ATV

Author: G.O.

  • Nga sot KFOR-i bëhet me komandant të ri

    Nga sot KFOR-i bëhet me komandant të ri

    Sot, me fillim nga ora 11:00 në Kampin Film City në Prishtinë, do të mbahet ceremonia zyrtare e ndërrimit të komandës në Shtabin e KFOR-it.

    Gjeneralmajori i Ushtrisë Italiane, Enrico Barduani, do t’ia dorëzojë komandën e misionit gjeneralmajorit të Ushtrisë Turke, Ozkan Ulutash.

    Ky është një rikthim në krye të KFOR-it për Ulutash, i cili kishte mbajtur këtë post më parë deri më 11 tetor 2024, kur ia dorëzoi komandën Barduanit. Me këtë rikthim, ai rifillon përgjegjësinë për drejtimin e misionit të NATO-s në Kosovë.

    Ceremonia simbolizon vazhdimësinë e përkushtimit të Aleancës për siguri dhe stabilitet në rajon, si dhe bashkëpunimin e ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

  • Kështu dukej Jonida Vokshi kur garonte për Miss Albania

    Kështu dukej Jonida Vokshi kur garonte për Miss Albania

    Aktorja dhe moderatorja e njohur Jonida Vokshi ka ndarë me ndjekësit një kujtim të çmuar nga vitet e hershme të karrierës së saj.

    Ajo ka publikuar një fotografi të vjetër nga kompeticioni Miss Albania, ku garonte krah aktores Niada Saliasi.

    Në imazhin nostalgjik, Jonida shihet me numrin 6, ndërsa krahas saj është Niada me numrin 10. Postimi i shoqëruar me mbishkrimin “Sa të voglaaaa moj” ka ngjallur reagime të shumta, duke treguar edhe një herë lidhjen e hershme mes tyre.

    Përkundër viteve që kanë kaluar, bukuria natyrale dhe eleganca e Jonidës mbetet e pakontestueshme, duke dëshmuar se shkëlqimi i saj nuk është zbehur kurrë.

  • Zelensky: Orban po bllokon integrimin evropian të Ukrainës

    Zelensky: Orban po bllokon integrimin evropian të Ukrainës

    Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, po bllokon integrimin evropian të Ukrainës për arsye që lidhen me fushatën zgjedhore në vendin e tij.

    Këtë deklaratë e bëri presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë një konference për shtyp në Kopenhagë, pas përfundimit të Samitit të VII të Komunitetit Politik Evropian, sipas një korrespondenti për Ukrinform.

    “Sa i përket bllokimit të afrimit tonë me Bashkimin Evropian, askush nuk mund ta bllokojë atë, sepse është vullneti i Ukrainës dhe, në përputhje me rrethanat, vendimi i Evropës për ta parë Ukrainën si pjesë të Bashkimit Evropian në të ardhmen. Por, sigurisht, gjithçka varet nga uniteti, nga një vendim i përbashkët. Ne kemi probleme të caktuara me Hungarinë, mund të flasim hapur për këtë. Sepse Viktor Orban ka zgjedhje”, ka thënë Zelensky.

    Ai shtoi se agresioni rus ndaj Ukrainës erdhi pikërisht për shkak të orientimit evropian të vendit të tij.

    “Rusia e filloi luftën për shkak të vullnetit tonë, për shkak të zgjedhjes sonë për të ecur drejt Evropës, sepse ne ndiejmë dhe ndajmë të njëjtat vlera si vendet e tjera evropiane”, theksoi presidenti ukrainas.

    Sipas raportimeve të Ukrinform, Hungaria po përdor parimin e unanimitetit në vendimet e Bashkimit Evropian për të bllokuar procesin e fillimit të negociatave për pranimin e Ukrainës në BE.

  • Moti sot: Reshje shiu dhe bore, temperaturat deri në 5°C

    Moti sot: Reshje shiu dhe bore, temperaturat deri në 5°C

    Sot parashikohet mot i vranët, me reshje shiu dhe bore, të cilat gjatë orëve të para të 24-orëshit pritet të jenë më intensive. Reshjet e borës do të përqendrohen kryesisht në Rrafshin e Kosovës, ku pritet të krijojnë shtresa edhe në zonat e ulëta, me së paku 5–15 cm, njofton MeteoKosova.

    Në Rrafshin e Dukagjinit do të dominojnë reshjet e shiut, megjithatë tani ka gjasa më të mëdha që edhe në këtë pjesë të përzihen ose të shndërrohen në borë.

    Gjatë ditës, reshjet do të humbasin gradualisht intensitetin në mbarë vendin.

    Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i veriut, e cila herë pas here pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 15-45 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej -1 deri në 2°C, ndërsa ato maksimale prej 2 deri në 5°C.

  • Trepça dhe Bashkimi zbulojnë kundërshtarët në FIBA Europe Cup

    Trepça dhe Bashkimi zbulojnë kundërshtarët në FIBA Europe Cup

    Kampionia e Kosovës në basketboll, Trepça, dhe nënkampioni Bashkimi, kanë mësuar kundërshtarët e tyre në fazën grupore të FIBA Europe Cup.

    Trepça do të garojë në grupin F, ku do të përballet me Anwilin e Polonisë, PAOK-un e Greqisë dhe Braunschweigun e Gjermanisë.

    Ndeshjen e parë e luan më 15 tetor ndaj PAOK-ut në udhëtim. Më 22 tetor e pret Braunschweigun, ndërsa më 29 tetor luan ndaj Anwilit në Mitrovicë.

    Po ashtu, më 5 nëntor Trepça do ta presë sërish PAOK-un, ndërsa më 12 dhe 19 nëntor do të luajë në udhëtim ndaj Braunschweigut dhe Anwilit.

    Bashkimi është pjesë e grupit J, ku do të përballet me Dijon Basketin e Francës, Pallacanestro Reggianan e Italisë dhe Cibonën e Kroacisë. Rrugëtimin e nis më 15 tetor në Prizren kundër Cibona-s, ndërsa më 22 tetor luan në udhëtim me Pallacanestro Reggiana.

    Më 29 tetor e pret Dijonin, më 4 nëntor luan në udhëtim ndaj Cibona-s, më 12 nëntor e pret Pallacanestro Reggiana dhe më 18 nëntor luan në udhëtim me Dijonin.

  • Macron kërkon rritje të presionit ndaj “flotës në hije” të Rusisë

    Macron kërkon rritje të presionit ndaj “flotës në hije” të Rusisë

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i bëri thirrje Evropës që të ndërmarrë veprime të koordinuara ndaj të ashtuquajturës “flotë në hije” të Rusisë dhe të ndjekë shembullin e Francës për të penguar këto anije që përdoren për të shmangur sanksionet perëndimore.

    Franca aktualisht po heton një anije, të regjistruar në Benin, që dyshohet se është pjesë e qindra cisternave të vjetra, të futura në listën e sanksioneve nga Bashkimi Evropian nën akuza se po ndihmojnë Moskën për shmangien e kufizimeve për eksportet e naftës pas pushtimit të Ukrainës më 2022.

    “Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të rritet presioni për këtë ‘flotë në hije’, sepse qartësisht do të reduktonte kapacitetin financiar për këtë luftë”, tha Macron para udhëheqësve të mbledhur në Danimarkë.

    Udhëheqësi francez sugjeroi që shtetet evropiane që janë pjesë e “koalicionit të vullnetit” – për mbështetjen e Kievit – duhet të koordinohen me NATO-n “për një veprim të përbashkët” sa i përket kësaj çështjeje.

    Autoritetet franceze kanë arrestuar dy pjesëtarë të Boracay, anijes që gjendet në pjesën perëndimore të brigjeve të Francës, dhe nisën hetimin mbi “dështimin e ekuipazhit për të justifikuar nacionalitetin e anijes dhe refuzimit për të bashkëpunuar”.

    Të dhënat nga gjurmimi i anijeve tregojnë se cisterna ka qenë pranë bregut danez muajin e kaluar, kur kishte fluturime misterioze të dronëve që rritën shqetësimet për sigurinë dhe detyruan autoritetet e Danimarkës që të mbyllnin aeroporte.

    Mediat e kanë lidhur veprimin e Francës me fluturimet e dronëve, por kjo nuk është konfirmuar nga Parisi.

    Macron tha se, përveç sigurimit që anijet të respektojnë rregullat ndërkombëtare, ndalime të tilla janë “shumë të rëndësishme” për të rritur presionin ndaj Moskës, për të goditur të ardhurat që i përdorë për luftën kundër Ukrainës dhe për ta detyruar që të negociojë.

    “Flota në hije”, që besohet se përfshin deri në 1.000 anije, përfaqëson “dhjetëra miliarda euro të buxhetit të Rusisë” dhe “përbën 40 për qind të përpjekjes së saj luftarake”, tha udhëheqësi francez.

  • Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të diskutojë për Kosovën më 21 tetor

    Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të diskutojë për Kosovën më 21 tetor

    Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë një seancë më 21 tetor për të shqyrtuar situatën në Kosovë, është bërë e ditur përmes faqes zyrtare të organizatës.

    Në këtë seancë, Këshilli do të diskutojë raportin më të fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, i cili pritet të publikohet në ditët e ardhshme.

    Ky debat vjen gjashtë muaj pas diskutimit të fundit në prill, ku vendet anëtare fokusuan diskutimin tek e ardhmja e UNMIK-ut në Kosovë, mision i cili filloi në qershor të vitit 1999 pas miratimit të Rezolutës 1244 të KS-së.

    Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar kërkuan ndërprerjen e mandatit të UNMIK-ut, ndërsa Franca, Rusia dhe Kina mbështetën vazhdimin e misionit.

  • U lirua nga paraburgimi, reperi Buta ka një lajm

    U lirua nga paraburgimi, reperi Buta ka një lajm

    Reperi i njohur shqiptar, Buta, duket se është rikthyer me vrull në skenën muzikore pas lirimit nga paraburgimi.

    Përmes një postimi në Instastory, ai ka ndarë disa pamje nga xhirimet e videoklipit të tij të ri, duke konfirmuar se një projekt i ri muzikor është në prag të publikimit.

    Në fotografinë e ndarë, Buta shkruan shkurt: “Po vjen së shpejti”, duke rritur pritshmëritë dhe entuziazmin tek fansat e tij.

    Ky rikthim i shpejtë në studio dhe xhirime tregon se reperi është i përkushtuar të rikthehet fuqishëm në skenë, duke vazhduar karrierën muzikore pa ndalesë.

  • Merret vendimi nga Gjykata e Lartë, Erion Veliaj mbetet në burg

    Merret vendimi nga Gjykata e Lartë, Erion Veliaj mbetet në burg

    Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e paraqitur nga avokatët mbrojtës të ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ku kërkohej lirimi nga paraburgimi.

    “Vendosi: Mospranimin e rekursit te paraqitur nga personi nën hetim Erion Veliaj, kundër vendimit nr. 130 (87- 025-191), datë 09.06.2025, te Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në vendim.

    Veliaj kërkoi shfuqizimin e masës së sigurisë “arrest me burg” duke paraqitur edhe një memo, ku i bëhej me dije Gjykatës së Lartë se ai nuk është më kryebashkiak i Tiranës.

    Duke cituar vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Veliajt, avokatët i kërkuan Gjykatës së Lartë të marrë në konsideratë faktin se në këto kushte ai nuk mund të ndikojë mbi dëshmitarët dhe vendosë në rrezik asnjë provë.

    Ndërkohë, SPAK kërkoi vijimin e arrestit me burg për Veliaj, duke pretenduar se ai ka qenë zyrtar i lartë dhe për këtë arsye ka mundësi që të intimidojë dëshmitarët e çështjes.

  • Turqia goditet nga tërmeti

    Turqia goditet nga tërmeti

    Një tërmet me magnitudë 5.0 i shkallës Rihter ka tronditur të enjten Stambollin, qytetin më të madh të Turqisë, duke bërë që disa njerëz të dilnin me nxitim në rrugë, sipas dëshmive për Reuters dhe njoftimeve të agjencisë turke për fatkeqësi AFAD.

    AFAD njoftoi se epiqendra e dridhjes ishte në Detin Marmara, në jugperëndim të Stambollit, përgjatë një vije çarjeje që prej kohësh konsiderohet rrezik për qytetin me 16 milionë banorë.

    Ende nuk dihet nëse ka pasoja për njerëzit.