ATV

Author: G.O.

  • Arrestohen dy persona në Mitrovicë, dyshohen se tentuan të rrëmbejnë një vajzë të mitur

    Arrestohen dy persona në Mitrovicë, dyshohen se tentuan të rrëmbejnë një vajzë të mitur

    Dy persona janë arrestuar mbrëmë në Mitrovicën e Veriut nën dyshimin se kanë tentuar të rrëmbejnë një vajzë të mitur në rrugën “Zveçanska”.

    Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:15, kur një automjet iu afrua vajzës, e cila ishte në shoqëri të nënës së saj.

    Sipas Policisë, viktima arriti t’i incizojë me telefon dy personat e dyshuar dhe lajmëroi menjëherë policinë, të cilat reaguan me shpejtësi.

    Brenda pak orësh, njësitet policore arrestuan dy të dyshuarit, A.P. dhe G.M., në zonën e Mitrovicës së Jugut.

    Në momentin e arrestimit, të dy ishin nën ndikimin e theksuar të alkoolit, ndërsa me vendim të prokurorit ndaj tyre është iniciuar rasti për rrëmbim në tentativë.

    Ata janë dërguar në mbajtje për 48 orë dhe do të intervistohen pas përmirësimit të gjendjes së tyre.

  • Arrestohet një person për rrëmbim në Gjilan, viktima arriti të largohej nga një vilë

    Arrestohet një person për rrëmbim në Gjilan, viktima arriti të largohej nga një vilë

    Një person është arrestuar të premten në Gjilan, pasi dyshohet se ishte i përfshirë në rrëmbimin e një personi tjetër.

    Ngjarje kjo e ndodhur në mbrëmjen e së martës.

    I dyshuari ishte në kërkim nga autoritetet për tri ditë me radhë, derisa u arrit lokalizimi dhe ndalimi i tij.

    Sipas njoftimit të Policisë, i arrestuari dyshohet se në bashkëpunim me dy persona të tjerë e kishte marrë viktimën dhe e kishte dërguar në një vilë.

    Pas një kohe, viktima kishte arritur të largohej nga vendi ku po mbahej dhe si pasojë e lëndimeve të marra, ka pranuar trajtim mjekësor.

    Pas identifikimit dhe arrestimit nga njësitet policore, i dyshuari është dërguar në stacion policor për intervistim, ndërsa me urdhër të prokurorit kujdestar, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.

  • Problemet shëndetësore që ndikojnë në thinjen e flokëve

    Problemet shëndetësore që ndikojnë në thinjen e flokëve

    Dalja e thinjave nuk do të thotë që ne po plakemi. Ato fillojnë të dalin kur folikulat e rrënjëve nuk prodhojnë më melaninë, pigmentin që u jep ngjyrë flokëve.

    Kjo gjë ndodh zakonisht në të 30-at, por nuk do të thotë që një 20-vjeçare mund të mos ketë thinja. Përveç melaninës ka faktorë të tjerë që nxitin daljen e thinjave.

    Një problem shëndetësor

    Tiroidet – mund të ndikojnë në shfaqjen e thinjave. Edhe sëmundje të tjera që kanë të bëjnë me rënien e imunitetit, ndikojnë tek flokët.

    Mungesë vitaminash

    Mungesa e vitaminave, kryesisht e B12. Këtu theksojmë dietat drastike, si.psh ata që vendosin të ndjekin një dietë vegjetariane apo vegane. Ata duhet përdorin si suplement B12, sepse rrezikon aneminë.

    Stresi- nëse shikoni thinja në të 20-at nuk është normale. Vetëm nëse edhe prindërit janë thinjur pothuaj në këtë moshë, një nga arsyet mund të jetë stresi dhe stili i jetës.

    Duhanpirja- nëse je duhanpirës i rregullt me shumë mundësi thinjat i ke parë që në 20-at. Ndoshta nuk shikoni thinja në skalp, por ja që shenjat në këtë rast shfaqen në folikula.

  • Tërmeti me magnitudë 7.8 godet Argjentinën jugore, paralajmërim për cunam

    Tërmeti me magnitudë 7.8 godet Argjentinën jugore, paralajmërim për cunam

    Një tërmet me magnitudë 7.8 goditi të premten vonë (me orën tonë) midis Antarktidës dhe Argjentinës.

    Epiqendra ishte rreth 700 kilometra nga Ushuaia, në Argjentinën jugore, dhe thellësia fokale ishte 10 kilometra.

    Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS) e vlerësoi tërmetin me magnitudë 7.8R në zonën e Kalimit Drake, midis Kepit Horn në Amerikën e Jugut dhe Ishujve Shetland të Jugut në Antarktidë.

    Sipas Qendrës Gjermane të Kërkimeve të Gjeoshkencës, dridhja kishte një magnitudë prej 7 ballë dhe erdhi nga një thellësi fokale prej 10 kilometrash.

    Qendra e Paralajmërimit të Cunamit të Paqësorit (PTWC) paralajmëroi për rrezik për një cunami pas tërmetit të fortë.

  • Shqipëria sonte kërkon fitore në përballjen me Serbinë

    Shqipëria sonte kërkon fitore në përballjen me Serbinë

    Kombëtarja shqiptare sot përballet me Serbinë në Leskovac, në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës 2026.

    Sfida e cila nis nga ora 20:45, konsiderohet një “finale” për vendin e dytë, pozicion që siguron një biletë për në fazën play-off të Botërorit.

    Shqipëria ndodhet aktualisht në vend të dytë me tetë pikë, një më shumë se Serbia, e cila ka një ndeshje më shumë për të luajtur.

    Kjo përballje është klasifikuar me rrezikshmëri të lartë nga FIFA, e cila ka dërguar dy oficerë sigurie në Serbi. Federata Serbe nuk ka nxjerrë asnjë biletë në shitje, ndërsa të gjithë 6 mijë e 500 tifozët që do të jenë në stadium janë me ftesa të përzgjedhura, përfshirë të rinj nga akademitë e futbollit.

  • Përmbytjet në Meksikë shkaktojnë të paktën 23 viktima teksa stuhitë lëvizin drejt veriut

    Përmbytjet në Meksikë shkaktojnë të paktën 23 viktima teksa stuhitë lëvizin drejt veriut

    Të paktën 23 persona kanë humbur jetën në Meksikë deri në fund të një jave me reshje të dendura shiu, kanë bërë të ditur autoritetet.

    Autoritetet e mbrojtjes civile të Meksikës raportuan të premten reshje të forta në 31 nga 32 shtetet e vendit, me zonat më të prekura që ishin Veracruz në lindje, Querétaro dhe Hidalgo në qendër, si dhe shteti verior qendror San Luis Potosí. Në shtetin e Hidalgo-s u raportuan 16 viktima dhe rreth 1,000 shtëpi të dëmtuara. Pesë persona humbën jetën në Puebla, ndërsa 11 të tjerë rezultojnë të zhdukur, raporton the guardian,transmeton Sinjali.

    Një fëmijë ka vdekur në shtetin e Veracruz-it dhe një oficer policie në Querétaro.

    Laura Velázquez, koordinatorja kombëtare e mbrojtjes civile, tha se në zonat e prekura janë regjistruar rrëshqitje dheu, përmbytje të lumenjve dhe shembje rrugësh.

    Pas një takimi me zyrtarë lokalë dhe anëtarë të kabinetit të saj, presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, deklaroi se autoritetet “po punojnë për të ndihmuar popullsinë, për të rihapur rrugët dhe për të rikthyer energjinë elektrike”. Ushtria është dërguar për të ndihmuar në shpërndarjen e ndihmave në zonat e përmbytura, me mbi 5,400 trupa të angazhuar, së bashku me pajisje shpëtimi dhe mjete transporti.

    Janë hapur strehimore për njerëzit e zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

    Meksika është përballur me reshje jashtëzakonisht të mëdha gjatë vitit 2025, duke shënuar edhe një rekord të ri të sasisë së shiut në kryeqytetin, Mexico City.

    Ndërkohë, stuhia tropikale “Raymond” ndodhej në brigjet e Paqësorit të vendit të shtunën, duke shkaktuar reshje të dendura teksa lëvizte drejt veriut. Dëme nga kjo stuhi janë raportuar në shtetet Chiapas, Guerrero, Oaxaca dhe Michoacán.

    Sipas Qendrës Kombëtare të Uraganeve të SHBA-së, pritej që stuhia të godiste pjesën jugore të gadishullit Baja California gjatë fundjavës.

  • S’ka qetësi në Ukrainë: Sulmi ajror lë 20 të plagosur dhe një fëmijë të vdekur

    S’ka qetësi në Ukrainë: Sulmi ajror lë 20 të plagosur dhe një fëmijë të vdekur

    Të paktën 20 persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e sulmeve me dronë që goditën kryeqytetin ukrainas, Kiev, mëngjesin e së enjtes. Mes viktimave raportohet edhe një fëmijë që ka humbur jetën në një nga sulmet e ndodhura në juglindje të vendit.

    Sipas autoriteteve ukrainase, sulmet kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale, përfshirë ndërtesa banimi të goditura dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në disa rajone të vendit.

    Në Kiev, ekipet e emergjencës kanë evakuuar më shumë se 20 persona nga një godinë 17-katëshe, ku flakët kanë përfshirë katet e gjashtë dhe të shtatë pas shpërthimeve.

    Një banore e zonës, Tetiana Lemishevska, 61 vjeç, tregoi për agjencinë Associated Press për momentet e frikshme gjatë sulmit. “Të gjithë po flinin kur papritmas dëgjuam një zhurmë të mprehtë. Ishte e qartë që diçka po fluturonte. Arrita të mbuloja kokën me batanije dhe pastaj ndodhi shpërthimi  xhamat u thyen dhe fluturuan deri te dera”, tha ajo.

    Presidenti Volodymyr Zelenskyy deklaroi se sulmet kanë pasur në shënjestër infrastrukturën civile dhe atë energjetike, ndërsa vendi po përgatitet për përballimin e dimrit të ashpër.

  • Trump do t’u vendosë importeve kineze 100 për qind taksë shtesë nga nëntori

    Trump do t’u vendosë importeve kineze 100 për qind taksë shtesë nga nëntori

    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se SHBA-të do të vendosin një tarifë shtesë prej 100% mbi importet nga Kina, duke e akuzuar këtë të fundit për marrjen e një “pozicioni jashtëzakonisht agresiv” në tregti.

    Në një postim të premten në platformën e tij Truth Social, Trump tha se Pekini i kishte dërguar një “letër jashtëzakonisht armiqësore botës” dhe kishte vendosur “kontrolle të eksportit në shkallë të gjerë mbi pothuajse çdo produkt që prodhojnë”.

    Trump, i cili paralajmëroi se tarifat shtesë do të fillonin më 1 nëntor, tha gjithashtu se SHBA-të do të vendosin kontrolle eksporti mbi çdo “softuer kritik” për Kinën.

    Presidenti shtoi se po i vendoste tarifat për shkak të kontrolleve të eksportit të vendosura mbi metalet e rralla nga Kina.

    Ai shkroi: “Bazuar në faktin se Kina ka marrë këtë qëndrim të paprecedentë dhe duke folur vetëm për SHBA-në, dhe jo për kombet e tjera që u kërcënuan në mënyrë të ngjashme, duke filluar nga 1 nëntori 2025 (ose më shpejt, varësisht nga çdo veprim ose ndryshim i mëtejshëm i ndërmarrë nga Kina), Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin një tarifë prej 100% ndaj Kinës, mbi çdo tarifë që ata po paguajnë aktualisht”.

    “Është e pamundur të besohet se Kina do të kishte ndërmarrë një veprim të tillë, por ata e kanë ndërmarrë, dhe pjesa tjetër është histori. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”, shtoi presidenti.

    Trump tha më herët të premten se “duket se nuk ka arsye” për t’u takuar me udhëheqësin kinez Xi Jinping si pjesë e një udhëtimi të ardhshëm në Korenë e Jugut, dhe theksoi: “Ka shumë kundërmasa të tjera që, gjithashtu, janë duke u shqyrtuar seriozisht”.

  • Sot mot me vranësira dhe diell, temperaturat deri në 19°C

    Sot mot me vranësira dhe diell, temperaturat deri në 19°C

    Sot parashikohet të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell, ndërsa në zona të caktuara pritet të ketë reshje të pakta lokale shiu, kryesisht riga.

    Era do të fryjë nga drejtimi i veriut, e cila herë pas here pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 17-54 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 8 deri në 10°C, ndërsa ato maksimale prej 14 deri në 19°C.

  • KQZ njofton se sot nis shpërndarja e materialeve zgjedhore për Zgjedhjet Lokale

    KQZ njofton se sot nis shpërndarja e materialeve zgjedhore për Zgjedhjet Lokale

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po finalizon përgatitjet për mbajtjen e Zgjedhjeve Lokale, të cilat do të zhvillohen më 12 tetor. Sot, e shtunë, nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve do të fillojë shpërndarja e materialit zgjedhor në të gjitha vendvotimet.

    “Ju njoftojmë se nesër (e shtunë, 11 tetor 2025, ora 08:00) nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve do të bëhet shpërndarja e materialit zgjedhor për Zgjedhjet Lokale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025”, thuhet në njoftiimin e KQZ-së.

    Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen të dielën, më 12 tetor. Vendvotimet pritet të hapen në orën 07:00 dhe të mbyllen në orën 19:00. Qytetarët do të kenë mundësi të votojnë për kandidatin e tyre të preferuar për komunën e tyre, si dhe për një asamblist të kuvendit përkatës komunal.

    Për të mundësuar votimin me kusht në Zgjedhjet Lokale për kryetarë të komunave dhe për Kuvende Komunale, në çdo komunë është caktuar nga një qendër votimi.

    Sipas KQZ-së më 12 tetor, do të hapen 38 qendra votimi për votim me kusht, me gjithsej 54 vendvotime. Në Zgjedhjet Lokale votimi me kusht lejohet vetëm brenda komunës ku është i regjistruar votuesi.