ATV

Author: G.O.

  • ​Zgjedhjet e 12 tetorit, KQZ-ja prezanton raportin për fazën finale të përgatitjeve

    ​Zgjedhjet e 12 tetorit, KQZ-ja prezanton raportin për fazën finale të përgatitjeve

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) bë mbledhjen e sotme ka prezantuar raportin lidhur me fazën përfundimtare të procesit përgatitor të Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.

    Sipas raportit, është përmbyllur procesi i trajnimit të anëtarëve të Këshillave të vendvotimit, të cilët do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve, ndërkaq gjatë ditës së sotme në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë është mbajtur trajnimi me të gjithë administratorët e teknologjisë informative për përdorimin e teknologjisë informative në dorëzim-pranimin e materialeve zgjedhore dhe numërimin e fletëvotimeve nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale.

    Në mbledhje u bë e ditur se në kuadër të përgatitjes së procesit zgjedhor, janë shpërndarë pajisjet e teknologjisë informative, si kamerat vëzhguese për vendvotime, QKN dhe materialet tjera.

    Në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori vendim për deakreditimin e 2 organizatave vëzhguesve Youth Development & Corporation – YDC/ Rinia për Zhvillim dhe Bashkëpunim (12 vëzhgues) si dhe Iniciativa për progres (7 vëzhgues), pasi këto organizata në statutin e tyre nuk i kanë fushëveprim të drejtat e njeriut dhe proceset zgjedhore.

    Në pikën tjetër të rendit të ditës, KQZ mori vendim për miratimin e planit operacional për ditën e zgjedhjeve, më 12 tetor 2025, me anë të të cilit planifikohet organizimi i punës së KQZ-së dhe bashkëpunimit me institucione të ndryshme për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

    Me qëllim të informimit për ecurinë e procesit të votimit për Zgjedhjet Lokale, KQZ mori vendim për miratimin e planit të konferencave për ditën e zgjedhjeve dhe prezantimin e statistikave të pjesëmarrjes së votuesve në zgjedhje.

    Në ditën e zgjedhjeve, KQZ mban 5 konferenca të rregullta, në këto orare:

    •             08:00 – Konferenca e parë: KQZ njofton për fillimin e procesit të votimit;

    •             11:30 – Konferenca e dytë: KQZ njofton për pjesëmarrjen e qytetarëve në votime deri në orën 11:00 dhe për ecurinë e procesit zgjedhor;

    •             15:30 – Konferenca e tretë: KQZ njofton për pjesëmarrjen e qytetarëve në votime deri në orën 15:00 dhe për ecurinë e procesit zgjedhor deri në atë kohë;

    •             19:30 – Konferenca e katërt: KQZ njofton për përfundimin e procesit të votimit, ecurinë e përgjithshme të tij, pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje dhe për fillimin e numërimit të fletëvotimeve;

    •             Për kohën e mbajtjes së konferencës së pestë, për publikimin e rezultateve të përmbledhura preliminare të kandidatëve nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale, KQZ-ja do të njoftojë me kohë.

     

  • Osmani takon Prattipatin, flasin për funksionalizimin e institucioneve pas aktgjykimit të fundit të Kushtetueses

    Osmani takon Prattipatin, flasin për funksionalizimin e institucioneve pas aktgjykimit të fundit të Kushtetueses

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati.

    Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit dypalësh, si dhe për pritshmëritë rreth funksionalizimit të plotë të institucioneve, pas Aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.

    “Presidentja Osmani dhe znj. Prattipati diskutuan gjithashtu për takimet dhe bisedat e zhvilluara me Presidentin e SHBA-ve, Donald J. Trump, dhe me zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë gjatë Javës së Nivelit të Lartë të Kombeve të Bashkuara, që u mbajt në Nju Jork.”, thuhet në njoftim.

  • Erëzat që qetësojnë stomakun dhe përmirësojnë tretjen

    Erëzat që qetësojnë stomakun dhe përmirësojnë tretjen

    Nga mente te kopra, natyra ofron sekrete të vogla për një stomak më të qetë dhe tretje më të mirë!

    Dispepsia, fryrja dhe shqetësimet me stomakun janë përvoja të zakonshme që prekin miliona njerëz çdo ditë.

    Edhe pse mjekësia moderne ka zgjidhje efektive, vitet e fundit ka pasur një interes në rritje për opsione më natyrale që përmirësojnë shëndetin e tretjes.

    Nga mjekësia tradicionale te kërkimet shkencore moderne, disa bimë dhe erëza duket se ofrojnë lehtësim dhe mbështetje të konsiderueshme për funksionimin e sistemit gastrointestinal.

    1.Mente e spearmintit

    E njohur për aromën e saj, mente është një nga bimët më të përdorura për lehtësimin e fryrjes dhe gazrave. Mentoli, përbërësi i saj kryesor aktiv, vepron si relaksues në muskujt e zorrëve, duke zvogëluar dhimbjen dhe shqetësimin e barkut.

    Gjithashtu ka veti anti-inflamatore dhe antibakteriale, ndërsa studimet klinike tregojnë se suplementet e vajit të mentes mund të zvogëlojnë simptomat e sindromës së zorrës së irritueshme. Megjithatë, tek njerëzit me sëmundje të refluksit gastroezofageal, mund të përkeqësojë urthin: në këto raste, çaji i mentes konsiderohet një opsion më i butë dhe më i sigurt.

    2.Kamomil

    Kamomili është një nga çajrat bimorë më të popullarizuar në mbarë botën, me rreth një milion filxhanë që konsumohen çdo ditë. Nuk qetëson vetëm sistemin nervor, por edhe sistemin tretës , pasi është përdorur tradicionalisht për dispepsi, acarim stomaku dhe gazra. Studimet në kafshë tregojnë se ekstrakti i tij mund të zvogëlojë shfaqjen e ulçerave në stomak falë vetive të tij antioksiduese. Në studimet tek fëmijët, kamomili është treguar se kontribuon në lehtësim më të shpejtë nga dhimbjet e barkut dhe diarreja e lehtë, ndërsa mbetet përgjithësisht i sigurt për shumicën e njerëzve – me përjashtim të njerëzve me alergji ndaj bimës.

    3.Fara Ajwain

    Një element bazë në kuzhinën indiane dhe mjekësinë ayurvedike, farat e ajovanit janë përdorur për shekuj me radhë për të trajtuar fryrjen dhe gazrat. Timoli që ato përmbajnë stimulon prodhimin e acidit gastrik (deri në 4 herë më shumë), rrit lëvizjen e ushqimit në zorrë dhe lehtëson zbërthimin e yndyrnave përmes rritjes së sekretimit të tëmthit. Edhe pse studimet tek njerëzit mbeten të kufizuara, përdorimi i tyre afatgjatë në dietë konsiderohet i sigurt. Megjithatë, në doza të mëdha ato mund të jenë të dëmshme për shtatzëninë ose ushqyerjen me gji.

    4.Kopër

    Kopra njihet në shumë kultura si një ndihmë “familjare” për tretjen pas vakteve. Farat e saj, të pasura me fibra të patretshme , ndihmojnë në uljen e fryrjes, ndërsa anetoli , përbërësi kryesor aktiv, relakson muskujt e traktit gastrointestinal. Në studime të vogla klinike, u vu re një ulje e dhimbjeve të barkut tek pacientët me sindromën e zorrës së irritueshme, ndërsa “uji tradicional kundër dhimbjeve”, i cili përfshin ujin e koprës me bikarbonat natriumi dhe shurup, mbetet një zgjidhje popullore për foshnjat me gazra.

    5.Qimnon

    Me një histori të pasur si në gatim ashtu edhe në mjekësi, qimnoni, me shijen e tij të fortë dhe karakterin aromatik, mban një vend të veçantë në listë. Hulumtimet tregojnë se stimulon prodhimin e enzimave tretëse dhe çlirimin e tëmthit nga mëlçia, gjë që ndihmon në zbërthimin e yndyrnave dhe përmirësimin e përthithjes së lëndëve ushqyese. Në eksperimente, ai uli kohën që i duhet ushqimit për të kaluar nëpër zorrë me 25%, ndërsa në një provë klinike tek njerëzit me sindromën e zorrës së irritueshme, forma e tij e koncentruar uli ndjeshëm simptomat brenda dy javësh.

  • Në mëngjes apo në mbrëmje, kur duhet t’i pini ilaçet e tensionit

    Në mëngjes apo në mbrëmje, kur duhet t’i pini ilaçet e tensionit

    Studimet e reja thonë se marrja e medikamenteve kundër tensionit të gjakut në mbrëmje mund të jetë shumë efikase për trupin.

    Sipas tyre, një gjë e tillë ul rrezikun e sëmundjeve apo vdekjes së parakohshme si pasojë e tyre.

    Koha e duhur për pirjen e ilaçeve

    Ekspertët thonë se tensioni i gjakut ka një ritëm të caktuar.

    Ai rritet gjatë ditës dhe në mbrëmje kur njeriu bëhet gati të flejë, ai bie.

    Duke qenë se në mëngjes tensioni është i lartë, njerëzit nxitojnë të marrin medikamentet.

    Këto të fundit nxisin urinimin, një aspekt që i shtyn njerëzit t’i marrin barnat sa më herët.

    Ndërkohë, me kalimin e moshës, tensioni i gjakut pëson një ndryshim që do të thotë qëndron i lartë edhe gjatë natës.

    Kjo ndodh rëndom pas moshës 55 vjeçare.

    Ky është një problem i madh, sepse rrit rrezikun për atakun në zemër, trombozën dhe sëmundjet e veshkave.

    Mbajtja nën kontroll e tensionit natën është po aq e rëndësishme për uljen e këtij rreziku.

    Ekspertët thonë se marrja e ilaçeve në mbrëmje është efikase në menaxhimin e tensionit të gjakut.

    Megjithatë, sipas tyre, një person që vuan nga tensioni nuk duhet të ndryshojë regjimin me kokën e tij por vetëm duke u konsultuar me mjekun.

    Ushqimet që rrisin tensionin e gjakut

    Më poshtë, do të gjeni listën e ushqimeve që kanë tendencën të rrisin tensionin e gjaku:

    Mishi i kuq

    Mishi i kuq është i shijshëm por përmban shumë kolesterol dhe dëmton zemrën dhe enët e gjakut.

    Sipas të dhënave ku bazohet AgroËeb.org, një sasi prej 400 gramësh mish i gatuar përmban 254 miligramë kripë dhe 308 miligramë kolesterol.

    Picat e ngrira

    Këto ushqime mund të tingëllojnë ideale për një darkë të shpejtë, por një racion i kësaj pice përmban 1,000 miligramë kripë.

    Prodhuesit e saj shtojnë kripë dhe substanca shtesë për ruajtjen e picës duke rritur rreziqet për tension të lartë.

    Turshitë e gatshme

    Një filxhan me lakër turshi jo të përgatitur vetë përmban 939 miligramë kripë.

    Turshitë e tjera përveç lakrës, si domatet apo kastravecat janë të zhytura në lëng me kripë.

    Njerëzit që vuajnë nga tensioni i lartë nuk duhet të hanë turshi të tilla.

    Alkooli

    Një sasi e vogël alkooli nuk shkakton dëme, por nëse e teproni me pirjen e alkoolit atëherë ju do të rrisni tensionin e gjakut.

    Alkooli mundet të ndërhyjë kundër medikamenteve të tensionit të gjakut dhe të ulë efikasitetin e tyre.

    Ëmbëlsirat e paketuara

    Ëmbëlsirat, biskotat me mbushje shumëngjyrëshe që shiten në paketime të bukura janë të mbushura me sheqerna, yndyra të ngopura dhe kripëra.

    Ushqime të tilla rrisin tensionin e gjakut, sheqerin në gjak dhe gjasat e mbipeshës.

    Pijet energjike

    Konsumi i pijeve energjike e rrit tensionin sistolik me 6.2 për qind dhe atë diastolik me 6.8 për qind.

    Tensioni mesatar i gjakut rritet me 6.4 për qind pas pirjes së një pije energjike./Agroweb

  • S’ka zgjedhje në Tiranë më 9 nëntor, Kushtetuesja pezullon dekretin e presidentit Begaj

    S’ka zgjedhje në Tiranë më 9 nëntor, Kushtetuesja pezullon dekretin e presidentit Begaj

    Gjykata Kushtetuese pezulloi dekretin e presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj për zgjedhjet e pjesshme në Tiranë më 9 nëntor.

    Gjykata Kushtetuese mori vendimin njëzëri që të kalojë çështjen me kërkues Erion Veliaj në seancë plenare publike në datë 31 tetor 2025 dhe të pezullojë dekretin e Presidentit për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë.

    Avokatët e Erion e Veliajt depozituan në Gjykatë Kushtetuese 2 ankime, i pari për rrëzimin e vendimit të Qeverisë për shkarkimin e Veliajt, dhe një ankimim të dytë pas Presidenti Begaj dekretoi 9 nëntorin për zgjedhjet e pjesshme edhe për Tiranën, njofton euronewsalbania.

    Mbledhja e Gjykatës Kushtetuese u mbajt në afatet e fundit, duke marrë parasysh që avokatët e Veliajt e kishin ankimuar të enjten e kaluar dhe afati ishte 10 ditë.

  • Vuçiq: Dërgesa me dronë nga Turqia në Kosovë është e paligjshme

    Vuçiq: Dërgesa me dronë nga Turqia në Kosovë është e paligjshme

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Serbia kërkon nga Turqia që të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe interesat e popullit serb, duke vlerësuar se dërgesa e dronëve nga Turqia në Kosovë është “e paligjshme”.

    Një ditë më parë, autoritetet në Kosovë njoftuan se kanë pranuar kontejnerë me “mijëra dronë” luftarakë kamikazë Skydagger.

    Pas këtij njoftimi të bërë nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, Beogradi kritikoi Ankaranë, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    “Detyra ime është të krijojë marrëdhënie të mira me Turqinë, ashtu si është detyra ime që, kur shoh se populli im është i rrezikuar nga një dërgesë e paligjshme armësh, të qëndroj pranë popullit tim dhe të luftoj për interesat e tij”, tha Vuçiq për gazetarët më 9 tetor.

    Duke theksuar se Serbia dëshiron marrëdhënie “sa më të afërta” me Turqinë, Vuçiq tha se “lutem për respektimin e normave elementare të së drejtës ndërkombëtare publike dhe të interesave elementare të Serbisë dhe popullit serb”.

    “Mund të imagjinoni si do të dukej sikur ne të armatosnim dikë në disa territore që janë problematike për Turqinë, siç është juglindja e Turqisë apo disa territore të tjera për të cilat turqit i pretendojnë”, deklaroi ai.

    Sipas Vuçiqit, sjellja e Turqisë ka rëndësi të madhe për stabilitetin e rajonit.

    Ai njoftoi se do të bisedojë me homologun turk, Recep Tayyip Erdogan, për dërgesën e armëve në Kosovë.

    Vuçiq theksoi se për këtë temë kishte diskutuar po ashtu me Erdoganin vitin e kaluar, kur “i kërkova Turqisë të ndalonte armatosjen e Prishtinës”.

    “Unë përmenda Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara [OKB] dhe akte të tjera, dhe kërkova që kjo të mos ndodhë përsëri”, tha ai.

    “A është kjo një forcë që mund ta mposhtë, frikësojë, kërcënojë Serbinë – jo, por qëllimi për të vazhduar me këtë është shqetësues”, u shpreh Vuçiq sa i përket blerjeve të pajisjeve ushtarake nga Kosova.

    Ai vlerësoi se Kosova po ndan shumë para për të zbatuar planin për tranzicionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës.

    Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, thotë se kjo është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

    Vuçiq përmendi disa shtete nga të cilat Kosova ka blerë armë dhe pajisje ushtarake.

    Siç tha ai, prokurimi i sistemeve komplekse luftarake po intensifikohet dhe Turqia po udhëheq në furnizimin e Kosovës me këto sisteme.

    “Ne kërkojmë nga Kombet e Bashkuara të reagojnë, të respektojnë rezolutat e miratuara nga OKB-ja. Nuk duam përshkallëzim, do ta ruajmë paqen dhe stabilitetin”, tha udhëheqësi serb./REL

  • Drejtori i Policisë pret në takim shefin e EULEX-it, diskutojnë për sigurinë në vend

    Drejtori i Policisë pret në takim shefin e EULEX-it, diskutojnë për sigurinë në vend

    Më 9 tetor 2025, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, priti në një takim zyrtar shefin e misionit të EULEX-it në Republikën e Kosovës, z. Giovanni Pietro Barbano.

    Sipas një njoftimi zyrtar nga Policia e Kosovës, gjatë këtij takimi u diskutua për gjendjen aktuale të sigurisë në vend, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve dhe përgatitjet policore për procesin zgjedhor.

    “Me datën 09.10.2025 drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës kolonel Gazmend Hoxha me bashkëpunëtorë priti në një takim shefin e misionit të EULEX-it në Republikën e Kosovës z. Giovanni Pietro Barbano. Gjatë këtij takimi u diskutua rreth gjendjes aktuale të sigurisë në vend, si dhe për ngritjen e mëtejme të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, për ta pasur një ambient sa më të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim. Ndër temat e diskutuara ishte edhe ajo për planifikimin dhe angazhimin policor në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, ku tanimë Policia e Kosovës veçse ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme policore në aspektin e sigurisë.”

  • Von der Leyen i mbijeton votëbesimit në Parlamentin Evropian

    Von der Leyen i mbijeton votëbesimit në Parlamentin Evropian

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i ka mbijetuar me lehtësi dy mocioneve të votëbesimit në Parlamentin Evropian të enjten, pasi deputetët kundërshtuan përpjekjet e grupeve të ekstremit të djathtë dhe të majtë për ta shkarkuar atë.

    Ajo e fitoi votëbesimin e ligjvënësve të BE-së në Parlamentin me 720 ulëse. Von der Leyen e mori mbështetjen e 378 ligjvënësve në votimin e parë, si dhe të 383 të tjerëve në të dytin.

    Von der Leyen tha në një postim në X se e vlerëson thellësisht mbështetjen dhe se ekipi i saj i komisionarëve do të punojë ngushtë me Parlamentin për t’u përballur me sfidat e Evropës.

    Këto rezultatet ishin pak më të mira për shefen e ekzekutivit të BE-së sesa ato në korrik, kur 360 ligjvënës votuan kundër një mocioni të ngritur kryesisht nga deputetë të ekstremit të djathtë, pak më pak se 401 votat që mori ajo i mori për t’u rizgjedhur për një mandat të dytë në korrik 2024.

    Edhe pse mocionet e votëbesimit kishin shumë pak gjasa të arrinin shumicën prej dy të tretash të nevojshme për ta rrëzuar von der Leyenin, disa ligjvënës thanë se ato mund të nxjerrin në pah pakënaqësinë e përgjithshme ndaj udhëheqjes të saj dhe ta destabilizojnë Parlamentin e BE-së, mbështetja e të cilit është e nevojshme për miratimin e ligjeve.

    Partitë jashtë rrymave kryesore kanë kuptuar se mocionet e votëbesimit – që dikur përdoreshin rrallë – janë të lehta për t’u ngritur pas zgjedhjeve të vitit 2024, të cilat e rritën numrin e deputetëve të ekstremit të djathtë në mbi 100, ndërsa nevojiten vetëm 72 për të mbështetur një mocion të tillë.

    Të dy mocionet kritikuan von der Leyenin për pranimin e një marrëveshjeje të pabalancuar tarifash me Shtetet e Bashkuara dhe për propozimin e një marrëveshjeje tregtare me bllokun e Amerikës së Jugut, Mercosur, që kritikët thonë se kërcënon bujqit dhe mjedisin.

    Marrëveshjet me SHBA-në dhe Mercosurin do t’i nënshtrohen votimeve në Parlamentin Evropian në muajt e ardhshëm.

  • Dua Lipa shfaq shkëlqimin e saj me poza provokuese dhe këmbë të gjata

    Dua Lipa shfaq shkëlqimin e saj me poza provokuese dhe këmbë të gjata

    Ylli i pop-it ndërkombëtar, Dua Lipa, ka bërë sërish bujë në rrjetet sociale me disa fotografi mahnitëse që ndau së fundmi me ndjekësit e saj në Instagram.

    Nën mbishkrimin “Never not having fun”, artistja tregoi edhe një herë stilin e saj të guximshëm dhe energjinë që e karakterizon.

    Në imazhet e publikuara, Dua shfaqet duke shkëlqyer me një fustan të shkurtër transparent të dekoruar me rrathë metalikë shumëngjyrësh që pasqyrojnë dritën, duke i dhënë një efekt glamuroz dhe festiv veshjes.

    Fustani, i përbërë nga një rrjetë elegante me elementë të mëdhenj dekorativë, vjen i kombinuar me sandale të zeza me taka dhe vathë të mëdhenj rrethorë në ngjyrë ari, të cilët plotësojnë në mënyrë perfekte pamjen ekstravagante.

    Fotografitë, të realizuara në një ambient të brendshëm me dekor klasik, tregojnë Duan në poza spontane dhe energjike – e ulur mbi një piano, e shtrirë në divan me një gotë në dorë, dhe duke qeshur me gjithë shpirt.

    Me një makijazh natyral dhe flokë të tërhequr prapa, ajo dëshmon se ndonjëherë më pak është më shumë – edhe kur ndriçon si një yll nate.

    Ky postim u prit me entuziazëm nga fansat dhe ndjekësit e saj në Instagram, të cilët nuk ngurruan të shprehin admirim për stilin e saj. /Telegrafi/

  • Johnson & Johnson detyrohet të paguajë 966 milionë dollarë për rastin e kancerit nga talku

    Johnson & Johnson detyrohet të paguajë 966 milionë dollarë për rastin e kancerit nga talku

    Një trup gjykues në Los Angeles të ShBA-së e urdhëroi gjigantin farmaceutik amerikan “Johnson & Johnson” që t’ia paguajë 966 milionë dollarë familjes së një gruaje që ka vdekur nga mesothelioma, duke e cilësuar kompaninë përgjegjëse në rastin më të ri gjyqësor ku dyshohet se produktet e pudrës të kompanisë së njohur po e shkaktojnë kancerin.

    Familja e banores tashmë të ndjerë të Kalifornisë, Mae Moore, e cila vdiq në vitin 2021 në moshën 88-vjeçare, e kishte paditur kompaninë po atë vit, duke pretenduar se produktet e pudrës për foshnja përmbanin fibra asbesti që i shkaktuan asaj një kancer të rrallë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

    Trupi gjykues e urdhëroi kompaninë që të paguante 16 milionë dollarë si dëmshpërblim, ndërsa 950 milionë dollarë si ndëshkim për dëmin, sipas dokumenteve të gjykatës.

    Shuma e ndëshkimit mund të zvogëlohet përmes apelit, pasi Gjykata Supreme e ShBA-së ka thënë se dënimi për dëme përgjithësisht nuk duhet të jetë më shumë se nëntë fish më i lartë se dënimi për dëmin e shkaktuar.

    Erik Haas, nënpresident i çështjeve ligjore në nivel global i kompanisë “Johnson & Johnson”, tha se kompania planifikon që menjëherë ta apelojë vendimin, duke e quajtur atë “skandaloz dhe jokushtetues”.

    Kompania ka thënë se produktet e saj janë të sigurta, nuk përmbajnë asbest dhe nuk shkaktojnë kancer. Mesothelioma është lidhur me shpërfaqjen ndaj asbestit.

    Trey Branham, njëri nga avokatët që e përfaqësonin familjen e gruas së vdekur, tha pas vendimit të gjykatës se ekipi i tij “shpreson që Johnson & Johnson më në fund do ta pranojë përgjegjësinë për këto vdekje të pandjeshme”.

    “Johnson & Johnson” po ballafaqohet me padi nga më shumë se 67.000 paditës, të cilët thonë se janë diagnostikuar me kancer pas përdorimit të pudrës për foshnja dhe produkte të tjera me asbest, sipas dokumenteve të gjykatave. Shumica e paditeseve pretendojnë se u është shkaktuar kanceri i vezoreve.