ATV

Author: G.O.

  • Kërkohet që Kosova të shtoj përpjekjet për digjitalizimin e shërbimeve online

    Kërkohet që Kosova të shtoj përpjekjet për digjitalizimin e shërbimeve online

    Është mbajtur tryezë konsultative mbi Rekomandimet e Paraqitura në Rezolutë për Digjitalizimin dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Ballkanin Perëndimor, e cila derivon nga takimi i institucioneve e pavarura dhe autoritetet përgjegjëse për mbrojtjen e të drejtave të njeriut nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, raporton Ekonomia Online.

    Aty u përmenden rezultatet e këtij, me ç’rast u theksua nevoja për një qasje rajonale, të unifikuar dhe gjithëpërfshirëse në hartimin e kuadrit të duhur ligjor, për të siguruar të gjithë qytetarët të përfitojnë dhe përdorin shërbime digjitale të sigurta dhe të qasshme.

    Avokati i Popullit, Naim Çelaj, ka thënë se analiza e gjendjes aktuale e digjitalizimit të shërbimeve të administratës publike, nxjerr në pah nevojën për rritjen e fokusit strategjik rajonal në avancimin e përpjekjeve për digjitalizimin e shërbimeve online.

    “Ka qenë një aktivitet shumë i rëndësishëm ku është folur për digjitalizimin e administratës publike dhe nevojën që e kanë shtetet për të ndërmarrë masa me qëllim të jenë të përgatitur për një të ardhme sa i përket zhvillimit të teknologjisë informative, aty janë paraqitur përvojat e shteteve të rajonit dhe ka qenë në interes i imi si Avokat i Popullit se si reflektojnë apo si i qasen institucionet e drejtave të njeriut. Kemi parë që Shqipëria kishte bërë një hap para në drejtim të krijimit të strategjive për digjitalizim por edhe të vet Avokatit të Popullit, e cila kishte dalë me një hetim të plotë lidhur me ndikimin që mund të ketë digjitalizimi në cenimin e të të drejtave të njeriut, që padyshim mund të jetë në disa fusha dhe u konstatua se fusha më e prekur mund të jetë ajo mbrojtja e të dhënave dhe privatësia si dy komponentë të rëndësishme të të drejtave të njeriut dhe natyrisht përveç kësaj u pa që përmes zhvillimit të digjitalizimit mund të preket edhe pjesa e diskriminimit, pra qytetarët mund të ndihen të diskriminuar, sidomos në çështje të konkursit për punësim”, tha Çelaj.Komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dërmaku tha procesi i digjitalizimit në Kosovë dhe në çdo vend, është një proces që ka nisur tashmë dhe nuk do të përfundojë shpejt.Madje sipas saj nuk do të përfundoj ndoshta edhe pa pasoja. “Nëse ne si ligjvënës nuk do të vendosim rregulla të cilat duhet të zbatohen për t’i mbrojtur pikërisht të drejtat e njeriut”, tha ajo.

    Sogojeva-Dërmaku tha se digjitalizimi do të bëhet, por sfida më e madhe është pikërisht ndikimi i Inteligjencës Artificiale.

    “Nëse flasim për të dhënat personale kemi arritur ta kemi një rregullativë shumë të mirë ligjore të zbatueshme tashmë në tërësinë e saj si ligj… sa i përket përputhshmërisë me rregullat e BE-së, ne kemi nxjerrë edhe udhëzues për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave që dërgon në kompletimin e kësaj kornize, por në anën tjetër ne arritëm të jemi akterë kryesorë në proces gjë që nuk e kishim problemin të jemi brenda tyre por të jemi ata që u tregojmë për kërkesën që e ka Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave, pikërisht për ta mbrojtur dhe për ta ruajtur çështjen humane sepse sot digjitalizimi do të bëhet, deshtëm ne apo nuk deshtëm por sfida më e madhe është pikërisht ndikimi i Inteligjencës Artificiale”, tha ajo.

  • ​Hapet sot Tuneli i Murrizit, vepra më e rëndësishme e Rrugës së Arbrit

    ​Hapet sot Tuneli i Murrizit, vepra më e rëndësishme e Rrugës së Arbrit

    Sot do të hapet për qarkullimin e automjeteve tuneli i Murrizit në Shqipëri si vepra më e rëndësishme e Rrugës së Arbrit.

    Tuneli i Murrizit ka një gjatësi prej 3.78 kilometrash dhe përbëhet nga dy tuba, ai i trafikut dhe ai i emergjencës. Ai ka 11 dalje. Në total Rruga e Arbrit ka 7 tunele, me gjatësi totale 8,5 km, shkruan ATSH.

    Hapja e tunelit të Murrizit e bën të aksesueshme edhe të gjithë rrugën e Arbrit, një nga rrugët kombëtare më të rëndësishme, e cila do të shënojë rritje ekonomike të zonës dhe të sektorit turistik për Veriun, përcjell KosovaPress.

    Me një gjatësi rreth 74 km, Rruga e Arbrit do të bëhet një korridor lidhës i rëndësishëm Lindje-Perëndim. Jo vetëm do të afrojë qytetarët e Tiranës e gjithë Shqipërisë me Dibrën dhe Maqedoninë e Veriut, por do të jetë një arterie e zhvillimit ekonomik dhe të turizmit.

    Kjo rrugë lidh rajonet lindore dhe verilindore të Shqipërisë, duke përmirësuar transportin e banorëve që jetojnë në zonat në të cilën kalon rruga, si dhe siguron transportin e burimeve natyrore nëntokësore, siç është kromi, nga Bulqiza për në portin e Durrësit, i cili më pas eksportohet.

    Gjithashtu, ky aks rrugor do të jetë rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën, si dhe me veriun e Maqedonisë së Veriut Dibrën e Madhe, Tetovën dhe Shkupin, pra do të jetë rrugë lidhëse ndërkombëtare.

  • Udhëtarët mbesin në rrugë, dita e tretë e protestës së kompanive të linjës Podujevë – Prishtinë

    Udhëtarët mbesin në rrugë, dita e tretë e protestës së kompanive të linjës Podujevë – Prishtinë

    Autobusët e linjës Podujevë – Prishtinë po vazhdojnë të qëndrojnë para komunës së Prishtinës në shenjë proteste nga pronarët e kompanive ndaj vendimit për moslejimin e këtyre autobusëve që të hyjnë në territor të kryeqytetit.

    Është dita e tretë që pronarët e këtyre kompanive vazhdojnë këtë protestë deri në një vendim sipas tyre nga komuna për zgjidhjen e kësaj çështje.

    Sikurse një ditë më parë edhe sot autobusët e kompanive të linjës Podujevë – Prishtinë janë gjobitur nga Policia e Kosovës.

    Madje, ata kanë kanë marrë secili nga tri gjoba.

  • Avioni me 178 pasagjerë merr flakë në pistën e aeroportit, bëri ulje emergjente

    Avioni me 178 pasagjerë merr flakë në pistën e aeroportit, bëri ulje emergjente

    Pasagjerët e një fluturimi të American Airlines u evakuuan në pistën e një aeroporti në Kolorado, pasi një zjarr shpërtheu në aeroplan.

    American Airlines njoftoi se avioni kishte 172 pasagjerë dhe 6 anëtarë të ekuipazhit, të cilët u evakuuan të gjithë në siguri.

    Pamjet e evakuimit treguan pasagjerë të grumbulluar në krahun e aeroplanit Boeing, disa duke mbajtur çanta, ndërsa flakët kishin përfshirë avionin.

    Administrata Federale e Aviacionit (FAA) e SHBA tha se pasagjerët përdorën rrëshqitës të fryrë për të zbritur në tokë të sigurt në Aeroportin Ndërkombëtar të Denverit.

    Nuk pati lëndime të rënda, megjithatë, aeroporti konfirmoi se 12 persona u dërguan në spital për lëndime të lehta.

    Fluturimi ishte nisur nga Kolorado Springs dhe po udhëtonte drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Dallas Fort Worth në Teksas, sipas një deklarate të FAA për BBC.

    Avioni u devijua në Denver rreth orës 17:15, pasi ekuipazhi raportoi një “dridhje të motorit,” tha FAA.

    Pas uljes, avioni mori flakë ndërsa po udhëtonte në pistën e aeroportit.

  • Sorensen e viziton Kosovën javën e ardhshme për herë të parë si emisar i BE-së

    Sorensen e viziton Kosovën javën e ardhshme për herë të parë si emisar i BE-së

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, do të vizitojë Kosovën javën e ardhshme, për herë të parë që nga emërtimi i tij në këtë pozitë të marrë më 1 shkurt të këtij viti.

    Vizita e tij në Kosovë është caktuar në mes 17 dhe 19 mars dhe pritet të përqendrohet në trajtimin e çështjeve të rëndësishme të dialogut mes këtyre dy çështjeve.

    Fillimisht, Sorensen kishte planifikuar gjithashtu një vizitë në Serbi gjatë kësaj periudhe, por udhëtimi në Beograd është anuluar dhe do të shtyhet për një moment tjetër.

    Një nga temat kryesore që pritet të diskutohet në takimet e ardhshme është çështja e personave të zhdukur, një çështje e ndjeshme që ka mbetur pezull për një kohë të gjatë.

    Në dhjetor të vitit të kaluar, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë arritën një marrëveshje për zbatimin e deklaratës mbi të zhdukurit, e miratuar në maj të 2023.

  • Qeveria mbrëmë mbajti mbledhje elektronike, këto janë vendimet që u morën

    Qeveria mbrëmë mbajti mbledhje elektronike, këto janë vendimet që u morën

    Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbrëmë një mbledhje elektronike në të cilën ka ka marrë disa vendime, raporton Ekonomia Online.

    Në vendimet e marra nga ekzekutivi i vendit përfshihen:

    1.      Aprovuar Udhëzimin Administrativ për Masat e Veçanta për Regjistrimin e Pronës së Paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve.

    2.      Ndryshuar dhe plotësuar vendimin e Qeverisë Nr. 03/251 të datës 12 mars, me të cilin ka emëruar Komisionin Ad hoc për vlerësimin profesional për pranim në pozitën e lartë të kategorisë drejtuese: “Kryeinspektor Shëndetësor në Inspektoratin Shëndetësor”. Sipas këtij ndryshimplotësimi, anëtari Avni Kastrati, Drejtor Ekzekutiv i ASK-së, zëvendësohet me Anita Kalanderin, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë.

    3.      Ndryshuar dhe plotësuar vendimin e Qeverisë Nr.05/251 të datës 12 mars 2025, me të cilin është emëruar Komisioni Ad hoc për vlerësimin profesional për pranim në pozitën e lartë të kategorisë drejtuese: “Drejtor Ekzekutiv në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale”. Sipas këtij ndryshimplotësimi, anëtari Avni Kastrati, Drejtor Ekzekutiv i  ASK-së, zëvendësohet me Anita Kalanderin, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë.

  • Gjermani, propozohet heqja e monedhave një dhe dy cent

    Gjermani, propozohet heqja e monedhave një dhe dy cent

    Në një hap të rëndësishëm drejt thjeshtimit të transaksioneve me para në dorë, Bundesbank ka propozuar heqjen e monedhave një dhe dy cent euro në Gjermani.

    Kjo iniciativë, e nisur nga Forumi Kombëtar i Parasë, synon t’i bëjë transaksionet me para më efikase duke lejuar që faturat të rrumbullakohen në pesë centët më të afërt.

    Forumi, i cili përfshin përfaqësues të sektorit të shitjes me pakicë, shoqata bankare dhe avokatë të konsumatorëve, po shtyn për një kuadër legjislativ që do të standardizonte rregullat e rrumbullakosjes në të gjithë Evropën.

    Nëse zbatohet, ky rregull i ri do të thotë që një faturë prej 4,99 euro do të rrumbullakoset në 5,00 euro, ndërsa një faturë prej 1,02 euro do të rregullohet në 1,00 euro.

    Besohet se ky ndryshim do të rriste atraktivitetin e transaksioneve me para në dorë dhe do të thjeshtonte procesin e qarkullimit të parave, shkruan The Munich Eye .

    Disa vende tashmë kanë lëvizur drejt reduktimit të përdorimit të monedhave me prerje më të ulët

    Burkhard Balz, një anëtar i bordit të Bundesbank, shpjegoi se kostot ekonomike dhe mjedisore që lidhen me prodhimin, paketimin dhe transportin e monedhave një dhe dy cent janë në mënyrë disproporcionale të larta në krahasim me vlerën e tyre nominale.

    Forumi Kombëtar i Parasë, i themeluar në shkurt 2024, kërkon të sigurojë që paratë e gatshme të mbeten një formë e pranuar gjerësisht e pagesës. Nisma vjen mes diskutimeve të vazhdueshme për të ardhmen e parave të gatshme në një ekonomi gjithnjë e më dixhitale.

    Disa vende evropiane kanë lëvizur tashmë drejt reduktimit të përdorimit të monedhave me prerje më të ulët. Për shembull, Finlanda ka një ligj që rrumbullakos pagesat me para në dorë deri në pesë cent, ndërsa monedhat një dhe dy cent ende njihen si mjete ligjore. Shitësit me pakicë në Finlandë nuk u kërkohet të pranojnë këto monedha.

    Praktika të ngjashme rrumbullakimi janë miratuar në vende të tilla si Holanda, Sllovakia, Irlanda, Italia, Belgjika dhe Estonia. Opinioni publik për monedhat e vogla duket se po ndryshon, me një shumicë të të anketuarve në një studim të fundit të Eurobarometrit në favor të heqjes së monedhave një dhe dy cent.

  • Policia ndalon në Kaçanik një person për armëmbajtje pa leje

    Policia ndalon në Kaçanik një person për armëmbajtje pa leje

    Policia  e Kosovës ka ndaluar një person për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës në Kaçanik.

    “Më datë 13.03.2025, rreth orës 17:00, njësia e hetimeve e stacionit policor në Kaçanik, gjatë një kontrolli të realizuar në fshatin Semajë, ka ndaluar një automjet të tipit xhip me targa vendore, i drejtuar nga personi B.Sh., 41 vjeç. Gjatë kontrollit të automjetit, është gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjahu dhe gjashtë fishekë”, thuhet në njoftim.

    Me vendim të prokurorit të shtetit, është iniciuar rasti për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”.

    I dyshuari, sipas policisë është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa arma dhe municioni janë sekuestruar për procedura të mëtejshme ligjore.

  • Shpallja e rezultateve përfundimtare, KQZ-ja në pritje të vendimmarrjes nga Supremja

    Shpallja e rezultateve përfundimtare, KQZ-ja në pritje të vendimmarrjes nga Supremja

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) para shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit do të marrë konfirmimet nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykata Supreme, nëse në këto institucione ka ndonjë ankesë që kërkon vendimmarrjen e tyre.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se aktualisht KQZ-ja është duke pritur vendimmarrjen nga Gjykata Supreme, lidhur me ankesën e paraqitur në këtë institucion nga një subjekt politik i certifikuar.

    Pas ndjekjes së këtyre hapave ligjor, ai tha se KQZ-ja mund t’i shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    “Për të ardhur deri te shpallja e rezultatit përfundimtar te subjekteve politike dhe kandidatëve për deputetë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke ndjekur hapat e paraparë me Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe aktet nënligjore. Aktualisht, KQZ është duke pritur vendimmarrjen nga Gjykata Supreme lidhur me ankesën e paraqitur në këtë institucion nga një subjekt politik i certifikuar. Para thirrjes së mbledhjes për shpalljen e rezultateve, KQZ do të marrë konfirmimet nga PZAP dhe Gjykata Supreme nëse në këto institucione ka ndonjë ankesën që kërkon vendimmarrjen e tyre dhe nëse KQZ mund të procedoje me shpalljen e rezultateve përfundimtare”, tha ai.

    Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, në bazë të rezultateve preliminare të KQZ-së, Vetëvendosje ka dalë e para, e dyta PDK, LDK e treta dhe AAK-Nimsa e katërta.

  • Thaçi përfundon vizitën te babai i tij, qytetarë të shumtë brohorisin emrin e tij teksa ai del nga QKUK-ja

    Thaçi përfundon vizitën te babai i tij, qytetarë të shumtë brohorisin emrin e tij teksa ai del nga QKUK-ja

    Pas më shumë se tre orësh qëndrim, ish-presidenti Hashim Thaçi ka dalë nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, ku ishte për vizitë te babai i tij.

    Ai u prit me thirrjet “UÇK-UÇK” e “Hashim Thaçi”, ndërsa përshëndeti me dorë qytetarët që ishin mbledhur për të. Krahas qytetarëve, aty është parë edhe vëllai i tij, Gani Thaçi.

    Thaçit deri më tani i ishin refuzuar disa kërkesa për ta vizituar babanë e sëmurë.

    Vizita e tij u zhvillua në masa të rrepta sigurie, jo vetëm jashtë qendrës së QKUK-së por edhe brenda saj.

    I rrethuar nga forcat e shumta policore dhe ato të EULEX-it, Thaçi kishte mbërritur në QKUK rreth orës 11:00.

    Pas tri kërkesave të refuzuara, Gjykata Speciale ia ka aprovuar Thaçit kërkesën për të ardhur në Kosovë për të vizituar babanë e sëmurë.