ATV

Author: G.O.

  • Presidentja Osmani: Protestat studentore të vitit 1997, ishin lajmëtari i lirisë

    Presidentja Osmani: Protestat studentore të vitit 1997, ishin lajmëtari i lirisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në 28 vjetorin e protestës studentore ka thënë se studentët nuk u ngritën vetëm për të drejtat e tyre, por për dinjitetin e popullit.

    “Në vitin 1997, studentët e Kosovës u ngritën jo vetëm për të drejtat e tyre, por për dinjitetin e një populli të tërë. Ata kishin fuqinë e zërit, guximin e zemrës dhe besimin se e ardhmja nuk mund të ndërtohej mbi frikë, padrejtësi dhe terror. Në rrugët e Prishtinës, në auditoriumet e mbyllura, në sheshet e mbushura me thirrje e pankarta, u shkrua një kapitull i artë i rezistencës sonë”.”, ka shkruar Osmani”, citohet të ketë shkruar Osmani.

    Më tej shprehet se protesta studentore ishte lajmëtar i lirisë.

    “Protestat studentore të vitit 1997, ishin lajmëtari i lirisë, nga të cilat secili hap shndërrohej në akt heroizmi dhe secila thirrje për drejtësi bëhej kushtrim për liri e pavarësi. Sot, kur kujtojmë atë ditë të lavdishme, përulemi me respekt para atij brezi që guxoi të sfidojë padrejtësinë me forcën e paqes. Studentët e 97-tës na mësuan se liria nuk dhurohet, por fitohet, dhe e ardhmja nuk pritet, por ndërtohet”, shkruhet në njoftimin e presidencës.

  • Covey: Nuk e dija rolin e Thaçit në Rambuje, s’e di as kush e themeloi UÇK-në

    Covey: Nuk e dija rolin e Thaçit në Rambuje, s’e di as kush e themeloi UÇK-në

    Në ditën e dytë të seancës, ish-zëvendëshefi i UNMIK-ut, Jock Covey, po merret në pyetje nga Prokuroria.

    Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Covey deklaroi se nuk e di se kush ishin themeluesit e UÇK-së dhe nuk ka dijeni mbi rolin e Hashim Thaçit gjatë Marrëveshjes së Rambujesë, si dhe në çfarë cilësie ai ishte ftuar.

    “Nga historia e di se në përfundim të Rambujesë, ai (Thaçi) ishte caktuar si kryeministër i Qeverisë së Përkohshme. Unë, siç e thash, isha i përfshirë në Universitet dhe nuk e di se në çfarë cilësie ishte ftuar apo cili ka qenë roli i tij gjatë diskutimeve të mbajtura në Rambuje”, tha ai.

    Covey gjithashtu deklaroi se e ka ditur që Thaçi ishte ai që nënshkroi Marrëveshjen e Rambujesë. Përveç kësaj, ai mohoi të ketë dijeni për themeluesit e UÇK-së.

    “Nuk mund të them që kam dijeni”, tha dëshmitari kur u pyet nëse dinte për rolin e LPK-së në formimin e UÇK-së.

    Tutje, dëshmitari tha se kishte dijeni për sulmin ndaj familjes Jashari, ndërsa mohoi të ketë dijeni për ushtarët që iu bashkuan UÇK-së në pranverën dhe verën e vitit 1998.

    Ai shtoi se nuk ka dëgjuar as për marrjen e minierës në Bardh të Madh nga UÇK-ja dhe nuk e di nëse Thaçi ka qenë i përfshirë në këtë ngjarje.

  • Ngritet aktakuzë ndaj gjashtë personave për fajde prej 1.4 milion euro – kërkohet konfiskimi i 21 banesave dhe lokaleve afariste

    Ngritet aktakuzë ndaj gjashtë personave për fajde prej 1.4 milion euro – kërkohet konfiskimi i 21 banesave dhe lokaleve afariste

    Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër gjashtë personave për fajde.

    Sipas aktakuzës, L.M., B.K., L.A., Xh.K., D.G., dhe K.K., dyshohen se secili veç e veç ka kryer veprën penale “Fajdeja”, ndërsa të pandehurit L.M., Xh., kanë kryer gjithashtu veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe i pandehuri D.G., ka kryer gjithashtu veprën penale “Detyrimi”.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri L.M., me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton në mënyrë të paligjshme shuma të mëdha parash ndaj të dëmtuarit M.K., duke shfrytëzuar gjendjen e rënduar financiare të këtij të fundit, i pandehuri i ka dhënë borxh 20,000 euro me kamatë mujore 10%, që më pas janë grumbulluar deri në shumën 37,000 euro. Në pamundësi për ta kthyer borxhin, i dëmtuari është detyruar t’i japë banesën me sipërfaqe 123.8 m², në vlerë prej 70,000 euro. Në vitin 2022 i pandehuri merr edhe 10,000 euro të tjera me kamatë mujore 10%, ku borxhi i kamatave arrinë në 14,000 euro. Për shkak të pamundësisë për kthimin e borxhit, i dëmtuari detyrohet t’i japë edhe një banesë tjetër në fshatin Shirokë me sipërfaqe 80 m² dhe vlerë tregu 52,000 euro. Gjithsej, nga kamatat dhe borxhet e grumbulluara, i dëmtuari ka paguar rreth 92,000 euro dëm përkatësisht humbje në shkallë të madhe.

    “Po ashtu, në shtëpinë e tij në Korishë, gjatë kontrollit policor janë gjetur dhe sekuestruar 51 fishekë të kalibrit 7.62×39 mm, që i pandehuri i mbante pa leje, duke shkelur ligjin për armët”

    “I pandehuri B.K., gjatë vitit 2021 i ka dhënë në fajde shumën prej 75,000 eurosh me kamatë mujore 8% të dëmtuarit M.K. Kamata dhe borxhi janë rritur në mënyrë drastike, duke arritur shumën prej 240,000 eurosh deri në maj 2023”.

    “Për shkak të pamundësisë së kthimit të këtyre parave, i dëmtuari detyrohet që t’ia jap të pandehurit banesën me sipërfaqe prej 300 m² dhe një lokal afarist prej 242 m², të cilat së bashku vlejnë 205,700 euro. Kjo ka shkaktuar dëm të madh financiar për të dëmtuarit në shumën prej 280,700 euro. Me këto veprime, i pandehuri B.K., ka kryer veprën penale “Fajdeja” sipas KPRK-së.

    “I pandehuri L.A., nga prilli i vitit 2022 e dëri në fillimin e hetimeve dhe në vazhdimësi në Suharekë, i ka dhënë borxh të dëmtuarit M.K., shumën prej 7,000 eurosh me kamatë dhjetëditore prej 2,000 eurosh, duke e detyruar të dëmtuarin të paguajë shumën disa herë më të madhe se borxhi i vërtetë. Kur i dëmtuari nuk kishte para për të paguar, i pandehuri i ka ofruar si “shpërblim” mallra të ndryshme (traktor, ëa, disa dem dhe krerë lopësh) të vlerës së konsiderueshme, duke shfrytëzuar situatën e vështirë financiare të viktimës. Për më tepër, i pandehuri ka lidhur parakontratë për marrjen e një banese në sipërfaqe prej 100m2 dhe një lokal me sipërfaqe prej 100 m2 në katin përdhesë dhe një garazhë me vlerë të përgjithshme prej 180,000 euro, duke shkaktuar dëm të madh financiar të dëmtuarit L.K., dhe vëllaut të tij M.K. “, thuhet mes tjerash në njoftim të prokurorisë.

    Po ashtu, bëhet e ditur se Xh.K., ka mbajtur në mënyrë të paautorizuar një armë zjarri – pistoletë të llojit “Mauser – Werke Oberndorf GMBH” kalibër 9mm së bashku me një karikator dhe nëntë fishekë.
    “I pandehuri D.G., nga qershori i vitit 2021 deri në fillimin e hetimeve dhe më pas, në Suharekë, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm, i jep të dëmtuarit M.K., para me fajde në shumë prej 20,000 euro me kamatë mujore 8%. Brenda një muaji e gjysmë, i dëmtuari merr në total 120,000 euro kesh, duke paguar çdo muaj kamata prej 10,000 euro, dhe në total gjatë 12 muajve paguan 120,000 euro kamata. Në qershor 2023, pasi i dëmtuari nuk mund të vazhdojë pagesat, i pandehuri kërkon nga ai dhe vëllai i tij L.K., shumën prej 320,000 euro në emër të kamatave, duke kërkuar në këmbim 750 m² banesa në fshatin Shirokë. Nga frika, të dëmtuarit pranojnë, por për shkak të vonesave në ndërtim, në maj 2024 i pandehuri kërkon rritjen e sipërfaqes së banesave në 1,180 m² (ekuivalent i 11 banesave) dhe nënshkruan parakontratë me datë 20.03.2023 për këtë shitblerje”.

    “Po ashtu, D.G., nga 08.02.2024 dhe në vazhdimësi, në Suharekë dhe Prishtinë, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm, përdor forcë dhe kanosje serioze ndaj të dëmtuarve M.K., dhe L.K., për t’i detyruar të japin pronat e tyre. Më 08.02.2024, gjatë një takimi Prishtinë, ai i merr me makinë dhe gjatë rrugës, duke e kanosur M.K.,, arrijnë marrëveshje që të japin banesat prej 1,180 m² (ekuivalent i 11 banesave) në Shirokë si pagesë për borxhet dhe kamatat. Këto veprime i shkaktojnë të dëmtuarve dëm prej 767,000 euro”

    “I pandehuri K.K., nga korriku 2024 dhe në vazhdimësi, në Suharekë, duke shfrytëzuar gjendjen e rënduar financiare të të dëmtuarit M.K., i jep borxh 2,600 euro me kamatë javore prej 450 euro. Për shkak të pamundësisë për pagesë, kamatat për 16 javë grumbullohen dhe së bashku me borxhin bazë arrijnë në 9,800 euro. Këto veprime i shkaktojnë të dëmtuarit dëm në shumën prej 9,800 euro|, thekson prokuroria e Prizrenit.

  • Protesta e 1 tetorit, Kurti: Protestat studentore i paraprinë dhe iu bashkuan luftës çlirimtare të UÇK-së

    Protesta e 1 tetorit, Kurti: Protestat studentore i paraprinë dhe iu bashkuan luftës çlirimtare të UÇK-së

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përkujtuar protestën studentore të 1 tetorit 1997, duke theksuar se kjo ngjarje e ka thyer dhe shembur figurën e mitizuar të “policit serb” të sfidueshëm.

    Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka shpjeguar se protesta, e kthyer më pas në demonstratë popullore, i paraprin luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Protesta e 1 tetorit 1997, e theu dhe shembi figurën e mitizuar të ‘policit serb’ të sfidueshëm siç e prishi edhe pasivitetin e tejzgjatur të rezistencës së viteve të fundit. Protestat studentore të kthyera në demonstrata popullore, i paraprinë dhe iu bashkëngjitën luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që pasoi nga fundi i vitit 1997 deri në çlirimin e Kosovës në qershor të vitit 1999. Duke i kujtuar shokët dhe shoqet studentë, profesorët e nderuar të Universitetit të Prishtinës dhe mijëra e mijëra qytetarë që patën vetëdijen dhe guximin për t’iu bashkuar lëvizjes studentore të UP-së në atë etapë aq të rëndësishme të rrugës së popullit të Kosovës drejt çlirimit të saj”, ka shkruar ai.

    Kurti ka shtuar se kjo rezistencë paqësore e popullit të Kosovës i ka treguar regjimit kriminal të Serbisë në Jugosllavi dhe botës demokratike në Perëndim se shqiptarët e Kosovës ishin të vendosur në luftën e tyre për liri dhe shtetndërtim.

    “Që nga viti 1991, regjimi i apartheidit i Serbisë që ishte instaluar në Kosovë mes viteve 1989 – 1991, i kishte përjashtuar studentët dhe profesorët nga kampusi i Universitetit të Prishtinës, siç kishte bërë edhe me nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollave të mesme. Deri në shpërthimin e luftës në Kosovë, rreth 3000 shtëpi dhe lokale private u adaptuan në ambiente të improvizuara për zhvillimin e sistemit arsimor, në kushte dhe rrethana të jashtëzakonshme”, ka shtuar ai.

    Ngjarjen e ka kujtuar edhe Driton Lajçi, ish-organizator i asaj proteste, i cili ka theksuar se lëvizja studentore (1997–1999) nisi me kërkesën për lirimin e objekteve universitare dhe u shndërrua në një lëvizje të fuqishme popullore kundër okupimit serb, duke sensibilizuar opinionin ndërkombëtar, mbështetur UÇK-në dhe ndikuar në procesin e statusit politik të Kosovës.

    “Jam krenar që i përkas brezit që me guxim kontribuoj për liri. Urime 1 Tetori 1997 dhe nderim brezit të studentëve të lirisë”, ka shkruar ai në Facebook.

  • Çfarë ndikimi do të ketë mbyllja e qeverisë së ShBA-së?

    Çfarë ndikimi do të ketë mbyllja e qeverisë së ShBA-së?

    Qeveria federale e ShBA-së është mbyllur pasi ligjvënësit republikanë dhe demokratë nuk arritën të zgjidhnin një bllokim buxhetor.

    Bllokimi ndikon në financimin e operacioneve qeveritare deri në tetor dhe më tej dhe është i gatshëm të shkaktojë ndërprerje të gjera për amerikanët në fusha që variojnë nga udhëtimet ajrore deri te vizitat në kopshtin zoologjik.

    Bllokimi politik pritet gjithashtu të vërë 40% të fuqisë punëtore federale – rreth 800 mijë njerëz – në pushim të papaguar.

    Fluturimi i radhës

    Një mbyllje federale do t’i godasë udhëtarët në një sërë mënyrash, duke çuar potencialisht në radhë të gjata sigurie dhe vonesa të shkaktuara nga kontrollorët e trafikut ajror të papaguar që zgjedhin të qëndrojnë në shtëpi në vend që të punojnë falas.

    Punonjësit e Kontrollit të Trafikut Ajror dhe Administratës së Sigurisë së Transportit (TSA) konsiderohen “thelbësorë”, kështu që ata do të vazhdojnë të shkojnë në punë në rast të një mbylljeje.

    Por ata nuk do të paguhen derisa të përfundojë mbyllja. Gjatë mbylljes së fundit në 2018-2019, këta punëtorë filluan gjithnjë e më shumë të lajmëroheshin të sëmurë, duke çuar në vonesa në aeroport.

    Ndikimi do të ndihet edhe nga amerikanët që planifikojnë të udhëtojnë jashtë vendit, me agjencitë amerikane të pasaportave që paralajmërojnë se mund të duhet më shumë kohë se zakonisht për të përpunuar dokumentet e udhëtimit.

    Asnjë punë – ose pagesë – për punonjësit federalë

    Pritet që punonjësit federalë të jenë më të goditurit, pasi nuk do të marrin asnjë çek page ndërsa mbyllja vazhdon.

    Disa punonjës mund të zgjedhin të marrin punë të dyta, siç kanë bërë gjatë mbylljeve të mëparshme. Punonjësit që nuk konsiderohen thelbësorë do të detyrohen të qëndrojnë në shtëpi. Në të kaluarën, këta punonjës janë paguar më pas në mënyrë retrospektive.

    Disa agjenci, si Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe Institutet Kombëtare të Shëndetit, ka të ngjarë të pezullojnë shumë punonjës, duke ndikuar në kërkimet dhe eksperimentet e vazhdueshme që janë tashmë në zhvillim e sipër.

    Presidenti Donald Trump, i cili ka shkurtuar shpenzimet qeveritare dhe ka shkurtuar vendet e punës federale që kur mori detyrën, paralajmëroi vazhdimisht se një mbyllje e qeverisë mund të përshpejtojë shkurtimet e mëtejshme të vendeve të punës dhe t’i lejojë atij të shkurtojë shërbimet dhe programet që ai thotë se janë të rëndësishme për demokratët.

    Kontraktorët, të cilët punojnë për agjencitë federale, por nuk janë të punësuar drejtpërdrejt nga qeveria, gjithashtu do të humbasin punë.

    Këta punonjës historikisht nuk kanë marrë asnjë pagesë të prapambetur, sipas Komitetit për një Buxhet Federal të Përgjegjshëm.

    Parqe Kombëtare pa staf

    Toka federale, duke përfshirë Parqet Kombëtare dhe Pyjet Kombëtare, janë mbyllur për vizitorët gjatë mbylljeve të kaluara, pasi rojeve dhe punonjësve të tjerë iu kërkua të qëndronin në shtëpi.

    Gjatë mbylljes së fundit, administrata Trump mori vendimin për të lënë parqet të hapura, me pak ose aspak punonjës federalë atje për t’i shërbyer atyre.

    Sipas avokatëve të parqeve, vendimi çoi në vandalizëm në parqe, ndërsa vizitorët kalonin nëpër peizazhe të mbrojtura, plaçkitnin vende historike dhe hidhnin mbeturina të shumta.

    Një grup prej më shumë se 40 ish-mbikëqyrësish parqesh i kanë bërë thirrje Shtëpisë së Bardhë që të mbyllë plotësisht parqet në rast të një mbylljeje.

    “Ne nuk i lëmë muzetë të hapura pa kuratorë, ose aeroportet pa kontrollorë të trafikut ajror – dhe nuk duhet t’i lëmë parqet tona kombëtare të hapura pa punonjës të Shërbimit të Parqeve Kombëtare”, tha Emily Thompson e Koalicionit për Mbrojtjen e Parqeve Kombëtare të Amerikës.

    Vizitë në kopshtin zoologjik

    Muzetë e famshme të Institutit Smithsonian në Washington DC do të qëndrojnë të hapura të paktën deri të hënën e ardhshme, më 6 tetor.

    Në faqen e internetit të Smithsonian, organizata tha se kishte fonde në dispozicion nga vitet e mëparshme për ta ndihmuar të qëndronte e hapur.

    Kafshët në Kopshtin Zoologjik Kombëtar “do të vazhdojnë të ushqehen”, sipas Smithsonian, i cili drejton kopshtin zoologjik.

    Por kamerat e njohura do të fiken, pasi ato janë konsideruar jo thelbësore nga stafi i kopshtit zoologjik.

    Pezullimi i transmetimeve do t’u prishë shikuesve mundësinë për të parë pandat, luanët, elefantët dhe minjtë e zhveshur të kopshtit zoologjik.

    Kujdesi shëndetësor për të moshuarit dhe të varfrit

    Medicare dhe Medicaid, programet e shëndetit social për të moshuarit dhe të varfrit, do të vazhdojnë, por mungesa e personelit mund të çojë në disa ndërprerje për shërbime të caktuara.

    Ndihma emergjente në rast fatkeqësish pritet gjithashtu të mos preket kryesisht, megjithatë puna tjetër e kryer nga agjencitë e fatkeqësive do të preket.

    Programi Kombëtar i Sigurimit nga Përmbytjet do të mbyllet, duke vonuar disa hipoteka për pronat që kërkojnë politika nga programi i drejtuar nga qeveria.

    Por nëse mbyllja zgjatet, është e mundur që Administrata Federale e Menaxhimit të Emergjencave (Fema) të mbetet pa para për Fondin e saj të Ndihmës në Rast Fatkeqësish.

    Programet e ndihmës ushqimore do të preken gjithashtu, me Programin e Ushqyerjes Plotësuese për Gratë, Foshnjat dhe Fëmijët (WIC) që pritet të mbetet shpejt pa fonde.

    Programi i Ndihmës Plotësuese për Ushqyerjen (i njohur më parë si kupona ushqimore) pritet të vazhdojë për më gjatë, por është gjithashtu në rrezik të mbetet pa fonde.

  • KFOR-i vendos mbi 100 shenja paralajmëruese përgjatë kufirit me Serbinë

    KFOR-i vendos mbi 100 shenja paralajmëruese përgjatë kufirit me Serbinë

    Ushtarët nga Misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, kanë vendosur shenja të reja përgjatë Vijës Kufiri Administrativ (ABL) brenda zonës së përgjegjësisë së KFOR-it.

    Gjithsej 114 shenja janë vendosur nëpër zona malore dhe pyllëzuese, duke shënuar qartë zonën e operacioneve të KFOR-it dhe duke zvogëluar rrezikun e kalimeve aksidentale, ka njoftuar KFOR-i.

    Këto shenja vendosen kryesisht përgjatë kufirit të Kosovës me Serbinë.

    “KFOR-i do të vazhdojë përpjekjet për promovimin e një ambienti të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë, duke përfshirë përmes patrullimeve të rregullta në veri të Kosovës dhe pranë Vijës Kufiri Administrativ”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

  • Avokati i Thaçit: Jemi duke pritur autorizim edhe për disa dëshmitarë

    Avokati i Thaçit: Jemi duke pritur autorizim edhe për disa dëshmitarë

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, avokati Luka Mishetiq që përfaqëson Thaçin, tha se kanë marrë autorizimin për dëshmitarët 1DW008 dhe 1DW010. Ai tha se presin që të nxjerrin deklaratat e tyre për palët gjatë kësaj jave ose edhe nesër.

    Mishetiq theksoi se iu ka mbetur edhe një dëshmitar për të cilin nevojitet marrja e autorizimit e që ky dëshmitar është 1DW007. Tha se të gjithë këta dëshmitarë synojnë që t’i thërrasin për t’u paraqitur në sallën e gjyqit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Besojmë që po, por ka disa faktorë që ndërhyjnë. Kemi parashtruar një mocion i cili nuk është vendosur akoma lidhur me një dëshmitar, pra nëse ai pranon ose jo dhe kjo hyn tek planifikimi i gjërat. Mandej, kemi një dëshmitar të dytë që diskutuam dje… do ju njoftojmë për të gjithë dëshmitarët që mbeten dhe që ne synojmë t’i përfundojmë brenda planit të paraparë”, tha ai.

    Rodney Dixon që përfaqëson Veselin tha që vlerësimet e tyre lidhur me pyetjet që kanë planifikuar për dëshmitarët që do thirren nga Thaçi, mbeten të njëjta. Ndërsa, nëse kanë njoftim për dëshmitarë të tjerë, atëherë vlerësimet mund të ndryshojnë.

    Ndërsa, mbrojtja e Krasniqit, për dëshmitarët e vet tha se janë duke bërë rivlerësime.

    Kurse kryetari i turpit gjykues, Charles Smith III tha se palët duhet të përpiqen që të jenë më efikas në mënyrë që të arrihet që çështja e mbrojtjes të mbyllet më 14 nëntor ashtu siç është planifikuar.

    Ndryshe, pas këtij diskutimi, në sallën e gjyqit erdhi dëshmitari James Peter Covey i cili filloi dje dëshminë. Covey sot është duke e marrë në pyetje nga prokurorja Vega Iodice.

    Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.

    Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.

    Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë  James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner.

  • Dëshmitari: Nuk kam njohuri rreth rolit të Azem Sylës dhe Sokol Bashotës në UÇK

    Dëshmitari: Nuk kam njohuri rreth rolit të Azem Sylës dhe Sokol Bashotës në UÇK

    Në ditën e dytë, ish-zëvendëshefi i UNMIK-ut Jock Covey, po merret në pyetje nga Prokuroria.

    Ai u pyet nga Prokurorja për rolin e Azem Sylës dhe Sokol Bashotës në UÇK.

    Prokurorja: A keni dijeni mbi rolet e Azem Sylës dhe Sokol Bashotës?

    Covey: “JO”, u përgjigj shkurtimisht ai.

    Ish-numri dy i UNMIK-ut u pyet edhe rreth një rasti të shkëmbimit të të burgosurve.

    Prokurorja: A keni dëgjuar për një rast të shkëmbimit të të burgosurve që kishte ndodhur në janar të vitit 1999-të?

    Ai u përgjigj sërish me jo.

    “Më lejoni të shtoj se në atë kohë nuk kam qenë i përfshirë, kam punuar në Universitetin e Mbrojtjes. Kam qenë duke punuar në një libër që do të shfrytëzohej nga oficerët e së ardhshmes”, u shpreh Covey.

  • S’ka fonde, ndalen përditësimet në Facebook të Ambasadës së ShBA-së në Kosovë

    S’ka fonde, ndalen përditësimet në Facebook të Ambasadës së ShBA-së në Kosovë

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka njoftuar se, për shkak të mungesës së fondeve të alokuara, faqja e saj zyrtare në Facebook nuk do të përditësohet rregullisht deri në rifillimin e operacioneve të plota.

    Në komunikatë theksohet se përjashtim do të bëhet vetëm për publikimin e informacioneve urgjente të sigurisë.

    “Për shkak të mungesës së fondeve të alokuara, kjo llogari në Facebook nuk do të përditësohet rregullisht derisa të rifillojnë operacionet e plota, me përjashtim të informacionit urgjent të sigurisë. Shërbimet e planifikuara të pasaportave dhe vizave në SHBA dhe në ambasadat e konsullatat jashtë vendit do të vazhdojnë, sipas situatës”, thuhet në njoftim.

    Ambasada u ka bërë thirrje qytetarëve që për informacione të detajuara dhe përditësime mbi statusin e shërbimeve konsullore të vizitojnë faqen zyrtare travel.state.gov.

  • Qelaj: Ka pasur një tendencë për të sulmuar verbalisht dhe akuzuar mediat se gjoja punojnë kundër interesave të vendit

    Qelaj: Ka pasur një tendencë për të sulmuar verbalisht dhe akuzuar mediat se gjoja punojnë kundër interesave të vendit

    Avokati i Popullit të Kosovës, Naim Qelaj ka shprehur shqetësimin në lidhje me sulmet ndaj mediave. Ai teksa fliste për çështjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, tregoi për shqetësimet që janë ngritur nga shoqëria civile në lidhej me lirinë e shprehës dhe mediave, raporton Ekonomia Online.

    Ai tha  thekson se në vitet e fundit ka pasë një tendencë me i sulmu verbaslisht por edhe me i akuzu mediat  që po punojnë kundër interesave të vendit.

    “Kemi pasë bashkëpunim edhe m organizatat e shoqërisë civile që janë në vështirësi për shkak të paqëndrueshmërisë financiare por që ne kemi arritur me kriju një forum si platformë ku avokati I popullit dhe shoqëria civile krijon një plan të veçantë veprimit dhe trajton aspektet që janë të rëndësishme për ne dhe shoqërinë civile. Nëse flasim për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë mund të them se ka pasë shqetësime që janë ngritur te ne dhe shoqëria civile lidhur me lirinë e shprehjes dhe mediave. Viteve të fundit ka pasë një tendencë me i sulmu verbalisht por edhe formave tjera, gjuhës së ashpër, tendencës për linçim, shenjestrimi dhe akuzave që punojnë kundër interesave të vendit. Disa mediume që kanë paraqitur edhe shqetësim për ne dhe kemi reaguar në raste ku kemi konstatu ku ka tendenca të tilla”, tha Qelaj.

    Ai ka përmendur edhe rastin e punëtorëve të RTK-së.

    “Mungesa e vullnetit politik për me gjetë zgjidhje për financimin e qëndrueshëm të RTK-së ka sjellë në situatën ku në fund të vitit orrik, RTK e vetmja publike ishte në prag të kolapsit për shkak të mungesës së mjeteve financiare për pagat . ne kemi pa me shqetësim dhe reagimet publike lidhur me tendencën për me vendos censurën këtë institucion. Kemi kontaktuar menaxhmentin dhe sindikatat brenda këtij medium dhe kemi punuar në atë drejtim që me u siguru që një gjë e tillë nuk do të ndodhë meqenëse është në inters të publikut”, u shpreh Qelaj gjatë një takimi me partnerët ndërkombëtarë që u organizua për nder të përvjetorit të 25-të të themelimit të Institucionit të Avokatit të Popullit.