ATV

Author: G.O.

  • Toyota prezanton “karrigen që ecë”

    Toyota prezanton “karrigen që ecë”

    Toyota në panairin Japan Mobility Show 2025 në Tokio ka prezantuar një pajisje inovative për lëvizje – karrigen robotike “Walk Me” me katër këmbë, e cila mund të ecë, të ngjitet shkallëve dhe të paloset në përmasë të vogël në vetëm 30 sekonda.

    “Walk Me” është zhvilluar për persona me lëvizshmëri të kufizuar, por në vend të dy rrotave ajo ka të integruara katër “këmbë” robotike. Çdo këmbë mund të përkulet, të ngjitet dhe të balancohet në mënyrë të pavarur, në mënyrë të ngjashme me lëvizjen e organizmave të gjalla. Këto këmbë e mundësojnë lëvizje të rrjedhshme mbi zhavorr, shkallë dhe sipërfaqe të pabarabarta, duke ruajtur stabilitetin e përdoruesit.

    Për rehati maksimale, këmbët janë veshur me material të butë, ndërsa sensorë dhe LiDAR skanojnë ambientin për të zbuluar pengesa, shkallë dhe karakteristika të tjera të terrenit. Sistemi inteligjent siguron stabilitet dhe lejon ndalim të menjëhershëm në rast përplasjeje me objekt që gjendet në rrugë.

    Ulësja brenda karriges “Walk Me” përshtatet sipas formës së trupit të përdoruesit, është e pajisur me mbështetës të shpinës dhe doreza anësore për komandim. Me ndihmën e dorezave mund të përcaktohet drejtimi i lëvizjes, por janë të mundshme edhe komandat zanore — për shembull duke thënë “më çoj në kuzhinë” ose “lëviz më shpejt”.

    Në ulëse është i integruar edhe një kompjuter që llogarit rutën, tregon shpejtësinë, gjendjen e baterisë dhe statistikat e ecjes në një ekran të vendosur në mbështetësen e dorezës. Bateria është fshehur prapa mbështetëses së karriges dhe siguron funksionimin gjatë ditës, ndërsa karikohet përmes rrjetës elektrike. Në rast mbinxehjeje të baterisë, pajisja çaktivizohet.

    Një tjetër veçori e karriges “Walk Me” është mundësia e palosjes. Me një shtypje të butonit, karriga transformohet në një valixhe, e cila mund të transportohet praktikisht në automjet ose të ruhet në shtëpi. Pas ndezjes, karriga përsëri shpaloset dhe është gati për përdorim.

    Toyota pozicionon “Walk Me” si zgjidhje për kushte reale – korridore të ngushta, shkallë dhe rrugë. Aktualisht është vetëm një prototip, por projekti tregon ambicien e Toyota‑s për zhvillimin e robotikës. /Telegrafi/

     

     

  • Honda po zhvillon një motor të ri V6

    Honda po zhvillon një motor të ri V6

    Honda ka prezantuar teknologjitë kryesore të sistemeve të saj hibride të mëdha të gjeneratës së ardhshme, përfshirë motorin e zhvilluar së fundmi V6, i cili përputhet me rregulloret strikte mjedisore, si dhe njësitë e reja të fuqisë dhe paketën e baterive që arrijnë efikasitet të lartë dhe kosto të ulët.

    Honda synon të përmirësojë efikasitetin e karburantit të modeleve hibride të mëdha të gjeneratës së ardhshme me më shumë se 30 për qind krahasuar me modelet klasike me motorë me djegie të brendshme që aktualisht shiten në të njëjtin segment.

    Prandaj, Honda do të kombinojë motorin V6 të gjeneratës së ardhshme me komponentët e rinj të sistemit hibrid, të cilët do të mundësojnë një drejtim efikas dhe ekonomik – sa më shumë të jetë e mundur për automjete të mëdha dhe të rënda.

    Honda gjithashtu synon të përmirësojë performancën e përshpejtimit të automjetit me gaz të plotë me më shumë se 10 për qind krahasuar me modelet me motor me djegie të brendshme që aktualisht shiten në të njëjtin segment, duke rritur efikasitetin e motorit dhe çdo njësie të fuqisë dhe duke përdorur ndihmën e baterisë.

    Ideja është që nga viti 2027 ky motor dhe sistemi të prezantohen në automjetet e mëdha të Hondës. Për momentin, si treg është përmendur SHBA-ja, dhe do të shihet nëse ky sistem do të ketë mundësi të shitet edhe në Evropë. /Telegrafi/

  • Mandarinat apo portokallet, cilat kanë më shumë vlera ushqyese

    Mandarinat apo portokallet, cilat kanë më shumë vlera ushqyese

    Ndërsa temperaturat bien, frutat e vjeshtës dhe të dimrit i shtohen tryezës tonë. Midis tyre, frutat agrume dallohen për shijen dhe përfitimet e tyre shëndetësore, pasi ngrënia e portokalleve, mandarinave ndihmojnë për të forcuar sistemin imunitar dhe për të siguruar lëndë ushqyese të vlefshme.

    Portokallet konsiderohen protagonistët e dimrit, pasi përmbajnë minerale dhe antioksidantë, dhe janë lidhur me përfitime të ndryshme shëndetësore, të tilla si përmirësimi i funksionit të sistemit imunitar, zvogëlimi i inflamacionit, zvogëlimi i rrezikut të sëmundjeve të zemrës dhe kancerit, si dhe përthithja më e mirë e hekurit.

    Por sa më të mira janë ato nga ana ushqyese sesa mandarinat?

    Pavarësisht ndryshimit në madhësi, të dy frutat kanë kalori dhe karbohidrate të ngjashme, rreth 47 kalori për portokallin dhe 47–53 për mandarinën, si dhe 11–12 g karbohidrate për portokallin dhe 11–13 g për mandarinën.

    Vitamina C

    Portokallet fitojnë betejën në përmbajtjen e vitaminës C, me rreth 59.1 mg për 100 g, krahasuar me 26.7 mg për mandarinat e zakonshme.

    Lëndë të tjera ushqyese

    Portokallet përmbajnë më shumë fibra, të cilat na mbajnë të ngopur më gjatë nëse i hamë të plota. Ato gjithashtu përmbajnë karotenoide, flavonoide, folate dhe kalium. Mandarinat përmbajnë gjithashtu antioksidantë, karotenoide, sasi të vogla mineralesh dhe vitaminash, dhe, krahasuar me portokallet, ato kanë një përmbajtje relativisht më të lartë të vitaminës A, falë beta-karotenit.

    Çfarë duhet të keni kujdes kur hani portokalle

    Aciditeti i portokallit mund të prekë njerëzit me refluks gastroezofageal ose ndjeshmëri të stomakut. Lëngu i portokallit humbet përmbajtjen e lartë të fibrave dhe mund të përmbajë më shumë sheqer, veçanërisht nëse ka sheqer të shtuar.

    Çfarë duhet të keni kujdes kur hani mandarina

    Përmbajtja më e ulët e fibrave për 100 g krahasuar me një portokall do të thotë që mund të humbisni disa nga këto “përfitime” nëse sasia është e vogël. Në disa varietete, mandarinat mund të kenë më pak vitaminë C, kështu që nëse dieta juaj bazohet në sasi minimale të frutave, portokallet ofrojnë më shumë përmbajtje.

    Çfarë të zgjidhni?

    Kur bëhet fjalë për frutat agrume, ndryshimet midis llojeve janë në të vërtetë të vogla. E gjitha varet nga nevojat, shija dhe mënyra se si i përfshini ato në dietën tuaj. Nëse dëshironi marrjen maksimale të vitaminës C dhe fibrave në një porcion, portokalli ndoshta ofron një raport më të mirë.

    Nëse kërkoni lehtësi, mandarinat janë më praktike pasi mund të hahen edhe si një meze e lehtë. Në fakt, nëse hani më shumë se një, marrja juaj e vitaminës C rritet. Është mirë të alternohen varietetet e agrumeve për të përfituar nga diversiteti i lëndëve ushqyese dhe komponimeve antioksiduese.

     

  • Ky është vendi ku u arrestua i dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Malishevë

    Ky është vendi ku u arrestua i dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Malishevë

    I dyshuari për vrasjen e dy vëllezërve në fshatin Golluboc të Malishevës, është arrestuar mëngjesin e sotëm. Ai është gjetur i plagosur nga Policia e Kosovës.

    Ai dyshohet se ishte fshehur në një shtëpi të pabanuar, rreth 4 kilometra larg vendit ku kishte ndodhur rasti.

    ATV-ja ka publikuar pamje nga atje.

    Gjatë ditës, nga Policia e Kosovës kanë thënë për gazetën online Reporteri.net se i njëjti dyshohet se është plagosur gjatë përleshjes me viktimat.

    Ai ka marrë trajtim mjekësor në QMF-në e Malishevës, për t’u transferuar më pas për në QKUK.

    Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla ka folur për gjendjen e të plagosurit. Ai ka thënë se i njëjti është sjellë në QKUK me plagë nga arma e zjarrit dhe pas ekzaminimit është transferuar për në Kirurgjinë Abdominale për trajtim të mëtutjeshëm.

    “Pacienti është pranuar rreth orës 08:30, i cili është sjellë nga Policia e Kosovës me plagë nga arma e zjarrit. Deri më tani janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme. Pas ekzaminimit klienti është transferu në Klinikën e Kirurgjisë abdominale për trajtim të mëtutjeshëm”, ka thënë Syla.

    Një numër policësh po e ruajnë të dyshuarin e vrasjes së djeshme të vëllezërve në Gollubovc të Malishevës, në QKUK ku po trajtohet pas plagëve që ka marrë nga arma e zjarrit.

    Dy vëllezërit mbetën të vdekur para dyerve të shtëpisë dje në Golluboc të Malishevës.

    Të afërm të viktimave treguan se i dyshuari ka ardhur ta marrë bashkëshorten, motrën e dy viktimave, e cila po qëndronte te familja pasi disa ditë më parë i vdiq babai.

    Në të dalë nga shtëpia, jashtë dyerve të oborrit ka nisur konflikti mes dhëndrit dhe vëllezërve, ndaj të cilëve shtiu me armë dhe i la të vdekur.

    I dyshuari edhe më parë kishte pas aktakuzë për dhunë në familje. Atij ishte ngritur aktakuzë në prill të këtij viti për dy vepra penale “Dhunë në Familje” dhe “Kanosje”.

     

     

  • Seuli: Koreja e Veriut ka lëshuar një raketë balistike

    Seuli: Koreja e Veriut ka lëshuar një raketë balistike

    Koreja e Veriut ka gjuajtur një raketë balistike më 7 nëntor, tha ushtria e Seulit.

    Ky njoftim vjen rreth një javë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, miratoi një plan të Koresë së Jugut për të ndërtuar një nëndetëse me energji bërthamore.

    Analistët kanë thënë e plani i Seulit për ndërtimin e një nëndetëseje të tillë me energji bërthamore mund të nxisë një reagim agresiv nga Pheniani.

    Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë në Seul tha se Koreja e Veriut gjuajti një raketë të paidentifikuar balistike drejt Detit Lindor, duke iu referuar trupit ujor që njihet edhe si Deti i Japonisë.

    Raketa ra në det jashtë ujërave të Japonisë dhe nuk është raportuar për ndonjë dëm apo për të lënduar, tha kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi.

    Sipas ushtrisë së Koresë së Jugut, raketa u lëshua në orën 12:35, sipas kohës lokale, nga një zonë në veri të Phenianit dhe fluturoi rreth 700 kilometra.

    Koreja e Veriut ka rritur ndjeshëm testimin e raketave në vitet e fundit. Këto testime, sipas analistëve, kanë për synim përmirësimin e kapaciteteve për goditje precize, sfidimin e Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, si dhe testimin e armëve para se ato potencialisht të eksportohen drejt Rusisë.

    “Nga këndvështrimi i Koresë së Veriut, mundësia për sulme të papritura nga Deti Lindor mund të jetë burim ankthi. Nëse Koreja e Jugut pajiset me nëndetëse me energji bërthamore, ata do të jenë në gjendje të hyjnë në ujërat e Koresë së Veriut dhe të monitorojnë apo pengojnë armë, sikurse janë raketat balistike që lëshohen nga nëndetëset”, tha për AFP-në, Ahn Chan-il, që ka ikur nga Koreja e Veriut dhe që tani udhëheq Institutin Botëror për Studime të Koresë së Veriut.

    Trump kishte njoftuar se Koreja e Jugut do të ndërtonte nëndetësen në SHBA, ku teknologjia bërthamore konsiderohet një nga sekretet më të ndjeshme dhe më të ruajtura ushtarake.

    Për dallim nga nëndetëset që operojnë me dizel, të cilat duhet të dalin rregullisht në sipërfaqe për të mbushur bateritë, nëndetëset me energji bërthamore mund të qëndrojnë nën ujë për shumë më gjatë./REL

  • ​LVV-AAK, arrihet edhe një koalicion për balotazhin e 9 nëntorit

    ​LVV-AAK, arrihet edhe një koalicion për balotazhin e 9 nëntorit

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do ta mbështesë Lëvizjen Vetëvendosje në Komunën e Vitisë, për balotazhin e 9 nëntorit.

    Këtë e ka bërë të ditur ish-kandidati i AAK-së për kryetar të Komunës së Vitisë, Labinot Bislimi, i cili në raundin e parë të votimit ka marrë 2.89 për qind të votave.

    Kandidati i LVV-së për kryetar të Vitisë, Arsim Ademi, është në garë në balotazh me kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sokol Haliti, i cili është edhe kryetar aktual.

    Bislimi ka thënë se ky koalicion është rrjedhojë e natyrshme e situatës dhe e vetë pozicionimit të tyre, siç ka thënë, “pozicionimit të tyre karshi të keqes së komunës së Vitisë”.

    “Pasi u përafruan vlerat, idetë dhe programet, pasi e morëm vendimin brenda strukturave tona, sot në mëngjes nënshkruam marrëveshjen e koalicionit në nivel të degëve dhe i zgjatëm dorën njëri-tjetrit me kandidatin për kryetar, z. Arsim Ademi. Ky koalicion është rrjedhojë e natyrshme e situatës dhe e vetë pozicionimit tonë karshi të keqes së komunës së Vitisë, që me emër thërrasim Sokol Haliti. Aleanca Dega në Viti nuk ka qëndruar asnjëherë indiferente ndaj proceseve dhe nuk ka pasur asnjëherë pozicion neutral përballë të keqes. Ajo ka pasur dhe gjithmonë do të ketë qëndrime dhe pozicione politike, duke iu përgjigjur situatave të kohës. Situata e tanishme kërkon guxim, mobilizim dhe pozicionim. Ky koalicion e shpreh edhe njëherë guximin tonë për të qenë pjesë e proceseve politike; për t’i ndihmuar dinamikat shoqërore dhe për t’i shtyrë përpara vlerat, idetë dhe projektet e nevojshme për qytetarët e komunës tonë”, ka shkruar ai në rrjetin social “Facebook”.

    Në raundin e parë të votimit më 12 tetor, kandidati i LDK-së, Sokol Haliti, ka marrë 38.01 për qind të votave, kurse kandidati i LVV-së, Arsim Ademi, ka marrë 33.46 për qind.

  • Nafta, Rusia dhe Ukraina në agjendën e takimit Trump-Orban

    Nafta, Rusia dhe Ukraina në agjendën e takimit Trump-Orban

    Do të ketë shumë ngrohtësi në pritjen që presidenti amerikan, Donald Trump, do t’i bëjë kryeministrit hungarez, Viktor Orban, në Shtëpinë e Bardhë më 7 nëntor, por përveç kimisë së fortë personale, të dy udhëheqësit do të kenë një listë të gjatë çështjesh për të cilat do të diskutojnë gjatë drekës së tyre.

    Edhe pse prej kohësh i bashkon ideologjia dhe fjalët, dy udhëheqësit janë në anë të kundërta sa i përket politikës ndaj importeve të naftës ruse. Ndërkaq, planet që Orbani të mirëpresë Trumpin dhe presidentin rus, Vladimir Putin, në një samit në Budapest për momentin janë lënë mënjanë.

    Një përjashtim nga masat amerikane që synojnë të kufizojnë tregtinë me naftën ruse duket se është pikë kyç në listën e dëshirave të Orbanit në Uashington.

    Shërbimi hungarez i Radios Evropa e Lirë raportoi se bisedat me burime brenda Qeverisë hungareze sugjeronin se ata mendonin se një marrëveshje për përjashtim nga masat ka gjasa të ndodhë. Ka një precedent evropian, pas vendimit të muajit të kaluar që përkohësisht të përjashtohet nga sanksionet dega gjermane e Rosneft-it.

    Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti amerikan i Shtetit nuk iu përgjigjën pyetjeve të dërguara nga Radio Evropa e Lirë.

    “Ai ka kërkuar për një përjashtim. Nuk ia kemi dhënë… Viktori është miku im. Ai ka kërkuar një përjashtim”, tha Trump më 31 tetor për gazetarët që gjendeshin në aeroplanin presidencial amerikan.

  • Qeveria në detyrë merr tri vendime të reja

    Qeveria në detyrë merr tri vendime të reja

    Qeveria në detyrë ka mbajtur mbledhje elektronike të enjten, 6 nëntor.

    Kryeministri e ministrat në detyrë kanë marrë tri vendime.

    Kanë miratuar propozimin për të kërkuar nga presidentja dhënien e autorizimit Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje në Ballkanin Perëndimor”, ndërmjet Bashkimit Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian, si huadhënës dhe Kosovës, si huamarrës dhe Bankës Qendrore të Kosovës, si Agjent i huamarrësit.

    Është miratuar kërkesa e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për kthimin e fondeve të transferuara në Buxhetin e Republikës së Kosovës, në Ndërmarrjen Shoqërore “Çeliku” në shumën prej 6,405 euro.

    Si dhe, u miratua kërkesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe ndarje, sipas tabelave të bashkëngjitura në aneksin A (Kursimet) dhe në aneksin B.

  • Gjatë tetorit, Policia në Ferizaj shqipton 329 gjoba për përdorimin e telefonit nga shoferët

    Gjatë tetorit, Policia në Ferizaj shqipton 329 gjoba për përdorimin e telefonit nga shoferët

    Pas përfundimit të fushatës sensibilizuese që filloi më 6 tetor 2025, me moton “Një sekondë në telefon mund të bëhet shumë vonë. Duart në timon, e jo në telefon”.

    Policia rajonale e Ferizajt ka kaluar në fazën e zbatimit të masave ndëshkuese ndaj shoferëve që përdorin telefonin gjatë ngasjes së automjetit.

    Gjatë periudhës sensibilizuese, nga data 13 tetor 2025, policia ka zhvilluar ligjërata në shkolla, takime me qytetarë, si edhe ka shpërndarë fletëpalosje informuese me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rreziqet që sjell përdorimi i telefonit gjatë ngasjes.

    Si rezultat i veprimeve policore pas përfundimit të kësaj fushate, vetëm gjatë muajit tetor 2025 janë shqiptuar 329 gjoba ndaj shoferëve që janë kapur duke përdorur telefonin gjatë drejtimit të automjetit, duke rrezikuar sigurinë e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.

    Policia thekson se përdorimi i telefonit gjatë ngasjes mbetet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore, prandaj apelon te të gjithë drejtuesit e automjeteve që të përqendrohen plotësisht në vozitje dhe të shmangin çdo shpërqendrim.

    “Edhe një sekond pakujdesie mund të ketë pasoja fatale”, thuhet në apelin e Policisë rajonale të Ferizajt.

    Kontrollet dhe masat ndëshkuese do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim në të gjitha rrugët e rajonit të Ferizajt, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

    Policia fton qytetarët të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo shkelje në trafik përmes aplikacionit “Lajmëro policinë” ose në numrat e telefonit: 192, 0290/326-250, 0290/322-406.

  • Balotazhi: 1,690 të rinj do të votojnë për herë të parë, KQZ-ja tregon detajet

    Balotazhi: 1,690 të rinj do të votojnë për herë të parë, KQZ-ja tregon detajet

    Në rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të 18 komunave, të drejtë vote do ta kenë edhe të rinjtë që kanë mbushur 18 vjet pas ditës së zgjedhjeve të raundit të parë dhe deri më 9 nëntor, ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    “Në rundin e dytë të zgjedhjeve, do të përdoret e njëjta listë votuese e cila është përdorur në rundin e parë, me disa përditësime. Konkretisht, kjo listë është plotësuar me emrat e 1,690 të rinjve që nga data 13 tetor deri më 9 nëntor kanë të drejtë të votojnë për herë të parë. Po ashtu, nga lista janë larguar rreth 1,150 persona që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës apo që kanë ndërruar jetë nga fillimshtatori deri në javën e fundit të tetorit”, sqaroi Elezi.

    Elezi ka sqaruar se në listën votuese, nuk do të përfshihen as lëvizjet eventuale të qytetarëve nga njëra komunë në tjetrën.

    “Lëvizjet e brendshme të qytetarëve ndërmjet komunave nuk përfshihen në këtë proces zgjedhor. Kjo do të thotë se qytetarët që kanë ndërruar vendbanimin nga një komunë në një tjetër pas rundit të parë nuk do të mund të votojnë në komunën ku janë zhvendosur, por vetëm në atë ku kanë qenë të regjistruar në listën votuese të rundit të pare dhe nëse komuna e tyre është pjesë e balotazhit”, tha Elezi.

    Rundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave do të mbahet në 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë-Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

    Sipas listës së votuesve të publikuar nga KQZ-ja, pas përditësimit të të dhënave me votuesit e rinj dhe pas largimit të personave të vdekur si edhe të atyre që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës, numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këto 18 komuna është 1,316,672, pra vetëm 543 votues më shumë se në raundin e parë.

    Rundi i dytë i zgjedhjeve do të zhvillohet në 525 qendra të votimit, me gjithsej 1,648 vendvotime, prej të cilave 507 qendra me 1,628 vendvotime për votimin e rregullt dhe 18 qendra, nga një për çdo komunë ku mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve, me 20 vendvotime, për të mundësuar votimin me kusht.