ATV

Author: G.O.

  • PDK: Diskriminuese rritja e çmimit të rrymës, Qeveria Kurti mbështetëse e aferave korruptive

    PDK: Diskriminuese rritja e çmimit të rrymës, Qeveria Kurti mbështetëse e aferave korruptive

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka ngritur shqetësimin lidhur me rritjen e çmimeve të energjisë elektrike për herë të tretë për qytetarët e Kosovës brenda një mandati të Qeverisë Kurti.

    Shala, në një konferencë për media, ka theksuar se kjo rritje është selektive dhe diskriminuese, sepse sipas tij, godet drejtpërdrejt konsumatorët shqiptarë. 

    “Kemi një realitet të dëmshëm, ku në vend të kontrollit publik, kemi fitime të garantuara për kompanitë private KEDS, KESCO, NOA dhe GEN, ndërsa qytetari i zakonshëm paguan gjithnjë e më shumë.  Qeveria, në vend që të mbrojë interesin publik, është kthyer në lobues dhe mbështetës të aferave korruptive. Sot kemi brenda territorit të Republikës tregje energjetike mbi baza etnike. Sot kemi monopolizim mbi 90 % të importit të energjisë nga kompania GEN dhe NOA. Sot ne importojmë energji elektrike me çmim 100 % më shtrenjtë se në bursat ndërkombëtare. Sot bizneset që po pritet të dalin në tregun e lirë kanë marrë ofertat me 225% më shtrenjtë se çmimi aktual i bursës. Sot shumë biznese po mbyllen apo po ikin jashtë Kosovës, shihni rastin e Feronikelit. Sot kemi rënie të prodhimit në mënyrë drastike në KEK, e tërë politika e kësaj korporate është në favorizim të kompanive private importuese të energjisë”, ka deklaruar ai.

    Sipas Shalës në këtë skemë të dështimit sistematik bëjnë pjesë KOSTT-i dhe ZRRE-ja, “e cila me zell të paprecedent ka garantuar rritje të vazhdueshme të çmimeve dhe është shndërruar në zëdhënëse edhe barrikadë mbrojtëse të qeverisë në shkuarje duke mbuluar në heshtje edhe aferat e mëdha korruptive, siç është rasti lidhur me raportin e monitorimit nga ZRRE ndaj Ibër-lepencit”. 

    “Një sektor energjetik i degraduar. Stabilitet i cenuar. Transparencë dhe konkurrencë e munguar. Interesi publik i nëpërkëmbur. Dhe një klimë gjithnjë e më e rënduar për ekonominë dhe jetën e qytetarëve tanë. Të vetmit që kanë përfituar janë kompanitë tregtare dhe grupet klienteliste, për të cilat kjo qeveri ka kujdes të veçantë përmes emërimeve të kontrolluara në institucionet kyçe. Sot, më shumë se kurrë, duhet të flasim për energjinë si të drejtë dhe si nevojë publike. Pa energji të qasshme dhe të qëndrueshme, nuk mund të ketë as mirëqenie, as zhvillim”, ka shtuar deputeti i PDK-së.
    Shala u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë të hetojnë thellësisht çdo segment të sektorit energjetik. 

    “Sapo të konstituohet Kuvendi i ri, do të shfrytëzojmë të gjithë mekanizmat parlamentarë për të shqyrtuar çdo veprim dhe mosveprim në menaxhimin e sektorit energjetik”, ka përfunduar ai.

  • Ermal Mamaqi thotë se Elvana Gjaten e ka vëlla

    Ermal Mamaqi thotë se Elvana Gjaten e ka vëlla

    Ermal Mamaqi ishte së fundmi i ftuar në emisionin “The Elite Way” në ATV, ku ndau detaje interesante nga karriera dhe jeta e tij personale.

    Një nga momentet më të komentuara të intervistës ishte ai ku u ndal te marrëdhënia e tij me këngëtaren e njohur Elvana Gjata.

    Duke folur për bashkëpunimin e tyre në filmin “Dy gisht mjaltë”, Mamaqi theksoi rëndësinë që ka pasur Elvana në suksesin e projektit. Me stilin e tij karakteristik plot humor, ai tha: “Elvanën nuk e kam shoqe… e kam si vëlla!”, duke shkaktuar të qeshura në studio.

    Nuk kaloj pa u diskutuar as tentimi i Elvanes për në “Eurosong”.

    Për më shumë, ndiqni videon më poshtë:

    https://youtu.be/gzSqa8iM3Xk?si=YYo22n-kDJXK75wW

  • Ermal Mamaqi thotë se Gjestit i duhet ndihma e tij

    Ermal Mamaqi thotë se Gjestit i duhet ndihma e tij

    I ftuar në emisionin “The Elite Way”, Ermal Mamaqi nuk nguroi të fliste hapur për fenomenin e famës pas “Big Brother VIP Albania”.

    Gjatë intervistës, ai u pyet edhe për dy emrat më të përfolur të këtij reality show, Luizin dhe Gjestin.

    Mamaqi, i njohur për suksesin e tij në showbiz dhe së fundi si motivues, tha se edhe Gjestit i duhet ndihma e tij për ta menaxhuar suksesin, famen e paratë.

  • Oda Ekonomike jep alarmin: Shumë biznese drejt falimentimit, pezullojeni shtrenjtimin e rrymës, shtyjeni daljen në tregun e lirë të energjisë

    Oda Ekonomike jep alarmin: Shumë biznese drejt falimentimit, pezullojeni shtrenjtimin e rrymës, shtyjeni daljen në tregun e lirë të energjisë

    Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) mbajti konferencë për media me temën “Shtrenjtimi i energjisë elektrike sjell krizë në sektorin privat; Ndikimi në konkurrueshmërinë e bizneseve dhe kërkesat për veprim institucional”, raporton Ekonomia Online.

    Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, shprehu shqetësimin e thellë për ndikimin që ka dalja në tregun e lirë të energjisë dhe rritja e çmimit të energjisë elektrike për bizneset vendore.

    Ai kërkoi që së paku për një vit të pezullohet vendimi për daljen në tregun e lirë të energjisë dhe rritjen e çmimit të energjisë, pasi që, sipas tij, shumë biznese janë duke shkuar drejt falimentimit.

    “Bizneset kanë filluar të marrin ofertat e para dhe ato që kanë marrë janë 200 për qind më shtrenjtë se çmimi i energjisë elektrike që kanë marrë deri sot. Bizneset do të shkojnë drejt falimentimit si rezultat i çmimit të energjisë elektrike, sepse nuk kanë mundësi të ekzistojnë me këtë çmim të energjisë elektrike që po ofrohet nga ana e furnizuesve të licencuar. Ne edhe pranë qeverisë dhe ZRRE-së kemi ngritur shqetësimet dhe kemi kërkuar që dalja në tregun  e lirë të energjisë të shtyhet dhe rritja prej 16 për qind të suspendohet. Ka mekanizma që qeveria ta subvencionojë ose të ndihmojë biznesin të kalojë sa më lehtë këtë periudhë të mosdaljes në tregun e lirë të energjisë ”, tha Rafuna.

    Ai tha se kërkesa e tyre për institucionet e vendit është të pezullohet vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe të pezullohet për së paku një vit që bizneset që kanë të punësuar mbi 50 punëtorë të dalin në tregun e lirë të energjisë.

    “Duhet të kuptojnë të gjitha partitë politike që gjendja është shumë shqetësuese sa i përket  bizneseve. Duhet pasur parasysh edhe prodhimin. Të dhënat po na tregojnë se prodhimi i Kosovës është duke rënë. Sot kur ende nuk kanë dalë në tregun e lirë të energjisë  është duke rënë. Tregu nuk është i mirë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në tregun e BE-së. Shqetësuese është se inflacioni është duke u rritur  dhe do t’i godasë qytetarët e Kosovës. Edhe pse në vitin 2024 e kemi mbyllur me 1.6 për qind, menjëherë për katër muaj, inflacioni ka filluar me tendencë rritjeje. Dhe do të shkojë duke u rritur edhe më shumë, nëse do të vazhdohet me këtë kërkesë të dilet në tregun e lirë të energjisë dhe të shkohet me çmimin e rritjes së energjisë për pagesë”, tha ai.

    Rafuna tha po ashtu se importi gjatë katër muajve të parë të vitit ka kaluar vlerën prej mbi 2 miliardë eurosh, ndërsa eksporti ka rënë në vetëm 275 milionë euro. Kryetari i OEK-ut tha se bilanci tregtar është thelluar mbi 18.83% në këtë periudhë, çka e konsideroi një tregues alarmues për shkatërrimin e prodhimit vendor.

    “Kur jemi te bilanci tregtar i mallrave, këto janë të dhënat zyrtare që janë shumë shqetësuese për të gjithë institucionet e vendit tonë dhe për të gjithë partitë politike që janë prezente në Kuvend dhe kërkojmë që sa më shpejt të themelohen institucionet që të ndërmarrin hapa dhe veprime që ta shpëtojnë biznesin ta shpëtojnë ekonominë e vendit tonë. Shikoni se me çfarë trendi është duke u rritur importi, kurse eksporti është duke na rënë. Importi e ka kaluar vlerën për katër muaj mbi 2 miliardë, ndërsa eksporti ka rënë në 275 milionë. Për këta katër muaj bilanci është thelluar mbi 18.83 për qind afërsisht 19 për qind dhe kjo është shumë shqetësuese se prodhimi ynë është duke humbur territorin. E sa për importin, janë duke na shfrytëzuar të gjitha vendet e rajonit dhe të BE-së dhe më gjerë ku po importojmë. Me këtë çmim të energjisë elektrike nuk do të ketë investitorë, as të brendshëm, as të huaj”, tha Rafuna.

  • Rikthehen “Tre Vllaznit”, sezoni i ri premton humor dhe emocione

    Rikthehen “Tre Vllaznit”, sezoni i ri premton humor dhe emocione

    Seriali “Tre Vllaznit”, një prej komedive më të dashura të ekranit shqiptar, ka nisur xhirimet për sezonin e ri, duke premtuar edhe më shumë situata komike, momente prekëse dhe zhvillime të papritura që do të mbajnë publikun të ngjitur pas ekranit.

    Me një sukses të jashtëzakonshëm në sezonet e kaluara, seriali ka arritur të krijojë një lidhje të fortë emocionale me shikuesit, falë humorit të tij të mençur dhe mesazheve që trajtojnë jetën e përditshme në mënyrë sa reale, aq edhe argëtuese.

    Kasti i aktorëve mbetet i pandryshuar në pjesën më të madhe, me fytyra tashmë të dashura për publikun që rikthehen në rolet e tyre.

    Por sezoni i ri do të sjellë edhe fytyra të reja, ndër të cilat emra të njohur nga teatri dhe kinematografia shqiptare, të cilët do të pasurojnë dinamikën e ngjarjeve me role surprizë.

    Detaje ekskluzive mund t’i mësoni në kronikën e përgatitur nga ATV:

  • Familja Kryeziu nga Mleqani, vatër e muzikës folklorike

    Familja Kryeziu nga Mleqani, vatër e muzikës folklorike

    Në këtë odë përherë ka mbizotëruara ngrohtësia dhe mikpritja.

    E muzika folklorike që kultivon familja Kryeziu nga Mleqani, është një pasuri tjetër që përcillet ndër breza.

    Këtë trashëgimi, vëllezërit Mleqani, po ua mësojnë edhe brezave të ri.

    Familja Kryeziu është dëshmi e asaj që vlerat tona kombëtare duhet të ruhen e të kultivohen.

    Materialin e plotë të përgatitur nga ATV e gjeni në linkun më poshtë:

  • Erionë Ajeti, disenjatorja që shfaq personalitetin e saj përmes fustaneve

    Erionë Ajeti, disenjatorja që shfaq personalitetin e saj përmes fustaneve

    Erionë Ajeti është një tjetër dizajnere e re, por me një pasion të madh për botën e modës dhe një vizion të qartë për stilin e saj.

    Fustanet e Erionës janë diçka më shumë se thjesht veshje ato janë krijime të veçanta që pasqyrojnë personalitetin e saj unik dhe një kuptim të thellë të bukurisë dhe elegancës.

    Me një stil të ri dhe inovativ, ajo ka arritur të tërheqë vëmendjen e atyre që kërkojnë më shumë se një veshje kërkojnë një ndjenjë, një përvojë.

    Materialin e plot të përgatitur nga ATV e gjeni nëlinkun më poshtë:

  • QKUK-ja jep detaje rreth gjendjes së 10-vjeçares në Prizren të cilën dyshohet se e theri me thikë babai i saj

    QKUK-ja jep detaje rreth gjendjes së 10-vjeçares në Prizren të cilën dyshohet se e theri me thikë babai i saj

    Një tragjedi familjare ka tronditur qytetin e Prizrenit, ku një shtetas turk dyshohet se ka privuar nga jeta vajzën e tij dhe më pas ka tentuar të vetëvritet. Ai ka lënduar edhe vajzën 10-vjeçare dhe bashkëshorten e tij.

    Naser Syla, shef i emergjencës ka thënë se gjendja e 10-vjeçares tani është stabile.

    “Gjendja e saj tani është stabile, po trajtohet këtu tek ne. Po kryhen të gjitha ekzaminimet”, tha shkurtimisht Syla.

  • Studentët serbë kërkojnë shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare

    Studentët serbë kërkojnë shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare

    Studentët nga të gjitha universitetet në Serbi kanë bërë një kërkesë të drejtpërdrejtë për shpërndarjen e menjëhershme të Kuvendit të Serbisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare

    Sipas tyre, kjo kërkesë bazohet në nenin 109 të Kushtetutës së Republikës së Serbisë dhe vjen si reagim ndaj krizës së thelluar politike në vend.

    Në një njoftim të publikuar në rrjetet sociale, studentët theksojnë se që nga dhjetori i vitit të kaluar kanë përdorur mjete legjitime dhe të pa dhunshme për të arritur kërkesat e tyre, por se pushteti vazhdon të mos tregojë asnjë iniciativë për t’u përgjigjur, shkruan Danas.

    “Lëvizja studentore nisi protesta me përmasa të papara më parë. Ne treguam se zëri i të rinjve nuk është vetëm zhurmë, por një forcë që mund të sjellë ndryshim, të rikthejë dinjitetin dhe të zgjojë shpresën për drejtësi dhe liri,” thuhet në deklaratë.

    Studentët theksojnë se përmes veprimit të tyre kanë dëshmuar se sovraniteti i vendit është në duart e popullit, dhe jo të elitave politike.

    Hapat e radhës të kësaj lëvizjeje studentore do të bëhen publikë në ditët në vijim, ndërsa mesazhi i tyre mbetet i qartë: “Kjo është një betejë për një Serbi të drejtë, të lirë dhe me dinjitet për të gjithë.

  • Rusia raporton për sulme ukrainase me dronë, mbyllen katër aeroporte në Moskë

    Rusia raporton për sulme ukrainase me dronë, mbyllen katër aeroporte në Moskë

    Rusia thotë se Ukraina kreu një sulm me dronë gjatë natës së kaluar në shënjestër të të cilit ishte kryeqyteti Moskë për natën e dytë rresht.

    Katër aeroportet kryesore të kryeqytetit u mbyllën për disa orë për ta garantuar sigurinë, por më vonë u rihapën, tha autoritetit rus i aviacionit, raporton televizioni BBC.

    Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, tha në rrjete sociale se të paktën 19 dronë ukrainas u shkatërruan para se të arrinin në qytet “nga drejtime të ndryshme”.

    Sipas tij, një pjesë e mbetjeve ranë në njërën nga autostradat kryesore që të fusin në qytet, por nuk pati viktima në njerëz.

    Ukraina nuk ka komentuar ende. Megjithatë, kryetari i qytetit Kharkiv tha se Rusia gjithashtu kreu sulme ajrore me dronë ndaj këtij vendbanimi gjatë natës së kaluar, si dhe në zonën e kryeqytetit Kiev.