ATV

Author: G.O.

  • Berisha paralajmëron protesta për rrëzimin e Ramës: Do përballemi dhëmbë për dhëmbë

    Berisha paralajmëron protesta për rrëzimin e Ramës: Do përballemi dhëmbë për dhëmbë

    Kryetari i PD-së në Shqipëri, Sali Berisha, ka paralajmëruar protesta deri në rrëzimin e Edi Ramës.

    Me një ton jo fort të butë, Berisha madje është shprehur se do përballen “dhëmbë për dhëmbë” deri në rrëzimin e këtij të fundit.

    “Do përballemi dhëmbë për dhëmbë me Edi Ramën. Koha është e guximtarëve”, theksoi Berisha në konferencë për media.

    Ai ka thënë madje se ‘protestat e PD-së e çuan Erion Veliajn në burg’.

    “Ju garantoj unë ju, se po të mos ishin protestat e udhëhequra nga Belind Këlliçi, 46 javë në cdo lloj moti, Erion Veliaj do të ishte në zyrë sot. Në vlerësimin tim, ndër më eficentet dhe më të rëndësishmet që ka bërë PD. Ai përbënte një rrezik madhor për vendin me karakterin e tij, në cdo aspekt, me të ne shpëtuam vendi nga gjysma e zezë e Edi Ramës”, tha Berisha.

  • Paraburgim ndaj të dyshuarit që kanosi një gjyqtar në Ferizaj

    Paraburgim ndaj të dyshuarit që kanosi një gjyqtar në Ferizaj

    Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj personit me inicialet A.N., i cili dyshohet se ka kanosur një gjyqtar të kësaj gjykate gjatë ditës së hënë, më 3 nëntor.

    Sipas njoftimit të gjykatës, masa u caktua pas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Ferizajt, ndërsa vendimin e mori gjyqtarja e procedurës paraprake, Hakile Ilazi, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe shqyrtimit të provave në dosje.

    Bazuar në hetimet fillestare, i pandehuri A.N., pas refuzimit për të pranuar aktgjykimin me të cilin ishte shpallur fajtor, kishte kërkuar takim me gjyqtarin I.B., por pasi kërkesa iu refuzua, ai kishte shpërthyer në tone kërcënuese dhe ofenduese në prani të stafit të gjykatës dhe praktikantëve.

    Në njoftim thuhet se i dyshuari kishte kanosur me fjalë gjyqtarin, duke thënë: “Veç mos e zafsha në udhë qat I.”, dhe kishte përdorur shprehje të tjera ofenduese, me ç’rast tek i dëmtuari ishte shkaktuar ankth dhe ndjenjë pasigurie.Prokuroria e ngarkon të pandehurin me veprën penale “Kanosje”.

  • Thellohet bilanci i viktimave në Filipine, 85 të vdekur nga tajfuni ‘Kalmaegi’

    Thellohet bilanci i viktimave në Filipine, 85 të vdekur nga tajfuni ‘Kalmaegi’

    Të paktën 85 persona kanë humbur jetën dhe qindra mijëra të tjerë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre pasi një nga tajfunët më të fuqishëm të këtij viti, Kalmaegi, ka goditur Filipinet qendrore, kanë njoftuar autoritetet.

    Tajfuni ka shkaktuar përmbytje masive në ishullin Cebu, ku ndodhen 49 nga viktimat, ndërsa 26 persona të tjerë rezultojnë të zhdukur, ka bërë të ditur një zyrtar i mbrojtjes civile.

    Pamjet nga terreni tregojnë njerëz të strehuar në çati, teksa rrugët janë përfshirë nga ujërat që kanë bartur makina e kontejnerë transporti.

    Mes viktimave janë edhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit të një helikopteri ushtarak që u rrëzua në ishullin Mindanao gjatë operacioneve të ndihmës. “Komunikimi me helikopterin u humb, gjë që menjëherë nxiti nisjen e një operacioni kërkim-shpëtimi,” thanë Forcat Ajrore Filipinase, duke shtuar se trupat e ekuipazhit janë gjetur më vonë.

    Tajfuni, i njohur nga banorët si Tino, është dobësuar pas zbarkimit në tokë, por ka vazhduar të sjellë erëra me shpejtësi mbi 130 km/h, duke u zhvendosur drejt rajonit Visayas dhe Detit të Kinës Jugore.

    Sipas agjencisë kombëtare të katastrofave, mbi 400 mijë persona janë zhvendosur nga përmbytjet. Jel-an Moira Servas, një banore e qytetit Mandaue, i tha BBC-së se brenda pak minutash shtëpia e saj u përmbyt plotësisht: “Tani për tani, shiu ka pushuar dhe dielli ka dalë, por shtëpitë tona janë ende të mbushura me baltë dhe gjithçka brenda është në rrënoja,” tha ajo.

  • OVL-UÇK me aksion simbolik te EULEX-i: Pesë vjet padrejtësi e organizuar, pesë vjet turp ndërkombëtar

    OVL-UÇK me aksion simbolik te EULEX-i: Pesë vjet padrejtësi e organizuar, pesë vjet turp ndërkombëtar

    Sot bëhen plot pesë vite nga arrestimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë nën akuzat për krime lufte.

    Në këtë përvjetor, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka organizuar një aksion simbolik përballë objektit të EULEX-it në Prishtinë, si shenjë revolte ndaj asaj që e cilësojnë “padrejtësi të organizuar ndërkombëtare”.

    Në duart e pjesëmarrësve u panë pankarta me mbishkrime të tilla si:
    “Pesë vjet padrejtësi e organizuar” dhe “Pesë vjet turp ndërkombëtar”.

    Përmes një reagimi në Facebook, OVL-UÇK tha se këto pesë vite përbëjnë një periudhë padrejtësie ndaj luftëtarëve të lirisë, të cilët po mbahen larg familjeve të tyre dhe vendit për të cilin luftuan.

    “Sot bëhen 5 vite nga arrestimi i krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pesë vite padrejtësi, pesë vite që heronjtë e lirisë mbahen larg familjeve dhe vendit për të cilin luftuan. Ne nuk harrojmë dhe nuk dorëzohemi përballë kësaj padrejtësie historike,” thuhet në reagimin e organizatës.

    Krahas protestës së sotme në Prishtinë, OVL-UÇK ka kujtuar se gjatë këtyre viteve janë mbajtur protesta në disa qytete të Kosovës, Shqipërisë dhe diasporës evropiane, për të kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së dhe drejtësi për luftën çlirimtare të Kosovës.

  • Kryhet një intervenim i rrallë në QKUK, pacientes i largohet tumori rreth 16 centimetra

    Kryhet një intervenim i rrallë në QKUK, pacientes i largohet tumori rreth 16 centimetra

    Në Klinikën e Kirurgjisë Torakale të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës është realizuar me sukses një ndërhyrje e ndërlikuar kirurgjikale për largimin e një tumori me përmasa rreth 16 centimetra.

    Sipas njoftimit të QKUK-së në Facebook, pacientja F. D., e lindur në vitin 1956, ishte diagnostikuar me këtë tumor, i cili ndodhej në mes të mushkërive dhe shumë afër strukturave vitale të gjoksit, çka e bënte rastin tejet delikat dhe me rrezik të lartë gjatë ndërhyrjes.

    “Pas ekzaminimeve të nevojshme, ekipi i mjekëve torakal me asistencë edhe nga mjekët e Klinikës së Anestezionit dhe ekipi i infermierëve dhe stafit tjetër profesional, kryen operacionin me sukses.

    Tumori është larguar plotësisht, ndërsa pacientja pas operacionit është në gjendje të mirë shëndetësore, derisa po monitorohet nga afër nga stafi i klinikës”, thuhet në postim.

  • Abdixhiku: Zgjidhja e vetme janë zgjedhjet, Konjufca të jetë i sinqertë – nuk e ka shumicën

    Abdixhiku: Zgjidhja e vetme janë zgjedhjet, Konjufca të jetë i sinqertë – nuk e ka shumicën

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në një konferencë tha se çdo zvarritje e qëllimshme nga Lëvizja Vetëvendosje është zgjatje e krizës dhe se zgjidhja e vetme janë zgjedhjet.

    Abdixhiku theksoi para gazetarëve në këto rrethana edhe mandatari i dytë, Glauk Konjufca duhet të jetë i sinqertë dhe të konstatojë se nuk e ka shumicën.

    “Partitë serioze do të duhej të i kishin menduar me kohë propozimin tonë. Përveçse jemi vonë, qeveri të pakicës nuk mund të ketë më në Kosovë. Nga viti 1989, nga 23 dhjetori 1989 në Kosovë vendos shumica. LDK e rikujton se në demokraci pakica nuk mund të vendos për shumicën, për populloni. Në demokraci pakicës i thonë opozitë, jo qeveri. S’mund të jesh qeveri pakicë. Ose je opozitë, ose je qeveri shumicë. Në demokraci pakica nuk e ndanë buxhetin, nuk kalon ligje, nuk imponon politika dhe nuk mund ta bllokojë vullnetin qytetarë të shprehur me votë të lirë, e as me zvarritje si kjo me mandatarin e dytë. Çdo Qeveri legjitime duhet të përfaqësojë shumicën qytetare, kur kjo shumicë nuk ekziston, vendi duhet t’i kthehet sovranit. Ajo çka sot na propozohet më shumë se demokracisë i ngjanë monarkisë. Në monarki mandati trashëgohet nga i babai te i biri, nga Albin te Glauki. Në monarki mandati mund të trashëgohet e në demokraci mandati sigurohet, tha Abdixhiku në konferencën për media.Ai tha se Konjufca duhet ta kuptojë sa më parë që nuk ka vota.“Në këto rrethana Glauk Konjufca me mandat të trashëguar në rrethana të tanishme politike duke kuptuar qartë dhe saktë vullnetit të qytetarëve, duhet të jetë i sinqertë më vetën më shumë dhe shumë më shumë se kryetari i tij dhe të konstatojë sa më parë aq më mirë se nuk ka shumicë”, theksoi ai.

  • Arrestohen 18 persona në Gjermani për mashtrim online dhe pastrim parash – dëmi mbi 300 milionë euro

    Arrestohen 18 persona në Gjermani për mashtrim online dhe pastrim parash – dëmi mbi 300 milionë euro

    Një veprim i koordinuar ndërkombëtarisht kundër rrjeteve të dyshuara të mashtrimit online dhe pastrimit të parave, që përfshinte edhe ofrues gjermanë të shërbimeve të pagesave, ka rezultuar me 18 të arrestuar, kanë njoftuar autoritetet gjermane të mërkurën.

    Zyra Federale e Policisë Kriminale të Gjermanisë dhe prokurorët kanë bërë të ditur se midis viteve 2016 dhe 2021, të dyshuarit kishin përdorur të dhënat e kartave të kreditit të 4.3 milionë individëve nga 193 vende në skemën e tyre, duke grumbulluar fonde në vlerë mbi 300 milionë euro.

    Të dyshuarit kishin përvetësuar para përmes abonimeve në faqet e internetit të rreme, të dizajnuara për transmetim, takime dhe argëtim.

    Autoritetet kanë shtuar se të pandehurit kishin kompromentuar katër ofrues të mëdhenj gjermanë të shërbimeve të pagesave për të përpunuar pagesat, por emrat e kompanive nuk janë bërë të ditura.

    Të martën vonë, autoritetet kanë kryer kontrolle në ndërtesa në Gjermani, Itali, Kanada, Luksemburg, Holandë, Singapor, Spanjë, SHBA dhe Qipro.

    Prokurorët kanë thënë se fokusin e kanë pasur tek 44 të dyshuar në Gjermani dhe vende të tjera, përfshirë anëtarë të rrjetit të mashtrimit, punonjës të firmave të pagesave dhe ofrues të shërbimeve kriminale si shërbim.

  • Prindërit kërkojnë drejtësi, Nëna e Astrit Deharit: Prokuroria nuk ka punë me Vetëvendosjen, Astriti u vra në burg

    Prindërit kërkojnë drejtësi, Nëna e Astrit Deharit: Prokuroria nuk ka punë me Vetëvendosjen, Astriti u vra në burg

    Në nëntë vjetorin e vdekjes së djalit të tyre, Xhemile e Avni Dehari kërkojnë drejtësi për Astritin.

    Prindërit e Astrit Deharit pas homazheve tek varri i tyre që u bënë edhe nën shoqërim të kryeministrit në detyrë Albin Kurti e kryeparlamentarit Dimal Basha, kanë hedhur kritika ndaj sistemit të drejtësisë që nuk ka zbardhur rastin.

    E nëna Xhemile Dehari u përgjigj kritikëve që pse Vetëvendosje nuk po bënë asgjë për rastin, pa cka ajo tha se Prokuroria nuk ka punë me Vetëvendosjen sepse sipas saj ai u vra në burgin në të cilin u mbyll për çështje politike.

    “Për me u përgjigj ajo prokurori, nuk ka punë me Vetëvendosje. Astriti ka qenë anëtar i Vetëvendosjes. Astriti politikisht është mbyllur, është vrarë në burgun e Prizrenit. Sylë Hoxha, Nexhmi Krasniqi le të dalin e ta thonë, ndoshta u ka ardhur koha me dalë e me thënë të vërtetën, se çka kanë parë në Astritin. E jo neve me na kërku që nuk kemi qenë prezent. Por nëntë vite nuk është pak me prit. Duhet edhe ata prokurorët e rinj me ditë çka duhet të bëjnë tutje”, ka deklaruar nëna e Deharit, Xhemilja.

    Moszbardhjen e rastit, dyshime po ka edhe babai i Astrit Deharit i cili tha se mosfunksionaliteti i drejtësisë po bëhet ndoshta me qëllim për të mos hedhur dritë mbi vdekjen e djalit të tij.

    “Kjo flet shumë për një sistem jofunksional të drejtësisë, dhe ky jofunksionalitet më shumë duket të jetë i qëllimshëm sesa i paqëllimshëm. Ne, si familje, por edhe në emër të të gjithë pjesëmarrësve këtu, kërkojmë që ky rast ta gjejë zgjidhjen dhe drejtësia të kthehet në binarët e duhur, sepse kjo flet për një njollë të keqe të drejtësisë në Republikën e Kosovës dhe nuk do të duhej të vazhdohej kështu. Uroj që për këtë rast dhe për të gjitha rastet në Kosovë, drejtësia ta thotë fjalën e vet”, tha Dehari.

  • Për herë të parë, Kurti publikon letrën ku kishte kërkuar lirimin e krerëve të UÇK-së: S’ka arsye ligjore e as morale që të mbahen më tej

    Për herë të parë, Kurti publikon letrën ku kishte kërkuar lirimin e krerëve të UÇK-së: S’ka arsye ligjore e as morale që të mbahen më tej

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar sërish lirimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në paraburgim në Hagë, duke theksuar se tashmë nuk ekziston asnjë arsye ligjore apo morale që ata të vazhdojnë të mbahen pas hekurave.

    Ky reagim i Kurtit vjen në kohën kur bëhen pesë vite nga arrestimi dhe paraburgimi i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët po mbahen në Hagë mbi akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Në një postim publik, Kurti kujtoi se më 5 nëntor 2020, menjëherë pasi kishte vendosur lule te varri i Astrit Deharit, Rexhep Selimi u dërgua në burgun e Hagës – ku ndodhet ende edhe sot.

    “Pesë vite pritje, pesë vite pas hekurave, ndërkohë që arsyeja e njëjtë përsëritet në çdo vendim për refuzimin e lirimit: ‘rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët’. Por prokuroria e ka përfunduar rastin e saj. Dëshmitarë më nuk ka. Nuk ka as arsye ligjore, as morale që të mbahen edhe më tej në paraburgim,” ka shkruar Kurti.

    Ai ka bërë publike edhe një letër që i kishte dërguar në shtator të vitit 2022 kryetares së Dhomave të Specializuara, znj. Ekaterina Trendafilova, në të cilën kishte kërkuar lirimin e tyre dhe mundësinë që të mbrohen në liri.

    “E bëj publike sot për një arsye të vetme: sepse besoj se është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve të tyre dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës,” ka shtuar ai.

    Kurti tha se përgjigjja e Trendafilovës nuk solli ndryshim, por kërkesat për lirimin e tyre mbeten të vlefshme, pasi Kosova ofron të gjitha garancitë që të katër të mbrohen në liri.

  • Pas Italisë, Kosova ndalon importin e shpezëve edhe nga Hungaria për shkak të gripit të shpezëve

    Pas Italisë, Kosova ndalon importin e shpezëve edhe nga Hungaria për shkak të gripit të shpezëve

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV) ka njoftuar se ka marrë vendim për ndalimin e importit të shpezëve dhe produkteve të tyre nga Hungaria, pas konfirmimit të përhapjes së gripit të shpezëve në disa rajone të këtij shteti.

    Vendimi vjen pas raportimeve të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) dhe Komisionit Evropian, të cilat kanë njoftuar se virusi është përhapur në fermat komerciale dhe tek shpezët e egra në njësitë administrative Jasz, Nagykun dhe Szolnok të Hungarisë.

    “Në bazë të raportimeve zyrtare, ndalohet importi i shpezëve të gjalla dhe i produkteve të tyre që kanë origjinën nga zonat e infektuara të shtetit të Hungarisë, përveç nëse ato kanë origjinën nga ferma të paprekura nga sëmundja, të cilat gjenden në një rreze prej 50 km larg zonave të prekura”, thuhet në njoftimin e AUV-së.

    Kjo ndalesë hyn në fuqi menjëherë dhe vjen vetëm pak ditë pasi Kosova ndaloi importin e shpezëve nga Italia, për arsye të njëjta.

    Agjencia ka theksuar se masat janë ndërmarrë për të parandaluar futjen e virusit në territorin e Kosovës dhe për të mbrojtur shëndetin e kafshëve vendore.