ATV

Author: G.O.

  • Dyshohet për dhunim, një grua aborton në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë

    Dyshohet për dhunim, një grua aborton në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë

    Një grua ka kryer abort në Klinikën Gjinekologjike, ka bërë të ditur Policia e Kosovës në raportin 24 orësh.

    Ngjarja ka ndodhur më 20.03.2025 në Prishtinë, teksa rasti është cilësuar si “dhunim” dhe është duke u hetuar nga njësitë relevante.

    “‘Dhunim’, Prishtinë. Më 20.03.2025 raportohet se viktima femër kosovare ka kryer abortin në Klinikën Gjinekologjike. Me vendim të prokurorit është iniciuar rasti si më lartë dhe është duke u hetuar nga njësitë relevante”, thuhet në raport.

  • ​21 Marsi – Dita Botërore e Poezisë

    ​21 Marsi – Dita Botërore e Poezisë

    Dita Botërore e Poezisë është shpallur më 21 mars 1999 në Kongresin e 30-të të UNESCO-s dhe synon mbështetjen e diversitetit linguistik përmes shprehjes poetike.

    Caktimi i kësaj dite është bërë edhe me qëllimin për t’i kthyer kësaj gjinie të letërsisë funksionin e saj të parë – traditën gojore, raporton KosovaPress.

    Ndërsa në kohët antike, në Greqinë e lashtë, poemat e Homerit mësoheshin përmendësh nga aedët dhe recitoheshin kryesisht në ambiente publike, tashmë duket se poezisë i ka humbur ky tipar i vet kryesor.

    UNESCO kërkon që, përmes recitaleve të ndryshme, takimeve poetike dhe mbrëmjeve artistike, të krijojë një urë lidhjeje mes poezisë dhe formave të tjera të artit si teatri, kërcimi, muzika, piktura, e në të njëjtën kohë të mbështesë poetët e rinj, t’i promovojë ato dhe të krijojë një imazh tërheqës për poetin, që shpeshherë shihet si dikush që nuk është më në modë.

    Dita Botërore e Poezisë është konceptuar si një ftesë për të reflektuar mbi fuqinë e gjuhës dhe zhvillimin e plotë të kapaciteteve kreative të secilit prej nesh.

    UNESCO bën thirrje për zhvillimin e aktiviteteve kulturore në nivel lokal e ndërkombëtar në institucione publike e private, duke përfshirë shkolla, bashki, muze, shoqata kulturore, shtëpi botuese, etj.

    Para caktimit të 21 marsit si Dita Botërore e Poezisë, ishte 15 tetori që kremtohej në të gjithë botën me aktivitete të larmishme letrare, pasi përkonte me datëlindjen e poetit romak – Virgjili. Në disa vende, kjo traditë e të festuarit në muajin tetor vazhdon të ruhet ende.

  • Digjet një xhami në Shqipëri, shkaktohen dëme të mëdha

    Digjet një xhami në Shqipëri, shkaktohen dëme të mëdha

    Një zjarr i madh ka përfshirë një xhami në fshatin Shupenzë të Bulqizës në Shqipëri, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

    Sipas raportimeve të mediave shqiptare, flakët shpërthyen rreth orës 06:00 të mëngjesit të sotëm, vetëm 10 minuta pas largimit të hoxhës nga xhamia.

    Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve dhe forcave të policisë, zjarri ka qenë i pamundur të shuhet me kohë.

    Aktualisht, forcat e rendit dhe grupi hetimor janë në vendngjarje për të zbuluar shkaqet e shpërthimit të zjarrit.

  • 7 vjet nga ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi

    7 vjet nga ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi

    Kuvendi i Kosovës, pas një procesi të gjatë dhe të ndërlikuar që zgjati tri vjet, miratoi marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, më 21 mars 2018.

    Pasditen e asaj dite, me 80 vota pro, 11 kundër dhe asnjë abstenim, deputetët miratuan marrëveshjen, pasi disa ndërprerje për shkak të përdorimit të gazit lotsjellës nga Lëvizja Vetëvendosje.

    Gjatë seancës, shumica e deputetëve të VV-së u përjashtuan nga Kuvendi për shkak të sjelljeve.

    Procesi i miratimit të demarkacionit ishte i shoqëruar me protesta të shumta dhe reagime të ashpra nga qytetarët, politikanët dhe faktorët ndërkombëtarë.

    Kosova dhe Mali i Zi kanë nënshkruar marrëveshjen e demarkacionit në Vjenë të Austrisë në vitin 2015.

    Mirëpo, deri te ratifikimi i saj në Kuvend, Kosova kaloi nëpër trazira të ndryshme.

    Në atë kohë, opozita kundërshtoi demarkacionin përmes protestave dhe gazit lotsjellës në Kuvend.

    Kjo marrëveshje u shndërrua në një ndër kushtet kryesore të shtetit të Kosovës për liberalizimin e vizave dhe nuk u votua nga deputetët deri në momentin kur presidenti Hashim Thaçi dhe homologu i tij malazez, Filip Vujanoviq, nxorën një deklaratë të përbashkët, e cila parasheh rishikimin dhe përmirësimin e gabimeve eventuale.

  • Trump thotë se ShBA-ja dhe Ukraina do ta nënshkruajnë së shpejti marrëveshjen për minerale

    Trump thotë se ShBA-ja dhe Ukraina do ta nënshkruajnë së shpejti marrëveshjen për minerale

    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se Shtetet e Bashkuara do ta nënshkruajnë së shpejti një marrëveshje për minerale dhe burime natyrore me Ukrainën.

    Trump tha për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë mbrëmjen e së enjtes se përpjekjet e tij për ta arritur paqen mes Ukrainës dhe Rusisë janë duke shkuar “shumë mirë”, pasi këtë javë bisedoi me liderët e dy vendeve të përfshira në luftë.

    “Jemi duke ecur shumë mirë me Ukrainën dhe Rusinë. Dhe një nga gjërat që po bëjmë është nënshkrimi shumë shpejt i një marrëveshjeje me Ukrainën në lidhje me mineralet e rralla”, tha Trump.

    Derisa Trumpi po i bënte këto komente, forcat ruse sulmuan infrastrukturën civile në Odesa, duke shkaktuar dëme dhe duke plagosur tre persona, përfshirë një vajzë, tha guvernatori rajonal.

    “Armiku i sulmoi fuqishëm me dronë Odesën dhe rajonin”, tha guvernatori Oleh Kiper.

    “Ka dëme në infrastrukturën civile, duke përfshirë një ndërtesë të lartë banimi, një qendër tregtare dhe dyqane”, shkroi ai në Telegram.

    Ndërkohë, thuhet se në rajonin Kursk të Rusisë forcat ukrainase sulmuan stacionin e shpërndarjes së gazit në Sudzha.

    Media e pavarur Sota publikoi një foto në Telegram që shfaq një zjarr të madh.

    Zyrtarët e Qeverisë ukrainase nuk janë deklaruar për këtë sulm. As Moska nuk e raportoi incidentin.

    Stacioni ishte pika e vetme përmes së cilës kalonte gazi rus në rrugën e tij drejt Evropës, deri kur Ukraina refuzoi të zgjasë një marrëveshje tranziti në janar.

    Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi të enjten ukrainasit në territoret e pushtuara të Ukrainës të marrin pasaportë ruse deri më 10 shtator ose të largohen. Ultimatumi vlen për ukrainasit në rajonet e pushtuara Donjeck, Luhansk, Herson dhe Zaporizhja, tha në X ish-ministri i Ekonomisë i Ukrainës, Tymofiy Mylovanov, raporton REL.

    Këtë javë, Trump zhvilloi bisedime të ndara me Putinin dhe presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në përpjekje për ta ndërmjetësuar arritjen e një armëpushimi mes dy vendeve fqinje.

    Ai nuk arriti ta sigurojë një armëpushim të plotë 30-ditor, por bisedimet bënë që Putini të pajtohet për t’i ndaluar sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike për 30 ditë. Pas bisedimeve me Trumpin, Zelensky tha se ai gjithashtu do ta pranonte një pauzë të tillë.

    “Ne duam që kjo (luftë) të përfundojë, dhe mendoj se po ecim mjaft mirë në këtë drejtim”, tha Trump.

    Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara u pajtuan në fillim të këtij muaji për ta përfunduar një marrëveshje gjithëpërfshirëse për zhvillimin e burimeve të saj minerale. Përpjekjet për të finalizuar marrëveshjen u prishën më 28 shkurt pas një debati të ashpër midis Trumpit dhe Zelenskyt në Shtëpinë e Bardhë.

    Trump dhe Zelensky ranë dakord më 19 mars të punojnë së bashku për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, gjatë një bisede telefonike që Shtëpia e Bardhë e përshkroi si të “shkëlqyer”.

    Nuk është e qartë nëse kushtet e marrëveshjes për mineralet kanë ndryshuar. Një version i mëparshëm nuk përfshinte garancitë e sigurisë për Ukrainën që Zelensky kishte kërkuar.

  • Ushtarët italianë të KFOR-it patrullojnë në Shtërpcë

    Ushtarët italianë të KFOR-it patrullojnë në Shtërpcë

    Ushtarët italianë të Komandës Rajonale Perëndimore, në kuadër të misionit të KFOR të udhëhequr nga NATO, së fundmi kanë realizuar patrullime në Komunën e Shtërpcës.

    Në njoftimin e KFOR-it, bëhet e ditur se ushtarët italianë kryen patrullime në këtë zonë për të siguruar transparencë dhe paanshmëri, dhe për të kontribuar në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në këtë pjesë të Kosovës.

    “Këto angazhime janë pjesë e misionit të përditshëm të KFOR-it për të mbajtur një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet më tej në njoftimin e KFOR-it.

  • Sonte ndeshja Angli-Shqipëri, kuqezinjtë synojnë rezultat pozitiv

    Sonte ndeshja Angli-Shqipëri, kuqezinjtë synojnë rezultat pozitiv

    Kombëtarja e Shqipërisë sonte nis rrugëtimin e saj në ciklin kualifikues për Kupën e Botës 2026, me një sfidë të vështirë ndaj Anglisë në ‘Wembley’.

    Përgatitjet e skuadrës shqiptare kanë qenë intensive për disa ditë, me shpresën për të arritur një rezultat të mirë ndaj favoritëve të padiskutueshëm të grupit.

    Trajneri Sylvinho, për të cilin kjo ndeshje do të jetë një provë e madhe, ka shprehur besim se ekipi do të japë më të mirën e tij për të sfiduar Anglinë me një performancë të fortë.

    Ndeshja mes Anglisë dhe Shqipërisë do të nisë sonte në orën 20:45, dhe pritet të jetë një ballafaqim emocionues për të dyja kombëtaret.

  • Presidenti i Letonisë kërkon nga BE-ja heqjen e masave ndaj Kosovës dhe normalizimin e raporteve me Serbinë

    Presidenti i Letonisë kërkon nga BE-ja heqjen e masave ndaj Kosovës dhe normalizimin e raporteve me Serbinë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim zyrtar Presidentin e Letonisë, Edgars Rinkēvičs, i cili ka ardhur për vizitë në Kosovë. Pas takimit, dy presidentët kanë dalë në një konferencë të përbashkët për media.

    Presidenti i Letonisë e ka falënderuar Osmanin për mikpritjen, si dhe ka thënë se është shumë e rëndësishme që sot ka ardhur ta vizitojë Kosovën.

    Ai ka shprehur mbështetjen e Letonisë për intergrimin e Kosovës në KiE.

    “Letonia e mbështet plotësisht integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, e keni mbështetjen tonë të plotë për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, gjithmonë ju kemi mbështetur dhe besojmë që ky anëtarësim mund ta hap rrugën edhe për organizatat tjera ndërkombëtare. E përsëris mbështetjen e plotë të Letonisë për procesin e Integrimit Evropian të Kosovës”, ka potencuar Rinkēvičs.

    Ai po ashtu ka thënë se duhet të normalizohen raportet Kosovë – Serbi.

    “Qëndrimi i vendit tim është që Bashkimi Evropian duhet t’i heqë masat ndaj Kosovës. Ne po ashtu mbështesim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, vazhdimin e dialogut sepse besojmë që kjo do të jetë një mënyrë e mirë për ta përmirësuar stabilitetin dhe sigurinë në rajon, në një afat më të gjatë”, ka theksuar presidenti i Letonisë.

    Mes tjerash, ai ka thënë se Letonia është e gatshme të ofrojë ekspertizën e tyre në Kosovë sa i përket sektorit gjyqësor, administratës publike dhe sektorëve tjera.

  • Osmani: Anëtarësimi në BE është jetik për Kosovën, po ashtu parakusht për një Evropë në paqe

    Osmani: Anëtarësimi në BE është jetik për Kosovën, po ashtu parakusht për një Evropë në paqe

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dalë në një konferencë të përbashkët për media, me presidentin e Letonisë, Edgars Rinkēvičs, pas takimit të tyre në Presidencë.

    Osmani gjatë kësaj konference theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të ngushta mes Kosovës dhe Letonisë, kështu duke e cilësuar këtë vizitë si dëshmi të partneritetit të fort mes dy shteteve.

    Ajo ka thënë se Letonia është partnere e fuqishme e Kosovës sot, dhe se ajo e kupton më se miri pozicionin tonë pasi që edhe ajo si Kosova, ka një të kaluar të dhimbshme dhe kufizohet me shtete fqinje agresore.

    ‘‘Sot kam kënaqësinë të ju uroj mirëseardhje në emër të qytetarëve të Kosovës. Në vendin tonë vlerësoheni si një mik i çmuar i Kosovës. Vizita juaj sot në Prishtinë, është dëshmi e marrëdhënieve të ngushta dhe të shkëlqyeshme mes Kosovës dhe Letonisë. Letonia sot është partnere e fuqishme e Kosovës, ju keni përkrahur edhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Sot dua të shpreh falënderimet tona të sinqerta”, tha Osmani.

    Në fjalimin e saj, ajo ka theksuar se të dy shtetet kanë një të kaluar të dhimbshme dhe të vështirë dhe ndajnë kufij me shtete fqinje agresorë, por janë të përkushtuar për vlerat euroatlantike.

    “Letonia e kupton më se miri pozicionin e Kosovës, duke qenë se të dy vendet tona kanë një të kaluar të dhimbshme dhe shumë të vështirë, dhe kufizohemi me shtete fqinje agresore. Si Letonia ashtu edhe Kosova jemi të përkushtuar thellë për vlerat euroatlantike. Kosova vërtetë ka nevojë për kampionë sikurse ju. E ardhmja e Kosovës në BE nuk është jetike vetëm për ne si Kosovë, por mbetet parakusht edhe për një Evorpë të lirë të plotë dhe në paqe’’, ka thënë ajo mes tjerash.

  • Spiropali në Konferencën e Kryetarëve në KiE: Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës

    Spiropali në Konferencën e Kryetarëve në KiE: Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës

    Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, sot mori pjesë në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare të Këshillit të Europës, e cila zhvillohet në datat 20-21 mars në Strasburg.

    Gjatë fjalimit të saj Spiropali theksoi rëndësinë e forcimit të demokracisë në Shqipëri dhe përparimin e vendit drejt integrimit në Bashkimin Europian.

    Ajo theksoi se Shqipëria ka bërë përparime të mëdha në procesin e integrimit me Bashkimin Europian. Sipas kryeparlamentares, Shqipëria është lider në nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe integrimin europian të vendeve të rajonit.

    Gjatë fjalimit të saj, Spiropali u ndal edhe te Kosova, ku nënvizoi se Këshilli i Europës nuk është i plotë me mungesën e shtetit më të ri të Europës. Kryetarja e Kuvendit kërkoi që Kosova të pranohet në Këshillin e Europës.

    Fjalimi i plotë i saj:

    Demokracia nuk dobësohet brenda natës, dhe as nuk mbetet e fortë pa përpjekje. Nëpër Evropë tablotë politike po ndryshojnë, besimi tek institucionet po testohet dhe forcat e jashtme kërkojnë të manipulojnë opinionin publik.

    Rradhë herë ndodh që këto ndryshime të njohtohen qartësisht; ato shpalosen gradualisht, duke riformatuar normat, duke ndikuar tek qeverisja dhe duke sfiduar themelet ku ne mbështetemi.

    Shqipëria e ka përjetuar në vetë të parë sa e brishtë dhe njëkohësisht sa e fortë mund të jetë demokracia.

    30 vite më parë, kur Shqipëria u pranua anëtare e Këshillit të Europës, pas një izolimi absolut, demokracia për shqiptarët ishte ende vetëm një ideal, sundimi i ligjit sapo kishte nisur të zëvendësonte partinë-shtet dhe partinë-ligj, dhe të drejtat e njeriut, sidomos ato politike, fetare e të pronës kishin filluar të shndërroheshin në një aspiratë për qytetarët.

    Shqipëria, 30 vjet pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës, ka arritur para portave të Bashkimit Europian, me arritje thelbësore e të prekshme në tre shtyllat krysore të organizatës të madhe europiane.

    Vendimi i Asamblesë Parlamentare i prillit 2024 për të nxjerrë Shqipërinë nga procedura e monitorimit të plotë, është një konfirmim i arritjeve tona.
    Objektivi strategjik kombëtar i Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian brenda vitit 2030 dhe përfundimin e negociatave teknike brenda vitit 2027 ka gjetur një mbështetje të plotë nga Bashkimi Europian.

    Vendimi i Parlamentit Europian për hapjen në Shqipëri të Zyrës Rajonale për Ballkanin Perëndimor është një rikonfirmim i faktit se Shqipëria është jo vetëm vendi kandidat me vizionin më të qartë, shpejtësinë më të lartë dhe vendosmërinë më të madhe drejt familjes europiane, por është edhe një qendër dhe lider në nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe integrimin europian të vendeve të rajonit.

    Progresi i Shqipërisë drejt Bashkimin Europian është edhe rezultat i bashkëpunimit të ngushtë dhe njohjes nga Këshilli i Europës të arritjeve tona, sidomos në pavarësinë e degëve të qeverisjes, reformën e thellë dhe gjithëpërfshirëse në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbrojtjen e pakicave dhe të të drejatve të njeriut, lirinë e medias etj.

    Kuvendi i Shqipërisë mbetet i palëkundur në lidershipin, garantimin e legjitimitetit demokratik dhe gjithëpërfshirjen e procesit të integrimit europian, në avancimin dhe thellimin e refomave, mbështetjen e institucioneve të drejtësisë dhe të pavarësisë së tyre dhe mbrojtjen e vlerave dhe konsolidimin e institucioneve demokratike.

    “Audit si Elon Musk” Berisha: Do bëjmë një reformë të sistemit të drejtësisë me ndihmën e Komisionit të Venecias e aleatëve
    Ajo demokraci që dështon të mbajë balancën institucionale, rrezikon të humbasë aftësinë për ti shërbyer popullit të vet.

    Kur parlamentet luftojnë për të ushtruar kontrollin, kur kontrollet dhe balancat nisin të dobësohen, qeverisja largohet nga qëllimi i saj thelbësor.

    Roli i organeve legjislative qëndron shumë përtej miratimit të ligjeve; roli i tyre qëndron tek aftësia e tyre për të bërë pyetje, për të sfiduar dhe për të bërë qeveritë që të jenë llogaridhënëse.

    Në Shqipëri janë ndërmarrë hapa për të forcuar mbikqyrjen parlamentare, duke garantuar që institucionet të punojnë me njëri tjetrin, dhe jo kundra njëri tjetrit.

    Kuvendi ka ngritur kohët e fundit dy komisione të posaçme: Komisionin për thellimin e luftës kundër korrupsionit dhe përshpejtimin e ritmeve të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe Komisionin për mbrojtjen e demokracisë nga dezinformimi dhe ndërhyrjet e huaja në procesin demokratik.

    Megjithatë, institucionet të vetme nuk mund ta mbështesin demokracinë. Ligjet mund të drejtojnë shoqëritë, por besimi i publikut përcakton legjitimitetin e tyre. Shqipëria është përpjekur që vendim-marrjen ta afrojë tek njerëzit, duke hapur kanale të reja për angazhim dhe duke ushqyer një kulturë politike që nxit pjesëmarrjen përtej cikleve zgjedhore.
    Një sistem që dëgjon ka shumë më tepër mundësi të zgjasë. Angazhimi publik varet jo vetëm nga aksesi, por nga ndërgjegjësimi.

    Individët pa aftësinë për ta vlerësuar informacionin në mënyrë kritike bëhen më vulnerabël ndaj manipulimit, dhe debati publik humbet mbështetjen e tij tek diskursi i arsyetuar.

    Shqipëria ka zgjeruar përpjekjet për edukim të medias, jo si një nismë akademike, por si një përgjigje praktike ndaj një bote ku keqinformimi mund të shtrembërojë realitetin.

    Këshilli i Europës nuk është i plotë me mungesën e shtetit më të ri të Europës, Kosovës. Vështirë të gjendet një shtet tjetër që pas 26 vitesh liri dhe 17 vitesh pavarësi të ketë ndërtuar një demokraci vibrante si Kosova.

    Prandaj pranimi i Kosovës në Këshillin e Europës, i cili ka mbështetjen e Asamblesë Parlamentare, është kërkesa më e rëndësishme e Kryetares së Parlamentit të Shqipërisë ndaj kësaj Konference.

    Demokracitë në vendet tona nuk mund të lulëzojnë në mënyrë të qëndrueshme ndërkohë që sulmohen liria, sovraniteti dhe integriteti i kombeve.

    Prandaj mbështetja jonë e palëkundur për Ukrainën kundër agresionit të Rusisë nuk është vetëm një kontribut për paqen e sigurinë, por edhe për mbrojtjen e vlerave dhe sistemin demokratik në vendet tona.

    Ju uroj vazhdim të sukseshëm të diskutimeve në këtë Konferencë të rëndësishme.

    Ju faleminderit për vëmendjen!