ATV

Author: G.O.

  • Fillon greva e punëtorëve të sigurimit në QKUK

    Fillon greva e punëtorëve të sigurimit në QKUK

    Ka filluar sot greva e paralajmëruar e punëtorëve të sigurimit fizik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pas dështimit të përpjekjeve për zgjidhjen e çështjes së kontratave të ndërprera për rreth 300 punëtorë.

    Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka konfirmuar se greva do të vazhdojë pa afat, pasi sipas tij janë shterur të gjitha mundësitë për dialog me institucionet përgjegjëse.

    Ai ka theksuar se nuk do të ketë kthim prapa pa një zgjidhje konkrete për punëtorët e prekur.

  • Ngërçi politik, shoqëria civile me protestë para Kuvendit

    Ngërçi politik, shoqëria civile me protestë para Kuvendit

    Paralelisht me tentimin e 45-të për konstituimin e legjislaturës së re, aktivistë të shoqërisë civile protestuan para objektit të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar marrëveshje politike dhe zhbllokim të institucioneve.

    Protestuesit mbanin pankarta me mesazhe drejtuar deputetëve si “S’ka pushime pa arritë marrëveshje” dhe “Deputet, kom votu për ty, jo për shefin tënd”, duke kërkuar përgjegjësi nga përfaqësuesit e zgjedhur.

    Pavarësisht kësaj thirrjeje publike, edhe tentimi i 45-të për konstituimin e legjislaturës së 9-të dështoi, pasi partitë e ish-opozitës nuk e përkrahën propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e një komisioni, që do të mundësonte zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votim të fshehtë.

  • Dështon edhe përpjekja e 45-të për konstituimin e Kuvendit

    Dështon edhe përpjekja e 45-të për konstituimin e Kuvendit

    Ka dështuar edhe përpjekja e 45-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

    Seanca e mbajtur të premten zgjati vetëm pak minuta, ndërsa deputetët nisën punimet me një minutë heshtje për viktimat e Masakrës së Srebrenicës, derisa në sallë nuk ishte e pranishme Lista Serbe.

    Kryesuesi i seancës Avni Dehari ua ndërpreu fjalën përfaqësuesve të ish-opozitës. Në sallë ishin të pranishëm 93 deputetë, ndërsa propozimi i Lëvizjes Vetëvendosjes për krijimin e një komisioni që do të mundësonte zhdehjen e kryetarit të Kuvendit me votim të fshehtë, mori vetëm 49 vota.

    Seanca u ndërpre, ndërsa tentimi i radhës është caktuar të mbahet të dielën më 13 korrik.

    Pas ndërprerjes së seancës nga kryesuesi, partitë e ish-opozitës vazhduan qëndrimin në sallën e Kuvendit, duke e akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për refuzimin e zbatimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

  • 30 vjet nga gjenocidi në Srebrenicë, nga Kosova marrin pjesë Kurti dhe Tërnava

    30 vjet nga gjenocidi në Srebrenicë, nga Kosova marrin pjesë Kurti dhe Tërnava

    Bosnja e Hercegovina shënon sot 30-vjetorin e gjenocidit të kryer nga forcat serbe në Srebrenicë, një nga krimet më të rënda në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Më 11 korrik 1995, mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë u vranë në enklavën e shpallur “zonë e sigurt” nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

    Në Qendrën Përkujtimore në Potoçari do të varrosen shtatë viktima të reja të gjenocidit, ndërsa numri i të varrosurve atje ka arritur në mbi 6.700. Rreth 1.000 viktima mbeten ende të zhdukura.

    Në ceremoninë e sotme do të marrin pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe myftiu Naim Tërnava, të cilët do të nderojnë viktimat dhe do të rikujtojnë njohjen ndërkombëtare të gjenocidit.

  • Kërceu nga ballkoni për t’i ikur policisë, arrestohet i dyshuari për vrasjen e ndodhur vitin e kaluar në Kolovicë

    Kërceu nga ballkoni për t’i ikur policisë, arrestohet i dyshuari për vrasjen e ndodhur vitin e kaluar në Kolovicë

    Një i dyshuar për një vrasje të ndodhur vitin e kaluar në lagjen Kolovicë, është arrestuar mbrëmë në Prishtinë.

    Ai u hodh nga kati i katërt i banesës në përpjekje për t’iu shmangur Policisë, por u kap dhe u dërgua për trajtim mjekësor.

    Policia ka sekuestruar mbi 6 kilogramë substancë narkotike të llojit marihuanë, sasi të kokainës, doza të vogla të ekstazisë, një peshore digjitale, si dhe para të gatshme.

    I dyshuari ishte në kërkim edhe me urdhërarrest ndërkombëtar. Aktualisht ai ndodhet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nën kujdes mjekësor, ndërsa rasti është nën hetim nga autoritetet përkatëse.

  • Dy persona gjenden pa shenja jete, Policia po i trajton si “hetim mbi vdekjen”

    Dy persona gjenden pa shenja jete, Policia po i trajton si “hetim mbi vdekjen”

    Dy raste të ndara të vdekjeve janë raportuar të enjten në qytetet e Prizrenit dhe Gjakovës, ku dy burra kanë humbur jetën në rrethana që po hetohen nga autoritetet.

    Në rrugën “Shefqet Kaçaniku” në Prizren, një burrë është gjetur pa shenja jete dje në mesditë, ndërsa në Gjakovë, një tjetër është dërguar pa shenja jete në emergjencë, pasi dyshohet se është alivanosur pas përfundimit të orarit të punës në një firmë ndërtimore.

    Sipas Policisë, në të dyja rastet është njoftuar prokurori, i cili ka urdhëruar që trupat e pajetë të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    Hetimet janë duke vazhduar për të sqaruar shkaqet e vdekjeve.

  • Përfundon ekzaminimi psikiatrik për Naim Murselin, konstatohet se ai nuk ka çrregullim apo sëmundje mendore

    Përfundon ekzaminimi psikiatrik për Naim Murselin, konstatohet se ai nuk ka çrregullim apo sëmundje mendore

    Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka përfunduar ekzaminimin psikiatrik të Naim Murselit, të akuzuar për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt.

    Sipas ekspertizës mjekësore, tek Murseli nuk është konstatuar asnjë çrregullim mendor apo ndonjë gjendje që do të ndikonte në aftësinë e tij për të kuptuar veprën apo për ta kontrolluar sjelljen.

    Raporti vlerëson se ai është plotësisht i përgjegjshëm për veprimet e tij dhe i aftë të marrë pjesë në procesin gjyqësor.

    Murseli ishte dërguar për ekzaminim katër javë më parë, me kërkesë të mbrojtjes.

    Ai është deklaruar i pafajshëm në gjykatë, ndërsa sipas aktakuzës, dyshohet se e organizoi vrasjen për hakmarrje dhe përfitim financiar nga sigurimi jetësor. Vrasja e Liridona Ademajt ndodhi më 29 nëntor të vitit 2023 në Prishtinë dhe fillimisht ishte paraqitur si një grabitje e inskenuar.

  • Kurti udhëton në Bosnjë për të marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të 30-vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës

    Kurti udhëton në Bosnjë për të marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të 30-vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Bosnje dhe Hercegovinë, ku sot do të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë. Ceremonia do të mbahet në Qendrën Memoriale të Srebrenicës në Potoçari.

    Kryeministri Kurti po udhëheq delegacionin zyrtar të Kosovës, i cili përfshin zëvendëskryeministren dhe ministren në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, si dhe zëvendëskryeministren e tretë në detyrë, Emilija Rexhepi, e cila vjen nga radhët e komunitetit boshnjak në Kosovë, bën të ditur Kryeministria përmes një njoftimi.

    Vitin e kaluar, Qeveria e Republikës së Kosovës datën 11 korrik e ka shpallur ditë përkujtimore për gjenocidin e Srebrenicës.

  • Sot diplomon gjenerata e 62-të e Policisë së Kosovës

    Sot diplomon gjenerata e 62-të e Policisë së Kosovës

    Sot, në sallën e sportit të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, do të mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 62-të të Policisë së Republikës së Kosovës.

    Ngjarja pritet të nisë në ora 10:00, ndërsa në këtë ceremoni do të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare, eprorë të lartë të Policisë, si dhe familjarë të zyrtarëve policorë që do të diplomojnë.

    Policia e Kosovës ka ftuar mediat që të marrin pjesë dhe ta përcjellin nga afër këtë ngjarje me rëndësi për institucionin dhe për të diplomuarit.

  • Presidentja Osmani: Trump parandaloi një përshkallëzim të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë në “javët e fundit”

    Presidentja Osmani: Trump parandaloi një përshkallëzim të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë në “javët e fundit”

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se ka “informacione të besueshme” se presidenti amerikan, Donald Trump, ka luajtur një rol kyç në parandalimin e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia ndaj Kosovës, këtë vit.

    Duke folur në një ligjëratë në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington, Osmani tha se ky veprim ka ndodhur “së voni”, por pa dhënë më shumë detaje për momentin apo natyrën e ndërhyrjes.

    “Sipas informacioneve të sigurisë që marr çdo ditë, kemi kuptuar se presidenti Trump ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm të situatës – nëse mund ta quaj kështu – kohëve të fundit. Nuk po flasim për vitin 2023, nuk po flasim për vitin 2020, po flasim për zhvillime shumë, shumë të vona”, tha Osmani.

    Ajo përmendi gjithashtu edhe sulmin e shtatorit të vitit 2023 në Banjskë, të cilin e cilësoi si një “akt agresioni” të organizuar nga Serbia, ku një grup i armatosur serbësh sulmuan Policinë e Kosovës, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

    “Ndaj, nuk duhet ta mohojmë mundësinë, sepse ka ndodhur më parë”, tha Osmani, duke e lidhur këtë me rrezikun e përsëritjes së akteve të tilla.

    Sipas saj, parandalimi dhe frenimi i këtyre kërcënimeve nuk mund të mbështetet vetëm në praninë ushtarake, por kërkon udhëheqje të fortë politike dhe koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.

    “Meqenëse ka ndodhur edhe më parë, parandalimi dhe frenimi janë thelbësorë. Dhe, ndonjëherë, parandalimi dhe frenimi kërkojnë më shumë sesa vetëm praninë e ushtrisë. Kërkojnë edhe udhëheqje politike. Duhet një telefonatë, një paralajmërim, dhe kjo është pikërisht ajo që ndodh kur Amerika merr një rol udhëheqës”, u shpreh presidentja.