ATV

Author: G.O.

  • Rita Ora dhe Yll Limani publikojnë bashkëpunimin “All Natural”

    Rita Ora dhe Yll Limani publikojnë bashkëpunimin “All Natural”

    Këngëtarja me origjinë shqiptare, Rita Ora, së bashku me artistin nga Kosova, Yll Limani, kanë sjellë projektin e tyre të përbashkët të sapopublikuar, “All Natural”.

    Ky bashkëpunim shënon herën e parë që Rita Ora punon me një këngëtar shqiptar nga Kosova.

    Kënga është publikuar në Spotify. Rita ka promovuar lajmin në rrjetet sociale duke njoftuar se kënga do të dilte të premten dhe ka pjesëmarrjen e Yll Limanit.

    Për Yll Limanin, ky është një hap i rëndësishëm në karrierë, duke bashkuar zërin dhe vizionin e tij me një emër të madh ndërkombëtar si Rita Ora.

    Për Ritën, bashkëpunimi tregon vazhdimin e angazhimit të saj për të hapur ura midis kulturave dhe muzikës.

    Ky duet pritet të marrë pëlqime nga publiku dhe të shtojë interesin ndërkombëtar për muzikën shqipe, duke shënuar një moment të veçantë në skenën muzikore shqiptare dhe më gjerë.

    Bashkëpunimi i Ritës me Yll Limanin është më shumë se një këngë e re, është një moment i veçantë që tregon se muzika shqiptare mund të arrijë edhe më larg.

    “All Natural” sjell energji dhe sinqeritet në çdo notë, duke treguar se talenti shqiptar po bëhet gjithnjë e më i njohur edhe jashtë vendit. /Telegrafi/

  • Shpërthim në një xhami në Xhakarta të Indonezisë, mbi 50 persona të plagosur

    Shpërthim në një xhami në Xhakarta të Indonezisë, mbi 50 persona të plagosur

    Dhjetëra persona janë dërguar me urgjencë në spital pas një shpërthimi në një xhami në kryeqytetin indonezian, Xhakarta, tha policia lokale të premten.

    Sipas raportimeve, incidenti ndodhi gjatë lutjeve të së premtes në një xhami brenda një kompleksi shkollor në Kelapa Gading, në Xhakartën Veriore.

    Shefi i policisë së qytetit, Asep Edi Suheri, tha se shkaku i shpërthimit është ende duke u hetuar.

    54 persona janë shtruar në spital me lëndime që variojnë nga të lehta deri në serioze, përfshirë djegie, tha Suheri.

    Mediat lokale treguan pamje të një kordoni policor rreth shkollës me ambulanca në gatishmëri. Ndërkohë, imazhet e xhamisë nuk treguan dëme të mëdha.

  • Hajdari zbulon se çka e shtyu ta zgjidhte Kosovën para Zvicrës

    Hajdari zbulon se çka e shtyu ta zgjidhte Kosovën para Zvicrës

    Nga korriku deri në tetor, emri i Albian Hajdarit ishte temë e diskutimit nga të gjithë, sidomos pas transferimit nga Lugano te Hoffenheimi dhe mbi të gjitha vendimit që të luajë për Kosovën e jo për Zvicrën.

    Në një intervistë të gjatë dhënë për “Corriere del Ticino” ndër të tjera, Hajdari ka zbuluar se çka e shtyu ta zgjidhte Kosovën para Zvicrës.

    Qendërmbrojtësi 22-vjeçar debutoi muajin e kaluar me fanellën e Kosovës. Ai luajti nga 90 minuta në barazimin pa gola ndaj Sllovenisë dhe fitoren kundër Suedisë 1:0.

    U vlerësua prej më të mirëve në fushë.

    “Federata e Futbollit e Kosovës kishte shprehur interesimin e saj për një vit e gjysmë, një periudhë gjatë së cilës unë debutova me Zvicrën. Dhe, po, menaxhimi i të gjitha situatave nuk ishte e lehtë. Unë jam dhe ndihem kosovar. Pata biseda të shumta si me Murat Yakinin ashtu edhe me trajnerin e Kosovës Franco Foda. Dhe ndjenja që përjetova gjatë këtyre diskutimeve, së bashku me ato më personale, më shtyu mua dhe rrethin tim të zgjidhnim Kosovën”, ka thënë Hajdari.

    Ai ka thënë se ëndrra e tij me Kosovën është kualifikimi në Botëror apo Evropian. Insiston se ka gjasat e saj për t’u kualifikuar në një turne të madh për herë të parë.

    Kosova është në garë për të siguruar kualifikimin në Kupën e Botës që vitin e ardhshëm mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

    Kosova është e dyta në grupin B me shtatë pikë. Në vendin e parë është Zvicra me dhjetë pikë, kurse Sllovenia në pozitën e tretë me tri pikë. Suedia është e fundit me një pikë.

    Kosova këtë muaj i zhvillon dy ndeshjet vendimtare. Më 15 nëntor luan kundër Sllovenisë në Lubjanë, kurse më 18 nëntor e pret Zvicrën në Prishtinë.

    “Kosova e vogël mund të bëjë histori duke u kualifikuar për një turne të madh për herë të parë. Mundësia është aty, duhet shfrytëzuar, edhe nëse kjo do të thotë që Zvicra të dështojë kundër Suedisë. Ne jemi të vetëdijshëm për këtë, ashtu siç e dimë se duhet të mbledhim sa më shumë pikë të jetë e mundur në Lubjanë dhe në Prishtinë kundër Zvicrës. Përjetimi i kësaj aventure me lojtarë dhe ish-shokë skuadre si Kreshnik Hajrizin dhe Amir Shaipin natyrisht e bën gjithçka më të veçantë. Edhe për ta, të cilët ende luajnë në një ligë të nivelit si Superliga, rreziqet janë të mëdha”, ka theksuar Hajdari.

    Ai ka besim se Shaipi do të jetë sërish i rëndësishëm për Luganon. Hajdari ka luajtur më herët me Shaipin te Lugano para se t’i bashkohej në verë Hoffenheimit.

    “Është edhe më e vështirë për një portier të përballojë dinamika të tilla. Amiri e nisi sezonin si numri një dhe papritmas e gjeti veten në stol. Patëm mundësinë të flisnim për këtë gjatë grumbullimit të fundit dhe duke e njohur karakterin e tij, besoj se ajo që ndodhi me Cornaredon mund ta bëjë atë edhe më të fortë. Mund të mësosh vetëm nga situata si ato që kaloi ai, duke reaguar dhe duke demonstruar – me vlerat dhe cilësitë e tua – se mund të kthehesh të jesh portieri titullar i Luganos. Jam i bindur se ai mund ta bëjë, dhe kjo është sigurisht ajo që shpresoj për të”, ka thënë Hajdari.

    Shaipi është portieri i dytë i Kosovës, ndërsa nga fillimi i shtatorit ishte portieri i dytë edhe te skuadra zvicerane, Lugano.

    Shaipi pritet të jetë startues te Kosova për ndeshjen ndaj Sllovenisë. Portieri i parë Aro Muriq është i suspenduar.

  • Numri i viktimave nga zjarri në Tuzlla rritet në 13

    Numri i viktimave nga zjarri në Tuzlla rritet në 13

    Në Qendrën Klinike të Tuzllës të enjten në mbrëmje ka ndërruar jetë një person tjetër, duke e çuar numrin e të vdekurve nga zjarri që më 4 nëntor kaploi shtëpinë e pleqve në Tuzlla në 13.

    Kjo u bë e ditur të premten mëngjesin e 7 nëntorit nga ky institucion shëndetësor.

    Sipas rezultateve preliminare të autopsive të kryera deri më tani, të cilat mjekët ia kanë komunikuar gojarisht Prokurorisë, 11 persona kanë vdekur si pasojë e mbytjes, pra helmimit nga monoksidi i karbonit.

    Nga Prokuroria e Kantonit të Tuzllës u bë e ditur më 6 nëntor se hetimi në vendngjarje ka përfunduar dhe se ky institucion do t’i dorëzojë raportet në periudhën e ardhshme Sektorit të Policisë Kriminale të Ministrisë së Punëve të Brendshme të këtij kantoni.

    “Rreth shkaqeve të zjarrit do të informojmë publikun pasi të analizohen raportet dhe gjetjet e ekspertëve dhe hetuesve”, tha prokuroria në këtë katon.

    Në Tuzlla janë shpallur katër ditë zie.Drejtori i shtëpisë së pleqve në Tuzlla, Mirsad Bakalloviq, dha dorëheqjen më 5 nëntor.

    Ky institucion financon vetë veprimtarinë nga të ardhurat që siguron dhe, sipas deklaratës së drejtorit dhënë për N1 në janar, shtëpia e pleqve nuk merr para nga asnjë buxhet.

    Qyteti i Tuzllës është pronar i ndërtesës së shtëpisë së pleqve dhe emëron menaxhmentin, por nuk ka subvencione ose fonde nga buxheti.

    Kryeministri i Federatës, Nermin Nikshiq, premtoi ndihmën e Qeverisë së Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës për kujdesin e personave të vendosur në shtëpinë e pleqve./REL/

  • Publikohet lista e Shqipërisë për ndeshjet ndaj Andorrës dhe Anglisë

    Publikohet lista e Shqipërisë për ndeshjet ndaj Andorrës dhe Anglisë

    Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë Silvinjo ka publikuar listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e fundit kualifikuese të Kupës së Botës 2026 ndaj Andorrës dhe Anglisë.

    Tekniku kuqezi ka përzgjedhur 25 futbollistë.

    Lista e plotë:

    Portierë: Thomas Strakosha, Mario Dajsinani, Simon Simoni

    Mbrojtës: Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Naser Aliji, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Klisman Cake

    Mesfushorë: Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Kristjan Asllani, Medon Berisha, Qazim Laçi, Adrion Pajaziti, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha, Jasir Asani

    Sulmues: Armando Broja, Myrto Uzuni, Rey Manaj, Mirlind Daku, Indrit Tuci

    Grumbullimi i Kombëtares nis të hënën, më 10 nëntor, në Barcelonë, ku kuqezinjtë do të përgatiten për ndeshjen ndaj Andorrës, e cila do të luhet më 13 nëntor në stadiumin “Estadi FAF Encamp”, në orën 20:45.

    Sfida e fundit e kuqezinjve në këto kualifikuese do të zhvillohet më 16 nëntor, në stadiumin “Air Albania”, ndaj Anglisë, në orën 18:00.

  • Mos përdorni kurrë uthull të bardhë në këto tre sipërfaqe të shtëpisë, rrezikoni dëmtime serioze

    Mos përdorni kurrë uthull të bardhë në këto tre sipërfaqe të shtëpisë, rrezikoni dëmtime serioze

    Uthulla e bardhë është një produkt shumëpërdorimësh që mund të shërbejë për shumë gjëra – nga ndihma në zierjen e vezëve, deri te heqja e njollave nga rrobat.

    Prej brezash, uthulla është cilësuar si një nga produktet natyrale më të mira për pastrim, falë përmbajtjes acidike që ndihmon në heqjen e papastërtive dhe neutralizimin e aromave të këqija.

    Në rrjete sociale, shumë faqe për truket e pastrimit e paraqesin uthullën e bardhë si zgjidhjen e mrekullueshme për çdo njollë apo erë në shtëpi. Por sipas një eksperteje të pastrimit, kjo nuk është plotësisht e vërtetë.

    Në fakt, ekzistojnë tre vende në shtëpi ku nuk duhet kurrë të përdorni uthullën e bardhë.

    Ekspertja e higjienës personale dhe shtëpiake, Madame Sweat, ndau një video në Instagram ku shpjegoi se nëse keni disa elemente të caktuara në shtëpi, nuk duhet t’i pastroni me uthull.

    Ajo tha:

    “Jam eksperte e higjienës personale, por dua t’ju ndihmoj edhe me higjienën e shtëpisë. Ja tre vende që nuk duhet t’i pastroni me uthull”.

    Gurët natyralë

    Nëse keni banakë, tavolina apo mobilje prej guri natyral, mos i pastroni me uthull – as të holluar.

    Madame Sweat këshillon: “Mos përdorni kurrë, as uthull të holluar, mbi gurin natyral. Është shumë acidike”.

    Në vend të saj, ajo sugjeron të përdorni pak detergjent enësh të holluar me ujë dhe një leckë të butë për të pastruar njollat apo derdhjet.

    Dyshemetë prej druri

    Dyshemetë prej druri janë shumë të bukura, por uthulla mund t’i dëmtojë. Ekspertja paralajmëron se uthulla mund të “heqë shtresën mbrojtëse” dhe ta shtrembërojë drurin.

    Pjesët prej gome

    Së fundi, Madame Sweat këshillon të mos përdorni uthull të bardhë në pjesët prej gome – siç janë vulat e lavatriçes apo të pjatalarëses, edhe pse ajo shpesh përmendet si zgjidhje kundër mykut.

    Ajo shpjegon: “Uthulla mund ta konsumojë dhe dëmtojë gradualisht gomën. Nëse doni të hiqni aromat e këqija, përdorni sodë buke”.

    Uthulla e bardhë përmendet shpesh edhe për neutralizimin e aromave në peshqirë, rroba sportive apo veshje të tjera. Në këto raste, mund ta përdorni në lavatriçe, por derdhni uthullën në ndarjen e detergjentit, në mënyrë që të mos prekë gomën rreth derës.

  • “Në emër të drejtësisë…”- Rugovasi marshon me skelet mbi kurriz kundër padrejtësive

    “Në emër të drejtësisë…”- Rugovasi marshon me skelet mbi kurriz kundër padrejtësive

    Besnik Lajçi, një banor i fshatit Drelaj në Rugovë, ka ndërmarrë një akt simbolik proteste, duke marshuar për 4 orë në një distancë prej rreth 29 kilometrash për të denoncuar padrejtësitë dhe shkatërrimin e mjedisit në këtë zonë të njohur.

    Me një “skelet” mbi kurriz, Lajçi ka kërkuar që të tërhiqet vëmendja ndaj gjendjes së rëndë të Rugovës, e cila sipas tij është shndërruar në një “skelet” të vërtetë. Ai ka akuzuar autoritetet për mbylljen e shkollave, ndotjen e Lumbardhit, shkatërrimin e maleve dhe ambientit, si dhe dhënien e tokës për interesa të paligjshme në Mal të Zi.

    Në një lidhje direkte me emisionin “Compass” në ATV, Lajçi ka theksuar se “Rugova është shkatërruar, ndotja është e përhapur, dhe e gjithë kjo është bërë për interesa që nuk kanë asnjë lidhje me mirëqenien e banorëve të kësaj zone.”

    Marshi i tij simbolik është ndjekur nga policia, që ka siguruar rrethinën gjatë kalimit të tij. Lajçi ka bërë thirrje për ndërhyrje urgjente për të shpëtuar Rugovën nga shkatërrimi i mëtejshëm dhe ka kërkuar një mbështetje të fortë nga institucionet shtetërore dhe të tjera.

    Për më shumë ndiqni videon e plotë në linkun e mëposhtëm: 

  • Vrasja në Malishevë: I dyshuari për krimin dërgohet në Klinikën Emergjente

    Vrasja në Malishevë: I dyshuari për krimin dërgohet në Klinikën Emergjente

    Astrit Isufi i dyshuari për vrasjen e dy vëllezërve Driton dhe Naim Morina para shtëpisë së tyre në Golluboc të Malishevës pas arrestimit që ndodhi sot në orët e hershme të mëngjesit është sjell në Klinikën Emergjente në QKUK, për të marrë trajtim mjekësor për plagët e marra e që dyshohet se janë nga armë zjarri.

    Sipas Policisë së Kosovës i dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Malishevë është gjetur në fshatin Pllaqicë dhe më pas është arrestuar.

    “Sot, më datë 07.11.2025, rreth orës 06:25, në fshatin Pllaqicë, është arritur të arrestohet personi i dyshuar A. I. (1983), mashkull kosovar.

    Pas arrestimit, të dyshuarit i është ofruar trajtim mjekësor, pasi i njëjti ka pasur plagë që dyshohet të jetë shkaktuar nga arma e zjarrit. Ai është dërguar për trajtim të vazhduar mjekësor. Hetimet lidhur me rastin janë në zhvillim e sipër dhe po udhëhiqen në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Dje në fshatin Gullboc të Malishevës dy vëllezër u vranë nga dhëndri i tyre para shtëpisë së tyre. I dyshuari pasi shtiu për vrasje në drejtim të dy vëllezërve iku nga vendi i ngjarjes.

  • Lëndohet në vendin e punës një person në Varosh të Ferizajt

    Lëndohet në vendin e punës një person në Varosh të Ferizajt

    Një person ka pësuar lëndime trupore gjatë punës në vendin e tij, të enjten, në fshatin Varosh të Ferizajt.

    Sipas raportit 24-orësh të policisë, viktima ka marrë tretman mjekësor.

    Rasti është duke u hetuar nga njësitë përkatëse.

  • Arrestohet në Ferizaj shtetasja serbe që plagosi me thikë të dashurin pas një zënke

    Arrestohet në Ferizaj shtetasja serbe që plagosi me thikë të dashurin pas një zënke

    Një shtetase e Serbisë është arrestuar të enjten në Ferizaj, pasi dyshohet se e ka goditur me thikë të dashurin e saj.

    Në raportin 24-orësh të policisë thuhet se dyshohet se therja me thikë ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje mes të dyshuarës dhe të dashurit të saj.

    Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa e dyshuara, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.