ATV

Author: G.O.

  • Oriola Marashi duket joshëse me pozat nga Parisi

    Oriola Marashi duket joshëse me pozat nga Parisi

    Modelja dhe bukuroshja shqiptare, Oriola Marashi, ka tërhequr sërish vëmendjen e medieve dhe ndjekësve të saj me një paraqitje plot shkëlqim në Paris.

    Në disa fotografi të publikuara, ajo shfaqet duke shijuar një mbrëmje luksoze pranë Eiffel, e cila ndriçon sfondin romantik të setit fotografik.

    Oriola ka zgjedhur një kombinim tejet sensual dhe elegant: një korse me print leopardi, të cilin e ka shoqëruar me një fund të zi elegant dhe çorape të zeza të holla.
    Aksesorët minimalë, si bizhuteritë delikate dhe çanta klasike me zinxhir të artë, e kanë kompletuar më së miri dukjen e saj.

    Fotografitë, të realizuara si në një ambient të brendshëm luksoz ashtu edhe në një tarracë me pamje spektakolare nga Eiffel, transmetojnë një atmosferë të ngrohtë dhe festive.

  • Kishte hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës, ndalohet një shtetas serb në Kamenicë

    Kishte hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës, ndalohet një shtetas serb në Kamenicë

    Një shtetas i Serbisë është ndaluar pasditen e së martës në fshatin Hodonoc të Kamenicës, nën dyshimin se ka hyrë ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës.

    Personi në fjalë po drejtonte një automjet me targa të Serbisë kur është ndaluar nga një patrullë e Policisë.

    Sipas njoftimit zyrtar, ndalimi i tij është bërë gjatë një patrullimi rutinë në zonën kufitare, ku zyrtarët kanë vërejtur automjetin e dyshimtë.

    Pas ndalimit, shoferi është shoqëruar në stacionin më të afërt policor për t’u intervistuar lidhur me arsyen e kalimit të kufirit jashtë pikave zyrtare.

    Pas përfundimit të intervistimit dhe në konsultim me prokurorin kompetent, i dyshuari është liruar dhe rasti po trajtohet në procedurë të rregullt.

  • Policia e Kosovës pjesë e garës ‘King Abdullah Special Operations Training Center’ në Jordani, arrin në fazën finale

    Policia e Kosovës pjesë e garës ‘King Abdullah Special Operations Training Center’ në Jordani, arrin në fazën finale

    Policia e Kosovës, përkatësisht zyrtarë policorë të njësive speciale, po marrin pjesë në një garë ndërkombëtare të njësive elitare policore dhe ushtarake nga shtete të ndryshme, raporton Sinjali.

    Këtë vit, pjesëmarrëse janë 38 ekipe nga vende të ndryshme të botës.

    Siç njofton Policia, në këtë garë njësitet elite policore si dhe ato ushtarake po garojnë në disa disiplina me shkallë të lartë të vështirësisë dhe taktikës, si gjuajtje me armë të llojeve të ndryshme, marshime me pesha të rënda dhe pjesë tjera të ushtrimeve të natyrës së kësaj fushe të oprimit policor/ushtarak.

    Tutje bëhet e ditur se njësia elite e PK-së po tregon profesionalizëm dhe rezultate pozitive në fusha të ndryshme, duke u krahasuar me njësitë e shteteve të tjera ndërkombëtare.

  • Sa kohë qëndron i sigurt për konsum qumështi pas hapjes?

    Sa kohë qëndron i sigurt për konsum qumështi pas hapjes?

    Të dish se për sa kohë mund të konsumohet qumështi pas hapjes është një nga pyetjet më të zakonshme në familje dhe nuk është gjithmonë e lehtë t’i përgjigjesh.

    Ruajtja e tij më gjatë se sa rekomandohet mund të nxisë rritjen e baktereve dhe të paraqesë një rrezik për shëndetin.

    Sipas ekspertëve dhe organizatave të sigurisë ushqimore, afati i ruajtjes varet nga lloji i qumështit dhe kushtet në të cilat ruhet në frigorifer, megjithëse duhet t’i kushtohet vëmendje edhe sinjaleve shqisore si aroma, shija ose tekstura.

    Faktori kryesor që përcakton se sa gjatë zgjat qumështi pas hapjes është lloji i trajtimit termik që i është nënshtruar.

    Qumështi i freskët ose i pasterizuar, i cili i është nënshtruar një procesi më të butë termik, i ruan më mirë vetitë e tij organoleptike, por është gjithashtu më i ndjeshëm ndaj rritjes së baktereve, kështu që pas hapjes mund të mbahet vetëm për dy deri në tre ditë nëse mbahet siç duhet në frigorifer.

    Në të kundërt, qumështi i sterilizuar, i cili është trajtuar në temperatura më të larta, zgjat më shumë, tre deri në pesë ditë pas hapjes dhe mbahet gjithmonë në frigorifer.

    Temperatura e frigoriferit është thelbësore për zgjatjen e afatit të ruajtjes. Idealisht, duhet të ruhet në afërsisht 4ºC dhe të shmangen luhatjet pasi çdo rritje e temperaturës çon në rritjen e baktereve.

    Lloji i paketimit është gjithashtu i rëndësishëm. Kutitë e kartonit ofrojnë mbrojtje më të mirë nga drita dhe oksigjeni kur janë të mbyllura, por pasi hapen, ekspozimi ndaj ndotësve rritet, kështu që afati i skadimit duhet të respektohet në mënyrë strikte.

    Përveç afateve të përcaktuara, rekomandohet të futen disa zakone që ndihmojnë në konsumin e sigurt të qumështit.

    Një nga më të thjeshtat është të shkruani datën në enë kur hapet, në mënyrë që të keni kontroll të vërtetë mbi kohën e ruajtjes. Është gjithashtu e rëndësishme ta mbyllni enën fort sa herë që përdoret, pasi çdo hapje rrit rrezikun e kontaminimit të jashtëm.

    Megjithatë, nuk mjafton vetëm të shikosh datën e skadimit. Gjendja e qumështit duhet të vlerësohet nga shqisat. Nëse është i kokrrizuar, ka erë të thartë ose shija e tij ka ndryshuar, është mirë ta hidhni edhe nëse ditët e rekomanduara nuk janë tejkaluar.

    Këto masa paraprake, së bashku me ruajtjen optimale në pjesën më të ftohtë të frigoriferit, sigurojnë që qumështi të konsumohet në kushte optimale dhe pa kompromentuar shëndetin.

  • Llojet e mjaltit dhe përfitimet për shëndetin

    Llojet e mjaltit dhe përfitimet për shëndetin

    Varietetet e mjaltit klasifikohen kryesisht sipas llojit të luleve nga është mbledhur nektari.

    Cilësia, ëmbëlsia dhe vetitë medicinale varen më së shumti nga lulet ku ai është mbledhur.

    Disa lloje mjalti kanë një aromë të butë, ndërsa të tjerët janë mjaft të fortë.

    Disa janë më të mirët për shërimin e plagëve ose për të luftuar infeksionet, ndërsa të tjerë janë më të dobishëm për trajtimin e presionit të lartë të gjakut ose dhimbjeve të fytit.

    Mjalti i tërfilit

    Vetitë e mjaltit të tërfilit ndryshojnë në varësi të vendit ku prodhohet, prandaj ai mund të ketë ngjyrë qelibari, por mund të jetë edhe i bardhë.

    Ky lloj ka veti të forta antioksiduese dhe përmban sasi të larta të flavonoideve (që besohet se mbështesin funksionin e mushkërive dhe zemrës) dhe acideve fenolike (që thuhet se mbështesin sistemin nervor).

    Mjalti i sherbelës

    Ky është një mjaltë me ngjyrë të lehtë, që kristalizohet shumë ngadalë.

    Përveç vetive natyrale antioksiduese, besohet se ky lloj është i mirë për tretjen.

    Mjalti i boronicës

    Ai është një zgjedhje e shkëlqyer për konsum të përditshëm.

    Ka veti të mira antibiotike dhe disa studime kanë treguar se është efektiv në trajtimin e sëmundjeve kronike.

    Mjaltë luleradhiqeje

    Ky mjaltë kthehet në ngjyrë qelibari të errët ndërsa fillon të formojë kristale dhe ka një aromë të këndshme të luleve të pranverës.

    Është i njohur për forcimin e sistemit imunitar, si dhe ndihmon në shëndetin e zorrëve dhe traktit gastrointestinal.

    Mjalti hikërror

    Ngjyra e tij kafe e errët tregon se është i fortë në shije dhe i trashë në strukturë.

    Njihet për fuqinë e forta antibakteriale dhe për përmbajtjen e lartë të antioksidantëve.

    Thuhet se është efektiv kundër disa prej infeksioneve më të vështira dhe është një zgjedhje e shkëlqyer për të trajtuar kollën dhe dhimbjet e fytit.

    Ndihmon gjithashtu në uljen e kolesterolit dhe është një nga varietetet që përdoret më shpesh për kujdesin e plagëve dhe lëkurës.

    Mjalti i luleve të egra

    Përbëhet nga nektari i llojeve të ndryshme të luleve të egra.

    Ngjyra, shija dhe intensiteti i tij mund të ndryshojnë në varësi të burimeve të nektarit të cilat ndryshojnë me stinët.

    Përfitimet shëndetësore janë kryesisht efektet bazë antioksiduese dhe frenuese të kollës.

    Megjithatë, ka një përfitim specifik nga mjalti i luleve të egra! Shumë besojnë se konsumimi i tij është një mënyrë e mirë për të luftuar alergjitë.

    Mjalti i shqopës

    Ai ka nivelet më të larta të acideve fenolike dhe njihet për parandalimin e dëmtimit qelizor që mund të shkaktohet nga radikalet e lira në trup.

    Kjo mund të ndihmojë në luftimin e sëmundjeve të rënda si ato të zemrës./AgroWeb.org

  • Mungojnë Faruk Mujka, Hysen Muzliukaj dhe avokatët e tyre, dështon të nisë gjykimi për korrupsion

    Mungojnë Faruk Mujka, Hysen Muzliukaj dhe avokatët e tyre, dështon të nisë gjykimi për korrupsion

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në mungesë të të akuzuarve: Faruk Mujka- kryeshef ekzekutiv në Ndërmarrjen Hidro-Ekonomike “Ibër-Lepenc” dhe Hysen Muzliukaj- ish-drejtor për Gjeodezi në Mitrovicë, si dhe mbrojtësve të tyre: avokatëve Xhafer dhe Ahmet Tahiri, ka dështuar të nisë të mërkurën gjykimi për korrupsion.

    Sipas aktakuzës, Mujka në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, ndërsa Muzliukaj në cilësinë e Drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në atë komunë, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me rastin e këmbimit të pronës së ish-Bankosit me pronë private. Ndërkaq, Mujka akuzohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, me arsyetimin se në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Ibër-Lepencit nuk i deklaroi 60 mijë e 50 eurot që iu sekuestruan në shtëpi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra tha se i akuzuari Mujka nuk është i pranishëm në seancë edhe pse Gjykata ia ka dërguar ftesën për seancën e sotme, por deri tash nuk ka dëshmi që i njëjti e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt.

    Në seancë mungoi edhe mbrojtësi i Mujkës, avokati Xhafer Tahiri, i cili sipas gjykatëses, me anë të e-mailit ka njoftuar Gjykatën se për arsye personale/shëndetësore nuk mund të jetë i pranishëm në seancë. Për këtë, ka bashkëngjitur edhe dokumentacionin mjekësor.

    Kurse, për Muzliukajn, gjykatësja tha se Gjykata ia ka dorëzuar ftesën por deri tani s’ka dëshmi nga shërbimi postar se i njëjti e ka pranuar ftesën me rregull.

    Po ashtu, mungoi edhe mbrojtësi i Muzliukajt, avokati Ahmet Tahiri i cili e ka njoftuar Gjykatën se ka seancë te gjyqtari Gëzim Ademi, por deri tani, sipas Namani-Hajrës, i njëjti nuk ka dorëzuar procesverbal apo ftesë se ajo seancë është caktuar më herët.

    Andaj, Gjykata konstatoi se në mungesë të të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre, nuk ka kushte për të vazhduar me shqyrtimin fillestar.

    Gjykatësja tha se për të akuzuarit do të vlerësojë nëse kanë pranuar ftesat dhe do të veprojë sipas dispozitave të procedurës penale, e që nëse është e nevojshme do të lëshohet edhe urdhëresë për sjellje me detyrim në seancë.

    Në seancë e pranishme ishte vetëm përfaqësuesja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Dhurata Bytyqi.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 9 shtator 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Mujka ngarkohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë.

    Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, Mujka në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, ndërsa Muzliukaj në cilësinë e Drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në atë komunë, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me rastin e këmbimit të pronës së ish-Bankosit me pronë private. Ndërkaq, Mujka akuzohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, me arsyetimin se në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Ibër-Lepencit nuk i deklaroi 60 mijë e 50 eurot që iu sekuestruan në shtëpi.

    Çka thuhet në pikë e parë të aktakuzës?

    Sipas aktakuzës, Mujka në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës dhe Hysen Muzliukaj në cilësinë e drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, me dashje dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kishin tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personat e tretë dhe në dëm të pronës publike.

    Fillimisht, thuhet se Mujka më 25 prill 2021, duke vepruar në emër të kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe Muzliukaj në pozitën e Drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, i paraqesin Kuvendit Komunal propozim-vendimin për këmbim të pronës së paluajtshme me lokacion në rrugën “Afrim Zhitia” në Mitrovicë (ndërtesë e ish-Bankosit).

    Në aktakuzë thuhet se sipërfaqja e palujatshmërisë ishte 139 metra katror nga sipërfaqja e përgjithshme prej 631 metra katror, të cilën e kishin paraqitur kinse si pronë të Komunës, për këmbim me parcelën me sipërfaqe të përgjithshme prej 102 metra katror në pronësi të personit fizik Besarta Isufi në rrugën “Ali Zeneli” në Mitrovicë.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, Mujka dhe Muzliukaj e kishin ditur se prona e tillë nuk ishte pronë komunale dhe se ekziston proces gjyqësor me padi të iniciuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) dhe Ndërmarrja Shoqërore “Jugobanka” në Mitrovicë, dhe duke qenë në dijeni se Kuvendi Komunal i Mitrovicës kishte marrë dy herë vendim për shpallje me interes të posaçëm publik të objektit të ish-Bankosit ku ndodhej prona në fjalë, më 30 gusht 2012 dhe 23 shkurt 2017, në bazë të së cilit ishte kërkuar nga Bordi i AKP-së që lidhur me pronën e ish-Bankosit t’iu bartej e drejta e shfytëzimit meqenëse prona nuk ishte në pronësi të Komunës.

    Aktakuza thotë se dy të akuzuarit kishin vepruar në dëm të interesi publik dhe në kundërshtim me Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës dhe Rregullores për përcaktimin e procedurave për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së Komunës. E që në bazë të këtyre, sipas aktakuzës, ndalohet dhënia në shfrytëzim dhe këmbim i pronës me pronë private.

    Kështu, dy të pandehurit ngarkohen se i shkaktuan dëm të konsiderueshëm APK-së, në vlerën e objektit të tjetërsuar/këmbyer, që ishte llogaritur të jetë 125 mijë e 100 euro.

    Andaj për këto veprime, Mujka dhe Muzliukaj po ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar” e paraparë me nenin 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    Për çka akuzohet në pikën e dytë të aktakuzës Mujka?

    Në aktakuzë thuhet se Faruk Mujka në cilësi të kryeshefit ekzekutiv të “Ibër-Lepencit”, i cili sipas Ligjit aktual për deklarim, prejardhje dhe kontroll të pasurisë dhe dhuratave ishte i detyruar të bënte deklarimin e pasurisë, nuk i ka paraqitur të dhënat e kërkuara në deklaratë, pasi nga data e pavërtetuar e deri më 15 korrik 2023, në shtëpinë e tij kishte poseduar shumën prej 60 mijë e 50 euro, shumë kjo e gjetur dhe sekuestruar gjatë zbatimit të urdhërkontrollit të Gjykatës në shtëpinë e tij në Mitrovicë.

    Këtë shumë, sipas aktakuzës, Mujka nuk e kishte paraqitur në formularin për deklarimin e pasurisë së vitit paraprak në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit edhe pse ishte i obliguar sipas ligjit dhe se e ka ditur se në deklaratë duhet të paraqiten edhe shumat kesh.

    Andaj për këto veprime, Mujka po ngarkohet me veprën penale “Mosraportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430, paragrafi 2 i Kodit Penal.

    Detajet rreth deklarimit të dy të akuzuarve në Polici e Prokurori, mund t’i gjeni: KËTU.

  • Më 11 tetor përfundon afati i votimit me postë nga jashtë Kosovës

    Më 11 tetor përfundon afati i votimit me postë nga jashtë Kosovës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur përmes një komunikate për media se më 11 tetor përfundon periudha e votimit jashtë Kosovës për shtetasit e Kosovës, të cilët janë regjistruar për të votuar përmes postës në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.

    Kjo periudhë, e cila ka filluar më 17 shtator, vlen vetëm për 43,933 shtetasit që janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës.

    Deri më 11 tetor 2025, votuesit e regjistruar jashtë Kosovës duhet të dërgojnë pakon e tyre me fletëvotime në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së.

    KQZ njofton se me qëllim të ofrimit të mundësisë për votim për shtetasit që janë regjistruar për të votuar përmes postës, kutitë postare janë funksionale në këto shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanadë, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut, Mbretëri e Bashkuar, Norvegji, ShBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.

  • ​Kurti hesht kur pyetet për mundësinë e formimit të qeverisë së përkohshme

    ​Kurti hesht kur pyetet për mundësinë e formimit të qeverisë së përkohshme

    Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka pranuar të përgjigjet në lidhje me mundësitë e formimit të qeverisë së përkohshme, ide e propozuar nga partnerja e tij e koalicionit, Mimoza Kusari-Lila.

    Kurti heshti derisa u pyet në lidhje edhe me angazhimin e tij për formimit të qeverisë së re. Kosova ende nuk ka themeluar institucionet e reja edhe mbi tetë muaj pas zgjedhjeve të reja.

    Gjykata Kushtetuese më 30 shtator ka dalë me një njoftim ku ka thënë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, që ka nisur më 15 prill, nuk ka përfunduar, pasi që nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb.

    Kushtetuesja ka urdhëruar deputetët e Kuvendit të konstituojnë legjislaturën e nëntë brenda afatit 12-ditor prej publikimit të aktgjykimit të plotë, por pa specifikuar pasojat juridike në rast se nuk kompletohen trupat e legjislativit.

    Vendimi i Kushtetueses është pas ankesës së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, lidhur me votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e komuniteteve jo shumicë.

  • Infantino sot në Kosovë, FFK: Ditë e madhe për vendin tonë

    Infantino sot në Kosovë, FFK: Ditë e madhe për vendin tonë

    Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino do të zbarkojë gjatë ditës së sotme në Kosovë me ftesë të presidentes Vjosa Osmani.

    I pari i futbollit botërorë do të ketë takime të shumta në Kosovë, derisa do të dekorohet nga presidentja Osmani me një çmim të veçantë.

    Ceremonia zyrtare do të mbahet në Hotel “Emerald” dhe do të nisë në orën 13:00.

    I pari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj Osmanit për këtë veprim, duke e cilësuar si një akt që dëshmon respektin e institucioneve të Kosovës për rolin dhe kontributin e Infantinos në zhvillimin e futbollit kosovar.

    “Gianni Infantino pati fatin që, në Kongresin e tij të parë si president i FIFA-s në vitin 2016, ta shpallë Kosovën anëtare të barabartë të organizatës.

    Ky ishte një moment historik që ndryshoi përgjithmonë rrugëtimin tonë si shtet në arenën ndërkombëtare të futbollit,” ka shkruar Ademi në një postim në Facebook.

  • Vihet në pranga i dyshuari për tentim-vrasje, ishte në kërkim policor që nga 23 prilli

    Vihet në pranga i dyshuari për tentim-vrasje, ishte në kërkim policor që nga 23 prilli

    Një person është arrestuar të martën në Prishtinë në lidhje me një rast të vrasjes në tentativë, që kishte ndodhur disa muaj më parë në kryeqytet..

    Policia ka njoftuar se i dyshuari është një mashkull kosovar, i cili ishte në kërkim nga autoritetet që prej pranverës së këtij viti.

    Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja për të cilën ai dyshohet ka ndodhur në mbrëmjen e 23 prillit në rrugën “Rexhep Krasniqi” në Prishtinë.

    Hetimet intensive të zhvilluara nga njësitet përkatëse policore kanë çuar në identifikimin dhe lokalizimin e të dyshuarit pas më shumë se pesë muajsh.

    Pas ndalimit, i dyshuari është intervistuar në stacionin policor në prani të avokatit mbrojtës dhe me urdhër të prokurorit të rastit, ai është dërguar në mbajtje.