ATV

Author: G.O.

  • Rutte do të takohet të mërkurën me Ramën në Bruksel

    Rutte do të takohet të mërkurën me Ramën në Bruksel

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ndodhet në Bruksel për pjesëmarrje në Konferencën e 6-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, pritet të zhvillojë një takim me kreun e NATO-s, Mark Rutte.

    Lajmi bëhet i ditur nga një njoftim i publikuar në faqen zyrtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO).

    “Të mërkurën, më 17 shtator 2025, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Mark Rutte, do të presë Kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama, në selinë e NATO-s, në Bruksel”, thuhet në njoftim.

  • Rubin: Hill nuk ishte miqësor me Thaçin, jepte komente negative

    Rubin: Hill nuk ishte miqësor me Thaçin, jepte komente negative

    James Rubin ka vazhduar dëshminë e tij në Hagë, ku ka folur për marrëdhëniet dhe perceptimet në kohën e zhvillimeve të Rambujesë.

    Ai është ndalur edhe te sjellja e ish-diplomatit amerikan, Christopher Hill, ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi.

    “Hill nuk ishte miqësor me Thaçin. E dija se Chris Hill do jepte shpjegime negative për sjelljen e tij dhe do të bënte komente negative për Thaçin te delegacioni amerikan, dhe mund t’i bënte këto edhe për senatorin Doll. Qëndrimi nuk do të ishte i shkreti z. Thaçi që është fshehur, por Hill tha ‘pse nuk është këtu ai’, ‘pse bën ai sikur është një person i rëndësishëm’. Unë isha në dijeni që Hill kishte ndikim në këtë situatë, dhe do përpiqesha të thosha se ka arsye që nuk është këtu, ndoshta ka mbetur në bjeshkë, ndoshta është në rrezik.”, tha Rubin.

  • Barduani: Rruga drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovë nuk është ushtarake, por politike

    Barduani: Rruga drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovë nuk është ushtarake, por politike

    Komandanti i KFOR-it, gjeneral-major Enrico Barduani, në informimin e tij të fundit para Komitetit Ushtarak të NATO-s dhe Këshillit të Atlantikut të Veriut, ka theksuar se rruga drejt një sigurie të qëndrueshme në Kosovë nuk është ushtarake, por politike.

    Ai theksuar se “situata në Kosovë është e qëndrueshme, por mbetet subjekt i rreziqeve të përshkallëzimit të papritur, për shkak të një sërë çështjesh të pazgjidhura”.

    Barduani tha se, pavarësisht sfidave në terren, “KFOR ka qëndruar në rrugën e duhur”, duke ndihmuar në “ruajtjen e stabilitetit dhe zbutjen e situatave që mund të kishin çuar në incidente ose shpërthime të paqëndrueshmërisë” dhe duke kontribuar “në ruajtjen e një kuadri sigurie që mund të ndihmonte përpjekjet e vazhdueshme dhe të rëndësishme diplomatike”.

    Duke ripërsëritur mbështetjen e NATO-s dhe KFOR-it për dialogun e lehtësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë, ai theksoi: “KFOR-i ka demonstruar – edhe një herë – se është i gatshëm dhe i aftë të luajë rolin e tij dhe të përshtasë qëndrimin e tij, sipas nevojës. Që të lëvizim përpara është e rëndësishme që Beogradi dhe Prishtina t’i implementojmë marrëveshjet ekzistuese. Të dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet që të bëjnë kompromiset e nevojshme”.

    Barduani ka vlerësuar gjithashtu edhe forcimin e misionit, përfshirë vendosjen e përkohshme të forcave rezervë, si dhe thellimin e bashkëpunimit me bashkësinë ndërkombëtare, organizatat e sigurisë së Kosovës dhe Forcat e Armatosura Serbe.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.”, thuhet në njoftim.

  • Zelensky i bën thirrje Trumpit: Ndale personalisht Putinin

    Zelensky i bën thirrje Trumpit: Ndale personalisht Putinin

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje për presidentin amerikan, Donald Trump që të marrë një qëndrim të qartë ndaj Rusisë, duke përfshirë sanksionet dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën.

    Në një intervistë dhënë Sky News-it, ai ka thënë se kjo ishte pjesa që ka munguar për të çuar para bisedimet e paqes.

    Ai ka kërkuar nga Trumpi që të veprojë personalisht për ta ndalur Putinin.

    Tutje Zelensky ka shprehur shpresën që kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, të mund të marrë më shumë sqarime nga Trumpi gjatë vizitës së tij shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar, që pritet të fillojë të martën në mbrëmje.

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë para gazetarëve në Izrael se ka mundësi që Trumpi të takohet përsëri me Zelenskyn gjatë asamblesë së përgjithshme të OKB-së javën e ardhshme në Nju Jork.

    “Ai do t’i vazhdojë përpjekjet. Nëse paqja është e mundur, Trumpi dëshiron ta arrijë atë”, ka thënë Rubio.

  • “Shpejtësia e Shqipërisë është mbresëlënëse”, Marta Kos-Ramës: Vazhdoni me këtë ritëm

    “Shpejtësia e Shqipërisë është mbresëlënëse”, Marta Kos-Ramës: Vazhdoni me këtë ritëm

    Shqipëria është një hap më pranë BE, duke hapur sot edhe negociatat për grupkapitullin IV: “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”.

    Kryeministri Edi Rama dhe Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos mbajtën një konferencë për shtyp në Bruksel.

    Kos u shpreh se shpejtësia e Shqipërisë është mbresëlënëse. Ajo iu drejtua kreut të qeverisë, duke i thënë që të vazhdojë me këtë ritëm.

    “Shpejtësia e Shqipërisë është mbresëlënëse. Ende nuk kam bërë një vit në detyrë dhe kjo është hera e 4-t tashmë që ne çelim një grup kapitull negociatash me Shqipërinë gjatë mandatit tim. Kjo na çon në 5 grupkapituj të hapur dhe 28 kapituj të çelur. Ka mbetur dhe 1 grupkapitull dhe nuk kam aspak dyshim që do ta bëjmë këtë gjë së shpejti. E di që presidenca daneze dhe të gjitha shtetet anëtarë janë plotësisht të përkushtuara që të shënojmë progres në momentin që përmbushen të gjitha kriteret. Dhe po të përdorja terminologjinë olimpike, do të jetë më shpejt, më lartë, më fort dhe me një punë në ekip dhe siç e shihni ka një trekëndësh të fortë që e mbështet procesin e zgjerimit në tërësi, siç ju e theksuat e dashur Mari, duke qenë një nevojë gjeostrategjike. Ky rezultat është rrjedhojë e punës së madhe të autoriteteve shqiptare që kanë çuar përpara reformat përgjatë shumë viteve dhe sidomos gjatë këtij viti, pavarësisht zgjedhjeve që janë zhvilluar.

    Ne e dimë që reformat që ju kërkojmë kandidatëve tanë, ndonjëherë nuk janë të lehta, kërkojnë ndryshime themelore, por vendi juaj, i dashur Kryeministër, po tregon që mund të bëhet, Shqipëria po tregon që ndryshimi pozitiv është i mundur dhe se BE-ja e shpërblen këtë ndryshim pozitiv. Dhe vazhdoni kështu me këtë ritëm, duke u siguruar që të përfshini dhe Parlamentin, shoqërinë civile dhe sektorin privat, sepse një konsensus i gjerë kombëtar përmirëson pranimin shoqëror e më tej, sidomos për fusha kritike si reforma në drejtësi, pavarësia në gjyqësor dhe lufta kundër korrupsionit, e drejta e pronësisë, çështjet e pakicave dhe liria e medias që përmbushin piketat e ndërmjetme. Kjo është e rëndësishme që ne të nisim të përmbyllim kapitujt dhe në momentin që do çelen të gjithë kapitujt, ne do të nisim të mbyllim kapituj sa më shpejt të jetë e mundur që të realizojmë ambicien tuaj për t’i përmbyllur ato të gjitha brenda 2027.

    Grup kapitulli që kemi çelur sot, quhet agjenda e gjelbër dhe ndërlidhja e qëndrueshme. Reformat që përmban ndihmojnë që rritja ekonomike e Shqipërisë, të shkojë krah për krah me mbrojtjen e pasurisë së jashtëzakonshme natyrore të Shqipërisë, të mbrojë burimet natyrore, të përmirësojë menaxhimin e ujërave të ndotura dhe të ulë ndotjen e ajrit.

    Transporti në këtë grupkapitull, do të ndihmojë në zgjerimin e rrugëve, në përmirësimin e transportit dhe ndërlidhjen e Shqipërisë me sistemet evropiane. Ndërkohë që energjia do të ndihmojë në konkurueshmërinë e drejtë, me forcimin e konkurueshmërisë por gjithashtu edhe përdorimin e burimeve të ripërtëritshme. Kjo do të sigurojë përmirësimin në jetën e qytetarëve shqiptarë dhe ka mes tyre, në vende kandidate, pra ata janë midis vendeve kandidate që mbështesin më shumë anëtarësimin. 91% e qytetarëve shqiptarë mbështesin anëtarësimin në BE; 92% i besojnë BE-së dhe 82% kanë imazhin e BE-së dhe këto janë nga shifrat më të larta mes vendeve kandidate. E ardhmja e Shqipërisë është në BE dhe nuk ka aspak dyshim për këtë dhe sot jemi një hap më pranë për të arritur këtë objektiv”, u shpreh Kos.

  • Rubin tregon për besimin që kishte ndaj Thaçit: I kam besuar gjithnjë, sepse fjalët i përkthente në veprime

    Rubin tregon për besimin që kishte ndaj Thaçit: I kam besuar gjithnjë, sepse fjalët i përkthente në veprime

    Ish-diplomati amerikan, James Rubin, në vazhdimin e paraqitjes së dëshmisë se tij në Gjykatën Speciale është duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarëve.

    I pyetur nëse iu kishte besuar fjalëve të Thaçit, i cili në vitin 199 i kishte thënë se shqiptarët dhe UÇK-ja dëshironin demokraci dhe bashkëjetesë, Rubin ka dhënë përgjigje interesante.

    Ai ka bërë me dije se besimin ndaj Thaçit e kishte ndërtuar në vazhdimësi.

    Sipas tij, Thaçi fjalët i përkthente në veprime.

    “Besoj se ai donte marrëveshje, besoj se donte demokraci, edhe pse fliste me gjuhë komuniste në atë kohë. Ishte me përkthim, e vështirë të bëhet vlerësim i saktë. Bashkëjetesës, e di që shqiptarët e Kosovës kishin jetuar në regjim shtypës për dekada të tëra, me mijëra ishin vrarë, e dija që ai po thoshte atë që ne donim të dëgjonim që ishte gjë e mirë. A e besova këtë? I kam besuar gjithnjë me kalimin e viteve, sepse ai tregoi që fjalët që thoshte i përkthente në veprime. Edhe pse nuk kam dyshuar, u binda gjithnjë e më shumë për sinqeritetin e deklaratave të tija me kalimin e kohës”, ka thënë Rubin.

  • Qeni hidhet në ujë për të shpëtuar foshnjën, pamjet bëhen virale

    Qeni hidhet në ujë për të shpëtuar foshnjën, pamjet bëhen virale

    Një qen ka shpëtuar një foshnjë nga ajo që mund të ketë rezultuar në një aksident tragjik.

    I kapur në kamera, incidenti ndodhi kur një grua po lante rrobat.

    Foshnja e saj ishte ulur në një karrocë fëmijësh dhe qeni po pushonte.

    Papritur, karroca filloi të anohej në mënyrë të rrezikshme drejt ujit. Duke reaguar menjëherë, qeni u hodh në veprim.

    Ai u hodh në ujë dhe e pengoi karrocën të binte duke e mbajtur foshnjën të sigurt.

    Videoja shpejt u bë virale në rrjete sociale.

  • Hetuesit e OKB-së pretendojnë se Izraeli ka kryer gjenocid në Gaza

    Hetuesit e OKB-së pretendojnë se Izraeli ka kryer gjenocid në Gaza

    Hetuesit e Kombeve të Bashkuara akuzuan më 16 shtator Izraelin se ka kryer gjenocid në Rripin e Gazës me qëllim të “shkatërrimit të palestinezëve” dhe fajësuan kryeministrin izraelit dhe zyrtarë të tjerë të lartë për nxitje.

    Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar i Hetimit i OKB-së (COI) – i cili nuk vepron në emër të organizatës botërore – konstatoi se “gjenocidi po ndodh në Gaza dhe vazhdon të ndodhë”, tha për agjencinë AFP kryetarja e komisionit, Navi Pillay.

    “Përgjegjësia bie mbi shtetin e Izraelit”, theksoi ajo.

    Komisioni, i ngarkuar të hetojë shkeljet e të drejtave në territoret palestineze të okupuara, publikoi raportin e tij më të fundit pothuajse dy vjet pas shpërthimit të luftës në Gaza, që nisi pas sulmit vdekjeprurës të Hamasit më 7 tetor 2023 brenda Izraelit.

    Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e konsiderojnë Hamasin organizatë terroriste.

  • Uji nga Badoci ende nuk është i pijshëm, Mjeku: Niveli i manganit mbetet i lartë, pritet përmirësim i shpejtë i gjendjes

    Uji nga Badoci ende nuk është i pijshëm, Mjeku: Niveli i manganit mbetet i lartë, pritet përmirësim i shpejtë i gjendjes

    Niveli i manganit në ujin e Liqenit të Badocit vazhdon të jetë i lartë, duke pamundësuar furnizimin me ujë të pijshëm për qytetarët e Prishtinës dhe rrethinës.

    Mes shqetësimeve të qytetarëve, zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku, ka thënë për Telegrafin se janë duke u bërë përpjekje maksimale që gjendja të normalizohet sa më shpejt.

    “Analizat e fundit laboratorike tregojnë tendencë në rritje të përqendrimit të manganit si në ujin e liqenit, ashtu edhe në rrjetin shpërndarës. Edhe pse këto vlera e tejkalojnë kufirin e paraparë në Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021. Cilësia e ujit për konsum nga njeriu, deri më sot ato nuk e kanë tejkaluar standardin shëndetësor që konsiderohet se mund të ndikojë shëndetin e njeriut”, tha Mjeku për Telegrafin.

    Ajo shtoi se as vlimi i ujit nuk e eliminon manganin.

    “Ndotja e ujit me mangan është ndotje kimike dhe se vlimi i ujit nuk e eliminon manganin. Uji mund të përdoret vetëm për pastrim, mirëmbajtjen e higjienës personale dhe të ambienteve të banimit”, potencoi Mjeku.

    Duke folur për masat që ka ndërmarrë kompania, ajo theksoi: “KRU ‘Prishtina’ ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme duke zvogëluar sasinë e prodhimit për të ruajtur cilësinë e furnizimit, si dhe ka intensifikuar proceset e shpëlarjes së rrjetit shpërndarës, përfshirë edhe gypat magjistral dhe sekondar. Gjithashtu, për të siguruar furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për zonat e prekura, KRU ‘Prishtina’ do të ofrojë ujë përmes autoboteve, në përputhje me orarin e përcaktuar dhe të prezantuar nga kompania”.

    Qytetarët tashmë janë njoftuar nga KRU “Prishtina” se janë në dispozicion autobotët që do t’u ofrojnë ujë të pijshëm sipas orareve që kanë publikuar në faqen e tyre zyrtare në Facebook.

    Në fund, Mjeku shprehu pritjen se gjendja do të përmirësohet së shpejti.

    “Gjendja pritet shpejt të përmirësohet, me uljen e temperaturave gjatë ditëve në vijim”, potencoi ajo.

    Ky fenomen, i cili u shfaq në fillim të shtatorit, ka prekur disa lagje të Prishtinës, Graçanicës, Hajvalisë, Veternikut, Matiqanit, Bregut të Diellit dhe zona të tjera që furnizohen nga Liqeni i Badocit.

  • KQZ: Vazhdon periudha e aplikimit online për akreditimin e vëzhguesve

    KQZ: Vazhdon periudha e aplikimit online për akreditimin e vëzhguesve

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar të martën se po vazhdon periudha e aplikimit online për akreditimin e vëzhguesve dhe përfaqësuesve të mediave për monitorimin e zgjedhjeve lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvendet komunale, që do të mbahen më 12 tetor 2025.

    Sipas njoftimit të KQZ-së, kërkesat për akreditim duhet të dorëzohen online brenda disa afateve të përcaktuara.

    Deri më 17 shtator 2025 është afati për dorëzimin e kërkesave për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike, të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale.

    Deri më 27 shtator 2025 është afati për dorëzimin e kërkesave për akreditimin e vëzhguesve të OJQ-ve vendore, organizatave qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatave ndërkombëtare si dhe përfaqësuesve të vendeve të huaja.

    Ndërsa deri më 7 tetor 2025 është afati për dorëzimin e kërkesave për akreditimin e mediave vendore dhe ndërkombëtare.

    Nga KQZ-ja kanë thënë se janë në fazën finale të përgatitjeve për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor, me qëllimin kryesor garantimin e transmetimit në kohë dhe pa probleme të rezultateve preliminare, pas sfidave që shoqëruan procesin zgjedhor të mëparshëm në shkurt të këtij viti.