ATV

Author: G.O.

  • Dita botërore kundër abuzimit dhe trafikimit të drogës

    Dita botërore kundër abuzimit dhe trafikimit të drogës

    Çdo vit, më 26 qershor, shënohet Dita Botërore Kundër Abuzimit dhe Trafikimit të Drogës, e cila u themelua nga OKB-ja më 7 dhjetor 1987 për të rritur vetëdijen globale mbi pasojat e rënda të përdorimit të substancave narkotike dhe trafikut të tyre.

    Kjo iniciativë ndërkombëtare synon të mobilizojë individët, institucionet dhe shoqërinë civile për një qasje të përbashkët kundër një fenomeni që cënon shëndetin, sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

    Pasojat e abuzimit me drogë:

    Shëndeti fizik dhe mendor:

    Substancat si heroina, kokaina, kanabisi dhe drogat sintetike shkaktojnë varësi, dëmtime të organeve vitale, probleme psikike si depresioni dhe ankthi, dhe rritin rrezikun e infeksioneve si HIV/AIDS.

    OBSH vlerëson se çdo vit humbin jetën mbi 500,000 njerëz si pasojë e abuzimit me substanca.

    Pasojat sociale:

    Familjet shpërbëhen, rritet kriminaliteti, dhe të rinjtë humbasin rrugën e edukimit.
    Trafiku i drogës shpesh lidhet me korrupsionin, papunësinë dhe pabarazitë sociale, veçanërisht në vendet në zhvillim.

    Përgjigja globale dhe rajonale:

    OKB ka miratuar Konventat e viteve 1961, 1971 dhe 1988, si dhe ka themeluar institucione si Komisioni për Drogat dhe Krimin, që promovojnë trajtimin dhe rehabilitimin, përkrah ndjekjes penale.

    OBSH, UNESCO dhe organizata të tjera ofrojnë programe edukative, trajtimi dhe ndërgjegjësimi në nivel global.

    Bashkimi Evropian, përmes strategjisë 2021–2025, fokusohet te siguria, të dhënat digjitale dhe qasja shëndetësore ndaj varësisë.

    Shembuj rajonalë dhe kombëtarë:

    Në Shqipëri, fushata si “Faleminderit që nuk provove” nxisin ndërgjegjësimin te të rinjtë.

    Në Kosovë, Qendra për Këshillim dhe Trajtim të Varësisë (QKTV) ndihmon individët përmes psikologëve dhe terapistëve të trajnuar.
    Aktivitetet si “Fëmijët Kundër Drogës (FOD)” ofrojnë edukim në komunitet dhe shkolla.

    Pse kjo ditë është më e rëndësishme se kurrë?

    Drogat sintetike po shpërndahen me shpejtësi përmes internetit dhe rrjeteve sociale, duke rritur rreziqet e mbidozës.

    Pandemia COVID-19 dhe krizat ekonomike kanë ndikuar negativisht në shëndetin mendor, varfëri dhe abuzim me substanca.

    Ndërgjegjësimi është hapi i parë drejt ndryshimit. Le ta përdorim këtë ditë si thirrje për veprim, edukim dhe bashkëpunim në luftën kundër abuzimit dhe trafikimit të drogës.

  • Bërnabiq paralajmëron vazhdimin e arrestimeve në prag të protestës të shtunën në Beograd

    Bërnabiq paralajmëron vazhdimin e arrestimeve në prag të protestës të shtunën në Beograd

    Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë të enjten se autoritetet do të vazhdojnë t’i arrestojnë ata që “përgatisin vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Serbisë”, në prag të protestës antiqeveritare të thirrur për të shtunën.

    Një ditë më parë, policia serbe i arrestoi gjashtë njerëz për gjoja planifikimin e “ndryshimit të Qeverisë në mënyrë të dhunshme” në një protestë që studentët e kanë paralajmëruar për 28 qershor në Beograd, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    “Aksioni për arrestimin dhe identifikimin e këtyre organizatave terroriste do të vazhdojë patjetër. Presidenti i Serbisë do të vazhdojë takimet me shërbimet e sigurisë dhe policinë e lartë me qëllim ruajtjen e rendit kushtetues dhe parandalimin e gjakderdhjes që ata planifikuan në Vidovdan”, tha Bërnabiq për televizionin Pink.

    Zyra e Prokurorit të Lartë Publik njoftoi se të dyshuarit u pajtuan të mos ktheheshin në shtëpi derisa të “vrisnin ose shkatërronin” përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, dhe se ata njoftuan përdorimin e armëve të zjarrit dhe përgatitën “një sulm ndaj oficerëve të policisë me qëllim çarmatosjen e tyre”.

    Bërnabiq “përgëzoi” mediat që morën pjesë në krijimin e një emisioni special të transmetuar më 25 qershor në disa kanale televizive proqeveritare, i cili paraqiti materiale rreth planeve të supozuara për protesta dhe bllokada në Serbi gjatë shtatë muajve të fundit.

    Kryetari i Partisë Progresive Serbe në pushtet, Millosh Vuçeviq, tha gjithashtu se beson që arrestimet nuk kanë mbaruar dhe vlerësoi se shërbimet e sigurisë duhet të identifikojnë “të gjithë” ata që, sipas tij, po planifikojnë ta marrin pushtetin me dhunë.

    Vuçeviq i tha Pinkut se këto arrestime “konfirmojnë më së miri se shteti është konsoliduar pas përpjekjes për revolucionin me ngjyra”.

    Më 23 qershor, policia arrestoi gjithashtu Stefan Tomiq, një student në Fakultetin e Fizikës në Beograd, nën dyshimin për “thirrje për një ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues”.

    Arrestimi i tij u dënua nga studentët në bllokadë, profesorët dhe qytetarët që u mblodhën në protestë më 26 qershor para Pallatit të Drejtësisë në Beograd, ku Tomiq pritet të merret në pyetje.

    Që nga fillimi i protestave të mëdha në Serbi, policia ka arrestuar vazhdimisht studentë, profesorë dhe demonstrues – disa prej tyre nën dyshimin për përpjekje për të përmbysur me dhunë rendin kushtetues.

    Një nga kërkesat e studentëve në bllokadë është që të pezullohen procedurat penale kundër të gjithëve, me vlerësimin se ata u arrestuan në kundërshtim me ligjin dhe se ky është një rast presioni dhe frikësimi nga autoritetet.

    Studentët filluan bllokadat e fakulteteve dhe protestat në fund të nëntorit 2024, duke kërkuar përgjegjësi nga autoritetet për vdekjen e 16 njerëzve në shembjen e një strehe betoni në stacionin e trenit të Novi Sadit më 1 nëntor./REL

  • Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj një personi për shpëlarje parash – ia sekuestron pasurinë rreth 400 mijë euro

    Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj një personi për shpëlarje parash – ia sekuestron pasurinë rreth 400 mijë euro

    Prokuroria Speciale ka dorëzuar një aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër të pandehurit G.S. për veprën penale “shpëlarje e parasë”, sipas nenit 56, paragrafi 1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.

    Sipas aktakuzës, G.S. akuzohet se gjatë periudhës 2019-2023, duke qenë i vetëdijshëm se shuma prej 898,937.84 euro ka buruar nga veprimtaria kriminale, ai e ka pranuar dhe menaxhuar këtë pasuri me qëllim që ta fshehë apo maskojë natyrën, burimin, disponimin, lëvizjen dhe pronësinë e saj. Kjo është realizuar përmes kontratave fiktive dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë të dyshuar jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

    Përveç të pandehurit, në aktakuzë është përfshirë edhe personi juridik “G.S. I.S.”, pasi Prokuroria Speciale dyshon se ky biznes është themeluar dhe përdorur nga i pandehuri për të qarkulluar mjetet dhe maskuar produktet e aktivitetit kriminal.

    Pjesë e aktakuzës është edhe prona që është objekt i pastrimit të parave, përfshirë pesë parcela tokësore me vlerë rreth 355,800 euro, të cilat janë sekuestruar nga Gjykata me kërkesë të Prokurorisë Speciale. Po ashtu, është propozuar që prona të konfiskohet pas përfundimit të procesit gjyqësor.

    Prokuroria Speciale ka propozuar që ndaj personit juridik të shqiptohet dënim me gjobë dhe sanksion penal “Pushimi i personit juridik”, ndërsa ndaj të pandehurit të shqiptohet dënim plotësues “Ndalimi i ushtrimit të veprimtarisë” për llojin dhe veprimtarinë që ka ushtruar si person përgjegjës i personit juridik të përmendur.

  • Kurti mirëpriti marrëveshjen Ukrainë-Këshilli i Evropës për Tribunal Special

    Kurti mirëpriti marrëveshjen Ukrainë-Këshilli i Evropës për Tribunal Special

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e mirëpriti lajmin për arritjen e një marrëveshjeje në mes të Ukrainës dhe Këshillit të Evropës për themelimin e një Tribunali Special për Krimin e Agresionit.

    Kurti ka thënë se ky është një moment historik dhe se Kosova e mirëpret këtë hap të madh përpara për drejtësinë ndërkombëtare.

    “Këshilli i Evropës dërgon një mesazh të qartë: sundimi i ligjit do të mbizotërojë mbi agresionin. Nuk mund të ketë pandëshkueshmëri”, shkroi Kurti.

  • KQZ-ja sot hapi afatin 49 ditor për dorëzimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit

    KQZ-ja sot hapi afatin 49 ditor për dorëzimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hapur procesin e aplikimit për certifikimin e subjekteve politike për Zgjedhjet Lokale 2025.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se subjektet politike mund të aplikojnë deri më 13 gusht.

    “Duke filluar nga dita e sotme, 26 qershor dhe deri më 13 gusht 2025, subjektet politike mund të aplikojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për t’u certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë edhe listën me emrat e kandidatëve për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale”, deklaroi ai.

    “Po ashtu, është në vullnetin e subjekteve politike që të zgjedhin nëse në një komunë të caktuar do të garojnë vetëm në zgjedhje për Kryetar Komune ose për Kuvend Komunal apo për të dyja së bashku. Me qëllim të lehtësimit të aplikimit, ky proces do të mundësohet online, përmes platformës elektronike”, potencoi ai.

    Ndryshe, Zgjedhjet Lokale të vitit 2025 do të mbahen më 12 tetor dhe do të përcaktojnë përbërjen e re të Kuvendeve Komunale si dhe Kryetarët e rinj të Komunave në të gjithë vendin.

  • Vala e të nxehtit në Kosovë, Gashi: Të shmanget dielli dhe të pihet sa më shumë ujë

    Vala e të nxehtit në Kosovë, Gashi: Të shmanget dielli dhe të pihet sa më shumë ujë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se gjatë ditës së sotme temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 35 gradë Celsius.

    Për shkak të kësaj vale të nxehtësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka dhënë dje disa rekomandime për mbrojtje, duke theksuar rreziqet për grupet e cenueshme si të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

    Ndërkohë, kryeshefi i Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë, Mustafa Gashi, mbrëmë në emisionin COMPASS në ATV, tha se vala e të nxehtit rrezikon pothuajse gjithë popullatën, veçanërisht fëmijët, shtatzënat dhe personat me sëmundje kronike.

    Ai rekomandoi shmangien e diellit, hidratim të rregullt dhe qëndrim në ambiente të freskëta.

  • Kanosje ndaj zyrtarëve policorë në Pejë , i dyshuari dërgohet në vuajtje të dënimit

    Kanosje ndaj zyrtarëve policorë në Pejë , i dyshuari dërgohet në vuajtje të dënimit

    Një person është arrestuar në Pejë pasditen e djeshme, pasi dyshohet se ka kanosur zyrtarët policorë gjatë ndërhyrjes së tyre në rrugën “Adem Jashari”.

    I dyshuari është shtetas kosovar.

    Gjatë verifikimit të të dhënave, Policia ka konstatuar se ndaj tij ishte lëshuar edhe një urdhëresë aktive nga gjykata për ekzekutimin e një dënimi me burg.

    Pas arrestimit, i dyshuari është dërguar menjëherë në vuajtje të dënimit, ndërsa për veprimet ndaj zyrtarëve policorë është iniciuar rast i ri penal.

  • Trump kërkon që gjyqi ndaj Netanyahut të anulohet

    Trump kërkon që gjyqi ndaj Netanyahut të anulohet

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka kërkuar që Izraeli ta falë kryeministrin Benjamin Netanyahu, ose ta anulojë gjyqin ndaj tij për korrupsion, duke thënë se SHBA-ja do ta shpëtojë atë ashtu siç e shpëtoi vendin e tij.

    Ndaj Netanyahut u ngrit aktakuzë për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit në vitin 2019. AI i mohon të gjitha akuzat.

    Gjyqi ndaj tij filloi në vitin 2020 dhe përfshin tri çështje penale. Netanyahu është deklaruar i pafajshëm.

    “Gjyqi i Bibi Netanyahut duhet të ANULOHET, MENJËHERË, ose të falet Heroi i Madh, i cili ka bërë kaq shumë për shtetin [e Izraelit]”, shkroi Trump në platformën Truth Social të mërkurën, duke shtuar se mori vesh që Netanyahu pritet të paraqitet në gjykatë të hënën.

    Lideri i opozitës izraelite, Yair Lapid, tha se Trump nuk duhet të ndërhyjë në këtë çështje.

    “Me gjithë respektin dhe mirënjohjen për presidentin e Shteteve të Bashkuara, ai nuk duhet të ndërhyjë në një proces ligjor të një shteti të pavarur”, tha Lapid.

    “Shpresoj dhe besoj se ky është një shpërblim që ai [Trump] po i jep atij [Netanyahut], sepse synon të ushtrojë trysni ndaj tij për Gazën dhe për ta detyruar ta pranojë një marrëveshje për pengjet që do ta përfundojë luftën”, i tha Lapid faqes izraelite të lajmeve Ynet.

    Trump e lavdëroi Netanyahun si një “luftëtar”, por shtoi në postimin e tij: “Ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato që e shpëtuan Izraelin, dhe tani do të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato që do ta shpëtojnë Bibi Netanyahun”.

    Duket se ai po i referohej përfshirjes dhe mbështetjes së SHBA-së për sulmet izraelite ndaj programit bërthamor të Iranit, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Nuk është e qartë nëse Trump nënkuptoi se SHBA-ja mund të bëjë diçka konkrete për ta ndihmuar Netanyahun në betejën e tij ligjore.

    Presidenti republikan e përshkroi çështjen kundër udhëheqësit izraelit si “gjueti shtrigash” – një term që Trump e ka përdorur shpesh për t’i përshkruar përpjekjet për ta ndjekur atë penalisht në SHBA, dhe të cilin edhe Netanyahu e ka përdorur për ta përshkruar gjyqin ndaj tij.

    Fjalët e ngrohta të Trumpit vijnë pas një qortimi të rrallë që ai ia bëri të martën Izraelit për sulmet ajrore ndaj Iranit pas armëpushimit./REL

  • Seuli thotë se Koreja e Veriut mund të dërgojë më shumë trupa në Rusi së shpejti

    Seuli thotë se Koreja e Veriut mund të dërgojë më shumë trupa në Rusi së shpejti

    Koreja e Veriut mund të dërgojë trupa shtesë në Rusi për të luftuar në luftën e Moskës kundër Ukrainës në korrik ose gusht, dhe për më tepër është duke vazhduar ta furnizojë Rusinë me armë, thanë të enjten ligjvënësit koreanojugorë, duke cituar agjencinë e inteligjencës.

    Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës (NIS) beson se Rusia mund të jetë duke u përgatitur për një sulm në shkallë të gjerë kundër Ukrainës në korrik ose gusht, tha për gazetarët deputeti koreanojugor, Lee Seong-kweun, pas një seance me dyer të mbyllura.

    “Koha e dislokimit shtesë mund të jetë qysh në korrik ose gusht”, tha Lee, duke shtuar se agjencia përmendi një rund të ri të rekrutimit të trupave për dislokim nga Koreja e Veriut dhe një vizitë të fundit në Penian nga një zyrtar i lartë i sigurisë i presidencës ruse si bazë për vlerësimin e saj.

    Në këmbim të dërgimit të municioneve të artilerisë dhe raketave nga Koreja e Veriut për në Rusi, Peniani ka shumë mundësi të marrë këshilla teknike për lëshimet satelitore dhe sistemet drejtuese të raketave, tha Lee, duke cituar NIS-in, raporton REL.

    Pas muajsh heshtjeje, si Koreja e Veriut ashtu edhe Rusia e bënë publike zhvendosjen e trupave koreanoveriore dhe rolin që kanë luajtur ata në ofensivën e Moskës kundër Ukrainës për ta rimarrë rajonin e Kurskut.

    Të dyja vendet kanë thënë se bashkëpunimi bazohet në traktatin e nënshkruar nga udhëheqësit e tyre në qershorin e vitit të kaluar, që përfshin një pakt të mbrojtjes së ndërsjellë.

  • Liderët e BE-së takohen për të biseduar për sanksione kundër Rusisë, tarifat amerikane dhe Lindjen e Mesme

    Liderët e BE-së takohen për të biseduar për sanksione kundër Rusisë, tarifat amerikane dhe Lindjen e Mesme

    Krerët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian do të mblidhen sot në Bruksel për të biseduar për sanksione më të ashpra kundër Rusisë, mënyrat për t’i shmangur tarifat e reja nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe mënyrën për ta bërë zërin e tyre të dëgjohet në konfliktet në Lindjen e Mesme.

    Shumica e liderëve do të vijnë nga një samit i shkurtër, por intensiv i NATO-s, ku ata u zotuan të mërkurën për një rritje të madhe të shpenzimeve për mbrojtje dhe kufizuan disa prej dallimeve të tyre me presidentin amerikan, Donald Trump.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të marrë pjesë në samitin e BE-së përmes video konferencës, pas takimit të tij me Trumpin të mërkurën në Hagë.

    NATO, e udhëhequr nga SHBA-ja, nuk i kushtoi rëndësi Ukrainës gjatë samitit, por lufta e Rusisë në Ukrainë mbetet shqetësimi kryesor për BE-në.

    Krerët e bllokut do të bisedojnë për rundin e 18-të të sanksioneve kundër Rusisë dhe nëse do të vazhdojnë ta mbajnë çmimin tavan për naftën ruse. Këto masa po kundërshtohen nga disa vende, sepse mund t’i rrisin çmimet e energjisë.

    Ndërkohë, kërcënimi i Trumpit me tarifa po rëndon mbi BE-në, e cila negocion marrëveshje tregtare në emër të të gjitha 27 vendeve anëtare. Trumpi e sulmoi Spanjën të mërkurën për mosshpenzim të mjaftueshëm në mbrojtje dhe sugjeroi tarifa të reja, raporton REL.

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e kritikoi Trumpin për nisjen e një lufte tregtare me aleatë të vjetër.

    Liderët evropianë janë gjithashtu të shqetësuar për pasojat nga luftërat në Lindjen e Mesme dhe BE-ja po shtyn për ringjalljen e negociatave diplomatike me Iranin për programin e tij bërthamor.

    Vendet anëtare të BE-së kanë mosmarrëveshje të brendshme për të kapërcyer. Ato janë të ndara në lidhje me politikat ndaj Izraelit për shkak të veprimeve të tij në Rripin e Gazës. Dhe, partitë e majta po kritikojnë shefen e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për largimin nga drejtimi i politikave klimatike të BE-së në favor të investimeve ushtarake.

    Mbrojtja dhe siguria ka gjasa të jenë në krye të agjendës. Samiti do të përfundojë me një deklaratë përfundimtare që do të përcaktojë agjendën e bllokut për katër muajt e ardhshëm dhe do të shërbejë si tregues i ndjesive politike në Evropë mbi çështje kryesore rajonale dhe globale.