ATV

Author: G.O.

  • BE-ja konfirmon vizitën e Sorensenit në Kosovë

    BE-ja konfirmon vizitën e Sorensenit në Kosovë

    Për herë të parë, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë Serbi, Peter Sorensen, javën e ardhshme do të bëjë vizitë në Kosovë.

    Vizita e Sorensen është konfirmuar nga Bashkimi Evropian.

    Emisari evropian do të jetë në Prishtinë nga data 17 deri më 19 mars.

    “Mund të konfirmojmë se Përfaqësuesi Special i BE-së Peter Sorensen do të bëjë vizitën e tij të parë në Kosovë nga data 17-19 mars”, tha zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Anitta Hipper.

    Do jetë kjo vizitë e parë e tij në cilësinë e përfaqësuesit të veçantë të Bashkimit Evropian për dialog prej se ai mori detyrën më 1 shkurt, kur e trashëgoi Miroslav Lajçakun.

  • Bislimi takohet me ambasadorin e Austrisë në Kosovë, flasin për konstituimin e Qeverisë

    Bislimi takohet me ambasadorin e Austrisë në Kosovë, flasin për konstituimin e Qeverisë

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi sot ka takuar ambasadorin e Austrisë në Kosovë, George Schnetzer.

    Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se gjatë takimit ata kanë biseduar edhe për konsituimin e Qeverisë së Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    “Së bashku biseduan për thellimin e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Kosovës dhe Austrisë e fuqizimin e bashkëpunimit të dyanshëm. Tutje, mes temave të diskutuara përgjatë takimit ishte dhe konstituimi i qeverisë pas zgjedhjeve dhe hapat drejt formimit të institucioneve në legjislaturën e 9-të. Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi ambasadorin dhe shtetin e Austrisë për partneritetin dhe mbështetjen e vazhdueshme”, thuhet në njoftim.

  • Pse nuk duhet të flini kurrë me çorape?

    Pse nuk duhet të flini kurrë me çorape?

    Shumë njerëz preferojnë mbathin çorape në shtrat, duke thënë se u ndihmojnë të qëndrojnë të ngrohtë e të flenë më mirë.

    Por ekspertët tani kanë zbuluar një arsye mjaft të tronditur se pse ky zakon mund t’ju bëjë më shumë dëm, se sa mirë.

    Shkencëtarët kanë zbuluar se mbathja e çorapeve në shtrat krijon mjedisin perfekt për “lulëzimin” e baktereve.

    Kombinimi i nxehtësisë së trupit, djersës dhe pëlhurës krijon një terren të favorshëm për mikrobet që mund të çojnë në infeksionet mykotike, erëra të pakëndshme dhe madje edhe probleme të lëkurës.

    Sipas ekspertëve të higjienës,disa njerëz nuk i ndryshojnë mjaft shpesh çorapët, që do të thotë se në mënyrë efektive po flenë me një grumbullim bakteresh gjatë gjithë ditës.

    Përmes një llogarie në TikTok, disa zbuluan se “studiuesit po u bëjnë thirrje njerëzve që të mos veshin çorape të papastra në shtrat”.

    Kjo të paktën do të sigurojë një lehtësim për ata që veshin vetëm çorape shtrati, sepse nuk do të thotë që ju duhet të duroni një dimër të ftohtë dhe të pakëndshëm.

    Por nëse i vishni të njëjtat çorape të cilat i keni pasur gjatë gjithë ditës, mund të dëshironi ta rishikoni këtë.

    Një studim tronditës zbuloi se çorapet mund të jenë edhe më të pista se një ndenjëse tualeti nëse vishen për periudha të gjata pa u larë.

    Sipas këtij studimi, djersa dhe lagështia e bllokuar brenda krijojnë një mjedis ideal për bakteret që të shumohen, duke çuar potencialisht në infeksione të këmbëve si ajo që njihet “këmba e atletit”.

    Çorapet e pista në shtrat gjithashtu mund të transferojnë baktere në çarçafët tuaj. /Telegrafi/

  • A e dini pse nuk duhet të hani banane për mëngjes?

    A e dini pse nuk duhet të hani banane për mëngjes?

    Banania është një frut tropikal popullor, i pasur me vitamina dhe minerale. Për shkak të përmbajtjes së lartë të kaliumit, rekomandohet veçanërisht për njerëzit që vuajnë nga lodhja, mungesa e energjisë dhe presioni i lartë i gjakut. Prandaj, shpesh është zgjedhja e parë për mëngjes, gjë që dietologët nuk e rekomandojnë.

    Bananet e pjekura përbëhen kryesisht nga karbohidrate, gjysma e të cilave janë sheqerna, duke i bërë ato një nga frutat me përmbajtjen më të lartë të sheqerit. Për shkak të përmbajtjes së lartë të kaliumit, bananet janë të dobishme për parandalimin e presionit të lartë të gjakut dhe sëmundjeve kardiovaskulare, si dhe për shëndetin e veshkave.

    Fruti përmban shumë pak proteina dhe një sasi të papërfillshme yndyre. Bananet janë gjithashtu një burim i shkëlqyer i vitaminës B6 dhe kaliumit, si dhe janë të pasura me vitaminë C, mangan, magnez dhe disa vitamina të tjera të kompleksit B. Megjithatë, pavarësisht të gjitha efekteve pozitive dhe vlerave ushqyese të bananeve, ato nuk janë një zgjedhje e rekomanduar për mëngjes.

    Përmbajtja e lartë e sheqerit ka një ndikim të rëndësishëm në mirëqenien tonë gjatë gjithë ditës. Kur hamë një banane, nivelet e sheqerit në gjak dhe të energjisë rriten ndjeshëm, por në të njëjtën kohë bien në mënyrë drastike, shpjegoi nutricionisti Dr. Darly Gioffre.

    Kjo më pas çon në një ndjenjë të shtuar të urisë, kështu që njerëzit që e nisin ditën me një banane përfundojnë duke konsumuar më shumë kalori gjatë gjithë ditës sesa do të bënin ndryshe. Gjithashtu, sipas tij, bananet nuk janë tamam një zgjedhje ideale për tretje të mirë. Kur konsumohet sheqeri, ndodh një proces fermentimi, në të cilin sheqeri kthehet në acid, duke bllokuar kështu tretjen.

    Një zgjedhje shumë më e mirë për mëngjes janë drithërat si dhe një sanduiç i shëndetshëm, ndërsa bananet janë një zgjedhje më e mirë për një meze të lehtë.

  • ​Ky ishte lojtari më i mirë i javës në Superligë

    ​Ky ishte lojtari më i mirë i javës në Superligë

    Federata e Futbollit të Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall, vazhdojnë të ndajnë çmimin “Ylli i Javës”. Ky çmim për javën e 24-të në Albi Mall Superligë i është ndarë sulmuesit të FC Malisheva, Altin Aliu.

    Aliu shënoi Hat-Trick në fitore 4:1 të Malishevës në ndeshjen kundër SC Gjilani, shkruan KosovaPress.

    Pasi mori këtë çmim, Aliu u shpreh i lumtur që u vlersua më i miri i javës: “Duke e pasur parasysh që SC Gjilani ka pasur ambiciet e veta, jemi përgatitur shumë për këtë ndeshje, sepse këto 3 pikë na japin stabilitet për pjesën e sipërme të tabelës. Jemi përgatitur maksimalisht dhe çdo lojtar e tregoi shpirtin luftarak, andaj edhe dolëm pozitivë në këtë ndeshje.

    Që nga fillimi i sezonit, Malisheva ka treguar ambiciet për dalje në Evropë dhe duke e pasur parasysh kontingjentin e lojtarëve që kemi dhe atmosferën e mirë, do ta japim maksimumin që të arrijmë objektivat e klubit dhe suksesin tonë.

    Është një ndjenjë e mirë që të shpallem “Ylli i javës” dhe shpresoj që do ta marr edhe herë të tjera, sepse kjo është një sukses i karrierës sime. Dua të falënderoj bashkëlojtarët, sepse pa kontributin e tyre, nuk do ta arrija ta fitonim këtë çmim as unë.” – tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.

     

  • Nesër protesta masive në Beograd

    Nesër protesta masive në Beograd

    Nesër në Beograd do të nisë një tubim masiv i organizuar nga studentët, të cilët prej muajsh tashmë protestojnë.

    Ato nisën qysh pas 1 nëntorit kur 15 persona vdiqën në Novi Sad si pasojë e shembjes së strehës së stacionit të trenit.

    Studentët si çdoherë edhe tash kanë paralajmëruar protestë paqësore, por presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka paralajmëruar se tubimi mund të përfundojë me dhunë.

    Ai ka kërcënuar me arrestime masive të protestuesve nëse ata do të bëhen të dhunshëm. Ndërkaq, Ambasada amerikane ka lëshuar një paralajmërim sigurie për shtetasit amerikanë në Beograd për shkak të protestës së të shtunës që mund të mbledhë qindra-mijëra njerëz në kryeqytetin serb.

    Në thirrjen e saj kërkohet që të shmangen turmat dhe vendtubimet.

  • Një 23-vjeçare vdes në një aksident trafiku në Domoroc të Ranillugut

    Një 23-vjeçare vdes në një aksident trafiku në Domoroc të Ranillugut

    Një 23-vjeçare vdiq sot në një aksident trafiku që ka ndodhur në fshatin Domoroc-Hodonoc, komuna e Ranillugut.

    Lajmin e ka konfirmuar, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

    “Ju informojmë se rreth orës 10:00 në aksin rrugor të fshatit Domoroc-Hodonoc (Komuna Ranillug) ka ndodhur një vetaksident trafiku me fatalitet. Në këtë vetaksident ka qenë e involvuar vetura Golf VII me targa 06, ku drejtuesja shtetase e Kosovës (2002) si pasojë lëndimeve ka ndërruar jetë”, tha ai.

    Po ashtu Hashani shtoi se edhe dy pasagjere janë lënduar, derisa janë dërguar për trajtim në Emergjencën e Spitalit në Gjilan.

     

  • Donahue takohet me Barduanin, diskutojnë për situatën aktuale të sigurisë në Kosovë

    Donahue takohet me Barduanin, diskutojnë për situatën aktuale të sigurisë në Kosovë

    Gjenerali komandues i ushtrisë amerikane për Evropë dhe Afrikë, Christopher Donahue ka vizituar ushtarët dhe drejtuesit e Komandës Rajonale Lindore në Kampin Bondsteel dhe Camp Nothing Hill.

    Në një njoftim nga KFOR thuhet se gjenerali Donahue falënderoi ushtarët për përkushtimin e tyre ndaj misionit të KFOR-it dhe mësoi më shumë rreth operacioneve të përditshme.

    Gjenerali Donahue është takuar edhe me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani dhe ka diskutuar për situatën aktuale të sigurisë dhe misionin paqeruajtës në Kosovë.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet në njoftim.

  • “Media të vrasësve me pagesë”, Prokuroria autorizon Policinë të ndërmarrë veprime ndaj Sami Kurteshit

    “Media të vrasësve me pagesë”, Prokuroria autorizon Policinë të ndërmarrë veprime ndaj Sami Kurteshit

    Prokuroria Themelore e Prishtinës ka autorizuar Policinë e Kosovës për të ndërmarrë veprime hetimore në lidhje me sulmin verbal të Sami Kurteshit, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ndaj gazetarëve.

    Prokuroria e konfirmoi se ka dhënë autorizimin për hetime, duke theksuar kështu se do të shqyrtohen rrethanat e incidentit.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës me ndërmarrjen e veprimeve hetimore”.

    Incidenti ndodhi kur Kurteshi, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetares së Nacionales, refuzoi të fliste dhe e quajti median “kriminale” dhe gazetarët “vrasës me pagesë”.

     Lidhur me këto deklarata, ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

    Ata e dënuan ashpër gjuhën e përdorur nga Kurteshi, duke e konsideruar atë të papërgjegjshme dhe të rrezikshme.

  • Arrestohen tre shtetas të Shqipërisë, vodhën gjësende me vlerë në një banesë në Prishtinë

    Arrestohen tre shtetas të Shqipërisë, vodhën gjësende me vlerë në një banesë në Prishtinë

    Një gruaje dyshohet se i është thyer banesa në Prishtinë.

    Sipas policisë, të dyshuarit i kanë vjedhur orë dore, stoli ari dhe një qelës të veturës.

    Lidhur me rastin njësitet policore kanë arritur që ta ndalojnë veturën me targa te Shqipërisë në të cilën gjendeshin tre të dyshuar, shtetas të Shqipërisë, të cilët janë arrestuar.

    “Është raportuar se nga të dyshuar të panjohur viktimës femër kosovare i është thyer banesa ku i janë vjedhur; orë dore, stoli ari dhe një qelës i veturës. Lidhur me rastin njësitet policore kanë arritur që ta ndalojnë veturën e dyshuar me targa te Shqipërisë në të cilën gjendeshin tre të dyshuar meshkuj shtetas të Shqipërisë, të cilët janë arrestuar, ndërsa gjësendet e gjetura në veturë janë sekuestruar. Tre të dyshuarit me vendim të prokurorit dërgohen në mbajtje”, thuhet tutje në raportin e policisë.