ATV

Author: G.O.

  • Kusari-Lila: Bllokada në Kuvend është paradoksale, s’mund të kërkohen llogari pa u konstituuar institucionet

    Kusari-Lila: Bllokada në Kuvend është paradoksale, s’mund të kërkohen llogari pa u konstituuar institucionet

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar ndaj situatës së krijuar në Kuvendin e Kosovës, duke e cilësuar bllokimin e konstituimit si të pakuptimtë dhe paradoksal, shkruan Gazeta Sinjali.

    Duke iu referuar nismës së deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, për mbledhjen e nënshkrimeve me qëllim dërgimin në Kushtetuese të dy vendimeve të ZRRE-së, Kusari-Lila tha se kjo është e papranueshme përderisa Kuvendi ende nuk është funksional.

    “Mbledhja e nënshkrimeve me ngrit çështje me ZRRE s’ka kuptim. Është e qartë kjo punë dhe e paraparë me rregullore. Po ZRRE raporton në Komisionin e Kuvendit. Por ne nuk kemi as kryetar e as nënkryetarë të Kuvendit e lëre më komisione. Të kryhet kjo fillimisht nga ata që po mbledhin nënshkrime. Kemi 48 orë tjera. Të hyjmë në proces që e zhbllokon këtë bllokadë të pakuptimtë e pasale”, u shpreh ajo.

    Kusari-Lila gjithashtu akuzoi deputetët e opozitës së legjislaturës së kaluar se me bojkotimin e seancave konstituive po shkaktojnë shkelje të Kushtetutës.

  • Pacolli kritikon deputetët: Hynë në Kuvend për pesë minuta dhe u larguan me pagesë – Tallje me qytetarët

    Pacolli kritikon deputetët: Hynë në Kuvend për pesë minuta dhe u larguan me pagesë – Tallje me qytetarët

    Ish-presidenti, Behgjet Pacolli, ka reaguar ashpër ndaj sjelljes së deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët sipas tij, po abuzojnë me përgjegjësitë që i kanë marrë nga qytetarët, shkruan Gazeta Sinjali.

    Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka shprehur indinjatën e tij ndaj faktit se deputetët hynë në sallën e Kuvendit vetëm për pesë minuta dhe më pas u larguan, pa zhvilluar asnjë diskutim apo marrë ndonjë vendim.

    “Pa pikë turpi, deputetët e Kuvendit të Kosovës hynë në sallë vetëm për t’u larguar pas pesë minutash, pa diskutim, pa vendim, pa përgjegjësi, por me pagese!!!”, ka shkruar Pacolli.

    Ai shtoi se kjo është një tallje e hapur me qytetarët dhe me shtetin, duke i bërë thirrje popullit që të reflektojë mbi zgjedhjet që ka bërë.

    “Kjo është tallje me qytetarët dhe me shtetin. Popull, a po e shihni kë keni votuar? A e kuptoni se këta përfaqësues nuk kanë as vullnetin, as guximin, as përgjegjësinë për ta zgjidhur as problemin më të vogël të vendit?”, përfundoi ai.

  • Krasniqi: Kurti po e mban shtetin peng për Albulena Haxhiun

    Krasniqi: Kurti po e mban shtetin peng për Albulena Haxhiun

    As përpjekja e 14-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës nuk rezultoi me sukses, pasi mungoi konsensusi për zgjedhjen e kryetares së re të Kuvendit, shkruan Gazeta Sinjali.

    Ish-partitë opozitare vazhdojnë të kundërshtojnë kandidaturën e Albulena Haxhiut si dhe procedurën e votimit të fshehtë, të cilën e cilësojnë si shkelje ligjore dhe kushtetuese.

    Pas përfundimit të seancës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, akuzoi qeverinë dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për bllokim të institucioneve.

    “Me 9 shkurt qytetarët e Kosovës kanë treguar nivel të lartë të pjekurisë, ajo që po bën Albin Kurti është e kundërta e kësaj, po vazhdojnë ta mbajnë shtetin peng për Albulena Haxhin e cila nuk ia ka votat. Se Albulena Haxhiu për Kurtin është më e rëndësishme se 1 milion qytetarë të Kosovës tashmë është e ditur. Albin Kurti nuk i ka numrat për kryeministër dhe po na mban peng këtu në Kuvendin e Kosovës çdo dy ditë”, deklaroi Krasniqi.

    Në të gjitha tentimet, Albulena Haxhiu nuk ka arritur të sigurojë më shumë se 57 vota, ndërkohë që për zgjedhje i nevojiten 61.

  • Kuvendi sërish pa kryetar – seanca e radhës më 13 maj

    Kuvendi sërish pa kryetar – seanca e radhës më 13 maj

    As në seancën e sotme, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të zgjedhë kryetarin e ri, raporton Gazeta Sinjali.

    Për shkak të mungesës së marrëveshjes politike mes partive, procesi ka mbetur i bllokuar. Kryesuesi i seancës vendosi që mbledhja e radhës të mbahet më 13 maj, duke filluar nga ora 10:00.

  • Përpara fjalimit të parë, Papa Leo XIV viziton varrin e paraardhësit të tij të ndjerë, Françeskut

    Përpara fjalimit të parë, Papa Leo XIV viziton varrin e paraardhësit të tij të ndjerë, Françeskut

    Papa Leo XIV mbajti sot fjalimin e tij të parë para turmës në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Ai recitoi lutjen Regina Caeli, në nder të Virgjëreshës Mari, pas njoftimit të zgjedhjes së tij me tym të bardhë të enjten, shkruan Gazeta Sinjali.

    Pasi mbajti meshën e së dielës, Papa Leo bekoj të mbledhurit në shesh dhe dha bekimet e tij.

    Më herët gjatë ditës, ai vizitoi një vend të shenjtë jashtë Romës dhe u lut para varrit të paraardhësit të tij të ndjerë, Françeskut, brenda bazilikës së Santa Maria Maggiore, transmeton BBC.

    Papa Leo do të inaugurohet zyrtarisht në një meshë në Sheshin e Shën Pjetrit javën e ardhshme më 18 maj.

  • Zgjedhjet parlamentare zhvillohen sot në Shqipëri

    Zgjedhjet parlamentare zhvillohen sot në Shqipëri

    Sot, më 11 maj 2025, qytetarët shqiptarë i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit të Shqipërisë. Qendrat e votimit hapen në orën 07:00 dhe do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00, shkruan Gazeta Sinjali.

    Të drejtë vote kanë gjithsej 3,713,761 shtetas shqiptarë, përfshirë 114,000 votues të rinj që do të ushtrojnë për herë të parë të drejtën e votës. Në garë për 140 ulëse në Kuvend janë 11 subjekte politike me gjithsej 2,046 kandidatë.

    Pjesëmarrja e diasporës për herë të parë

    Për herë të parë, edhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit kanë pasur mundësi të votojnë përmes një platforme elektronike të regjistrimit të votës, e cila ishte aktive nga 11 janari deri më 11 mars 2025. Janë dërguar 245,935 zarfe me fletëvotime në diasporë, nga të cilat 227,097 janë marrë nga votuesit.

    Sipas përditësimeve të fundit të KQZ-së, 181,609 zarfe janë kthyer dhe kanë mbërritur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke përfaqësuar 74% të të gjithë votuesve nga diaspora. Votat e tyre do të numërohen në KQZ dhe do të llogariten sikur të jenë hedhur në qarkun përkatës të banimit në Shqipëri.

    Subjektet pjesëmarrëse në garë

    Në këto zgjedhje parlamentare garojnë:

    1. Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore
    2. Partia Lëvizja Bashkë
    3. Lëvizja Atdheu
    4. Koalicioni Euroatlantik
    5. Partia Socialiste
    6. Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet
    7. Aleanca Kombëtare Shqiptare
    8. Aleanca Demokracia e Re
    9. Koalicioni Djathtas për Zhvillim
    10. Partia Mundësia
    11. Partia Social Demokrate

    Procesi pritet të vëzhgohet nga një numër i madh organizatash vendore dhe ndërkombëtare, ndërsa rezultatet paraprake priten të publikohen në orët apo ditët në vijim.

  • Sot tentativa e 14-të për konstituimin e Kuvendit

    Sot tentativa e 14-të për konstituimin e Kuvendit

    Sot është përpjekja e 14-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme. Ngërçi institucional vazhdon, me Lëvizjen Vetëvendosje që këmbëngul në kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, ndonëse nuk ka siguruar votat e mjaftueshme për ta zgjedhur atë, shkruan Gazeta Sinjali.

    Në mbledhjen e 58-të të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, kryeministri në detyrë Albin Kurti ritheksoi qëndrimin e partisë së tij, duke theksuar se kjo e drejtë i takon ekskluzivisht subjektit fitues të zgjedhjeve.

    “Konstituimi i Kuvendit është i qartë dhe depolitizuar. Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se kryetari i Kuvendit i takon partisë fituese,” deklaroi Kurti.

    Ai u shpreh se procedura është formale dhe nuk kërkon koalicione apo negociata.

    “S’kërkohet koalicion. Duke e interpretuar ashtu siç e ka interpretuar, Gjykata e ka depolitizuar seancën konstituive, duke e kthyer atë në një formalitet procedural. Pra nuk ka nevojë për koalicione e kalkulime në këtë hap konstituiv. Ajo çka opozita po bën, është bllokadë e panevojshme që ndoshta synon të krijoj imazhin e një Kosove në krizë,” tha ai.

    Kurti hodhi poshtë çdo mundësi kompromisi për emrin e Haxhiut dhe këmbënguli se partia e tij ka ofruar një propozim legjitim dhe të drejtë.

    “Ne nuk po i kërkojmë opozitës ta votoj qeverinë, por kryetaren e Parlamentit. Zgjedhja e qeverisë është politike dhe nuk kemi propozuar për konstituim të Kuvendit thjesht një emër, kemi propozuar një kandidate grua e cila është njëherit edhe gruaja më e votuar në zgjedhjet e fundit. Disa thonë ‘dikë tjetër por jo Albulena Haxhiun’, disa tjerë thonë ‘pranojmë vetëm këtë apo atë emër’ e disa të tjerë thonë ‘askënd nga Lëvizja Vetëvendosje’, por propozimi është i yni, jo i tyre. Ne nuk po kërkojmë që Albulena të jetë propozimi i tyre dhe Kuvendi konstituohet kur të votohen edhe pesë nënkryetarët,” theksoi Kurti.

    Ai gjithashtu mohoi çdo përgjegjësi për bllokadën aktuale, duke fajësuar opozitën për pengesat.

    “Ne s’jemi bllokuar, sepse kemi propozuar kandidatin tonë. E kemi bërë në fillim menjëherë. Bllokimi vjen prej atyre që votojnë kundër apo ata që s’votojnë fare,” përfundoi Kurti.

  • Putin fton Ukrainën për bisedime, ndërkohë që perëndimorët kërkojnë armëpushim 30-ditor

    Putin fton Ukrainën për bisedime, ndërkohë që perëndimorët kërkojnë armëpushim 30-ditor

    Presidenti rus Vladimir Putin ka ftuar Ukrainën të marrë pjesë në “bisedime të drejtpërdrejta” më 15 maj, vetëm disa orë pas kërkesave të liderëve evropianë për një armëpushim 30-ditor, shkruan Gazeta Sinjali.

    Në një fjalim të rrallë televiziv nga Kremlini, Putin theksoi se Rusia ishte e gatshme për “negociata serioze”, me synimin për të arritur një paqe të qëndrueshme dhe të fortë.

    Më 13 maj, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Sir Keir Starmer, së bashku me homologët e tij nga Franca, Gjermania dhe Polonia, udhëtuan për në Kiev për të shtuar presion mbi Rusinë që të pajtohej për një armëpushim pa kushte, që do të fillonte nga e hëna.

    Pas kërkesave, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Moska do të “mendojë mirë këtë” por paralajmëroi se “përpjekja për të na bërë presion është mjaft e padobishme.”

  • Gjykata Themelore ia cakton 1 muaj paraburgim të dyshuarit që ia shpërtheu veturën UD. drejtorit të QKUK-së

    Gjykata Themelore ia cakton 1 muaj paraburgim të dyshuarit që ia shpërtheu veturën UD. drejtorit të QKUK-së

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit Bajram Kiqmari, në kohëzgjatje prej një muaji, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale” Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”,” Zjarrvënia” dhe veprën penale “Armëmbajtje pa leje”.

    Cak i shpërthimit ka qenë automjeti i ushtruesit të detyrës së drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Osman Hajdari.

    Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake, pas seancës dëgjimore vlerësoj se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin B.K., pasi ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale të lartëpërmednura.

    “Gjykata konstatoj se në këtë fazë të procedurës ekzistojnë rrethana që tregojnë se ekziston rreziku i ikjes së tij, ku përdorimi i eksplozivit në një zonë me qarkullim të madh të njerëzve, përbën rrezik të lartë për jetën e njerëzve dhe sigurinë publike, mund të nxitet motivi tek i pandehuri për tu arratisur nëse lihet në liri”.

    “Gjykata vlerësoj se nga natyra dhe mënyra e kryerjes së veprave penale, rezulton se i pandehuri B.K. ka vepruar në mënyrë të planifikuar, të qëllimshme dhe me motiv financiar, gjë që e bënë të dukshëm rrezikun e përsëritjes së veprave penale. Veprime të tilla, të vënies së eksplozivit në veturën e personit tjetër, në zona me qarkullim të dendur të njerëzve, pa motive personale vetëm me motive të pagesës, e bëjnë të pandehurin B.K. potencialisht të rrezikshëm për sigurinë e përgjithshme dhe për përsëritjen e këtyre veprave penale apo veprave penale më të rënda, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme, për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale”, thuhet në njoftim.

    Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

  • OBSh: Mbi 1.2 milionë njerëz humbin jetën në aksidente rrugore

    OBSh: Mbi 1.2 milionë njerëz humbin jetën në aksidente rrugore

    Çdo vit, mbi 1.2 milionë njerëz humbin jetën në aksidente rrugore, ndërsa 50 milionë të tjerë plagosen. Viktimat më të shumta janë të rinj, mes moshës 5 deri në 29 vjeç. Gati gjysma e tyre janë këmbësorë dhe çiklistë.

    Në Javën Globale të Sigurisë Rrugore, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bën thirrje për masa urgjente për ta bërë ecjen dhe çiklizmin më të sigurtë. Ekspertët theksojnë se ecja dhe çiklizmi jo vetëm që parandalojnë aksidentet dhe përmirësojnë shëndetin, por ndihmojnë gjithashtu në uljen e emetimeve të karbonit, ndotjes së ajrit dhe zhurmës, duke krijuar qytete më të pastra dhe më të jetueshme.

    Raporti nxjerr në pah se në shumë qytete, megjithëse 35–45% e udhëtimeve janë brenda 2–5 km, ato vazhdojnë të kryhen me makina, duke rënduar ndjeshëm mjedisin, ndërsa vetëm 0.2% e rrugëve në botë kanë korsi biçikletash.

    OBSH kërkon që vendimmarrësit të investojnë në trotuare, korsitë e biçikletave dhe kufizimin e shpejtësisë, për të shkurtuar viktimat dhe për të ndërtuar qytete më të sigurta për të gjithë.