ATV

Author: G.O.

  • Vidhen një veturë dhe një motoçikletë, incidentet ndodhin në Graçanicë dhe Prishtinë

    Vidhen një veturë dhe një motoçikletë, incidentet ndodhin në Graçanicë dhe Prishtinë

    Dy raste të ndara vjedhjeje janë raportuar të hënën në Graçanicë dhe Prishtinë.

    Në rastin e parë, një grua ka njoftuar Policinë se persona të panjohur i kanë vjedhur automjetin e saj të tipit “Opel” me targa lokale.

    Në një rast tjetër, një burrë nga Prishtina ka raportuar se i është vjedhur motoçikleta nga persona ende të paidentifikuar.

    Në të dy rastet, njësitë relevante policore kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorëve të mundshëm të vjedhjeve.

  • Vdekje e dyshimtë në Malishevë, trupi i pajetë dërgohet në IML për obduksion

    Vdekje e dyshimtë në Malishevë, trupi i pajetë dërgohet në IML për obduksion

    Një rast vdekjeje e dyshimtë është raportuar mëngjesin e së hënës në Malishevë, ku një burrë është gjetur i shtrirë në rrugë.

    Ai është dërguar menjëherë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, ku dyshohet se ka vdekur pak pas mbërritjes.

    Policia ka konfirmuar se viktima është shtetas kosovar dhe se rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta.

    Me vendim të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa hetimet për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes janë në vazhdim.

  • KQZ certifikon listën përfundimtare të votuesve për balotazhin e 9 Nëntorit: Rreth 1.35 milion qytetarë me të drejtë vote

    KQZ certifikon listën përfundimtare të votuesve për balotazhin e 9 Nëntorit: Rreth 1.35 milion qytetarë me të drejtë vote

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar listën përfundimtare të votuesve për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale, që do të mbahet më 9 nëntor.

    Sipas të dhënave të KQZ-së, në 18 komunat që shkojnë në balotazh, të drejtë vote do të kenë rreth 1 milion e 350 mijë qytetarë.

    Ky numër paraqet një rritje të lehtë prej 543 votuesish krahasuar me raundin e parë të 12 tetorit.

    Ndërkaq, KQZ ka marrë vendim të shtypë rreth 1 milion e 160 mijë fletëvotime, që përbën rreth 16 për qind më pak se numri total i votuesve.

    Ndërkohë, zgjedhjet e 9 nëntorit do të organizohen në 525 Qendra Votimi, të ndara në gjithsej 1 mijë e 648 vendvotime.

  • Bie nga lartësia një grua në Gjakovë, vdes pas arritjes në emergjencë

    Bie nga lartësia një grua në Gjakovë, vdes pas arritjes në emergjencë

    Një grua ka humbur jetën në Gjakovë të hënën mbrëma, pasi dyshohet se ka rënë nga një lartësi në rrethana ende të paqarta.

    Ngjarja tragjike, e cila po hetohet nga autoritetet, ka ndodhur rreth orës 22:30, ku viktima ka pësuar lëndime të rënda.

    Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, pas rënies, viktima është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

    Përkundër intervenimit të shpejtë, mjeku kujdestar në emergjencë ka konstatuar vdekjen e saj në momentin e pranimit.

    Me vendim të prokurorit kompetent, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave janë në vazhdim.

  • Mbi dy mijë gjoba trafiku të shqiptuara nga Policia brenda 24 orëve

    Mbi dy mijë gjoba trafiku të shqiptuara nga Policia brenda 24 orëve

    Policia e Kosovës ka shqiptuar 2063 gjoba për kundërvajtësit e trafikut brenda 24-orëve të fundit.

    Brenda 24-orëve të fundit janë raportuar 43 aksidente trafiku me dëme materiale, 21 aksidente trafiku kanë përfunduar me të lënduar.

    Policia e Kosovës ka arrestuar 23 persona, 9 janë dërguar në mbajtje, kurse 1 person është në vuajtje dënimi.

  • Dy persona arrestohen në Mitrovicë të Veriut për falsifikim dokumentesh

    Dy persona arrestohen në Mitrovicë të Veriut për falsifikim dokumentesh

    Dy persona janë arrestuar në Mitrovicë të Veriut nën dyshimin për falsifikim dokumentesh.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, fillimisht është arrestuar një i dyshuar, tek i cili janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë ajrore dhe një telefon.

    Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, është arrestuar edhe personi i dytë i përfshirë në rast, në pikën kufitare në Jarinjë.

    Me vendim të prokurorit, të dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.

  • Putin mirëpret në Kremlin kryediplomaten e Koresë së Veriut

    Putin mirëpret në Kremlin kryediplomaten e Koresë së Veriut

    Presidenti rus, Vladimir Putin, ka mirëpritur kryediplomaten e Koresë së Veriut në Kremlin më 27 tetor, teksa forcat ruse po vazhdojnë ofensivën e tyre në lindje të Ukrainës, duke depërtuar në një qytet kyç në mes të luftimeve të ashpra.

    Mediat e Koresë së Veriut thanë se ministrja e Jashtme, Choe Son Hui, diskutoi “shumë projekte të ardhshme për të forcuar dhe zhvilluar vazhdimisht” raportin dypalësh, duke i përcjellë po ashtu Putinit “respektin vëllazëror” të udhëheqësit Kim Jong Un. Detaje të tjera për takimin nuk janë dhënë, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Koreja e Veriut është bërë një mbështetëse kyç e luftës gati katërvjeçare të Rusisë kundër Ukrainës, duke dërguar artileri, raketa dhe trupa në Rusi. Pheniani në këmbim ka pranuar teknologji ushtarake ruse dhe ndihmë ekonomike.

    Vizita e kryediplomates së Koresë së Veriut vjen teksa Rusia po ka vështirësi që të mbajë nivelin e rekrutimeve përballë humbjeve në rritje dhe stimulimeve financiare të ulëta. Javën e kaluar, Rusia njoftoi se do të synojë të përdorë rezervistët për të mbrojtur infrastrukturën civile, pas rritjes së sulmeve ukrainase me dronë.

    Një lëvizje e tillë potencialisht do t’i lejonte Moskës që të kishte më shumë trupa për të luftuar në front, ku po përballet me humbje të mëdha në përpjekjen e saj për të marrë sa më shumë territor të Ukrainës. Rusia po ashtu raportet se po synon që të rekrutojë më shumë luftëtarë të huaj për të mbushur radhët.

    Deri më tani, Koreja e Veriut ka qenë furnizuesja më e madhe me trupa të huaja për Rusinë, duke dërguar, sipas raportimeve, 11.000 ushtarë vitin e kaluar me qëllim që të zmbrapseshin ushtarët ukrainas nga rajoni rus i Kurskut. Mediat në Korenë e Veriut nuk treguan nëse Choe ka diskutuar për dërgimin e më shumë ushtarëve drejt Rusisë.

    Pavarësisht humbjeve të mëdha në front, forcat e armatosura ruse vazhdojnë të përparojnë ngadalë në lindje të Ukrainës. Rreth 200 trupa ruse kanë hyrë në qytetin kyç logjistik Pokrovsk në rajonin Donjeckut.

    Në fjalimin e tij të përnatshëm, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Rusia ka grumbulluar forca të mëdha sulmuese afër Pokrovskut. Ai tha se aktualisht ka “aktivitet të konsiderueshëm sulmues” rreth qytetit, përfshirë brenda tij, por nuk dha një vlerësim për situatën.

    Rusia ka tentuar që të marrë Pokrovskun për më shumë se një vit.

    Ndërkohë, Zelensky tha se ka zhvilluar një takim me prodhuesit e dronëve dhe raketave me rreze të gjatë veprimi, duke thënë se është gati të nënshkruajë kontrata trevjeçare me kompanitë që prodhojnë armët më efektive. Lideri ukrainas shtoi se është siguruar financimi për këto armë.

    Ukraina i sheh armët me rreze të gjatë si një mjet kyç për t’i dhënë fund luftës më të gjatë në Evropë për dekada. Ajo ka përdorur dronë dhe raketa të prodhuara në Ukrainë për të kryer sulme thellë brenda Rusisë duke shënjestruar rafineritë e naftës, që janë një burim i rëndësishëm i të ardhurave të Rusisë. Megjithatë, Ukraina po kërkon raketa më të fuqishme perëndimore, përfshirë Tomahawk të prodhuara në Shtetet e Bashkuara për të sulmuar këto caqe.

    Eksportet e naftës ruse përbëjnë rreth një të tretën e të ardhurave totale të buxhetit federal rus dhe janë thelbësore për financimin e luftës së Kremlinit. Sulmet ndaj rafinerive po ndodhin në një kohë kur çmimet e naftës po bien dhe në kohën kur Moska po përballet me rundin më të ashpër të sanksioneve perëndimore, duke thelluar problemet ekonomike të vendit.

    Javën e kaluar, SHBA-ja vendosi sanksione ndaj dy prodhuesve më të mëdhenj të naftës në Rusi dhe paralajmëroi se palët e treta që blejnë produktet e tyre, sikurse Kina dhe India, mund të përballen me ndëshkime. Këto sanksione erdhën pas një mase të ngjashme të vendosur nga Mbretëria e Bashkuar dhe pas sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj industrisë ruse të naftës./REL

  • Minj në shtëpi? Ja si t’i largoni dhe t’i pengoni të kthehen sërish

    Minj në shtëpi? Ja si t’i largoni dhe t’i pengoni të kthehen sërish

    Aromat e forta, pastrimi i rregullt dhe disa truke të thjeshta natyrale mund ta mbajnë shtëpinë tuaj larg brejtësve, pa përdorur kimikate të rrezikshme

    Minjtë në shtëpi nuk janë vetëm mysafirë të padëshiruar, ata mund të përhapin sëmundje të rrezikshme, të ndotin ushqimin dhe të shkaktojnë dëme serioze në mobile dhe instalime elektrike.

    Fatmirësisht, ekzistojnë disa mënyra të thjeshta dhe të sigurta për t’i larguar dhe për të parandaluar kthimin e tyre.

    Hiqni gjithçka që i tërheq

    Hapi i parë është largimi i burimeve të ushqimit dhe strehimit që i tërheqin minjtë. Ata kërkojnë ushqim, ngrohtësi dhe vende të fshehura, prandaj kuzhina dhe dhomat e magazinimit janë vendet e tyre më të preferuara.

    Pastroni rregullisht sipërfaqet e kuzhinës dhe përdorni pastrues natyralë, si uthulla e bardhë ose soda e bukës.

    Lani leckat dhe sfungjerët në ujë të nxehtë ose ndërroni shpesh.

    Ushqimet ruajini në enë të mbyllura mirë, veçanërisht drithërat, miellin, arrat dhe ushqimin për kafshët.

    Mos lini koshat e mbeturinave të hapura – aroma e tyre i tërheq shumë brejtësit.

    Sipas Shoqatës Amerikane të Kontrollit të Dëmtuesve, edhe pak grimca ushqimi mjaftojnë për të mbajtur një çift minjsh aktiv për disa ditë, transmeton Telegrafi.

    Mbyllni çdo vrimë dhe hapësirë hyrëse

    Minjtë mund të kalojnë edhe nëpër vrima shumë të vogla, më të ngushta se një monedhë. Kontrolloni me kujdes dritaret, dyert, tubat e ujit, ventilimet dhe bodrumin.
    Përdorni shkumë silikoni, rrjetë metalike ose silikon ndërtimor për të mbyllur çdo të çarë.

    Kujdesuni veçanërisht për hapësirat prapa frigoriferit, lavamanit dhe sobës – aty ata krijojnë strehë ideale.

    Një mënyrë e mirë për t’i zbuluar vrimat është të ndizni një dritë të fortë nate dhe të shikoni ku kalon drita, aty mund të futen edhe minjtë.

    Përdorni përbërës natyralë që i largojnë

    Minjtë nuk e përballojnë aromën e disa bimëve dhe vajrave, ndaj mund të përdorni repelentë natyralë që i zmbrapsin:

    Vaj esencial i nenexhikut, livandos ose eukaliptit – vendosni disa pika në pambuk dhe shpërndajini në qoshe apo pranë vrimave.

    Bimë aromatike të freskëta ose të thata: nenexhik, livando, sherebelë, hudhër dhe qepë.
    Përzierje uthulle dhe piperi të kuq – spërkatni në vendet ku janë parë minjtë.

    Këto metoda janë të sigurta për fëmijët dhe kafshët shtëpiake, për dallim nga helmet kimike që mund të jenë të rrezikshme.

    Sipas një studimi të “Journal of Pest Science”, kombinimi i vajit të nenexhikut dhe eukaliptit jep efekt mbrojtës deri në dy javë kur aplikohet rregullisht.

    Përdorni kurthe të përshtatshme

    Nëse minjtë tashmë janë futur brenda, kurthet janë një ndër mënyrat më efektive për t’i kapur.

    Përdorni kurthe tradicionale me mamë si gjalpë kikiriku, fruta të thata ose arrë.

    Për ata që preferojnë metoda humane, ekzistojnë kurthe që i kapin minjtë pa i lënduar – dhe mund t’i lironi më pas larg shtëpisë.

    Kurthet vendosini në mure, prapa mobiljeve dhe në qoshe, aty ku ata lëvizin zakonisht gjatë natës, dhe kontrollojini çdo ditë.

    Kur të kërkoni ndihmë profesionale

    Nëse infektimi është i madh ose metodat e shtëpisë nuk japin rezultat, është më mirë të kërkoni ndihmën e shërbimeve të deratizimit. Ata kanë pajisje dhe përvojë për:

    Zbulimin e foleve dhe hyrjeve;

    Largimin e shpejtë dhe të sigurt të minjve;

    Këshillim për mbrojtje afatgjatë.

    Kjo është veçanërisht e dobishme në shtëpi të vjetra, restorante ose ambiente me bodrume.

    Përfundim

    Për ta mbajtur shtëpinë të pastër dhe të sigurt, duhet të kombinohen disa masa: higjiena e përditshme, mbyllja e çdo vrime, përdorimi i përbërësve natyralë dhe, nëse është e nevojshme, ndihma profesionale.

    Kështu do të siguroheni që minjtë të mos kthehen më, dhe shtëpia juaj të mbetet e pastër, higjienike dhe pa stres.

     

  • Të paktën tre të vdekur, teksa uragani Melissa i afrohet Xhamajkës

    Të paktën tre të vdekur, teksa uragani Melissa i afrohet Xhamajkës

    Të paktën tre persona kanë vdekur në Xhamajkë, teksa zyrtarët po i bëjnë thirrje publikut që të zhvendoen në zona më të larta dhe të strehohen para se uragani Melissa të godasë vendin të martën.

    Stuhia e kategorisë pesë – që mund të jetë më e fuqishmja që ishulli është përballur në histori – po lëviz ngadalë nëpër Karaibe, teksa tashmë ka lënë të vrarë edhe tre persona në Haiti dhe një në Republikën Dominikane.

    Qendra kombëtare amerikane për uragane raportoi se Melissa ishte ende 240 kilometra larg Kingstonit të hënën në mbrëmje, duke parashikuar se do të arrijë shpejtësi maksimale të erës në 175 milje në orë.

    Shirat e mëdha, të kombinuara me erëra intensive, mund të shkaktojnë shkatërrime të mëdha sikurse uraganet më të mëdhenj, përfshirë Marian më 2017 apo Katrinan më 2005, që shkaktuan pasoja të mëdha në Puerto Riko dhe në qytetin amerikan të Nju Orllinsit.

    Shkencëtarët thonë se ndryshimet klimatike, të nxitura nga njeriu, po shkaktojnë stuhi masive që janë bërë gjithnjë e më të zakonshme në këtë rajon.

    Ministri i qeverisë lokale në Xhamajkë, Desmond McKenzie, tha mbrëmjen e së hënës se ishulli ka 880 strehimore për banorët, transmeto Radio Evropa e Lirë.

    “Dua t’u bëj thirrje njerëzve që të zhvendosen në zona më të larta sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai.

    Kryeministri i Xhamajkës, Andrew Holness, tha se pjesa perëndimore e ishullit është përballur me shkatërrimin më të madh.

    “Nuk besoj se ka ndonjë infrastrukturë në këtë rajon që mund t’i bëjë ballë një stuhie të kategorisë pesë, prandaj duhet të ketë zhvendosje të mëdha”, tha ai për CNN.

    Më pas, gjatë një konference për media ai u shpreh se evakuimi “është për të shpëtuar njerëz”.

    “Unë po ju paralajmëroj. Është në dorën tuaj që ta përdorni këtë informacion dhe të merrni vendimin e duhur”, tha ai.

    Një pjesë e fuqisë së uraganit Melissa buron nga ritmi i tij i ngadaltë: uragani po lëviz më ngadalë sesa shumica e njerëzve ecin. Kjo do të thotë se zonat nëpër të cilat stuhia kalon mund të përballen me kushte më të rënda për një kohë më të gjatë sesa në shumicën e uraganeve të tjera.

    Qendra amerikane për uragane paralajmëroi për vërshime “katastrofike, për rrëshqitje të dheut, erëra të fuqishme që mund të ndërpresin linjat e energjisë dhe komunikimit dhe mund të shkaktojnë “dëme të mëdha në infrastrukturë”.

    Parashikohet që të ketë shi deri në një metër, ndërkaq Xhamajka, Haiti, Republika Dominikane dhe Kuba po ashtu pritet të përballen me vërshime dhe rrëshqitje të dheut.

    Stuhia me gjasë pritet të godasë brigjet jugore të Xhamajkës dhe niveli i ujit mund të rritet deri në katër metra dhe të shkaktohen “dallgë shkatërruese”.

    Pasi të godasë Xhamajkën, uragani Melissa pritet të niset drejt Kubës mbrëmjen e së martës.

    Stuhia veçse ka shkaktuar viktima.

    Të hënën, zyrtarët në Xhamajkë thanë se tre persona vdiqën teksa po bëheshin gati për stuhinë.

    Në Republikën Dominikane, një 79-vjeçar vdiq gjatë vërshimeve, ndërkaq një djalë 13 vjeç konsiderohet i zhdukur.

    Zyrtarët në Haiti thanë se tre persona vdiqën nga kushtet e krijuara nga stuhia gjatë fundjavës.

    Uragani i fundit i madh që goditi Xhamajkën ishte Beryl në korrik të vitit 2024./REL

  • Nxënësit në pushim vjeshtor nga 29 deri më 31 tetor, mësimi rifillon më 3 nëntor

    Nxënësit në pushim vjeshtor nga 29 deri më 31 tetor, mësimi rifillon më 3 nëntor

    Këtë javë, nxënësit e Kosovës do t’i largohen për pak ditë bankave të shkollës.

    Sipas Kalendarit Zyrtar të Vitit Shkollor 2025/2026, nga 29 deri më 31 tetor, ata do të kenë pushimin vjeshtor.

    Pas këtij pushimi, procesi mësimor do të vazhdojë të hënën, më 3 nëntor, në të gjitha institucionet arsimore të vendit.