ATV

Author: G.O.

  • Therja e zyrtarit të BE-së në Gjakovë, flasin nga QKUK-ja: Gjendja e tij është stabile

    Therja e zyrtarit të BE-së në Gjakovë, flasin nga QKUK-ja: Gjendja e tij është stabile

    Drejtori i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Naser Syla, ka bërë të ditur se gjendja e zyrtarit të Bashkimit Evropian, i cili u plagos rëndë me mjet të mprehtë, është stabile.

    Syla tha se i plagosuri është transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare për trajtim të mëtutjeshëm.

    “Gjendja e tij është stabile. Është transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare për trajtim të mëtutjeshëm”, u shpreh drejtori Syla.

    Viktima, rreth 49-vjeçar, i cili gëzon imunitet diplomatik, është transportuar nga Gjakova në QKUK për shkak të plagëve të rënda që mori. Ai fillimisht ishte paraqitur më 4 nëntor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë, ku mjekët konfirmuan se kishte dy plagë shpuese — një në qafë dhe një në gjoks.

    Për shkak të gjendjes së tij, ai nuk ka qenë në gjendje të japë deklaratë para autoriteteve.

    Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet për rastin, të cilin e ka cilësuar si “vrasje në tentativë”.

    Ende nuk dihen rrethanat e sakta të ngjarjes dhe vendndodhja e saktë ku ka ndodhur plagosja.

  • Mes lotësh, Neda Balluku rrëfen ndarjen pas 10 vitesh martesë: Nuk është hera e parë…

    Mes lotësh, Neda Balluku rrëfen ndarjen pas 10 vitesh martesë: Nuk është hera e parë…

    Neda Balluku ka thyer heshtjen për ndarjen nga Ogreni pas 15 vitesh bashkë.

    Në një intervistë mes shumë emocionesh në “Goca dhe Gra” në Top Channel, e rezervuar për detajet, ajo pranoi zhvillimin.

    “Lajmet janë të vërteta. Nuk është hera e parë që jam në këtë situatë. Një gjë e ngjashme ka ndodhur edhe pesë vite më parë, në 2020-ën. Atëherë ia kemi dalë ta kapërcejmë, dëshirë shumë e madhe për të mbajtur me thonj familjen e bashkuar. Si çdo nënë, si çdo grua shqiptare, nëse do ktheja kohën prapa do bëja të njëjtën gjë. Nga ai ribashkim erdhi në jetë goca ime e vogël, Suzie Ann”.

    “Prej shumë vitesh tashmë, marrëdhënia nuk është e shëndetshme. Prej disa kohësh, jetojmë të ndarë. Kjo është gjithçka që dua të them për këtë sepse do doja që këtë moment ta menaxhoja me privatësi sepse prioriteti më i madh, i vetëm, absolut janë fëmijët”.

    E pyetur se si janë fëmijët, ajo u tregua e prerë duke i kërkuar Rudina Dembacajt, që të “mos e ngacmojë tek fëmijët”.

    Neda u pa e përlotur teksa fliste për ngjarjen për të cilën deshi ta ruajë sa më shumë që qe e mundur privatësinë.

  • Nëntë vite nga vdekja e Astrit Deharit, rasti ende i pazbardhur, Kurti: Sistemi i drejtësisë të bëjë më tepër

    Nëntë vite nga vdekja e Astrit Deharit, rasti ende i pazbardhur, Kurti: Sistemi i drejtësisë të bëjë më tepër

    Janë bërë plot nëntë vite nga vdekja e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, por edhe pas thirrjeve të shumta e kohës që ka kaluar, rasti i Deharit ende mbetet i pazbardhur.

    Me rastin e përvjetorit, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë homazheve në nderim të Astritit, theksoi rëndësinë e domosdoshmërinë e zbardhjes së plotë të rastit.

    “I bëjmë thirrje sistemit të drejtësisë të bëjë më tepër dhe të angazhohet, sepse ky krim është një plagë e hapur, jo vetëm për familjen Dehari dhe Lëvizjen Vetëvendosje, por për mbarë popullin e Kosovës dhe Republikën tonë”, ka thënë ai.

    Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha bashkë me ministren në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiun dhe deputeten Shqipe Mehmeti-Selimi, kanë bërë homazhe pranë varrit të Astrit Deharit.

  • Ra dukshëm në zgjedhjet e së martës, Trump del me arsyetim për republikanët

    Ra dukshëm në zgjedhjet e së martës, Trump del me arsyetim për republikanët

    Zgjedhjet në të gjithë SHBA-në kanë dëshmuar një rënie të dukshme të republikanëve.

    Lideri amerikan, Donald Trump, ndërkaq ka dal me arsyetim pas “disfatës“ zgjedhore.

    Votuesit të martën i dhanë demokratëve një fitore të madhe, duke zgjedhur kandidatë nga e gjithë spektri ideologjik i partisë, një shprehje e gjallë e pakënaqësisë ndaj presidentit amerikan, Donald Trump thuajse një vit pas fillimit të mandatit të tij të dytë.

    Në Virginia, ish-kongresmenja e moderuar Abigail Spanberger arriti performancën më të fortë demokratike në historinë e fundit të shtetit, duke fituar me një avantazh të lehtë.

    Në New Jersey, një tjetër kongresmene e moderuar, Mikie Sherrill, shpërtheu koalicionin që Trump dhe kundërshtari i saj republikan, ish-kongresmeni shtetëror Jack Ciattarelli, kishin formuar për të zvogëluar diferencën në këtë shtet gjatë zgjedhjeve.

    Zohran Mamdani, ndërkohë është 34-vjeçari që do të udhëheq me New Yorkun.

    Mamdani shënoi herën e dytë këtë vit që ai mundi ish-guvernatorin Andreë Cuomo, fillimisht në primaret demokrate dhe pastaj në zgjedhjet e përgjithshme, ku Cuomo kandidoi si kandidat i pavarur me mbështetjen e Trumpit. Megjithatë, fushatat e tyre kishin disa elemente të përbashkëta. Edhe pse zgjidhjet e tyre ndryshonin, kandidatët u përqendruan te çështja e qasjes. Dhe të gjithë kritikuan ashpër performancën e Trumpit

    Trump në aën tjetër nuk humbi kohë për të arsyetuar vetën dhe republikanët.

    “Trump nuk ishte në fletën e votimit dhe mbyllja e qeverisë ishin dy arsye pse republikanët humbën zgjedhjet sonte”, shkroi Trump.

  • Krasniqi kërkon drejtësi për ish-krerët e UÇK-së: Shkuan në Hagë me kokën lart

    Krasniqi kërkon drejtësi për ish-krerët e UÇK-së: Shkuan në Hagë me kokën lart

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në pesë vjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara në Hagë, ka kërkuar drejtësi dhe liri për çlirimtarët.

    Krasniqi në një postim në Facebook, ka thënë se për 1,826 ditë ata dhe familjet e tyre kanë përballuar vuajtjen me qetësi, durim e besim.

    “Pesë vjet më parë, u ndaluan padrejtësisht katër nga udhëheqësit kryesorë të luftës çlirimtare: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Pesë vjet më vonë, procesi po vazhdon të zvarritet, padrejtësia të rritet ndërsa e vërteta që ne e njohim dhe e dijmë, ende s’e ka marrë verdiktin që e meriton. Ata shkuan në Hagë me kokën lart, pa u fshehur, pa u ankuar, pa kërkuar privilegje. Shkuan si burrështetas, si ushtarë të lirisë, me besim në drejtësi, me dinjitetin që ua dha historia dhe me dashurinë që ia dhanë Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.

    Më tej, ai ka theksuar se historia e vendit tonë është shkruar me gjak dhe sakrificë dhe se asnjë gjykatë nuk mund ta rishkruajë atë.

    “Sot, pesë vjet më vonë, me mirënjohje, mall e krenari, Kosova kërkon asgjë më pak se atë që u takon bijve të saj: Drejtësi, të vërtetën dhe liri për çlirimtarët!”, ka shkruar lideri i PDK-së. /Telegrafi/

  • 68 aksidente trafiku në 24 orët e fundit, Policia shqipton mbi dy mijë gjoba

    68 aksidente trafiku në 24 orët e fundit, Policia shqipton mbi dy mijë gjoba

    Mosrespektimi i rregullave të komunikacionit është një ndër arsyet e aksidenteve të shumta që po ndodhin çdo ditë. E një prej mënyrave të zakonshme për parandalimin e këtyre aksidenteve, është gjobitja e atyre që shkelin rregullat në trafik.

    Statistikat tregojnë se mijëra gjoba shqiptohen çdo ditë në vendin tonë.

    Sipas raportit të policisë, në këtë periudhë nuk është shënuar asnjë aksident trafiku me fatalitet, ku 27 kanë qenë me lëndime, ndërsa 41 me dëme materiale.

    Policia njofton se janë arrestuar 17 persona, ndërkaq 16 të tjerë janë dërguar në mbajtje.

    Policia ka vazhduar zbatimin e rregullave në komunikacion, ku brenda një dite ka shqiptuar gjithsej 2173 gjoba.

  • Australia ndalon Reddit për fëmijët nën 16 vjeç

    Australia ndalon Reddit për fëmijët nën 16 vjeç

    Forumi i njohur Reddit i është shtuar listës së mediave sociale të ndaluara në Australi për fëmijët nën moshën 16-vjeçare.

    Platforma e transmetimeve të drejtpërdrejta, Kick, i është shtuar gjithashtu listës, duke bërë që numri i faqeve të ndaluara të shkojë në nëntë. Këtu përfshihen edhe Facebook, X, Snapchat, TikTok, YouTube, Instagram dhe Threads.

    Nga 10 dhjetori, kompanitë teknologjike do të dënohen deri në 50 milionë dollarë australian nëse nuk marrin hapat e duhur për të deaktivizuar llogaritë ekzistuese për personat nën moshën 16-vjeçare dhe për të ndaluar ata që duan t’i hapin.

    “Ndalimi i qasjes së fëmijëve në rrjetet sociale do t’u japë atyre kohën që të mësojnë dhe të rriten, të çliruar nga forcat që dëmtojnë ata”, ka thënë komisionerja australiane për Sigurinë Elektronike, Julie Inman Grant.

    Shërbimet e mesazheve Discord dhe WhatsApp, si dhe platformat e lojërave Lego Play dhe Roblox nuk do të përfshihen, as Google Classroom dhe YouTube Kids.

    Nuk është e qartë se si kompanitë do ta zbatojnë ndalimin, i cili po monitorohet nga afër nga liderët globalë, por disa nga metodat e mundshme përfshijnë përdorimin e dokumenteve zyrtare të identifikimit, miratimin prindëror dhe teknologjinë e njohjes së fytyrës.

  • Zyrtar i BE-së plagoset me mjet të mprehtë, rasti hetohet si “vrasje në tentativë”

    Zyrtar i BE-së plagoset me mjet të mprehtë, rasti hetohet si “vrasje në tentativë”

    Një zyrtar i Zyrës së Bashkimit Evropian po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare pas plagëve të rënda që dyshohet se mori nga një mjet i mprehtë.

    Viktima, rreth 49-vjeçar, i cili gëzon imunitet diplomatik, është transportuar në Prishtinë për shkak të gjendjes shëndetësore.

    Sipas raportimeve, ai fillimisht u paraqit i plagosur në Qendrën kryesore të Mjekësisë Familjare Gjakovë më 4 nëntor. Mjekët konfirmuan se personi ka dy plagë shpuese, një në qafë dhe një në gjoks.

    Për shkak të plagëve të marra, ai nuk ka qenë në gjendje të japë deklaratë.

    Prokuroria e Krimeve të Rënda ka iniciuar hetimet për rastin, të cilin e ka cilësuar si “Vrasje në tentativë”. Ndërkohë, rrethanat e sakta të ngjarjes dhe vendndodhja ku ka ndodhur plagosja mbeten ende të panjohura për autoritetet.

  • “Planifikojmë ta bëjmë pas Kampionatit Botëror – bashkë me trofeun”, Ronaldo zbulon planet e dasmës me Georginan

    “Planifikojmë ta bëjmë pas Kampionatit Botëror – bashkë me trofeun”, Ronaldo zbulon planet e dasmës me Georginan

    Cristiano Ronaldo ka treguar së fundmi se dasma e tij me partneren e shumëvjeçare, Georgina Rodriguez, mund të ndodhë vetëm pasi ai të përmbushë një tjetër ëndërr të madhe në karrierë: fitimin e Kupës së Botës 2026 me Portugalinë.

    Në një intervistë të re, superylli portugez pranoi se planet për martesë kanë qenë prej kohësh pjesë e diskutimeve të çiftit, por të dy presin momentin e duhur. “E kishim planifikuar ta bënim pas Kupës së Botës – me trofeun”, tha Ronaldo, duke lënë të kuptohet se ideja e kurorëzimit vjen e lidhur me një sukses historik për kombëtaren e tij.

    Ronaldo zbuloi gjithashtu se Georgina preferon një ceremoni të qetë dhe intime, larg syrit të publikut. “Ajo nuk i pëlqen festat e mëdha. Do të respektoj vendimet e saj”, u shpreh sulmuesi, i cili madje e ftoi moderatorin Piers Morgan të jetë pjesë e ‘stag party’-t të tij.

    Në vitin 2026, Ronaldo do të jetë 41 vjeç, por megjithatë mbetet i vendosur të udhëheqë Portugalinë drejt një tjetër suksesi madhor. Kombëtarja portugeze pritet të ketë një skuadër të fortë dhe ambicioze në Botërorin e Amerikës së Veriut, ndërsa vetë Ronaldo shpreson ta mbyllë karrierën ndërkombëtare me një triumf historik.

    Ndërsa pritshmëritë rriten, fansat po ashtu presin me kureshtje nëse ëndrra e tij për trofeun – dhe më pas dasmën – do të bëhet realitet. /Telegrafi/

  • Avioni në ShBA shpërthen në flakë pas ngritjes – humbin jetën 7 persona, 11 të tjerë të plagosur

    Avioni në ShBA shpërthen në flakë pas ngritjes – humbin jetën 7 persona, 11 të tjerë të plagosur

    Shtatë persona humbën jetën dhe të paktën 11 të tjerë u plagosën kur një aeroplan mallrash i kompanisë UPS u rrëzua dhe shpërtheu në flakë gjatë ngritjes nga Aeroporti Ndërkombëtar i Louisville Muhammad Ali, mbrëmjen e së martës.

    Guvernatori i Kentucky-t, Andy Beshear, deklaroi se tre anëtarët e ekuipazhit ndoshta janë mes viktimave. “Kushdo që ka parë imazhet e përplasjes e di se sa i dhunshëm ishte ky incident”, deklaroi ai.

    Fluturimi 2976 i UPS, me destinacion Honolulu, Hawaii, transportonte rreth 38,000 gallonë (144,000 litra) karburant kur doli nga pista dhe goditi disa ndërtesa aty pranë, duke shkaktuar shpërthime të fuqishme dhe re të dendura tymi.

    Zjarri përfshiu të paktën dy biznese afër aeroportit, përfshirë një kompani riciklimi nafte. Autoritetet shpallën fillimisht një urdhër strehimi për banorët brenda një rrezeje prej pesë miljesh për shkak të rrezikut nga ndotja dhe shpërthime të mundshme, i cili më pas u reduktua në një milje.

    Shefi i zjarrfikësve të Louisville, Brian O’Neill, tha se zjarri është “pothuajse nën kontroll”, por ekipet po vijojnë kërkimet për viktima të tjera. “Na duhen qindra persona për ta izoluar dhe për ta shuar plotësisht një zjarr të kësaj shkalle, shtoi ai.

    Të gjitha fluturimet e nisjes në aeroport u anuluan, ndërsa vendi i rrëzimit do të mbetet “skenë aktive për disa ditë”, sipas policisë lokale.

    Guvernatori Beshear u kërkoi qytetarëve të mos afrohen në zonë, duke paralajmëruar për rrezikun e materialeve të ndezshme. Ai tha se Byroja Kombëtare e Sigurisë së Transportit (NTSB) do të drejtojë hetimin mbi shkaqet e aksidentit, me ekipin hetimor që pritet të mbërrijë në Kentucky këtë të mërkurë (5 nëntor).