ATV

Author: G.O.

  • Kurti për “Reporterët pa Kufij”: Problemi janë pronarët e mediave dhe mungesa e profesionalizmit, jo Qeveria

    Kurti për “Reporterët pa Kufij”: Problemi janë pronarët e mediave dhe mungesa e profesionalizmit, jo Qeveria

    Kryetari i Vetëvendosjes dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka komentuar edhe rënien e Kosovës në Indeksin e Lirisë së Shtypit. Kurti tha se është shqetësuese, por theksoi se, sipas tij, përgjegjësia nuk qëndron te qeveria, por te vetë mediat.

    Kurti foli për herë të parë pas publikimit të raportit të organizatës “Reporterët pa Kufij”, sipas të cilit Kosova ka shënuar rënie në Indeksin e Lirisë së Shtypit për vitin 2025, duke u renditur në vendin e 99-të.

    “Rënia në indeks është një kontradiktë me realitetin që jetojmë – dhe këtë kontradiktë duhet ta përmirësojnë vetë mediat”, u shpreh Kurti të shtunën gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

    “Në Kosovë, mediat janë të lira. Rënia e tyre nuk është pasojë e kontrollit nga qeveria, por e ndikimit të pronarëve dhe mungesës së profesionalizmit. Ne e konsiderojmë median si një pasuri të shoqërisë, por edhe vetë media duhet ta trajtojë profesionin si një detyrë”, deklaroi Kurti.

    Ai shtoi se, ndryshe nga qeveritë e kaluara, qeveria e tij nuk ka asnjë pronar mediash në radhët e saj, duke theksuar se raportet e pushtetit me mediat janë të distancuara dhe profesionale.

  • Trump: India dhe Pakistani bien dakord për një armëpushim

    Trump: India dhe Pakistani bien dakord për një armëpushim

    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar përmes rrjeteve sociale se India dhe Pakistani kanë arritur një marrëveshje për vendosjen e një “armëpushimi të plotë dhe të menjëhershëm”, duke i dhënë fund përshkallëzimit të tensioneve që kishin krijuar shqetësim në arenën ndërkombëtare.

    Sipas liderit amerikan, marrëveshja është rezultat i një nate të gjatë bisedimesh intensive, të zhvilluara nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai theksoi se ky është një hap i rëndësishëm drejt stabilitetit në rajon dhe një dëshmi e fuqisë së diplomacisë ndërkombëtare.

    Trump gjithashtu shprehu vlerësimin për udhëheqësit e të dy vendeve, duke i përgëzuar për vendosmërinë e tyre për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit dhe për të zgjedhur rrugën e dialogut dhe paqes.

    “India dhe Pakistani treguan arsye të përbashkët dhe një nivel të lartë inteligjence diplomatike,” shkroi ai në platformën Truth Social.

  • Një 19-vjeçar plagos me armë zjarri motrën e tij në Ferizaj

    Një 19-vjeçar plagos me armë zjarri motrën e tij në Ferizaj

    Një 19-vjeçar në Ferizaj dyshohet se ka plagosur motrën e tij me armë zjarri.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

    “Rreth orës 10:00, Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion për një plagosje me armë zjarri në rrugën “Mejdi Xhaferri” në Ferizaj. Dyshohet se personi E.M. (19 vjeç, M/K) ka plagosur motrën e tij 25-vjeçare dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Pas një veprimi të shpejtë policor, i dyshuari është lokalizuar dhe arrestuar”, tha ai.

    Veseli tregoi se viktima pas pas ndihmës së parë në Emergjencën e Ferizajt, është dërguar për trajtim të mëtejshëm mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

    Tutje, ai tha se në vendin e ngjarjes janë kryer të gjitha veprimet hetimore, ndërsa është sekuestruar edhe arma e zjarrit, me të cilën dyshohet se është kryer vepra.

    “Motivi i incidentit ende mbetet i panjohur dhe lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit”, pohoi ai.

  • Çitaku i reagon Kurtit pas deklaratës se nuk ka krizë institucionale: Këndelluni, keni mundësi ta zhbllokoni situatën

    Çitaku i reagon Kurtit pas deklaratës se nuk ka krizë institucionale: Këndelluni, keni mundësi ta zhbllokoni situatën

    Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili deklaroi se nuk ka krizë institucionale.

    Çitaku në reagimin e saj ka pohuar se për Kurtin nuk ka krizë, as institucionale, as politike, dhe se sipas saj, ai nuk po e sheh as krizën ekonomike, transmeton Telegrafi.

    “S’ka krizë institucionale paska thënë A.K. Ndërkohë, zgjedhjet kanë përfunduar para më shumë se tre muajsh, dhe Kosova është ende pa Kuvend funksional dhe pa Qeveri legjitime. Për Albinin nuk ka krizë, as institucionale, as politike. Ashtu siç nuk sheh krizë ekonomike, nuk sheh as rritje të çmimit të energjisë, e as të kostos së jetesës. Shkurt e shqip, gjithçka në rregull paska thënë ai”, ka shkruar deputetja.

    Ajo tutje ka kërkuar që të mos mbahet peng Kosova.

    “Këndelluni, keni mundësi ta zhbllokoni situatën. Mos e mbani peng Kosovën, se ajo është shumë më e madhe dhe më e rëndësishme se egoja e Albinit”, vijon reagimi.

     

  • Kurti: Shkrova një letër por u refuzua ashpër, LDK do të duhej ta kishte më të lehtë koalicionin me ne sesa në vitin 2020

    Kurti: Shkrova një letër por u refuzua ashpër, LDK do të duhej ta kishte më të lehtë koalicionin me ne sesa në vitin 2020

    Kreu i LVV-së, Albin Kurti, foli për konsitutimin e Kuvendit, që ka mbetur duke u zvarritur tash disa ditë në Këshillin e Përgjithshëm të partisë.

    Ai tha se Kuvendi nuk themelohet nga fituesi, pa marrë parasysh a është absolut apo relativ, duke shtuar se Kuvendi themelohet nga të gjithë.

    Kurti ka përmendur në Këshillin e Përgjithshëm të partisë edhe ftesën për koalicion për kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.

    Kurti ka thënë se LDK kishte bërë koalicion me LVV në vitin 2020 dhe tashmë pas reformave do të duhej ta kishte më të lehtë, por sipas Kurtit s’po duket ashtu, mbase sipas tij, LDK ndoshta ka preferenca të tjera.

    Kreu i VV-së ka thënë se LVV do qeveri normale, jo të përkohshme, tranzitore, teknike apo të opozitës. Sipas Kurtit eksperimentet s’i bëjnë nderë e as dobi askujt.

    “Shkrova edhe një letër për koalicion LVV-LDK por u refuzua edhe më ashpër. LDK në vitin 2020 bëri koalicion me ne, tani pas reformave do të duhej të ishte edhe më e lehtë, por s’po ngjanë ashtu. Ndoshta rruga e re ka preferenca të tjera. Ne duam qeveri normale, jo të përkohshme, tranzitore, teknike apo qeveri të opozitës. Opozita është opozitë sepse s’është qeveri. Qeveria e opozitës s’është e mundur. Duam qeveri normale. Eksperimentet s’na bëjnë as nder e as dobi”, ka thënë Kurti.

  • Kurti: Zgjedhjet mund të përsëritën, rezultati mund të thellohet në favor të LVV-së

    Kurti: Zgjedhjet mund të përsëritën, rezultati mund të thellohet në favor të LVV-së

    Kreu i LVV-së, Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë ka folur për bllokadën në Kuvendin e Kosovës dhe vështirësitë që të sigurojë 61 vota për emrin e Albulena Haxhiut.

    Kurti s’ka përjashtuar zgjedhjet e reja dhe sipas tij mund të përsëriten zgjedhjet, mund të përsëritet rezultati, por edhe mund të thellohet në favor të partisë së tij.

    “Zgjedhjet mund të përsëritet. Por edhe rezultati jo vetëm që mund të përsëritet por edhe mund të thellohet në favor të VV-së”, ka thënë Kurti.

  • Zelensky mirëpret liderët evropianë në përpjekje për të siguruar armëpushimin

    Zelensky mirëpret liderët evropianë në përpjekje për të siguruar armëpushimin

    Udhëheqësit e Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Polonisë vizituan Kievin për një vizitë simbolike në Ukrainë, një ditë pasi Vladimir Putin organizoi një paradë ushtarake në Sheshin e Kuq.

    Vizita ka ardhur në një moment të tensionuar, pasi SHBA-ja ka paralajmëruar për një sulm të mundshëm ajror të madh ndaj Ukrainës, sipas informacioneve të inteligjencës.

    Keir Starmer, Emmanuel Macron, Friedrich Merz dhe Donald Tusk kanë mbërritur në Kiev me tren, duke iu bashkuar presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në një përpjekje për të ndihmuar në gjetjen e një rrugëdalje përmes një armëpushimi.

    Udhëheqësit e katër vendeve u takuan të premten në mbrëmje në qytetin polak të Rzeszow, përpara se të udhëtonin drejt Kievit. Ata zhvilluan bisedime me Zelenskyn, duke kërkuar mundësi për të ndaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe për të gjetur një zgjidhje diplomatike në luftën që ka përfshirë Ukrainën dhe Rusinë.

  • Aksident mes tre automjeteve në rrugën Mitrovicë-Prishtinë, lëndohen tre persona

    Aksident mes tre automjeteve në rrugën Mitrovicë-Prishtinë, lëndohen tre persona

    Një aksident trafiku ka ndodhur, rreth orës 09:15 të mëngjesit, në segmentin rrugor të Shupkovcit, në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë.

    Aksidenti përfshiu tre automjete dhe shkaktoi dëme materiale të konsiderueshme.

    Përveç dëmeve materiale, tre persona kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar menjëherë për tretman mjekësor.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

    “Rreth orës 09:15 është raportuar për aksident trafiku i shkaktuar në  rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtine segmenti rrugor në  Shupkovci. Në aksident janë përfshirë tre automjete. Përveq dëmeve materiale  ĺëndime ka pësuar tre persona.”, tha ai.

  • 27 vjet nga Beteja e Llapushnikut

    27 vjet nga Beteja e Llapushnikut

    27 vjet më parë në Llapushnik të Drenasit u zhvillua beteja e ashpër ndërmjet forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pushtuesve serbë, betejë kjo e njohur si Beteja e Grykës së Llapushnikut.

    Beteja u zhvillua për tri ditë me radhë, 7 deri më 9 maj 1998, dhe ishte njëra ndër betejat më të lavdishme të UÇK-së.

    Lufta e zhvilluar në Grykës së Llapushnikut për kontrollin e kësaj zone, ka qenë më e rëndësishmja për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pasi e bënte të pakalueshme për forcat serbe rrugën Prishtinë – Pejë.

    Gryka e Llapushnikut u mbajt e bllokuar për muaj me radhë, duke u mundësuar luftëtarëve të UÇK-së që të lëvizin të lirë në një pjesë të madhe të territorit të Kosovës dhe kjo ua mundësoi që të organizohej dhe të furnizohej me armatime.

  • 13 përpjekje, ende pa zgjidhje – Kuvendi rikthehet nesër me një tjetër tentim

    13 përpjekje, ende pa zgjidhje – Kuvendi rikthehet nesër me një tjetër tentim

    Seanca e cila ishte paraparë të fillonte në orën 10:00, nuk nisi në kohën e caktuar. Kryesuesi i seancës dhe deputeti më i moshuar, Avni Dehari, kërkoi nga partitë politike të propozojnë nga një anëtar për komisionin që do të mundësonte votimin e fshehtë. Mirëpo, në mungesë të propozimeve të reja, Dehari hodhi në votim përbërjen e komisionit me emrat e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, raporton Gazeta Sinjali.

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, gjatë kohës që ajo ishte në foltore për të sqaruar qëndrimin e partisë së saj lidhur me komisionin për votim të fshehtë, Dehari ia ndal fjalën.

    “Dola këtu për të thënë se mundesh me na thirrë çdo 48 orë dhe me propozu dikë”, deklaroi Bajrami, duke theksuar se LDK-ja nuk do të propozojë asnjë anëtar për këtë komision.

    Si çdo herë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk e foli asnjë fjalë për mediat, por njëri nga deputët e partisë së tij, Hekuran Murati, para fillimit të seancës shpresonte që opozita të ketë reflektuar.

    “Shpresoj dhe uroj si zakonisht që opozita të ketë reflektuar që të zhbllokohet procesi dhe të ecim përpara në zhbllokimin e institucioneve. Ne kemi bërë çmos që ky proces që nga fillimi i seancës konstituive të ofrojë mundësi dhe ide për zgjidhje që të dalim nga ky ngërç, por e kemi parë që reflektimi ka munguar”, ka thënë ai.

    Ndërsa, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është deklaruar se AAK-ja do t’i çojë në Kushtetuese vendimet e Kuvendit.

    “Sot jemi në konsultime me PDK-në dhe LDK-në për mbledhjen e nënshkrimeve dhe dërgimin e rastit në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Haradinaj para nisjes së përpjekjes së 13-të për konstituimin e Kuvendit.
    E, Fatmir Limaj u shpreh “koxha” i ashpër për t’u mbajtur edhe njëparë zgjedhje të reja.

    “Çka o kjo po dojna me shku në zgjedhje? Njerëzit kanë votu”, u deklarua Limaj.

    Ndërsa, pas dështimit të formimit të Kuvendit, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi u shpreh se vullneti i qytetarëve është duke u dhunuar nga qasja e Lëvizjes Vetëvendosje.

    “Po bëhen tre muaj që vullneti i qytetarëve është duke u dhunuar nga qasja e Lëvizjes Vetëvendosje. Është vështirë të gjenden fjalë për ta përshkruar këtë situatë,” deklaroi Krasniqi për mediat, duke e akuzuar LVV-në për zvarritje të procesit.

    E ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se partia e tij ka bërë një propozim për të adresuar këtë situatë, duke ftuar për një takim gjithëpërfshirës që të çojë në një zgjidhje për krizën politike.

    “LDK-ja ka propozuar një iniciativë, jo për protagonizëm, por për të ofruar mundësinë e organizimit të një takimi, përfshirë edhe presidenten. Thelbësore është të gjejmë një zgjidhje dhe jo të vazhdojmë këtë cirk. Partitë qëndrojnë në pozita që krijojnë një situatë të ngatërruar, dhe ndonëse i kuptoj pozitat e tyre, realiteti është se askush nuk ka shumicën në Kosovë,” ka thënë Abdixhiku.

    Mbetet të shihet se çfarë do të ndodh më 11 prill, në orën 10:00, ku është caktuar seanca e ardhshme, a do të ketë ndonjë risi nga ky proces apo vetëm një ripërsëritje.