ATV

Author: G.O.

  • Osmani për Infantinon: Miku i vërtetë i Kosovës dhe futbollit

    Osmani për Infantinon: Miku i vërtetë i Kosovës dhe futbollit

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për kontributin e tij të veçantë në afirmimin dhe zhvillimin ndërkombëtar të futbollit kosovar.

    Ceremonia e dekorimit u mbajt të mërkurën në Prishtinë, ndërsa sot presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen e saj publike për Infantinon përmes një postimi në Facebook.

    “President Gianni Infantino, Kosova do ta kujtojë gjithmonë që qëndruat përkrah nesh në kohë vendimtare. Ju besuat në potencialin tonë dhe në fuqinë bashkuese të sportit, në një kohë kur vetë besimi kërkonte guxim!”, ka shkruar Osmani.

    Ajo e cilësoi Infantinon si mik të vërtetë të sportit dhe të shtetit të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së tij në një periudhë të rëndësishme për zhvillimin e futbollit në vend.

    “Infantino është një mik i vërtetë i futbollit, njashtu edhe i Kosovës”, shtoi Osmani.

  • Ekspertët alarmojnë: Mos i bëni këto 6 gabime të përditshme – po e dëmtoni fshikëzën pa e ditur

    Ekspertët alarmojnë: Mos i bëni këto 6 gabime të përditshme – po e dëmtoni fshikëzën pa e ditur

    Një ekspert mjekësor në Mbretërinë e Bashkuar ka paralajmëruar për gjashtë zakone të zakonshme që mund të dëmtojnë seriozisht fshikëzën urinare – një organ jetik për eliminimin e mbeturinave dhe ruajtjen e ekuilibrit të lëngjeve në trup.

    Dipa Kamdar, lektore e lartë në praktikën farmaceutike në Universitetin Kingston në Londër, thotë se shumë njerëz e neglizhojnë fshikëzën, duke rrezikuar shfaqjen e infeksioneve, mosmbajtjes urinare dhe madje edhe kancerit.

    Ajo thekson se kujdesi për fshikëzën duhet të jetë prioritet njësoj si për zemrën apo mushkëritë. Sipas saj, zakonet e përditshme luajnë rol kyç në shëndetin afatgjatë të këtij organi. Ja cilat janë gabimet më të zakonshme që mund t’ju kushtojnë shtrenjtë:

    Gabimet që duhet të shmangni:

    1. Mbajtja e urinës për një kohë të gjatë – Dëmton muskujt e fshikëzës dhe rrit rrezikun e infeksioneve.
    2. Mospirja e mjaftueshme e ujit – Urina bëhet më e përqendruar dhe irrituese për fshikëzën.
    3. Konsumi i tepërt i kafeinës dhe alkoolit – Rrit prodhimin e urinës dhe shkakton irritim.
    4. Pirja e duhanit – Shkaku kryesor i kancerit të fshikëzës.
    5. Higjiena e dobët – Lejon bakteret të hyjnë në traktin urinar.
    6. Mungesa e aktivitetit fizik dhe dieta e dobët – Çon në kapsllëk dhe presion të shtuar mbi fshikëzën.

    Këshilla shtesë për shëndetin e fshikëzës:

    • Pini 6–8 gota ujë në ditë
    • Ushqehuni me fibra dhe shmangni pijet e gazuara, ushqimet pikante dhe ëmbëlsuesit artificialë
    • Bëni aktivitet fizik të rregullt
    • Mos e neglizhoni nevojën për të urinuar

    Nëse vini re simptoma si djegie, urinim të shpeshtë, urinë me erë të fortë ose me gjak, kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore.

  • Ekstradohet Cllevio nga Dubai, akuzohet për përndjekje dhe thyerje të masës së sigurisë

    Ekstradohet Cllevio nga Dubai, akuzohet për përndjekje dhe thyerje të masës së sigurisë

    Policia e Shtetit ka njoftuar se është finalizuar me sukses ekstradimi nga Emiratet e Bashkuara Arabe i reperit shqiptar Kleviol Ahmeti, i njohur për publikun me emrin artistik Cllevio.

    39-vjeçari, me origjinë nga Lushnja, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për përndjekje dhe për thyerje të masës së sigurisë, në lidhje me një konflikt të vazhdueshëm me reperin tjetër Rigels Rajku (Noizy).

    Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit:

    “Në vijim të bashkëpunimit të Drejtorisë së Interpolit, me zyrën e Interpol Abu Dhabit, me objektiv kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, të cilët synojnë t’i fshihen drejtësisë shqiptare, duke qëndruar në Dubai, u lokalizua dhe u kap, në kuadër të operacionit ‘The Wanted’, shtetasi K. A., 39 vjeç, i lindur në Lushnjë.”

    Policia sqaron më tej:

    “Ky shtetas kërkohej ndërkombëtarisht sepse në vitin 2024, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprën penale ‘Përndjekja’, pasi akuzohet se për disa vjet, ka përndjekur fizikisht dhe në rrjete sociale, shtetasin R. R. dhe familjarë të tij.”

    Përveç kësaj, Cllevio rezulton edhe i dënuar nga Gjykata e Fierit, në vitin 2024, me 9 muaj burgim për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

    Autoritetet shqiptare kanë falënderuar bashkëpunimin me Interpol Abu Dhabi për realizimin e ekstradimit dhe rikthimin e të kërkuarit në Shqipëri për t’u përballur me drejtësinë.

  • Kushtetuesja publikon aktgjykimin e plotë lidhur me konstituimin e Kuvendit

    Kushtetuesja publikon aktgjykimin e plotë lidhur me konstituimin e Kuvendit

    Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me konstituimin e Kuvendit.

    Kushtetuesja ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës nuk mund të konsiderohet i konstituar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb dhe ka obliguar deputetët që ta përfundojnë këtë proces brenda 12 ditësh.

    “Ashtu siç u theksua më lart, përfaqësimi i komuniteteve që nuk janë shumicë në Kuvend përfshirë edhe në Kryesinë e Kuvendit është detyrim kushtetues. Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë nënkryetarin nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, Kryesia e saj do të ishte e paplotë dhe jokushtetuese. Në këtë kontekst, zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti Serb si anëtar i domosdoshëm i Kryesisë së Kuvendit, është parakusht për konstituimin e Kuvendit”, thuhet në aktgjykim.

    Kushtetuesja ka urdhëruar deputetët e zgjedhur që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

    “TË URDHËROJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi”, theksohet në njoftim.

    Ndryshe, Kryeparlamentari Dimal Basha e kishte përmbyllur seancën konstituive, pa u zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb.

    “Ne si Kuvend nuk kemi mundësi tjetër se si të vazhdojmë sa i përket nënkryetarit që vjen nga komuniteti joshumicë serb, prandaj me këtë rast konsideroj se kemi ezauruar edhe pikën e katërt të rendit të ditës të seancës konstituive dhe meqenëse nuk ka mundësi tjetër objektive se si të procedohet tutje, konsideroj që kjo seancë konstituive konsiderohet e përmbyllur”, kishte deklaruar Basha, në seancën e 30 gushtit.

    Sipas tij, moszgjedhja e njërit nga pesë nënkryetarët apo njërit nga gjashtë anëtarët e Kryesisë nuk mund të bëhet pengesë që bllokon konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    https://api.webgjk-ks.org/Custom/e42461bd-a4ef-4845-b9f7-2e6b86518586.pdf?fbclid=IwY2xjawNTRlRleHRuA2FlbQIxMABicmlkETF4VVV5Q1JSRm9HcERmRTZ4AR7cBGR1tCLvtSoMrxKM1bvG33ZUKcLVcZrMuCaIFOMF5WcYbrCln5cuWXuvNA_aem_GfA74UBPFQ1Dm029hPTeJw

  • Tre arinj shkaktojnë dëme në pronën e një banori në Suharekë, shkatërrojnë 35 koshere bletësh dhe dëmtojnë një varrezë

    Tre arinj shkaktojnë dëme në pronën e një banori në Suharekë, shkatërrojnë 35 koshere bletësh dhe dëmtojnë një varrezë

    Një banor i fshatit Bllacë në komunën e Suharekës ka raportuar në Policinë e Kosovës se tre arinj kanë hyrë në pronën e tij dhe kanë shkaktuar dëme në rreth 35 koshere bletësh. Sipas njoftimit të qytetarit, arinjtë janë parë edhe më herët duke shkatërruar një varrezë në të njëjtin fshat, duke ngritur shqetësimin për sigurinë e banorëve dhe bagëtive të tyre.

    Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, ka konfirmuar se pas konsultimit me prokurorin kompetent, është vendosur që rasti të mbahet në shënim dhe të dhënë një paralajmërim për qytetarët. Ai ka theksuar se është e rëndësishme që ata të jenë të kujdesshëm, veçanërisht gjatë lëvizjes në zonat e pyllëzuara dhe afër vendbanimeve ku mund të shfaqen kafshë të egra si arinjtë.

    Për shkak të pranisë së mundshme të kafshëve të egra, qytetarët janë ftuar të veprojnë me kujdes dhe të shmangin rrezikun që mund të vijë nga takimi me këto kafshë.

    Policia vazhdon hetimet dhe apelon që çdo rast i ngjashëm të raportohet sa më shpejt në mënyrë që të ndërmerren masat e nevojshme për sigurinë e qytetarëve dhe pronës së tyre.

  • “Ata pëlqejnë më shumë njëri-tjetrin kur nuk janë të martuar”, Jennifer dhe Ben fliten për një ribashkim

    “Ata pëlqejnë më shumë njëri-tjetrin kur nuk janë të martuar”, Jennifer dhe Ben fliten për një ribashkim

    Marrëdhënia midis Jennifer Lopez dhe Ben Affleck vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes.

    Edhe pse ndarja e tyre u konfirmua, burime të afërta pranë këngëtares kanë lënë të kuptohet se ata ende kanë një kimi që është e vështirë të injorohet.

    Sipas deklaratave të mbledhura nga mediat amerikane, “ata pëlqejnë më shumë njëri-tjetrin kur nuk janë të martuar”, gjë që ka nxitur thashetheme për një pajtim të mundshëm midis dy yjeve.

    Çifti, i njohur si “Bennifer”, ka pasur një marrëdhënie të shënuar nga ulje-ngritje, ribashkime dhe momente mediatike.

    Pas dasmës së tyre në vitin 2022, filluan të qarkullonin thashetheme për distancim, por shkëndija mes tyre nuk u shua kurrë plotësisht.

    Njerëz pranë Lopez thonë se megjithëse bashkëjetesa ishte e komplikuar, admirimi i ndërsjellë mbetet i paprekur.

    Pavarësisht ndarjes, Ben mbetet një figurë e ngushtë me Jennifer Lopez. Ata janë parë në evente familjare dhe mbajnë komunikim të vazhdueshëm.

    Kjo afërsi ka nxitur spekulime nëse ata e kanë mbyllur vërtet kapitullin apo thjesht po e ripërcaktojnë marrëdhënien e tyre.

    Burimet tregojnë se Affleck vazhdon ta mbështesë Lopez në projektet e saj profesionale dhe se të dy ndajnë një vizion të ngjashëm për rritjen e fëmijëve të tyre dhe menaxhimin e jetës së tyre publike.

    Përtej statusit të tyre martesor, lidhja midis Jennifer Lopez dhe Ben Affleck duket se i tejkalon rrethanat.

    Historia e tyre, plot ribashkime dhe shanse të dyta, vazhdon të tërheqë vëmendjen e publikut dhe medias. Ndërsa e ardhmja është e pasigurt, ajo që është e qartë është se dashuria midis tyre është ende gjallë. /Telegrafi/

  • Gjermania u bën thirrje deputetëve: Respektojeni vendimet e Gjykatës Kushtetuese, jo interesat partiake

    Gjermania u bën thirrje deputetëve: Respektojeni vendimet e Gjykatës Kushtetuese, jo interesat partiake

    Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Nexhmi Rexhepi, priti sot të ngarkuarin me punë të Gjermanisë në Kosovë, Christian Boettcher.

    Në një njoftim të lëshuar nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë, theksohet se të gjithë aktorët politikë duhet t’i zbatojnë vendimet e Gjykatës, duke e konsideruar këtë një detyrë kushtetuese për deputetët.

    “Gjykata Kushtetuese është një shtyllë thelbësore e demokracisë. Sot, i Ngarkuari me Punë, Christian Boettcher, u takua me Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Nexhmi Rexhepi. Ai e vlerësoi punën jetike të Gjykatës dhe rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Gjermanisë. Të gjithë aktorët politikë duhet t’i zbatojnë vendimet e Gjykatës – kjo është një detyrë kushtetuese për deputetët”, thuhet në njoftim.

    Tutje theksohet se mospërmbushja e kësaj detyre jo vetëm që e zgjat krizën politike, por e thellon atë, duke shkaktuar dëm vendit.

    “Siç është thënë edhe më parë: Ka ardhur koha që vendi të vihet në plan të parë, jo interesat partiake”, thuhet mes të tjerash.

     

  • Ish-polici Fatlum Mehmeti dënohet me 8 vjet burgim për vrasjen e kolegut të tij, Lirim Haxholli, në Zllatar të Prishtinës në vitin 2022

    Ish-polici Fatlum Mehmeti dënohet me 8 vjet burgim për vrasjen e kolegut të tij, Lirim Haxholli, në Zllatar të Prishtinës në vitin 2022

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-policit Fatlum Mehmetit, lidhur me akuzën për vrasjen e policit në Zllatar.

    Ai u dënua me 8 vjet burgim për veprën penale “Vrasje me dashje eventuale”.

    Në këtë rast, Fatlum Mehmeti akuzohej se me dashje eventuale ka privuar nga jeta anëtarin e Policisë së Kosovës, L.H, në një ndenjë të organizuar nga pjesëtarët e PK-së, në Zllatar, në shkurt të vitit të 2022, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Aktgjykimi u shpall të mërkurën me shumicë votash nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Ertan Sejfulla- kryetar dhe anëtarët: Sulltane Hoti dhe Naser Foniqi.

    Ndaj Mehmetit u caktua edhe dënim plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratë publike ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej 5 vitesh.

    Të akuzuarit Mehmeti me aktvendim të veçantë i ndërpritet masa e arrestit shtëpiak.

    Në dënimin me burgim, të njëjtit i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, pasi vendimi të marrë formën e prerë.

    Pala e dëmtuar udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike.

    Ndryshe, i akuzuari Mehmeti më 14 prill 2023 është deklaruar i pafajshëm se nga “dashja eventuale” kishte vrarë policin L.H, në shkurt të 2022-ës, në një organizim shoqëror në Zllatar të Prishtinës.

    Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 20 tetor 2022, Fatlum Mehmeti akuzohej se më 18 shkurt 2022, rreth orës 13:45, në sallonin e vilës në fshatin Zllatar të Komunës së Prishtinës, me dashje eventuale ka privuar nga jeta tani të ndjerin, pjesëtarin e Policisë së Kosovës, L.H.

    Në këtë aktakuzë thuhet se gjatë një ndeje që ishte organizuar nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës së Stacionit Policor Qendra në Prishtinë, ku prezent kanë qenë pjesëtarët e PK-së: Florent Ahmeti, Gëzim Tahiri, Ilir Salihu, Bleart Misiri, Elit Thaqi, Enis Imeri, Artan Morina, Astrit Zabërgja, Ron Aliu, Arian Menxhiqi, Adis Berisha, Xhafer Berisha, Valdet Rrahimi dhe Ali Ahmeti, i akuzuari Fatlum Mehmeti i vetëdijshëm që manipulimi me armë paraqet rrezik për rrethin e posaçërisht në hapësira të mbyllura, në prezencën e personave të lartcekur, ka manipuluar me armën zyrtare të tipi “Gllok” 9mm, deri sa ishte i ulur në krevat, ndërsa në anën e majtë të tij, në distancë prej rreth 70-80 cm, ishte i ulur tani i ndjeri L.H dhe përreth kolegët e tij.

    Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka nxjerrë armën nga beli me qëllim që ta vendosë atë në xhaketë, si dhe mundohet që ta heqë karikatorin dhe ta sigurojë armën, mirëpo shkakton një të shtënë nga arma dhe predha e godet tani të ndjerin L.H. në regjionin e krahut të dorës së djathtë, me ç’rast i shkakton plagë vdekjeprurëse.

    Andaj, me këtë akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje me dashje eventuale” nga neni 172 lidhur me nenin 21 par.3 të Kodit Penal.

  • Presidentja Osmani nderon Infantinon me medalje nderi

    Presidentja Osmani nderon Infantinon me medalje nderi

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka dekoruar të mërkurën presidentin e Federatës Botërore të Futbollit (FIFA), Gianni Infantino me medalje nderi për kontributin e tij në avancimin e rrugës së futbollistëve kosovarë në skenën ndërkombëtare.

    Në ceremoninë e ndarjes së çmimit në Prishtinë, Osmani ka thënë se loja e futbollit e ka mbajtur të gjallë shpirtin e shumë fëmijëve qysh prej kohës së luftës në Kosovë më 1999.

    “Nën udhëheqjen tuaj, FIFA është bërë familje me shumë kombe. Kjo për Kosovën ka pasur rëndësi jetike. Ju u keni ndihmuar lojtarëve tanë që ta bartin flamurin tonë duke garuar me krenari në skenat ndërkombëtare”, ka thënë Osmani.

    Presidenca e ka përshkruar Infantinon si “mik të vërtetë të futbollit” dhe “mik të vërtetë të Kosovës”.

    Përgjatë ceremonisë, Osmani e ka përmendur edhe punën e madhe që ka bërë ish-futbollisti i ndjerë, Fadil Vokrri për të avancuar rrugën e futbollit të lojtarëve kosovarë në skenat botërore në kapacitetin e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Gianni Infantino po e viziton Kosovën për herë të dytë, pas vizitës së tij të parë në shtator 2022, kur ishte takuar me krerët e shtetit, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

    Kosova u pranua në FIFA vetëm pak muaj pasi Infantino u zgjodh për herë të parë president i saj, në fillim të vitit 2016.

    Prej pranimit në organin qeverisës së futbollit botëror, Federata e Futbollit e Kosovës pranon ndihmë financiare prej saj çdo vit përmes programeve për ndërtimin e infrastrukturës, zhvillimin e futbollit të grave, akademitë e të rinjve dhe ngritjen e standardeve profesionale.

    Nëntë vjet pas pranimit në FIFA, Kosova është ende në kërkim të kualifikimit për një garë të madhe ndërkombëtare, siç është Kupa e Botës apo Kampionati Evropian.

    Ajo tani po lufton për një vend në Kupën e Botës 2026 – që zhvillohet në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara – dhe do të përballet me Slloveninë në kualifikime të premten, dy ditë pas vizitës së Infantinos.

    Kosova është në vendin e dytë në Grupin B kualifikues me tre pikë pas dy ndeshjeve, prapa lideres, Zvicrës, që i ka gjashtë.

    Suedia dhe Sllovenia janë në dy vendet e fundit me nga një pikë secila.

    Fituesi i grupit shkon direkt në Botërorin 2026, ndërsa vendi i dytë luan në play-off./REL

  • Nobelin për Kimi e fitojnë tre shkencëtarë për punën në kornizat metalo-organike

    Nobelin për Kimi e fitojnë tre shkencëtarë për punën në kornizat metalo-organike

    Çmimi Nobel për Kimi u është ndarë shkencëtarëve Susumu Kitagawa, Richard Robson dhe Omar M Yaghi për punën e tyre në kornizat metalo-organike.

    Puna e të tre shkencëtarëve do të mund të përdoret për t’i luftuar disa prej problemeve më të mëdha në planet, përfshirë kontrollimin e dioksidit të karbonit, që mund të ndihmojë në luftimin e ndryshimeve klimatike, apo edhe në zvogëlimin e ndotjes plastike, duke përdorur elementë kimikë.

    Të tre fituesit do të ndajnë një çmim prej 11 milionë krunave suedeze (rreth 1 milion euro).

    Puna e tre shkencëtarëve bazohet në atë se si mund të ndërtohen molekulat në struktura. Komiteti i Nobelit e ka quajtur punën e tyre “arkitekturë molekulare”.

    Të tre burrat kanë punuar për të ndërtuar konstruksione me hapësira të mëdha mes molekulave, përmes së cilave mund të qarkullojnë gazra dhe kemikale tjera. Ato quhen korniza metalo-organike.

    Njoftimi është bërë nga Akademia Mbretërore e Shkencave në Suedi, në një konferencë për media në Stokholm.

    Profesori Kitagawa punon në Universitetin e Kjotos në Japoni, profesori Richard Robson në Universitetin e Melburnit në Australi dhe profesori Omar M. Yaghi në Universitetin e Kalifornisë në Shtetet e Bashkuara.

    Vitin e kaluar këtë çmim e kanë fituar shkencëtarët Demis Hassabis, John Jumper dhe David Baker për punën e tyre në proteina, të cilat i ndërtojnë blloqet e jetës.

    Më herët gjatë javës janë ndarë edhe çmimet Nobel për Fizikë dhe Mjekësi./REL