ATV

Author: G.O.

  • KQZ-ja në pritje të kandidaturave për zgjedhjet lokale, vetëm LDK-ja ka dorëzuar listën

    KQZ-ja në pritje të kandidaturave për zgjedhjet lokale, vetëm LDK-ja ka dorëzuar listën

    Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka njoftuar se shumica e subjekteve politike nuk e kanë dorëzuar ende listën e kandidatëve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

    Ky proces përfshin certifikimin për kryetarë komunash dhe për anëtarë të kuvendeve komunale.

    Ai thotë se, afati për aplikim online ka nisur më 26 qershor dhe përfundon më 13 gusht 2025.

  • Dështon për të 47-n herë seanca për konstituimin e Kuvendit

    Dështon për të 47-n herë seanca për konstituimin e Kuvendit

    Për të 47-ën herë me radhë, përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës përfundoi pa sukses më 15 korrik.

    Edhe kësaj radhe, mbledhja e deputetëve të zgjedhur nuk solli ndonjë ndryshim në ngërçin politik që po zgjat tash e tre muaj.

    Partitë deri më tash në opozitë – PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – refuzuan të propozojnë anëtarët për komisionin që duhet të organizojë votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

    Ata e konsiderojnë këtë procedurë si të papajtueshme me Kushtetutën dhe e kanë kundërshtuar në mënyrë të përsëritur.

    Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve parlamentare të shkurtit, insiston se votimi i fshehtë është në përputhje me ligjin dhe kërkon që procesi të mos bllokohet më tej.

    Emërimi i kandidates së saj, Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit u hodh disa herë në votim të hapur, por nuk mori mbështetjen e nevojshme, pasi opozita e votoi kundër.

    Në seancën e 15 korrikut, kryesuesi Avni Dehari ua ndërpreu fjalën deputetëve të PDK-së, LDK-së dhe AK-së, të cilët nisën të adresonin problemin e ngërçit, në vend që të propozonin anëtarët për komisionin që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë.

    Seanca u ndërpre, për të vazhduar më 17 korrik.

  • Haxhiu thotë se do të ketë takim mes Kurtit e Limajt: Ka vullnet nga të dy palët për bashkëpunim

    Haxhiu thotë se do të ketë takim mes Kurtit e Limajt: Ka vullnet nga të dy palët për bashkëpunim

    Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se kanë vullnet për bashkëpunim me Nisma Socialdemokrate.

    Haxhiu duke hyrë në objektin e Kuvendit para nisjes së seancës konstituive për herë të 47-të, tha se kryetari i LVV-së, Albin Kurti do të ketë takim me liderin e Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj për të konkretizuar vullnetin në marrëveshje politike, mirëpo që sipas saj deri tani s’ka asgjë të veçantë.

    Duke folur për seancën e sotme, ajo u shpreh skeptike për zgjedhjen e trupave të kuvendit.

    “Nuk besoj se do të ketë ndryshim as sot. Kemi përcjellë edhe qëndrimet e subjekteve opozitare nuk është se ata kanë ndryshuar…Ne kemi një afat të caktuar nga Gjykata Kushtetuese që është 26 korriku dhe shpresojmë që deri atëherë të ketë reflektim dhe ët gjithë deputetët të kryejnë detyrën kushtetuese…Natyrisht se do të ketë takime me zotëri Limaj nga kryeministri Kurti. Tashmë e kemi bërë të qartë se kemi vullnet nga dy palët që të vazhdojmë bashkëpunimin, por që nuk ka asgjë konkrete”, tha ajo.

    Sot, vazhdon seanca konstituive për herë të 47-të.

  • Presidentja Osmani në Letoni: Forcim i marrëdhënieve bilaterale dhe mirënjohje për kontributin në KFOR

    Presidentja Osmani në Letoni: Forcim i marrëdhënieve bilaterale dhe mirënjohje për kontributin në KFOR

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një vizitë pune në Republikën e Letonisë, me ftesë të Presidentit leton, Edgars Rinkēvičs.

    Gjatë kësaj vizite njëditore, Presidentja Osmani është pritur me nderime të larta nga Presidenti Rinkēvičs, me të cilin ka zhvilluar një takim bilateral dhe një takim pune me delegacionet përkatëse të të dyja shteteve.

    Pas takimeve, dy presidentët kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media, ku Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Letonisë ndaj Kosovës. Me këtë rast, ajo i dorëzoi Presidentit Rinkēvičs medaljen ushtarake presidenciale për Forcat Mbrojtëse të Letonisë, në shenjë falënderimi për kontributin e tyre për paqen dhe sigurinë në Kosovë si pjesë e misionit të KFOR-it.

    “Faleminderit Presidentit Rinkēvičs dhe Republikës së Letonisë për pritjen e ngrohtë dhe miqësinë e palëkundur ndaj Kosovës!”, deklaroi Presidentja Osmani në fund të vizitës.

    Në kuadër të qëndrimit në Riga, Presidentja Osmani vizitoi gjithashtu Qendrën e Ekselencës së NATO-s për Komunikim Strategjik (STRATCOM), ku u informua për aktivitetet e kësaj qendre që luan rol të rëndësishëm në luftën kundër dezinformimit dhe forcimin e sigurisë kibernetike. Ajo zhvilloi gjithashtu takime me përfaqësues të Odës Ekonomike të Letonisë dhe mori pjesë në një diskutim me ekspertë dhe akademikë mbi politikat për paqe dhe siguri të qëndrueshme.

    Kjo vizitë vjen në kuadër të përpjekjeve të Kosovës për forcimin e marrëdhënieve ndërshtetërore me shtetet partnere, thellimin e bashkëpunimit në fusha si politika e jashtme, mbrojtja, siguria, ekonomia dhe integrimi euroatlantik, si dhe shkëmbimin e përvojave për forcimin e institucioneve demokratike.

  • Trump: Jam i zhgënjyer me Putinin, por nuk kam mbaruar me të, paralajmëron tarifa ndaj Rusisë nëse nuk ka armëpushim

    Trump: Jam i zhgënjyer me Putinin, por nuk kam mbaruar me të, paralajmëron tarifa ndaj Rusisë nëse nuk ka armëpushim

    Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se është i zhgënjyer me presidentin rus Vladimir Putin, por nuk e përjashton mundësinë e një marrëveshjeje me të.

    Në një intervistë për BBC, ai tha se “nuk i beson askujt”, dhe se do të vazhdojë komunikimin me liderin rus.

    Trump foli disa orë pasi njoftoi dërgimin e armëve në Ukrainë dhe paralajmëroi tarifa të reja ndaj Rusisë, nëse nuk arrihet armëpushim brenda 50 ditësh. Ai ritheksoi mbështetjen për NATO-n dhe parimin e mbrojtjes kolektive.

    Lidhur me atentatin ndaj tij, Trump tha se nuk dëshiron të mendojë nëse kjo ngjarje e ka ndryshuar, por pranoi se mund të jetë një “ndryshim jete”. Ai shtoi se dikur kishte besuar në një marrëveshje të afërt me Rusinë, por që veprimet e fundit të Putinit e kanë zhgënjyer.

  • Arrestohet një 30-vjeçar në Gjakovë, i dyshuar për shpërndarje të substancave narkotike

    Arrestohet një 30-vjeçar në Gjakovë, i dyshuar për shpërndarje të substancave narkotike

    Policia e Kosovës ka arrestuar një 30-vjeçar në Gjakovë, i dyshuar për shpërndarje të substancave narkotike. Ai është ndaluar në rrugën “Anton Çetta”.

    Gjatë kontrollit, policia i ka gjetur 4 qese me marihuanë, ndërsa pas bastisjes në lokacionin e tij, janë sekuestruar edhe 19 qese me marihuanë dhe 8 qese me kokainë, me peshë të përgjithshme rreth 25 gramë.

    Sipas vlerësimeve, lënda narkotike kap vlerën tregu prej 600 eurosh dhe ishte e destinuar për shitje.

    I dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve”.

  • U dënua për dhunë në familje, nuk u paraqit për vuajtje të dënimit, arrestohet në Prishtinë 37-vjeçari i shpallur në kërkim

    U dënua për dhunë në familje, nuk u paraqit për vuajtje të dënimit, arrestohet në Prishtinë 37-vjeçari i shpallur në kërkim

    Policia e Kosovës ka arrestuar një 37-vjeçar të dënuar për veprën penale “Dhunë në familje”, i cili nuk ishte paraqitur për vuajtjen e dënimit me burg.

    I dënuari me inicialet B.I. u kap mbrëmjen e së hënës në rrugën “Ali Vitia” në Prishtinë, në bazë të një urdhërese të gjykatës për vuajtje dënimi prej 30 ditësh.

    Ai nuk kishte respektuar vendimin gjyqësor për paraqitje vullnetare.

    Pas arrestimit, i dënuari është shoqëruar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.

    Masa është marrë në kuadër të Planit të Veprimit për zbatimin e urdhëresave gjyqësore.

  • Vdes një grua nga Restelica e Dragashit, rasti po hetohet si “vdekje e dyshimtë”

    Vdes një grua nga Restelica e Dragashit, rasti po hetohet si “vdekje e dyshimtë”

    Një grua 53-vjeçare nga fshati Restelicë i Dragashit ka ndërruar jetë në rrethana të paqarta.

    Ajo është dërguar me autoambulancë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Dragash, ku është konstatuar se kishte ardhur pa shenja jete.

    Rastin e ka konfirmuar Policia, ndërsa hetues rajonalë dhe njësitë e Forenzikës kanë dalë në vendin e ngjarjes për të mbledhur prova. Viktima është identifikuar me inicialet U.H..

    Prokurori i rastit ka urdhëruar trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti të trajtohet si “Vdekje e dyshimtë”.

  • Kosova pranon kontingjent nga ShBA, forcohen kapacitete mbrojtëse me mjete të reja ushtarake

    Kosova pranon kontingjent nga ShBA, forcohen kapacitete mbrojtëse me mjete të reja ushtarake

    Kosova ka pranuar një pjesë të kontingjentit të automjeteve të blinduara, të prodhuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Mbrojtjes përmes zëdhënëses Liridona Gashi.

    Automjetet janë blerë në kuadër të një programi të veçantë të blerjeve shtet më shtet, sipas marrëveshjes bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas Ministrisë, pritet që në të ardhmen të pranohet edhe një sasi tjetër e mjeteve të tilla.

    Autoritetet kanë paralajmëruar se detajet e plota do të bëhen publike pas përfundimit të procesit të furnizimit.

    Sipas Ministrisë, ky bashkëpunim forcon më tej kapacitetet mbrojtëse të vendit.

     

  • Vetëaksident në autostradën “Ibrahim Rugova”, një i vdekur dhe një i lënduar

    Vetëaksident në autostradën “Ibrahim Rugova”, një i vdekur dhe një i lënduar

    Një person e humbi jetën si pasojë e një vetaksidenti në autostradën “Ibrahim Rugova”.

    Lajmin e konfirmoi zëdhënësi i policisë Daut Hoxha.

    Ai tha se si pasojë e këtij aksidenti, lëndime pësoi edhe një person tjetër, i cili është dërguar në trajtim mjekësor.

    “Është shkaktuar një vetaksident trafiku, ku si pasojë e humbjes se kontrollit mbi drejtimin e një kamionete ka humbur jetën drejtuesi i saj mashkull kosovar. Po ashtu lëndime trupore ka pësuar edhe pasagjeri i cili është dërguar në trajtim mjekësor. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në obduksion. Ekipet relevante janë marr me rastin. Policia apelon për vigjilencë me të madhe nga të gjithë shoferët gjatë drejtimit te automjeteve dhe respektim të shenjave në rrugët e vendit”, tha Hoxha.