ATV

Author: G.O.

  • Shqipëria në heshtje elektorale

    Shqipëria në heshtje elektorale

    Mbrëmja e së premtes shënoi përmbylljen e fushatës zgjedhore në Shqipëri, duke i hapur rrugën heshtjes elektorale që nisi në mesnatë dhe do të zgjasë deri në ditën e votimit më 11 maj.

    Pas javësh të ngarkuara me premtime politike, tubime masive dhe retorikë të nxehtë, vendi ndodhet tani në një moment reflektimi, ku fokusi zhvendoset nga partitë te qytetari dhe zgjedhja e tij në kutinë e votimit.

    Partia Socialiste përmbylli zyrtarisht fushatën e saj me një miting të madh pranë Parkut Olimpik në Tiranë.

    Në të njëjtën kohë, koalicioni opozitar zhvilloi tubimin final në Bulevardin e Ri, duke dhënë mesazhin e fundit përpara betejës së votës.

    Këtë të shtunë ndalohet çdo aktivitet politik publik, në përputhje me ligjin zgjedhor që garanton një ditë qetësie për qytetarët përpara ditës së zgjedhjeve.

    Zgjedhjet e 11 majit janë historike jo vetëm për peshën e garës elektorale, por edhe sepse për herë të parë, diaspora shqiptare është përfshirë në procesin e votimit./tch/

  • Moti për sot: Me diell e vranësira, temperaturat minimale do të lëvizin nga 8 deri në 11°C

    Moti për sot: Me diell e vranësira, temperaturat minimale do të lëvizin nga 8 deri në 11°C

    Sot parashikohet që në orët e para të 24-orëshit të ketë reshje lokale shiu, kryesisht në sasi të pakta. Dita do të vijojë me diell dhe vranësira, ndërsa rreth zonave malore pritet të ketë rrebeshe të izoluara shiu, kryesisht të përqëndruara në perëndim të vendit.

    Era do të fryjë kryesisht nga veriu dhe verilindja me shpejtësi prej 10-35 km/h, raporton MeteoKosova.

    Temperaturat minimale do të lëvizin nga 8 deri në 11°C, ndërsa ato maksimale nga 16 deri në 21°C.

  • Në Ditën e Evropës, Osmani: Kërkojmë heqjen e masave të padrejta të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës

    Në Ditën e Evropës, Osmani: Kërkojmë heqjen e masave të padrejta të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës

    Në Ditën e Evropës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të heqë masat ndëshkuese ndaj vendit tonë, duke theksuar se ato janë të padrejta dhe përbëjnë pengesë për një të ardhme të përbashkët evropiane, raporton Gazeta Sinjali.

    Në një reagim me rastin e 9 Majit, Osmani tha se kjo ditë për popullin e Kosovës përfaqëson përkushtimin e palëkundur ndaj projektit evropian, pavarësisht sfidave me të cilat është përballur vendi.

    “Për popullin e Kosovës, kjo ditë përfaqëson një dëshmi të përkushtimit të palëkundur, sepse ne besojmë në Evropë, pavarësisht sfidave dhe padrejtësive gjatë këtij rrugëtimi”, deklaroi presidentja.

    Ajo kërkoi nga BE që, me një qasje të drejtë dhe të balancuar, të largojë sanksionet ndaj Kosovës dhe të veprojë kundër politikave destabilizuese të Serbisë, duke përmendur edhe faktin se presidenti serb Vuçiq zgjodhi të shënojë Ditën e Evropës në Moskë, te presidenti rus Vladimir Putin.

    “Në këtë ditë të shënuar, është me rëndësi që, me një zë, të kërkojmë heqjen e masave të padrejta të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, si dhe trajtimin me seriozitet të politikave destabilizuese të Serbisë—të cilat u bënë edhe më të dukshme edhe kur Vuçiq zgjodhi ta shënojë Ditën e Evropës në Moskë, pikërisht te Putini, ai që sot po rrezikon stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit tonë”, theksoi Osmani.

    Presidentja përfundoi reagimin e saj me një thirrje për fundin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës dhe ndaljen e tolerimit të politikave proruse të Serbisë.

    “Që ëndrra e evropianëve për një Evropë të tërë, të lirë dhe të bashkuar të realizohet plotësisht, duhet të marrin fund politikat ndëshkuese ndaj popullit më pro-evropian dhe të ndalen politikat akomoduese ndaj Serbisë proputiniste”, shkroi Osmani.

  • Kryetarja e Gjykatës Speciale më 13 maj në Kosovë, mban konferencë për media

    Kryetarja e Gjykatës Speciale më 13 maj në Kosovë, mban konferencë për media

    Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, Ekaterina Trendafilova, do të qëndrojë të martën për vizitë në Kosovë, ku do të mbajë një konferencë për media, raporton Gazeta Sinjali.

    Sipas një njoftimi, konferenca do të mbahet më 13 maj në orën 12:00 në Prishtinë.

    “Kam kënaqësinë t’ju ftoj që të dërgoni një gazetar në informimin për median të Kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, më 13 maj në orën 12:00, në hotelin Sheraton, Prishtinë”, thuhet në njoftim.

  • Rrahje në sheshin e Podujevës, lëndohet një person

    Rrahje në sheshin e Podujevës, lëndohet një person

    Një incident ka ndodhur mesditën e së premtes në qendër të Podujevës, ku dy persona janë përleshur mes vete.

    Në këtë rast lëndime trupore ka pësuar një nga personat e përfshirë.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë, për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

    Ahmeti shtoi se policia i ka shoqëruar të dy në polici, njëri ishte i lënduar.

    “Sot rreth orës 13:30 kemi pranuar informatën për një rrahje në Sheshin e qytetit në Podujevë. Me të marrë informatën policia, ka dalë në vendin e ngjarjes nga ku jemi njoftuar se si pasojë e rrahjes një person është lënduar. Lidhur me këtë rast policia ka shoqëruar në stacion policor dy persona (njëri nga ta i lënduar) të cilët ishin të përfshirë në rast”, tha zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.

    Tutje bëhet e ditur se aktualisht policia po vazhdon punën për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve që karakterizojnë ngjarjen.

  • Oda Amerikane kërkon shtyrje të afatit për liberalizimin e tregut të energjisë: Kosova nuk është e përgatitur

    Oda Amerikane kërkon shtyrje të afatit për liberalizimin e tregut të energjisë: Kosova nuk është e përgatitur

    Teksa afati për liberalizimin e tregut të energjisë po afrohet, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përsërit qëndrimin e saj të mëparshëm se Kosova nuk është e përgatitur për një tranzicion të tillë.

    OEA thekson se përtej mungesës së konkurrencës reale në treg, afati i shkurtër nuk u ka dhënë bizneseve as kohë të mjaftueshme për përgatitje, as hapësirë për zbatimin e masave mbështetëse gjatë kësaj periudhe kalimtare, të cilat janë thelbësore për të shmangur goditjet financiare dhe rënien e konkurrueshmërisë.

    “Shqetësimet e bizneseve janë rritur ndjeshëm pas ofertave të marra nga furnizuesit, të cilat parashikojnë rritje mbi 200% të tarifave të energjisë, një zhvillim që bie ndesh me pritjet se liberalizimi do të sillte ulje të çmimeve përmes konkurrencës. Kjo rritje e paparashikuar do të prekë zinxhirin e gjerë të bizneseve në vend, nga sektori prodhues dhe përpunues, deri te sektori i shërbimeve, tregtisë dhe teknologjisë, duke vënë në rrezik qëndrueshmërinë financiare dhe perspektivën e investimeve”, thuhet në reagim.

    Sipas Odës, argumentet se vendet e rajonit kanë zbatuar me sukses liberalizimin nuk janë valide në kontekstin e Kosovës.

    “Vendet fqinje kanë qasje në burime alternative si gazi natyror, ndërkohë që në Kosovë, për shkak të vendimmarrjeve të gabuara në të kaluarën, projektet për ndërtimin e infrastrukturës së gazit janë braktisur, duke e lënë energjinë elektrike si burimin e vetëm për nevoja afariste dhe industriale.

    Për më tepër, moskonstituimi i Kuvendit përbën një arsye shtesë se pse Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk duhet të vazhdojë me planet për liberalizimin e tregut në këtë fazë, duke pasur parasysh se ky institucion i pavarur është llogaridhënës para deputetëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.

    Për një tranzicion të qëndrueshëm dhe të drejtë, Oda Ekonomike Amerikane u bën thirrje politikëbërësve të shtyjnë afatin përtej 1 qershorit 2025 dhe paralelisht të miratojnë legjislacionin e nevojshëm dytësor për të mundësuar investimet në teknologji të ruajtjes së energjisë (bateri) dhe në sisteme me efikasitet të lartë energjetik.

    Gjithashtu, kërkohet futja e një skeme nxitëse tatimore dhe doganore për teknologjitë e energjisë së ripërtëritshme dhe infrastrukturën mbështetëse. Pa këto masa, liberalizimi rrezikon të sjellë më shumë dëm sesa përfitim për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit.

  • Imami i Qabesë fal namazin në Xhaminë e Madhe në Prishtinë

    Imami i Qabesë fal namazin në Xhaminë e Madhe në Prishtinë

    Bashkësia Islame e Kosovës ka njoftuar se Imamit i Qabesë, Dr. Bandar Belilah, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, ka udhëhequr faljen e namazit të xhumasë dhe ka mbajtur hytben para besimtarëve në Xhaminë e Madhe në Prishtinë

    Në njoftimin e BIK thuhet se Belilah theksoi rëndësinë e ruajtjes së vlerave islame.

    “Forcimit të besimit dhe unitetit në mesin e myslimanëve, duke përçuar mesazhe paqeje, mirësie dhe drejtësie. Ai gjithashtu falënderoi popullin e Kosovës për mikpritjen dhe përkushtimin ndaj fesë islame”.

  • Papa i ri, Leoni XIV zotohet se kisha do t’i ndriçojë “netët e errëta” të botës

    Papa i ri, Leoni XIV zotohet se kisha do t’i ndriçojë “netët e errëta” të botës

    Papa Leoni XIV e mbajti meshën e tij të parë të premten në Kapelën Sistine, ku u zgjodh papë një ditë më parë, duke paralajmëruar për rreziqet që sjell mungesa e besimit dhe duke shpresuar se Kisha Katolike do të mund të jetë fener që ndriçon “netët e errëta” të botës.

    Leoni, ish-kardinali me emrin Robert Prevost dhe papa i parë amerikan, dukej i qetë derisa drejtonte meshën në kapelën e famshme të zbukuruar me afreske, përkrah të njëjtëve kardinalë që e zgjodhën si papën e 267-të dhe pasardhës të Papa Françeskut.

    I veshur me petka relativisht të thjeshta në ngjyrë të bardhë dhe ari, Leoni XIV – i lindur në Çikago – i tha disa fjalë në anglisht para se të vazhdonte predikimin e tij me një italishte të rrjedhshme, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Gjatë meshës, Leoni XIV, 69 vjeç, përshkroi vizionin e tij për Kishën që dëshiron ta ndërtojë, duke thënë se synon të shërbejë si “administratori besnik” për të gjithë kishën.

    Papa i ri – që udhëheq 1.4 miliard katolikë në mbarë botën – e pranoi se besimi i krishterë ndonjëherë “cilësohet absurd” dhe si diçka që u përket “të dobëtëve dhe të paarsimuarve”.

    “Mungesa e besimit shpesh shoqërohet tragjikisht me humbjen e kuptimit të jetës, neglizhencën e mëshirës, shkelje të tmerrshme të dinjitetit njerëzor, krizën e familjes dhe shumë plagë të tjera që e godasin shoqërinë tonë”, tha ai.

    Ai u zgjodh papë në votimin e tretë të enjten, në ditën e dytë të konklavës./REL

  • Posta e Kosovës vë në qarkullim pullën e re “Zbulimet kombëtare arkeologjike – Ulpiana 2023”

    Posta e Kosovës vë në qarkullim pullën e re “Zbulimet kombëtare arkeologjike – Ulpiana 2023”

    Filatelia e Postës së Kosovës sot ka vënë në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare nga tema Evropa “Zbulimet kombëtare arkeologjike – Ulpiana 2023”.

    Ky emision i pullave postare prezanton një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike në Kosovë, në parkun arkeologjik të Ulpianës, raporton KosovaPress.

    Motivet e pullave postare mbartin imazhe kushtuar themelimit të Justinianit të Dytë, e përshkruar si një urbs Dardaniae nga perandori Justinian dhe gruaja e tij Theodora (535-545 AD), si dhe të zogut houbara bustard (outis), një zog shtegtar, në dyshemenë mozaik të bazilikës episkopale të Justiniani i Dytë (535-545 AD), zbuluar nga A. Hajdari, C.J. Goddard dhe M. Berisha.

    Ndërkaq, blloku filatelik paraqet “Representation of a houbara bustard (outis), a migratory bird”, pranë një shatërvani në dyshemenë mozaik të bazilikës episkopale të Iustiniana secunda (535-545 AD), zbuluar nga A. Hajdari, C.J. Goddard dhe M. Berisha.

    Realizimi i emisionit të pullave postare është mundësuar me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndërkaq pamjet e këtij emisioni janë siguruar nga vet zbuluesit, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional me Institutin Arkeologjik të Kosovës, Universitetin e Prishtinës dhe ENS.

    Emisioni i pullave postare përbëhet nga dy pulla postare, blloku filatelik dhe Zarfi i Ditës së Parë (ZDP), ndërkaq në qarkullim postar do të jetë deri në konsumimin e saj të plotë.

  • Tahiri kritikon qeverinë dhe BE-në: 9 maji festohet në Kosovë, por Evropa vazhdon të punojë me standarde të dyfishta

    Tahiri kritikon qeverinë dhe BE-në: 9 maji festohet në Kosovë, por Evropa vazhdon të punojë me standarde të dyfishta

    Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka komentuar 9 majin, Ditën e Evropës, duke ironizuar që Kosova e shënon këtë ditë, ndërkohë që shumë shtete të Bashkimit Evropian nuk e kanë festë zyrtare.

    Tahiri ka ngritur disa pyetje kritike për procesin e integrimit të Kosovës në BE, duke theksuar se vendi është ende nën sanksione dhe masa ndëshkuese nga BE, ndërkohë që Serbia, e cila ka lidhje të ngushta me Rusinë, vazhdon të trajtohet me konsideratë.

    Ai ka shprehur shqetësimin për qeverisjen aktuale të Kosovës, duke e quajtur sjelljen e saj autokratike dhe të pashembullt në procesin e konstituimit të Kuvendit.

    Ai thotë se nëse Kosova ka për qëllim integrimin në Bashkimin Evropian dhe të qenurit pjesë e Këshillit të Evropës, atëherë duhet një ndryshim i qartë nga elita politike dhe BE-ja për të siguruar një proces të drejtë dhe të barabartë.