ATV

Author: G.O.

  • Haradinaj takon ambasadorin italian: Partneriteti mes vendeve tona duhet të thellohet drejt anëtarësimit në NATO

    Haradinaj takon ambasadorin italian: Partneriteti mes vendeve tona duhet të thellohet drejt anëtarësimit në NATO

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim ambasadorin italian në Kosovë, Maurizio Antonini, ku kanë biseduar për zhvillimet politike dhe sfidat aktuale në vend, raporton Gazeta Sinjali.

    Haradinaj tha se mes Kosovës dhe Italisë, “është krijuar një partneritet i cili vetëm se duhet të thellohet drejt proceseve të rëndësishme siç është anëtarësimi në NATO“.

    Postimi i plotë:

    Shteti mik Italian ndër vite ka treguar kujdes e mbështetje të veçantë për Republikën e Kosovës, duke qenë një ndër kontribuuesit kryesorë për paqen dhe stabilitetin në vend përmes kontributit të saj në kuadër të KFOR-it por edhe përmes shumë projekteve në fushën ekonomike. Mes vendeve tona është krijuar një partneritet i cili vetëm se duhet të thellohet drejt proceseve të rëndësishme siç është anëtarësimi në NATO.

    Kisha kënaqësinë të pres sot ambasadorin Italian në Kosovë, z Maurizio Antonini, me të cilin bashkëbiseduam për zhvillimet politike në vend dhe sfidat nëpër të cilat po kalon vendi ynë.

    Mirënjohës për rolin e Italisë, si në të kaluarën ashtu edhe në këto kohë të rëndësishme për vendin.

  • Tetori muaji i ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit, Rama: Në Prishtinë ofrojmë kontrolla mamografie falas

    Tetori muaji i ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit, Rama: Në Prishtinë ofrojmë kontrolla mamografie falas

    Prishtina është bërë pjesë e muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit.

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka theksuar se me këtë qëllim, do të ketë mamografi falas gjatë gjithë tetorit në kryeqytet.

    “Tetori është rozë. Edhe Prishtina.  Mamografia falas, gjatë gjithë tetorit në Prishtinë. E ti që je duke kaluar këtë sfidë, DO T’IA DALËSH!”, ka shkruar Rama.

    E në një video të publikuar në faqen e tij në Facebook, i pari i kryeqytetit ka thënë se kontrollet e hershme, shpëtojnë jetë. Si rezultat, ai shtoi se bashkë po ndërtojnë një Prishtinë më të sigurt për të gjithë.

    “Shëndeti i grave është përparësi e komunës së Prishtinës. Përkushtimi ynë për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit është më i madh se kurrë. Në qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, ofrojmë kontrolla mamografie falas për të gjitha gratë. Sepse kontrolli i hershëm shpëton jetë. Një vizitë sot, mund të bëjë diferencën për të ardhmen. Bashkë kujdesemi për shëndetin, bashkë ndërtojmë një Prishtinë më të sigurt për të gjithë”, thuhet në videon e publikuar nga Rama.

  • Mos u jepni lëng frutash fëmijëve nën moshën 1-vjeçare

    Mos u jepni lëng frutash fëmijëve nën moshën 1-vjeçare

    Fëmijëve nuk duhet tu jepet lëng frutash para moshës 1 vjeçare përveç nëse propozohet nga doktori, sipas udhëzimeve nga Akademia Amerikane e Pediatrisë, të publikuara të hënën në zhurnalin e pediatrisë.

    Grupi kishte këshilluar prindërit të presin me dhënien e lëngjeve të frutave derisa të jenë 6 muajsh por vendosën ta bëjnë këtë ndryshim për shkak të rritjes së shkallës së obezitetit dhe shqetësime tjera lidhur me kavitete.

    “Ne nuk mund ta shihnim arsyen pse lëngu i frutave ishte ende pjesë e rekomandimeve potenciale për foshnjat 6 deri 12 muajsh.”, ka thënë Dr. Steven A. Abrams, drejtor i departamentit të pediatrisë.

    Ai ka thënë që gji-dhënia është për këtë grup moshë, raporton CNN.

    “Ne rekomandojmë që gjidhënia ose përzierje ushqimore për atë grupmoshë, dhe nuk ka nevojë apo rol të dobishëm për lëngun e frutave, kështu që e bëmë këtë ndryshim”, thotë Abrams.

    Ky është ndryshimi i parë për rekomandimet e lëngjeve të frutave që nga viti 2001.
    Fëmijët dhe adoleshentët vazhdojnë të jenë konsumatorët kryesorë të lëngjeve të frutave, thotë deklarata e pedriatëve.

    “Problemi është që, prindërit vazhdojnë t’u japin fëmijëve një shishe me lëng dhe tua lënë ashtu gjatë tërë ditës. Kjo nuk është e mirë edhe për marrjen e kalorive, dhe sigurisht nuk është e mirë për dhëmbët”, ka thënë Abrams.

    “Ajo çfarë ndodh është që, fëmijët mësohen me gjithë atë sheqer, dhe pastaj nuk duan të pinë më ujë”, ka thënë ai, duke shtuar që fëmijët duhet mësuar të hanë më shumë fruta e jo të pinë lëngje.

    Pos tjerash lëngjet nuk duhet të pihen kur merr ndonjë medikament – si ibuprofen, flurbiprofen, warfarin, fluvastatin – pasi që ndërhyn në efektin e tyre.

  • Aksident në rrugën Dragash-Prizren, lëndohen tre persona

    Aksident në rrugën Dragash-Prizren, lëndohen tre persona

    Një aksident trafiku ka ndodhur sot rreth orës 13:06 në rrugën Dragash–Prizren, ku janë përfshirë dy automjete.

    Përveç dëmeve materiale, tre persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.

    Aksidentin e ka konfirmuar, zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

    Në vendngjarje ka dalë Policia e trafikut, e cila po heton shkaqet e aksidentit.

  • BE-ja apelon për formimin e shpejtë të institucioneve të reja të Kosovës

    BE-ja apelon për formimin e shpejtë të institucioneve të reja të Kosovës

    Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, tha se komuniteti ndërkombëtar po analizon vendimin e publikuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, teksa u bëri thirrje partive politike që sa më shpejt të formojnë institucionet e reja.

    “Jemi duke e analizuar aktualisht, por sigurisht shpresa jonë është që Kuvendit të konstituohet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe shpresojmë që të ketë një qeveri me mandat të plotë sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Orav gjatë një prononcimi për media më 1 tetor.

    Një ditë më parë, Gjykata Kushtetuese publikoi njoftimin për vendimin e saj lidhur me çështjen e Kuvendit, duke deklaruar se organi ligjvënës nuk është konstituuar, ashtu siç kishte pandehur në fund të gushtit kreu i ri i Kuvendit, Dimal Basha.

    Kushtetuesja tha se Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.

    “Ju lutem, konstituojeni Kuvendin dhe ju lutem formoni një qeveri”, bëri thirrje ambasadorit i bllokut evropian në Kosovë.

    Kushtetuesja tha se seanca konstituive – e nisur më 15 prill – nuk ka përfunduar dhe e njëjta duhet të përfundojë brenda 12 ditësh.

    Aktgjykimi i plotë i Kushtetuese ende nuk është publikuar dhe vetëm pas publikimit të tij nis rrjedhja e afatit 12-ditor.

    Kushtetuesja urdhëroi deputetët që “në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat], paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit”.

    Gjykata më e lartë në Kosovë e mori këtë vendim pas ankesës së Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – lidhur me votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës nga radhët e pakicave.

    Emilija Rexhepi është zgjedhur nënkryetare e Kuvendit nga minoriteti joserb, ndërsa asnjëri deputet serb nuk i ka siguruar votat e nevojshme për pozitën e rezervuar për këtë minoritet, pavarësisht disa rundeve të votimit.

    Lista Serbe politik beson se kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, nuk ka vepruar në mënyrë të drejtë kur, njëanshëm, e ka shpallur Kuvendin të konstituuar pa u zgjedhur edhe nënkryetari serb.

    Pas pranimit të ankesës, Gjykata Kushtetuese ka vendosur një masë të përkohshme, e cila ua ka ndaluar deputetëve të ndërmarrin veprime drejt formimit të Qeverisë së re deri më 30 shtator, meqë ka pasur dyshime për ndonjë shkelje kushtetuese.

    Kushtetuesja tha se masa e përkohshme do të mbetet në fuqi.

    Lëvizja Vetëvendosje – partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit – ka deklaruar më herët se votimi në pako i dy nënkryetarëve të komuniteteve joshumicë nuk kërkohet me Kushtetutë, siç ka pretenduar Lista Serbe, dhe se Rregullorja e Kuvendit nuk është mbi dokumentin më të rëndësishëm të vendit.

    Pavarësisht se zgjedhjet janë mbajtur në shkurt, Kosova vazhdon të mos i ketë institucionet e reja. Partitë më të mëdha shqiptare nuk kanë arritur pajtueshmëri për të çuar procesin përpara dhe për rrjedhojë Gjykata Kushtetuese është detyruar të dalë disa herë me aktgjykime.

    Në zgjedhjet parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje doli e para dhe fitoi 48 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës doli e dyta me 24 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe me nëntë dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me tetë të tilla.

    Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave.

    Faktori ndërkombëtar ka bërë disa herë thirrje që Kosova t’i formojë sa më shpejt institucionet e reja./REL

  • Snapchati do ta bëjë me pagesë ruajtjen e fotove dhe videove në Memories

    Snapchati do ta bëjë me pagesë ruajtjen e fotove dhe videove në Memories

    Aplikacioni i njohur i mesazheve, Snapchat, ka njoftuar se do të fillojë të tarifojë përdoruesit për ruajtjen e fotove dhe videove në funksionin Memories, i cili u prezantua në vitin 2016.

    Sipas kompanisë, përdoruesit që kanë më shumë se 5GB përmbajtje të ruajtur në Memories do të duhet të paguajnë për ta mbajtur të disponueshme.

    Snapchati nuk ka dhënë detaje se sa do të kushtojë kjo për përdoruesit, duke thënë vetëm se ndryshimi do të implementohet si pjesë e një zgjerimi gradual global.

    Përdoruesit e rrjeteve sociale reaguan me shqetësim ndaj këtij njoftimi.

    Kompania pranoi se kalimi nga një shërbim falas në një shërbim me pagesë “nuk është i lehtë”, por sugjeroi se kjo do të jetë vlerë për përdoruesit.

    Funksioni Memories lejon përdoruesit të ruajnë foto dhe video, dhe ato kthehen si “memories” ose “throwbacks” në çdo vit.

    Kjo nuk vlen për abonuesit e Snapchat+ dhe Snapchat Premium.

  • Arrestohet i dyshuari për vrasjen në Debëlldeh të Vitisë, ndalohet për 48-orë

    Arrestohet i dyshuari për vrasjen në Debëlldeh të Vitisë, ndalohet për 48-orë

    I dyshuari për vrasjen e një personi para rreth dy javësh në fshatin Debëlldeh të Vitisë është dorëzuar sot në Polici.

    Ai akuzohet për “vrasje të rëndë”.

    “Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme nga Sektori Rajonal i Hetimeve i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, si rezultat i veprimeve të vazhdueshme hetimore intensive, intervistave, zbatimit të masave të veçanta hetimore si dhe kontrolleve të përsëritura në disa lokacione të identifikuara si të mundshme për strehim (fshehje) e të dyshuarit, ka arritur të ushtrojë presion të vazhdueshëm që besohet se ka çuar në dorëzimin e të dyshuarit sot me datën 01.10.2025”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë në qendrën e mbajtjes.

  • Arrestohen tre persona në Kamenicë – Policia sekuestron para, armë e drogë

    Arrestohen tre persona në Kamenicë – Policia sekuestron para, armë e drogë

    Tre persona kanë përfunduar në prangat e Policisë së Kosovës në komunën e Kamenicës, pas një operacioni të gjerë policor të realizuar nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Sektorit Rajonal të Hetimeve në Gjilan.

    Sipas njoftimit të PK-së, operacioni është zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, pas një hetimi të gjatë dhe sigurimit të informatave nga terreni, si dhe në bazë të autorizimeve nga Prokuroria Themelore, raporton Sinjali.

    Njësitet policore kanë kryer bastisje në disa lokacione të identifikuara paraprakisht, ndaj një grupi personash nën dyshimin se ishin të përfshirë në veprat penale “Detyrimi”, “Posedim i substancave narkotike” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Gjatë kontrolleve në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarve janë gjetur dhe sekuestruar: Para në vlerë 8700 euro, 1 granatë dore, 1 revole TT me një karikator me 7 fishekë cal. 7.62 mm, 145 fishekë cal. 7.62 mm, 1 karikator, 201 fishekë cal. 7.62×39 mm, 1 sprej piper, 1 gëzhojë 7.62×39 mm, 1 cigare e mbushur me substancë të dyshuar marihuanë me peshë 1.1 gram.

    Si rezultat i këtij operacioni, janë arrestuar tre persona të dyshuar meshkuj kosovar: A.K., 39-vjeçar, A.K., dhe 25-vjeçar, dhe B.th.

    “Të njëjtit, me urdhër të prokurorit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

  • Zjarr në aeroportin Heathrow të Londërs – pamje

    Zjarr në aeroportin Heathrow të Londërs – pamje

    Një zjarr ka shpërthyer mëngjesin e sotëm në parkimin shumëkatësh të Terminalit 3 në aeroportin Heathrow në Londër, pasi një automjet mori flakë papritur, raportojnë autoritetet britanike.

    Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë shtëllunga të mëdha tymi që përfshinë godinën dhe flakë që u përhapën me shpejtësi.

    Sipas autoriteteve, alarmi i parë është dhënë në orën 09:03. Menjëherë pas njoftimit, katër automjete zjarrfikëse dhe rreth 25 zjarrfikës nga stacionet e Heathrow, Hayes dhe Feltham mbërritën në vendngjarje për të vënë nën kontroll flakët.

    Për shkak të situatës, një pjesë e autostradës M4 në drejtim të jugut është mbyllur pranë aeroportit, ndërsa udhëtarëve iu bë thirrje të përdorin daljen J3 të M4 ose J14 të M25. Edhe disa linja autobusësh ndërprenë shërbimin drejt Heathrow, duke shkaktuar vonesa dhe konfuzion për pasagjerët.

    Një zëdhënës i Heathrow tha se zjarri është vënë nën kontroll, por parkimi mbetet i mbyllur përkohësisht.

    “Mëngjesin e sotëm, ekipet tona reaguan ndaj një zjarri në parkimin shumëkatësh të Terminalit 3. Zjarri u shua shpejt, por parkimi mbetet i mbyllur përkohësisht, gjë që mund të shkaktojë trafik në rrugët përreth. Të gjitha parkimet e tjera të aeroportit funksionojnë normalisht. Kërkojmë ndjesë pasagjerëve për shqetësimin e shkaktuar,” u shpreh ai.

  • Gjykata lë në arrest shtëpiak reperin Buta

    Gjykata lë në arrest shtëpiak reperin Buta

    Gjykata Themelore në Ferizaj ka vendosur masën e arrestit shtëpiak në një afat prej 20 ditësh për reperin Buta.

    Sipas gjykatës, kjo periudhë kohore i jep mundësi që aktakuza të refuzohet.

    Ndryshe, sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më datën 11 shtator 2025 rreth orës 21:00, në rrugën “Zenel Hajdini” në Ferizaj, Betim Januzi “Buta” ka mbajtur në posedim pa autorizim substancë narkotike të dyshuar si kokainë dhe marihuanë, me qëllim shitjeje ose shpërndarje.

    “Policia gjatë një kontrolli rutinë ka ndaluar veturën e tipit BMW, të cilin e voziste i pandehuri dhe gjatë kontrollit në veturën e tij është gjetur një qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë 0.30 g, në çantën e dorës së të dyshuarit janë gjetur edhe 3 qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë të përgjithshme 1.32 g dhe një qese me substancë të dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë 0.46 g, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e të pandehurit janë gjetur edhe 2 qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 2.62 g, të cilat janë sekuestruar nga polica, me këtë do të kryente veprën penale ‘Blerja, posedimi , shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’ nga Neni 267, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.