ATV

Author: G.O.

  • Merz: Gjermania synon ushtrinë më të fortë në Evropë

    Merz: Gjermania synon ushtrinë më të fortë në Evropë

    Friedrich Merz, kancelari i ri i Gjermanisë, ka prezantuar para Bundestagut agjendën qeveritare, duke theksuar disa nga prioritetet kryesore të qeverisë së tij si rritja ekonomike, menaxhimi i migracionit dhe mbrojtja.

    Në fjalimin e tij, Merz ka thënë se në politikën e jashtme, Gjermania do të përpiqet për “unitetin më të madh të mundshëm ShBA-Europë për Ukrainën”, raportoi DW.

    Ai ka paralajmëruar se Gjermania do të synojë të ketë “ushtrinë më të fortë konvencionale në Evropë”, duke theksuar se kjo është e domosdoshme për një ekonomi si ajo e Gjermanisë.

    “Është e përshtatshme për ekonominë më të madhe dhe më të fuqishme të Evropës. Dhe partnerët tanë e kërkojnë këtë,” u shpreh Merz.

    Ai po ashtu theksoi synimin që Gjermania të marrë një rol më të madh në udhëheqjen evropiane. “Gjermania do të riafirmojë rolin e saj të një lideri në Evropë, duke rindërtuar besim me partnerët dhe duke mbështetur Ukrainën”, shtoi ai.

    Kancelari ka përmendur edhe rifreskimin e marrëdhënieve franko-gjermane me presidentin Macron, si dhe vizitat në Varshavë dhe Bruksel. Në BE, ai u zotua se do t’i japë fund politikës së abstinencës së Gjermanisë në vendimet e rëndësishme.

    Sa i përket angazhimit në NATO, Merz ka qenë i qartë: “Duhet të jemi në gjendje të mbrohemi që të mos kemi nevojë ta bëjmë këtë. Fuqia frikëson agresorët. Dobësia i fton ata.”

  • Microsoft largon rreth 6 mijë punëtorë nga puna

    Microsoft largon rreth 6 mijë punëtorë nga puna

    Kompania gjigante e teknologjisë Microsoft ka konfirmuar se ka filluar një raund të ri pushimesh nga puna, duke prekur rreth 3 për qind të fuqisë punëtore globale. Kjo përkthehet në rreth 6 mijë punonjës që do të humbin vendin e punës.

    Në një deklaratë për CNBC, një zëdhënës i kompanisë ka thënë se “ne vazhdojmë të zbatojmë ndryshime organizative të nevojshme për ta pozicionuar më së miri kompaninë për sukses në një treg dinamik”.

    Këto lëvizje vijnë vetëm pak muaj pasi Microsoft raportoi një tremujor të suksesshëm me 25.8 miliardë dollarë të ardhura neto dhe një parashikim optimist në fund të prillit. Deri në fund të qershorit, kompania kishte 228 mijë punonjës globalisht.

    Vetëm në shtetin e Uashingtonit, ku ndodhet selia e Microsoft në Redmond, autoritetet kanë konfirmuar se 1 mijë e 985 persona janë prekur nga këto shkurtime, përfshirë 1 mijë e 510 të punësuar në zyrë.

    Kjo valë konsiderohet më e madhja që nga viti 2023, kur Microsoft largoi rreth 10 mijë punonjës. Ndryshe nga janari i këtij viti, kur disa pushime nga puna ishin të lidhura me performancën, kësaj here zëdhënësi ka theksuar se “këto shkurtime të reja vendesh pune nuk lidhen me performancën”. Sipas tij, një nga objektivat është “të zvogëlohen shtresat e menaxhimit”.

    Microsoft nuk është e vetmja kompani që po bën prerje. Amazon po ashtu largoi staf pas vlerësimit të shtresave të panevojshme në organizatë, ndërsa CrowdStrike njoftoi javën e kaluar pushimin nga puna të 5 për qind të stafit.

    CEO i Microsoft, Satya Nadella, kishte paralajmëruar në janar se do të kishte ndryshime në mënyrën e ekzekutimit të shitjeve, veçanërisht pas ngadalësimit në të ardhurat nga Azure. Megjithatë, performanca e lidhur me cloud-in e inteligjencës artificiale ka tejkaluar parashikimet e brendshme.

    Aksionet e Microsoft kanë shënuar rritje, duke arritur çmimin më të lartë për këtë vit me 449.26 dollarë për aksion, ndërsa rekordi i kaluar ishte 467.56 dollarë në korrikun e vitit të kaluar.

  • Vizita e Costas në Kosovë – Policia njofton se do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit

    Vizita e Costas në Kosovë – Policia njofton se do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit

    Për shkak të vizitës që presidenti i Këshillit Evropian do të vizitojë sot Kosovën, Policia e vendit ka njoftuar se do të angazhohet për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.

    Në komunikatën e PK-së, bëhet e ditur se për të mundësuar qarkullim të lirë, policia do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore.

    “Me datën 14-15 maj 2025, në Republikën e Kosovës, do të qëndrojë për vizitë presidenti i Këshillit të Evropës, z. Antonio Luis Santos da Costa.

    Me këtë rast, Policia e Kosovës, në bashkërendim me autoritete kompetente, gjatë kësaj vizite, e cila realizohet në Republikën e Kosovës, do të angazhohet për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.

    Për të mundësuar qarkullim të lirë sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve apo takimeve të personaliteteve të larta sipas agjendës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore, ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftim.

  • Trump me pesë kërkesa për udhëheqësin e ri të Sirisë

    Trump me pesë kërkesa për udhëheqësin e ri të Sirisë

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është takuar sot me presidentin e përkohshëm të Sirisë, Ahmad al-Sharaa – një emër i njohur për të kaluarën e tij si udhëheqës i kryengritësve dhe ish-i burgosur i forcave amerikane.

    Sipas sekretares së shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, Trump i ka bërë këto pesë kërkesa:

    Të nënshkruhet marrëveshja e Abrahamit me qëllim normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin.

    T’u thuhet të gjithë “terroristëve të huaj” të largohen nga Siria.

    Në mënyrë specifike, Trump veçoi “terroristët palestinezë” që do të deportohen.

    Të ndihmohen Shtetet e Bashkuara në ndalimin e ringjalljes së të ashtuquajturit grup Shtet Islamik

    Dhe në të njëjtën linjë, të merret përgjegjësia për qendrat e paraburgimit që lidhen me grupin në verilindje të Sirisë.

  • Fatmir Krypa, ekspozitë personale nga etapa të ndryshme kohore

    Fatmir Krypa, ekspozitë personale nga etapa të ndryshme kohore

    Fatmir Krypa është një nga grafistët më të shquar shqiptarë, i njohur për krijimtarinë e tij të pasur dhe për ndikimin e tij të thellë në artin pamor shqiptar. Lindur në Gjakovë në vitin 1942, ai ka ndjekur studimet në Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd dhe ka përfunduar magjistraturën në Zagreb. Krypa ka qenë një nga themeluesit e Departamentit të Grafikës në Fakultetin e Arteve në Prishtinë dhe ka dhënë mësim atje deri në pensionimin e tij në vitin 2007.

    Fatmir Krypa, hapi ekspozitën e tij retrospektive në Galerinë e Arteve në Pejë. Kjo mbrëmje u shndërrua në një festë arti, duke mbledhur artdashës, kolegë dhe figura publike që vlerësuan krijimtarinë e pasur të artistit.

    Ekspozita paraqiti mbi 50 vepra grafike që përfaqësojnë etapa të ndryshme të veprimtarisë së Krypës, duke ofruar një pasqyrë të gjerë të stilit dhe teknikave të tij unike. Kuratori i ekspozitës, Prof. Dr. Hivzi Muharremi, e vlerësoi Krypën si një artist që ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në artin bashkëkohor shqiptar.

    Në krijimtarinë e tij, Krypa shpesh trajton tema që lidhen me identitetin kombëtar, historinë dhe kulturën shqiptare. Veprat e tij janë të njohura për përdorimin e simboleve si pemët, frutat dhe elemente të tjera natyrore, të cilat ai i përdor për të shprehur mesazhe të thella dhe për të krijuar një lidhje të fortë me rrënjët kulturore shqiptare.

    Ekspozita do të qëndrojë e hapur për 15 ditë dhe ofron një mundësi të rrallë për të parë nga afër krijimtarinë e një artisti që përmes grafikës ka lënë gjurmë të thella në artin shqiptar. Ky udhëtim artistik përmes viteve është një reflektim mbi pasionin, mjeshtërinë dhe lidhjen e Krypës me traditën grafike shqiptare.

  • Avancimi i shërbimeve dhe sfidat në QKMF të Vushtrrisë

    Avancimi i shërbimeve dhe sfidat në QKMF të Vushtrrisë

    Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Vushtrri vazhdon të ofrojë shërbime mjekësore për qytetarët, pavarësisht sfidave të shumta me të cilat përballet. Një nga problemet më të theksuara në këtë institucion është mungesa e barnave esenciale, e cila po e vështirëson trajtimin adekuat të pacientëve. Kjo situatë ka krijuar shqetësim te qytetarët që shpeshherë detyrohen t’i blejnë vetë barnat jashtë institucionit.

    Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Vushtrrisë, Lorik Maxhuni, thotë se kjo mungesë nuk është vetëm problem lokal, por pasojë e një zinxhiri më të gjerë të furnizimit në nivel kombëtar. Ai shprehet se përpjekjet për përmirësimin e furnizimit janë të vazhdueshme, por pengesat burokratike dhe mungesa e mjeteve financiare e vështirësojnë përmbushjen e nevojave bazë.

    Përveç mungesës së barnave, një tjetër sfidë e madhe është ikja e punëtorëve shëndetësorë. Maxhuni thekson se shumë mjekë dhe infermierë po largohen për shkak të kushteve të pafavorshme të punës dhe pagave të ulëta, duke zgjedhur vende të huaja që ofrojnë kushte më të mira profesionale. Kjo po e vështirëson funksionimin e rregullt të shërbimeve në QKMF.

    Në anën tjetër, drejtori thekson rëndësinë e investimeve në infrastrukturë dhe teknologji mjekësore, që po mundësojnë ofrimin e shërbimeve më cilësore dhe më të shpejta. Sipas tij, disa projekte të reja janë planifikuar për të ardhmen, por realizimi i tyre varet nga mbështetja financiare nga niveli qendror.

    Pavarësisht sfidave, Maxhuni shpreh përkushtimin e tij dhe të ekipit për të vazhduar me ofrimin e kujdesit shëndetësor për qytetarët e Vushtrrisë. Ai apelon për mirëkuptim dhe bashkëpunim, duke theksuar se shëndetësia kërkon angazhim të përbashkët të institucioneve dhe komunitetit për të sjellë ndryshime të qëndrueshme.

  • Haradinaj përkujton masakrat në fshatrat e Pejës: Krimet e Serbisë nuk mund të harrohen e as të falen

    Haradinaj përkujton masakrat në fshatrat e Pejës: Krimet e Serbisë nuk mund të harrohen e as të falen

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë sot homazhe në Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Llabjan, në nderim të 102 civilëve shqiptarë të ekzekutuar barbarisht nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

    Në këtë përvjetor, Haradinaj ka ndarë dhimbjen dhe kujtimin me familjarët e të rënëve, duke e quajtur këtë krim një akt të qëllimshëm të shfarosjes së shqiptarëve në tokën e tyre.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj theksoi se këto masakra janë dëshmi e çmimit të lartë që populli i Kosovës ka paguar për lirinë dhe shtetin që gëzojmë sot. Ai nënvizoi se krimet e Serbisë nuk mund të harrohen e as të falen, duke kërkuar vendosjen e drejtësisë për viktimat.

    “Sot, në përvjetorin e këtyre masakrave, kemi kujtuar e nderuar me pietet edhe eprorët dhe luftëtarët e kësaj ane, që ranë në beteja të ndryshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dukagjin: Skënder Çeku nga Qyshku, Jahë Kabashi, Blerim e Bekim Kelmendi, dhe Rifat Veseli nga Llabjani,” shkroi Haradinaj.

    Ai theksoi se Kosova është ende e mbushur me varre të shqiptarëve të ekzekutuar, ndërsa shumë të tjerë ende nuk janë gjetur. “Drejtësia për viktimat duhet të vihet në vend! I përjetshëm qoftë kujtimi për të rënët për liri!”, përfundoi ai.

  • Ambasadori Rohde i shqetësuar për anulimin e konferencës së Trendafilovas

    Ambasadori Rohde i shqetësuar për anulimin e konferencës së Trendafilovas

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se anulimi i konferencës për media e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, pas presionit të veteranëve të UÇK-së, ngreh shqetësime të mëdha.

    “Dhomat e Specializuara të Kosovës janë pjesë e sistemit ligjor të Kosovës dhe informimi i publikut është një shtyllë thelbësore mbi mandatin e saj. Anulimi i konferencës për media pas presionit nga veteranët e UÇK-së ngre shqetësime të mëdha. Autoritetet duhet të sigurojnë që gjykata të mund ta kryejë punën e saj pa pengesa”, shkroi në platformën e tij në “Bluesky”, ambasadori Rohde.

    Një ditë më parë, një grup veteranësh të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës bashkë me udhëheqës të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së kanë protestuar kundër vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova në Kosovë.

    Më pas, Trendafilova anuloi konferencën, siç u kumtua, për shkaqe sigurie.

  • Nis rigjykimi ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve në rastin e njohur si “53-milionëshi”

    Nis rigjykimi ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve në rastin e njohur si “53-milionëshi”

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të mërkurën ka nisur rigjykimi në rastin e njohur si “53-milionëshi” ndaj të akuzuarve Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës lidhur me autostradën “Arbën Xhaferi”.

    Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, në cilësinë e këshilltarit të lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri dhe Besim Tahiri, si drejtor i Prokurimit Publik në MI, ngarkohen nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Të pranishëm në seancë janë Lekaj me mbrojtësit e tij avokatët: Artan Qerkini, Musa Damati dhe Kaltrina Kodraliu, i akuzuari Tahiri me avokatin e tij Ardit Humolli, i akuzuari Shatri me avokatin e tij Driton Musliu dhe i akuzuari Berisha me avokaten e tij Teuta Xhema.Po ashtu, i pranishëm është edhe prokurori special, Atdhe Dema.Gjykata Themelore në Prishtinë më 31 janar 2024 i shpalli fajtorë dhe i dënoi me 10 vjet e 3 muaj burigm (së bashku): Pal Lekajn, Eset Berishën, Nebih Shatrin dhe Besim Tahirin për rastin e njohur si “53-milionëshi”.

    Sipas aktgjykimit të Themelores, Pal Lekaj u dënua me 3 vite e 8 muaj burgim efektiv. Ndaj tij, gjykata shpalli edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.

    Nebih Shatri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim, kurse Besim Tahiri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim. Ndaj tyre u shpall edhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh.

    Ndërsa, Eset Berisha u dënua me 3 vite e 3 muaj burgim.Po ashtu, ndaj Berishës u shpall edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vitesh.

    Por, Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit,“Betimi për Drejtësi” kishte raportuar lidhur me përmbajtjen e vendimi të plotë të përpiluar nga Themelorja në Prishtinë, duke publikuar gjetjet e gjykatës nga mbrojtja e të akuzuarve dhe gjetjet nga deklaratat e dëshmitarëve.

    Po ashtu, edhe për gjetjet e Apelit.Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare me rastin e ndarjes së 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel &Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit apo e njohur ndryshe si autostrada “Arbën Xhaferi”.

  • Presidentja Osmani përkujton masakrat në Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Llabjan: Kosova nuk harron

    Presidentja Osmani përkujton masakrat në Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Llabjan: Kosova nuk harron

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot masakrat e kryera nga regjimi serb në fshatrat Qyshk, Zahaq, Llabjan dhe Pavlan, ku shumë civilë shqiptarë u vranë mizorisht.

    Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka theksuar se këto krime të tmerrshme nuk do të harrohen nga populli i Kosovës.

    “Sot përkujtojmë me dhimbje e nderim viktimat e Masakrës në Qyshk, Zahaq, Llabjan dhe Pavlan, civilë të pafajshëm, familjarë e fqinjë, të vrarë mizorisht nga forcat e regjimit gjenocidal serb,” shkroi Osmani.

    Ajo përkujtoi numrin e viktimave në secilin vend: 44 civilë në Qyshk, 17 në Zahaq, 21 në Pavlan dhe 13 në Llabjan, të cilët, siç theksoi ajo, “u vranë vetëm pse ishin shqiptarë.”

    Postimi i plotë:

    Presidentja Osmani përkujton 26-vjetorin e Masakrës në Qyshk, Zahaq, Llabjan dhe Pavlan

    Sot përkujtojmë me dhimbje e nderim viktimat e Masakrës në Qyshk, Zahaq, Llabjan dhe Pavlan, civilë të pafajshëm, familjarë e fqinjë, të vrarë mizorisht nga forcat e regjimit gjenocidal serb.

    44 civilë në Qyshk, 17 në Zahaq, 21 në Pavlan dhe 13 në Llabjan u vranë vetëm pse ishin shqiptarë.

    Kujtimi për ta mbetet i përhershëm, ndërsa drejtësia ende mungon.

    Le të jetë kjo ditë një thirrje për drejtësi.

    Kosova nuk harron!