ATV

Author: G.O.

  • Ndërrimi i orës po afron: Këshilla për t’u përshtatur me ditët më të shkurtra dhe mungesën e dritës

    Ndërrimi i orës po afron: Këshilla për t’u përshtatur me ditët më të shkurtra dhe mungesën e dritës

    Kur qielli fillon të errësohet që në orën 16:00 – 17:00 pasdite, humori juaj mund të perëndojë bashkë me diellin.

    Sytë fillojnë e ju rëndojnë, dhe gjithçka që mund të dëshironi të bëni është të mbështilleni me batanijen tuaj të preferuar dhe të flini gjumë.

    Por, nuk jeni vetëm! Kjo është një periudhë e vështirë për shumë njerëz.

    Zgjatja e orëve të errësirës dhe ndryshimi i orës, mund të shkaktojë një sërë efektesh në shëndet, si për shembull sulmet në zemër.

    Kjo është diçka çorientuese, dhe njerëzit do të vazhdojnë të përballen me këto ndryshime të pakëndshme dy herë në vit.

    Fatmirësisht, studimet kanë treguar se ritmi cirkadian i njeriut, një cikël 24-orësh që rregullohet nga ora e brendshme e trupit tuaj, përshtatet më lehtë me tranzicionin e vjeshtës sesa me atë të pranverës.

    Përfitoni nga orët me diell

    Këshilla më e mirë për ata që përgjumen shpesh është që të ekspozohen sa më shumë në diell.

    Përfitoni nga orët me diell të ditës, dhe veçanërisht në orët e para të pasdites.

    Ekspozimi në atë kohë vonon ndjesinë e gjumit, që do të thotë se ju ndihmon të qëndroni zgjuar deri vonë.

    Nëse mundeni, planifikoni një shëtitje 30-minutëshe jashtë para perëndimit të diellit. Edhe qëndrimi ulur pranë dritares mund të ndihmojë.

    Përmbajuni orareve të rregullta të rutinës së zakonshme

    Ndërsa errësohet më shpejt, ju mund ta gjeni veten të uritur më herët.

    Është e rëndësishme të luftoni dëshirën për të ngrënë vaktin e fundit të ditës shumë herët.

    Kjo mund t’ju bëjë të përgjumeni më shpejt se sa do të dëshironit, ose t’ju bëjë të hani më vonë, gjë që mund të pengojë edhe cilësinë e gjumit.

    Studimet kanë treguar se ritmi juaj cirkadian ndikon në aftësinë e trupit për të përpunuar në mënyrë efikase ushqimin.

    Kini kujdes që të mos konsumoni kafeinë vonë gjatë ditës, sepse edhe kjo mund të ndikojë në ciklin tuaj të gjumit.

    Mos i ndërroni as rutinat e tjera. Për shembull, mbani të njëjtin orar për regjimin e kujdesit të lëkurës edhe nëse jeni të përgjumur një orë më parë, për shkak të ndryshimit të orës.

    Nëse këto këshilla dështojnë, përqafoni letargjinë

    Duam apo jo, dimri po vjen. Nëse gjithçka në planin tuaj dështon, rehatohuni: Merrni një batanije, ndizni një qiri, shtrihuni në divan për të parë një film ose luani një lojë tavoline me të dashurit tuaj.

    Jepini vetes mundësinë për tu relaksuar ashtu siç keni nevojë ju.

  • Caktohet vazhdimi i seancës konstituive

    Caktohet vazhdimi i seancës konstituive

    Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se vazhdimi i seancës konstituive do të bëhet të premten (10 tetor) me fillim nga ora 10:00.

    Seanca do ta ketë një pikë të vetme, zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radha e komunitetit serb.

    Kujtojmë se që nga dje ka nisur afati 12-ditor për konstituim të Kuvendit, sipas aktgjykimit që lëshoi Gjykata Kushtetuese. Por, gjykata nuk ka treguar edhe se cilat janë pasojat nëse këtë nuk e bëjnë deputetët brenda afatit.

    Gjykata kushtetuese e publikoi aktgjykimin e plotë, në të cilin vlerëson se votimi ndaras për komunitetet pakicë, mund të bëhet edhe ndaras, dhe në rastin konkret nuk kishte shkelje kushtetuese, ani pse praktika parlamentare që nga 2011-ta ishte që komunitete të votoheshin në pako.

    “Duke qenë se votimi në pako nuk është shprehimisht i përcaktuar në Kushtetutë, i njëjti mund të realizohet nëse ka dakordim në mes të grupeve parlamentare apo deputetëve. Gjykata vlerëson që një procedurë e tillë e votimit mbetet në vullnetin e deputetëve dhe grupeve parlamentare me kushtin që të realizohet zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit”, njoftoi Kushtetuesja.

    Kësisoj gjykata e merr si të mirëqenë edhe zgjedhjen e Emilja Rexhepit si nënkryetare nga komunitete pakicë joserbe.

    Kushtetuesja hodhi poshtë ankesën e Listës Serbe për përzgjedhjen me short të nënkryetarëve për votim, për çka konstatoi se praktika e ndjekur në këtë rast ishte në përputhje me kushtetutën.

    Megjithëse shumica e deputetëve serb kanë konsumuar të drejtën e propozimit tri herë për votim, gjykata nuk e cilëson pengesë për konstituim të kuvendit.

    Gjithashtu gjykata obligon deputetët që të marrin pjesë në seancë dhe të votojnë pro, kundër apo abstenim, në afat prej 12 ditësh.

    LAJMI NË PËRDITESIM…

  • Nuk u mbijetoi plagëve të marra dy javë më parë, vdes i lënduari nga aksidenti në Gjakovë

    Nuk u mbijetoi plagëve të marra dy javë më parë, vdes i lënduari nga aksidenti në Gjakovë

    Një person ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve të marra në një aksident trafiku që kishte ndodhur më 24 shtator në rrugën “Martirët e Kombit” në Gjakovë.

    Sipas njoftimit të policisë, vdekja e tij është konstatuar të mërkurën, rreth orës 14:20, si pasojë e drejtpërdrejtë e lëndimeve të marra nga aksidenti tragjik kishte ndodhur dy javë më parë në qytetin e Gjakovës.

    Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa hetimet për rrethanat e aksidentit janë në vazhdim.

  • Burri sulmon bashkëshorten në Kaçanik, i dyshuari dërgohet në qendrën e mbajtjes

    Burri sulmon bashkëshorten në Kaçanik, i dyshuari dërgohet në qendrën e mbajtjes

    Ndërkohë, një rast tjetër dhune në familje është regjistruar të mërkurën pasdite në Kaçanik, ku një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

    Incidenti ka ndodhur rreth orës 16:00 dhe raportohet se ka ardhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje paraprake mes çiftit.

    Sipas raportit të Policisë, gruaja ka pësuar lëndime trupore dhe pranuar tretmanin e nevojshëm mjekësor.

    I dyshuari është arrestuar nga njësitet policore dhe është shoqëruar në stacion për intervistim.

    Pas përfundimit të procedurave fillestare, prokurori kompetent ka hapur rast për veprën penale “dhunë në familje” dhe ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë.

  • Tri raste dhune në familje në Prishtinë – Dy të dyshuar në arrati, njëri lirohet në procedurë të rregullt

    Tri raste dhune në familje në Prishtinë – Dy të dyshuar në arrati, njëri lirohet në procedurë të rregullt

    Policia ka trajtuar tri raste të ndara të dhunës në familje në Prishtinë brenda pak orësh, ku tri gra kanë raportuar se janë sulmuar fizikisht nga bashkëshortët e tyre.

    Në njërin nga rastet, viktima ka arritur të ikë nga banesa pas dhunës së ushtruar nga partneri, ndërsa në një rast tjetër, gruaja e sulmuar ka pranuar tretman mjekësor për shkak të lëndimeve të marra.

    Si rezultat i veprimeve policore, njëri nga të dyshuarit është arrestuar dhe pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kompetent, është liruar në procedurë të rregullt.

    Ndërkohë, dy të dyshuarit e tjerë gjenden në arrati dhe janë shpallur në kërkim nga autoritetet policore.

  • Vdekje e dyshimtë në Prishtinë, trupi i pajetë dërgohet për obduksion

    Vdekje e dyshimtë në Prishtinë, trupi i pajetë dërgohet për obduksion

    Një rast i vdekjes së dyshimtë është raportuar mbrëmjen e së mërkurës në Prishtinë, ku një burrë është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:10.

    Sipas njoftimit zyrtar, në vendngjarje kanë dalë njësitet përkatëse policore dhe ekipi mjekësor, ku këta të fundit kanë konstatuar vdekjen e viktimës me të arritur në vendin ku është gjetur.

    Me vendim të prokurorit kompetent, është hapur rast si “Vdekje e dyshimtë”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

  • Një muaj paraburgim për të dyshuarin që detyroi dhe incizoi të miturën gjatë akteve seksuale

    Një muaj paraburgim për të dyshuarin që detyroi dhe incizoi të miturën gjatë akteve seksuale

    Gjykata Themelorë në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, dhe ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj ndaj të pandehurit D.Z., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të dhunimit.

    Sipas kërkesës, “Nga muaji prill 2025 deri më 2 tetor 2025 në Gjakovë, i pandehuri, përmes komunikimit në rrjetin social Snapchat, ka realizuar takime me të miturën (e lindur 2010), gjatë të cilave takime pa pëlqimin e saj ka kryer akte seksuale-orale. I pandehuri e incizoi të dëmtuarën gjatë aktit dhe më pas e kërcënoi se do ta publikonte incizimin nëse i tregonte dikujt, duke e detyruar që të takohej përsëri me të”.

    Sipas njoftimit, Gjykata ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepër penale të ndjeshme, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri, ekziston mundësia reale që i njëjti të pengojë në rrjedhën e procedurës penale duke ju shmangur drejtësisë, duke ndikuar në dëshmitarë, apo duke e përsëritur veprën penale.

    Gjykata ka bërë të ditur se i pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 7 tetor 2025 dhe do të zgjasë deri më 6 nëntor 2025.

    Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

  • Ursula von der Leyen përballet sërish me mocion votëbesimi

    Ursula von der Leyen përballet sërish me mocion votëbesimi

    Presidentja e Komisionit të BE-së do ta përballojë edhe një mocion të dytë për votëbesimin. Por presioni i vazhdueshëm i së majtës dhe së djathtës nxjerrin në pah një vakuum pushteti ndër vendet anëtare të BE-së.

    Diskutimi ishte me tone mjaft të nxehta. Të hënën pasdite (06.10.2025) Parlamenti i BE-së u mblodh në seancë plenare në Strazburg për herë të dytë pas pushimeve të verës. Në seancë u prekën temat më të mprehta.

    Kryetari francez i grupit të ekstremit të djathtë “Patriotë për Europën”, Jordan Bardella, e akuzoi presidenten e Komisionit të BE-së për mungesë transparence, dështim në politikën e migracionit dhe për humbjen e aftësisë së konkurrencës për shkak të politikës së saj për klimën.

    Sipas tij edhe deal-i për doganat me SHBA-në është një katastrofë: “Ju faktikisht keni nënshkruar kapitullimin e Europës.”

    Ursula von der Leyen ruan qetësinë

    Pas tij e mori fjalën kryetarja e grupit të majtë, politikania franceze Manon Aubry. Edhe akuzat e saj qenë të rënda: Dështim në qendrimin ndaj Izraelit për luftën në Gazë, dështim në arritjen e një Green-Deals, fokusim tek blerja e armëve në vend të sigurisë sociale: “Ju duhet të largoheni,” përsëriste ajo vazhdimisht në mënyrë patetike.

    Von der Leyen u tregua e qetë. Ajo kundërshtoi dhe bëri thirrje për unitet: “E vërteta është: kundërshtarët tanë jo vetëm janë të gatshëm të shfrytëzojnë çdo përçarje, por ato i nxisin në mënyrë aktive këto përçarje.”

    Është e pashembullt, që një president komisioni brenda vetëm tre muajsh përballet me dy mocione votëbesimi. Por edhe pse gjatë votimit të enjten (09.10.2025) nuk ka gjasë që ajo të shkarkohet, intensifikimi i kësaj procedure tregon se sa i fragmentarizuar është Parlamenti i BE-së dhe sa i paqëndrueshëm është bërë ndërkohë besimi midis Komisionit dhe partive të qendrës politike.

    Sulme nga të majtët dhe të djathtët

    Ndryshe nga mocioni në korrik, këtë herë nisma për votimin lidhur me votëbesimin vjen si nga e djathta edhe nga e majta radikale. Në përmbajtje botëkuptimet janë shumë të ndryshme, por qëllimet të ngjashme: Synimi është të goditet von der Leyen politikisht, të minohet autoriteti i saj, në mënyrë që këto parti të forocojnë pozicionet e veta të pushtetit në parlament.

    Olivier Costa, drejtor i sektorit të kërkimeve pranë CNRS dhe njohës i institucioneve të BE-së, thekson, se përpos përballjeve të partive për të forcuar pozitat e tyre në parlament ka edhe dy arsye të tjera, që kanë ndikuar në krijimin e situatave të tilla: Së pari një zbehje e aftësisë për bashkëpunim ndërmjet socialdemokratëve dhe kristiandemokratëve, aleanca e dikurshme bazë e Parlamentit Europian. Së dyti edhe stili drejtues i Ursula von der Leyen, që shumë e konsiderojnë si të centralizuar dhe hierarkik.

    “Presidentja e Komisionit e kupton postin e saj si të ishte kryeministre,” vëren Costa. Parimi i bashkëpunimit dhe konsensusit dalin në plan të dytë, vendimet merren me pushtet të përqendruar tek personi i saj. Kjo gjë ka krijuar pakënaqësi në parlament e po ashtu edhe në radhët e komisionit.

    Raporte të vështira mazhorance

    Njëkohësisht gjeometria politike në Europë është bërë më e ndërlikuar. “Koalicioni i madh” i përbërë nga konservatorët e djathtë EVP dhe socialdemokratët S&D që nga viti 2019 nuk ka më mjaftueshëm vota për një mazhorancë të qendrueshme.

    “Ne ndërkohë kemi parë disa procese votimi, veçanërisht lidhur me temat për mjedisin dhe migracionin si dhe tema ndërkombëtare, që EVP nuk ngurron më të votojë me ekstremin e djathtë,” nënvizon eksperti Costa.

    Kjo si rrjedhojë krijon një vakuum pushteti në spektrin e qendrës, gjë që përpiqen ta shfrytëzojnë partitë në skajet e ekstremeve politike.

    Qendra po lëkundet

    Ende partitë e qendrës përpiqen të bashkëveprojnë, por durimi ndaj kursit të presidentes së komisionit po humbet: “Ne ndërkohë shohim, që baza politike, mbi të cilën qendrojnë presidentja e komisionit dhe vet Komisioni i saj, ndonëse po qendron, ajo ka filluar të lëkundet veçanërisht në qendër,” konstaton politologia Almut Möller nga qendra EPC.

    Kritika vijnë nga të gjitha anët: Pjesë të liberalëve kritikojnë ecurinë e çalë të reduktimit të burokracisë, në radhët e EVP ka zemërim për veprimet e mëvetësishme lidhur me politikën e jashtme, tek socialdemokratët dhe ekologjistët rritet skepticizmi ndaj ndryshimit të kursit fokusuar tek rritja ekonomike dhe aftësia e konkurrencës dhe duke u larguar prej projekteve sociale dhe Green Deal.

    E rrezikshme apo gjallëruese?

    A janë kërkesat për mocion një simbol për destabilizim të rrezikshëm, apo shprehje e dinamikës demokratike? “Të dyja,” thotë eksperti Costa. “Përballjet janë dëshmi e një demokracie të jetuar në BE. Por nëse ato dominojnë, atëherë rrezikon humbja e kontrollit.”

    Të enjten parlamenti vendos për të ardhmen e von der Leyens. Costa nuk sheh shkas për një fund të shpejtë të mandatit të saj, por ai konsideron se do të ketë një normalitet të ri me një test të vazhdueshëm të stresit. “Von der Leyen nuk do të abdikojë dhe as nuk do të shkarkohet, për shumë forca ajo mbetet opcioni më i mirë. Sepse cila do të ishte alternativa?”

    Por me rëndësi politike është, se sa i madh do të jetë kampi i atyre që do të votojnë me jo: “Një rezultat i dobët do të pasqyronte raportet e ftohura ndërmjet komisionit dhe parlamentit.”

    Për shumë vëzhgues në Strazburg është e rëndësishme jo nëse ajo do të mbijetojë, por me çfarë shumice do ta arrijë këtë. Pikërisht ky raport votash do të ndikojë në punën e mëtejshme kur në axhendë janë ligjet për buxhetin, tregtinë dhe klimën. /DW

  • Kryeministri i ri francez do të emërohet brenda 48 orësh

    Kryeministri i ri francez do të emërohet brenda 48 orësh

    Presidenti francez Emmanuel Macron do të emërojë një kryeministër të ri brenda 48 orëve, tha Pallati Elysee, duke hedhur poshtë spekulimet se zgjedhjet e reja mund të jenë të afërta.

    Më herët të mërkurën, kryeministri në largim Sébastien Lecornu tha se mundësia e shpërbërjes së parlamentit po fillonte të zbehej pas bisedimeve me partitë politike gjatë dy ditëve të fundit.

    “Ekziston një shumicë në parlament dhe kjo është shumica që është e prirur të shmangë zgjedhjet e reja”, tha ai.

    Të hënën, Lecornu – një aleat i ngushtë i Macron – u bë kryeministri i tretë francez që la punën në më pak se një vit, i shtyrë nga një parlament i paqëndrueshëm, thellësisht i ndarë sipas vijave ideologjike.

    Më pas, Macron i kërkoi atij të qëndronte për dy ditë për të krijuar një konsensus midis partive se si të dilnin nga kriza aktuale politike.

    Në një intervistë televizive të shumëpritur të mërkurën në mbrëmje, Lecornu nuk dha asnjë shenjë se kush do të ishte kryeministri i ardhshëm, dhe megjithëse tha se misioni i tij kishte “mbaruar”, ai gjithashtu nuk dukej se e përjashtonte veten plotësisht.

  • Bastisje në vendbanimin e Fatmir Shehollit, Prokuroria Speciale jep detaje

    Bastisje në vendbanimin e Fatmir Shehollit, Prokuroria Speciale jep detaje

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka dhënë detaje pas arrestimit të Fatmir Shehollit për spiunazh.

    Në njoftim thuhet se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, të enjten hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës kanë arrestuar F.SH., nën dyshimet për veprën penale “Spiunazh”.

    “I dyshuari F.SH është arrestuar në regjionin e Prishtinës, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale ‘Spiunazh’, nga neni 124 paragrafi 3 të KPRK-së. Operacioni i arrestimit është kryer edhe me asistencë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë”, thuhet në njoftim.

    Me aktvendim të Prokurorisë Speciale, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, dhe nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës janë duke u kryer bastisje në vendbanimin e të dyshuarit, me qëllim të sigurimit edhe të provave të tjera materiale.

    Tutje në njoftim thuhet se Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi, për të cilat publiku do të njoftohet në kohë.