ATV

Author: G.O.

  • Tetori sjell borën e parë në Kosovë

    Tetori sjell borën e parë në Kosovë

    Mëngjesi i së enjtes ka sjellë reshjet e para të borës për sivjet në Kosovë, ku zonat e larta malore, kryesisht në rajonin e Dukagjinit, janë zbardhur nga një shtresë bore.

    Disa pamje të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë se bora ka mbuluar Prevallën, Brezovicën, Brodin, si dhe zonën malore të Strellcit në Deçan.

    Ndërkohë, në viset e ulëta të vendit, moti po karakterizohet nga reshje shiu.

  • Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Covey: Thaçi ishte vetëm një urë lidhëse

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Covey: Thaçi ishte vetëm një urë lidhëse

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, po vazhdon dëshminë për të tretën ditë me radhë dëshmitari i katërt i mbrojtjes, James Peter Covey.

    Në seancën e sotme, ai deklaroi se Hashim Thaçi ishte një “urë lidhëse” kur kërkoi armë për disa anëtarë të UÇK-së.

    Sipas ish-zëvendësit të Bernard Kouchnerit, ndërkombëtarët e kuptuan se ai po kryente detyrën që i kërkuan të tjerët.

    James Peter Covey është dëshmitari i katërt i mbrojtjes, e cila nisi paraqitjen e provave të saj më 15 shtator.

    Dëshmisë së tij i paraprinë emra të njohur të diplomacisë ndërkombëtare, përfshirë ish-zëdhënësin e Departamentit të Shtetit, James Rubin, dhe këshilltarin e gjeneralit Wesley Clark.

  • Moti sot: Reshje intensive shiu, borë në disa zona

    Moti sot: Reshje intensive shiu, borë në disa zona

    Sot parashikohet mot i vranët dhe me reshje të dendura atmosferike. Fillimisht reshjet do të jenë në formë shiu, ndërsa në zonat malore në formë bore. Gjatë pasdites dhe mbrëmjes, reshjet gradualisht do të shndërrohen në shqotë dhe borë edhe në disa zona të ulëta, veçanërisht në Rrafshin e Kosovës, njofton MeteoKosova.

    Reshjet më intensive parashikohen në orët e mbrëmjes dhe gjatë natës, me përqendrim më të madh në zonat juglindore, lindore dhe verilindore.

    Si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut, mund të ketë vërshime lokale, ndërsa në zonat me reshje bore pritet të formohen shtresa bore.

    Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i veriut, e cila herë pas here pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 15-45 km/h.

    Temperaturat do të pësojnë ulje të theksueshme, me minimale që do të lëvizin prej 4 deri në 6°C, ndërsa ato maksimale prej 5 deri në 8°C. Gjatë orëve të pasdites temperaturat do të vazhdojnë të ulen tutje.

  • Covey vazhdon dëshminë edhe sot në Speciale

    Covey vazhdon dëshminë edhe sot në Speciale

    Dëshmitari i katërt i Mbrojtjes së Thaçit, James (Jock) Covey, vazhdon edhe sot dëshminë e tij në Speciale.

    Dëshmitari James Peter Covey, në dëshminë e tij në Hagë, ka thënë se Hashim Thaçi nuk ka ndërlidhje me asnjë nga pretendimet e prokurorisë për veprimtari kriminale nga ana e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Dëshmia e tij vazhdon me pyetjet shtesë të avokatit Luka Mishetiq.

    James (Jock) Covey është dëshmitari i thirrur nga Mbrojtja e Hashim Thaçit, sipas përmbledhjes së Mbrojtjes të lexuar në gjykatë, Covey ka shërbyer si Zëvendës Kryesor i Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën gjatë periudhës përkatëse.

  • Më lehtë nga sa mendoni, mund ta hiqni lehtësisht yndyrën nga enët plastike me këtë metodë

    Më lehtë nga sa mendoni, mund ta hiqni lehtësisht yndyrën nga enët plastike me këtë metodë

    Heqja e njollave të yndyrshme të salcës nga enët plastike duket si një detyrë e pamundur, por kjo metodë e thjeshtë është shumë efektive pa pasur nevojë për fërkim të gjatë.

    Nëse keni ruajtur ndonjëherë ushqime të mbetura si makarona ose gjellë në një enë plastike, mund të keni vënë re se asnjë sasi enësh që lahet më pas nuk mund t’i heqë njollat portokalli ose të kuqe nga brenda.

    Pavarësisht fërkimit, këto njolla janë kokëforta, por kjo nuk do të thotë që duhet ta hidhni enën. Një truk që nuk kërkon fërkim ose produkte të specializuara është bërë popullor për efektivitetin e tij në rikthimin e një ene plastike në gjendjen e saj origjinale, pa njolla.

    E tëra çfarë ju nevojitet për të hequr yndyrën nga plastika është uji, detergjenti për larjen e enëve dhe letër kuzhine. Për të filluar, mbushni një enë me pak ujë, shtoni pak detergjent dhe futni një letër kuzhine.

    Pas kësaj, mbylleni enën dhe thjesht tundeni mirë. Një letër kuzhine e përzier me detergjent dhe ujë do t’i heqë lehtësisht të gjitha njollat.

    Një metodë tjetër për heqjen e njollave të yndyrshme të ushqimit nga kutitë plastike të magazinimit është përdorimi i detergjentit për larje rrobash.

    Ekspertja e pastrimit, Ann Russell, thotë se thjesht duhet të mbushni lavamanin me ujë, të shtoni disa lugë gjelle detergjent rrobash dhe t’i lini enët të zhyten në ujë.

    Ekspertët në The Kitchen sugjerojnë gjithashtu përdorimin e sodës së bukës dhe ujit për të hequr njollat. Ata shpjegojnë se si mund të shtoni një deri në dy lugë gjelle sodë buke në fund të një tasi me pak ujë për të krijuar një pastë.

    Kjo duhet të shpërndahet në të gjithë enën dhe të lihet të veprojë për 30 minuta – pas së cilës mund ta fshini pastën me një leckë të lagur dhe ta shpëlani me detergjent dhe ujë.

  • Gjermania arreston pjesëtarë të dyshuar të Hamasit që besohet se synonin institucione hebraike

    Gjermania arreston pjesëtarë të dyshuar të Hamasit që besohet se synonin institucione hebraike

    Autoritetet gjermane i kanë arrestuar tre të dyshuar si operativë të huaj të Hamasit, për të cilët besojnë se po përgatiteshin për një akt të rëndë dhune në Gjermani, thanë prokurorët të mërkurën.

    Hamasi është grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Sipas prokurorëve, tre burrat dyshohet se ishin të përfshirë, të paktën nga vera e këtij viti, në sigurimin e armëve të zjarrit dhe municioneve për Hamasin, me qëllim përdorimin e tyre në atentate ndaj institucioneve izraelite ose hebraike në Gjermani.

    “Gjatë arrestimeve të sotme, u gjetën armë të ndryshme, përfshirë një pushkë automatike AK-47 dhe disa pistoleta, si dhe një sasi e konsiderueshme municionesh”, thuhet në një deklaratë të prokurorëve federalë.

    Që të tre të dyshuarit, të identifikuar sipas ligjeve gjermane për privatësinë vetëm si shtetasi gjerman Abed Al G., Wael F. M., i lindur në Liban, dhe shtetasi gjerman Ahmad I. – u arrestuan në Berlin.

    Në shkurt, katër anëtarë të Hamasit të dyshuar për planifikimin e sulmeve ndaj institucioneve hebraike në Evropë dolën në gjyq në Berlin, në atë që prokurorët e përshkruan si procesi i parë gjyqësor ndaj militantëve të grupit islamik në Gjermani.

    Gazeta gjermane Der Spiegel raportoi se hetuesit kundër terrorizmit vunë re se të akuzuarit u takuan të mërkurën në Berlin për dorëzimin e armëve, para se forcat operacionale të ndërhynin dhe të zbulonin armë funksionale.

  • Edukatorja e një çerdheje në Pejë ndalohet për 48 orë për keqtrajtimin e një fëmije

    Edukatorja e një çerdheje në Pejë ndalohet për 48 orë për keqtrajtimin e një fëmije

    Një ngjarje e rënë ka ndodhur sot në Pejë në një institucion parashkollor.

    Edukatorja e një çerdhe është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit, për shkak të dyshimeve për keqtrajtimin e një fëmije.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

    Sipas Nikçit, rasti është raportuar menjëherë nga familjarët e fëmijës, të cilët kanë vënë në dukje sjelljen e papranueshme të edukatores ndaj vogëlushit.

    Pas marrjes së informatave, prokuroria ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme.

    “Menjëherë pas raportimit të rastit, është filluar intervistimi i të pandehurës dhe e njëjta është ndaluar për 48 orë”, ka thënë Nikçi.

    Ai ka shtuar se hetimet janë në vazhdim për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes. /Telegrafi/

  • ASK: Shkalla e papunësisë në vitin 2024 ishte rreth 11 për qind

    ASK: Shkalla e papunësisë në vitin 2024 ishte rreth 11 për qind

    Agjencia e Statistikave të Kosovës ka thënë se në vitin 2024, shkalla e papunësisë në Kosovë ka qenë 10.8%.

    Në vitin 2014 shkalla e papunësisë ka qenë 35.3%, duke shënuar një ulje prej rreth 25% në vitin 2024.

    Në Raportin Vjetari Statistikor për vitin 2025, në vitin 2014 fuqia punëtore ka qenë 500 mijë e 251 persona, kurse në vitin 2024 ka pësuar rënie, duke u evidentuar 464 mijë e 567 persona si fuqi punëtore.

    Në ndërkohë, edhe popullsia ekonomikisht jo aktive ka shënuar ulje. “Popullsia ekonomikisht jo aktive” nënkupton personat që janë në moshë pune, por që as nuk janë të punësuar e as nuk janë aktivisht në kërkim të një pune dhe rrjedhimisht nuk konsiderohen pjesë e fuqisë punëtore.

    Sipas ASK-së, në vitin 2014, popullsia ekonomikisht jo aktive ka qenë 702 mijë e 238 persona, kurse në vitin 2024 janë regjistruar 610 mijë e 137 persona të tillë.

    Shkalla e punësimit në vitin 2014 ka qenë 26.9%, ndërsa në vitin 2024 kjo ka shënuar rritje, duke arritur në 38.6%. Shkalla e punësimit më e ulëta në 10 vitet e fundit ka qenë në vitin 2015, me 25.2%.

    Në anën tjetër, paga mesatare neto në Kosovë në vitin 2014 ka qenë 365 euro, kurse në vitin 2024 ka arritur në 552 euro. Sipas ASK-së, në sektorin publik paga mesatare neto në vitin 2024 ka arritur në 668 euro, për dallim 423 euro sa ka qenë në vitin 2014.

    Për çdo vit, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon Raportin e njohur si “Vjetari Statistikor”, i cili ofron të dhëna themelore statistikore për Kosovën, si në fushën demografike, ekonomike, bujqësore.

    Aty përfshihen statistika për popullsinë, ekonomitë familjare, lindjet, vdekjet, arsimin, kulturën, shëndetësinë, mirëqenien sociale apo energjinë.

    Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU.

  • Arrestohen tre të mitur në Mitrovicë të Veriut, dyshohen për lëndim të lehtë

    Arrestohen tre të mitur në Mitrovicë të Veriut, dyshohen për lëndim të lehtë

    Tre të mitur janë arrestuar sot në Mitrovicën e Veriut për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Kanosje”.

    Në njoftimin e policisë thuhet se të arrestuarit janë: I.D. – 2010, J.S. – 2010, V.M. – 2011.

    “Arrestimi i tre të dyshuarve është bërë mbi dyshimet e bazuara se ata janë të përfshirë në rastin e raportuar më 28 shtator në Mitrovicë të Veriut, kur ankuesi kishte raportuar se ishte sulmuar fizikisht derisa po lëvizte në rrugën ‘Lola Ribar’ dhe të njëjtët gjithashtu kishin kanosur nipin e tij të mitur, ankuesi pas rastit kishte pranuar edhe trajtim mjekësor”, thuhet në njoftim.

    Tutje bëhet e ditur se pas intervistimit me urdhër të prokurorit të shtetit janë liruar.

    “Arrestimi i të miturve është realizuar në qytetin e Mitrovicës së Veriut, ndërsa ata janë intervistuar në bazë të procedurave ligjore. Me urdhër të prokurorit të Shtetit, pas intervistimit, të njëjtët janë liruar, ndërsa ndaj tyre janë iniciuar raste për veprat penale: ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘Kanosje’”, ka njoftuar Policia.

  • Paralajmërim për mot të keq, Komuna e Prishtinës – qytetarëve: Kujdes në komunikacion, ka rrezik për përmbytje

    Paralajmërim për mot të keq, Komuna e Prishtinës – qytetarëve: Kujdes në komunikacion, ka rrezik për përmbytje

    Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Prishtinës ka paralajmëruar qytetarët që të jenë të kujdesshëm, pasi nga 1 deri më 3 tetor pritet një ulje e ndjeshme e temperaturave.

    Sipas Drejtorisë, në disa zona malore të kryeqytetit mund të ketë edhe reshje bore.

    Po ashtu, Drejtoria ka apeluar që qytetarët të tregojnë kujdes në qarkullim për shkak të lagështisë dhe mundësisë së akullit, si dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara nga përmbytjet.

    “Sipas të dhënave të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, gjatë periudhës 1–3 tetor 2025 priten reshje intensive shiu në Prishtinë dhe rrethinë, të cilat mund të shkaktojnë vështirësi në komunikacion dhe rrezik për përmbytje të shpejta. Temperaturat do të ulen ndjeshëm, duke arritur deri në 1–2°C. Në zonat malore pranë kryeqytetit ka mundësi të bien reshje bore, sidomos gjatë netëve më të ftohta ose në rast të reshjeve të vazhdueshme. Këshilla për qytetarët: tregoni kujdes në qarkullim për shkak të lagështisë dhe mundësisë së akullit dhe shmangni lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara nga përmbytjet. Ju lutemi të merrni masat e nevojshme për sigurinë tuaj.”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë në Facebook.