ATV

Author: G.O.

  • Vdekja e Agon Zejnullahut në Lipjan, SPK-ja kërkon monitorim të të drejtave të pesë policëve të ndaluar

    Vdekja e Agon Zejnullahut në Lipjan, SPK-ja kërkon monitorim të të drejtave të pesë policëve të ndaluar

    Sindikata e Policisë i është drejtuar Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, me kërkesë për përfshirje aktive në monitorimin e respektimit të të drejtave të pesë zyrtarëve policorë që aktualisht ndodhen në ndalim për vdekjen e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu më 7 korrik, në Lipjan.

    Në kërkesën e saj, SPK thekson disa çështje kyçe, përfshirë vlerësimin e proporcionalitetit të masës së ndalimit, për të cilën vlerësohet se ishte e panevojshme dhe se ka pasur alternativa më të arsyeshme.

    Sindikata e Policisë, mes tjerash, kërkon që të garantohet për një proces të drejtë dhe të paanshëm ligjor dhe përkrahje për kolegët, ndërsa apelon për profesionalizëm.

    SPK-ja thekson se nuk ndërhyn në procesin hetimor dhe nuk paragjykon drejtësinë, por mbetet e përkushtuar që çdo zyrtar policor të trajtohet me dinjitet, drejtësi dhe në përputhje me standardet ligjore vendore dhe ndërkombëtare.

  • Hamza pas rrëzimit të mocionit nga specialja: Gjykata po e minon besimin e popullit në drejtësi

    Hamza pas rrëzimit të mocionit nga specialja: Gjykata po e minon besimin e popullit në drejtësi

    Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, ka shprehur zhgënjimin e tij me vendimin e Gjykatës Speciale, pasi kjo e fundit ka refuzuar mocionin të mbrojtjes së ish-udhëheqësve të UÇK-së, i cili synonte mohimin e disa pikave të aktakuzës.

    Në një postim në Facebook, Hamza e quajti këtë vendim arbitrar dhe theksoi se po minon besimin e popullit të Kosovës në drejtësi.

    Ai shtoi se Kosova nuk do të lejojë rishikim të historisë dhe nuk do të pranojë një balancim të rremë të drejtësisë.

    LEXONI EDHE:

    “Vendim zhgënjyes e shqetësues”, OVL-UÇK reagon pasi Specialja rrëzoi mocionin e ish-krerëve të UÇK-së

  • “Vendim zhgënjyes e shqetësues”, OVL-UÇK reagon pasi Specialja rrëzoi mocionin e ish-krerëve të UÇK-së

    “Vendim zhgënjyes e shqetësues”, OVL-UÇK reagon pasi Specialja rrëzoi mocionin e ish-krerëve të UÇK-së

    Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL), Shoqata e Invalidëve të Luftës (SHIL) dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve (SHFD) kanë reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë për rrëzimin e mocionit të mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së.

    Përmes një deklarate të përbashkët, këto organizata e kanë cilësuar këtë vendim si zhgënjyes dhe shqetësues për drejtësinë, duke akuzuar Gjykatën për njëanshmëri dhe tentativë për rishkrim të historisë së luftës në Kosovë.

    “OVL, SHIL dhe SHFD kanë ndjekur me vëmendje rrëzimin e mocionit të paraqitur nga mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara. Ky vendim është zhgënjyes dhe ngjall shqetësime serioze për drejtësinë dhe paanshmërinë që kjo gjykatë pretendon ta përfaqësojë”, thuhet në reagim.

    Organizatat theksojnë se refuzimi i mocionit përbën një mesazh negativ për drejtësinë, duke u shprehur se një vendim i tillë minon besimin në paanshmërinë e procesit gjyqësor.

    “Kur përballë fakteve, dëshmive dhe shkeljeve procedurale mohohet edhe një shqyrtim i drejtë i mocioneve mbrojtëse, krijohet përshtypja e një procesi të njëanshëm dhe të orientuar politikisht”, thuhet më tej.

    Në deklaratë theksohet se UÇK-ja nuk kërkon mëshirë, por një proces të drejtë dhe të bazuar në të vërtetën, ndërsa paralajmërohet se qëndresa në mbrojtje të vlerave të luftës nuk do të ndalet.

    “UÇK-ja dhe drejtuesit e saj nuk kanë nevojë për mëshirë, por për një gjykim të drejtë, të barabartë dhe të bazuar në të vërtetën historike të luftës për liri. Gjykata nuk mund të mbyllë sytë para realitetit që e njeh bota se UÇK-ja ishte forcë çlirimtare”, thuhet në reagim.

    Në fund, OVL, SHIL dhe SHFD i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos bien pre e, siç e quajnë ata, një narrative të shtrembëruar.

    “Kjo gjykatë po rrezikon të shndërrohet në mjet për rishkrim të historisë, e jo në garanci të drejtësisë. Në emër të të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës, do të qëndrojmë gjithmonë në mbrojtje të së vërtetës dhe të drejtave të bashkëluftëtarëve tanë”, thuhet tutje.

    LEXONI EDHE:

    Specialja rrëzon mocionin e mbrojtjes në rastin Thaçi dhe të tjerët

  • Një vit e tetë muaj burgim për rivalin kryesor të Erdoganit në Turqi

    Një vit e tetë muaj burgim për rivalin kryesor të Erdoganit në Turqi

    Një gjykatë turke dënoi të mërkurën kryetarin opozitar të Stambollit, Ekrem Imamoglu, me një vit e tetë muaj burg për fyerje dhe kërcënim ndaj një zyrtari publik.

    Imamoglu, rival kryesor i presidentit Recep Tayyip Erdogan, ndodhet në burg që nga 23 marsi dhe pritet të apelojë vendimin, raporton AP.

    Rasti lidhet me komentet e tij më 20 janar, ku ai kritikoi Prokurorin e Përgjithshëm të Stambollit, Akin Gurlek, duke e akuzuar për hetime të motivuara politikisht ndaj figurave opozitare, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Gjykata e shpalli Imamoglun fajtor për fyerje dhe kërcënim, por e liroi nga akuza për identifikim publik të zyrtarit me qëllim shënjestrimi.

    Imamoglu e ka mohuar fajësinë, duke e quajtur procesin “ndëshkim, jo drejtësi”, dhe ka akuzuar gjyqësorin se vepron nën presionin e qeverisë.

    Ai u arrestua bashkë me figura të tjera të Partisë Popullore Republikane, partia kryesore opozitare, si pjesë e një hetimi për korrupsion, arrestime që nxiten protestat më të mëdha në Turqi në mbi një dekadë.

    Pavarësisht se ndodhet në burg, Imamoglu është shpallur zyrtarisht kandidat presidencial nga Partia Popullore Republikane për zgjedhjet që pritet të mbahen në vitin 2028, por që mund të përshpejtohen.

    Që prej arrestimit të tij, dhjetëra zyrtarë të komunave të kontrolluara nga opozita janë përballur me arrestime për dyshime mbi manipulim tenderësh dhe ryshfet.

    Opozita i ka quajtur këto akuza politike.

    Ndërkohë, qeveria e Erdoganit këmbëngul se gjykatat janë të pavarura dhe veprojnë pa ndikim politik./REL

  • Bastisja në disa Agjenci Shtetërore, arrestohen katër persona

    Bastisja në disa Agjenci Shtetërore, arrestohen katër persona

    Policia e Kosovës ka nisur bastisjet në objektin në të cilin ndodhen disa agjenci shtetërore, përfshirë Agjencinë Kadastrale të Kosovës, Agjencinë Shtetërore të Arkivave dhe Institutin për Krime të Kryera gjatë Luftës në Kosovë.

    Deri tani katër persona janë arrestuar nga policia.

    Policia e Kosovës, zyra për media ka njoftuar se aksioni po zhvillohet në tri komuna, dhe lidhet me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    “Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, me autorizim të Prokurorisë kompetente, është duke realizuar një operacion policor i cili përfshin tri komuna: Prishtinë, Ferizaj dhe Shtime. Operacioni policor po realizohet mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Pas përfundimit dhe kompletimit të zhvillimeve policore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë mund të bëhen publike informacione shtesë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

    Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala tha më herët se aksioni është nisur pasi kanë marrë urdhër nga gjykata.

    Bastisje në disa Agjenci Shtetërore, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare

  • Presidentja Osmani përmbyll vizitën në Letoni

    Presidentja Osmani përmbyll vizitën në Letoni

    Presidentja, Vjosa Osmani, ka përfunduar vizitën e saj zyrtare në Letoni.

    Ajo zhvilloi takime me fokus në thellimin e bashkëpunimit për siguri dhe avancimin e rrugës së Kosovës drejt anëtarësimit në aleancën veri-atlantike.

    Në Riga, Osmani vizitoi Qendrën e Ekselencës së NATO-s për Komunikim Strategjik, ku u diskutua për ndërtimin e kapaciteteve në siguri kibernetike.

    Po ashtu, presidentja pati një diskutim me gra lidere dhe aktiviste, ku theksoi rëndësinë e rolit të tyre në proceset demokratike dhe të sigurisë.

    Vizita e saj u përmbyll në Muzeun e Okupimit të Letonisë, si një moment reflektimi mbi historinë e përbashkët të qëndresës ndaj pushtimit dhe padrejtësisë.

  • Bastisje në disa Agjenci Shtetërore, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare

    Bastisje në disa Agjenci Shtetërore, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare

    Policia është duke zhvilluar një operacion të gjerë në disa agjenci shtetërore, përfshirë Agjencinë Kadastrale të Kosovës, Agjencinë Shtetërore të Arkivave dhe Institutin për Krime të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, në kuadër të një hetimi për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, i cili tha se operacioni është realizuar me autorizim të Prokurorisë dhe se bastisjet janë duke u kryer në tri komuna, në Prishtinë, në Ferizaj dhe në Shtime. Ai tha se më shumë detaje do të jepen pas përfundimit të operacionit.

    Ndërkohë, aksionin e sotëm e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë. Sipas njoftimit të Prokurorisë, aksioni është ndërmarrë në përputhje me një urdhëresë gjyqësore, lidhur me dyshimet për veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ sipas Kodit Penal të Kosovës.

  • LDK dorëzon në Prokurorinë Speciale vendimin e Gjykatës Supreme për çështjen e arkave fiskale

    LDK dorëzon në Prokurorinë Speciale vendimin e Gjykatës Supreme për çështjen e arkave fiskale

    Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj dhe Besian Mustafa, dorëzuan sot në Prokurorinë Speciale vendimin e Gjykatës Supreme lidhur me çështjen e arkave fiskale.

    Zogaj dhe Mustafa theksuan se ky vendim konfirmon se Qeveria në dorëheqje, e udhëhequr nga Albin Kurti, nuk ka pasur të drejtë të miratonte akte nënligjore të reja.

    Ata shtuan se veprimi i Ministrit Murati për miratimin e udhëzimit administrativ ishte jashtë kompetencave të Qeverisë në dorëheqje dhe se ky akt nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

  • E reja nga Malisheva raporton dhunë nga bashkëshorti dhe vjehrri

    E reja nga Malisheva raporton dhunë nga bashkëshorti dhe vjehrri

    Një rast i dhunës në familje është raportuar dje në Malishevë, ku një grua ka denoncuar bashkëshortin dhe vjehrrin për ushtrim dhune fizike ndaj saj.

    Viktima me inicialet L.M., 26 vjeçe, ka deklaruar se ngjarja ka ndodhur në banesën familjare dhe ka kërkuar mbrojtje. Sipas raportimeve, bashkëshorti me inicialet H.M., 33 vjeçar dhe vjehrri me inicialet Q.M., 54 vjeçar, janë dyshuar për dhunën ndaj saj.

    Viktima ka marrë një raport mjekësor për lëndimet e pësuara dhe është dërguar për strehim tek prindërit e saj pas marrjes në pyetje nga hetuesit.

    Prokurori Kujdestar ka iniciuar rastin për “Dhunën në familje” dhe ka urdhëruar lirimin e dyshuarve në procedurë të rregullt.

  • Krasniqi pas rrëzimit të mocionit nga Specialja: E presim me padurim lirimin e tyre të pafajshëm

    Krasniqi pas rrëzimit të mocionit nga Specialja: E presim me padurim lirimin e tyre të pafajshëm

    Pas vendimit nga gjykata e dhomave të specializuara për rrëzimin e mocionit të mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së, ka reaguar kryetari i partisë demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

    Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi theksoi se ky vendim përfaqëson një mundësi të humbur për të forcuar besimin në drejtësinë ndërkombëtare.

    Ai tha se është i bindur se ish-krerët e UÇK-së do të lirohen dhe se e vërteta do të dalë gjithmonë në shesh.

    Krasniqi ka theksuar se ata janë të pafajshëm dhe çlirimtarë të popullit, dhe se krenaria dhe dinjiteti i atyre që luftuan për Kosovën mbeten të pathyeshme përjetësisht.