ATV

Author: G.O.

  • Punëtorët e RTK-së që dy javë pa paga, AGK i bën thirrje Qeverisë për ndarjen e buxhetit

    Punëtorët e RTK-së që dy javë pa paga, AGK i bën thirrje Qeverisë për ndarjen e buxhetit

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) është thellësisht i shqetësuar që 700 punëtorët e RTK-së vazhdojnë të mbesin pa pagë për muajin korrik.

    AGK-ja është e brengosur për mirëqenien ekonomike të gjithë kolegëve, që nuk janë paguar për punën e tyre, që vazhdojnë ta kryejnë edhe gjatë muajit gusht.

    AGK-ja e fton Menaxhmentin e RTK-së që të intensifikojë përpjekjet për të siguruar buxhetin, dhe të jetë transparent për veprimet e veta me të punësuarit e RTK-së.

    AGK-ja e sheh mosalokimin e buxhetit për pjesën e dytë të vitit për RTK-në, si formë të presionit të shtuar politik ndaj Transmetuesit Publik nga ana e Qeverisë në detyrë Kurti.

    Është koha e fundit që Qeveria të eksplorojë të gjitha mundësitë ligjore për të alokuar mjetet që i takojnë RTK-së.

    AGK-ja qëndron në solidaritet me kolegët e RTK-së dhe njeh punën e tyre të rëndësishme për informim në interes të publikut.

  • Serbia arreston dy persona, dyshon se me pjesëtarë të UÇK-së kidnapuan një serb në luftë

    Serbia arreston dy persona, dyshon se me pjesëtarë të UÇK-së kidnapuan një serb në luftë

    Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka bërë të ditur të enjten se i ka ndaluar dy persona me inicialet X.E dhe B.E në pikën kufitare mes Serbisë dhe Hungarisë, Horgosh, nën dyshimet se me pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kanë kryer krime lufte kundër popullsisë civile, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Në komunikatën e ministrisë nuk është përmendur nacionaliteti i të ndaluarve.

    Në të, autoritetet serbe kanë thënë se dyshojnë që më 1999, të ndaluarit e kanë kidnapuar një serb me inicialet J.M në Rahovec, e kanë dërguar në një drejtim të panjohur dhe që prej atëherë nuk dihet asgjë për të.

    Ministria serbe ka thënë se i ka ndaluar dy personat për 48 orë dhe më pas ata do të dalin para prokurorit të rastit.

    UÇK-ja ishte forcë politiko–ushtarake e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999.

    Më herët gjatë këtij muaji është ndaluar edhe Behar Preniqi në pikën kufitare Batrovci, në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë. Akuza ende nuk është bërë publike.

    Autoritetet e Kosovës i kanë konsideruar gjithmonë këto arrestime si arbitrare dhe kanë kërkuar lirimin e tyre.

    Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshje për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, më 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por bashkëpunim mes tyre për rastet e krimeve të luftës nuk ka pasur thuajse fare.

  • Ukraina sulmon me dronë dy qytete ruse, raportohet për 16 të plagosur

    Ukraina sulmon me dronë dy qytete ruse, raportohet për 16 të plagosur

    Dronët ukrainas goditën dy qytete ruse të enjten dhe së paku 16 persona u lënduan, thanë autoritetet lokale, një ditë para një samiti mes presidentëve të ShBA-së e Rusisë për luftën në Ukrainë.

    Trembëdhjetë persona u lënduan, dy prej tyre seriozisht, kur një dron goditi një objekt banimi në qytetin jugor rus, Rostov-on-Don, tha guvernatori rajonal në detyrë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

    Tre civilë u plagosën në qytetin Belgorod afër kufirit me Ukrainën, sipas guvernatorit të atij rajoni, i cili publikoi një video ku dukej se shfaqej një dron duke goditur një veturë në qendër të qytetit.

    Në një rast tjetër, kreu i rajonit Volgograd të Rusisë tha se mbetjet nga dronët ukrainas kishin shkaktuar një zjarr në një rafineri nafte.

    Nuk pati koment të menjëhershëm nga Ukraina.

    Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, do të takohen të premten në Alaskë, përderisa kreu i Shtëpisë së Bardhë po mundohet që ta sjellë fundin e luftës në Ukrainë.

    Ukraina ka thënë se nuk do ta njohë kurrë pushtimin rus të rajoneve lindore të saj, ndërsa Rusia ka thënë se kushtet e saj për ndaljen e luftimeve nuk kanë ndryshuar: tërheqja e forcave ukrainase nga katër rajonet lindore dhe heqja dorë nga ambicia për t’u anëtarësuar në NATO.

  • Situatë e tensionuar në Gramsh: Riaktivizime dhe vatra të reja zjarri

    Situatë e tensionuar në Gramsh: Riaktivizime dhe vatra të reja zjarri

    Situata nga zjarret në bashkinë e Gramshit vijon të jetë e tensionuar, me vatra të reja që janë shfaqur gjatë ditës dhe riaktivizime të zjarreve ekzistuese në disa zona malore dhe pyjore të njësive administrative të bashkisë.

    Që në orët e para të mëngjesit, forcat zjarrfikëse kanë nisur punën për shuarjen e flakëve në fshatin Kullollas, Njësia Administrative Skënderbegas, ku një sipërfaqe e madhe pyjore është përfshirë nga zjarri.

    Aktualisht, zjarre aktive raportohen në fshatrat Sojnik, Mukaj dhe Snosëm, duke e mbajtur situatën në nivel alerti. Forcat operacionale në terren janë të shumta: 30 zjarrfikës me 11 automjete nga MZSH-të e Gramshit, Elbasanit, Cërrikut dhe Librazhdit; 60 punonjës të bashkisë; 80 vullnetarë dhe 70 efektivë të Forcave të Armatosura me 2 mjete zjarrfikëse. Në operacion janë përfshirë gjithashtu dy helikopterë – një çek dhe një sllovak – të cilët po ndihmojnë nga ajri në zonat më të vështira.

    Një tjetër vatër e përmasave të mëdha është regjistruar në zonën e Kodovjatit, pranë fshatit Posnovisht, ku pas ndërhyrjes së shpejtë të ekipeve në terren, zjarri është izoluar dhe po monitorohet gjatë natës.

    Ndërkohë, në fshatrat Mukaj dhe Sojnik, në Njësinë Administrative Kukur, vazhdon djegia e një sipërfaqeje me shkurre dhe ferra. Fatmirësisht, nuk raportohet rrezik për banesat.

    Sot janë regjistruar gjithashtu vatra të reja zjarri përballë fshatit Snosëm, mbi fshatin Sarasel dhe në zonën e Teqes së Dushkut, ku ndërhyrja është duke u zhvilluar me mbështetjen e Forcave të Armatosura.

    Sipas autoriteteve, pavarësisht përhapjes së flakëve, aktualisht nuk ka rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e banorëve, ndërsa operacionet tokësore dhe ajrore pritet të vijojnë me intensitet gjatë gjithë ditës për të vënë nën kontroll të gjitha vatrat aktive.

  • Gjendja në pikat kufitare – Qytetarët përballen me pritje të gjata për të dalë nga Kosova

    Gjendja në pikat kufitare – Qytetarët përballen me pritje të gjata për të dalë nga Kosova

    Qytetarët janë duke u përballur me pritje të gjata në pikat kufitare për të dalë nga Kosova.

    Siç tregojnë të dhënat, pritjet në Merdarë shkojnë mbi dy orë e gjysmë. Të Dheu i Bardhë janë mbi një orë, kurse në Jarinje rreth 40 minuta.

    Sa i përket pritjeve për të hyrë, ato nuk zgjasin më shumë se 20 minuta.

  • Ramadan Morinës i caktohet një muaj paraburgim për krime lufte

    Ramadan Morinës i caktohet një muaj paraburgim për krime lufte

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Ramadan Morinës, i cili dyshohet për krime lufte gjatë luftës në Kosovë.

    Lajmin e konfirmoi zëdhënësja e gjykatës, Mirlinda Gashi.

    Morina dyshohet se në periudhën 29–31 mars 1999, në bashkëkryerje me forcat policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim të Komunës së Malishevës.

  • Situata me zjarre në Kamenicë shqetësuese, kryetari bën thirrje për kujdes maksimal

    Situata me zjarre në Kamenicë shqetësuese, kryetari bën thirrje për kujdes maksimal

    Gjendja me zjarre në Komunën e Kamenicës vazhdon të jetë shqetësuese, ka thënë kryetari Kadri Rahimaj.

    Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal në natyrë dhe t’i shmangin veprimet që mund të shkaktojnë zjarr.

    “Kryetari u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal në natyrë dhe t’u shmangen veprimeve që mund të shkaktojnë zjarr. Ai po ashtu u kujtoi pronarëve të pronave private se ndezja e zjarreve është e ndaluar dhe paraqet rrezik serioz për jetën dhe mjedisin”, thuhet në njoftimin e Komunës së Kamenicës.

    Rahimaj ka postuar edhe foto të zjarreve në Kamenicë, ku ka ndërhyrë edhe KFOR-i.

    “Pavarësisht lodhjes dhe faktit që nuk kanë pasur asnjë ditë pushimi, zjarrfikësit po japin maksimumin për të mbrojtur jetën, pronën dhe mjedisin. Qendra e Zjarrfikësve është në koordinim të plotë me Agjencinë për Menaxhim Emergjent, si dhe me ekipet profesionale të KFOR-it, për të garantuar ndërhyrje sa më efikase në çdo vatër,” tha Rahimaj.

  • Reuters publikon pamje të përleshjeve në Serbi: Protestat e përshkallëzuara e kanë tronditur popullaritetin e Vuçiqit

    Reuters publikon pamje të përleshjeve në Serbi: Protestat e përshkallëzuara e kanë tronditur popullaritetin e Vuçiqit

    Mbështetësit e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet hodhën fishekzjarrë dhe kapsolla ndaj protestuesve kundër qeverisë në Novi Sad të mërkurën në mbrëmje, duke e detyruar policinë të ndërhyjë për t’i dhënë fund përplasjes, në një përshkallëzim të madh të protestave që po zgjasin prej nëntë muajsh në Serbi, shkruan agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters.

    Protestat e përditshme në mbarë vendin, pas vdekjes së 16 personave të cilët humbën jetën kur çatia e një stacioni hekurudhor të rinovuar në Novi Sad u shemb në nëntor të vitit të kaluar, e kanë tronditur popullaritetin e presidentit populist Aleksandar Vuçiq dhe të SNS-së, shkruan Reuters.

    Në një konferencë shtypi vonë të mërkurën, Vuçiq, i shoqëruar nga ministri i Brendshëm Ivica Daçiq, tha se 16 oficerë policie dhe rreth 60 mbështetës të SNS-së janë plagosur në Novi Sad. Ai gjithashtu akuzoi fuqi të paidentifikuara të huaja për organizimin e trazirave dhe premtoi arrestime.

    “Personat që e kanë shkelur ligjin do të ndalohen… Sonte kemi shmangur një skenar katastrofik të planifikuar nga dikush nga jashtë”, tha ai.

    Reuters thotë se nuk mundi t’i verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet e Vuçiqit.

    Pamjet e publikuara nga televizioni privat N1 treguan fishekzjarrë dhe kapsolla të hedhura drejt protestuesve në Novi Sad nga drejtimi i zyrave të SNS-së. Po ashtu, treguan protestues kundër qeverisë, disa me fytyra të gjakosura, të cilët thoshin se përkrahësit e Vuçiqit i kishin sulmuar me shkopinj dhe shufra gome.

    Lëvizja opozitare “Levizja-Ndryshimi” tha se besnikët e Vuçiqit janë përgjegjës për përplasjet.

    “Sulmet ndaj njerëzve me pajisje piroteknike shkelin të drejtën e tyre për jetë dhe për protestë”, thuhej në një deklaratë të saj.

    Në kryeqytetin Beograd, policia me pajisje të plota antitrazirë bllokoi protestuesit kundër qeverisë që të mos afrohen në një zonë në një park pranë ndërtesës së parlamentit, ku përkrahësit e Vuçiqit janë kampuar që nga marsi.

    Në një zonë tjetër të Beogradit, protestuesit kundër qeverisë u përplasën me policinë që i pengoi ata të afroheshin te zyrat lokale të SNS-së.

    Protestuesit kanë fajësuar korrupsionin për shembjen e çatisë së stacionit hekurudhor në Novi Sad dhe kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme, me shpresën për ta larguar Vuçiçin dhe partinë e tij nga pushteti pas 13 vjetësh.

    Studentët, opozita dhe organizatat kundër korrupsionit e kanë akuzuar Vuçiçin dhe aleatët e tij për lidhje me krimin e organizuar, dhunë ndaj rivalëve dhe kufizim të lirive të medias, gjë që ata e mohojnë.

    Të mërkurën në mbrëmje, studentët që po udhëheqin protestat u bënë thirrje përkrahësve që të protestojnë para zyrave të SNS-së në qytetet kryesore të Serbisë, përfshirë Beogradin, Novi Sadin, Kragujevcin, Cacakun dhe Nishin, pas plagosjes së disa protestuesve në përplasjet me SNS-në në qytetin e Vrbasit të martën në mbrëmje.

  • Cilat pije janë më të mirat për hidratimin e trupit gjatë ditëve të nxehta të verës?

    Cilat pije janë më të mirat për hidratimin e trupit gjatë ditëve të nxehta të verës?

    Hidratimi i mjaftueshëm është shpesh këshilla kryesore për parandalimin e dhimbjeve të kokës dhe goditjes nga nxehtësia, dhe konsumimi i mjaftueshëm i ujit është me rëndësi të madhe për shëndetin e qelizave dhe organeve, ndërsa ofron shumë përfitime të tjera.

    Përveç kësaj, uji ndihmon në rregullimin e temperaturës së trupit, parandalon infeksionet, mban nyjet të shëndetshme dhe ekspertët sugjerojnë se hidratimi i mirë mund të ndihmojë në jetëgjatësi.

    Gjithashtu, sipas ekspertëve, njerëzit e hidratuar kanë tendencë të zhvillojnë më pak sëmundje kronike dhe kanë më pak gjasa të tregojnë shenja të plakjes së avancuar biologjike. Gjithashtu, dehidratimi dhe çekuilibri i elektroliteve ndikojnë negativisht në fertilitet.

    Hidratimi i duhur është më shumë sesa thjesht pirja e ujit, dhe elektrolitet janë një faktor i rëndësishëm. Konkretisht, kur metale të tilla si kaliumi, magnezi, natriumi dhe të tjera treten, ato bëhen elektrolite. Roli që luajnë elektrolitet është veçanërisht i rëndësishëm sepse ato ndihmojnë trupin të përdorë ujin siç duhet. Në të njëjtën kohë, ato luajnë një rol të rëndësishëm në reaksionet kimike dhe balancimin e niveleve të lëngjeve në shumë qeliza, inde dhe organe të trupit.

    Çekuilibri i elektroliteve ndodh në situata si vala e të nxehtit, kur djersitni shumë, por mund të shkaktohet edhe nga konsumimi i tepërt i ujit.

    Ekspertët thonë se, ndërsa uji siguron hidratim të shpejtë, pijet me pak sheqer, yndyrë ose proteina bëjnë një punë edhe më të mirë për t’ju mbajtur të hidratuar për më gjatë. Arsyeja është mënyra se si trupi juaj reagon ndaj këtyre pijeve. Dhe një faktor është sasia e një pijeje të caktuar, sepse sa më shumë të pini, aq më shpejt transportohet nga stomaku në organe të tjera nëpërmjet qarkullimit të gjakut.

    Një faktor tjetër që ndikon në mënyrën se sa mirë një pije do ta hidratojë trupin tuaj është përbërja e tij ushqyese. Është zbuluar se qumështi hidraton edhe më shumë se uji, pasi përmban laktozë, yndyrna dhe përbërës që ndihmojnë në ruajtjen e hidratimit për më gjatë. Qumështi përmban natrium i cili vepron si sfungjer dhe mban ujin në trup, duke çuar në më pak prodhim të urinës.

    Pijet me sheqer të koncentruar, siç janë lëngjet e frutave ose pijet e gazuara, nuk janë domosdoshmërisht hidratuese. Ato mund të qëndrojnë pak më shumë kohë në stomak, por kur hyjnë në zorrën e hollë, përqendrimi i lartë i sheqerit hollohet nëpërmjet procesit normal të osmozës.

    Ky proces tërheq ujin nga trupi në zorrën e hollë për të holluar sheqernat, që do të thotë se nevojat tuaja për hidratim rriten.

  • Situata me zjarret në Shqipëri, Rama: Është përmirësuar falë sakrificave e mundimeve

    Situata me zjarret në Shqipëri, Rama: Është përmirësuar falë sakrificave e mundimeve

    Kryeministri Edi Rama, ka folur rreth situatës me zjarret me të cilat po ballafaqohet Shqipëria, këtyre ditëve.

    Rama theksoi gatishmërinë e strukturave dhe përkushtimin e njerëzve në terren.

    Derisa, shprehu edhe shqetësimin për rrezikun e vazhdueshëm dhe për sjelljen sipërfaqësore të disa zërave publikë.

    Ai tha se ndonëse situata është e përmirësuar falë “mundimeve dhe sakrificave”, rreziqet dhe të papriturat mbeten të pranishme në çdo moment.

    Shefi i qeverisë shqiptare, i falënderoi të gjithë ata që janë në shërbim të përballimit të flakëve, por nuk i kurseu tonet e ashpra ndaj atyre që, sipas tij, “krehin veten para pasqyrave mediatike”.

    “Dhe me një tjetër ditë gatishmërie të lartë e përpjekjesh të përbashkëta, përballë një situate të përmirësuar falë mundimesh e sakrificash të admirueshme por me rreziqe e të papritura në çdo çast, me neveri për lehaqeniet që vazhdojnë avazin e tyre të krehjes para pasqyrave mediatike, teksa në tërë Europën Jugore digjen në flakë mijëra vatra zjarri nga Spanja e deri në Turqi, ju uroj një ditë sa më të qetë të gjithëve”, deklaroi Rama