ATV

Author: G.O.

  • Dhuna në familje – Fillon zbatimi i hallkave elektronike për parandalimin e rasteve

    Dhuna në familje – Fillon zbatimi i hallkave elektronike për parandalimin e rasteve

    Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, mbajti një takim pune me përfaqësues të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë, në kuadër të fillimit të implementimit të hallkave elektronike për parandalimin e dhunës në familje.

    Në takim morën pjesë prokurorë të Prokurorisë Themelore në Prizren, gjyqtarë të rajonit, përfaqësues të Policisë Rajonale, avokatë, si dhe përfaqësues të Zyrës për Mbrojtjen dhe Ndihmë të Viktimave dhe të Shërbimit Sprovues. Qëllimi i takimit ishte koordinimi institucional dhe fillimi i zbatimit të kësaj mase për personat ndaj të cilëve gjykata ka shqiptuar masën e kufizimit të lëvizjes.

    Gjatë diskutimeve, u theksua se hallkat elektronike përbëjnë një mjet modern dhe efektiv për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe për forcimin e reagimit institucional në raste të tilla. Përfaqësuesit e Policisë prezantuan mënyrën e vendosjes së pajisjeve, ndërlidhjen me sistemin e monitorimit dhe procedurat që ndërmerren në rast të shkeljes së masës së kufizimit të lëvizjes.

    Kryeprokurori Petrit Kryeziu theksoi se ky proces shënon një hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes më efikase të viktimave dhe zbatimit të vendimeve gjyqësore. Ai vuri në dukje se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet Prokurorisë, Policisë dhe Gjykatës është thelbësor për zbatimin e suksesshëm të kësaj mase dhe për parandalimin e rasteve të përsëritura të dhunës.

    Në takim, fjalë përshëndetëse mbajtën edhe Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prizren, Shpresa Emra, drejtori i policisë rajonale në Prizren, kolonel Faton Alija, dhe kryetari i OAK – dega Prizren, Blerim Mazreku, të cilët theksuan rëndësinë e implementimit të hallkave elektronike si mjet mbrojtjeje për viktimat në rastet me masa kufizuese të lëvizjes.

    Në përfundim, pjesëmarrësit u dakorduan që të ndërmerren hapa konkretë për zbatimin praktik të kësaj mase dhe për sigurimin e informimit të vazhdueshëm ndërinstitucional mbi funksionimin e sistemit të mbikëqyrjes elektronike.

  • Kanadaja po shqyrton mundësinë e pjesëmarrjes në ‘Eurovision 2026’

    Kanadaja po shqyrton mundësinë e pjesëmarrjes në ‘Eurovision 2026’

    Kanadaja po shqyrton mundësinë e pjesëmarrjes në Eurovision, mbështetje e qeverisë dhe sfidat financiare

    Një njoftim i veçantë ka tërhequr vëmendjen e fansave të muzikës: qeveria kanadeze po shqyrton mundësinë që Kanada të marrë pjesë në Eurovision Song Contest, konkursin ndërkombëtar ku këngëtarë nga e gjithë bota konkurrojnë duke performuar këngë origjinale nën flamurin e vendit të tyre.

    Burime qeveritare kanë treguar se Kryeministri Mark Carney është personalisht i përfshirë në këtë iniciativë, shkruan CBC.

    Eurovisioni kryesisht përfaqëson talentin evropian dhe organizohet nga European Broadcasting Union (EBU), por çdo transmetues publik që është anëtar i EBU-së mund të marrë pjesë, duke përfshirë disa jashtë Evropës. Kanadaja është vetëm anëtare afiliate, ndërsa Australia, një tjetër anëtare afiliate, ka marrë pjesë në Eurovision që nga viti 2015.

    Kur CBC News e pyeti Eurovisionin muajin e kaluar për mundësinë e pjesëmarrjes së Kanadasë, përgjigja ishte se konkursi është i kufizuar për anëtarët e EBU-së.

    Megjithatë, pjesëmarrja kanadeze nuk duket e thjeshtë. Në vitin 2022, kompania prodhuese nga Toronto, Insight Productions – e njohur për spinoff-et kanadeze të The Amazing Race dhe Big Brother – tentoi të krijonte një Eurovision Canada, ku artistët kanadezë do të konkurrojnë dhe fituesi do të dërgohej në Evropë për konkursin kryesor.

    Organizatorët planifikuan që ky konkurs të niste në vitin 2023, duke përfshirë artistë nga të gjitha 13 provincat dhe territoret e Kanadasë, por projekti nuk arriti të realizohet. Sipas Lindsay Cox, shefe e përmbajtjes në Insight, dërgimi i artistëve kanadezë në Eurovisionin global ishte më kompleks se sa mendohej, ndërsa CBC/Radio-Canada nuk ishte e gatshme të përfshihej për shkak të kostove të larta.

    Megjithatë, Kanadaja nuk do të duhet domosdoshmërisht të organizojë një konkurs televiziv të shtrenjtë në vend për të zgjedhur artistin e saj – rregullat e Eurovisionit lejojnë vendet të zgjedhin vetë mënyrën e selektimit.

    Dean Vuletic, historian dhe ekspert i historisë së Eurovisionit, thekson se pjesëmarrja kërkon shpenzime të konsiderueshme: “Përveç tarifës së pjesëmarrjes, duhet të llogariten kostot e udhëtimit dhe të qëndrimit të ekipit dhe artistëve.”

    Kanadezët kanë marrë pjesë më parë nën flamuj të tjerë – Céline Dion fitoi festivalin duke përfaqësuar Zvicrën në vitin 1988, Natasha St-Pier përfaqësoi Francën në vitin 2001, dhe La Zarra nga Montreal, përsëri përfaqësoi Francën, në vitin 2023. Megjithatë, konkurrimi nuk është shumë i njohur në Kanada, gjë që mund të jetë një pengesë për pjesëmarrjen, thotë Karen Fricker, profesoreshë në Brock University dhe eksperte e Eurovisionit.

    “Njohësit e kulturës dhe komunitetet queer e njohin, por a është mjaft i njohur për të krijuar momentum, kjo është pyetja ime më e madhe”, shton Fricker.

    Eurovisioni ka tentuar të globalizojë markën e tij vitet e fundit, por mbetet kryesisht një ngjarje evropiane, thotë Vuletic. Ai vëren se organizatorët mund të jenë të kujdesshëm për të mos lejuar shumë vende jashtë Evropës, për të mos humbur identitetin kulturor të konkursit.

    Megjithatë, Ministri i Financave Francois-Philippe Champagne tha për Global News se ideja për pjesëmarrjen kanadeze ka ardhur nga vetë pjesëmarrësit, duke sugjeruar se Evropa nuk ka shumë pengesa për pranimin e Kanadasë.

    Edhe pse ka pengesa dhe debate të brendshme mbi pjesëmarrjen e vendeve të caktuara, përfshirë Izraelin për shkak të situatës së luftës në Gaza, mbështetja e qeverisë federale bën që kjo të jetë biseda më reale që Kanadaja ka pasur ndonjëherë për t’u bashkuar me Eurovisionin.

    “Është ende spekulative, por më konkrete se sa ka qenë më parë,” tha Fricker.

  • Ish-sekretari i NATO-s: Ukraina do të përballet me luftë të përjetshme nëse Evropa nuk shton presionin ndaj Rusisë

    Ish-sekretari i NATO-s: Ukraina do të përballet me luftë të përjetshme nëse Evropa nuk shton presionin ndaj Rusisë

    Ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ka paralajmëruar se Ukraina mund të përballet me një “luftë të përjetshme” dhe një erozion të ngadaltë të territorit nëse Evropa nuk rrit ndjeshëm presionin ndaj Rusisë.

    Ai theksoi se kjo përfshin vendosjen e trupave dhe krijimin e një mburoje raketash dhe dronësh në territorin e NATO-s për të mbrojtur Ukrainën nga sulmet ruse ndaj infrastrukturës së saj.

    Rasmussen, që shërbeu si sekretar i NATO-s nga viti 2009 deri në 2014 dhe si kryeministër i Danimarkës nga 2001 deri në 2009, tha në një intervistë për The Guardian se vendet e NATO-s, si Polonia, nëse do të pranonin të strehonin sisteme të tilla mbrojtjeje ajrore, do të dërgonin një mesazh të qartë Rusisë: çdo sulm ndaj Ukrainës do të konsiderohej si një sulm ndaj të gjithë aleancës.

    “Ne duhet t’i ndihmojmë ukrainasit të mbrohen nga raketat dhe dronët rusë duke ndërtuar një mburojë ajrore që i lejon të rrëzojnë sulmet. Vendet fqinje të NATO-s me Ukrainën mund të jenë baza për një sistem mbrojtjeje ajrore dhe raketash me bazë në NATO”, deklaroi ai.

    Rasmussen gjithashtu bëri thirrje për krijimin e një force mbrojtëse evropiane për Ukrainën para çdo marrëveshjeje armëpushimi. Ai vuri në dukje se “koalicioni i të vullnetshëmve” që shpresonte të mblidhte një forcë të tillë pas luftës, ishte reduktuar në një grup të vogël që prisnin.

    “Nëse nuk kryejmë ndryshime të mëdha në strategji, do të shohim një luftë të përjetshme. Putini nuk ka asnjë nxitje për t’u angazhuar në negociata paqeje për sa kohë që mendon se mund të fitojë në fushën e betejës. Nevojiten ndryshime në shpejtësi dhe mentalitet”, shtoi ai.

    Gjatë vizitës së tij në kryeqytetet evropiane, Rasmussen po takohet me liderë të ndryshëm, përfshirë këshilltarin e sigurisë kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Powell. Të dy diskutuan mundësinë që SHBA-ja t’i ofrojë garanci sigurie Ukrainës, duke përdorur një qasje të ngjashme me garancitë që iu dhanë Katarit pas sulmit të Izraelit ndaj Dohas.

  • Bajrami i reagon Muratit: Me fakte, 46 ditë e ke mbajtur buxhetin e Prishtinës në sirtar

    Bajrami i reagon Muratit: Me fakte, 46 ditë e ke mbajtur buxhetin e Prishtinës në sirtar

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati lidhur me reagimet e këtij të fundit për buxhetin e komunës së Prishtinës.

    Bajrami ka përmendur një fakt se qysh Hekruan Murati e kishte bllokuar vitin e kaluar buxhetin e komunës së Prishtinës për 46 ditë.

    “Qytetarët dhe punëtorët e ndërmarrjeve publike do të tregojnë të dielën se kush është bllokuesi në Prishtinë.” – ka thënë ajo.

    Postimi:

    ME FAKTE:

    Hekuran Murati 46 ditë e ka mbajtur buxhetin e Prishtinës në sirtar e nuk e ka përcjellë për aprovim për Kuvend.

    Ministri propagandës i Albin Kurtit duke parë që humbjen në Prishtinë e kanë të paevitueshme që disa ditë po nxjerrë lot krokodili për buxhetin e komunës së Prishtinës dhe pagat e ndërmarrjeve publike në Prishtinë.

    Të nderuar qytetarë, populli thotë “Zoti nuk rrëhet”

    Kuvendi Komunal i Prishtinës e ka kaluar buxhetin e Prishtinës me datë 9.12.2024.

    Komuna e Prishtinës e ka përcjellë buxhetin në Ministrinë e Financave me datë 17.12.2024, shih shkresën e protokollit.

    Hekuran Murati e ka mbajtur buxhetin e Prishtinës plotë 46 ditë në sirtar dhe a e dini kur e ka përcjellë në Kuvend të Kosovës, e ka përcjellë me 31.01.2025, shiheni shkresën që ai ka postuar vetë.

    Dmth. Hekurani buxhetin e Prishtinës e ka përcjellë në Kuvend në kulmin e fushatës zgjedhore me 31 janar dhe normalisht Glauk Konjufca si kryetar as që është marrë me këtë punë, sepse ai është dashur të thërrasë mbledhje të Kryesisë, e të caktojë seancë dhe ta kalojmë buxhetin e komunës së Prishtinës para një viti, por jo këto nuk kanë ndodhur. Tani akuzat e propaganduesit janë se LDK-ja po e bllokon kuvendin dhe s’po e kalon buxhetin e komunës së Prishtinës.

    E qysh kalohet buxheti pa u formu komisionet parlamentare?

    E qysh formohen komisionet parlamentare pa u ditur se kush është pozita dhe kush është opozita?

    Tregoju qytetarëve pse e ke mbajtur në sirtar buxhetin e komunës së Prishtinës 46 ditë dhe nuk e ke sjellë në Kuvend atëherë kur Kuvendi ka qenë funksional dhe i ka pasur krejt trupat funksional.

    Qytetarët dhe punëtorët e ndërmarrjeve publike do të tregojnë të dielën se kush është bllokuesi në Prishtinë.

    Mjaft, propagandove!

    Liroje buxhetin e RTK-së, siç e bëre para tre muajve ose siç është vepruar më 2021, sepse derisa ti po mashtron në fcb. disa familje bukën në market janë t’u e marrë veresi.

  • Polonia do t’i stërvitë ushtarakisht rreth 400.000 njerëz në vitin 2026

    Polonia do t’i stërvitë ushtarakisht rreth 400.000 njerëz në vitin 2026

    Polonia do ta fillojë këtë muaj zbatimin e një programi të ri për stërvitje ushtarake, si pjesë e një plani më të gjerë për t’i stërvitur rreth 400.000 njerëz në vitin 2026, njoftoi të enjten Ministria e Mbrojtjes.

    E nxitur prej pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Polonia tani shpenzon për mbrojtjen më shumë nga prodhimi i brendshëm bruto (PBB) se çdo anëtar tjetër i NATO-s.

    Ajo tani ka ushtrinë e tretë më të madhe në aleancë, me një personel prej 216,000 vetash, dhe synon ta rrisë edhe më shumë ushtrinë në dekadën e ardhshme.

    Programi “Në Gatishmëri” do të jetë vullnetar dhe i hapur për të gjithë qytetarët, nga nxënësit e shkollave, tek të rriturit e punësuar, kompanitë dhe të moshuarit.

    Ministri i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, e ka cilësuar këtë program si “stërvitja më e madhe mbrojtëse në historinë polake”.

    Polonia ngre aeroplanët në ajër pas sulmeve intensive ruse në perëndim të Ukrainës

    Programi do të ofrojë kurs bazik për sigurinë, stërvitje për mbijetesë, udhëzime mjekësore dhe mësime për higjienën kibernetike.

    “Vetëm në nëntor dhe dhjetor (…) ne do të trajnojmë rreth 20.000 njerëz në trajnim individual, por numri i përgjithshëm…, për të gjitha format e trajnimit, është rreth 100.000 njerëz”, tha në një konferencë zëvendësministri i mbrojtjes, Cezary Tomczyk.

    Ministria synon t’i stërvitë vitin e ardhshëm afërsisht 400.000 njerëz “individualisht, në grupe, si pjesë e programit ‘Edukimi me Ushtrinë’, në trajnimin e rezervës dhe në shërbimin ushtarak të detyrueshëm dhe vullnetar”, shtoi Tomczyk, shkruan REL.

    Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Polonisë, Wieslaw Kukula, tha se programi ka dy synime kryesore; të forcojë qëndrueshmërinë e qytetarëve dhe komuniteteve, dhe të rrisë disponueshmërinë, gatishmërinë dhe kapacitetin e rezervave.

    Programi u bë i ditur për herë të parë nga kryeministri Donald Tusk në mars për të “ndërtuar një ushtri rezervistësh” mes shqetësimeve të shtuara të sigurisë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

  • Shqyrtohet ankesa e mbrojtjes për vëllezërit Vllasaliu që u dënuan me burgim të përjetshëm për vrasjen e Bedri Rexhepit

    Shqyrtohet ankesa e mbrojtjes për vëllezërit Vllasaliu që u dënuan me burgim të përjetshëm për vrasjen e Bedri Rexhepit

    Në Gjykatën e Apelit po shqyrtohen ankesat e mbrojtjes për Jeton dhe Nexhat Vllasaliun.

    Ata kërkojnë ndryshimin e vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila i dënoi me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi.

    Shkalla e parë i shpalli ata fajtorë në muajin maj. Sipas aktgjykimit, vëllezërit Vllasaliu janë përgjegjës për “Vrasje të rëndë” dhe “Dëmtim të kufomave”, vepra të kryera në bashkëkryerje dhe me qëllim të përfitimit pasuror.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë pretendon se planifikimi për vrasjen e Rexhepit kishte nisur në fillim të vitit 2021.

  • Vrasje e dyfishtë në Malishevë, i dyshuari kërkohet nga Policia

    Vrasje e dyfishtë në Malishevë, i dyshuari kërkohet nga Policia

    Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot në fshatin Golluboc të Malishevës, ku dy vëllezër, të moshave rreth 32 dhe 45 vjeç, janë qëlluar për vdekje me armë zjarri.

    Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari për këtë vrasje të dyfishtë është A.I., i cili sipas hetimeve paraprake, i dyshuari ka shkuar në shtëpinë e viktimave për të marrë gruan e tij.

    Pas një përplasjeje verbale, ai është larguar nga shtëpia, por më pas është kthyer dhe ka hapur zjarr ndaj dy vëllezërve, të cilët ndodheshin para derës së shtëpisë. Njëri nga viktimat ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa tjetri ka ndërruar jetë gjatë transportit në spital.

    Dyshohet se konflikte të mëparshme mes familjes së të dyshuarit dhe viktimave mund të kenë kontribuar në eskalimin e situatës.

    Policia dhe Prokuroria janë në vendngjarje dhe po kryejnë hetime të mëtejshme, ndërsa i dyshuari është shpallur në kërkim. Veprime operative janë duke u zhvilluar për kapjen e tij.

  • Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, Kurti: Uron VLEN për fitoret

    Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, Kurti: Uron VLEN për fitoret

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar koalicionin VLEN për fitoret në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut.

    Ai theksoi se ky sukses konfirmon vullnetin për ndryshim dhe se gjatë qeverisjes së VLEN, Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë thelluar raportet fqinjësore si kurrë më parë.

    Përmes një postimi në facebook, Kurti theksoi se gjatë 15 muajve në pushtet, VLEN ka qeverisur “me duar të pastra, pa korrupsion e skandale”, duke sjellë dallim etik nga qeverisjet e kaluara.

    Kjo frymë ndryshimi, shtoi ai, ka sjellë bashkëpunim konkret, përfshirë takimin e dy qeverive dhe menaxhimin e përbashkët të kufirit. Kurti deklaroi se Qeveria e Kosovës i mirëpret këto zhvillime demokratike si dëshmi të perspektivës evropiane të aleatit fqinj.

  • Punëtorët e RTK-së protestojnë për pagat, paralajmërojnë grevë

    Punëtorët e RTK-së protestojnë për pagat, paralajmërojnë grevë

    Dhjetëra punëtorë të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) kanë protestuar të enjten pranë ndërtesës së televizionit shtetëror, për shkak vonesës së pagave, duke paralajmëruar grevë nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.

    Në protestën e organizuar nga Sindikata e Punëtorëve të RTK-së, punonjësit mbajtën pankarta me mbishkrimin “Punëtorët e RTK-së – jo viktima të krizës”, “Gazetarë pa pagesë, demokraci pa zë”, dhe “RTK nuk hesht edhe në errësirë”.

    Më shumë se 700 punonjës të transmetuesit të vetëm publik në Kosovë nuk e kanë marrë pagën e nëntorit, për shkak se RTK-së nuk i është ndarë pjesa e dytë e buxhetit për këtë vit.

    Buxheti vjetor i RTK-së kap vlerën e 8.9 milionë eurove, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Gazetari dhe përfaqësuesi i sindikatës, Gëzim Bimbashi, u bëri thirrje Kuvendit të Kosovës, Qeverisë në detyrë dhe menaxhmentit të RTK-së të punojnë për ta kaluar buxhetin për televizionin shtetëror.

    “Ne kemi qenë të durueshëm, por durimi jonë ka kufij. Nëse brenda një kohë të shkurtër nuk gjendet zgjidhje, sindikata e punëtorëve të RTK do të shqyrtojë mundësitë ligjore për hyrje në grevë të përgjithshme. Dhe, nëse vazhdohet me heshtje e shpërfillje protestat tona edhe mund të përshkallëzohen”, tha Bimbashi.

    RTK-ja po përballet me probleme financiare tash e një kohë, pasi raporti vjetor i saj duhet të diskutohet nga Komisioni për buxhet i Kuvendit – që nuk është i themeluar – në mënyrë që më pas të ketë buxhet për pagat e mbi 700 punëtorëve.

    Javën e kaluar, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, nuk gjeti pajtueshmëri me përfaqësuesit politikë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, që të shtynte përpara, ndër të tjera, edhe çështjen e buxhetit për RTK-në.

    Kjo është protesta e dytë e punëtorëve të RTK-së pas asaj në gusht, pas të cilës Qeveria në detyrë e miratoi kërkesën e televizionit për kredi në vlerë prej mbi 2.5 milionë euro.

    Ditë më parë, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, se Qeveria në detyrë nuk mund ta përsërisë vendimin e gushtit.

    Murati shtoi se përgjegjësinë për ndarjen e mjeteve buxhetore për RTK-në e ka Kuvendi i Kosovës dhe jo Qeveria.

    Ai theksoi se zgjidhja për pagat e punëtorëve të transmetuesit publik varet nga formimi i komisioneve parlamentare./REL

  • Policia e Kosovës: E-mailat “ftesë/arrestim i menjëhershëm” janë të rremë

    Policia e Kosovës: E-mailat “ftesë/arrestim i menjëhershëm” janë të rremë

    Policia e Kosovës ka njoftuar opinionin publik për qarkullimin e disa e-mailave të rremë që pretendojnë se janë dërguar nga zyrtarë të lartë të Policisë apo nga institucione ndërkombëtare të sigurisë.

    Në njoftimin zyrtar thuhet se “këto informacione, të emërtuara ‘FTESË/ARRESTIM I MENJËHERSHËM’, që kinse janë lëshuar nga stafi i lartë menaxhues i Policisë së Kosovës, Agjencia e Sigurisë Kibernetike, FBI, Policia Kombëtare e Krimit Kibernetik apo INTERPOL, nuk janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës”.

    Sipas PK-së, e-mailat e tillë janë “dokumente të falsifikuara, të krijuara për qëllime mashtruese dhe dezinformuese”.

    “Policia e Kosovës, në bashkëpunim me organet e drejtësisë, ka nisur hetime intensive për të identifikuar dhe ndjekur personat përgjegjës për këtë veprim,” thuhet në komunikatë.

    Institucioni apelon qytetarët që “të mos bien pre e mashtrimeve të tilla” dhe që çdo e-mail apo dokument të dyshimtë ta dërgojnë për verifikim në adresën zyrtare [email protected]