ATV

Author: G.O.

  • Një mjek sulmohet në vendin e punës në Viti, arrestohet i dyshuari

    Një mjek sulmohet në vendin e punës në Viti, arrestohet i dyshuari

    Një mjek është sulmuar në vendin e tij të punës në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Viti.

    Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 14 gusht 2026, rreth orës 02:38. I dyshuari, shtetas kosovar, dyshohet se ka sulmuar fizikisht mjekun, po ashtu shtetas kosovar, brenda QMF-së.

    Pas rastit, policia ka kryer një bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, ku ka gjetur dhe sekuestruar një sprej OC.

    I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    “Viti / 14.08.2026 – 02:38. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti në qendrën e mjekësisë familjare dyshohet se kishte sulmuar në vendin e punës viktimën mashkull kosovar (mjek). Në shtëpinë e të dyshuarit është kryer një bastisje ku është gjetur nje sprej OC. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit dërgohet në mbajtje”.

  • Thellohet bilanci i tërmetit 7.7 ballë në Indonezi, shkon në 38 numri i viktimave

    Thellohet bilanci i tërmetit 7.7 ballë në Indonezi, shkon në 38 numri i viktimave

    Numri i viktimave nga tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.7 që goditi Indonezinë ka shkuar në 38.

    Numri pritet të rritet, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit kanë nisur operacionet në zonat më të prekura nga tërmeti.

    Lëkundja e fuqishme ka shkaktuar dëme në ndërtesa, ndërsa situata është përkeqësuar edhe nga dhjetëra lëkundje të tjera pasuese.

    Tërmeti goditi ishullin Flores pak para orës 05:00 të mëngjesit, sipas kohës lokale. Sipas Agjencisë Meteorologjike, Klimatologjike dhe Gjeofizike të Indonezisë, tërmeti kishte një thellësi prej rreth 15 kilometrash.

    Në të njëjtën zonë janë regjistruar edhe lëkundje të fuqishme pasuese, përfshirë një tërmet me magnitudë 6.1.

    Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet në zonat e prekura, ndërsa autoritetet po vlerësojnë përmasat e dëmeve dhe numrin e viktimave.

  • Vjedhje e rëndë në Malishevë, grabiten para, stoli ari dhe një pistoletë

    Vjedhje e rëndë në Malishevë, grabiten para, stoli ari dhe një pistoletë

    Një vjedhje e rëndë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Malishevë.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, persona të panjohur kanë depërtuar në shtëpitë e dy viktimave dhe kanë vjedhur para të gatshme, stoli ari dhe një pistoletë me leje.

    “Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin”, thuhet në raportin e Policisë.

  • Një burrë gjendet pa shenja jete në Llapashticë të Podujevës

    Një burrë gjendet pa shenja jete në Llapashticë të Podujevës

    Një burrë është gjetur pa shenja jete në në fshatin Llapashticë të Podujevës, ka bërë të ditur policia.

    Policia tha se për rastin u njoftua nga Qendra e Mjekësisë Familjare.

    Në vendngjarje ka dalë njësia policore dhe ekipi i IML’së që e ka marrë trupin për obduksion.

    Policia e ka cilësuar si “hetim i vdekjes”.

    “Podujevë / 11-14.08.2026 – NN. Nga Qendra e Mjekësisë Familjare se në fshatin Llapashticë është raportuar për një mashkull kosovar pa shenja jete. Në vendin e ngjarjes përveç njësive policore ka dalë edhe ekipi i IML-së të cilët me vendim të prokurorit e kanë marrë trupin e pajetë për obduksion”.

  • Dogana sekuestron 209 pako me barna të kontrabanduara në një barnatore në Prishtinë

    Dogana sekuestron 209 pako me barna të kontrabanduara në një barnatore në Prishtinë

    Dogana e Kosovës ka sekuestruar 209 pako me barna të kontrabanduara gjatë një kontrolli të realizuar në një barnatore në Prishtinë.

    Sipas njoftimit të Doganës, kontrolli është zhvilluar më 13 gusht 2026, pas informatave të pranuara nga qytetarët.

    Gjatë kontrollit të objektit, njësitë kompetente kanë zbuluar një hapësirë të modifikuar dhe të fshehur, brenda së cilës janë gjetur 209 pako me barna pa banderola të Republikës së Kosovës.

    Të gjitha barnat e gjetura janë sekuestruar, ndërsa Dogana ka bërë të ditur se rasti do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe procedurat përkatëse.

    Dogana e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin për luftimin e kontrabandës dhe tregtisë së kundërligjshme, si dhe për mbrojtjen e shëndetit publik dhe tregut të ligjshëm.

    Në njoftim, qytetarëve u është bërë thirrje që të vazhdojnë të raportojnë rastet e dyshuara të kontrabandës apo tregtisë së paligjshme, duke theksuar se informacionet e pranuara trajtohen me konfidencialitet të plotë.

  • Ftesa e Haxhiut, Gjini refuzon takimin: Nuk jeni Presidente e zgjedhur dhe nuk keni mandat të luani rol unifikues

    Ftesa e Haxhiut, Gjini refuzon takimin: Nuk jeni Presidente e zgjedhur dhe nuk keni mandat të luani rol unifikues

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka ftuar liderët e partive politike ose përfaqësuesit e tyre në një takim konsultativ të martën, më 18 gusht, në orën 09:00.

    Ftesën e ka konfirmuar Presidenca e Kosovës, ndërsa ajo u është dërguar veçmas përfaqësuesve të subjekteve politike.

    Por, këtë ftesë për takim e ka refuzuar kryetari i Aleancës, Ardian Gjini.

    Zgjedhja e Presidentit, Haxhiu fton liderët e subjekteve politike në takim të përbashkët të martën

    Lexoni letrën e kryetarit të Aleancës, Ardian Gjini për takimin e ftuar nga Albulena Haxhiu:

    E nderuar zonja Haxhiu,

    Ju nuk jeni Presidente e zgjedhur e Kosovës dhe nuk keni mandat të luani rolin e unifikueses së spektrit politik.

    Ju e Kurti jeni tepër të tejdukshëm se nuk po kërkoni takim për të gjetur zgjidhje. Po kërkoni takim të gjeni fajtor për vendimin tuaj që veçse e keni marrë, për ta dërguar vendin në zgjedhje. Këtë herë edhe në kaos institucional.

    Qëllimi juaj është më shumë se kaq. Ju doni ta zvarrisni këtë bllokadë deri te data që ju konvenon që të mbahen zgjedhjet.

    Aleanca e ka kuptuar këtë lojë dhe nuk ju jep alibi.

    Po t’i donit vërtet votat dhe kuorumin, i keni gjashtë pikat e Aleancës. /Telegrafi/

     

  • Kërkohej për dhunim, ekstradohet nga Kroacia në Kosovë i kërkuari me urdhër arrest ndërkombëtar

    Kërkohej për dhunim, ekstradohet nga Kroacia në Kosovë i kërkuari me urdhër arrest ndërkombëtar

    Një shtetas kosovar është ekstraduar të shtunën nga Kroacia në Kosovë, pasi kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë në Kosovë.

    Sipas Policisë së Kosovës, ekstradimi është realizuar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), në koordinim me njësitet relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.

    Ai kërkohej për veprën penale “Dhunimi”.

    “Me datën 15.08.2026 është ekstraduar nga Kroacia për në Kosovë, shtetasi i Kosovës, pasi që i njëjti kërkohej me urdhër arrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë për përfshirje në veprën penale ‘Dhunimi’”, thuhet në noftimin e Policisë.

    Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari u është dorëzuar njësive përkatëse policore për procedura të mëtejshme ligjore.

  • Vazhdon rritja e çmimit të naftës në Kosovë

    Vazhdon rritja e çmimit të naftës në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka bërë të ditura çmimet maksimale të lejuara të derivateve të naftës për ditën e sotme.

    Sipas njoftimit, çmimi maksimal i naftës është caktuar në 1.75 euro për litër që është 2 centë më shtrenjtë se sa ditën e djeshme.

    Ndërkaq, benzina do të tregtohet me çmim maksimal prej 1.50 euro për litër, shifër kjo që nuk shënon rritje prej ditës së djeshme, ndërsa gazi do të tregtohet me 0.61 euro për litër.

    Sipas ministrisë, këto çmime hyjnë në fuqi nga ora 10:00.

  • Bastiset shtëpia e të dyshuarit për spiunazh, sekuestrohen rreth 40 mijë euro

    Bastiset shtëpia e të dyshuarit për spiunazh, sekuestrohen rreth 40 mijë euro

    I arrestuari sot në pikën kufitare në Merdare, nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Spiunazh”, F. S., me aktvendim të Prokurorisë Speciale, është ndaluar për 48 orë.

    Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda kanë zbatuar urdhërkontrollin në vendbanimin e të dyshuarit në Dragash.

    Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar këto prova materiale:

    para të gatshme në vlerë prej 39 mijë e 500 eurosh;

    para të gatshme në vlerë prej 500 dinarësh;

    katër (4) telefona celularë;

    dokumente të ndryshme relevante për rastin.

    Prokuroria, brenda afatit të përcaktuar ligjor, do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    Prokuroria Speciale, Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë mbeten të angazhuara për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme ligjore në lidhje me rastin.

  • PDK dhe Aleanca i bëjnë thirrje Deharit: Seanca të mbahet nesër në 11:00

    PDK dhe Aleanca i bëjnë thirrje Deharit: Seanca të mbahet nesër në 11:00

    Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë kërkuar që vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të mbahet nesër në orën 11:00, duke i bërë thirrje kryesuesit të seancës, Avni Dehari, që ta thërrasë atë në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit, raporton Ekonomia Online.

    Në një konferencë për media, deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, tha se partia e tij ka bërë kërkesë zyrtare që Dehari ta ushtrojë detyrën dhe ta thërrasë seancën.

    Ai tha se ftesë për të qenë nesër prezent në Kuvend në Kuvend u kanë bërë edhe partive të tjera.

    “Me bë ftesë publike, edhe kryesuesit e seancës: zotëri Dehari, mirëpo edhe partisë Vetvendosje, e cila është duke pengu konstituimin e parlamentit. Ne si Parti Demokratike e Kosovës i kemi bërë kërkesë zyrtare sot që ai ta ushtrojë detyrën e vet në bazë të rregullores së punës së parlamentit, ta respektojë ligjin, ta respektojë kushtetutën dhe ta thërret seancën në mënyrë që të konstituohet parlamenti, dhe të kemi normalitet dhe ekonomi Republikës së Kosovës të jetë funksional, gjithashtu edhe subjekteve të tjera politike, të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, i kemi dërgu ftesën që nesër në ora 11:00 të jenë prezent. Partia Demokratike e Kosovës do të jetë prezent, aleanca është përgjigj pozitivisht dhe presim që do të përgjigjen edhe subjektet e tjera për shkak që është obligim kushtetues moral i secilit prej neve që të jemi në seancë dhe ta funksionalizojmë Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha ai.

    Ndërkaq, deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, tha se situata aktuale paraqet, sipas tij, “emergjencë kombëtare” dhe tendencë për shkatërrimin e rendit kushtetues.

    “Rrethana të cilat jemi si Kosovë dhe rrethana në të cilat është sot Kuvendi i Republikës së Kosovës, realisht tregojnë për një jo vetëm emergjencë kombëtare, mirëpo për një tendencë të shkatërrimit të rendit kushtetues, dhe njëkohësisht të pamundësimit të ushtrimit të funksionit të deputetit në Kuvendin e Kosovës aty ku na ka dhënë besimin sovrani, aty ku ne kemi vendin bazë të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Sot ne kemi dërguar një kërkesë zyrtare si aleancë, por në koordinim me partitë politike që kanë qenë në opozitë, kemi kërkuar takim me kryesuesin e seancës konstituive, zotin Dehari, në mënyrë që nesër, në orën 11:00, kur kalojnë 48-orëshi, në bazë të përcaktimit rregullores së Kuvendit, të ndodhë seanca. Nuk kemi pasur asnjë përgjigje, nuk kemi marrë asnjë koment, dhe asnjë konsiderim për me ndodhë Kuvendi”, tha ai.

    Tahiri tha se partitë opozitare fillimisht do të ndjekin rrugët institucionale, ndërsa paralajmëroi edhe veprime politike në rast se, siç tha ai, vazhdon pamundësimi i ushtrimit të mandatit të deputetëve.

    “Çka do të thotë kjo? Është shumë e thjeshtë. Kur neve na pamundësohet ushtrimi i funksionit tonë si deputet, dhe kur ne e shohim që ka nisur shpërbërja e institucioneve demokratike që fillojnë nga Kuvendi, dhe rrjedhimisht shkatërrimi i të arriturave të vendit tonë, nuk na mbetet tjetër veç t’i provojmë rrugë fillimisht institucionale, e pastaj t’i bëjmë veprimet tona politike në funksion të krijimit të rendit kushtetues në Kosovë. Ajo që na brengos shumë është se shkelja e Kushtetutës për vetë po ndodh vetëm në Kuvend, por po ndodh edhe në Qeveri. I kemi 17 ministra që shkojnë jashtëligjshëm në Qeveri, Prokuroria duhet të veproj”, tha ai.