ATV

Author: G.O.

  • Shkon në 40 numri i të vdekurve nga tajfuni ‘Kalmaegi’ në Filipine

    Shkon në 40 numri i të vdekurve nga tajfuni ‘Kalmaegi’ në Filipine

    Të paktën 40 persona kanë humbur jetën dhe qindra mijëra janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, pasi një nga tajfunët më të fuqishëm të këtij viti ka përfshirë pjesën qendrore të Filipineve, njoftuan zyrtarët.

    Tajfuni Kalmaegi ka përmbytur zona të gjera, përfshirë qytete të tëra në ishullin më të populluar qendror, Cebu, ku janë regjistruar shumica e viktimave. Raportimet sugjerojnë se numri i viktimave pritet të rritet.

    Pamjet tregojnë njerëz që strehohen mbi çati, ndërsa makina dhe kontejnerë transporti janë tërhequr nga rrjedhat e ujit nëpër rrugë.

    Një helikopter ushtarak i dërguar për ndihmë humanitare u rrëzua në ishullin verior Mindanao, duke vdekur gjashtë anëtarët e ekuipazhit, bëri të ditur Forca Ajrore e Filipineve raporton BBCNews.

    Helikopteri u rrëzua pranë Agusan del Sur në Mindanao dhe ishte një nga katër që ishin dërguar për ndihmë.

    “Komunikimi me helikopterin u ndërpre, gjë që menjëherë shkaktoi nisjen e një operacioni kërkim-shpëtimi,” njoftoi PAF. Më vonë, një zëdhënëse konfirmoi se gjashtë trupat e pajetë të ekuipazhit ishin gjetur.

  • Bashkimi Evropian i vlerëson reformat e Ukrainës në synimin për t’iu bashkuar bllokut

    Bashkimi Evropian i vlerëson reformat e Ukrainës në synimin për t’iu bashkuar bllokut

    Bashkimi Evropian ka vlerësuar të martën progresin e Ukrainës në zbatimin e reformave për t’u bashkuar me bllokun, pavarësisht shqetësimeve të vazhdueshme për përpjekjet e saj në luftimin e korrupsionit.

    Në raportet e fundit vjetore për zgjerimin, Komisioni Evropian ka dhënë gjithashtu paralajmërime të ashpra për Serbinë dhe Gjeorgjinë, për shkak të prapambetjes demokratike që po shënohet në këto vende.

    Sipas Komisionit Evropian, Mali i Zi mund të përfundojë bisedimet e anëtarësimit në BE deri në fund të vitit të ardhshëm, duke e bërë vendin e parë në radhë për t’u bërë anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian.

    Raportet përfshijnë gjithsej 10 vende, shumica e tyre nga Ballkani Perëndimor, në një periudhë kur procesi i zgjerimit të BE-së konsiderohet pothuajse i bllokuar.
    Kroacia ka qenë vendi i fundit që është anëtarësuar në bllok, 12 vjet më parë.

    Pengesat e brendshme në BE

    Franca ka këmbëngulur se Bashkimi Evropian duhet të reformohet nga brenda përpara se të pranojë anëtarë të rinj, duke e konsideruar strukturën aktuale si tepër të ndërlikuar.
    Ndërkohë, vetot kombëtare të ushtruara nga Hungaria dhe gjithnjë e më shumë nga Sllovakia kanë ngadalësuar proceset vendimmarrëse dhe ekzekutive të BE-së, bllokut më të madh tregtar në botë.

    Perspektiva e anëtarësimit në BE vazhdon të mbetet një nxitës i fuqishëm për reforma pro-demokratike, duke nxitur tregtinë dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Megjithatë, shpresat në Ballkanin Perëndimor janë zbehur për shkak të dështimit të bllokut për të përmbushur angazhimet e tij ndaj vendeve aspirante.

    Ukraina, përparim në reforma, por luftë e ngadalshme kundër korrupsionit

    Pothuajse katër vjet pas pushtimit në shkallë të plotë nga Rusia, Komisioni Evropian ka vlerësuar Ukrainën për avancimin në reformat kryesore, por ka theksuar se është bërë “përparim i kufizuar” në luftën kundër korrupsionit.

    Një projektligj i diskutueshëm, që shihej si kërcënim për pavarësinë e agjencive kundër korrupsionit, shkaktoi këtë vit protesta të mëdha publike – të parat që nga fillimi i luftës – përpara se ligji të tërhiqej.

    Komisioni ka theksuar gjithashtu se agjencitë dhe grupet e shoqërisë civile në Ukrainë po raportojnë presion në rritje nga shteti dhe shërbimet e sigurisë.
    Sipas tij, “këto zhvillime hedhin dyshime mbi angazhimin e Ukrainës ndaj agjendës së saj kundër korrupsionit”.

    Megjithatë, raporti thekson se Ukraina mbetet e përkushtuar ndaj qëllimit ambicioz të përfundimit të bisedimeve të pranimit deri në fund të vitit 2028.

    “Për të përmbushur qëllimin, kërkohet një përshpejtim i ritmit të reformave, veçanërisht në lidhje me sundimin e ligjit”, thuhet në raportin e Komisionit Evropian.

    Reagimi i Zelenskyt

    Në një postim në Telegram, presidenti Volodymyr Zelensky e ka përshëndetur raportin si “provë se edhe pse vazhdon të mbrohet kundër agresionit në shkallë të plotë rus, Ukraina vazhdon të reformohet dhe të ndryshojë në përputhje me standardet evropiane”.

  • Dogana ndalon një rast të kontrabandës me produkte estetike

    Dogana ndalon një rast të kontrabandës me produkte estetike

    Njësitë operative të Doganës së Kosovës, gjatë një aksioni në magjistralen Prishtinë – Ferizaj, kanë arritur të identifikojnë dhe ndalojnë një veturë të dyshimtë që përdorej për shpërndarjen e paligjshme të mallrave të kontrabanduara.

    Sipas njoftimit, gjatë kontrollit të automjetit, oficerët doganorë kanë gjetur rreth 100 paketime të produkteve Botox dhe Filler, pa origjinë dhe pa dokumentacion përcjellës, me vlerë të përgjithshme prej 9,479.49 euro.

    “Hetimet e para tregojnë se këto produkte janë futur në Kosovë përmes rrugëve ilegale, duke shmangur kontrollin doganor dhe pa respektuar kushtet e ruajtjes që kërkohen për produktet e këtij lloji”, thuhet në njoftim.

    Më tej Dogana e Kosovës njofton se për shkak të natyrës së ndjeshme të këtyre produkteve, përdorimi i tyre paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, pasi ato nuk janë testuar, nuk kanë certifikim ligjor dhe janë ruajtur në kushte të papërshtatshme.

    “Dogana e Kosovës do të vazhdojë me procedurat hetimore në bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe apelon te qytetarët që të shmangin blerjen e produkteve të tilla të pasigurta dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë që lidhet me kontrabandën dhe tregtinë ilegale”, thuhet në njoftim.

  • Gjetjet kryesore për Kosovën në Raportin e Progresit të KE-së

    Gjetjet kryesore për Kosovën në Raportin e Progresit të KE-së

    Komisioni Evropian e ka publikuar të martën Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2024 ku thuhet se shteti ka bërë përparim, qoftë edhe të kufizuar, në disa fusha, por vë në pah ndikimin e ngërçit politik në rrugën evropiane të Kosovës.

    BE-ja i përpilon këto raporte për vendet që synojnë anëtarësimin në bllokun evropian, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    “Periudha e raportimit u ndikua nga politikat e brendshme përçarëse dhe një fushatë përplasjesh përpara zgjedhjeve të përgjithshme më 9 shkurt 2025, pasuar nga një bllokim politik paszgjedhor për shkak të pamundësisë dhe mungesës së vullnetit politik të partive politike për të gjetur një mënyrë për krijimin e institucioneve. Qeveria ka qenë në status të Qeverisë në detyrë që nga 23 marsi i vitit 2025 dhe ka funksione të kufizuara ekzekutive për të realizuar operacione të përditshme”, thuhet në raport.

    Bashkimi Evropian, sipas Raportit të Progresit, që nga maji i këtij viti ka ndërmarrë hapa “për heqjen graduale” të masave ndëshkuese që vendosi ndaj Kosovës më 2023 për shkak të situatës së tensionuar në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe.

    Raporti përmend se Kosova nuk i ka ratifikuar marrëveshjet që do t’i mundësonin të përfitonte nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor “për shkak të ngërçit politik”.

    Që nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Kosova ende nuk ka arritur të formojë ekzekutivin e ri, duke pamundësuar ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend.

    Plani i Rritjes – paketë në vlerë prej 6 miliardë eurosh, synon përshpejtimin e rrugës së shteteve të rajonit në BE.

    Kosovës i kanë rënë hise rreth 900 milionë euro – që do të thotë se për kokë banori është përfituesja më e madhe e këtyre mjeteve.

    Ngërçi politik dhe agjenda e BE-së

    Sa u përket zgjedhjeve të 9 shkurtit, në raport përmendet tha se ato u zhvilluan në mënyrë të lirë dhe demokratike, ndërkaq fushata zgjedhore ishte garuese, “shpesh me retorikë të ashpër, keqpërdorim të burimeve publike dhe presion socio-politik në zonat ku shumica e popullsisë janë serbë”.

    Sa i përket qeverisjes, “sfidat në raportin mes komunave dhe institucioneve qendrore vazhdojnë”, u tha në dokument.

    “Më 5 dhjetor 2024, Qeveria miratoi një numër ligjesh, me procedurë të përshpejtuar, duke rritur shqetësimet për parimet demokratike. Opozita, kritike e kësaj praktike, i sfidoi një sërë ligjesh në Gjykatën Kushtetuese”, tha raporti.

    Duke folur për procesin e integrimit evropian, raporti tha se ndërsa Kosova publikisht riafirmon përkushtimin ndaj agjendës të BE-së, politikat përçarëse të brendshme dhe mungesa e prioritizimit kanë penguar që ato të zbatohen në mënyrë efektive”.

    Ndërkaq, sa i përket Kuvendit, në raport thuhet se përbërja e mandatit të kaluar u përshkrua “me mungesë të konsensusit politik, shkeljeve procedurale, bojkoteve, thirrjeve të shpeshta të seancave të jashtëzakonshme dhe procedurave të përshpejtuara ligjore”.

    “Pavarësisht përmirësimeve të izoluara, sikurse përdorimi i sistemit për votim elektronik dhe publikimi i votave individuale të deputetëve, performanca e Kuvendit pësoi rënie”, u tha në Raportin e Progresit.

    Dokumenti përmend edhe dështimet e deputetëve për të konstituuar Kuvendin pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke theksuar se këto dështime “kanë minuar seriozisht funksionimin e institucioneve kyç demokratike”.

    Kuvendi u konstitua në fund të gushtit, pas një sërë përpjekjesh të dështuara dhe disa aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.

    Lufta kundër korrupsionit
    Kosova ka bërë “përparim të kufizuar” sa i përket luftimit të korrupsionit, u tha në gjetjet kryesore të Raportit të Progresit.

    “Kosova ka bërë përparim të mëtejmë në gjykimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, duke rezultuar në një numër të lartë të vendimeve përfundimtare nga gjykatat dhe shqiptim të dënimeve, ndërkaq numri i përgjithshëm i hetimeve dhe dënimeve të korrupsionit të nivelit jo të lartë ka rënë”.

    Komisioni Evropian [KE] tha se Kosova ende vazhdon të mos ketë një kornizë strategjike për luftën kundër korrupsionit.

    “Pavarësisht deklarimeve për angazhim politik për përmirësimin e masave kundër korrupsionit, nuk ka një qasje koherente për këtë çështje. Për të pasur një luftë të efektshme kundër korrupsionit në të gjitha nivelet, Kosova duhet t’i përdorë më mirë ligjet ekzistuese kundër korrupsionit, përfshirë të Ligjit për konfiskim. Mjetet parandaluese sikurse deklarimi i pasurisë dhe planet për integritet të institucioneve publike duhet të përdoren më mirë për të identifikuar dhe për të luftuar rrënjët e korrupsionit.

    KE-ja rekomandon që Kosova të forcojë edhe më shumë kapacitetin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, sa i përket stafit dhe ekspertizës, të zbatojë legjislacionin ekzistues dhe të miratojë një strategji kombëtare dhe plan të veprimit për luftën kundër korrupsionit 2025-2025 në linjë me praktikat më të mira dhe standardet e BE-së.

    Po ashtu vendit i rekomandohet që të përmirësojë cilësinë e hetimeve në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, të rrisë kapacitetin e njësisë së posaçme të hetimeve të Policisë në mënyrë që ajo të bashkëpunojë më mirë me Prokurorinë Speciale.

    Ndërkaq, duke folur për luftën kundër krimit të organizuar, Raporti gjeti se Kosova ka bërë përparim në këtë fushë.

    Gjyqësori dhe liria e shprehjes
    Kosova ka bërë përparim të kufizuar në funksionimin e sistemit gjyqësor, tha KE-ja, duke përmendur se ka pasur përmirësime sa i përket problemit të vonesave të rasteve gjyqësore dhe duke theksuar se janë ndërmarrë disa masa për digjitalizim.

    Në dokument thuhet se vendi është konsultuar me Komisionin e Venecias për një paketë ligjesh për gjyqësorin, duke bërë hapa drejt përafrimit me standardet evropiane.

    Por, Raporti vë në pah se dy institucionet, Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial vazhdojnë të funksionojnë pa përbërje të plotë.

    “Për shkak të bllokadës politike aktuale, vonesat në hartimin e reformave të drejtësisë kanë ndikuar negativisht në përpjekjet për forcimin e mekanizmave për përgjegjësi dhe efikasitet brenda gjyqësorit dhe prokurorisë. Ndikimi i papërshtatshëm nga jashtë dhe brenda është i pranishëm”.

    Sa u përket të drejtave themelore të njeriut, Kosova duhet të bëjë përpjekje më të mëdha për promovimin, mbrojtjen dhe zbatimin e tyre, tha Raporti i Progresit.

    Në dokument përmenden se janë bërë përparime sa i përket procesit të verifikimit të diplomave nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut dhe komisionit për verifikim i është zgjatur mandati.

    “Zbatimi i legjislacionit që mbron të drejtat e personave që i përkasin grupeve joshumicë, përfshirë të drejtat gjuhësore, ka nevojë për forcim. Disa masa të reja të miratuara nga qeveria kanë dobësuar më tej qasjen në shërbimet bazë për këto grupe. Miratimi i Kodit Civil dhe ndryshimet në Ligjin për lirinë e fesë mbeten të papërfunduara”.

    Në pjesën që flet për lirinë e shprehjes, Raporti përmend se Gjykata Kushtetuese ka anuluar Ligjin për Komisionin e Pavarur të Medias, “duke u dhënë autoriteteve udhëzime të qarta për të siguruar hartimin e shpejtë të një ligji të ri”.

    “Ndërsa peizazhi i mediave është pluralist, ai has sfida lidhur me transparencën në pronësinë e mediave dhe qëndrueshmërinë financiare. Mjedisi në veri të Kosovës mbetet kufizues, duke nxitur vetëcensurë te publiku, mediat dhe shoqëria civile”, thuhet në raport.

    Kosova këtë vit, sipas indeksit të Reporterët pa Kufij, ka shënuar rënien më të madhe në lirinë e mediave në 15 vjetët e fundit, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.

    Ndërkaq, sa u përket reformave në administratën publike, Raporti i bën thirrje Kosovës që të adresojë plotësisht rekomandimet e BE-së sa i përket Ligjit për zyrtarët publikë dhe aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për pagat në sektorin publik.

    Ndër rekomandimet që i bëhen Kosovës në këtë drejtim janë që t’i rrisë kapacitetet e shërbimit civil përmes punësimeve në bazë të meritave, të bëjë vlerësimin e performacës dhe të vendosë masa për të arritur barazi gjinore, të ulë numrin e pozitave vakante dhe me ushtrues detyre dhe të finalizojë sistematizimin dhe klasifikimin e vendeve të punës dhe të sigurohet që të funksionojë sistemi i ri i pagave.

    KE-ja rekomandon që të rritet numri i shërbimeve elektronike, që do të ulte barrën adminsitrative.

    Periudha raportuese e këtij dokumenti është nga 1 shtatori i vitit 2024 deri më 1 shtator 2025. Raporti përpilohet nga të dhëna të marra nga shumë burime, përfshirë nga Qeveria e Kosovës, shtetet anëtare të BE-së, raporte të Parlamentit Evropian dhe informacione nga organizata të ndryshme joqeveritare ndërkombëtare dhe vendore./REL

  • Osmani: Njësia e Operacioneve Speciale e FSK-së gjithmonë gati në shërbim të atdheut

    Osmani: Njësia e Operacioneve Speciale e FSK-së gjithmonë gati në shërbim të atdheut

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ndarë pamje të Forcës të Sigurisë së Kosovës.

    Krahas pamjeve Osmani ka shkruar në Facebook se FSK-ja është gjithmonë në shërbim të atdheut.

    “Njësia e Operacioneve Speciale e FSK-së: gjithmonë gati, gjithmonë në shërbim të atdheut”, ka shkruar ajo.

  • Konjufca: Duam qeveri afatshkurtër, sa për ta votuar buxhetin e shmangur zgjedhjet

    Konjufca: Duam qeveri afatshkurtër, sa për ta votuar buxhetin e shmangur zgjedhjet

    Mandatari i ri i Vetëvendosjes për kryeministër, Glauk Konjufca pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, ka shprehur shpresën se opozita do të reflektojë dhe do të kenë një bashkëpunim për të shmangur zgjedhjet në dhjetor dhe votimin e buxhetit.

    Deputeti i Kuvendit të Kosovës e ka bërë të qartë se kjo qeveri afatshkrutër do të jetë pa koalicione dhe ka potencuar se pret reflektimin partive ish-opozitare.

    “Ne do të kërkojmë ndonjë marrëveshje koalicioni me partitë politike. Ideja ka qenë e thjeshtë që të bëhet një qeveri e re për të shmangur zgjedhjet dhe e dyta që të provojmë të bashkëpunojmë për të pasur Kosova buxhetin e saj. Nëse këto dyja nuk bëhen nuk është për të mirë e Kosovës për këtë arsye VV-ja më propozoi për kryeministër unë e pranova, e shohim veprimin e presidentes, nuk e di teknikisht por kjo pritet të ndodhë. Nëse kjo nuk shmanget atëherë Kosova do të ketë pesë parë zgjedhje brenda vitit, e mos ta përmendim koston që është rreth 40 milionë euro që prej gjepave të juaj do të paguani. Ta keni parasysh që kur të arrijmë te momenti i presidentit nuk është e sigurt që një parlament i ardhshëm mundet me zgjidh çështjen e presidentit, për të shmangur dy parë zgjedhje të kemi qeveri së paku deri atëherë. Besoj që forcat opozitare do të reflektojnë dhe do të bashkëpunojmë. Ama jo për një qeveri afatgjate me koalicione vetëm thjeshtë ti thirrëm mendjes që këto gjëra të kalojnë”, ka deklaruar Konjufca.

  • Dogana kap produkte të falsifikuara të “Apple”

    Dogana kap produkte të falsifikuara të “Apple”

    Dogana e Kosovës, ka ndaluar produkte me markën tregtare “Apple”, të cilat dyshohen se shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale.

    Bëhet e ditur se gjatë kontrollit të detajuar, janë ndaluar 2,000 copë mbushës telefoni dhe 20 ora të mençura (smartwatch) që bartnin shenjat dalluese të markës “Apple”.

    “Ky veprim është pjesë e angazhimeve të vazhdueshme të Doganës së Kosovës për mbrojtjen e pronësisë intelektuale, luftimin e mallrave të falsifikuara, si dhe mbrojtjen e konsumatorëve dhe bizneseve të ligjshme në tregun e vendit”, thonë nga Dogana.

  • Vdiq ish-zëvendëspresidenti amerikan, Dick Cheney

    Vdiq ish-zëvendëspresidenti amerikan, Dick Cheney

    Ka vdekur në moshën 84-vjeçare, ish-zëvendëspresidenti amerikan, Dick Cheney.

    Cheney ka qenë zëvendës i George Bushit në periudhën 2001-2009.

    Ai vdiq si pasojë e komplikimeve nga pneumonia dhe sëmundjeve kardiovaskulare të hënën, ka njoftuar familja e tij.

    “Dick Cheney ishte njeri i mirë që i mësoi fëmijët dhe nipat se si duhet të duhet shteti jonë dhe si të jetohet me guxim, nder e dashuri”, thuhet në njoftim.

  • Basha për Konjufcën: Njeri me shumë vlera, na duhen Kuvend dhe Qeveri funksionale

    Basha për Konjufcën: Njeri me shumë vlera, na duhen Kuvend dhe Qeveri funksionale

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, është deklaruar pas propozimit të Glauk Konjufcës si mandatar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

    Para mediave, Basha e përshkroi Konjufcën si një “njeri me shumë vlera” dhe theksoi rëndësinë e krijimit sa më shpejt të një qeverie funksionale.

    “T’iu ikim zgjedhjeve, dhe e dyta kemi buxhetin e shtetit. Buxhetin e tri komunave dhe mbi 700 punonjës të RTK-së që i presin pagat. Na duhen Kuvend dhe Qeveri funksionale të vazhdojmë sa më shpejt”, tha kryeparlamentari.

    Ai nënvizoi se një qeveri funksionale është thelbësore për të siguruar stabilitetin e shtetit dhe shërbimet për qytetarët, duke shmangur vonesat dhe pasojat e mundshme të zgjedhjeve të parakohshme.

  • Pas nominimit të Konjufcës, Albin Kurti do të jetë ministër i Jashtëm në qeverinë e ardhshme

    Pas nominimit të Konjufcës, Albin Kurti do të jetë ministër i Jashtëm në qeverinë e ardhshme

    Pas nominimit të Glauk Konjufcës për mandatar të qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje, ish-kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se nëse qeveria e re formohet, ai do të marrë pozitën e Ministrit të Punëve të Jashtme.

    Këtë e ka konfirmuar vetë Kurti gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

    “Kabineti do të vazhdojë me të njëjtin përbërje që unë kam propozuar, ndërsa unë vetë marr vendin e Glaukut dhe Glauk Konjufca merr vendin tim”, tha Kurti.

    Ky zhvillim vjen pas vendimit të Lëvizjes Vetëvendosje për të propozuar kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, si mandatar për formimin e qeverisë së re – një veprim që, sipas partisë, synon stabilitet institucional dhe shmangien e zgjedhjeve të parakohshme.

    Në fjalën e tij, Konjufca ka theksuar se prioritetet e kabinetit të ardhshëm do të jenë ruajtja e stabilitetit politik, zbatimi i buxhetit dhe përkushtimi ndaj interesit publik.