ATV

Author: G.O.

  • ShBA-ja do t’i lejojnë Katarit të ndërtojë një bazë të forcave ajrore në Idaho

    ShBA-ja do t’i lejojnë Katarit të ndërtojë një bazë të forcave ajrore në Idaho

    Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, njoftoi të premten se Shtetet e Bashkuara do t’i lejojnë Katarit të ndërtojë një bazë të forcave ajrore në Mountain Home Air Force Base, në Idaho, e cila do të strehojë avionë luftarakë F-15 të Katarit dhe pilotë që do të trajnohen së bashku me trupat amerikane.

    “Ky vend do të presë një kontingjent të avionëve F-15 të Katarit dhe pilotë për të forcuar stërvitjet e përbashkëta, për të rritur efektshmërinë dhe bashkëveprimin tonë,” tha Hegseth gjatë një takimi me homologun e tij nga Katari, Saoud bin Abdulrahman al-Thani, në Pentagon. “Ky është vetëm një shembull tjetër i partneritetit tonë. Dhe shpresoj, Shkëlqesia Juaj, ta dini se mund të mbështeteni tek ne,” shtoi ai.

    Njoftimi për marrëveshjen vjen vetëm disa javë pasi presidenti Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për garantimin e sigurisë së Katarit nga Shtetet e Bashkuara – një angazhim i rëndësishëm ndaj një aleati arab që nuk është pjesë e NATO-s. Izraeli kishte bombarduar Katarin disa ditë më parë, si pjesë e një operacioni kundër zyrtarëve të Hamasit që jetonin në Doha.

    Megjithatë, burime për CNN thanë se plani për ndërtimin e bazës ajrore të Katarit është përgatitur prej disa vitesh, që nga administrata e mëparshme.

    Një zyrtar amerikan tha se marrëveshja me Katarin është rutinë dhe se Forcat Ajrore të SHBA-së kanë zhvilluar marrëveshje të ngjashme për dekada me shtete partnere si Gjermania dhe Singapori.

    Më vonë, të premten, Hegseth shkroi në një postim në platformën X: “Forcat e Armatosura të SHBA-së kanë një partneritet të gjatë me Katarin, përfshirë edhe bashkëpunimin e shpallur sot për avionët F-15QA,” duke theksuar se nuk do të ketë një bazë të zotëruar nga Katari në SHBA.

    Por një aleate e afërt e Donald Trumpit, aktivistja e ekstremit të djathtë Laura Loomer, ka postuar mbi një duzinë herë në X që nga njoftimi i marrëveshjes, duke e quajtur atë “skandaloze”, “të turpshme” dhe “tradhti”.

  • Operacion antidrogë në Podujevë – policia arreston 7 shtetas nga Shqipëria

    Operacion antidrogë në Podujevë – policia arreston 7 shtetas nga Shqipëria

    Shtatë persona janë arrestuar këtë të shtunë në Podujevë, pas një aksioni të Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorin e Shtetit.

    Sipas informatave operative, hetuesit identifikuan një lokacion në fshatin Shtedime, ku dyshohej për veprimtari të paligjshme me substanca narkotike.

    Policia bëri të ditur se arrestimi u krye në një shtëpi dhe të gjithë të arrestuarit janë shtetas të Shqipërisë, përfshirë pesë gra dhe dy burra.

    “Gjatë kontrollit në një shtëpi, policia ka arrestuar shtatë persona, shtetas nga Republika e Shqipërisë (pesë femra dhe dy meshkuj).”, thuhet tutje.

    Në vendngjarje, përveç një sasie të konsiderueshme të substancave narkotike, u gjet edhe aparaturë e përshtatur për tharjen e bimëve narkotike.

    “Në asistim të njësisë së hetimeve kanë marrë pjesë edhe njësitë intervenuese, ndërkohë që pas arrestimit të personave të dyshuar në vendngjarje janë ftuar edhe zyrtarët nga njësiti antidrogë, në koordinim me të cilët do të ndërmerren veprimet e mëtejme”, thuhet në njoftim të Policisë.

  • ChatGPT aplikacioni më i shkarkuar në botë për shtatë muaj rresht

    ChatGPT aplikacioni më i shkarkuar në botë për shtatë muaj rresht

    ChatGPT ka qenë aplikacioni më i shkarkuar në botë për shtatë muaj rresht, duke mbajtur vendin e parë në Google Play dhe iOS App Store nga marsi deri në shtator 2025, sipas të dhënave të Appfigures.

    Sipas analizave, aplikacioni i OpenAI është shkarkuar rreth 410.8 milionë herë në nivel global që nga fillimi i vitit, duke lënë pas konkurrentët si Gemini i Google me 131.1 milionë shkarkime, DeepSeek me 79.2 milionë, Grok me 46.6 milionë, Perplexity me 43.1 milionë dhe Meta AI me 16.9 milionë shkarkime.

    Drejtori ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, ka njoftuar se ChatGPT ka arritur 800 milionë përdorues aktivë javorë, ndërsa platforma përpunon mbi 2.5 miliardë mesazhe në ditë, që i bie rreth 29,000 mesazhe në sekondë.

  • Koreja e Veriut mban paradë ushtarake, shfaq raketën e re ndërkontinentale

    Koreja e Veriut mban paradë ushtarake, shfaq raketën e re ndërkontinentale

    Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, udhëhoqi një paradë të madhe ushtarake, në të cilën u shfaq raketa e re balistike ndërkontinentale para personaliteteve të ftuara ndërkombëtare, raportoi të shtunën media shtetërore, KCNA.

    Parada, e cila filloi të premten në mbrëmje, shënoi 80-vjetorin e themelimit të Partisë së Punëtorëve në pushtet dhe pasoi festimet e mbajtura të enjten.

    Kryeministri i Kinës, Li Qiang, ish-presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev, si dhe sekretari i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Vietnamit, To Lam, u panë pranë Kimit gjatë paradës, ndërsa personalitete të tjera të huaja e ndoqën ngjarjen nga tribuna.

    Në paradën ushtarake, Koreja e Veriut – vend i armatosur me armë bërthamore – shfaqi raketën e saj më të avancuar ndërkontinentale: Hëasong-20, e cila u përshkrua nga KCNA si “sistemi më i fuqishëm strategjik bërthamor” i vendit, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Seria e raketave Hwasong i ka dhënë Koresë së Veriut aftësinë për ta shënjestruar çdo pjesë të territorit amerikan, megjithatë ka ende dyshime lidhur me sofistikimin e sistemit të drejtimit për ta arritur cakun, si dhe për aftësinë e kokës bërthamore për ta përballuar rihyrjen në atmosferë.

    “Hwasong-20 përfaqëson, për momentin, kulmin e ambicieve të Koresë së Veriut për armë bërthamore me rreze të gjatë veprimi. Duhet të presim që sistemi të testohet para fundit të këtij viti”, tha Ankit Panda nga Instituti Carnegie për Paqe Ndërkombëtare, me seli në SHBA.

    “Sistemi ka gjasa të jetë projektuar për shpërndarjen e shumë koka luftarake… Shumëfishimi i tyre do të shtojë presionin mbi sistemet ekzistuese të mbrojtjes raketore të SHBA-së dhe do të forcojë atë që Kim e sheh si të nevojshme për të arritur efekt të qëndrueshëm frikësimi ndaj Uashingtonit.”

    Ndër armët e tjera të shfaqura në paradë ishin raketa balistike hipersonike, raketa lundruese, një lloj i ri i raketahedhësve të shumëfishtë dhe një hedhës për dronë vetëvrasës, tha Hong Min, analist i Koresë së Veriut në Institutin Korean për Unifikim Kombëtar.

    Gjatë paradës ushtarake, Kim mbajti një fjalim ku shprehu “inkurajim të ngrohtë” për trupat koreanoveriore që operojnë jashtë vendit, duke shtuar se heroizmi i ushtrisë së tij do të shihet jo vetëm në mbrojtjen e Koresë së Veriut, por edhe në “postblloqet e ndërtimit socialist”, raportoi KCNA.

    “Ushtria jonë duhet të vazhdojë të rritet në një forcë të pathyeshme që shkatërron çdo kërcënim”, tha Kim.

    Kim zhvilloi bisedime më herët të premten me Medvedevin, i cili tha se sakrifica e ushtarëve koreanoveriorë që luftojnë për Rusinë në fushatën e saj ushtarake në Ukrainë e dëshmon besimin në marrëdhëniet mes dy vendeve.

    Kim i tha Medvedevit se shpreson të vazhdojë forcimin e bashkëpunimit me Rusinë dhe të angazhohet ngushtë në shkëmbime të ndryshme për të arritur qëllime të përbashkëta, sipas KCNA.

    Vietnam dhe Koreja e Veriut gjithashtu nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi në fusha të ndryshme, përfshirë ato midis Ministrive të Mbrojtjes, të Jashtme dhe të Shëndetësisë, raportoi KCNA pa dhënë hollësi të mëtejshme./rel

  • Sulmet izraelite në Libanin jugor shkaktojnë viktima, presidenti libanez dënon agresionin

    Sulmet izraelite në Libanin jugor shkaktojnë viktima, presidenti libanez dënon agresionin

    Izraeli ka kryer sulme ajrore në Libanin e Jugut gjatë natës, kanë konfirmuar Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) këtë të shtunë.

    Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se sulmi në zonën al-Msayleh ka lënë një të vdekur dhe shtatë të plagosur.

    “Brenda natës, IDF goditi dhe çmontoi një infrastrukturë terroriste të Hezbollahut në Libanin e Jugut. Vendi përmbante makineri inxhinierike të përdorura nga Hezbollahu për të rivendosur infrastrukturën terroriste, në shkelje të marrëveshjeve midis Izraelit dhe Libanit,” tha ushtria.

    Pas sulmit, presidenti libanez Joseph Aoun dënoi Izraelin për veprimet e tij.

    “Edhe një herë, Libani i Jugut ka qenë shënjestër e një agresioni të urryer izraelit kundër instalimeve civile, pa justifikim apo pretekst. Serioziteti i këtij sulmi të fundit qëndron në faktin se ai vjen pas marrëveshjes së armëpushimit në Gazë,” u shpreh Aoun.

    Raportimet tregojnë se Hezbollahu filloi të qëllonte me raketa drejt Izraelit verior një ditë pas sulmeve të udhëhequra nga Hamasi më 7 tetor, duke thënë se vepronte në solidaritet me palestinezët në Rripin e Gazës.

    Konflikti u përshkallëzua dhe çoi në një fushatë të fuqishme ajrore izraelite në të gjithë Libanin, si dhe në pushtim tokësor të Libanit të Jugut. Një armëpushim hyri në fuqi në nëntor 2024.

  • AIP u kërkon partive politike që të respektojnë privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve gjatë zgjedhjeve lokale

    AIP u kërkon partive politike që të respektojnë privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve gjatë zgjedhjeve lokale

    Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) u bën thirrje subjekteve politike që të respektojnë privatësinë dhe të mbrojnë të dhënat personale të qytetarëve gjatë zgjedhjeve lokale më 12 tetor 2025.

    AIP thekson se për të garantuar integritetin zgjedhor, respektimin e privatësisë dhe mbrojtjen e të dhënave personale, partitë dhe subjektet politike duhet të sigurojnë që çdo përpunim i të dhënave të kryhet mbi bazë ligjore, si pëlqimi i qytetarëve, interesi legjitim i subjektit politik apo arsye të tjera të përcaktuara me ligj.

    Agjencia kërkon gjithashtu që të mos përdoren të dhënat kontaktuese të qytetarëve, të mbledhura gjatë ushtrimit të funksioneve publike apo në forma të tjera, për qëllime marketingu politik pa pëlqim paraprak. Subjektet politike duhet të respektojnë të drejtën e qytetarëve për të kundërshtuar përdorimin e të dhënave për marketing të drejtpërdrejt dhe të ndërpresin menjëherë komunikimin pas paraqitjes së kundërshtimit.

    Po ashtu, duhet shmangur çdo formë të profilizimit ose përpunimit masiv të dhënave të ndjeshme, përveç rasteve me bazë të qartë ligjore dhe me masa mbrojtëse, përfshirë vlerësimin paraprak të ndikimit mbi të dhënat personale dhe transparencë të plotë ndaj qytetarëve për mënyrën e përpunimit, duke publikuar politika të qarta të privatësisë.

    “Agjencia ofron bashkëpunim me partitë dhe subjektet politike për të siguruar mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe ju bën thirrje partive dhe subjekteve politike që gjatë mbajtjes së zgjedhjeve lokale, të dhënat personale të qytetarëve mbrohen dhe ruhen në përputhje me kërkesat ligjore”, thuhet në deklaratën e AIP.

  • Fluturim fatal në Australi – Tre persona humbin jetën nga rrëzimi i aeroplanit

    Fluturim fatal në Australi – Tre persona humbin jetën nga rrëzimi i aeroplanit

    Një aeroplan i vogël është rrëzuar në një aeroport në shtetin e Uellsit të Ri Jugor të Australisë, mëngjesin e së shtunës, ku kanë humbur jetën tre persona që ndodheshin në bord, ka konfirmuar policia.

    Sipas autoriteteve, incidenti ka ndodhur në Aeroportin Shellharbour, rreth 85 kilometra në jug të kryeqytetit të shtetit, Sydney. Aeroplani është rrëzuar menjëherë pas ngritjes, rreth orës 10:00 të mëngjesit.

    “Pas përplasjes me tokën, aeroplani u përfshi nga flakët, të cilat u shuan nga Zjarrfikësit dhe Shpëtuesit e NSW,” thuhet në deklaratën e policisë. “Tre persona janë konfirmuar të vdekur.”

    Pamjet ajrore të publikuara nga Australian Broadcasting Corp treguan rrënoja të djegura të aeroplanit në pistë.

    Policia ka njoftuar se vendi i ngjarjes është shpallur si vendkrim dhe se për hetime është informuar edhe Byroja Australiane e Sigurisë së Transportit.

  • Prizren: Nëna raporton në polici zhdukjen e të birit

    Prizren: Nëna raporton në polici zhdukjen e të birit

    Një rast zhdukjeje është raportuar të mërkurën në qytetin e Prizrenit, ku një grua ka njoftuar autoritetet policore se ka humbur kontaktet me djalin e saj.

    Sipas ankueses, djali i saj, shtetas kosovar, është larguar nga banesa e tyre në drejtim të panjohur dhe që prej atij momenti, familja nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tij.

    Sipas njoftimit të Policisë, pas marrjes së informacionit, autoritetet janë vënë menjëherë në lëvizje, duke nisur procedurat standarde të kërkimit për për vendndodhjen e tij.

  • Arrestohet një i dyshuar për vrasje në tentativë, ngjarja kishte ndodhur 6 ditë më parë në Suharekë

    Arrestohet një i dyshuar për vrasje në tentativë, ngjarja kishte ndodhur 6 ditë më parë në Suharekë

    Policia ka arrestuar të premten një person në Suharekë, i cili dyshohet për një vrasje në tentativë të kryer gjashtë ditë më parë.

    Ngjarja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur në fshatin Shirokë, më 4 tetor rreth orës 22:50, ndërsa arrestimi u bë i mundur pas disa ditë hetimesh.

    Pas ndalimit, i dyshuari mashkull kosovar, është shoqëruar në stacionin policor për intervistim, ndërsa me vendim të prokurorit kompetent, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.

  • Vdekje e dyshimtë në Gjilan, trupi i pajetë dërgohet në IML për obduksion

    Vdekje e dyshimtë në Gjilan, trupi i pajetë dërgohet në IML për obduksion

    Një person është gjetur pa shenja jete gjatë ditës së premte në Gjilan, në rrethana që po hetohen nga autoritetet si një vdekje e dyshimtë.

    Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur brenda intervalit kohor nga ora 11:00 deri në orën 18:00.

    Me të marrë informacionin, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante policore dhe ekipet mjekësore.

    Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, pas mbërritjes në lokacionin ku u gjet viktima, ekipi mjekësor i emergjencës ka konstatuar se viktima, një mashkull kosovar, ishte pa shenja jete, në vendin ku u gjet.

    Në përputhje me procedurat standarde, prokurori kujdestar ka marrë vendim që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërkohë që hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.