ATV

Author: G.O.

  • Tërmeti 6.1 rihter në Turqi, 26 të plagosur dhe qindra paslëkundje

    Tërmeti 6.1 rihter në Turqi, 26 të plagosur dhe qindra paslëkundje

    Mbi 300 pas lëkundje janë ndjerë në Turqi pas tërmetit me magnitudë 6.1 Rihter. Tërmeti me epiqendër në qytetin Balıkesir u ndje të hënën në mbrëmje. Nga tërmeti janë plagosur 26 persona të cilët kanë marrë plagë teksa largoheshin nga vendi ku ndodheshin.

    Siç është njoftuar nga Shërbimi Sizmologjik Turk, tërmeti me magnitudë 6.1 Rihter që ndodhi në orën 22:48 të hënën në mbrëmje u ndje në shumë provinca, duke përfshirë Balıkesir, Izmir, Bursa, Stamboll, Tekirdag, Kocaeli dhe Sakarya.

    Pas tërmetit u regjistruan gjithsej 330 lëkundje pasuese gjatë një periudhe prej afërsisht 13 orësh, nga ora 22:48 e djeshme deri në orën 11:00 të sotme. 12 lëkundje pasuese janë regjistruar me magnitudë 4 ose më të lartë.

    Në zonën ku ndodhi tërmeti, 26 qytetarë u shtruan në spital me lëndime të lehta, ndërsa Ministri i Brendshëm turk njoftoi se të gjithë janë larguar tashmë nga spitali. Operacioni i ngritur për t’u përballur me pasojat e tërmetit përfshin 1,204 persona nga shërbime të ndryshme turke.

  • Supremja merr vendim për të drejtën e veteranëve për kompensim financiar

    Supremja merr vendim për të drejtën e veteranëve për kompensim financiar

    Gjykata Supreme ka shfuqizuar nenin e Udhëzimit Administrativ Nr.01/2025, që kufizonte të drejtën e veteranëve për kompensim financiar.

    Gjykata Supreme, gjatë shqyrtimit të ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe anëtarëve të familjeve të tyre, ka vlerësuar se me ndryshimet dhe plotësimet e fundit të ligjit është krijuar një paqartësi dhe konfuzion juridik në raport me ekzistimin ose jo të marrëdhënies së punës si kriter për përfitimin e së drejtës ligjore të kompensimit financiar.

    “Në analizë të përmbajtjes së dispozitave të ndryshuara, Gjykata konstaton se riformulimi i nenit bazik ka krijuar pasiguri lidhur me pyetjen nëse kjo e drejtë u takon vetëm atyre që janë të punësuar në sektorin privat apo edhe atyre që janë të punësuar në sektorin publik. Në këtë drejtim, Gjykata ka interpretuar nenin 16A, paragrafi 5 të ligjit të ndryshuar, i cili përcakton se: “Veteranët e luftës së UÇK-së që punojnë jashtë institucioneve që paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës, si dhe jashtë ndërmarrjeve publike, do të gëzojnë njëtrajtshëm deri në 50% të shumës së paraparë, por që në total nuk do të kalojë 0.7% të Bruto Prodhimit Vendor”, thuhet në njoftim.

    Gjykata vlerëson se ligjdhënësi ka dashur të përjashtojë nga përfitimi i kompensimit vetëm ata persona që janë të punësuar në institucione që financohen nga buxheti i Republikës së Kosovës apo në ndërmarrje publike, ndërsa ata që janë të punësuar jashtë sektorit publik, përkatësisht në sektorin privat, gëzojnë të drejtën e kompensimit në përputhje me kufijtë e përcaktuar ligjorë.

    Kësisoj, e drejta për përfitim nga kjo kategori ligjore nuk varet nga ekzistenca e marrëdhënies së punës në përgjithësi, por nga natyra e punëdhënësit dhe burimi i financimit të pagës – pra, nëse ai burim është apo jo buxheti i shtetit.

    Në këtë kontekst, Gjykata vlerëson se kërkesa e Ministrisë për paraqitjen e dokumentit të lëshuar nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), e përcaktuar në udhëzimin kontestues që dëshmon se veterani “nuk është në marrëdhënie pune”, si kusht për përfitimin e kompensimit, është në kundërshtim me rregullimin e ri ligjor.

    “Prandaj, Gjykata Supreme vlerëson se dispozita nënligjore ose udhëzimi administrativ që kërkon një vërtetim të tillë në formën aktuale, duhet të shfuqizohet ose të harmonizohet me përmbajtjen e ligjit të ndryshuar, me qëllim që të sigurohet përputhshmëria vertikale e akteve juridike dhe të garantohet zbatimi i drejtë dhe i njëtrajtshëm i ligjit.

    Në përfundim, Gjykata konstaton se përcaktimi “nuk është në marrëdhënie pune” bie ndesh me rregullimin e ri ligjor të paraparë në nenin 16A, paragrafi 5 të Ligjit, dhe për këtë arsye, nuk mund të shërbejë si kriter ligjor për kufizimin e së drejtës së veteranëve të UÇK-së për përfitim financiar, për aq sa ata nuk paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës”, thuhet më tej.

    Me hyrjen në fuqi të Ligjit Nr. 05/L-141, Ministria ka qenë e obliguar që të harmonizojë udhëzimet administrative me ndryshimet ligjore.

    Mos ndryshimi i Udhëzimit Administrativ nr.01/2015, përkundër ndryshimeve të ligjit që kanë ndodhur më vonë respektivisht në vitin 2017, dhe lënia në fuqi e dispozitës nga neni 14.A, paragrafi 1.5, e Udhëzimit kontestues të vitit 2015, bie në kundërshtim me ligjin cenon sigurinë juridike dhe krijon pasiguri për të drejtat e garantuara me ligj.

  • Maqedonci për ushtrimin “Ujku Shigjetë” falënderon edhe ShBA-në: Vazhdimisht krah zhvillimit të FSK-së

    Maqedonci për ushtrimin “Ujku Shigjetë” falënderon edhe ShBA-në: Vazhdimisht krah zhvillimit të FSK-së

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, pas ushtrimit të ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), “Ujku Shigjetë”, e ka quajtur këtë si një nga objektivat kryesore të planit zhvillimor për ushtrinë.

    “Sot është një ditë shumë e rëndësishme për ushtrinë tonë, Forcën e Sigurisë së Kosovës, sepse sot po përmbyllim një prej objektivave kryesore të planit zhvillimor të Forcës së Sigurisë së Kosovës, atë të certifikimit dhe validimit të të gjitha kapaciteteve të këmbësorisë regjimenteve të këmbësorisë së FSK-së”.

    “Pra, me këtë ushtrim ne po përmbyllim një fazë dhe po kalojmë në një fazë tjetër. Kemi marrë masat dhe jemi duke u përgatitur për ta finalizuar. Me këtë rast falënderoj komandantin e FSK-së gjeneral Jasharin për punën e jashtëzakonshme dhe angazhimin e pashembullt për të arritur objektivat pavarësisht sfidat”, tha ai.

    Maqedonci ka potencuar edhe rolin e ekipeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

    “Falënderojmë edhe ekipet nga SHBA-të të cilat kanë qenë vazhdimisht krah zhvillimit të FSK-së investimet e qeveria në mbrojtje në armatim personel trajnim dhe infrastrukturë janë një mbështetje shtesë për kapacitetet e FSK-së në arritjen e objektivave qe kemi përpara”, tha ai.

  • VV nis mbledhjen e nënshkrimeve të deputetëve për seancë të jashtëzakonshme në Kuvend

    VV nis mbledhjen e nënshkrimeve të deputetëve për seancë të jashtëzakonshme në Kuvend

    Burime të ATV-së brenda Lëvizjes Vetëvendosje kanë konfirmuar se partia është duke mbledhur nënshkrime për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit.

    Ende nuk dihen arsyet nëse kjo nismë lidhet me buxhetin e vitit 2026 apo me një përpjekje të dytë për formimin e Qeverisë së re.

    Sipas informacioneve, synimi është sigurimi i 40 nënshkrimeve të deputetëve, të cilat më pas do t’i dërgohen presidentes Vjosa Osmani.

    Kjo lëvizje vjen vetëm dy ditë pas dështimit të votimit për Qeverinë e re, ndërsa mbetet e paqartë nëse Vetëvendosje do të propozojë sërish të njëjtin kandidat për Kryeministër.

  • Arrestohet për marrje ryshfeti një mjek në Vushtrri

    Arrestohet për marrje ryshfeti një mjek në Vushtrri

    Një mjek në Vushtrri, me iniciale A.V., është arrestuar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë në koordinim me Policinë e Kosovës, pas hetimeve disa-mujore dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit”.

    Sipas komunikatës zyrtare, i njëjti akuzohet se në këmbim të mjeteve monetare ka lëshuar vërtetime të ndryshme mjekësore për qytetarët.

    Me vendim të prokurorit, A.V. i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërkohë që hetimet vazhdojnë.

  • Osmani: Kosova synon epokë të re teknologjike në partneritet me Arabinë

    Osmani: Kosova synon epokë të re teknologjike në partneritet me Arabinë

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, tha se Kosova dhe Arabia Saudite mund të ndërtojnë mbi themelet tashmë të forta të miqësisë së tyre përmes bashkëpunimit të ri në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

    Presidentja Vjosa Osmani për Arab News gjatë një vizite në Riad për edicionin e 9-të të Future Investment Initiative (FII), tha se gjatë viteve kemi zhvilluar marrëdhënie të shkëlqyera, sepse Arabia Saudite ishte një nga vendet e para që njohu pavarësinë tonë, që njohu luftën tonë për liri dhe që na mbështet.

    Ndërsa liderë botërorë, sipërmarrës dhe investitorë mblidhen këtë javë në kryeqytetin saudit për FII — që shpesh quhet “Davos-i i shkretëtirës” — Osmani tha se ky event do të “hapë kapituj të rinj bashkëpunimi” mes dy vendeve.

    Pjesëmarrja e Kosovës përbën një mundësi të vlefshme për të krijuar lidhje biznesi, për të tërhequr investime dhe për të shkëmbyer ekspertizë me Mbretërinë, të cilën ajo e përshkroi si “një nga udhëheqëset botërore kur bëhet fjalë për përparimin teknologjik dhe inteligjencën artificiale.”

    “Ndjehemi shumë të bekuar për marrëdhëniet dypalëshe që kemi me Arabinë Saudite,” tha Osmani.

    “Është një nga vendet që ka mbështetur popullin e Kosovës gjatë orëve më të errëta të historisë sonë, por gjithashtu ka qëndruar pranë nesh në çdo hap të rrugëtimit tonë si një vend që tani jeton në liri, pavarësi dhe mirëqenie.”

    Arabia Saudite ishte një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, pas ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 dhe një periudhe administrimi nga OKB-ja, një gjest që mbetet thellësisht domethënës për Prishtinën.

    “Gjatë viteve kemi zhvilluar marrëdhënie të shkëlqyera, sepse Arabia Saudite ishte një nga vendet e para që njohu pavarësinë tonë, që njohu luftën tonë për liri dhe që na mbështeti,” tha ajo.

    “Unë besoj se tani kjo vizitë do të shërbejë për të hapur kapituj të rinj bashkëpunimi dhe, shpresoj, për ta çuar këtë marrëdhënie midis dy vendeve në nivele të reja.”

    FII, tashmë në vitin e tij të nëntë, është bërë një nga forumet më me ndikim në botë për investime dhe inovacion global.

    Osmani tha se përfshirja e Kosovës ndër vendet pjesëmarrëse është një nder dhe një njohje e potencialit të vendit në ekonominë digjitale.

    “Ka një potencial të jashtëzakonshëm që mund ta shohim këtu në FII,” tha ajo. “Edhe pse është një forum mjaft i ri krahasuar me shumë forume botërore, ai ka arritur të tërheqë mijëra e mijëra përfaqësues, qofshin ata politikë apo biznesi.

    “Dhe mendoj se ky lloj kombinimi na lejon ne, si udhëheqës politikë, të mësojmë shumë nga spektri i biznesit për mënyrën se si mund t’i forcojmë marrëdhëniet dhe të sigurohemi që si marrëdhëniet politike, ashtu edhe ato ekonomike të jenë në dobi të njerëzve që përfaqësojmë.

    “Nga ajo që kemi parë, FII është një vend ku marrëdhëniet nuk mbarojnë me përfundimin e forumit, por vazhdojnë menjëherë pas tij me shumë kontrata të nënshkruara, marrëveshje të negociuara dhe marrëdhënie politike të thelluara.”

    Kosova, një republikë e re me një nga popullsitë më të afta digjitalisht në Evropë, ka nisur programin ambicioz “Digital Agenda Kosovo 2030” (DAK 2030) për t’u bërë një “shoqëri gigabit” e fuqizuar nga lidhja 5G, qeverisja elektronike dhe inovacioni në inteligjencën artificiale (IA).

    Osmani beson se partneriteti me Arabinë Saudite — e cila vetë po zgjeron agjendën e saj digjitale dhe të IA-së në kuadër të Vision 2030 — mund të jetë transformues.

    “Ne mund të shohim se Arabia Saudite po shndërrohet në një nga udhëheqëset globale sa i përket përparimit teknologjik dhe veçanërisht në fushën e inteligjencës artificiale,” tha ajo.

    “Duke marrë parasysh që Kosova është lider në rajonin tonë për të dytin vit me radhë, vendi me nivelin më të lartë të konkurrueshmërisë në IT dhe me një popullsi të re, të aftë dhe inovative në teknologji… ne besojmë fuqishëm se ekziston një potencial i madh për të tërhequr investime të huaja direkte në këtë fushë për të ardhur në Kosovë.”

    Ajo shtoi: “Për shumë përfaqësues këtu, qofshin politikë apo biznesi, Kosova mund të jetë një destinacion tërheqës për investime apo bashkëpunim biznesi me kompanitë tona lokale.

    “Ne besojmë fuqishëm se zhvillimi i teknologjisë dhe i inteligjencës artificiale duhet të jetë në dobi të njerëzimit — për ta bërë rritjen ekonomike më të qëndrueshme, për të gjetur kura për shumë sëmundje dhe për të siguruar që cilësia e arsimit dhe e shëndetësisë të përmirësohet.”

    Osmani gjithashtu vuri në dukje mbështetjen e hershme të Arabisë Saudite për popullsinë shumicë myslimane të Kosovës, duke theksuar se rreth 1,500 kosovarë kryejnë çdo vit pelegrinazhin Haxh në Mekë dhe Medinë.

    “Ne jemi mirënjohës ndaj Arabisë Saudite për bashkëpunimin e tyre në këtë drejtim,” tha ajo. “Populli i Kosovës ka pasur gjithmonë një përvojë shumë pasuruese dhe shpirtërore sa herë që ka ardhur këtu.

    “Kjo ka qenë një nga fushat ku kreu i Bashkësisë Islame, myftiu ynë, z. Tërnava, ka bashkëpunuar shumë mirë me Arabinë Saudite dhe me Ministrinë tuaj të Haxhit.

    “Kemi pasur vizita nga Arabia Saudite për të diskutuar mënyrat se si mund të forcojmë bashkëpunimin në këtë aspekt. Dhe jemi shumë mirënjohës për mbështetjen e tyre, me shpresën se mund ta rrisim atë në të ardhmen.”

    Osmani vlerësoi gjithashtu “roli gjithnjë e më i madh i Arabisë Saudite për paqe dhe stabilitet, jo vetëm në këtë rajon, por edhe në botë,” duke iu referuar përpjekjeve të Mbretërisë në ndërmjetësimin e konflikteve si Izrael-Palestinë dhe Rusi-Ukrainë, ndër të tjera.

    Ajo tha se Kosova mbështet udhëheqjen e Mbretërisë “në përpjekjet për t’u siguruar që ajo jo vetëm të ndërmjetësojë në nivel global, por edhe të arrijë sukses, sepse sigurimi i paqes në të gjithë botën është një nga misionet më fisnike në të cilat mund të angazhohet dikush.”

    Për Osmanin, paqja dhe stabiliteti nuk janë ideale abstrakte, por realitete të përjetuara, të rrënjosura në historinë e dhimbshme të Kosovës me konfliktin.

    “Unë besoj se përpjekjet për ndërmjetësim funksionojnë,” tha ajo. “Ndërsa për disa njerëz paqja është diçka e shkruar në letër, për ne ajo lidhet me vetë jetët tona.

    “Ne jemi rritur si fëmijë të luftës. Duhej të kalonim një luftë gjenocidale. Dhe çdo brez, përfshirë atë të prindërve tanë, gjyshërve e stërgjyshërve, kanë kaluar nëpër luftëra.

    “Fëmijët tanë janë brezi i parë në historinë e kombit tonë që po jeton në paqe. Nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa të sigurohesh që fëmija yt dhe të gjithë fëmijët në vendin tënd mund të flenë në qetësi, pa frikën e luftës.”

    Ajo shtoi: “Ne do të jemi gjithmonë mirënjohës ndaj të gjithëve në botë që qëndruan pranë nesh për të na shpëtuar jetën, për të na çliruar vendin dhe më pas për të na mbështetur që të rindërtojmë nga hiri i luftës.

    “Tani jemi një vend që është rimëkëmbur, një vend që lulëzon, që po zhvillohet ekonomikisht, nën sundimin e ligjit dhe në harmoni me marrëdhëniet ndërkombëtare.”

    Osmani vlerësoi “përpjekjet dhe udhëheqjen e Lartmadhërisë së Tij Mbretërore (Princit të Kurorës Mohammed bin Salman), në bashkëpunim me presidentin e SHBA-së dhe shumë liderë të tjerë botërorë,” duke iu referuar armëpushimit të fundit në Gaza.

    Ajo tha se Kosova “e mbështet plotësisht këtë përpjekje, sepse ne e kuptojmë sa e çmuar është paqja dhe sa me fat janë kombet që jetojnë në paqe — sepse kjo është e vetmja mënyrë për të arritur mirëqenie.”

    Përtej politikës dhe investimeve, Osmani theksoi rëndësinë e kontakteve të drejtpërdrejta midis popujve të Arabisë Saudite dhe Kosovës — përmes arsimit, kulturës dhe programeve të udhëtimit për të rinjtë.

    “Është e vërtetë që lidhjet midis njerëzve kanë qenë gjithmonë të forta,” tha ajo. “Duhet të gjejmë mënyra të reja që kjo marrëdhënie të lulëzojë dhe të zgjerohet më tej, qoftë në arsim, në kulturë apo në fusha të tjera.

    “Ka një mundësi të jashtëzakonshme, dhe kjo është arsyeja pse jam këtu — për t’u siguruar që i zgjerojmë këto mundësi.”

    Ajo shtoi: “Do të inkurajoj gjeneratën tonë të re që të vijë dhe të vizitojë Arabinë Saudite, dhe do të doja të inkurajoja të rinjtë sauditë të vizitojnë Kosovën. Duke u takuar, duke ndarë ide dhe përvoja, kështu ndërtohen këto marrëdhënie.”

    Osmani gjithashtu bëri një ftesë për udhëheqjen saudite. “Do të ishim të nderuar nëse Lartmadhëria e Tij Mbretërore do të vizitonte gjithashtu Republikën e Kosovës në kohën që e gjen të përshtatshme, në mënyrë që populli i Kosovës të ketë mundësinë të falënderojë udhëheqjen dhe popullin e Arabisë Saudite për mbështetjen e dhënë”, tha ajo.

    Për Osmanin, investimi te të rinjtë është çelësi për ta mbajtur marrëdhënien gjallë.

    “Që dy vende dhe dy popuj të kenë marrëdhënie të shkëlqyera, gjithmonë duhet të përfshish gjeneratën e re,” tha ajo. “Ata kanë më shumë energji dhe mund të bëjnë punën më të mirë për t’u siguruar që këto lidhje njerëzore të bëhen edhe më të forta”, tha ajo.

     

  • “Jo, nuk e kam vra”, Leutrim Fejza mohon vrasjen e Bekim Varit

    “Jo, nuk e kam vra”, Leutrim Fejza mohon vrasjen e Bekim Varit

    Sot në Gjykatën Themelore të Ferizajt ka nisur seanca fillestare ndaj Leutrim Fejzës, i cili akuzohet për vrasjen mizore të Bekim Varit.

    Gjatë deklarimit të tij para trupit gjykues, ai e mohoi vrasjen.

    “Jo, nuk e kam vra”, tha ai.

    Vrasja në fjalë e pati tronditur Kosovën në fillim të vitit 2025.27 vjeçari.

    Bekim Vari, nga Ferizaj, ishte raportuar si i zhdukur nga familjarët më 29 janar 2025.Trupi i tij u gjet disa ditë më vonë (më 5 shkurt), në një zonë malore të fshatit Manastirc të Ferizajt.

  • Komandanti i KFOR-it dhe ministri malazez diskutojnë për sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal

    Komandanti i KFOR-it dhe ministri malazez diskutojnë për sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal

    Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, u takua me ministrin e mbrojtjes së Malit të Zi, Dragan Krapović, dhe shefin e mbrojtjes, gjeneral brigadier Miodrag Vuksanović, në Ministrinë e Mbrojtjes në Podgoricë.

    Gjatë takimit, ata diskutuan për situatën e sigurisë në Kosovë, rolin e KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal, si dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet KFOR-it dhe Malit të Zi në kuadër të misioneve ndërkombëtare të sigurisë.

    Gjeneralmajor Ulutaş shprehu vlerësimin e tij për mbështetjen e qëndrueshme të Malit të Zi ndaj misionit të KFOR-it dhe për profesionalizmin e trupave malazeze që shërbejnë në Kosovë.

    KFOR-i vijon të zbatojë mandatin e tij në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (1999), për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë, si dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes.

    Misioni punon në bashkërendim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në kuadër të roleve të tyre përkatëse si reagues të sigurisë.

  • “Lufta për liri nuk është krim”, Rama: Turp për ata që Thaçin edhe mbrapa hekurave e shohin si armik politik

    “Lufta për liri nuk është krim”, Rama: Turp për ata që Thaçin edhe mbrapa hekurave e shohin si armik politik

    Kryeministri shqiptar Edi Rama ka thënë se është e padrejtë që ata të cilët luftuan për lirinë e Kosovës, duhet të përballen me gjykatën në Hagë për të vërtetuar se lufta për liri nuk është krim.

    Rama ka thënë se është turp edhe për siç i ka quajtur ai “shqipsharësit digjitalë”, që shohin dhe trajtojnë Hashim Thaçin si armik politik, e urojnë të mos dalë më kurrë prej aty.

    “A nuk është e tmerrshme ta mendosh se shpëtimtarët e një kohe kur vetë ekzistenca e Kosovës ishte në tehun e thikës së gjatë të padrejtësisë historike ndaj shqiptarëve, duhet të paraqiten para një gjykate të dalë krejt nga objekti për të cilin u ngrit, për të dëshmuar se lufta për liri nuk është krim, se rebelimi ndaj një diktature nacional-socialiste nuk është faj, se shteti i ri e sovran i Kosovës nuk ka dalë nga barku i një ndërmarrjeje kriminale, po nga gjaku i një ushtrie çlirimtare?!

    Çfarë turpi për drejtësinë ndërkombëtare dhe edhe më zi për shqipsharësit digjitalë, tifozë të verbuar prej budallakisë kinse patriotike, që edhe mbrapa hekurave të kësaj padrejtësie ulëritëse, e shohin dhe trajtojnë Hashim Thaçin si armik politik, e urojnë të mos dalë më kurrë prej aty; ndërkohë që kur atyre t’u jetë harruar nami e nishani dhe asaj gjykate t’i ketë mbetur vetëm njolla e turpit të historisë, emri i Hashimit do të mbetet përgjithnjë si emri i njeriut që u bë njësh me fatin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.” shkruan Rama.

  • Sulmohet një person zyrtar në Lipjan, viktima pranon tretman mjekësor

    Sulmohet një person zyrtar në Lipjan, viktima pranon tretman mjekësor

    Një person është arrestuar të hënën pasdite në Lipjan, nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht një person zyrtar gjatë kryerjes së detyrave të tij.

    Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:45, ndërsa i dyshuari, një mashkull kosovar, është ndaluar menjëherë nga autoritetet në vendin e ngjarjes.

    Si pasojë e sulmit fizik, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për të pranuar tretmanin e nevojshëm mjekësor.

    Pas intervistimit në stacionin policor dhe mbledhjes së provave fillestare, prokurori i rastit ka marrë vendim që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë.