ATV

Author: G.O.

  • Aksident me fatalitet në Mitrovicë, humb jetën një 55-vjeçar – lëndohen katër të tjerë

    Aksident me fatalitet në Mitrovicë, humb jetën një 55-vjeçar – lëndohen katër të tjerë

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë, rreth orës 22:40 në rrugën “Liqeni” në Mitrovicën e Jugut, ku pas një aksidenti mes dy veturave, një person ka humbur jetën si dhe janë lënduar katër të tjerë.

    Lajmin e ka konfirmuar Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë për rajonin e Mitrovicës, i cili bëri të ditur se personi që ka humbur jetën është një 55 vjeçar.

    “Në këtë aksident janë përfshira dy vetura, si pasojë e aksidentit  ka humbur jetën viktima m/k/sh rreth 55- vjeçar, ndërsa lëndime kanë  pësuar edhe katër persona tjerë.”, tha ai.

  • Angazhohen 100 prokurorë për ditën e zgjedhjeve

    Angazhohen 100 prokurorë për ditën e zgjedhjeve

    Për ditën e zgjedhjeve, Prokuroria e Shtetit ka angazhuar 100 prokurorë të për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor.

    “Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton opinionin publik se për zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës, të cilat do të mbahen të dielën më 12 tetor 2025, Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor. Në këto zgjedhje janë angazhuar së bashku rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në zgjedhjet e sivjetme lokale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.

    Më tej thuhet se “Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë”.

  • Haxhiu: LVV e interesuar për koalicion qeverisës, por pa PDK-në dhe Listën Serbe

    Haxhiu: LVV e interesuar për koalicion qeverisës, por pa PDK-në dhe Listën Serbe

    Albulena Haxhiu, nënkryetare e Kuvendit dhe deputete e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ka thënë të premten se partia fituese e zgjedhjeve është e interesuar për të gjetur një partner koalicioni për ta qeverisur vendin, pasi të premten u konstituua Kuvendi i Kosovës.

    Në një konferencë për media pas seancës së Kuvendit, Haxhiu tha se partia e udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është e hapur për koalicion me të gjitha partitë parlamentare, përjashtuar Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Listën Serbe.

    “Ne do të fillojmë me procedurat për dërgimin e emrit të mandatarit tonë, kryeministrit Albin Kurti. Ne do t’i vazhdojmë komunikimet edhe me deputetët e tjerë nëse kanë vullnet të jenë pjesë e qeverisë”, tha Haxhiu, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Ajo shtoi se LVV-ja është e hapur të bisedojë edhe me “deputetë që janë nga grupet parlamentare apo subjektet e tjera politike. Ka pasur përpjekje me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ka pasur kontakte që të kemi koalicion me Nismën, por s’kanë pasur vullnet”.

    Zgjedhja e deputetit të partisë serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, si nënkryetar i Kuvendit nga komuniteti serb të premten, hapi rrugë për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

    Por, kjo mund të marrë kohë duke qenë se Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – paralajmëroi se do të ankohet ndaj emërimit të Rashiqit.

    Tani, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka detyrë ligjore të emërojë partinë ose koalicionin fitues – në këtë rast koalicionin e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me Lëvizjen Guxo dhe Alternativën, si mandatar për krijimin e Qeverisë.

    Kabineti i propozuar duhet të sigurojë të paktën 61 vota në Kuvendin me 120 deputetë për t’u miratuar.

    Me 48 ulëse të fituara në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje nuk mund ta sigurojë shumicën e nevojshme pa një partner koalicioni.

    Në rast se nuk arrin të mbledhë 61 vota, presidentja Osmani ka detyrën brenda dhjetë ditësh të ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për mandatarin që ka shanset më të mëdha për të formuar Qeverinë.

    Mandatari ka më pas 15 ditë të tjera kohë për të dorëzuar përbërjen e re të kabintetit qeveritar në Kuvend.

    Nëse as pas përpjekjes së dytë Qeveria nuk mund të formohet, presidentja Osmani, sipas Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 40 ditësh./REL

  • Pesë truke për të ndihmuar në luftimin e urisë gjatë dietës

    Pesë truke për të ndihmuar në luftimin e urisë gjatë dietës

    Kontrollimi i urisë është një nga sfidat më të mëdha kur mbani dietë. Shpesh ndodh që ndjenja e urisë të bëhet aq e fortë sa njerëzit humbasin motivimin dhe heqin dorë nga qëllimet e tyre.

    Edhe pse uria është një fenomen natyror, veçanërisht kur zvogëlojmë peshën e trupit ose jemi në dietë për një kohë të gjatë, ka mënyra për ta kontrolluar atë në mënyrë efektive. Më poshtë janë këshilla praktike që do t’ju ndihmojnë ta ndiqni dietën tuaj më lehtë dhe ta mbani fokusin tuaj në tuajën.

    Është e rëndësishme të dihet ndryshimi midis llojeve të ndryshme të urisë: mekanike, nervore dhe metabolike. Uria mekanike ndodh kur stomaku është bosh, uria nervore shoqërohet me gjendje emocionale dhe uria metabolike ndodh për shkak të rritjes së papritur të sheqerit në gjak. Më poshtë, do të përqendrohemi në kontrollin e urisë mekanike, e cila është sfida më e zakonshme gjatë një diete.

    Ja disa këshilla që mund t’ju ndihmojnë:

    Kafe e zezë – Kafeina në kafenë e zezë vepron si një frenues i oreksit dhe mund t’ju japë energji dhe përqendrim shtesë, veçanërisht para një stërvitjeje.

    Rritni konsumin e proteinave – Proteinat ju mbajnë të ndiheni të ngopur për më gjatë, kështu që është e dobishme t’i jepni përparësi asaj në vaktet tuaja.

    Perimet dhe fibrat – Ushqimet e pasura me fibra dhe me vëllim të lartë, siç janë perimet, ju ndihmojnë të ndiheni të ngopur ndërkohë që keni pak kalori.

    Mollët – Ky aleat frutash është i pasur me fibra dhe i ulët në kalori, duke e bërë atë një zgjedhje të shkëlqyer për të shtypur urinë.

    Vakte më të mëdha dhe më pak të shpeshta – Në vend që të hani disa vakte të vogla, provoni të hani tre vakte më të mëdha dhe një meze të lehtë. Në fund të ditës, një deficit kalorish është gjëja më e rëndësishme për humbjen e peshës, dhe kjo qasje mund të zvogëlojë ndjenjat e urisë.

     

  • A duhet të mbahet dera e furrës hapur pas pjekjes?

    A duhet të mbahet dera e furrës hapur pas pjekjes?

    Pas pjekjes së ushqimit në temperatura të larta, furra ka nevojë për kohë që të ftohet. Shumë veta e hapin derën e furrës në muajt e ngrohtë për të përshpejtuar procesin.

    Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se kjo mund të bëjë më shumë dëm sesa dobi.

    Së pari, ajri i nxehtë që del nga furra mund të dëmtojë mobiljet që ndodhen aty pranë. Pjesët veçanërisht të ndjeshme janë bërë nga alumini, një material që i nënshtrohet ndryshimeve për shkak të temperaturave të larta. Edhe mobiljet prej druri mund të pësojnë dëmtime afatgjata të bojës nga nxehtësia e tepërt.

    Një mënyrë tjetër e zakonshme për t’u ftohur është ta lini derën e furrës paksa të hapur që ajri i nxehtë të dalë. Megjithatë, kjo mund të shkaktojë mbingarkesë dhe dëmtime të përhershme të menteshave të derës, të cilat mund ta shkatërrojnë pajisjen në planin afatgjatë.

    Nëse vendosni ta lini derën hapur, është më mirë ta bëni plotësisht, pasi kjo do të lejojë që ajri i nxehtë të shpërndahet në mënyrë më të barabartë. Kjo mund t’i shtojë ngrohtësi shtesë dhomës në ditët më të ftohta, por gjithashtu do të thotë që aromat e ushqimit mund të përhapen. Gjithashtu, një derë e hapur e furrës është një rrezik sigurie, veçanërisht nëse ka fëmijë të vegjël afër.

    Shkurt, megjithëse koha e ftohjes do të jetë më e gjatë nëse nuk e lini derën e furrës hapur, modelet moderne të furrave vijnë të pajisura me ventilatorë që largojnë në mënyrë efektive ajrin e nxehtë dhe lagështinë, duke lejuar që ftohja të ndodhë në një mënyrë të sigurt dhe të duhur. Prandaj, është më mirë të shmangni lënien e derës së furrës hapur dhe kështu të mbroni si pajisjen ashtu edhe zonën përreth.

     

  • Basha: Me zgjedhjen e Rashiq, Kuvendi është konstituuar plotësisht

    Basha: Me zgjedhjen e Rashiq, Kuvendi është konstituuar plotësisht

    Kryeparlamentari Dimal Basha ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook lidhur me seancën e sotme, ku u zgjodh nënkryetar Nenad Rashiq. Pro Rashiqit votuan 71 deputetë, përfshirë ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Basha ka thënë se me këtë vendim, Kuvendi i Republikës së Kosovës është konstituuar plotësisht, shkruan Reporteri.net.

    “Pas një periudhe të gjatë, Kryesia e Kuvendit është tashmë e kompletuar në përbërje të plotë, ashtu siç parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Kuvendit”, ka shkruar Basha.

    Ai ka falenderuar deputetët që votuan pro Rashiq.

    “Falënderoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që me votat e tyre mundësuan konstituimin e plotë të Kuvendit në legjislaturën e IX-të”, thuhet në postim.

  • Ekipi shqiptar zbarkon në Serbi, qindra forca policore presin skuadrën kuqezi në Nish

    Ekipi shqiptar zbarkon në Serbi, qindra forca policore presin skuadrën kuqezi në Nish

    Ekipi shqiptar ka zbarkuar në Nish, ku do të akomodohet në hotel e më pas do të niset për në stadiumin “Duboçiça”, ku do të zhvillojë dhe seancën e fundit stërvitore përpara ndeshjes të së shtunës.

    Nga pamjet e mundësuara nga Top Channel, skuadra kuqezi u prit nga qindra forca policie në stadium, të cilat mundësuan që rruga e ekipit shqiptar nga pista e uljes direkte në hotel të ishte pa probleme, duke shmangur kontrollin në aeroport.

    Në orën 16:30, trajneri Sylvinho do të dalë përpara mediave në konferencë, ndërsa në 17:30 do të zhvillohet dhe seanca e fundit stërvitore.

    Sfida do të luhet në orën 20:45, më 11 tetor dhe do të keni mundësinë ta ndiqni drejtpërsëdrejti në DigitAlb.

  • FSK-ja trajnon ushtarët për aftësi mbijetese

    FSK-ja trajnon ushtarët për aftësi mbijetese

    Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka përfunduar me sukses trajnimin e avancuar për Xhenier Luftarak, me qëllim aftësimin dhe ngritjen e nivelit të njohurive për kryerjen e operacioneve xheniere.

    Sipas njoftimit të FSK-së, trajnimi përfshiu misione të ndryshme si lëvizshmëria, kundër lëvizshmëria dhe mbijetesa në terren.

    Gjatë këtij trajnimi, pjesëmarrësit u specializuan në tema si fortifikimet fushore dhe urbane, ndërtimi dhe qarja e pengesave, kalimi nëpër zona të minuara dhe kalimi i ujërave, duke rritur kështu gatishmërinë për sfidat e terrenit të ndryshëm.

  • IPK-ja rekomandon suspendimin e tre zyrtarëve policorë në Klinë

    IPK-ja rekomandon suspendimin e tre zyrtarëve policorë në Klinë

    Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin nga detyra të tre zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Klinë, të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë.

    Ky rekomandim erdhi pas fillimit të hetimeve lidhur me një incident të ndodhur më 19 shtator 2025 në Klinë, ku dyshohet se tre zyrtarë policorë nuk kanë raportuar veprimet dhe rrethanat që përbëjnë elemente të veprës penale “Moslajmërim i veprave penale apo kryerësve të tyre”, e sanksionuar sipas nenit 386 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Hetimet në këtë rast po zhvillohen nga Departamenti i Hetimeve në IPK, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Pejë, me qëllim të sqarimit të plotë të të gjitha rrethanave dhe veprimeve eventualisht të kundërligjshme të zyrtarëve policorë të përfshirë.

    Sipas IPK-së, rekomandimi për suspendim të përkohshëm është bërë për të siguruar që zyrtarët e dyshuar të mos ndikojnë në procesin hetimor dhe për të garantuar pavarësinë dhe paanshmërinë e hetimeve.

  • I zhdukur që nga e diela, familja kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e tij

    I zhdukur që nga e diela, familja kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e tij

    Familja Sopaj nga fshati Jançisht, Komuna e Malishevës, ka bërë thirrje publike për ndihmë, pasi anëtari i familjes, Halim Ramadan Sopaj, është zhdukur që nga ora 07:00 e mëngjesit të datës 5 tetor 2025.

    Sipas familjarëve, prej atij momenti nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tij, ndërsa kërkimet janë duke vazhduar.

    Njoftimi:

    KËRKESË PËR NDIHMË!

    Familja Sopaj nga Fshati Janqishtë, Komuna Malishevë kërkon ndihmën tuaj si dhe informon se nga ora 07 e mëngjësit të datës 05.10.2025, Halim Ramadan Sopaj është zhdukur dhe nuk dihet ende për fatin e tij.

    Nëse keni informacion luteni të kontaktoni menjëherë në numrin 044(ose 049) 641-126.