ATV

Author: G.O.

  • Punëtorët e sigurimit në QKUK në grevë nga e premtja, Azemi: E kemi shterur dialogun, tani nuk kthehemi pas

    Punëtorët e sigurimit në QKUK në grevë nga e premtja, Azemi: E kemi shterur dialogun, tani nuk kthehemi pas

    Punëtorët e sigurimit fizik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës do të hyjnë në grevë nga dita e premte, pas dështimit për të gjetur zgjidhje për ndërprerjen e kontratave të rreth 300 punëtorëve.

    Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, tha se greva është vendim i pandryshueshëm dhe se të gjitha përpjekjet për dialog janë shterur.

    “Ne kemi shterrur të gjitha mundësitë dhe kemi dhënë aspektin e dialogut si prioritet. Po shihet që nga dita e parë që ky problem mund të zgjidhet brenda dy ore, maksimumi brenda tri ditëve. Sot jemi prapë në fazën zero, sepse secili shijon që të gjuajë topin te pala tjetër. Nuk na ka mbetur asgjë tjetër, paralajmërimin për grevë e kemi dhënë edhe zyrtarisht. Po edhe të na kishin thënë që pasnesër do të ktheheni në punë, ne nuk do të tërhiqeshim dhe greva fillon nesër nga ora 10:00”, tha Azemi.

    Ai vlerësoi se zvarritja e procesit vjen për shkak të keqpërdorimeve nga palë të ndryshme dhe mungesës së vullnetit për zgjidhje.

    “Për shkak të keqpërdorimeve që janë bërë nga palët që ne nuk e dimë, Komisionet Ekonomike kanë hyrë dhe janë duke u marrë sot me këtë proces dhe sigurisht ata do të vijnë në një përfundim. Edhe nga ta sot kemi kërkuar: a jeni të gatshëm të shpjegoni se kur mund të përfundojë ky proces? E kam thënë se po të jetë dëshira dhe vullneti ky proces mund të përfundojë brenda tri dite. Ata kanë kërkuar që ne së paku deri të martën të tërhiqemi nga greva, por kërkesë e punëtorëve është që të hyhet në grevë nga nesër. Do të jemi në grevë dhe sigurisht se opinioni do ta shohë se deri ku kemi shkuar,” u shpreh ai.

  • Zjarr në një banesë te “Qafa”, zjarrfikësit në vendngjarje

    Zjarr në një banesë te “Qafa”, zjarrfikësit në vendngjarje

    Një zjarr i madh ka përfshirë një banesë në katin e fundit të një objekti banesor në lagjen “Qafa” në Prishtinë.

    Flakët janë përhapur me shpejtësi, duke rrezikuar sigurinë e banorëve dhe kalimtarëve të rastit.

    Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë njësitet e zjarrfikësve, të cilët po punojnë për shuarjen e zjarrit dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të tij në objektet përreth.

    Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa autoritetet pritet të njoftojnë për shkakun e mundshëm të shpërthimit të zjarrit.

  • Aksident trafiku në rrugën Prishtinë-Podujevë, vdes një person

    Aksident trafiku në rrugën Prishtinë-Podujevë, vdes një person

    Një aksident i rëndë raportohet se ka ndodhur para pak minutash në fshatin Sekiraçë, si pasojë e të cilit vdekur një person.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinë, Flora Ahmeti.

    “Sot rreth orës 14:00 në rrugën Prishtinë-Podujevë, ka ndodhur një aksident trafiku mes dy automjeteve (një veturë dhe një traktor. Si pasojë e aksidentit në vendin e ngjarjes ka humbur jetën një person dhe janë lënduar katër të tjerë. Personat e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor ndërkohë që me rastin po merret njësiti i trafikut rajonal”, tha Ahmeti.

  • Specialja hedh poshtë ankesën e Salih Mustafës se dënimi me 15 vjet burgim ndaj tij shkel Kushtetutën

    Specialja hedh poshtë ankesën e Salih Mustafës se dënimi me 15 vjet burgim ndaj tij shkel Kushtetutën

    Gjykata Kushtetuese e Dhomave të Specializuara të Kosovës ka hedhur poshtë ankesën e fundit të Salih Mustafës, i cili ka pretenduar se dënimi me 15 vjet burgim ndaj tij shkel Kushtetutën e Kosovës.

    Sipas Mustafës, dënimi i tij prej 15 vjet për vrasje të paligjshme si krim lufte, e shkel nenin 33 të Kushtetutës së Kosovës, i cili përcakton se shkalla e dënimit duhet të jetë proporcionale me veprën penale dhe se ky dënim ishte joproporcional në raport me veprën penale.

    Në vendimin e 9 kurrikut, është konstatuar se Mustafa nuk ka arritur të provojë se dënimi i shqiptuar ndaj tij përbënte shkelje të të drejtave themelore.

  • Diplomati amerikan viziton Kosovën dhe vendet e rajonit

    Diplomati amerikan viziton Kosovën dhe vendet e rajonit

    Zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan, do të nisë një vizitë në Kosovë dhe dy vende tjera të Ballkanit, Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë.

    “Pres me padurim përforcimin e lidhjeve në mes të Shteteve të Bashkuara dhe shteteve në rajon”, ka thënë ai përmes një postimi në platformën X. Hollësi tjera për vizitën nuk janë bërë të ditura.

    Hanrahan është takuar dje me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në zyrën e Departamentit të Shtetit në Uashington.

  • Dosja e Prokurorisë zbardh ngjarjen para vdekjes së Zejnullahut

    Dosja e Prokurorisë zbardh ngjarjen para vdekjes së Zejnullahut

    Dosja e Prokurorisë për pesë zyrtarët policorë të arrestuar për vrasje nga pakujdesia ndaj Agon Zejnullahut në Lipjan përfshin dëshmi të detajuara nga prokurori Ardian Emini, gjyqtarja Elvira Emini dhe një qytetar që ndodhej në vendin e ngjarjes.

    Sipas dëshmive, i ndjeri kishte sjellje të çrregullta dhe kishte ndërhyrë në qarkullimin rrugor, ndërsa më herët kishte goditur edhe gjyqtaren Elvira Emini.

    Ai tentonte të hynte në vetura dhe shfaqte gjendje halucinative. Pas mbërritjes së Policisë, ai u rrëzua dhe u ndalua me forcë, ndërkohë që kërkonte të hynte në veturën zyrtare.

    Një prej policëve i kishte vendosur gjurin në qafë, ndërsa të tjerët tentuan ta qetësonin.

    Ai mbeti pa ndjenja derisa ishte me duart e lidhura, ndërsa ndihma mjekësore mbërriti disa minuta më vonë.

    Dosja thekson se viktima ishte në gjendje të rënduar psikofizike gjatë gjithë kohës.

  • Gjenden dy mjete të pashpërthyera, intervenon FSK-ja

    Gjenden dy mjete të pashpërthyera, intervenon FSK-ja

    Dy mjete të dyshuara të pashpërthyera janë gjetur të mërkurën në fshatin Kaçanik i Vjetër dhe në komunën e Rahovecit. Në të dyja rastet, njësitet e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë kryer shpërthimin e kontrolluar dhe të sigurt të mjeteve.

    Në fshatin Kaçanik, një qytetar raportoi për një mjet pranë hekurudhës, ndërsa në Rahovec, një tjetër qytetar e gjeti granatën gjatë punimeve me ekskavator në oborrin e shtëpisë së tij.

    Të dyja vendet u siguruan fillimisht nga Policia e Kosovës.

    FSK-ja ka konfirmuar se mjetet janë neutralizuar pa incidente.

    Në rastin e Kaçanikut është informuar edhe prokurori për veprimet e ndërmarra në vendin e ngjarjes.

  • Brahim Shatrolli emërohet drejtor i Stacionit Policor në Lipjan

    Brahim Shatrolli emërohet drejtor i Stacionit Policor në Lipjan

    Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, Argjen Gashi, ka dhënë dorëheqje morale pas vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në duart e policisë më 7 korrik.

    Këtë e ka konfirmuar drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, duke theksuar se kërkesa për lirim nga detyra është aprovuar.

    Në vend të tij, si komandant i ri në Lipjan është emëruar Brahim Shatrolli, i cili deri më tani ka shërbyer si komandant i Trafikut Rajonal në Ferizaj.

    LEXONI EDHE:

    Rasti i vdekjes së 27-vjeçarit, komandanti i Policisë në Lipjan jep dorëheqje

  • Dy vajza të mitura raportohen të zhdukura në Fushë-Kosovë, nuk janë kthyer në shtëpi që nga 4 korriku

    Dy vajza të mitura raportohen të zhdukura në Fushë-Kosovë, nuk janë kthyer në shtëpi që nga 4 korriku

    Policia ka nisur hetimet për rastin e zhdukjes së dy vajzave të mitura në Fushë Kosovë, të cilat janë larguar nga shtëpitë e tyre më 4 korrik dhe nuk janë kthyer më.

    Sipas familjarëve, të miturat me inicialet B.Sh. dhe L.H., të dyja 15-vjeçare, janë larguar pa paralajmërim në orët e pasdites së 4 korrikut. Dje, ato janë parë për herë të fundit në një veturë të kuqe të tipit Fiat, por vendndodhja e tyre aktuale mbetet e panjohur.

    Me urdhër të prokurores kujdestare, rasti është iniciuar si “Persona të zhdukur”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për t’i lokalizuar vajzat.

  • Tre persona pengojnë zyrtarët policorë në Prishtinë, ishin të dehur dhe përdorën gjuhë fyese ndaj policëve

    Tre persona pengojnë zyrtarët policorë në Prishtinë, ishin të dehur dhe përdorën gjuhë fyese ndaj policëve

    Tre persona janë shoqëruar në polici pas një incidenti që ndodhi pas mesnate në rrugën “Ahmet Krasniqi” në Prishtinë, ku dyshohet se kanë penguar zyrtarët policorë gjatë një ndërhyrjeje për ndalimin e një përleshjeje fizike.

    Sipas Policisë, të dyshuarit filluan të shtyjnë fizikisht zyrtarët dhe nuk i respektuan urdhrat e tyre, duke përdorur edhe gjuhë fyese. Të tre të dyshuarit kishin konsumuar alkool në nivel të ndryshëm, të cilat u konfirmuan përmes testimit me alkomat.

    Pas intervistimit në stacionin policor dhe konsultimit me prokurorin kujdestar, është iniciuar rasti “Pengim ndaj personit zyrtar”, ndërsa të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.