ATV

Author: G.O.

  • Rubin tregon për besimin që kishte ndaj Thaçit: I kam besuar gjithnjë, sepse fjalët i përkthente në veprime

    Rubin tregon për besimin që kishte ndaj Thaçit: I kam besuar gjithnjë, sepse fjalët i përkthente në veprime

    Ish-diplomati amerikan, James Rubin, në vazhdimin e paraqitjes së dëshmisë se tij në Gjykatën Speciale është duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarëve.

    I pyetur nëse iu kishte besuar fjalëve të Thaçit, i cili në vitin 199 i kishte thënë se shqiptarët dhe UÇK-ja dëshironin demokraci dhe bashkëjetesë, Rubin ka dhënë përgjigje interesante.

    Ai ka bërë me dije se besimin ndaj Thaçit e kishte ndërtuar në vazhdimësi.

    Sipas tij, Thaçi fjalët i përkthente në veprime.

    “Besoj se ai donte marrëveshje, besoj se donte demokraci, edhe pse fliste me gjuhë komuniste në atë kohë. Ishte me përkthim, e vështirë të bëhet vlerësim i saktë. Bashkëjetesës, e di që shqiptarët e Kosovës kishin jetuar në regjim shtypës për dekada të tëra, me mijëra ishin vrarë, e dija që ai po thoshte atë që ne donim të dëgjonim që ishte gjë e mirë. A e besova këtë? I kam besuar gjithnjë me kalimin e viteve, sepse ai tregoi që fjalët që thoshte i përkthente në veprime. Edhe pse nuk kam dyshuar, u binda gjithnjë e më shumë për sinqeritetin e deklaratave të tija me kalimin e kohës”, ka thënë Rubin.

  • Qeni hidhet në ujë për të shpëtuar foshnjën, pamjet bëhen virale

    Qeni hidhet në ujë për të shpëtuar foshnjën, pamjet bëhen virale

    Një qen ka shpëtuar një foshnjë nga ajo që mund të ketë rezultuar në një aksident tragjik.

    I kapur në kamera, incidenti ndodhi kur një grua po lante rrobat.

    Foshnja e saj ishte ulur në një karrocë fëmijësh dhe qeni po pushonte.

    Papritur, karroca filloi të anohej në mënyrë të rrezikshme drejt ujit. Duke reaguar menjëherë, qeni u hodh në veprim.

    Ai u hodh në ujë dhe e pengoi karrocën të binte duke e mbajtur foshnjën të sigurt.

    Videoja shpejt u bë virale në rrjete sociale.

  • Hetuesit e OKB-së pretendojnë se Izraeli ka kryer gjenocid në Gaza

    Hetuesit e OKB-së pretendojnë se Izraeli ka kryer gjenocid në Gaza

    Hetuesit e Kombeve të Bashkuara akuzuan më 16 shtator Izraelin se ka kryer gjenocid në Rripin e Gazës me qëllim të “shkatërrimit të palestinezëve” dhe fajësuan kryeministrin izraelit dhe zyrtarë të tjerë të lartë për nxitje.

    Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar i Hetimit i OKB-së (COI) – i cili nuk vepron në emër të organizatës botërore – konstatoi se “gjenocidi po ndodh në Gaza dhe vazhdon të ndodhë”, tha për agjencinë AFP kryetarja e komisionit, Navi Pillay.

    “Përgjegjësia bie mbi shtetin e Izraelit”, theksoi ajo.

    Komisioni, i ngarkuar të hetojë shkeljet e të drejtave në territoret palestineze të okupuara, publikoi raportin e tij më të fundit pothuajse dy vjet pas shpërthimit të luftës në Gaza, që nisi pas sulmit vdekjeprurës të Hamasit më 7 tetor 2023 brenda Izraelit.

    Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e konsiderojnë Hamasin organizatë terroriste.

  • Uji nga Badoci ende nuk është i pijshëm, Mjeku: Niveli i manganit mbetet i lartë, pritet përmirësim i shpejtë i gjendjes

    Uji nga Badoci ende nuk është i pijshëm, Mjeku: Niveli i manganit mbetet i lartë, pritet përmirësim i shpejtë i gjendjes

    Niveli i manganit në ujin e Liqenit të Badocit vazhdon të jetë i lartë, duke pamundësuar furnizimin me ujë të pijshëm për qytetarët e Prishtinës dhe rrethinës.

    Mes shqetësimeve të qytetarëve, zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku, ka thënë për Telegrafin se janë duke u bërë përpjekje maksimale që gjendja të normalizohet sa më shpejt.

    “Analizat e fundit laboratorike tregojnë tendencë në rritje të përqendrimit të manganit si në ujin e liqenit, ashtu edhe në rrjetin shpërndarës. Edhe pse këto vlera e tejkalojnë kufirin e paraparë në Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021. Cilësia e ujit për konsum nga njeriu, deri më sot ato nuk e kanë tejkaluar standardin shëndetësor që konsiderohet se mund të ndikojë shëndetin e njeriut”, tha Mjeku për Telegrafin.

    Ajo shtoi se as vlimi i ujit nuk e eliminon manganin.

    “Ndotja e ujit me mangan është ndotje kimike dhe se vlimi i ujit nuk e eliminon manganin. Uji mund të përdoret vetëm për pastrim, mirëmbajtjen e higjienës personale dhe të ambienteve të banimit”, potencoi Mjeku.

    Duke folur për masat që ka ndërmarrë kompania, ajo theksoi: “KRU ‘Prishtina’ ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme duke zvogëluar sasinë e prodhimit për të ruajtur cilësinë e furnizimit, si dhe ka intensifikuar proceset e shpëlarjes së rrjetit shpërndarës, përfshirë edhe gypat magjistral dhe sekondar. Gjithashtu, për të siguruar furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për zonat e prekura, KRU ‘Prishtina’ do të ofrojë ujë përmes autoboteve, në përputhje me orarin e përcaktuar dhe të prezantuar nga kompania”.

    Qytetarët tashmë janë njoftuar nga KRU “Prishtina” se janë në dispozicion autobotët që do t’u ofrojnë ujë të pijshëm sipas orareve që kanë publikuar në faqen e tyre zyrtare në Facebook.

    Në fund, Mjeku shprehu pritjen se gjendja do të përmirësohet së shpejti.

    “Gjendja pritet shpejt të përmirësohet, me uljen e temperaturave gjatë ditëve në vijim”, potencoi ajo.

    Ky fenomen, i cili u shfaq në fillim të shtatorit, ka prekur disa lagje të Prishtinës, Graçanicës, Hajvalisë, Veternikut, Matiqanit, Bregut të Diellit dhe zona të tjera që furnizohen nga Liqeni i Badocit.

  • KQZ: Vazhdon periudha e aplikimit online për akreditimin e vëzhguesve

    KQZ: Vazhdon periudha e aplikimit online për akreditimin e vëzhguesve

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar të martën se po vazhdon periudha e aplikimit online për akreditimin e vëzhguesve dhe përfaqësuesve të mediave për monitorimin e zgjedhjeve lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvendet komunale, që do të mbahen më 12 tetor 2025.

    Sipas njoftimit të KQZ-së, kërkesat për akreditim duhet të dorëzohen online brenda disa afateve të përcaktuara.

    Deri më 17 shtator 2025 është afati për dorëzimin e kërkesave për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike, të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale.

    Deri më 27 shtator 2025 është afati për dorëzimin e kërkesave për akreditimin e vëzhguesve të OJQ-ve vendore, organizatave qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatave ndërkombëtare si dhe përfaqësuesve të vendeve të huaja.

    Ndërsa deri më 7 tetor 2025 është afati për dorëzimin e kërkesave për akreditimin e mediave vendore dhe ndërkombëtare.

    Nga KQZ-ja kanë thënë se janë në fazën finale të përgatitjeve për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor, me qëllimin kryesor garantimin e transmetimit në kohë dhe pa probleme të rezultateve preliminare, pas sfidave që shoqëruan procesin zgjedhor të mëparshëm në shkurt të këtij viti.

  • Faji i sulmeve në zemër nuk është vetëm kolesteroli – Ja çfarë zbuloi studimi

    Faji i sulmeve në zemër nuk është vetëm kolesteroli – Ja çfarë zbuloi studimi

    Nga bakteret orale te bllokimi i arterieve – hapet perspektiva për trajtime revolucionare

    Shkencëtarët në Finlandë dhe Mbretërinë e Bashkuar kanë publikuar prova të reja që sugjerojnë se shkaku i sulmit në zemër mund të lidhet me infeksione bakteriale, dhe jo vetëm me nivelin e lartë të kolesterolit apo stilin e jetesës, siç besohej deri më tani.

    Sipas hulumtimit, bakteret mund të fshihen brenda pllakave të arterieve dhe të mbeten joaktive për dekada, derisa të aktivizohen nga një infeksion viral ose ndonjë faktor tjetër i jashtëm. Kur ndodh kjo, ato shkaktojnë inflamacion, çarje të pllakave arteriale dhe formim të bllokimeve që shpesh përfundojnë në sulm në zemër.

    Ky zbulim hap mundësinë për zhvillimin e terapive të reja dhe madje edhe vaksinave parandaluese për sëmundjet koronare, theksojnë studiuesit nga Universiteti i Tampere-s.

    Çfarë sjell ky zbulim?

    Ky rezultat sfidon tërësisht konceptet tradicionale mbi shkaqet e sulmit në zemër.

    Profesori Pekka Karhunen, autori kryesor i studimit në Universitetin Tampere, shpjegon se deri më tani besohej se procesi që çon drejt sëmundjes koronare fillonte vetëm nga lipoproteinat me dendësi të ulët të oksiduara (LDL), të cilat trupi i njeh si struktura të huaja.

    “Përfshirja e baktereve në sëmundjen koronare është dyshuar prej kohësh, por kanë munguar prova të drejtpërdrejta dhe bindëse. Studimi ynë tregoi praninë e materialit gjenetik ADN-së, të disa baktereve orale brenda pllakave aterosklerotike”, thekson Karhunen.

    Simptomat kryesore të sulmit në zemër

    Simptoma më e zakonshme është dhimbja ose presioni në gjoks. Megjithatë, në shumë raste dhimbja është e lehtë ose mungon krejtësisht, sidomos te personat e moshuar dhe ata me diabet. Simptoma të tjera që mund të dominojnë janë dobësia, vështirësia në frymëmarrje, të përzierat dhe të vjellat.

    Sulmi në zemër ndodh kur qarkullimi i gjakut drejt një pjese të muskulit të zemrës bllokohet, duke shkaktuar dëmtim ose vdekje të indit kardiak. Shkaku më i zakonshëm është arteroskleroza, grumbullimi i pllakave yndyrore në arteriet koronare që mund të shkaktojë formimin e një mpiksjeje gjaku (theksohet nga CDC).

    Në rast të dyshimit për sulm në zemër, është jetike të kërkohet ndihmë e menjëhershme mjekësore, sepse ndërhyrja e shpejtë shpëton jetë dhe ul rrezikun e dëmtimit të përhershëm të zemrës.

    Simptomat më të shpeshta përfshijnë:

    dhimbje ose presion në gjoks, që shpesh përhapet në qafë, nofull, shpatulla ose duar;
    dhimbje në shpinë ose në pjesën e sipërme të barkut;
    gulçim dhe vështirësi në frymëmarrje;
    ndjesi të përzierash ose të vjella;
    dhimbje që zgjat më shumë se 20 minuta dhe nuk lehtësohet as me pushim, as me nitroglicerinë;
    ndonjëherë dhimbja është e maskuar (p.sh. si dhimbje dhëmbi ose qafe), duke e bërë diagnostikimin më të vështirë.
    Ekspertët theksojnë se, pavarësisht këtyre rezultateve, kujdesi për zemrën me kontrolle të rregullta dhe një stil jetese i shëndetshëm mbetet i domosdoshëm.

    Studimi është vetëm një hap i parë, por ofron shpresë që shkenca të sjellë zgjidhje inovative kundër një prej sëmundjeve më të përhapura në botë. /Telegrafi/

  • Forcat Ushtarake Policore të KFOR-it me ushtrim të përbashkët zjarri në Kampin Bondsteel

    Forcat Ushtarake Policore të KFOR-it me ushtrim të përbashkët zjarri në Kampin Bondsteel

    Forcat Ushtarake Policore nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Austria dhe Zvicra, të caktuara në Komandën Rajonale Lindje të misionit të udhëhequr nga NATO në Kosovë (KFOR), zhvilluan një ushtrim të përbashkët me armë zjarri në poligonin e Kampit Bondsteel.

    Siç thuhet në postimin e KFOR-it në Facebook, njësitë shumëkombëshe përdorën pistoletën shërbyese M17 për të ruajtur saktësinë, shpejtësinë dhe koordinimin taktik, duke forcuar njëkohësisht aftësitë e tyre në qitje dhe përgatitjen operacionale.

    Ushtrime të tilla, thuhet se shërbejnë për të forcuar ndërveprimin dhe bashkëpunimin profesional mes partnerëve të NATO-s, duke ndihmuar në rritjen e gatishmërisë për të reaguar në mënyrë efektive në çdo situatë të mundshme.

    “KFOR vazhdon të zbatojë mandatin e tij, i bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të kontribuar në një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si përgjegjës për sigurinë”.

  • Rubin: E padrejtë mbajtja pesëvjeçare në paraburgim e të akuzuarve që u dorëzuan vullnetarisht

    Rubin: E padrejtë mbajtja pesëvjeçare në paraburgim e të akuzuarve që u dorëzuan vullnetarisht

    James Rubin tregoi arsyet pse ai ka refuzuar të jetë dëshmitar i Prokurorisë në rastin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, duke thënë se kjo ka të bëjë me pikëpamjet e tij për Gjykatën Speciale.

    Ai e quajti të padrejtë mbajtjen për pesë vjet në paraburgim të të akuzuarve, të cilët, sipas tij, u dorëzuan vullnetarisht.

    “Janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë bashkëpunuar me Prokurorinë, s’e kuptoj pse kanë qëndruar kaq gjatë në burg, kjo më shqetëson”, tha ai.

    Sipas Rubinit, kjo s’ka të bëjë me shtetin e së drejtës dhe, sipas tij, Madeleine Albright nuk ka pasur këtë në mendje kur ka formuar Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavinë.

    “Kjo ka qenë e gabuar, kjo nuk është drejtësi”, shtoi ai.

    “Mua kjo më është dukur si fajësim politik, për shkak se Hashim Thaçi ka qenë udhëheqës i UÇK-së”.

  • Kur mund të jetë e rrezikshme “kërcitja” në qafë?

    Kur mund të jetë e rrezikshme “kërcitja” në qafë?

    Ekspertët shpjegojnë pse ndodh, kur është normale dhe kur kërkon vizitë te mjeku

    Lëngu sinovial, tendinat dhe ligamentet që fërkohen përgjatë kockave shpesh krijojnë zhurma me kalimin e moshës dhe nga qëndrimi i keq. Kjo e bën më të shpeshtë kërcitja në qafë.

    Kërcitja në qafë, i njohur mjekësisht si krepitacion, zakonisht është e padëmshme. Aijoshpesh shkaktohet nga shpërthimi i flluskave të gazit në lëngun sinovial (lëngu i nyjeve), ose nga lëvizja e tendinave dhe ligamenteve përgjatë kockave. Ky fenomen është më i zakonshëm me kalimin e viteve dhe përkeqësohet nga qëndrimi i gabuar i trupit.

    Megjithatë, nëse kërcitja shoqërohet me dhimbje, ënjtje ose ngurtësi, ajo mund të tregojë probleme themelore si artriti, sëmundjet degjenerative ose dëmtimet, ndërsa në këto raste kërkohet ndihmë mjekësore.

    Pse dëgjojmë shpesh “klik” në qafë?

    Kjo zhurmë përshkruhet si një krisje ose kërcitje që ndodh gjatë rrotullimit të kokës. Kur e ktheni kokën ose përkulni qafën, ju shtrini kapsulat e vogla që mbështjellin nyjet e qafës.

    Kapsulat janë të mbushura me lëng; gjatë shtrirjes, presioni brenda tyre bie dhe një pjesë e lëngut shndërrohet në flluska gazi, duke krijuar tingullin karakteristik të krisjes.

    Sipas ekspertëve, ky proces në vetvete nuk është i dëmshëm.

    Dr. Andrew Bang, kiropraktik në Cleveland Clinic, shpjegon: “Qafa ka nyje facete, të vogla, të vendosura në të dyja anët e rruazave. Kur ato shtrihen, në kapsulë krijohen flluska gazi që prodhojnë kërcitjen. Prandaj, për shumë njerëz, sjell një ndjenjë lehtësimi, sikur të jetë ulur presioni në atë zonë”, transmeton Telegrafi.

    Shkaqet e kërcitjes në qafë

    Kërcitja në qafë mund të ndodhë për tri arsye kryesore:

    Presioni negativ në nyje – krijohet një vakuum brenda kapsulës që lëshon gaz dhe prodhon tingull.
    Lëvizja e ligamenteve dhe tendinave – kur ato kalojnë mbi kocka ose struktura të tjera, shkaktohet zhurmë.
    Shkëputja e lëkurës nga fascia – një shtresë indi lidhës nën lëkurë; ndarja e saj mund të prodhojë krisje.
    Kur bëhet e rrezikshme?

    Një kërcitje e herëpashershme dhe e lehtë nuk është e rrezikshme. Problemi lind kur është shumë e shpeshtë ose e dhunshme.

    Sipas Dr. Bang, pasojat e mundshme janë:

    Bllokimi i nervit – lëvizjet e forta ose të papritura mund të ngjeshin një nerv, duke shkaktuar dhimbje të forta dhe kufizim të lëvizshmërisë.
    Tendosja e muskujve dhe nyjeve – shtrirja e tepërt mund të dëmtojë muskujt dhe ligamentet përreth, duke shkaktuar ngurtësi.
    Hipermobiliteti – te disa njerëz që kanë natyrshëm nyje më elastike, shfaqet nevoja e vazhdueshme për të “krisur qafën”. Me kohën, ligamentet mund të zgjaten përhershëm, duke rritur rrezikun për osteoartrit.
    Situata të rralla, por serioze – në raste të veçanta, kërcitja mund të dëmtojë enët e gjakut të qafës dhe të rrisë rrezikun për goditje në tru (insult).
    Kur duhet kërkuar ndihmë mjekësore?

    Kontakti me mjekun rekomandohet nëse pucketimi shoqërohet me:

    Dhimbje ose ngurtësi që përsëritet.
    Ënjtje në qafë – mund të tregojë grumbullim lëngu, dëmtim ose infeksion.
    Dhimbje kronike në nyjen e qafës pa shkak të qartë.
    Kufizim në lëvizshmëri, që mund të vijë nga plakja ose nga sëmundje si osteoartriti.
    Kujdes me kiropraktikën

    Edhe pse manipulimet kiropraktike mund të lehtësojnë presionin dhe të përmirësojnë lëvizshmërinë e qafës, Dr. Bang paralajmëron se nuk duhet tepruar.

    Përdorimi i shpeshtë mund të shkaktojë lëshim të tepërt të nyjeve, gjë që është e padëshiruar. Sipas tij, maksimumi një herë në javë është i pranueshëm; më shpesh se kaq, rrezikohet stabiliteti i nyjeve të qafës.

  • Simptomat e hershme të sëmundjes së mëlçisë që shumica e njerëzve i injorojnë

    Simptomat e hershme të sëmundjes së mëlçisë që shumica e njerëzve i injorojnë

    Mëlçia është organi më i madh i brendshëm dhe luan një rol kyç në ruajtjen e shëndetit të mirë. Ajo kryen më shumë se 500 funksione jetësore, nga filtrimi i gjakut deri te pjesëmarrja në tretje dhe metabolizëm.

    Kjo është arsyeja pse është jashtëzakonisht e rëndësishme të njihen shenjat e para të dëmtimit të mëlçisë. Këto simptoma shpesh janë delikate dhe mund të ngatërrohen lehtësisht me sëmundje të zakonshme si lodhja ose problemet me tretjen. Megjithatë, zbulimi i hershëm i sëmundjes së mëlçisë mund të parandalojë dëmtime serioze dhe të përhershme.

    Lodhje e vazhdueshme dhe ndjenjë dobësie

    Një nga shenjat e para të problemeve me mëlçinë mund të jetë një ndjenjë e vazhdueshme lodhjeje që nuk zhduket as pas pushimit.

    Mëlçia luan një rol të rëndësishëm në pastrimin e gjakut dhe prodhimin e energjisë. Kur nuk funksionon siç duhet, i gjithë trupi punon më ngadalë. Kjo lodhje është shpesh më e thellë se lodhja e zakonshme pas një dite në punë dhe mund të ndikojë ndjeshëm në aktivitetet e përditshme. Shumë njerëz e shoqërojnë atë me stresin ose mungesën e gjumit, por rrallë mendojnë për mëlçinë si një shkak të mundshëm.

    Dhimbje e ‘shurdhër’ nën brinjën e djathtë

    Dhimbja ose shqetësimi i lehtë në pjesën e sipërme të djathtë të barkut, poshtë brinjëve, mund të jetë shenjë e sëmundjes së mëlçisë. Shpesh ngatërrohet me një tendosje muskulore ose dispepsi. Megjithatë, kur mëlçia është e inflamuar ose e dëmtuar, ajo mund të zmadhohet dhe të shtypë indet përreth, duke shkaktuar shqetësim. Nëse kjo dhimbje vazhdon ose përkeqësohet, është e rëndësishme të vizitoni një mjek, pasi mund të tregojë një problem më serioz.

    Ulje e oreksit dhe humbje e paqëllimshme në peshë

    Një humbje e dukshme e oreksit, ndonjëherë e shoqëruar me neveri ndaj ushqimit, është një tjetër shenjë e mundshme e sëmundjes së mëlçisë. Mëlçia luan një rol të rëndësishëm në tretjen dhe shfrytëzimin e lëndëve ushqyese, kështu që dobësia e saj mund të çojë në probleme metabolike. Kjo shpesh shkakton humbje peshe dhe ndonjëherë humbje të masës muskulore. Nëse këto ndryshime ndodhin papritur dhe pa një arsye të qartë, është e nevojshme të merret në konsideratë mundësia që mëlçia të jetë shkaku.

    Ndryshimet e lëkurës

    Problemet me mëlçinë mund të ndikojnë edhe në lëkurën tuaj. Një nga ndryshimet më të zakonshme janë angiomat merimangë – njolla të vogla të kuqe me vena të holla që i ngjajnë një rrjete merimange. Ato zakonisht shfaqen në gjoks, shpatulla ose në pjesën e sipërme të trupit. Përveç kësaj, skuqja e pëllëmbëve të duarve, e njohur si eritema palmare, mund të tregojë gjithashtu një çekuilibër hormonal që lidhet me mëlçinë. Edhe pse këto ndryshime zhvillohen ngadalë dhe janë të lehta për t’u injoruar, kur kombinohen me simptoma të tjera, ato mund të jenë një shenjë e rëndësishme paralajmëruese.

    Të përziera dhe dispepsi

    Të përzierat e vazhdueshme, megjithëse të lehta, si dhe fryrja, dispepsia ose diarreja e shpeshtë, mund të jenë shenja të hershme të problemeve me mëlçinë. Kur mëlçia nuk prodhon mjaftueshëm biliare ose nuk mund t’i largojë në mënyrë efektive toksinat, sistemi tretës vuan. Njerëzit shpesh i shoqërojnë simptoma të tilla me ushqimin ose stresin, por nëse ato përsëriten shpesh, është mirë të flisni me mjekun tuaj.

    Shëndeti i mëlçisë është thelbësor për funksionimin normal të të gjithë trupit. Edhe pse simptomat fillestare mund të duken të padëmshme, ato nuk duhen injoruar. Njohja e shenjave herët dhe konsultimi me një mjek mund të parandalojë dëmtime serioze dhe pasoja afatgjata.