë opsion, kamera do të mbetet e fikur dhe thirrja do të pranohet vetëm në modalitetin zanor.

    Gjithashtu, ndërfaqja do të shfaqë opsionin “Accept without video” (Prano pa video), që i lejon përdoruesit të nisë thirrjen pa qenë i dukshëm. Nëse më vonë ndryshon mendje gjatë thirrjes, mund të zgjedhë opsionin “Turn on your video” dhe të kalojë në modalitetin me video.

    Ky funksion vjen në kohën e duhur, veçanërisht për shkak të rritjes së rasteve të zhvatjes përmes përmbajtjeve seksuale. Në Indi janë raportuar raste ku mashtruesit dërgojnë thirrje me video që përmbajnë përmbajtje eksplicite, më pas bëjnë një foto ku fytyra e viktimës është e dukshme dhe kërcënojnë se do ta publikojnë, nëse nuk paguhet një shumë e caktuar parash.

    WhatsApp ende nuk ka njoftuar zyrtarisht se kur kjo veçori do të jetë e disponueshme për publikun, por përdoruesit nuk pritet të presin gjatë. /Telegrafi/