ATV

Author: G.O.

  • Publikohen pamjet dramatike, momenti kur aeroplani në ShBA shpërthen në flakë pas ngritjes

    Publikohen pamjet dramatike, momenti kur aeroplani në ShBA shpërthen në flakë pas ngritjes

    Një aksident ajror tragjik ka tronditur Shtetet e Bashkuara mbrëmjen e së martës, pasi një avion ngarkesash i kompanisë UPS shpërtheu në flakë gjatë ngritjes nga Aeroporti Ndërkombëtar i Louisville, në shtetin e Kentucky-t.

    Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin dramatik kur avioni përfshihet nga flakët gjatë ngritjes, me zjarr që del nga motori i majtë dhe më pas ndodh një shpërthim i fuqishëm që ndriçon qiellin e natës.

    Në video shihet qartë se avioni tenton të ngrihet, por më pas kthehet në një top zjarri dhe përplaset në tokë, duke krijuar një re gjigante tymi.

    Sipas autoriteteve, avioni i tipit McDonnell Douglas MD-11, që transportonte rreth 150 mijë litra karburant, u rrëzua në një zonë industriale pranë aeroportit, duke shkatërruar dy biznese – një uzinë riciklimi nafte dhe një oborr pjesësh makinash.

    Raportohet se dy punonjës të këtyre ndërmarrjeve janë ende të zhdukur.

    Të paktën shtatë persona kanë humbur jetën si pasojë e përplasjes, ku tre prej tyre u konfirmuan se ndodheshin në bord, ndërsa 11 të tjerë u plagosën në tokë.

  • MPB-ja publikon platformën e re informuese për rregullat e udhëtimit në zonën Schengen

    MPB-ja publikon platformën e re informuese për rregullat e udhëtimit në zonën Schengen

    Ministria e Punëve të Brendshme ka lansuar faqen e re Paviza.eu, e cila synon t’i informojë qytetarët për rregullat dhe procedurat e udhëtimit në zonën Schengen.

    Platforma ofron informacione të detajuara për kushtet e hyrjes, dokumentacionin e nevojshëm dhe udhëzimet për qytetarët që planifikojnë të udhëtojnë pa viza drejt vendeve të BE-së.

    Kjo faqe përmban të gjitha informatat e nevojshme dhe veglat ndihmëse për planifikimin e udhëtimit në BE sipas rregullave.

    Informatat dhe veglat janë të ndara në faqe të veçanta për qasje të lehtë

    • Udhëzime të thjeshta për udhëtim: Këtu janë informatat kryesore për vizita deri në 90 ditë për turizëm, vizita familjare ose biznes. Këtu gjinden gjithashtu informatat për sistemin e ri të regjistrimit të hyrjeve dhe daljeve, Entry/Exit System (EES).
    • Listë kontrolli për udhëtarë: Këtu është lista me dokumentet e nevojshme për udhëtim në zonën Schengen.
    • Kalkulatori i qëndrimit: Është një mjet i thjeshtë që ndihmon në llogaritjen e ditëve të qëndrimit në zonën Schengen.

    Për më shumë informacion, vizitoni faqen zyrtare: www.paviza.eu

  • Aksident trafiku në Carralevë – një person lëndohet

    Aksident trafiku në Carralevë – një person lëndohet

    Një person ka mbetur i lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur rreth orës 02:23 të mëngjesit të sotëm në fshatin Carralevë të Shtimes.

    Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka konfirmuar se në aksident janë përfshirë dy vetura.

    I dëmtuari është dërguar për trajtim mjekësor në Shtime, ku ka marrë ndihmën e nevojshme.

    Sipas Veselit, njëra nga veturat e përfshira në aksident kishte targa vendore, ndërsa tjetra targa të huaja. Rrethanat e plota të aksidentit janë duke u hetuar nga njësitë policore.

  • Të paktën 10 të vdekur pas zjarrit në një shtëpi të pleqve në Bosnjë

    Të paktën 10 të vdekur pas zjarrit në një shtëpi të pleqve në Bosnjë

    Një zjarr që shpërtheu në një azil pleqsh në verilindje të Bosnjë e Hercegovinës ka lënë të vdekur 10 persona dhe 20 të tjerë të plagosur.

    Flaka filloi të martën në mbrëmje në qendrën e pleqve në qytetin e Tuzlës, duke shpërthyer në katin e shtatë pak pas orës 20:45 sipas orës lokale, shkruan BBC.

    Rreth 20 persona u dërguan në një qendër mjekësore për trajtim, përfshirë zjarrfikës, oficerë policie, punonjës mjekësorë, punonjës dhe banorë të azilit, tha një zëdhënës i policisë.

    Ndërsa shkaku i zjarrit nuk ishte menjëherë i qartë, kryeministri Nermin Nikshiq e quajti ngjarjen “një katastrofë me përmasa të mëdha”.

    “Sipas informacioneve paraprake, 10 banorë të azilit të pleqve në Tuzla humbën jetën në zjarr”, tha zëdhënësi i policisë.

    Zyrtarët thanë se një hetim i plotë do të kryhet sapo kushtet të jenë të sigurta.

    Pamjet nga vendi i ngjarjes tregonin flakë që dilnin nga dritaret e një kati të sipërm të azilit të pleqve.

    Sipas një zëdhënësi të qendrës klinike të Universitetit të Tuzlës, disa pacientë po trajtoheshin për helmim nga monoksidi i karbonit, tre prej të cilëve ishin në kujdes intensiv.

  • Vdes në QKUK gruaja që u aksidentua ditë më parë në Fushë Kosovë

    Vdes në QKUK gruaja që u aksidentua ditë më parë në Fushë Kosovë

    Një grua e cila u aksidentua më 1 nëntor në rrugën “Nëna Terezë” në Fushë Kosovë, ka ndërruar jetë pas lëndimeve të rënda që mori gjatë aksidentit. Ajo ishte duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), por që nuk ka arritur të mbijetojë nga plagët e marra.

    Sipas raportit të Policisë, aksidenti ka ndodhur më datën 1 nëntor 2025 rreth orës 21:50, dhe viktima ka qëndruar për disa ditë në spital për trajtim mjekësor. Pas 3 ditësh, më 4 nëntor, ajo ka ndërruar jetë.

    “Lidhur me rastin është raportuar se viktima femër kosovare, e cila ka qenë duke u trajtuar në QKUK, me datë 04.11.2025 ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion,” thuhet në raportin e policisë.

    Hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit janë duke vazhduar.

  • A zgjoheni gjatë natës? Arsyeja mund të jetë më interesante se mendoni

    A zgjoheni gjatë natës? Arsyeja mund të jetë më interesante se mendoni

    Para shumë shekujsh, njerëzit flinin në dy periudha të ndara dhe trupi ynë ende e kujton atë ritëm

    Njerëzit dikur shkonin në shtrat menjëherë pas perëndimit të diellit, zgjoheshin rreth mesnatës dhe më pas flinin sërish deri në agim, sipas burimeve historike nga Evropa, Azia dhe Afrika.

    Ky ndërprerje e natës nuk ishte pengesë, përkundrazi, përfaqësonte një pushim natyror që ndryshonte perceptimin e kohës. Edhe netët dimërore ishin “të ndara”, gjë që i bënte më të përballueshme.

    Gjatë atij intervali “të qetë”, shumë njerëz kryenin punë të thjeshta (ndiznin zjarrin ose kontrollonin bagëtinë). Disa e shfrytëzonin kohën për lutje, reflektim ose shoqërim me familjen, ndërsa në shumë shkrime përmendet se atëherë njerëzit lexonin, shkruanin ose kalonin kohë me partnerin. Ky model i gjumit ishte i zakonshëm për shekuj me radhë, derisa ndryshimet e sjella nga revolucioni industrial e zëvendësuan.

    Shfaqja e ndriçimit artificial ndryshoi marrëdhënien tonë me natën, në fillim ishin llambat me vaj, më pas ato me gaz, e më vonë dritat elektrike. Të gjitha këto shpikje zgjatën kohën e zgjimit, ndërsa drita e fortë në mbrëmje ndikoi edhe në ritmin biologjik.

    Ajo pengonte sekretimin e melatoninës dhe e shtynte fillimin e gjumit më vonë. Deri në fillim të shekullit XX, ritmi i ri i jetës, i përshtatur me turnet fabrikës dhe zakonet shoqërore, na imponoi një gjumë të gjatë, të pandërprerë.

    Megjithatë, shkencëtarët kanë vënë re se kur njerëzit në eksperimente moderne kthehen në kushte pa dritë artificiale dhe pa orë, ata shpesh rikthehen spontanisht në gjumin me dy faza. E njëjta gjë vërehet edhe në komunitete që ende jetojnë pa energji elektrike, si popullatat bujqësore në Madagaskar, ku shumë njerëz zgjohen natyrshëm rreth mesnatës.

    Studimet tregojnë gjithashtu se drita ndikon në perceptimin e kohës: në dhoma më të errëta, njerëzit shpesh mendojnë se ka kaluar më shumë kohë sesa në ato të ndriçuara, dhe kur janë në humor të keq, ky efekt bëhet edhe më i theksuar, shkruan Science Alert, përcjell Telegrafi.

    Kalimi në fazën e dytë

    Zgjimet gjatë natës, pra, nuk janë shenjë që diçka nuk është në rregull. Ndërprerjet e shkurtra të gjumit janë të zakonshme dhe ndodhin gjatë kalimit nga një fazë gjumi në tjetrën, por problemi shpesh qëndron në mënyrën se si reagojmë.

    Kur zgjohemi në orën tre të mëngjesit dhe shohim orën, duket sikur koha qëndron në vend. Ankthi dhe qetësia e thellë e natës e shtojnë ndjesinë se koha s’po kalon, ndaj disa minuta mund të duken si përjetësi.

    Pikërisht për këtë arsye, ekspertët këshillojnë që, nëse nuk mund të flini më shumë se njëzet minuta, të ngriheni, të ulni ndriçimin, të lexoni diçka qetësuese dhe të ktheheni në shtrat sapo të ndjeni përgjumje. Po ashtu, përpiquni ta mbuloni orën, sepse vështrimi i saj i vazhdueshëm vetëm sa e shton ankthin.

    Pranimi i faktit që zgjimet e shkurtra janë pjesë e ritmit natyror mund të zvogëlojë stresin dhe t’ju ndihmojë të riflini më lehtë. /Telegrafi/

  • Ku t’i mbajmë pecetat e kuzhinës: këtë gabim e bëjnë pothuajse të gjitha amvisat

    Ku t’i mbajmë pecetat e kuzhinës: këtë gabim e bëjnë pothuajse të gjitha amvisat

    Shumicës u duket një zgjidhje e thjeshtë dhe e qartë se ku duhet të mbajmë pecetat e kuzhinës, por ajo që është befasuese, pothuajse të gjithë gabojmë

    Edhe pse duhet të jenë gjithmonë në dorë të parë dhe të thahen siç duhet, është e rëndësishme të duken të rregullta, jo shumë të rrudhosura apo të pista.

    Megjithatë, këto copëza të vogla pëlhure janë pjesë e rëndësishme dhe funksionale e kuzhinës, prandaj është mirë të zgjedhim vendin e duhur ku do t’i mbajmë.

    Në skajin e lavamanit

    Këtu peceta duket bukur për fotografi, por përveç nëse keni lavaman me ndarje dhe rubinet të kthyer nga ana tjetër, mund të jetë jo praktike pasi peceta do të laget sa herë që hapni ujin.

    Në mur

    Kjo është një zgjidhje e mirë për ruajtjen dhe ekspozimin e pecetave të kuzhinës që nuk janë aktualisht në përdorim. Nëse dëshironi të varni peceta të lagështa, sigurohuni që muri të ketë përfundim rezistent ndaj ujit ose që të ketë mjaftueshëm hapësirë midis mbajtësit dhe murit, në mënyrë që pecetat të thahen shpejt.

    Në dorezën e enëlarëses

    Shumica e dorezave të enëlarëseve ofrojnë vend të përshtatshëm për të varur një pecetë kuzhine. Dhe, përderisa enëlarëset zakonisht ndodhen afër lavamanit, kjo është një zgjidhje logjike, të paktën për ata që kanë enëlarëse dhe nuk e kanë problem nëse peceta rrëshqet herë pas here kur hapen dyert, transmeton Telegrafi.

    Në dorezën e sobës

    Nëse nuk keni enëlarëse, doreza e sobës afër mund të shërbejë për të njëjtin qëllim. Por le të jemi të sinqertë – nëse keni enëlarëse dhe përsëri i varni pecetat në dorezën e sobës, me gjasë ato janë pecetat “e bukura” që i mbani për pamje, jo për përdorim. Nuk ka asgjë të keqe të varni disa peceta në vende të dukshme vetëm për zbukurim.

    Në raftet anësore të murit

    Nëse keni ndonjë dollap ose mur që përfundon pranë lavamanit, kjo mund të jetë një zgjidhje e përshtatshme. Vetëm kujdes që rafti ose mbajtësja të mos zgjatet në korridorin e kalimit. Nëse e vendosni në një pjesë më pak të frekuentuar, do të shmangni përplasjet e vazhdueshme me të.

    Në shufër (mbajtëse metalike)

    Ashtu si keni peshqirin pranë lavabosë në banjë për tharje duarsh, mund të aplikoni të njëjtin parim edhe në kuzhinë. Vendosni një mbajtëse për pecetë në anën e dollapit të sipërm ose në murin afër lavamanit. Disa njerëz preferojnë të kenë një pecetë veç për duar, ndërsa të tjerët e përdorin të njëjtën për çdo tharje.

    Në shufër nën lavaman

    Vendosja e një shufre metalike nën lavaman është mënyrë e shkëlqyer për të shfrytëzuar këtë hapësirë të vështirë dhe për t’i pasur pecetat gjithmonë pranë.

    Mbi rubinet

    Në shikim të parë duket praktike të varni një pecetë, veçanërisht kur është e lagur, mbi rubinetin e lavamanit. Megjithatë, këtu fshihen rreziqe të padukshme. Mikroorganizmat nga peceta mund të kalojnë në rubinet, në grykë ose në dorezat e tij, dhe gjatë përdorimit të ardhshëm të përfundojnë në ujë apo në duar, prandaj ky nuk është vend i përshtatshëmpër ta mbajtur.

    Përfundim:

    Vendosja e pecetave të kuzhinës kërkon më shumë kujdes sesa mendojmë. Zgjidhni vend që lejon tharje të mirë, është i pastër dhe praktik në mënyrë që të ruani higjienën dhe pamjen e rregullt të kuzhinës. /Telegrafi/

  • Zohran Mamdani mundi miliarderët dhe u bë kryetari i parë mysliman i New Yorkut

    Zohran Mamdani mundi miliarderët dhe u bë kryetari i parë mysliman i New Yorkut

    Kandidati demokrat, Zohran Mamdani u zgjodh të martën kryebashkiaku i 111-të i New Yorkut, duke mposhtur ish-guvernatorin, Andrew Cuomo dhe kandidatin republikan, Curtis Sliwa, dhe shkroi histori si myslimani i parë që bëhet kryebashkiak i qytetit.

    Politikani 34-vjeçar, demokrato-socialist dhe anëtar i asamblesë shtetërore nga Queens, siguroi fitoren me më shumë se 50 për qind të votave. Cuomo (67) përfundoi i dyti me pak mbi 40 për qind, ndërsa kandidati republikan Curtis Sliwa mori pak mbi 7 për qind të votave.

    Fitorja historike e Mamdanit u shpall në mes të një vale fitoreje demokratike në të gjithë vendin, ndërsa kongresistja Abigail Spanberger u bë guvernatorja e parë e Virginias, Mikie Sherrill mundi kundërshtarin e mbështetur nga presidenti amerikan, Donald Trump në New Jersey, dhe Kalifornia votoi një propozim për rishpërndarje zonash që do t’i sillte partisë pesë vende të reja në Kongres.

    Turma në festën zgjedhore të Mamdanit në Brooklyn Paramount shpërtheu në gëzim pasi Associated Press e shpalli fituesin e garës. Njerëzit brohoritnin dhe përqafoheshin nga gëzimi.

    Përveçse është myslimani i parë që bëhet kryebashkiak i New Yorkut, Mamdani është gjithashtu kryebashkiaku i parë me origjinë nga Azia e Jugut dhe më i riu në më shumë se një shekull.

    Kryebashkiaku aktual, Eric Adams, i cili kandidonte për një mandat të dytë si i pavarur, u tërhoq nga gara në muajin shtator.

    Kur Mamdani nisi fushatën për kryebashkiak vjeshtën e kaluar, ai ishte një deputet shtetëror relativisht i panjohur. Por mesazhi i tij, i përqendruar në përballueshmëri dhe udhëtimet e shumta nëpër qytet, fitoi shpejt mbështetje dhe rezonoi me mijëra banorë të New Yorkut. Programi i tij parashikonte ngrirjen e qirave për banesat me qira të stabilizuara, ndërtimin e më shumë banesave të përballueshme, rritjen e pagës minimale në 30 dollarë në orë, transport publik falas me autobusë, taksa më të larta për më të pasurit e qytetit dhe më shumë masa progresive.

    Gara tërhoqi vëmendje kombëtare dhe politikanë e analistë nga e gjithë spektri politik morën pjesë në debat. Madje edhe Donald Trump u përfshi, duke e quajtur Mamdanin “radikal” dhe “komunist”.

    Të hënën, në prag të zgjedhjeve, Trump mbështeti Cuomon për kryebashkiak, duke thënë se nëse Mamdani fiton, do të ishte “shumë pak e mundshme” që qyteti të merrte fonde federale “përveç atyre minimalisht të nevojshme”.

    “Pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo personalisht Andrew Cuomo, në të vërtetë nuk keni zgjedhje tjetër. Duhet të votoni për të dhe të shpresoni që do të bëjë një punë të shkëlqyer. Ai është i aftë për këtë, Mamdani jo!”, shkroi Trump në një postim në Truth Social.

    Miliarderi Elon Musk gjithashtu u bëri thirrje banorëve të New Yorkut të votonin për Cuomon.

    I lindur në Ugandë nga prindër indianë, Mamdani u shpërngul në New York me familjen e tij në moshën shtatëvjeçare dhe u bë qytetar amerikan në vitin 2018. Në muajin korrik, Trump përmendi mundësinë e heqjes së shtetësisë së Mamdanit – një kërcënim që ai e dënoi si “jo vetëm një sulm ndaj demokracisë sonë, por edhe një përpjekje për t’u dërguar mesazh çdo njujorkezi që refuzon të fshihet në hije: nëse flisni, do të vijnë pas jush”.

    Pavarësisht sulmeve, fushata e Mamdanit pati një efekt domino në të gjithë vendin. Në muajin gusht, The Guardian raportoi se fushata e tij kishte frymëzuar mbi 10 mijë progresistë në SHBA të shqyrtojnë kandidimin për poste publike. /Telegrafi/

  • Pse nuk duhet të debatoni nëse jeni të zemëruar

    Pse nuk duhet të debatoni nëse jeni të zemëruar

    Ne nuk duhet të nisim kurrë një debat, nëse jemi të zemëruar. Ndoshta të gjithë e dinë që kjo është e vërtetë. Por ndonjëherë, ne humbasim kontrollin e emocioneve tona gjatë një debati të nxehtë, dhe nuk mundemi të ndalemi e të shuajmë një debat, deri kur është shumë vonë.

    Ja tre arsye përse nuk duhet të debatojmë kur jemi të zemëruar.

    Ju mendoni që të gjithë janë kundër jush

    Kur ndiheni të zemëruar, ju humbisni kontrollin jo vetëm të emocioneve, por edhe të asaj që besoni, kjo për shkak të mënyrës si funksionon truri ynë së brendshmi. Psikologët thonë që nëse jemi në humor të keq, ne e konsiderojmë cdo fjalë apo gjest që bën kundërshtari, si fyerje. Kështu do përfundojmë duke i bërtitur edhe më shumë, pa patur arsye. Dhe e gjithë kjo do të përfundojë me fundin e marrëdhënies.

    Ju pa e kuptuar e zemëroni kundërshtarin

    Gjatë shumë studimeve, shkencëtarët kanë provuar gjithashtu se nëse jeni të zemëruar, të tjerët nisin të ndihen edhe ata të zemëruar. Ky fakt vetëm sa rrit mundësinë që ju të mos jeni në gjendje të zgjidhni si duhet një konflikt, kur ndiheni të zemërua.

    Nuk do të jeni në gjendje të dëgjoni kundërshtarin

    Zemërimi bllokon aftësinë tuaj për të qenë racionalë. Prandaj gjatë debatit ju mendoni më keq për tjetrin, se sa kur jeni të qetë.

    Në këtë situatë, ju s’do jeni në gjendje që të jeni të paanshëm kundrejt partnerit. Por nëse gjatë një debati ju e shihni kundërshtarin si një person të zgjuar e karizmatik, ju s’do të mendoni që problemi është kaq i rëndë, dhe do të jeni në gjendje ta zgjidhni më shpejt dhe me efektshmëri.

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Intervale me diell parashihen për ditën e mërkurë, megjithëse kohëpaskohe kalojnë vransira, mirëpo nuk priten kushte për të reshura. Në aspektin termik mbetet ende ftohtë, me minimale që zbresin deri në 3C e 5C, derisa maksimalet luhaten ndërmjet 12C e 15C. Frynë erë e lehtë dhe mesatare verilindore 3-7m/s.

    Mjegull paraqitet orëve të mëngjesit përgjatë ultësirave ditën e enjtë, ndërkohë që gjatë ditës dominojnë vransirat, por pa mundësi për të reshura. Alternime në mes vransirash dhe intervaleve me diell parashihen ditën e premtë, me pak mundësi për ndonjë rigë shiu të zhvillohen në pjesë të vendit. Temperaturat maksimale luhaten shkojnë deri në 12C e 14C, e ato minimale zbresin në 2C e 3C. Reshje shiu përfshinë vendin orëve të mbrëmjes të ditës së shtunë, e ditën e diel, shfaqen si riga lokale në pjesë të vendit. Temperaturat maksimale shënojnë një rritje të lehtë, përreth mesatareve në 14C e 16C. Erërat frynë të lehta dhe mesatare nga verilindja 2-6m/s, e në fundjavë ndryshojnë drejtimin në juglindore.