ATV

Author: G.O.

  • Vetëvendosje shpenzoi 1 milionë euro më shumë gjatë fushatës zgjedhore

    Vetëvendosje shpenzoi 1 milionë euro më shumë gjatë fushatës zgjedhore

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI

    Lëvizja Vetëvendosje duket se është e vetmja nga partitë e mëdha që i ka deklaruar shpenzimet e fushatës zgjedhore, në raportin tre mujor financiar.

    Në dokumentin që e ka publikuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Vetëvendosje i ka shpenzuar 1 milionë e 734 mijë euro, mbi 1 milion euro më shumë se në gjatë tre muajve të fundit të 2024-ës.

    Dallime të dukshme në shpenzime nuk vërehen në raportet e Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike dhe Aleancës. PDK-ja dhe AAK-ja e konfirmuan për televizionin se nuk i kanë përfshirë këto harxhime, pa treguar arsye.

    Mirëpo KQZ-ja tha se në raport do të duhej të përfshiheshin të gjitha shpenzimet.

    Megjithatë, ky institucion është në përgatitje të një raporti të veçantë për financat e fushatës.

    “Data e fundit për dorëzimin e raporteve financiare të fushatës zgjedhore për 28 subjektet politike të certifikuara për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, është 28 prill 2025”, deklaruan nga KQZ-ja.

    Sipas njohësit të proceseve zgjedhore, Blerim Cana, raporte të tilla janë pasqyra më e qartë e asaj që ndodh pas skenës në zgjedhje.

    “ Është një raport që duhet të jetë transparent sepse është e rëndësishme të dihen shpenzimet e partive në fushatë zgjedhore…” tha Cana.

    Ndërsa ekonomistët vlerësojnë se partitë zakonisht janë dorëlirë nëpër fushatë.

    Sipas raportit financiar, PDK në periudhën janar-mars shpenzoi 360 mijë euro, LDK 155 mijë, ndërsa AAK 67 mijë euro./atvlive.tv

     

  • Strasburg, Kosova prezanton reformat për parandalimin e korrupsionit

    Strasburg, Kosova prezanton reformat për parandalimin e korrupsionit

    Reformat institucionale të Republikës së Kosovës në fushën e parandalimit të korrupsionit janë vlerësuar edhe ndërkombëtarisht gjatë një punëtorie të nivelit të lartë të organizuar nga Këshilli i Evropës në Strasburg. Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), ka prezantuar qasjen dhe përvojën e saj në hartëzimin e rreziqeve të korrupsionit, duke theksuar rëndësinë e këtyre reformave për forcimin e integritetit dhe transparencës në institucionet publike.

    Siç njofton APK, në punëtorinë ndërkombëtare me temën “Hartimi i rreziqeve të korrupsionit: Mësime të nxjerra dhe mundësi aplikimi”, përfaqësues nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Evropa dhe Afrika e Veriut u mblodhën për të diskutuar strategjitë më efektive në identifikimin dhe menaxhimin e rreziqeve të korrupsionit.

    Në emër të Republikës së Kosovës, drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, ndau përvojën e Agjencisë në realizimin e një procesi gjithëpërfshirës të vlerësimit të rreziqeve të korrupsionit.

    Sipas tij, ky proces ka përfshirë 159 institucione publike, përfshirë 115 institucione shtetërore dhe 44 ndërmarrje publike.

    “Korrupsioni nuk është vetëm çështje ligjore – është sfidë e kulturës institucionale. Ndryshimi fillon me diagnostikim të saktë dhe vullnet për të vepruar aty ku rreziku është real”, citohet në komunikatë Buleshkaj gjatë fjalës së tij para përfaqësuesve në këtë punëtori.

    Siç njofton AKP, ai theksoi rëndësinë e vullnetit politik në të gjitha nivelet, formalizimit të përgjegjësive, përfshirjes së hershme të institucioneve të targetuara dhe ruajtjes së komunikimit të vazhdueshëm gjatë procesit të vlerësimit.

    Buleshkaj gjithashtu ngriti shqetësime për sfidat aktuale, si mungesa e një baze të dhënash të konsoliduar që i bëjnë vlerësimet kundër korrupsionit më të vështira.

    Për më tepër, Buleshkaj theksoi rëndësinë që teknologjia – përmes analizës së të dhënave, inteligjencës artificiale dhe mjeteve digjitale, në të ardhmen të vihet në shërbim të detektimit dhe parandalimit të korrupsionit në mënyrë më efektive.

    Gjatë punëtorisë në Strasburg, detajet e përvojës, sfidave dhe mundësive që kanë shoqëruar zbatimin e procesit të hartëzimit të korrupsionit nëpër institucionet e Kosovës, janë prezantuar nga z. Blerim Kelmendi, Drejtor i Departamentit në APK.

    Ndërsa në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë edhe të gjithë anëtarët e Agjencisë që kanë zbatuar këtë proces në Kosovë, duke përfaqësuar një qasje kolektive dhe teknike të mirëkoordinuar.

    Punëtoria u organizua nga Këshilli i Evropës dhe Projekti i përbashkët i BE-së dhe Këshillit të Evropës kundër krimit ekonomik në Kosovë (PECK III), si pjesë e Platformës horizontale për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë.

    “Pjesëmarrja e Kosovës në këtë format jo vetëm që e rikonfirmon angazhimin e saj për reforma të thella në fushën e integritetit dhe sundimit të ligjit, por gjithashtu e paraqet vendin tonë si një shembull pozitiv në nivel Evropian dhe më gjerë”, thuhet në njoftim.

  • Kushtetuesja i jep dritën e gjelbër Ligjit për Zyrtarët Publikë, thotë se s’ishte antikushtetues

    Kushtetuesja i jep dritën e gjelbër Ligjit për Zyrtarët Publikë, thotë se s’ishte antikushtetues

    Gjykata Kushtetuese i ka dhënë dritën e gjelbër Ligjit për Zyrtarët Publikë, meqë ka gjetur se nenet e kontestuara nuk janë në kundërshtim me Kushtetutën.

    Në njoftimin e Kushtetueses thuhet se është vendosur që Ligji t’i dërgohet Presidentes Vjosa Osmani për shpallje.

    Ky ligj ishte dërguar në gjykatë nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

    Më 23 janar të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese kishte shpallur të pavlefshme disa nene të këtij ligji dhe obligonte Kuvendin që brenda 6 muajve t’i bënte ndryshimet e nevojshme në këtë ligj.

    Deputetët kishin miratuar ndryshimet në Ligj gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës më 30 tetor 2024.

  • Ndikimi i inteligjencës artificiale në mjedis

    Ndikimi i inteligjencës artificiale në mjedis

    Inteligjenca artificiale po shihet si një prej teknologjive më revolucionare të shekullit 21, por krahas përfitimeve të shumta që sjell në fusha si shëndetësia, arsimi apo transporti, po rritet edhe shqetësimi për ndikimin e saj negativ në mjedis.

    Shtetet me ekonomi të mëdha si Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Mbretëria e Bashkuar janë ndër vendet që po investojnë më shumë në zhvillimin e inteligjencës artificiale, por pikërisht në këto vende janë vërejtur edhe efektet më të mëdha mjedisore që lidhen me këtë teknologji. Zhvillimi dhe përdorimi i sistemeve të avancuara të inteligjencës artificiale kërkon sasi të jashtëzakonshme të energjisë dhe resurseve natyrore, gjë që mund të përshpejtojë ndjeshëm degradimin e natyrës nëse nuk ndërmerren masa të menaxhimit të duhur.

    Një prej problemeve kryesore që lidhen me ndikimin negativ të inteligjencës artificiale në mjedis është konsumi i lartë i energjisë elektrike nga qendrat e mëdha të të dhënave. Modelet e mëdha gjuhësore dhe sistemet komplekse të përpunimit të të dhënave kërkojnë shumë përpunim kompjuterik, që do të thotë më shumë serverë, më shumë ftohje dhe rrjedhimisht më shumë energji. Në shumicën e rasteve, kjo energji vjen nga burime jo të ripërtëritshme, siç janë karburantet fosile. Sipas një raporti të Universitetit të Massachusetts Amherst, vetëm trajnimi i një modeli të madh të inteligjencës artificiale mund të lëshojë mbi 280 mijë kilogramë dioksid karboni, që është ekuivalente me emetimet e pesë makinave që udhëtojnë gjatë gjithë jetës së tyre. Nëse inteligjenca artificiale zhvillohet pa standarde të qarta për mbrojtjen e mjedisit, ajo mund të kontribuojë në mënyrë të ndjeshme në ngrohjen globale.

    Një tjetër aspekt shqetësues është përdorimi i ujit për ftohjen e qendrave të të dhënave. Në vendet me popullsi të madhe dhe klimë të ngrohtë, si India apo pjesë të Kalifornisë në SHBA, ku tashmë mungesa e ujit është një sfidë serioze, përdorimi i tij për teknologji mund të përkeqësojë gjendjen. Një studim i publikuar në vitin 2023 tregoi se një kërkim i vetëm me inteligjencë artificiale mund të konsumojë deri në 500 ml ujë për shkak të ftohjes së pajisjeve që përpunojnë informacionin. Në përmasa globale, kjo përkthehet në miliona litra ujë në ditë, duke rrezikuar ekosistemet ujore dhe duke ulur sasinë e ujit të pijshëm të disponueshëm për komunitetet lokale.

    Problemet mjedisore nuk ndalen me konsumimin e energjisë dhe ujit. Prodhimi i pajisjeve të nevojshme për zhvillimin e inteligjencës artificiale, siç janë procesorët dhe njësitë grafike (GPU), kërkon nxjerrjen e metaleve të rralla dhe mineraleve të çmuara nga toka. Këto minerale shpesh nxirren në rajone të pasura me burime natyrore por të varfra në aspektin ekonomik, ku mungojnë standardet për mbrojtjen e natyrës dhe të drejtave të punëtorëve. Minierat ilegale, ndotja e lumenjve dhe shkatërrimi i pyjeve janë vetëm disa nga pasojat që lidhen me këtë proces. Për më tepër, e gjithë kjo industri krijon një zinxhir të gjatë të ndotjes që shtrihet nga nxjerrja e materialeve, deri te shpërndarja dhe funksionimi i pajisjeve përfundimtare.

    Institucionet ndërkombëtare dhe shtetet duhet të bashkëpunojnë për të vendosur standarde të përbashkëta që e detyrojnë industrinë teknologjike të zhvillojë zgjidhje që nuk dëmtojnë natyrën. Në fund të fundit, e ardhmja e inteligjencës artificiale nuk do të vlerësohet vetëm nga ajo çfarë arrin të bëjë për njerëzimin, por edhe nga mënyra se si respekton botën natyrore në të cilën zhvillohet.

  • Arrestohet ministrja e Punës në Sarajevë, dyshohet për punësim të paligjshëm

    Arrestohet ministrja e Punës në Sarajevë, dyshohet për punësim të paligjshëm

    Policia në Sarajevë ka arrestuar Enda Paviq-Peçenkoviq, ministre e Punës dhe Politikës Sociale, Personave të Zhvendosur dhe Refugjatëve, nën dyshimet për punësim të paligjshëm, konfirmuan nga Zyra e Prokurorit në Kantonin e Sarajevës.

    Policia ka bastisur zyrat e Ministrisë së Punës dhe Ministrisë së Shkencës, Arsimit dhe Rinisë në Kantonin e Sarajevës, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Bastisjet dhe arrestimi i ministres së Punës janë në kuadër të vazhdimit të operacionit të quajtur “Zarfi”. Në kuadër të këtij operacioni, më 10 prill u arrestua ministrja e Shkencës, Adna Mesihoviq, po ashtu nën dyshime për punësim të paligjshëm.

    Zyra e Prokurorit në Kantonin e Sarajevës i akuzon ministren Paviq-Peçenkoviq (nga Partia Socialdemokrate e Bosnje e Hercegovinës) që së bashku me ministren Mesihoviq (nga partia Për Gjeneratën e Re) se me ndërmjetësimin e Ibrahim Obhoxhash, kanë favorizuar motrën e Obhoxhashit për t’ia mundësuar punësimin asaj në Ministrinë e Punës.

    Obhoxhash është anëtar i Bordit të Drejtorëve në Agjencinë e Punësimit në Kantonin e Sarajevës dhe ishte anëtar i Komisionit që kreu procedurën e punësimit.

    Ai u arrestua më 11 prill dhe dyshohet për veprën penale të pranimit të dhuratave apo formave të tjera të përfitimit apo të ndërmjetësimit në emërimin e drejtorit të Qendrës Studentore në Sarajevë./REL

  • Sorensen pas takimeve në Beograd: Patëm diskutime të mira për përparimin në dialogun Kosovë-Serbi

    Sorensen pas takimeve në Beograd: Patëm diskutime të mira për përparimin në dialogun Kosovë-Serbi

    I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka përfunduar një vizitë në Beograd, ku u takua me disa figura kyçe të qeverisë serbe, përfshirë ministrin e Punëve të Jashtme Marko Gjuriq dhe kryenegociatorin për dialogun, Petar Petkoviq.

    Gjatë takimeve, u diskutua për zhvillimet më të fundit në dialog dhe përpjekjet për përparim në fushat e ndryshme që janë thelbësore për avancimin e procesit.

    Në një postim të tij në platformën X, Sorensen ndau disa fotografi nga takimet dhe shprehu vlerësimet për diskutimet që zhvilloi.

    “Vazhdova vizitën time pune në Beograd me takime me Ministrin e Punëve të Jashtme Marko Djuric, Ministrin për Integrim Evropian @nstarovic dhe Kryenegociatorin @PetkovicPetar. Patëm diskutime të mira rreth përpjekjeve të fundit dhe fushave ku mund të ketë përparim në Dialog”, tha ai.

  • “Play-off”-i i Superligës zhvillohet këtë vikend

    “Play-off”-i i Superligës zhvillohet këtë vikend

    Garat shtesë të elitës së basketbollit kosovar po zhvillohen me intensitet të jashtëzakonshëm, ndërsa atmosfera nëpër palestra është elektrizuese. “Play-off”-i i ProCredit Superligës ka sjellë spektakël të vërtetë, me përballje të forta dhe tribuna të mbushura plot pasion.

    Seritë gjysmëfinale kanë shkuar në barazim 1:1, duke paralajmëruar fundjavë vendimtare për katër skuadrat që synojnë finalen.

    Palestra “Minatori” në Mitrovicë do të jetë skenë e një tjetër super derbi, ku do të përballen Trepça dhe Sigal Prishtina. ‘Xehetarët’ fituan takimin e parë me rezultat bindës 80:65, por ‘bardhekaltrit’ kthyen serinë në Prishtinë, duke triumfuar 90:83 pas vazhdimeve dramatike. Tani, të dyja skuadrat kërkojnë fitoren për të bërë hapin e madh drejt finales.

    Në anën tjetër, në Prizren, Bashkimi dhe Peja do të matin forcat në një përballje vendimtare. Prizrenasit morën fitoren në sfidën e parë me rezultat 81:61, por pejanët reaguan në përballjen e dytë, duke fituar 84:79 dhe duke e barazuar serinë.

    Sipas formatit të garës, skuadra që shënon tri fitore kualifikohet në finale, ndërsa për t’u shpallur kampion nevojiten katër fitore në serinë finale.

    Basketbolli kosovar është në kulmin e tij – dhe fundjava do të tregojë cilat dy skuadra do të luftojnë për kurorën e kampionit.

  • Hagë: Thaçi deklarohet i pafajshëm për pengim të administrimit të drejtësisë

    Hagë: Thaçi deklarohet i pafajshëm për pengim të administrimit të drejtësisë

    Hashim Thaçi ka deklaruar se është i pafajshëm për akuzën e re të formës së përgjegjësisë për “nxitje”, e cila i është shtuar pas një vendimi të Apelit në rastin e tij kundër administratës së drejtësisë. Thaçi është i akuzuar bashkë me Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun, Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin.

    Deklarata e dorëzuar me shkrim më 24 prill 2025 thekson se ai nuk pranon fajësinë për asnjë pikë të aktakuzës së rikonfirmuar, duke përfshirë edhe formën e shtesë të nxitjes për Pikat 1 deri 3.

    “Në përputhje me Rregullën 92 të Rregullores së Procedurës dhe Provave, deklarata me shkrim e z. Thaçi për mospranim të fajësisë për secilën pikë dhe akuzë në Aktakuzën e Rikonfirmuar të ndryshuar, përfshirë edhe formën shtesë të nxitjes për Pikat 1 deri në 3, është e bashkangjitur me këto parashtresa”, thuhet në njoftimin e mbrojtjes së Thaçit.

    Vendimi i gjyqtares Marjorie Masselot, i marrë më 14 prill 2025, ka ndryshuar aktakuzën e mëparshme, duke konfirmuar një përgjegjësi penale shtesë për Thaçin.

  • Flasin familjarët e të plagosurit në Strellc: Ai ishte duke shkuar në punë, nuk kemi pasur probleme me askënd

    Flasin familjarët e të plagosurit në Strellc: Ai ishte duke shkuar në punë, nuk kemi pasur probleme me askënd

    Një person me inicialet E.U është plagosur nga disa të shtëna me armë zjarri sot në mëngjes në Strellc të Deçanit.

    I lënduari ka pranuar tretman mjekësor dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën, nën mbikëqyrjen e Policisë së Kosovës, për shkak të natyrës serioze të sulmit dhe mundësisë së ndonjë rreziku të mëtejmë.

    Ndërkohë, ekipi i ATV-së është në vendngjarje dhe ka arritur të sigurojë informacione nga familjarët e të plagosurit, për çka thonë se nuk kanë pasur probleme me askënd dhe se E.U ishte duke shkuar në punë.

    Gjithashtu, ATV-ja mëson se hetuesit kanë nisur mbledhjen e provave në terren, përfshirë edhe këqyrjen e kamerave të sigurisë në zonë, në përpjekje për të identifikuar autorin e sulmit dhe motivin pas atentatit.

    Hetimet janë duke u udhëhequr nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Pejë, ndërsa autoritetet po konsiderojnë të gjitha pistat, përfshirë motivet personale dhe ato që mund të lidhen me aktivitete të tjera të ndaluara./atvlive.tv/

    Më poshtë gjeni pamjet e siguruara nga ATV-ja nga vendi ku edhe ndodhi plagosja:

     

  • Kosovarët tani mund të udhëtojnë pa vizë në Malajzi për deri në 30 ditë

    Kosovarët tani mund të udhëtojnë pa vizë në Malajzi për deri në 30 ditë

    Presidentja Vjosa Osmani, ka njoftuar se Malajzia do t’i heq vizat për Kosovën në periudhë 30 ditore.

    Ajo ka paralajmëruar po ashtu se javën e ardhshëm do të qëndrojë për një vizitë zyrtare në këtë shtet aziatik, Malajzi ku do të bëhet edhe hapja e ambasadës së Republikës së Kosovës në Kuala Lumpur.

    “Është shenjë e qartë se lidhjet midis dy vendeve tona po forcohen çdo ditë.” Ka thënë Osmani në një postim në X.