ATV

Author: G.O.

  • Osmani takon Presidentin e Mauritanisë në Riad, bisedojnë për forcimin e marrëdhënieve bilaterale

    Osmani takon Presidentin e Mauritanisë në Riad, bisedojnë për forcimin e marrëdhënieve bilaterale

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar në Riad homologun e saj nga shteti i Mauritanisë, Mohamed Ould Cheikh El Ghazouani.

    Osmani përmes një postimi në Facebook tha se me homologun e saj bisedoi për forcimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve.

    “Një takim shumë i mirë në Riad me Presidentin e Mauritanisë, Mohamed Ould Cheikh El Ghazouani.Biseduam për forcimin e marrëdhënieve miqësore ndërmjet Kosovës dhe Mauritanisë, gatishmërinë për të punuar së bashku në nivel ndërkombëtar, si dhe për angazhimin tonë të ndërsjellë në thellimin e bashkëpunimit bilateral”, ka shkruar Osmani në Facebook.

  • Katër shtetas turq arrestohen në Fushë Kosovë

    Katër shtetas turq arrestohen në Fushë Kosovë

    Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona të dyshuar, shtetas të Turqisë, pas një aksioni të zhvilluar në Fushë Kosovë.

    Gjatë kontrollit të ushtruar në vendbanimet e tyre, njësitet policore kanë gjetur dhe sekuestruar 1482 gram substancë narkotike të llojit marihuanë, 590 euro para të gatshme, tetë telefona mobil, një automjet (furgon), një laptop, si dhe disa gjësende të tjera që lidhen me rastin.

    Sipas njoftimit të Policisë, të gjitha provat e sekuestruara janë marrë për ekzaminim, ndërsa me vendim të prokurorit kujdestar, katër të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për procedura të mëtejshme hetimore.

    Hetimet lidhur me rastin janë ende në zhvillim./Telegrafi/

  • Si t’i ruani xhinset e errëta nga zbehja – truku i thjeshtë me një përbërës natyral

    Si t’i ruani xhinset e errëta nga zbehja – truku i thjeshtë me një përbërës natyral

    Xhinset e zeza dhe blu të errëta janë të domosdoshme në garderobë, por shpesh zbehen pas larjeve, sidomos kur janë të reja.

    Kjo ndodh sepse boja e tyre del nga materiali gjatë larjes, veçanërisht kur përdoret ujë i nxehtë, detergjent i fortë ose larje e shpeshtë. Këto gjithashtu i bëjnë xhinset të humbasin formën dhe të duken të vjetra.

    Sipas Leanna Spektor, eksperte stili dhe bashkëthemeluese e Brand House Direct, ka një mënyrë të thjeshtë për ta parandaluar zbehjen e xhinseve.

    “Mjafton një filxhan uthull e bardhë në larje dhe pak kujdes”, pohon ekspertja.

    Ja çfarë duhet të bësh:

    Shtoni një filxhan uthull të bardhë në lavatriçe;

    Lani xhinset, duke i kthyer mbrapsht;

    Përdorni ujë të ftohtë, jo të nxehtë.

    Pse funksionon?

    Uthulla është një fiksues natyral i ngjyrës – ndihmon që boja të lidhet më fort me pëlhurën dhe të mos dalë gjatë larjes;

    Gjithashtu, heq mbetjet e detergjentit që dëmtojnë ngjyrën;

    Larja e xhinseve duke i kthyer në anën tjetër dhe me ujë të ftohtë mbron ngjyrën dhe formën e xhinseve.

    Këshilla shtesë:

    Lani xhinset sa më rrallë;

    Përdorni detergjent të butë për rroba të errëta;

    Mos përdorni zbutës dhe mos i thani në tharëse – thani në ambiente për të ruajtur ngjyrën dhe formën.

  • Sot nis Forumi i Paqes në Paris, Kurti përfaqëson Kosovën

    Sot nis Forumi i Paqes në Paris, Kurti përfaqëson Kosovën

    Sot fillon Forumi i Paqes të Parisit, i cili është një ngjarje ndërkombëtare vjetore që mbahet në Paris, e krijuar për të promovuar bashkëpunimin global dhe qeverisjen shumëpalëshe përballë sfidave botërore.

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar dje për në kryeqytetin e Francës, ku do të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris, me ftesë të Presidentit francez, Emmanuel Macron.

    Gjatë qëndrimit në Paris, krahas pjesëmarrjes në Forumin e Paqes, kryeministri Kurti do të zhvillojë takime bilaterale në margjina të Forumit.

    Ndërkaq, mbrëmë ishte i ftuar nderi në darkën e shtruar nga Qarku diplomatik i Parisit.

  • Fëmijët nuk duhet t’i bëjnë detyrat me prindërit, sipas psikologëve

    Fëmijët nuk duhet t’i bëjnë detyrat me prindërit, sipas psikologëve

    Shumë prindër besojnë se nëse nuk e kontrollojnë procesin e kryerjes së detyrave të shtëpisë, fëmija i tyre nuk do të mësojë mirë, por hulumtuesit nga Universiteti i Teksasit në Austin dhe Duke u provuan të kundërtën.

    Ata kanë mbledhur të dhëna për mënyrën se si përfshirja e prindërve në procesin e mësimdhënies ndikon në notat dhe zbuloi se asistenca e prindërve është e padobishme dhe ndikon negativisht në rezultatet e provimeve të mëpasshme.

    Ja përse një fëmijë (dhe jo prindërit e tij) duhet të jetë përgjegjës për detyrat e shtëpisë:

    1. Fëmija humbet motivimin për të mësuar

    Sipas rezultateve të këtij hulumtimi, sa më shumë që prindërit janë të përfshirë në procesin e kryerjes së detyrave të shtëpisë me fëmijët e tyre, aq më pak fëmija do të dëshirojë të mësojë.

    Fëmijët, prindërit e të cilëve ulen pranë tyre dhe u tregojnë se çfarë të bëjnë, duke kontrolluar çdo hap dhe madje duke bërë detyrat e shtëpisë për ta, kanë motivim më të ulët. Megjithatë, nxënësit, prindërit e të cilëve nuk u ushtrojnë presion për të mësuar kanë një dëshirë më të madhe për të mësuar diçka të re.

    Si prind, përpiquni të lironi frenat dhe të ndihmoni vetëm nëse fëmija juaj ua kërkon vetë. Në këtë rast, ju duhet t’i shpjegoni fëmijës atë që ai nuk e kuptoi, por ju nuk duhet të bëni detyrat për ta.

    2. Ata nuk mësojnë të jenë të përgjegjshëm!

    Duke bërë që fëmija juaj të bëjë detyrat e shtëpisë, duke kontrolluar procesin dhe duke i ndëshkuar për gabmet, ju merrni përgjegjësinë e tyre për të studiuar, që do të thotë që e largoni atë nga fëmija juaj.

    Prandaj, për sa kohë që ju jeni atje duke e kontrolluar, fëmija nuk do të marrë përgjegjësinë. Sipas psikologëve, duke marrë përgjegjësitë e fëmijës prindi, nuk u bën atyre asnjë favor, sepse kjo mund të ndikojë në perceptimin e tyre për gjërat në jetën e tyre si të rritur.

    Dënimi dhe lavdërimet duhet të jenë prezentë në mënyrë që një person të dijë se çfarë të zgjedhë. Le të ndodhin gabimet.

    Aftësia për të qenë përgjegjës për veprimet dhe për të shpërndarë në mënyrë të përshtatshme vëmendjen dhe kohën në të ardhmen është më e rëndësishme sesa aftësia për të kryer gjithmonë saktë detyrat.

    3. Marrëdhënia midis prindërve dhe fëmijës dëmtohet

    Në vend që të kontrolloni çdo detyrë, psikologët rekomandojnë ndërtimin e një marrëdhënie besimi me fëmijën tuaj dhe shpenzimin e më shumë kohe së bashku. Lexojini fëmijës me zë të lartë, diskutoni gjërat që po ndodhin në shkencë dhe në botë dhe gjeni gjëra të reja interesante për të bërë së bashku.

    Nëse nuk jeni të gatshëm të pranoni asnjë notë tjetër përveç 10-ës, pyesni veten pse e keni këtë fiksim. Fëmijët nuk ndihen të dashur në një familje ku një notë e keqe mund të ndryshojë plotësisht mënyrën se si trajtohen.

    Psikologët thonë se studimi është detyra personale e secilit fëmijë, ndërsa detyra personale e prindërve është ta duan pafundësisht fëmijën e tyre. Dashuria është më e rëndësishme se notat, apo jo?

  • Kurti nga Parisi: Diskutim me institutin francez për gjeopolitikën dhe të drejtat e pakicave

    Kurti nga Parisi: Diskutim me institutin francez për gjeopolitikën dhe të drejtat e pakicave

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim me Institutin Jacques Delors, një institut me qendër në Paris, i themeluar nga një prej arkitektëve më të mëdhenj të Bashkimit Evropian.

    “Në takim u diskutua për gjeopolitikën dhe ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor,” ka shkruar Kurti në “X” të martën.

    Ai ka theksuar se ka shfrytëzuar rastin për të nxjerrë në pah nevojën për një qasje vendimtare dhe të bazuar në meritë në procesin e zgjerimit të BE-së, si një çelës për sigurinë evropiane përballë rreziqeve aktuale gjeopolitike.

    Sipas Kurtit, gjatë takimit u diskutuan gjithashtu investimet e Kosovës në mbrojtje, mbrojtja kushtetuese dhe praktike e të drejtave të njeriut dhe të pakicave, si dhe lidhja e pandashme midis axhendave ekonomike dhe parimeve demokratike.

    “Ishte kënaqësi të takohesha me Institutin Jacques Delors, një organizatë e nderuar me seli në Paris, e themeluar nga emri i saj, një nga arkitektët më të mëdhenj të BE-së, për një diskutim mbi gjeopolitikën dhe ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor. Shfrytëzova rastin për të theksuar nevojën për një qasje vendimtare dhe të bazuar në meritë ndaj zgjerimit nga BE-ja, si një çelës për sigurinë evropiane përballë rreziqeve aktuale gjeopolitike. Diskutuam gjithashtu investimet në mbrojtje të Kosovës, mbrojtjen kushtetuese dhe praktike të të drejtave të njeriut dhe të pakicave, si dhe lidhjen e pandashme midis axhendave ekonomike dhe parimeve demokratike”, ka shkruar Kurti.

  • Çfarë kanë parashikuar yjet për datën 29 tetor – horoskopi i ditës për secilën shenjë

    Çfarë kanë parashikuar yjet për datën 29 tetor – horoskopi i ditës për secilën shenjë

    Dashi

    Ambienti planetar do të jetë mjaft i ngrohtë gjatë kësaj dite. Do të merreni vesh më së miri me partnerin dhe gjithçka do të shkojë për mrekulli. Beqarët nuk duhet në asnjë mënyrë të refuzojnë ftesat që do t’u bëhen, sepse kanë për të humbur mundësi shumë të mira. Në planin financiar nuk ka për të ndodhur asgjë e keqe, sepse do të dini si t’i menaxhoni të ardhurat.

    Demi

    Do t’i jepni më shumë prioritet se kurrë jetës suaj në çift gjatë kësaj dite dhe marrëdhënia me partnerin do të fillojë të përmirësohet. Komunikimi do të mbizotërojë gjatë gjithë kohës. Beqarët nuk duhet të krijojnë shumë iluzione në jetën e tyre sentimentale, sepse do të zhgënjehen tej mase. Financat do të jenë të shkëlqyera, kjo falë një ndihme të madhe nga disa familjarë.

    Binjakët

    Planetët do ta mbrojnë gjatë gjithë kohës jetën tuaj në çift gjatë kësaj dite dhe do t’ju afrojnë më shumë me njëri-tjetrin. Beqarët do të gjenden që në orët e para të mëngjesit përpara disa zgjedhjeve të vështira. Mendohuni mirë para se të vendosni. Financat do të jenë në një gjendje më të qëndrueshme dhe mund t’ia lejoni vetes ndonjë shpenzim më tepër.

    Gaforrja

    Ditë harmonike dhe e mbushur me emocione të forta kjo e sotmja për të dashuruarit. Do të jeni të matur me xhelozinë dhe nuk priten mosmarrëveshje. Beqarët nuk duhet në asnjë mënyrë të tregohen impulsivë, sepse do të bëjnë gabime që do t’u ndikojnë tek e ardhmja. Në planin financiar nuk duhet të ndërmerrni rreziqe, edhe sikur gjendja e të ardhurave të jetë e mirë.

    Luani

    Ambienti yjor do t’ju mundësojë të afroheni edhe më tepër me partnerin tuaj dhe të flisni për gjithçka me të. Atmosfera do të ngrihet nga momenti në moment. Beqarët nuk duhet t’iu bien me shkelm mundësive që do t’u jepen, sepse më vonë ato edhe mund të mungojnë. Financat do të jenë goxha delikate, prandaj gabimi më i vogël mund t’ju kushtojë shtrenjtë.

    Virgjëresha

    Do të keni fat me shumicë gjatë kësaj dite në jetën tuaj në çift. Ambienti do të fillojë të ngrohet tej mase dhe do të ndiheni për mrekulli në krahët e atij që dashuroni. Beqarët do të pëlqejnë personat me të cilët i lidhin interesa të përbashkëta. Pamja nuk ka shumë rëndësi. Financat duhet t’i keni më në vëmendje se kurrë. Po arritët sot të ruani ekuilibrin, do ta keni më të lehtë ta përmirësoni situatën.

    Peshorja

    Raporti juaj me atë që keni në krah do të lërë shumë për të dëshiruar gjatë kësaj dite. Nuk do të merreni vesh dhe secili do të kërkojë të jetë “shefi”. Beqarët do t’i harrojnë ato që kanë kaluar dhe do të mendojnë të joshin persona të tjerë. Në planin financiar do të keni vështirësi ta stabilizoni gjendjen, por me pak durim dhe përpjekje edhe mund t’ia dilni.

    Akrepi

    Nëse jeni në një lidhje, asgjë nuk do të shkojë sipas parashikimeve. Të dy do të jeni të cekët në mendime dhe do të debatoni për gjëra të kota. Merrni kohën e duhur për të qëndruar pak vetëm dhe për të reflektuar. Beqarët do të realizojnë një takim i cili do t’u pëlqejë në çdo pikë. Në planin financiar do të jeni luftarakë dhe të vendosur ta përmirësoni sa më shpejt gjendjen e të ardhurave.

    Shigjetari

    Mëngjesi do të jetë delikat për të dashuruarit, por me kalimin e orëve do t’i kuptoni gabimet e bëra dhe do të mundoheni ta përmirësoni situatën. Beqarët do të tregohen të disponueshëm për të pasur njohje të reja. E gjithë jeta do të ndryshojë njëherë e mirë për ta. Në planin financiar do të keni shumë fat. Gjendja do të jetë shumë më e mirë nga sa ju e keni pritur.

    Bricjapi

    Duhet të bëni më shumë lëshime në jetën tuaj në çift sot, në mënyrë që lidhja me partnerin të ecë në rrugën e duhur. Po kërkuat të vendosni vetë për çdo gjë, do të keni probleme dhe debate. Beqarët ka rrezik të pranojnë të dalin me persona të gabuar, të cilët shumë shpejt do t’i bëjnë të vuajnë. Në planin financiar, me pak optimizëm dhe durim mund t’ia dilni të mos keni probleme.

    Ujori

    Do t’i qëndroni shumë besnikë partnerit tuaj sot, edhe pse tundimi do të jetë i madh. Partneri do të ndihet mjaft krenar që ju ka në krah dhe do të mendojë t’ju bëjë një propozim impresionues. Beqarët do të jenë me humor të mirë dhe do t’i pranojnë të gjitha ftesat që do t’u bëhen. Me financat duhet të jeni të kujdesshëm. Shpenzoni me kursim që të mos keni vështirësi.

    Peshqit

    Nuk do t’i kushtoni rëndësinë e duhur partnerit tuaj dhe duke e lënë pas dore, ka rrezik të filloni dalëngadalë ta humbni. Beqarët do të jenë gati të bëjnë çdo lloj sakrifice për të arritur atë që dëshirojnë. Personi i ëndrrave më në fund do të bëhet pjesë e jetës së tyre. Në planin financiar gjendja do të jetë delikate dhe priten goxha vështirësi. Nuk do të mateni fare kur të shpenzoni.

  • Punime në rrjetin e ujësjellësit, disa zona të Prishtinës mbesin pa ujë

    Punime në rrjetin e ujësjellësit, disa zona të Prishtinës mbesin pa ujë

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka bërë të ditur se një lagje dhe tri rrugë të Prishtinës do të ketë ndërprerje të furnizimit me ujë ditën e sotme, raporton Sinjali.

    Shkak i kësaj ndërprerjeje janë punimet në rrjetin e ujësjellësit në rrugën “Tirana”.

    Pa furnizim me ujë do të mbesin këto rrugë: Rruga” Tirana”, Rruga” Vicianum”, Rruga” Bashkim Fehmiu” dhe një pjesë e lagjes Kalabria.

    “Ju njoftojmë se për shkak të punimeve në rrjetin e ujësjellësit në rrugen “Tirana” nesër 29 tetor, do të ketë ndërprerje të furnizimit me ujë deri në sanimin e problemit.”, thuhet në njoftim.

  • Regjistrimi i votuesve me nevoja të veçanta për balotazh fillon sot

    Regjistrimi i votuesve me nevoja të veçanta për balotazh fillon sot

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se periudha për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta për balotazh do të fillojë sot dhe do të përfundojë më 4 nëntor.

    Për ta mundësuar votimin e personave të regjistruar, KQZ-ja do të angazhojë ekipet mobile gjatë 9 nëntorit – ditës së balotazhit.

    Për regjistrim është vënë në funksion platforma – vpnv.kqz-ks.org

    Regjistrimi i votuesve me nevoja të veçanta do të bëhet në bashkëpunim me institucione relevante dhe përmes platformës eletronike, e cila do të jetë e qasshme në kohën e fillimit të këtij procesi.

    Votuesit me nevoja të veçanta përfshijnë tri kategori kryesore:

      I. VOTUES ME NEVOJA TË VEÇANTA

    Votues me nevoja të veçanta, konsiderohen votuesit me zotësi juridike që nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre për të votuar personalisht në vendvotim, për shkak të paaftësisë fizike, shëndetësore ose çfarëdo paaftësie tjetër.

    Regjistrimi i këtyre votuesve mund të bëhet përmes platformës elektronike ose fizikisht në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku është votuesi.

    Vëmendje: Votuesit nga kjo kategori, që janë regjistruar në raundin e parë, nuk kanë nevojë të bëjnë regjistrimin e ri.

    II. VOTUESE ME LËVIZJE TË KUFIZUAR NË INSTITUCIONE

    Votues në institucione konsiderohen votuesit me zotësi juridike, me lëvizje të kufizuar në ndonjë institucion: votuesit në hospitalizim, njerëzit e moshuar në shtëpitë e caktuara për të moshuarit, personat në trajtim në institucionet e shëndetit mendor, të burgosurit në burgje dhe të paraburgosurit në qendrat e paraburgimit.

    Vëmendje: KQZ, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse do të bëjë përditësimin e listave të votuesve nga kjo kategori që janë regjistruar gjatë raundit të parë.

    III. VOTUES NË RRETHANA TË VEÇANTA

    Votues në rrethana të veçanta konsiderohen votuesit që për shkaqe sigurie dhe votusit që janë në arrest shtëpiak nuk mund të votojnë në vendovitimin e tyre të caktuar.

    Registrimi i votuesve që për shkaqe sigurie nuk mund të votojnë në vendvotim bëhet përmes platfomës elektronike të KQZ-së si dhe duke kërkuar asistimin e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku është votuesi, ndërkaq, KQZ në bashkëpunim me institucionet përkatëse bën evidentimin e qytetarëve me të drejtë vote që ndodhen nën masën e arrestit shtëpiak.

  • Moti për sot

    Moti për sot

    Sot parashikohet të mbajë mot me diell, derisa mëngjesi do të jetë mjaft i ftohtë.

    Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, me shpejtësi prej 9-25 km/h, njofton MeteoKosova.

    Temperaturat do të shënojnë ngritje, me minimale që do të lëvizin prej 1 deri në 5°C, ndërsa ato maksimale prej 15 deri në 19°C.