ATV

Author: G.O.

  • Dieta që forcon mishrat e dhëmbëve dhe ndalon inflamacionin – shkencëtarët befasohen nga rezultatet

    Dieta që forcon mishrat e dhëmbëve dhe ndalon inflamacionin – shkencëtarët befasohen nga rezultatet

    Një studim britaniko-italian tregon se mënyra e të ushqyerit luan rol kyç në parandalimin e parodontopatisë dhe sëmundjeve të mishrave të dhëmbëve

    Dieta mesdhetare, e njohur tashmë për efektet e saj pozitive në shëndetin e trurit, uljen e rrezikut nga Alzheimeri, vdekja e parakohshme dhe problemet me shëndetin mendor, tani lidhet edhe me shëndet më të mirë të mishrave të dhëmbëve.

    Studimi, i realizuar nga kërkuesit e King’s College në Londër dhe Universiteti i Katanias në Itali, përfshiu 195 pjesëmarrës me moshë mesatare 49 vjeç, të cilët iu nënshtruan kontrolleve shëndetësore dhe pyetësorëve mbi zakonet e tyre ushqimore.

    Rezultatet treguan se personat që ndiqnin më përpikmërisht dietën mesdhetare të pasur me produkte bimore kishin më pak gjasa të zhvillonin sëmundje të mishrave të dhëmbëve, veçanërisht ata që konsumonin më pak mish të kuq.

    Për më tepër, një ushqyerje më e shëndetshme ishte e lidhur edhe me nivel më të ulët të markerëve inflamatorë në gjak, të cilët tregojnë nëse trupi është nën stres ose i dëmtuar. Ky është edhe një sukses tjetër shëndetësor që i atribuohet stilit mesdhetar të të ushqyerit.

    “Gjetjet tona tregojnë se një dietë e ekuilibruar e tipit mesdhetar mund të zvogëlojë rrezikun nga sëmundjet e mishrave të dhëmbëve dhe inflamacionet sistemike”, ka deklaruar parodontologu Giuseppe Mainas nga King’s College në Londër, përcjell Telegrafi.

    Dieta mesdhetare, e emërtuar sipas rajonit ku praktikohet më shpesh, favorizon frutat, perimet, drithërat integrale dhe peshkun, ndërsa kufizon ushqimet e përpunuara, produktet e qumështit në sasi të mëdha dhe mishin e kuq.

    Kërkuesit theksojnë se studimi nuk ka ndjekur pjesëmarrësit në kohë, prandaj rezultatet tregojnë vetëm një lidhje dhe jo shkak-pasojë. Megjithatë, siç shtojnë ata, “kjo lidhje është mjaft e fortë për të justifikuar kërkime të mëtejshme.”

    Sipas tyre, përbërësit aktivë të produkteve bimore ndihmojnë trupin në uljen e inflamacionit, ndërsa mishi i kuq ka efekt të kundërt. Edhe pse parodontiti shkaktohet kryesisht nga grumbullimi i pllakës bakteriale, mendohet se edhe përgjigjja imune e trupit luan rol të rëndësishëm.

    “Vërejtëm se mund të ekzistojë një lidhje midis ashpërsisë së parodontopatisë, mënyrës së të ushqyerit dhe inflamacionit”, ka shtuar Mainas.

    Këto aspekte duhet të merren parasysh në mënyrë holistike gjatë vlerësimit të trajtimit të pacientëve me parodontit. /Telegrafi/

     

  • ​Kurti komenton raportin e Bankës Botërore: Nuk ka vend për brengosje

    ​Kurti komenton raportin e Bankës Botërore: Nuk ka vend për brengosje

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka komentuar raportin e fundit të Bankës Botërore për ngadalësim të rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor.

    Sipas këtij raporti, parashihet rënie e rritjes ekonomike nga 3.6 për qind në vitin 2024, në 3 për qind në vitin këtë vit për shtetet e Ballkanit Përëndimor. Por, rënien më të madhe është parashikuar ta ketë Kosovë.

    Kurti gjatë vizitës në Termocentralin “Kosova B”, ka komentuar këtë raport, ku tha se “Kosova në çerekun e dytë të këtij viti ka pasur rritje ekonomike prej 4.58 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV)”.

    “Ne po bëjmë gjithçka që dimë dhe mundemi që t’i ndihmojmë edhe sektorit privat, përveçse edhe ndërmarrjeve publike që t’i ndihmojmë edhe qytetarëve me mbështetje financiare në mënyrë që të rritet kërkesa agregate, po mbështesim eksportin e Kosovës dhe gjithashtu siç e shihni këtu edhe gjenerimin e energjisë elektrike me ç’rast investimi është në rritje të kapacitetit por gjithashtu edhe në siguri e qëndrueshmëri. Lajmi i mirë është që Kosova në çerekun e dytë sivjet ka pasur rritje ekonomike prej 4.58 për qind të Bruto Produktit Vendor dhe mos harroni që shpesh herë për aq shumë indekse edhe të demokracisë edhe të ekonomisë, Kosova është në krye të Ballkanit Perëndimor. Dhe unë besoj që kjo do të vazhdojë edhe më tej”, deklaroi Kurti.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se “shifrat tregojnë se nuk ka vend për brengosje”, teksa shtoi se në katër vitet e fundit mesatarja e rritjes ekonomike ka qenë 6 për qind.

    “Në katër vitet e fundit, mesatarja e rritjes ekonomike ka qenë 6 për qind, pa rënë asnjëherë nën 4 për qind. Në çerekun e dytë sivjet është 4.58 për qind. Do të thotë edhe më tutje nuk biem nën 4 për qind, ta shohim tash si do të jetë raporti për çerekun e tretë sivjet. Por deri tash është mirë. Raportet ndërkombëtare neve na përgatisin edhe më shumë por natyrisht që tash për tash shifrat tregojnë se nuk ka vend për brengosje”, shtoi kryeministri në detyrë.

    Sipas Bankës Botërore, vonesat në formimin e një qeverie të re mund të ndikojnë negativisht në investime dhe të ngadalësojnë progresin në reformat strukturore

  • A vuani nga aknet, ankthi dhe urthi? Shkaku mund t’ju habisë

    A vuani nga aknet, ankthi dhe urthi? Shkaku mund t’ju habisë

    Akne, urth, mjegull mendore ose lodhje e vazhdueshme – të gjitha këto mund të jenë shenja që keni shumë yndyrë të ngopur në dietën tuaj. Edhe pse shumica e njerëzve nuk e llogarisin sa hanë, yndyra e ngopur është kudo përreth nesh, nga gjalpi në bukë deri te djathi në pica, shkruan EatingWell.

    Marrja e tepërt e yndyrnave të ngopura mund të ndikojë në tretje, energji, humor dhe shëndet të lëkurës. Sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), deri në dy të tretat e njerëzve konsumojnë më shumë se sasia e rekomanduar. Dietologia e regjistruar Taiyyibah Moughal shpjegon ndryshimin: yndyrnat e pangopura, që gjenden në vajin e ullirit dhe vajin e avokados, mbeten të lëngshme në temperaturë ambienti, ndërsa yndyrnat e ngopura, si gjalpi dhe vaji i kokosit, janë të ngurta dhe të dëmshme në sasi të mëdha.

    Edhe pse trupi nuk do ta japë menjëherë alarmin, ka shenja që mund të tregojnë një problem.

    Lodhje dhe letargji pas vakteve

    Nëse keni dëshirë të shtriheni pas një vakti të madh, si një hamburger me patate të skuqura, kjo mund të jetë për shkak të yndyrës së ngopur. Sipas dietologut Avery Zenker, këto vakte ngadalësojnë tretjen dhe mund t’ju bëjnë të ndiheni të rëndë dhe të përgjumur.

    Hulumtimet tregojnë se marrja e lartë e yndyrnave të ngopura mund të çojë në përgjumje të tepërt gjatë ditës. Por lajmi i mirë është se energjia kthehet kur mishi i kuq me yndyrë zëvendësohet me peshk dhe drithërat e rafinuara zëvendësohen me drithëra të plota.

    Vështirësi me përqendrimin dhe kujtesën

    Nëse duket se po harroni më shpesh se zakonisht ose e keni të vështirë të përqendroheni, faji mund të jetë dieta. Studimet kanë treguar se një dietë e pasur me yndyrna të ngopura mund të zvogëlojë përkohësisht vëmendjen dhe të ngadalësojë reagimet. Në planin afatgjatë, ajo madje mund të ndikojë negativisht në kujtesë.

    Nga ana tjetër, modelet e të ngrënit që përfshijnë më pak yndyrë të ngopur, siç është dieta MIND, shoqërohen me kujtesë dhe funksion mendor më të mirë pas vetëm tre muajsh.

    Fryrje, urth dhe probleme me tretjen

    Nëse shpesh keni probleme me fryrjen, gazrat ose urthin, mund të jeni duke konsumuar shumë yndyrna të ngopura. Sipas dietologes së regjistruar Sheri Gaw, yndyrnat mund të ngadalësojnë tretjen dhe të relaksojnë muskulin që mbyll stomakun, gjë që rrit mundësinë e refluksit të acidit në ezofag.

    Përveç kësaj, ushqimet me yndyrë shpesh shkaktojnë një ndjenjë rëndese ose edhe të përziera. Zvogëlimi i konsumit të ushqimeve të skuqura, mishrave me yndyrë dhe ëmbëlsirave kremoze mund t’i lehtësojë këto simptoma.

    Aknet dhe inflamacioni i lëkurës

    Një dietë e pasur me yndyrna të ngopura mund të shkaktojë inflamacion në trup, përfshirë lëkurën. Dietologu Avery Zenker thekson se këto yndyrna rrisin prodhimin e sebumit dhe mund të bllokojnë poret.

    Studimet kanë konfirmuar se njerëzit që hanë më shumë yndyrna të ngopura kanë më shumë gjasa të kenë probleme me aknet. Nga ana tjetër, një dietë e pasur me perime me gjethe jeshile, arra dhe peshk mund të ketë një efekt anti-inflamator dhe të përmirësojë gjendjen e lëkurës.

    Ankthi dhe luhatjet e humorit

    Dieta ka ndikim të madh në shëndetin mendor. Studimet tregojnë se një dietë me më pak yndyrna të ngopura dhe më shumë yndyrna të shëndetshme, si omega-3, mund të ndihmojë në lehtësimin e ankthit dhe depresionit.

    Dietologu Gaw këshillon kalimin në një dietë mesdhetare, e cila është e pasur me peshk, vaj ulliri dhe perime. Një dietë e tillë ka një efekt pozitiv në tru dhe në gjendjen emocionale.

    Çfarë mund të bësh?

    Yndyrnat e ngopura gjenden në shumë ushqime që konsumojmë çdo ditë, siç janë gjalpi, djathi, mishi i kuq dhe ushqimet e përpunuara. Të shijosh ato herë pas here nuk është problem, por konsumimi i tyre i rregullt mund të jetë i dëmshëm për shëndetin tuaj në planin afatgjatë.

    Për një ekuilibër më të mirë, provoni:

    Zëvendësoni gjalpin me vaj ulliri;

    Hani mish të kuq më rrallë dhe peshk më shpesh;

    Pasuroni vaktet me perime, fruta dhe drithëra të plota;

    Përfshini arra dhe fara në dietën tuaj.

    Ndryshimet e vogla në dietë mund të bëjnë ndryshime të mëdha në nivelet e energjisë, tretjen, lëkurën dhe humorin.

  • Dogana ndalon katër tentativa për import të mallrave të falsifikuara

    Dogana ndalon katër tentativa për import të mallrave të falsifikuara

    Dogana ka njoftuar se gjatë muajit shtator, në katër raste të ndara, ka parandaluar tentativat për importimin e mijëra produkteve të falsifikuara.

    Përmes këtyre operacioneve është bllokuar hyrja e mallrave pirate në tregun vendor, duke mbrojtur kështu konsumatorët dhe konkurrencën e ndershme.

    Ndër produktet e sekuestruara përfshihen qindra jelekë dimërorë, atlete dhe veshje tekstili, si dhe mbi pesë mijë palë çorape.

    Këto mallra mbanin logot e falsifikuara të markave të njohura ndërkombëtare si Moncler, Adidas, Nike, Calvin Klein dhe Stone Island.

    Sipas njoftimit zyrtar, këto ndërhyrje janë rezultat i analizës së avancuar të riskut dhe vigjilencës së shtuar të oficerëve doganorë.

  • Kurti takoi komandantin e KFOR-it, flasin për sigurinë në Kosovë

    Kurti takoi komandantin e KFOR-it, flasin për sigurinë në Kosovë

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim mirëseardhës Komandantin e ri të KFOR-it në Kosovë, Gjeneral Major Ozkan Ulutas.

    Në njoftimin e bërë për media thuhet se në takim kanë diskutuar për situatën e sigurisë në vendin tonë.

    “Diskutuan për zhvillimet aktuale, me theks mbi situatën e sigurisë dhe për rëndësinë e bashkëveprimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të sigurisë të vendit dhe të misionit të NATO-s në Kosovë”, thuhet në njoftim.

    Duke i uruar mirëseardhje përsëri në Kosovë dhe duke i dëshiruar suksese në mandatin e dytë si komandant i KFOR-it, kryeministri Kurti theksoi gatishmërinë dhe angazhimin e tij dhe të Qeverisë për bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në të gjithë territorin e vendit.

  • Arrestohen dy persona në Prishtinë, dyshohen për 15 vjedhje

    Arrestohen dy persona në Prishtinë, dyshohen për 15 vjedhje

    Pas një pune hetimore dhe operacionale, Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për disa raste të vjedhjeve në kryeqytet.

    Siç njofton Policia, të dyshuarit janë: B.J., mashkull, 56 vjeçar, shtetas i Kosovës dhe M.C., mashkull, 51 vjeçar, shtetas i Kosovës.

    Pas arrestimit, ata janë dërguar në mbajtje për 48 orë me vendim të prokurorit të shtetit, ndërsa hetuesit po kryejnë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale lidhur me të paktën 15 raste vjedhjesh, ku dyshohet se personat e arrestuar janë të përfshirë.

  • Operacion i madh kundër drogës në Turqi, arrestohen këngëtarë e aktorë të njohur

    Operacion i madh kundër drogës në Turqi, arrestohen këngëtarë e aktorë të njohur

    Në Stamboll, u krye një operacion kundër individëve, përfshirë İrem Derici, Hadise, Demet Evgar, Berrak Tüzünataç dhe Dilan Polat, të cilët u hetuan për përdorim droge ose stimuluesish. 19 figurat e shquara u çuan në Komandën e Xhandarmërisë Provinciale për deklarata dhe për t’u marrë mostra gjaku.

    Si pjesë e hetimit të kryer nga Zyra e Hetimit të Kontrabandës, Narkotikëve dhe Krimeve Ekonomike e Zyrës së Kryeprokurorit Publik të Stambollit, u krye një operacion kundër individëve të njohur publikisht, të cilët ishin subjekt i ndjekjeve penale për përdorimin e drogës ose stimuluesve, raporton mediumi Hurriyet.

    Nëntëmbëdhjetë persona u çuan në Komandën e Xhandarmërisë Provinciale për të dhënë deklaratë dhe për t’u marrë mostrat e gjakut. U deklarua se nuk kishte urdhër-arrest për figurat e shquara dhe se ata do të liroheshin pasi t’u merreshin deklaratat dhe mostrat e gjakut, përcjell Insajderi.

    Emra të famshëm, deklaratat dhe mostrat e gjakut të të cilëve do të merren janë si më poshtë:

    Birce Akalay, Berrak Tüzünataç, Ceren Moray Orcan, Demet Evgar Babataş, Deren Talu, Derin Talu, Dilan Polat, Duygu Özaslan Mutaf, Engin Polat, Feyza Altun, Hadise Açıkgöz, İrem Derici, Kaan Yıldırıge Me Kubi, Özpirinçci, Zeynep Meriç Aral Keskin, Ziynet Sali.

  • Amazon planifikon të investojë një miliard euro në Belgjikë deri në vitin 2027

    Amazon planifikon të investojë një miliard euro në Belgjikë deri në vitin 2027

    Gjigandi amerikan i teknologjisë, Amazon, po planifikon të investojë një miliard euro në Belgjikë gjatë periudhës 2025–2027, raportoi gazeta L’Echo.

    Kompania ka njoftuar se do të zhvillojë infrastrukturën dhe do të forcojë partneritetin me operatorin belg të postës Bpost dhe me kompani lokale të vogla dhe të mesme.

    Qëllimi i Amazon është të përmirësojë zinxhirët e furnizimit në Belgjikë, për të qenë në gjendje të ofrojë dërgesa brenda ditës.

    Aktualisht, kompania punëson rreth 400 persona në këtë vend dhe ka investuar rreth 800 milionë euro gjatë 10 viteve të fundit.

  • Shembet një ndërtesë 6-katëshe në qendër të Madridit, katër persona humbin jetën

    Shembet një ndërtesë 6-katëshe në qendër të Madridit, katër persona humbin jetën

    Të paktën katër persona kanë vdekur pas shembjes së një ndërtesë 6-katëshe në qendër të Madridit, raportoi të mërkurën Reuters.

    Shërbimet spanjolle të emergjencës kanë nxjerrë trupat e viktimave nën rrënojat e ndërtesës, e cila po rikonstruktohej për t’u kthyer në hotel, kanë bërë të ditur autoritetet lokale.

    “Me trishtim të thellë konfirmojmë se zjarrfikësit e Madridit kanë gjetur trupat e personave që u zhdukën pas shembjes”, shkroi në platformën X kryebashkiaku Jose Luis Almeida.

    Viktimat janë identifikuar si tre burra (30 dhe 50 vjeç) nga Ekuadori, Mali dhe Guinea-Konakri, të punësuar si punëtorë ndërtimi, dhe një grua 30-vjeçare, arkitekte e projektit të rinovimit.

    Trupat e tyre u gjetën rreth 15 orë pas shembjes gjatë një operacioni kërkim-shpëtimi ku policia dhe zjarrfikësit përdorën dronë dhe qen. Tre punëtorë të tjerë ndërtimi mbetën të lënduar.

    Një punëtor ndërtimi, Mikhail, i cili po pomponte beton në katet e poshtme të ndërtesës dhe ishte jashtë kur ndodhi shembja, tha se u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes:

    “Isha i pari që ia mbatha, nuk më interesonte asgjë tjetër. Do të shpëtoj jetën time më parë dhe, nëse mundem, do të shpëtoj të tjerët më vonë”, deklaroi ai para gazetarëve të martën.

  • Oriola Marashi duket joshëse me pozat nga Parisi

    Oriola Marashi duket joshëse me pozat nga Parisi

    Modelja dhe bukuroshja shqiptare, Oriola Marashi, ka tërhequr sërish vëmendjen e medieve dhe ndjekësve të saj me një paraqitje plot shkëlqim në Paris.

    Në disa fotografi të publikuara, ajo shfaqet duke shijuar një mbrëmje luksoze pranë Eiffel, e cila ndriçon sfondin romantik të setit fotografik.

    Oriola ka zgjedhur një kombinim tejet sensual dhe elegant: një korse me print leopardi, të cilin e ka shoqëruar me një fund të zi elegant dhe çorape të zeza të holla.
    Aksesorët minimalë, si bizhuteritë delikate dhe çanta klasike me zinxhir të artë, e kanë kompletuar më së miri dukjen e saj.

    Fotografitë, të realizuara si në një ambient të brendshëm luksoz ashtu edhe në një tarracë me pamje spektakolare nga Eiffel, transmetojnë një atmosferë të ngrohtë dhe festive.