ATV

Author: G.O.

  • Sot përpjekja e 23-të për konstituimin e Kuvendit

    Sot përpjekja e 23-të për konstituimin e Kuvendit

    Deputetët e zgjedhur në zgjedhjet e 9 shkurtit do të mblidhen sërish sot në Kuvendin e Kosovës, në përpjekjen e 23-të me radhë për ta konstituar Legjislaturën e Nëntë.

    Seanca është caktuar të vazhdojë nga ora 11:00.

    Edhe përpjekja e fundit për konstituim, e mbajtur të martën, ka dështuar, pasi Kuvendi nuk arriti ta formojë as komisionin për votim të fshehtë – hap ky i domosdoshëm për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

    Në votimin e së martës morën pjesë vetëm 55 deputetë – 54 prej tyre votuan pro, një ishte kundër dhe nuk pati asnjë abstenim. Pjesa tjetër e deputetëve nuk mori pjesë fare në votim, duke bërë që të mungojë kuorumi i nevojshëm. Si pasojë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi ndërprerjen e saj, duke paralajmëruar se do të vazhdojë të enjten në të njëjtën orë.

    Në përpjekje për ta zhbllokuar situatën, deputetja Albulena Haxhiu – e cila është kandidate e Vetëvendosjes për postin e kryeparlamentares – u bëri thirrje kolegëve të saj që të mundësojnë votimin e komisionit për votim të fshehtë.

    “Pavarësisht qëndrimeve personale dhe asaj çfarë ka ndodhur në të kaluarën, ne jemi shumë të hapur të bashkëpunojmë me subjektet politike, por asnjëherë nuk do t’i pranojmë kërkesat e tyre të paarsyeshme, të pajustifikueshme, të cilat nuk përkojnë as me Kushtetutën e as me aktgjykimin e Kushtetueses”, deklaroi Haxhiu, e cila aktualisht është ministre në detyrë e Drejtësisë.

    Pavarësisht apeleve për bashkëpunim dhe hapje politike, Kuvendi po vazhdon të mbetet i paralizuar për më shumë se tre muaj pas zgjedhjeve – dhe e gjithë vëmendja tashmë është te dita e nesërme, për të parë nëse legjislatura do të marrë më në fund formë institucionale.

  • Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për vrasjen e argjentinases në Fushë-Kosovë

    Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për vrasjen e argjentinases në Fushë-Kosovë

    Endrit Nika, i cili po akuzohet për vrasjen e shtetases argjentinase (të dashurës së tij) në Fushë-Kosovë më 2023, është deklaruar i pafajshëm të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    Fillimisht, prokurori i rastit Armend Hamiti e lexoi aktakuzën, për të cilën i akuzuari Nika u deklarua i pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”

    “100% i pafajshëm”, u shpreh i akuzuari Nika.

    Seanca vazhdoi me dhënien e fjalës hyrëse të palëve në procedurë, ku prokurori Hamiti deklaroi se në bazë të provave të propozuara si në aktakuzë, dëgjimit të dëshmitarëve dhe provave materiale, do të vërtetohet përtej dyshimit të bazuar mirë se akuzuari ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë.

    Kurse, përfaqësuesi i palës së dëmtuar- avokati Betim Shala deklaroi se e mbështet fjalën hyrëse të prokurorit, duke theksuar se edhe familja e të ndjerës i bashkohet kësaj ndjekje penale. Tha se gjatë këtij procesi gjyqësor do të parashtrojnë kërkesë pasurore-juridike.

    Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Nika, avokati Drilon Imeri, deklaroi se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të vertetohet pafajësia e të mbrojturit të tij, duke u shprehur se mbrojtja vlerëson se i akuzuari do të lirohet nga akuza si i pafajshëm.

    Në këtë seancë, në cilësinë e dëshmitares u ndëgjua nëna e të ndjerës M.K-U, M.M-M., e cila rrëfeu për lidhjen që kishte bija e saj me tani të akuzuarin Nika. Ajo përshkroi gjithë rrjedhën e ngjarjes vetëm nga komunikimet që kishte përmes telefonit me të bijën.

    Dëshmitarja deklaroi se vajza e saj ishte njohur në Barcelonë me të akuzuarin Nika, ndërsa në Kosovë kishe ardhur pasi që ishte ftuar në dasmën e vëllait të të akuzuarit.

    “Më tregoi se është ftuar në dasmën e vëllait të Endritit në Kosovë, më tregoi se prindërit e Endritit tashmë kanë shkuar në Kosovë dhe po organizojnë dasmën”, tha M.M-M.

    Ndërsa, e pyetur se si kishte kuptuar për ngjarjen, dëshmitarja deklaroi se atë e kishte kontaktuar shoqja e tani të ndjerës.

    “Shoqja e saj ka komunikuar me mua në Argjentinë, ka qenë 2 gusht, ora 17:30 pasdite dhe me thotë diçka i ka ndodhë K.”, tha ndër të tjera dëshmitarja.

    Sipas planifikimit të kësaj gjykate, në radhë për dhënien e dëshmisë ishte edhe një dëshmitare tjetër, mirëpo prokurori Hamiti kërkoi ndërprerjen e seancës për arsye shendetësore.

    Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Gazmend Bahtiri ndërpreu seancën e sotme dhe të radhës e caktoi për një datë tjetër.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2025, Prokuroria Themelore në Prishtinë, Endrit Nika akuzohet se më 1 gusht 2023 në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshje paraprake me të dashurën e tij- tani të ndjerën M.K-U., të cilën paraprakisht e godet në vazhdimësi dhe tenton ta shkelë me veturë tek parkingu jashtë hotelit, dhe pasi që hyjnë në hotel- në dhomën ku ishin duke qëndruar i pandehuri Nika me dashje që ta privojë nga jeta tani të ndjerën M.K-U ka vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj të dëmtuarës, duke e dërguar në qoshe të dhomës nga ku nuk ka pasur mundësi të largohet dhe nga goditjet dhe shtyrjet që i ka bërë tani të ndjerës M. K-U., e ka nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë. Me ç’rast, tani e ndjera si pasojë e lëndimeve edhe përkundër trajtimit mjekësor ka ndërruar jetë në QKUK.

    Me këtë, i akuzuari Endrit Nika akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.3 të Kodit Penal.

  • Ambasadorja holandeze bën thirrje për formimin e institucioneve të reja në Kosovë

    Ambasadorja holandeze bën thirrje për formimin e institucioneve të reja në Kosovë

    Në mesin e reagimeve ndërkombëtare për zhvillimet politike në Kosovë, ka ardhur edhe një thirrje nga ambasadorja e Holandës në Kosovë, Karin Boven, e cila ka theksuar rëndësinë e formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja.

    Përmes një deklarate, ambasadorja Boven ka theksuar se është koha që lidershipi politik të tregojë përkushtim dhe vendosmëri drejt integrimit evropian.

    “Tani është me rëndësi të demonstrohet përkushtimi dhe të sigurohemi që të formohet qeveria e re, në mënyrë që vendosmëria për integrim në BE të marrë formë përmes rezultateve konkrete”, ka thënë ajo.

  • I nxehti afrikan vjen në Ballkan nga java tjetër, preket edhe Kosova

    I nxehti afrikan vjen në Ballkan nga java tjetër, preket edhe Kosova

    Duke filluar nga kjo fundjavë, e veçanërisht të dielën më 1 qershor, rajoni i Ballkanit, përfshirë Kosovën dhe veçanërisht Maqedoninë e Veriut, pritet të përfshihet nga një valë ajri të ngrohtë që vjen nga Afrika.

    Kjo do të sjellë rritje të ndjeshme të temperaturave, duke sjellë temperaturat e ajrit të verës.

    Në fundjavë, në Kosovë temperaturat do të shkojnë deri në 26 gradë, ngjashëm do të jetë edhe në Maqedoni.

    Nga e diela, temperaturat në rajon do të jenë si të verës, duke u ngjitur në intervalin 20-28 gradë Celsius.

  • Si të mbrohemi nga rriqrat? Aplikoni këto metoda për të parandaluar ngjitjen e tyre në trup

    Si të mbrohemi nga rriqrat? Aplikoni këto metoda për të parandaluar ngjitjen e tyre në trup

    Rriqrat janë insekte të vogla, parazitare, të afërta me gjarpërinjtë dhe merimangat. Në disa faza të ciklit të tyre jetësor, rriqrat mund të pickojnë njerëzit.

    Pickimet e disa rriqrave mund të transmetojnë sëmundje, siç është sëmundja e Lyme. Një person mund të ndihmojë në parandalimin e pickimeve duke shmangur zonat me rrezik dhe duke veshur rroba mbrojtëse.

    Por si t’i shmangim ato, më poshtë kemi listuar disa metoda për të shmangur ngjitjen e tyre.

    Çfarë duhet të bëni para se të dilni jashtë?

    Rriqrat preferojnë ambiente të caktuara. Prandaj, shmangia e zonave të rrezikshme është një mënyrë efektive për të parandaluar pickimet.

    Rriqrat ngjiten në barërat e larta, por zakonisht nuk ngrihen më shumë se 60 cm nga toka. Përndryshe, qëndrojnë afër tokës pranë dheut. Para se të dilni në një ambient me rrezik, sigurohuni që keni veshje të përshtatshme që do t’ju mbrojë nga pickimet.

    Mund të ndërmerrni këto hapa për të shmangur kontaktin direkt me rriqrat:

    Vishni rroba me ngjyra të hapura që e bëjnë më të lehtë dallimin e rriqrave;

    Vishni rroba me pëlhurë të dendur;

    Vishni këpucë të izoluara mirë që mbrojnë këmbët;

    Vishni pantallona të gjata dhe futini ato në çorape ose çizme;

    Vishni këmisha me mëngë të gjata dhe mbërthejeni mirë në rroba;

    Mbani flokët të lidhur, sidomos nëse jeni duke punuar në kopsht;

    Përdorimi i një parandaluesi insektesh që përmban permethrin dhe aplikimi i tij mbi rroba mund të vrasë rriqrat kur ato prekin pëlhurën. Para se të vishni rrobat, është më mirë t’i spërkasni jashtë ose në një vend me ventilim të mirë për të shmangur thithjen e kimikateve.

    Produkte me permethrin nuk duhet t’i aplikoni drejtpërdrejt mbi lëkurë.

    Çfarë duhet të keni parasysh gjatë qëndrimit jashtë?

    Gjatë qëndrimit jashtë, është mirë të shmangni kontaktin me vendet ku rriqrat janë të zakonshme. Rriqrat nuk bien nga lartësitë mbi njerëzit, por ngjiten lart derisa gjejnë një zonë të mbrojtur, si për shembull këmbën e pantallonave.

    Duhet të shmangni kontaktin me:

    Tokën

    Gjethet e thara

    Muret e vjetra prej guri

    Bimësi të ulët, si livadhet me shkurre

    Çfarë duhet të bëni pasi të ktheheni nga jashtë?

    Pasi të ktheheni nga ambienti jashtë, mund të ndërmerrni këto hapa për të kontrolluar dhe parandaluar pickimet e mundshme:

    Kontrolloni trupin me duar – Rriqrat janë shumë të vegjël dhe mund t’i ndjeni para se t’i shihni. Për këtë arsye, përdorni duart për kontroll dhe jo vetëm sytë.

    Lani rrobat – Hiqni menjëherë rrobat, lajini dhe thani në temperaturë të lartë (për rreth 1 orë) për të vrarë rriqrat që mund të jenë aty.

    Dush – Bëni dush brenda 2 orëve pas kthimit në shtëpi për të larë rriqrat që nuk kanë patur kohë të lidhen me lëkurën. Kontrolloni posaçërisht në sqetulla, flokë, veshë dhe ijë.

    Kontrolloni fëmijët dhe kafshët shtëpiake – Përdorni një furçë për të hequr rriqrat nga qimet e kafshëve para se të ngjiten në lëkurë.

  • “Peceta nuk është luks”, QIKA me aksion simbolik para Qeverisë

    “Peceta nuk është luks”, QIKA me aksion simbolik para Qeverisë

    Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA, me një aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës – “Peceta nuk është luks”, ka kërkuar heqjen e menjëhershme të TVSH-së dhe tarifave doganore për produktet menstruale.

    Një ditë më parë, një grup prej 71 organizatash të shoqërisë civile, në bashkëpunim me QIKA-n, i kanë bërë thirrje Ministrisë së Financave për heqjen e menjëhershme të TVSH-së për këto produkte.

    28 maji – Dita botërore e higjienës menstruale

  • Bizneset në protestë, nesër bllokohen hyrjet kryesore të Prishtinës

    Bizneset në protestë, nesër bllokohen hyrjet kryesore të Prishtinës

    Të enjten e 29 majit hyrjet kryesore të Prishtinës do të mbyllen për dy orë nga bizneset, në shenjë proteste ndaj liberalizmit të tregut të energjisë elektrike, që pritet të hyjë në fuqi më 1 qershor.

    Në një kërkesë për bizneset, Oda Ekonomike e Kosovës ka njoftuar se për dy orë do të ketë protestë paqësore, teksa ka paralajmëruar se ato do të vazhdojnë deri në plotësim të kërkesave të bizneseve që të shtyhet dalja në treg të lirë dhe që të niset dialogu për të gjetur zgjidhje të pranueshme që tranzicioni të ndikojë sa më pak në sektorin privat, transmeton Koha.net.

    Nga ora 10:00 deri në orën 12:00 do të bllokohen këto hyrje të Prishtinës:

    Hyrja nga Veterniku – Hyrja nga Gjilani – do të bllokohet hyrja nga Albi Mall e poshtë Veternikut – Kështu bllokohen të gjitha hyrjet (Ferizaj, Gjilan, Aeroport)

    Hyrja nga Fushë-Kosova – Hyrja nga Mitrovica – do të bllokohet hyrja prej rrethit të Madh te Lakrishtja (Dukagjini tower) – Kështu bllokohen të gjitha hyrjet nga Mitrovica dhe Fushë-Kosova

    Hyrja nga Podujeva – Hyrja në lagjen e Vranjevcit – te ish-Humanisti – Udhëkryqi te banka Raiffeisen – bllokohen hyrje-daljet nga Podujeva, por edhe lëvizjet nga Dragodani në drejtim të Shkabaj/Orlloviq.

    Rrugët do të bllokohen nga automjetet e kompanive që do të preken nga vendimi për dalje në treg të lirë.

    Nëse kërkesat nuk plotësohen, Oda Ekonomike ka paralajmëruar protesta me kohëzgjatje deri në 4 orë dhe bllokim të plotë të hyrjeve në Prishtinë.

    “Në mungesë të reagimit institucional: protesta do të vazhdojë çdo ditë, gjatë gjithë ditës, deri në reflektim dhe veprim konkret nga institucionet përgjegjëse”, thuhet në njoftim.

    Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk ka sqaruar se si do të ndikojë në tarifat e energjisë dalja në treg të hapur e konsumatorëve me mbi 10 milionë euro qarkullim ose me mbi 50 punëtorë. Por sipas Odës Ekonomike, në treg të lirë janë ofertat me çmime prej 200 për qind më të larta.

  • 28 maji – Dita botërore e higjienës menstruale

    28 maji – Dita botërore e higjienës menstruale

    Sot shënohet 28 Maji, Dita Botërore e Higjienës Menstruale, ndërsa Rrjeti i Grave të Kosovës bën të ditur se ka dërguar te Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve rekomandimet përmes së cilave ka kërkuar heqjen e taksës prej 18 për qind në produktet menstruale.

    Higjiena menstruale përfshin të gjitha praktikat që ndihmojnë vajzat dhe gratë të kujdesen për trupin e tyre gjatë ciklit menstrual. Kjo përfshin përdorimin e produkteve të pastra dhe të sigurta si pecetat higjienike, tamponët ose kupat menstruale, ndërrimin e tyre me rregullsi, si dhe larjen e zonës intime me ujë të pastër dhe sapun të butë.

    RrGK ka përsëritur se kjo taksë është diskriminuese dhe barrë shtesë për vajzat dhe gratë në Kosovë dhe pengesë drejt realizimit të së drejtës së tyre për kujdes të përballueshëm shëndetësor.

    Aktualisht produktet e higjienës për ciklin menstrual tatohen në Kosovë për 18% të vlerës së tyre, njësoj siç tatohen edhe produktet e luksit.

    Megjithatë është e rëndësishme të dimë edhe anën shëndetësor se mungesa e higjienës menstruale mund të çojë në infeksione serioze, siklet fizik dhe emocional, si dhe në mungesa në shkollë apo punë për shumë vajza. Për më tepër, në shumë vende ende ekzistojnë tabu dhe turp i panevojshëm rreth kësaj teme, çka e bën edhe më të vështirë kujdesin e duhur.

    Në disa kultura, gratë ndalohen të hyjnë në kuzhinë ose në vende të shenjta gjatë menstruacioneve, për shkak të besimeve tradicionale. Megjithatë, këto besime nuk kanë bazë shkencore dhe shpesh çojnë në izolim të padrejtë të vajzave dhe grave.

    Sot ekzistojnë shumë alternativa për menaxhimin e menstruacioneve: nga pecetat njëpërdorimshe, tamponët, kupa menstruale e deri te pecetat e ripërdorshme me materiale natyrale. Kupa menstruale është një zgjedhje ekologjike dhe ekonomike, pasi mund të përdoret për disa vite.

    Shumë vajza ndihen të turpëruara ose të frikësuara kur përjetojnë menstruacionet për herë të parë, shpesh nga mungesa e informacionit. Edukimi në familje dhe në shkolla është jetik për t’u dhënë vajzave vetëbesim dhe njohuritë e duhura për të kujdesur për veten.

    Gjatë gjithë jetës, një grua mesatarisht kalon rreth 7 vite në menstruacione në total. Kjo tregon sa e rëndësishme është që shëndeti dhe mirëqenia gjatë kësaj periudhe të merren seriozisht dhe të mos trajtohen si temë tabu.

  • Aksion vullnetar për dhurimin e gjakut në Drenas nga qendra për edukim dhe zhvillim të mjedisit, CEDE

    Aksion vullnetar për dhurimin e gjakut në Drenas nga qendra për edukim dhe zhvillim të mjedisit, CEDE

    Më 27 maj, në Drenas u zhvillua për herë të tretë me radhë aksioni vullnetar për dhurimin e gjakut, i organizuar nga Qendra për Edukim dhe Zhvillim të Mjedisit – CEDE. Aty u vërejt interesim shumë I madh nga qytetarët që iu bashkuan kësaj nisme humane, duke dëshmuar një solidaritet të thellë dhe dëshirë për të ndihmuar të tjerët.

    Drejtori i CEDE-së, Arben Nika, shpjegoi se data e 27 majit është zgjedhur me qëllim për nder të babait të tij, i cili është vrarë në këtë datë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ky aksion është një mënyrë për të dhënë kontribut në shoqëri dhe për të kujtuar të kaluarën.

    Në këtë aksion mori pjesë edhe nënkryetari i Komunës së Drenasit, Arben Shala, i cili theksoi rëndësinë e dhurimit të gjakut si një akt jetik solidariteti dhe mbështetjeje.

    Një dozim gjaku mund të shpëtojë jetë dhe të bëjë ndryshimin për dikë që ka nevojë.

    Dhurimi i gjakut është një akt human dhe përgjegjësi qytetare që secili prej nesh duhet ta marrë seriozisht për të ndihmuar komunitetin dhe për të ndërtuar një shoqëri më të fortë dhe më të bashkuar.

  • Edicioni i gjashtë i festivalit “Prishtina Arts and Architecture Festival”

    Edicioni i gjashtë i festivalit “Prishtina Arts and Architecture Festival”

    Prej 26 deri më 28 maj, Kolegji AAB në Prishtinë është kthyer në një laborator të hapur për ide, forma dhe ngjyra.

    Edicioni i gjashtë i Prishtina Arts and Architecture Festival këtë vit mban temën “Një me të Ardhmen”, duke ftuar studentë, pedagogë, profesionistë dhe artdashës për të menduar bashkë: si duket arti kur përpiqet t’i flasë asaj që ende s’ka ndodhur?

    Nëpër korridore, ekspozita, punëtori dhe skena të improvizuara, një energji e re qarkullon, e pastër, studentore dhe eksperimentale. Në këtë atmosferë, një ndër format më autentike të bashkëpunimit ishte kolonia artistike, e cila bashkoi studentë të Kolegjit AAB, të Universitetit të Prishtinës dhe maturantë të Shkollës së Mesme të Artit Pamor në Gjilan. Në vend që secili të punojë veçmas, ata u mblodhën për të krijuar bashkë. Rezultati? Punë që flasin në shumë gjuhë, por që kuptohen menjëherë nga syri i ndjeshëm.

    Ky lloj festivali nuk është vetëm platformë ekspozimi, është si një stacion ku arti ndalon, merr frymë, shkëmben përvoja dhe nis prapë rrugën. Disa studentë këtu kanë ekspozuar për herë të parë. Disa po eksperimentojnë me teknologji. Disa thjesht po luajnë me idenë e të qenit “një me të ardhmen”, pa garë, pa stres, veç me kurreshtje.

    Në një vend ku shpesh arti mbyllet në mure të ftohta ose mbulohet nga heshtja institucionale, Prishtina Arts and Architecture Festival vjen si një thirrje e zëshme: arti është gjallë, rinia po e shtyn përpara dhe ndoshta e ardhmja s’është kaq larg sa mendojmë.