ATV

Author: G.O.

  • Jon Hoti dënohet me 24 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen e të rinjve Albison dhe Rexhep Shlivova

    Jon Hoti dënohet me 24 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen e të rinjve Albison dhe Rexhep Shlivova

    Gjykata Themelore në Pejë ka dënuar Jon Hotin me 24 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen e Albison dhe Rexhep Shlivovës në Klinë, më 13 nëntor 2024.

    Ai kishte qëlluar me armë zjarri dy viktimat brenda një lokali, pas një takimi të organizuar nëpërmjet rrjeteve sociale.

    Sipas aktakuzës, Hoti veproi me dashje dhe vuri në rrezik edhe jetën e personave të tjerë të pranishëm në lokal.

    Përveç vrasjes së dyfishtë, ai u shpall fajtor edhe për “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

  • Mocion për rastin Thaçi dhe të tjerët, avokatët kërkojnë rrëzimin e disa pikave të aktakuzës

    Mocion për rastin Thaçi dhe të tjerët, avokatët kërkojnë rrëzimin e disa pikave të aktakuzës

    Avokatët e Hashim Thaçit dhe të tjerëve pritet që më 2 qershor të dorëzojnë një mocionin për rrëzimin e disa pikave të aktakuzës.

    Pas dorëzimit, Prokuroria e Specializuar ka një muaj kohë për t’iu përgjigjur mocionit.

    Ndërkohë, deklarata e kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, se protesta e veteranëve dëshmon pse gjykimi mbahet jashtë Kosovës, ka shkaktuar reagime.

    Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Fatmir Sopi, u shpreh se këto komente janë të pavërteta dhe dashakeqe. Edhe avokati Ardian Bajraktari deklaroi se Kosova ka dëshmuar siguri dhe ka pranuar gjykime ndërkombëtare për vite më radhë.

    Ndërkohë, në aplikimet për statusin e viktimës, është përmendur edhe një person që pretendon se UÇK-ja e ka hipnotizuar dhe i ka bërë magji të zezë.

    Sipas Prokurorisë së Specializuar, ky aplikim është refuzuar nga Gjykata.

  • Ambasadori britanik reagon për kërcënimet që po i bëhen Osmanit

    Ambasadori britanik reagon për kërcënimet që po i bëhen Osmanit

    Ambasador britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka reaguar në lidhje me kërcënimet e bëra ndaj presidentes Vjosa Osmani, duke u shprehur ‘‘thellësisht i shqetësuar’’.

    Ai ka deklaruar edhe se, dhuna në bazë gjinore, duke përfshirë këtu edhe atë që bëhet përmes Internetit, nuk ka vend në shoqërinë tonë.

    ‘‘Jam thellësisht i shqetësuar nga kërcënimet e fundit dhe vala në rritje e gjuhës së urrejtjes që po drejtohet ndaj grave, veçanërisht ndaj atyre në role udhëheqëse. Dhuna me bazë gjinore – përfshirë atë në internet – nuk ka vend në shoqërinë tonë. Ne qëndrojmë në krah të Grupit për Siguri dhe Barazi Gjinore dhe e mbështesim plotësisht deklaratën e tyre të përbashkët. Në kohë si këto, heshtja nuk është një opsion. Ne zgjedhim solidaritetin” ,ka thënë Hargreaves.

    Ashtu siç ka thënë Jess Phillips, ministre britanike për Mbrojtjen dhe Luftën Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave:

    “Asgjë nuk do të ndryshojë, nëse nuk e bëjmë sistematike që kushdo që përballet me një viktimë apo një dhunues, ta ndjejë si detyrë thelbësore të ndërmarrë veprim’’, ka shkruar ai.

    Ndryshe, ambasadori britanik këtë koment e ka bërë pasi ka ndarë reagimin e ‘‘UN Women Kosovo’’, Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore pikërisht lidhur me kërcënimet e bëra ndaj Osmanit, grup i cili ka dënuar ashpër këto kërcënime.

    Aty është theksuar se këto akte janë sulme edhe ndaj demokracisë dhe jo vetëm ndaj presidentes.

    Në komunikatë, bëhet thirrje për institucionet shtetërore, partitë politike por edhe shoqërisë civile e mediave që të ndërmarrin veprime të menjëhershme dhe të koordinuara për të mbrojtur gratë në politikë dhe për të u siguruar që ato mund të udhëheqin pa frikë.

    ‘‘Deklaratë mbi kërcënimet ndaj presidentes Vjosa Osmani dhe nevojën e menjëhershme për të trajtuar dhunën ndaj grave në politikë. Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore dënon ashpër kërcënimet me vdekje të bëra së fundmi ndaj SH.S.Z. presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu. Akte të tilla frikësimi dhe kërcënime të kësaj natyre nuk janë vetëm sulm ndaj presidentes Osmani si person, por edhe sulm ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe parimit të paqes e stabilitetit. U bëjmë thirrje institucioneve shtetërore, partive politike, shoqërisë civile dhe mediave që të ndërmarrin veprime të menjëhershme dhe të koordinuara për të mbrojtur gratë në politikë dhe për të u siguruar që ato mund të udhëheqin pa frikë’’, shkruhet në komunikatë.

    Tutje, aty shprehet edhe solidaritet i plotë me Osmanin dhe rikonfirmohet mbështetja për sigurinë e të gjithë zyrtarëve publikë pa dallim gjinie.

    ‘‘Shprehim solidaritet të plotë me presidenten Osmani dhe rikonfirmojmë mbështetjen tonë të palëkundur për sigurinë, mbrojtjen dhe dinjitetin e të gjithë zyrtarëve publikë, pa dallim gjinie, që shërbejnë me integritet dhe përkushtim. Nuk ka vend për dhunë apo frikësim në shoqëritë demokratike’’, thuhet në reagim.

  • Legalizohen vendbanimet e reja izraelite në Palestinë – sfidohet e drejta ndërkombëtare

    Legalizohen vendbanimet e reja izraelite në Palestinë – sfidohet e drejta ndërkombëtare

    Ministrat izraelitë kanë njoftuar se është dhënë miratimi për legalizimin e 22 vendbanimeve të reja hebraike në Bregun Perëndimor të pushtuar – zgjerimi më i madh i tillë në dekada.

    Sipas ministrit të Mbrojtjes, Israel Katz, dhe ministrit të Financave, Bezalel Smotrich, disa nga këto vendbanime ekzistonin më parë si “outpost”-e të ndërtuara pa leje zyrtare nga qeveria, por tani do të legalizohen sipas ligjit izraelit.

    Dihet se çështja e vendbanimeve është një nga pikat më të nxehta të konfliktit mes izraelitëve dhe palestinezëve. Pasi, sipas të drejtës ndërkombëtare ato konsiderohen gjerësisht të paligjshme – një qëndrim që Izraeli e kundërshton.

    Megjithatë, ministrat izraelitë, e kanë justifikuar këtë hap si një veprim për të ndalur krijimin e një shteti palestinez, të cilin ai e konsideron si kërcënim për sigurinë e Izraelit. Nga ana tjetër, presidenca palestineze e ka cilësuar këtë zhvillim si një “përshkallëzim të rrezikshëm”.

    Organizata izraelite “Peace Noë”, që monitoron ndërtimet në territoret e pushtuara, paralajmëroi se vendbanimet e reja “do të riformësojnë në mënyrë dramatike Bregun Perëndimor dhe do të thellojnë edhe më tej pushtimin”, sipas BBC.

  • Protesta e bizneseve, Bajrami: Beteja e Kurtit nuk është me ndërtu, por me shkatërru

    Protesta e bizneseve, Bajrami: Beteja e Kurtit nuk është me ndërtu, por me shkatërru

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar qasjen e kryeministrit Albin Kurti ndaj protestave të bizneseve kundër liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, i cili hyn në fuqi më 1 qershor.

    Sipas Bajramit, në vend që të ofrojë zgjidhje për shqetësimet e bizneseve, Kurti ka zgjedhur të përballet me to dhe t’i krahasojë protestat e tyre me barrikadat e vendosura nga Lista Serbe në të kaluarën.

    “Beteja e Kurtit nuk është me ndërtu, por me shkatërru. Është turp që protestat e bizneseve, punëdhënësve më të mëdhenj të vendit, krahasohen me barrikada. Ndërkohë që Kurti nuk e thotë asnjë fjalë për koston prej 800 eurosh për transportin e 1 megavatit energji që e bën kompania e Vuk Hamoviqit – për të cilin ai dikur na ligjëronte kur ishte në opozitë”, ka thënë Bajrami.

    Ajo gjithashtu kritikoi faktin se Kuvendi ka kaluar për të 23-tën herë në pauzë 48-orëshe, duke ia adresuar fajin Lëvizjes Vetëvendosje si parti e parë që, sipas saj, ka përgjegjësinë për të ofruar zgjidhje.

    “Na kujtohet kur Kurti e ka mundur Rrahman Jasharajn me ato grevat. Nuk e ka mundur Jasharajn, por arsimin. Nëse Kurti i mund edhe bizneset, atëherë e mund ekonominë. Dhe kur Kurti i mund arsimin dhe ekonominë, e vetmja përfituese është Serbia”, shtoi Bajrami.

  • Bizneset përfundojnë protestën, zhbllokohen hyrjet e Prishtinës

    Bizneset përfundojnë protestën, zhbllokohen hyrjet e Prishtinës

    Ka përfunduar protesta e bizneseve që bllokuan hyrjet e Prishtinës në shenjë proteste për liberalizimin e tregut të energjisë.

    Mëngjesin e së enjtes, ata filluan t’i bllokojnë hyrjet në Prishtinë në Veternik, te rrethi i flamurit, te qendra Dukagjini në rrugën drejt Fushë-Kosovës, në rrugën drejt Mitrovicës, si dhe në rrugën nga Podujeva, në lagjen e Vranjevcit.

    Bllokimi zgjati ashtu siç u paralajmërua, nga ora 10:00 deri në orën 12:00.

    Vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për liberalizimin e tregut të energjisë do të hyjë në fuqi më 1 qershor.

    Vendimi nënkupton se të gjitha bizneset e mëdha nuk do të furnizohen më me energji përmes tarifave të rregulluara, por duhet të gjejnë vetë furnizuesin e tyre në tregun e lirë.

    Nëse nuk arrijnë ta bëjnë këtë, ato kalojnë automatikisht në treg të hapur me çmime të parregulluara.

  • Dështon edhe përpjekja e 23-të për ta konstituuar Kuvendin

    Dështon edhe përpjekja e 23-të për ta konstituuar Kuvendin

    Konstituimi i përbërjes së re të Kuvendit ka dështuar edhe në tentativë e 23-të.

    As në seancën e së enjtes nuk u arrit të formohet Komisioni për votim të fshehtë, i cili është parakusht për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

    Nga 111 deputetë të pranishëm në sallë, vetëm 55 votuan për, një ishte kundër dhe nuk pati asnjë abstenim. Kësisoj, Komisioni nuk mori shumicën e nevojshme të votave.

    Ky është hera e 15-të me radhë që propozimi për këtë komision dështoi të kalojë në Kuvend.

    Seanca e radhës është caktuar të mbahet të premten, më 31 maj, në orën 10:30.

  • Zjarri masiv e përfshin Kanadanë, më shumë se 17 mijë persona detyrohen të largohen

    Zjarri masiv e përfshin Kanadanë, më shumë se 17 mijë persona detyrohen të largohen

    Kryeministri i Manitobës, Wab Keenu, tha se ky ishte evakuimi më i madh në historinë moderne të provincës dhe se kërkoi ndihmën e autoriteteve federale dhe ushtrisë kanadeze për zhvendosjen e popullsisë dhe shuarjen e zjarrit, shkruan The Guardian.

    “Për herë të parë, kemi zjarre në të gjitha rajonet. Është një shenjë e ndryshimeve klimatike ndaj të cilave do të duhet të përshtatemi”, paralajmëroi kryeministri.

    Situata më kritike është në qytetin e vogël të Flin Flon, ku 5,000 banorë janë thirrur për t’u përgatitur për evakuim emergjent për shkak të afrimit të një zjarri të madh.

    Flakët arritën një lartësi prej më shumë se 35 metrash në disa pjesë të zonës, dhe për shkak të tymit të dendur dhe përhapjes së shpejtë të zjarrit, zjarrfikësve iu bë e vështirë ta shuanin atë.

    Evakuimet përfshinë edhe komunitete indigjene të largëta, dhe numri më i madh i personave të zhvendosur do të strehohen në kryeqytetin provincial, Winnipeg.

    Aktualisht ka 22 zjarre aktive në provincë, ndërsa 134 janë regjistruar në të gjithë Kanadanë, gjysma e të cilave janë jashtë kontrollit.

  • Ambasadori palestinez në OKB shpërthen në lot për fëmijët në Gaza

    Ambasadori palestinez në OKB shpërthen në lot për fëmijët në Gaza

    Ambasadori palestinez në Kombet e Bashkuara, Riyad Mansour, ka shpërthyer në lot gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme, teksa foli për tragjedinë që po ndodh në Gaza.

    Duke folur me një zë të dridhur dhe me sy të mbushur me lot, Mansour përshkroi realitetin tronditës që po përjetojnë fëmijët palestinezë, veçanërisht ata që po vuajnë nga uria dhe pasojat e bombardimeve.

    “Dhjetëra fëmijë po vdesin nga uria. Imazhet e nënave që përqafojnë trupat e tyre të palëvizshëm, ua përkëdhelin flokët, u flasin, u kërkojnë falje. Është e padurueshme. Si mund ta bëjë dikush? Më falni, z. President. Kam nipër e mbesa. E di çfarë nënkuptojnë ata për familjet e tyre, dhe të shohësh këtë situatë mbi palestinezët pa pasur zemër për të bërë diçka, është përtej aftësisë së çdo qenieje normale njerëzore për ta toleruar”, tha ai.

    Gjatë fjalimit, Mansour përmendi edhe rastin tragjik të mjekes palestineze, Dr. Alaa al-Najjar, e cila humbi nëntë nga dhjetë fëmijët e saj, të cilët mbërritën të vdekur dhe të djegur në spitalin ku ajo punonte.

    Momenti kulmoi kur ai u përlot dhe u detyrua ta ndërpresë për pak çaste fjalën e tij, duke lënë një sallë të tërë në heshtje dhe tronditje.

  • Bizneset në protestë, bllokojnë hyrjet kryesore të Prishtinës për dy orë

    Bizneset në protestë, bllokojnë hyrjet kryesore të Prishtinës për dy orë

    Bizneset në Prishtinë do të organizojnë një protestë paqësore sot, duke bllokuar hyrjet kryesore të qytetit për dy orë në kundërshtim me liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, që pritet të hyjë në fuqi më 1 qershor.

    Oda Ekonomike e Kosovës njofton se protestat do të zhvillohen nga ora 10:00 deri në 12:00, ndërsa bllokimi do të prekë disa hyrje kryesore të Prishtinës.

    Hyrja nga Veterniku dhe Gjilani, duke përfshirë hyrjen nga Albi Mall dhe poshtë Veternikut, do të bllokojë aksesin nga Ferizaj, Gjilan dhe Aeroporti.

    Po ashtu, hyrja nga Fushë-Kosova dhe Mitrovica, përfshirë hyrjen nga rrethi i Madh te Lakrishtja (Dukagjini Tower), do të jetë e bllokuar, ndërsa hyrja nga Podujeva në lagjen Vranjevc, te ish-Humanisti dhe udhëkryqi pranë bankës Raiffeisen, do të bllokojë hyrjet dhe daljet nga Podujeva dhe lëvizjet nga Dragodani drejt Shkabaj/Orlloviq.

    Automjetet e kompanive të prekura nga vendimi për liberalizimin e tregut të energjisë do të vendosen në rrugë për të bllokuar trafikun.

    Oda Ekonomike paralajmëron se nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, protestat do të vazhdojnë dhe mund të zgjasin deri në 4 orë, duke përfshirë bllokimin e plotë të hyrjeve të Prishtinës.

    “Në mungesë të reagimit institucional: protesta do të vazhdojë çdo ditë, gjatë gjithë ditës, deri në reflektim dhe veprim konkret nga institucionet përgjegjëse”, thuhet në njoftim.